Saga e Gjarprit është një roman modern, i ngritur mbi një sistem narrativ të ndërlikuar. “Figura mbi qilim”,(Henry James,1896) nuk është e lehtë të zbulohet dhe kjo përbën një nga karakteristikat e saj të veçanta. Ajo ngrihet mbi një strukturë ciklike, fillimi dhe mbarimi është pothuajse I njëjtë. Vepra nis me rrëfimtarin, ulur në studion e psikanalistit për shpjegimin e një ëndrre, që fsheh më shumë se të pathënat e një shpirti të trazuar nga dashuria.
Nëpërmjet analepsës, zbritet shkallë-shkallë nëpër ngjarjet traumatike, të cilat janë shtypur në pavetëdije. Këto herë janë të përjetuar personalisht, e herë barten nga individi si pjesë e kujtesës kolektive, e cila ka mbetur e pashlyer në mendjen e një etnije a të gjithë njerëzimit. Diskursi narrativ nis në media res, dhe kthehet pas në kohë herë reale, historike e herë mitike.
Saga e Gjarprit nis si saga e një historie dashurie. Rrëfimtari, Izolta përjeton dhimbjen e një dashurie të parealizuar. Ndjenja e fortë që ajo përpiqet ta shtypë, shpërthen në sipërfaqe me një intensitetit të shumëfishuar. Ëndrra, siç pohon dhe rrëfimtari, më solli atë që mendja ime nuk e thërriste më, por që e thirri e mashtruar nga letargjia e ndjesive të mia. Sipas Frojdit, thelbi i gjithë veprimtarisë psiqike drejtohet nga dëshira seksuale që vlon në kazanin e pavetëdijes.
Ëndrra, shërben si pikënisje për të zbuluar gjithë universin e fshehur ndjenjësor. Nëpërmjet saj shpalosen dëshirat e shtypura erotike që vetëdijshëm janë censuruar. Ëndrra e çon rrëfimtarin nën malin K.
Lajmi që u transmetua nga të gjitha stacionet televizive … u kërkuakan individë... për të qëndruar ca kohë në një si biçim burgu… si nëntokë. Vendndodhja e burgut: nën malin K (Saga e Gjarpit)
Ky udhëtim simboliko-alegorik mund të shpjegohet në disa mënyra.
Së pari ai është përpjekja për të zbritur poshtë në thellësinë e pavetëdijes. Mali K. është dukja e jashtme, ego e shëndetshme, madhështia e rreme, por në të vërtetë çudija, eksperimenti ndodh poshtë tij, aty ku idi i burgosur kërkon liri. Këtë e pohon dhe njëri nga ‘personazhet’, kur pohon se:
Ka lloj-lloj syrgjynesh, ka degdisje edhe në ndonjë pikë të errët të trurit…(idem)
Së dyti, nëntoka lidhet me vdekjen, me dëshirën e rrëfimtarit për t’u zhdukur nga jeta mediokre, që e shtyn drejt krahëve të dikujt që nuk e dashuron. Kujtojmë se ëndrra vjen si përgjigjje ndaj ligjërimit të padëshiruar të një lidhjeje “dashurie”
Një ditë përpara ishte folur për një martesë, së cilës asnjë vend nuk më mirëpriste t’i fshihesha.
Dhe vendi që rrëfimtari gjen është në pavetëdijen e tij, aty ku prej kohësh strehonte një dashuri të vërtetë, një dashuri të madhe. Takohen nëntokë sepse njeriu vdes gjithmonë për dikë ose për diçka, pasi vetëm vdekja është ajo që i plotëson kushtet e dashurisë.
Dhe emërtimi i Rrëfimtarit nuk është i rastësishëm. Sipas Uoren dhe Uellek, individualizimi i personazhit nis me emërtimin e tij. Por në këtë rast nuk është krejtësisht kështu. Emërtimi i rrëfimtarit është arketipal, sepse ai lidhet me një paraardhës letrar. Kësisoj karakterizimi nëpërmjet emërtimit nuk është “ex nihilo nihil”, por bart ngarkesën semantike, që lidhet me të. Izolta rrëfimtar vuan nën peshën e një dashurie të pamundur njësoj si njëemërakja e saj tek Tristani dhe Izolta.
Izolta e Sagës është një personazh dy-dimensional, për të nuk dihet pothuajse asgjë; vetëm ndjenja e madhe e dashurisë, përshkruhet hollësisht.
Përdorimi i foljeve në mënyrën habitore (Unë të paskam ndjekur ty pastaj në të gjithë botën(...).Paskam kaluar gjysmën e jetës duke të
kërkuar), tregojnë se dhe vetë personazhi-rrëfimtar nuk ka mundur ta njohë këtë dimension të ndjenjës së tij. Nëpërmjet ëndrrës shpaloset gjithë thellësia e panjohur e shpirtit.
Objekti dashuror, herë përvijohet si një qënie njerëzore e herë merr tipare fantastike. I dashuruari, rrallë herë karakterizohet nëpërmjet emrit të tij, Ilir, ndërsa më shpesh thirret nëpërmjet emrit mitik, Gjarpër. Sipas Stiepçeviç, teSimbolet e kultit tek ilirët, miti thotë se pasi Kadmi u martua me Harmoninë, dhe djalit që lindi ia vunë emrin Ilir. Illyriosin, pas lindjes e mbështolli gjarpi, duke i dhënë fuqinë e tij magjike Gjarpri, (serpensi i stilizuar me spiralen S) shënon jetën nëntokësore si kafshë htonike që është.
Konotacioni që merr stilema gjarpër në roman është shumë i gjerë. Së pari shënjon një objekt dashuror, me të cilën rrëfimtari është lidhur emocionalisht që nga fëmijëria.
...unë do të takohesha prapë me Ylliriusin... ç’domethënë ky emër që të përdridhet në gojë si gjarpër? Pikërisht, gjarpër, domethënë
Herë ai kthehet në simbol mitiko-biblik ku gjarpëri është Satanai (si për çudi nistorja S, prapë përkon) që e shtyn njeriun e parë drejt mëkatit.
Gjarpër, ç’ke për të na thënë ?
Na ke mashtruar një herë dhe bëmë faj dhe që atëherë nuk e kemi shlyer dënimin.
Por më së shumti,ai ngarkohet semantikisht me të keqen, që prek njeriun ose që rrezikon një komb të tërë.
Bisha s’bëhet më djalosh...Dhe njeriu vazhdon të kthehet në gjarpër.
Gjarpri si objekt dashuror vjen në forma të ndryshme në ëndrrën e Izoltës. Arsyeja mund të shpjegohet me faktin se ai është larguar që herët. Rrëfimtari zbret në rrënjët e dashurisë së tyre (në kohën kur ishin fëmijë) dhe e plotëson jetën e mundshmen të Gjarprit-të dashur nëpërmjet fantazisë. Ai herë është një palaço që e takon nëntokë, herë një studiues që ajo e ndjek nëpër shtete, herë një funksionar i rëndësishëm. Në të gjitha format që merr objekti dashuror, lidhja e tyre shoqërohet me ankthin (i cili herë përvijohet si ankth nga mungesa e herë nga prania). Është kjo ndjenjë që e lidh me ngjarjet traumatike që dalin nga sfera e marrëdhënieve intime-personale dhe kanë të bëjnë me jetën e një kombi, të një etnije a të mbarë botës.
Personazhi i Izoltës përvijohet si një arketip, i cilin ndjen barrën e rëndë të pavetëdijes kolektive. Ky dualitet mes përjetimit erotik dhe risjelljes së ngjarjeve të dhimbshme kombëtare a botërore mund të konsiderohet si një prirje për të përshkruar ‘ ...të paqëndrueshmen, kalimtaren, fluturaken ndërsa nga ana jetër të përjetshmen, të amshueshmen, të pandryshueshmen’
Sipas Jungut, ai që flet me arketipa, flet si me mijëra zëra. Kjo është arsyeja pse zërit të rrëfimtarit i përgjigjen herë hebrenjtë që i frigohen kampit, herë studentja ruse, herë një grup shtrigash që të zëna qafë për qafë hedhin valle, herë Dr.Frojdi vetë.