Vullnet Mato
EH, MERAK !
Eh, merak, merak,
acidi gërryes,
kur premtimi vonon
unazën për në shtrat.
Kur vetëm Zoti
i të fshehtave në qiell,
di adresën e njeriut
të afërt emigrant.
Kur përbindëshi Kancer
të troket pak nga pak,
kur kuçedra Sida
zgjat kokët e zjarrta tek ti,
të hyjë për të bredhur
eshtrave nëpër gjak,
por nuk je i sigurt
se kërkon t’i bëhesh fli.
Merak, kur tifozi pret
të gjuhet goli fitimtar.
Por më i thjeshti
merak përmbi merak,
kur nëna pret intervalin
e vonuar të bebes rrumbullak,
të gjuaj me shkelm
topin e jetës në bark.
Eh, merak, merak!...
TËRBIMI I NJERIUT
Ndonëse njeriu është
qenie e intelektit superior,
mes gjallesave ndryshe
nga flokët te thëmbra,
ka tërbimin e tmerrshëm
të zemërimit kafshëror
dhe tërbimin entuziast,
të gëzimit nga kënga.
Një plumb i ndezur
nga shtatë milimetra
barut zemërimi,
e çon shtatë pash nën dhé
me hakun e viktimës.
Një këngë e ndezur
nga shtatë nota gëzimi,
e fluturon në shtatë qiej
me krahët e vetëtimës.
Kur tërbohet nga zemërimi
e mbulon dheun me gjak,
merr mallkimin: O egërsirë,
t’u shoftë fara në çdo prag!...
Kur tërbohet nga kënga
për grua, apo lindje fëmije,
merr urimin: O shpirt i mirë,
t’u shtoftë geni gjer në yje!
Dy tërbimet shpien njerëz,
përmbi re dhe nën dhé,
por njeriu kompletohet,
kur zemërimit i vë fre,
me burrat gaz, me gratë hare!...