REXHEP SHAHU
UDHA E KOMBIT PO I SHËRBEN KOMBIT
Kjo është një e vërtetë që mund të verifikohet dhe mund ta verifikojë kush të dojë. Atyre që nuk duan ta besojnë dhe as ta verifikojnë, nuk kemi çfarë t’u bëjmë.
Askush asnjëherë nuk ka deklaruar se kjo rrugë do ta shlyejë veten e saj për një vit, dy, apo brenda një mandati qeverisës. Nga ana tjetër është stërthënë se shqiptarët përjetësisht do të jenë të dënuar të paguajnë “faturën” e “frikshme” financiare të udhës së kombit. Që nuk do të shohin asnjë ditë të bardhë shqiptarët mëqë u bë “çmenduria” udha e kombit, asnjë ditë më të pasuruar, por çdo ditë e më shumë do t’i varfërojë fatura e udhës së kombit.
Askush asnjëherë nuk ka thënë se iu bëfshin gjak e jetë atij që mund të ketë përvetësuar qoftë edhe një cent nga fondet e dhëna për ndërtimin e udhës së kombit, por është thënë që qefin bleftë me ato para cilido qoftë përvetësuesi i tyre.
Le të shembën qeveri, le të drejtojë kush të dojë, kush të jetë më i mirë e më i zoti në këtë vend. Por një gjë që nuk do të shembet kurrë, që do të rrojë përjetë, do të jetë kjo udhë e kombit. Ajo mund të dëmtohet, mund të prishet nga ngricat, mund të vjedhin në të llamarina, por gjithçka riparohet, nuk bëhet më prej fillimit.
Qoftë edhe si sfidë, si kurorë në krye të mbretëreshës, si provë e madhe e forcës së një shtetit, të një kombi, që në rastin në fjalë është kombi shqiptar, ajo udhë duhet përshëndetë. Kjo udhë e kombit, nuk është “kostum” një përdorimsh që blihet në farmaci. Kjo është bërë apo blerë në emër të gjithë të vdekurve që kanë dashtë komb të lidhur, në emër të gjithë të gjallëve që po shohin që po u madhohet kombi, por më shumë në emër të gjithë brezave që do të vijnë që ta duan këtë vend, të mos derdhën gjithmonë “Omoniave” të botës për punë se nuk gjejnë punë në hapsirën e tyre që jemi marrë vesh ta quajmë ende komb, dhe të kenë një arsye të fortë të nderojnë paraardhësit e tyre që “shternguan rrypin” për këtë “çmenduri” ekonomike. “Çmenduri” që nuk do të duhen 20 vjet (mëqë është bërë 20 vjet para kohe…), për ta quajtur “mençuri”, por maksimumi pesë vjet (po flas dhe unë si profet a orakull…).
Pse nuk lehet në Hënë kundër udhëve të tjera të vendit, kundër “çmendurive” të tjera që kanë ngrënë fonde ku e ku më tepër se udha e kombit.
Udha e kombit mund të jetë tmerr për ndokënd, mund të jetë e tepërt, mund t’i ketë tepër dy korsi (tre veta e kanë thënë se i ka mjaft dy korsi, një e huaj, një që s’e ka vendosë ende të jetë i huaj apo shqiptar, dhe një shqiptar).
Ajo autostradë mund të mos jetë efektive për asgjë, mund të mos i sjellë fitime dhe financa të shtuara shtetit. Por një gjë e realizoi ajo udhë : bëri bashkimin fizik të kombit shqiptar. Pra kryeëndrra e shqiptarëve, amaneti i të rënëve si shqiptarë u kry. Edhe për këtë duhet paguar një çmim. Sado i madh. Pse, vetëm ata që kanë dhënë jetën për këtë komb duhej të paguanin për kombin e bashkimin e tij?
Si autostradë, si udhë që i shërben qëllimit të parë, bashkimit fizik të kombit, u krye. Për këtë le të gëzohemi një herë e t’i ndalim të lehurat për pak kohë. Ta pimë një dolli bashkë për këtë. Të gëzohemi bashkë.
Pastaj të ndahemi prapë në llogore, gjë që s’mund të ndodhë të ndahemi më se na bashkon interesi i parasë, fitimi i parave. Paraja na bashkon, kombi jo. Unë them se dashuria për kombin don trimëri. Del me humbje me e dashtë kombin, del i dëmtuar. Është me dëm. Fitimin e marrin brezat që vijnë.
Pra qëllimi i parë apo kryeqëllimi u mbërrit, u bashkuan shqiptarët. Shqiptarët lëvizin lirisht për tek njëri – tjetri. Njihen, duhen pasi njihen. Shkojnë e vijnë nga Tirana në Prishtinë e anasjelltas brenda ditës. Nuk vritet më koha e shqiptarëve. Kohën që ua kursen udha mund ta përdorin për të fituar lekë dikund tjetër. Por po ta kthejmë në lekë kohën, një zot e din se sa me fitim ka dalë kjo autostradë shqiptare.
Po të kthejmë në lekë karburatin, gomat, lodhjen fizike, stresin, sëmundjet e udhëtarëve rrugës, të vjelltat e tyre, orët e tyre ulur në sedilje makinash, ankthin e tyre se po fluturojmë në këtë apo atë humnerë, një zot e din se sa lekë dalin.
Por kjo udhë si autostradë ekonomike, që të sjellë lekë për shtetin shqiptar nga përdoruesit e tjerë të huaj, serbë, rumunë, bullgarë, maqedonas, italianë etj etj, ende nuk ka përfunduar. Nuk është deklaruar nga askush se ka përfunduar si projekt i plotë edhe ekonomik. Sepse si projekt i plotë ekonomik do të përfundojë vetëm kur të bëhet porti i Durërsit, Vlorës apo Shëngjinit, apo qoftë dhe njëri prej tyre, port konkurues, port që të ketë aftësi përpunimi kontenierësh siç ka porti i Selanikut, bie fjala. Ku bizneset të fitojnë në kohë, ashtu siç fitojnë në kohë nëpër autostradë. Veç kësaj, do të konsiderohet autostradë shumë fitimprurëse për shqiptarët edhe kur serbët të bëjnë 80 kilometrat e tyre nga Merdare në Nish. Atëherë, që nuk do të jetë e largët kjo ditë, të jemi gjallë e të flasim. Tani, të lutemi të mbetemi gjallë. Veza sot a pula mot?
Askush, asnjë gazetar, analist, apo opinionist, nuk i ka matë sa sa makina kanë qarkulluar apo qarkullojnë në udhën e kombit në një ditë apo në një vit. Për pasojë, duam apo nuk duam, jemi të detyruar të marrim statistikat që na jep shteti. Ato që deklaron Ministria përkatëse e Transportit. Po të jetë puna që t’u besojmë gazetarëve dhe shifrave që servirin ato, unë do të parapëlqeja të besoja gazetarin gjerman Karl-Peter Schëarz i cili thotë në shkrimin e tij të gushtit që iku, për këtë autostradë se “në 2010 u numëruan vetëm një milion automjete” që qarkulluan. Natyrisht që atij i duken pak sepse ai e mat me standartet e autostradave gjermane.
Sokol Olldashi, Ministri i transporteve të vendit thotë se kur është bërë studimi i fizibilitetit të kësaj autostrade ka qenë e llogaritur që do të qarkullonin në këtë udhë “1500 mjete në ditë, në rastin më optimist dhe 3 mijë të tilla në rastin e pikut”. Po çfarë ka ndodhur në fakt, pasi u ndërtua autostrada? Kanë qarkulluar çdo ditë nëpër udhën e kombit në vitin 2010 “12 mijë makina në verë në 4 mijë në dimër. Mesatarisht 7 mijë e 500 mjete në ditë. Pra, kemi një rrugë që përdoret 5 herë më shumë nga çka e parashikonin projektuesit”.
Ministri Olldashi thotë “vetëm në përfitimin direkt neto, rritja e trafikut mbi shifrën e parashikuar nga fizibiliteti është 1.6 miliardë euro. Ky është studimi i “Hekuris Group”. I marrë për trafikun mesatar për 1600 mjete në ditë, një vlerë të kohës nga 6 orë e 30 minuta, në 2 orë e 15 minuta, 337 milionë euro të tjera. Po të ringarkohet ky model me shifrën e trafikut që ne patëm vjet dhe sivjet, kemi të paktën 1.6 miliardë euro përfitim nga kjo rrugë. “Së dyti”, pohon z. Olldashi, “kemi përfitime që vijnë nga kostoja e operimit të mjeteve, kursimit për shpenzim karburanti, shpenzim gomash, amortizim mjetesh, e llogaritur përsëri nga studioja ndërkombëtare që shkon në totalin e vet rreth 2.5 miliardë euro. Pa llogaritur këtu impaktin social, ku vitin e kaluar rritja e turizmit ka qenë 29 %...”.
Nuk hyjnë ende dot këtu çfarë do të fitonim nga porti i Durërsit kur ai të bëhet konkurues, çfarë do të përfitojnë fermerët kur të rrisin natyrshëm eksportet se atje ka treg për produktet tona të hershmë. Etj. Etj.
Por vetëm për mjetet që paskan qarkulluar në këtë autostradë, makina llogaritëse na ndihmon të shumëzojmë dhe i bie qe ta kene shkelur kete udhe mbi 2 milione e gjysme makina ne vitin 2010. Eshte pak. Normal qe eshte pak. Por as shteti ne Shqiperi e as shteti ne Kosove, ne “dy bote shqiptare... (hahaha)” nuk u blen dot makina njerzve dhe nuk i “urdhëron” askush njerzit të udhëtojnë për hatër nëpër udhën e kombit.