Saga e Gjarprit është një roman që hyn denjësisht në letërsinë e sotme bashkëkohore shqiptare, për mënyrën e veçantë të konceptimit të tij. Në lexim të parë duket se kemi të bëjmë me një histori të pafat dashurie, mallëngjimi, pengu, në të cilën koha rrit mallin. Krahas lidhjes së çiltër infantile, ekzistojnë një sërë forcash të jashtme, midis të cilave edhe destini - që dashurinë e bën sa të fortë aq të pamundur. Kjo historizë, apo ngjarje poetike fëmijërore, pa kuptuar lë gjurmë të pashlyeshme tek vajza, Izolta.
Rrafshi simbolik ( ëndrra, gjarpri, kujtimi romantik)
Me anë të një ëndrre makth- ky është mjeti narrativ që zgjedh rrëfimtarja; fillon zbërthimi i asaj të kaluare - që tashmë ishte mbyllur dhe tulatur pas portave të errëta të trurit, - sapo në prag shfaqet një martesë, që realisht është një casus beli, për arratisje në pjesët e errëta të pavetëdijes.
Ëndrrat zbulojnë mungesën e kurajos së individit sipas Adler-it, dhe, në rastin konkret, Izolta është në prag të një martese në dukje, të pashmangshme, por nuk ka guximin dhe bindjen e mjaftueshme ta ndërrmarrë këtë hap. Ëndrra është çelësi hyrës dhe mbyllës për në brendësinë e romanit.
Kjo ëndërr e Izoltës, nëse do t’i referoheshim psikologjisë individualiste është një vetëhipnozë. Ajo, (ëndrra) fillon me një udhëtim të çuditshëm në një mal të nëndheshëm, mali K. Këtu shfaqen shumë njerëz të cilët Izolta i ka njohur qoftë edhe shkarazi, qoftë dhe tërthorazi. Aty shfaqet edhe kujtimi i mikut të saj të fëmijërisë- i mishëruar në Gjarpër. Rreth këtij kujtimi shtjellohet gjithë rrëfimi. Pra, simbolet psikanalitike janë të qarta. Është e rëndësishme të rilevohet se cilët njerëz na ndërmenden nga kujtimet e hershme. Sepse ato kujtime janë shumë të afërta me interesin kryesor të individëve; kështu bëhet e mundur dhe njohja e qëllimit dhe stilit vetjak të jetës së tyre; në rastin tonë të Izoltës. Rikthimi në ëndërr i një njeriu të munguar me vite, është në fshehtësi, qëllimi i jetës së personazhit. Ëndrra në vetvete plotëson mungesën e tij.
Gjarpri
Kujtesa e Izoltës është si një bashkëlidhje ngjarjesh personale apo kolektive që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në nënvetëdijen e personazhit. Në ëndërr Izoltës i rikthehet dashuria e fëmijërisë, dhe i “dashuri” i hershem në trajtën e gjarprit. Ai – Gjarpër shfaqet aty ku ajo aq më pak e pret. Pse djali është i animuar tek gjarpri? Gjarpri është simboli pas të cilit fshihet dëshira e vajzës. Shpesh në ëndrra shfaqen simbole të tilla me shtrirje universale.
Ndër të tjera gjarpri është simbol i frikës, simbol seksual, i transformimit, rilindjes, por jo vetëm kaq. Ai përfaqëson gjithashtu zgjuarsinë, shërimin dhe rikthimin e vitalitetit, pavdekësinë. Gjarpri është i veshur me mister dhe i lindur me energji. Simbolika e tij vjen që nga qytetërimet e hershme. Ai ka lidhje të ndryshme dhe të dukshme me jetën dhe vdekjen, aq sa ka zënë vend në pjesën më të madhe të kulturës botërore. Kështu tërësi të vjetra mitesh i kanë rikodifikuar domethëniet e shfaqjeve të gjarprit në lidhje me ëndrrat e një vajze apo të një djali. Në sistemet aziatike të filozofisë ai simbolizon energjinë vitale; shpesh bëhet simboli i vazhdimit të jetës. Ai përmban në vetvete misterin dhe terrorin e jetës. Gjarpri shfaqet papritur nga e panjohura, duke krijuar kësisoj kureshtje dhe frikë. Sipas Jungut kur shfaqet imazhi i gjarprit diçka shumë e rëndësishme po zë vend në pavetëdijen tonë.
Tek Saga e shkrimtares Viola Isufaj, ky gjarpër është simbol që vjen nga e kaluara e dhimbshme dhe e frikshme, nga një sundim, nga një tirani e gjatë e mbyllur pa lavd, nga një rrëzim. Kujtimet, por jo vetëm kujtimet, e përgatisin Izoltën për një të ardhme të gjakshme. Kujtimi përdëllimtar zëvendësohet me vegimin dhe me ekranin e kinemasë-këta do t’i transmetojnë personazhit të Izoltës pasazhe të së ardhmes- sipas të parathënës. Djali, Iliri, apo Illuriusi nuk është një djalë si gjithë të tjerët. Ai do të rikthehet, i mprehtë, i rilindur, i shëruar nga nëpërkëmbja e dinjitetit të paraardhësve, vital, i papërsëritshëm e i pathyeshëm, i rimishëruar, në një kuptim i pavdekshëm. Ja sepse ai është Gjarpri.
Disa ngjarje që kalojnë fëmijët në fëmijërinë e tyre nuk duhen anashkaluar. Këto ngjarje ndikojnë në karakterin e mëvonshëm të njeriut. E kaluara bëhet fajtore për prirjet e reja që shfaq personaliteti njeriut në një kohë të mëvonshme. Fati i këtij djali në diktaturë është internimi që i vogel për shkak të “fajit” të familjes (f. 42-43). Një femijë i internuar, që bëhet në ardhmërinë e tij një strateg i shkëlqyer lufte.
Kapërcimi i krizave në heshtje sjell vulën në personaliteitn e të rriturit. Realisht ai bëhet një qënie dualiste. Nga njëra anë është individualitieti i tij, personalja, biologjikja; njerëzorja (është një fëmijë që internohet dhe mbyllet në vetvete, ndaj kur rritet ai është e kundërta e tij); ana tjetër- brendësia e tij që shpreh diçka tjetër nga vetvetja- egërsi dhe hakmarrje. Një tjetër tirani është në prag.
Rrafshi diakronik (diktatura, episode nga historia)
Diktatura: Digresioni është dimension i kërkuar dhe i vyer për Izoltën; ai zgjon jo vetëm momente të hershme, të këndshme e përjetime personale, por dhe momente historike si lufta e dytë botërore apo diktatura komuniste-këto duket sikur vetëm sa vijëzohen. Ato vijnë në funksion të vijimësisë së disa dialogjeve të kujtesës të cilat shfaqen të copëzuara. Por ato, mbi të gjitha, lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një periudhë të vështirë politike, të cilën koha biologjike e jetesës së njeriut e ka të pamundur të kthejë në kah të kundërt.
Një tjetër jetë lipsej. (Isufaj. V, Saga e Gjarprit, Tiranë 2005, f. 107)
Për shkak të sëmundjes së shtirur të Sofisë (rivales politike), Izolta mbetet vetëm rrugëve të nëntokës së errët. Përmes episodeve të tranzicionit bashkëkohor shqiptar, (kryesisht në pjesën 2. rilevohet një periudhë e errët sociale; nëpër të cilën Izolta endet e vetme, ngatërrohet, habitet, pezmatohet, endet përsëri dhe përsëri përpiqet të gjejë rrugën. Në këtë endje, e në këtë kërkim të vazhdueshëm, që shpesh harrohet se është kërkim, spikat dialogu i vajzës dhe i djalit përmes një akti të një drame, vënë në skenë në teatrin “Jeta”. Djali flet për një ikje të fshehtë, pra për një arratisje. Ky episod jep, sic shihet, një tjetër karakteristikë të jetës nën diktaturë: arratisjen. Por dhe episode te tjera si kujtimi i mjegullt i një aksioni ateist –që jepet përmes një përshkrimi tangent, po ashtu, internimi i vogëlushit, sekuestrimi i dhimbshëm i pronës private, xhelozia midis familjeve te pushtetshme, përballja me diktaturën, burgimi, eleminimi i kundërshtarëve apo rivalëve, pabesia (thika pas shpine), krimi (vetëm në ëndërr mund të ndodhë që njeriu të vritet dhe të ringjallet si kur nuk ka ndodhur asgjë, por në realitet kjo nuk ndodh e aq më pak në diktaturë)- të gjitha këto vijnë në roman përmes përftesave nga më të ndryshmet-ndërthurjes së zërave të një kohe të largët dhe të afërt, haluçinacionit, fantastikes, mistikes, përshkrimit, rrëfimit, ndërtimit të skenave dramatike etj.
Diktatori dhe diktatura janë në pasqyrimin dhe reminishencën e botës femërore fëmijërore, por jo vetëm kaq: diktatura përjetohet intensivisht sikur të jetë e sotmja ose e ardhmja e shpejte.
Rrafshi sinkronik (Mali k., )
Mali K: Ky mal është simbol i kaosit (jo nje status mendor, por ajo pikë e errët e trurit që mbart përzierje e kujtesës së copëzuar historike dhe personale); aty flenë gjërat që dikur i ikën shkarazi Izoltës. Kalimi me apo pa kokëfortësi nëpër mjediset e ndryshme të malit K., teatër, kinema, shfaqe magjistarësh, etj., është në vetvete një qëllim; duket sikur Izolta përmbush një dëshirë: për të rikthyer të kaluarën, për të përjetuar ndjesitë e humbura, për të kuptuar në thellësi jetën nën diktaturë, por mbi të gjitha dhe rolin e saj, kuptimin e ekzistences së saj dhe të jetës me Gjarprin.
Kazinoja përngjan me sfidat sociale, me komplikimet gjithnjë e më të thella të jetës urbane. Qëndrimi nën Malin K. është i gjatë dhe i mundimshëm. Izolta beson mbi të gjitha në një force supreme që është Zoti. Ka diçka që dhe mund të ndryshojë situatën atje... diçka lëviz atje lart...
Mesazhi filozofik i personazhit (fuqia hyjnore, destini, njerëzorja)
Izolta është si një personazh përrallash me një intuitë telepatike. Ajo përshkon dhe përshkruan një botë të çuditshme e cila udhëhiqet gjithnjë nga pandjenjat, intuita dhe bindja se do të ritakohet me atë. Pas kthjellimit asaj i vjen nje energji psikike e shpërthyer prej një motivimi, këtë herë të vetëdijshëm. Koha e qëndrimit nën Malin K., është 9 muaj-aq sa i duhet një bebeje të rrijë brenda nënës. Diku flitet për një dalje para kohe (siç është rasti i fëmijëve që lindin në muajin e shtatë). Nëse do të aludomin për rimishërim, kjo periudhë është një periudhë pastrimi, purifikimi, i shpirtërave që nuk ia kanë dalë dot të jenë të suksesshëm e dinjitozë në përmbushjen e detyrave të tyre në jetën e mëparshme. Izolta, e verbuar nga dashuria për të shoqin, nuk ia ka dalë ta kthejë atë nga rruga e krimit dhe e tiranisë; i shoqi, i verbuar nga madhështia dhe adhurimi për paraardhësit, e ka përlyer pushtetin e tij me gjak në jetën e mëparshme. Kështu episodi drithërues në f. 121 të librit që të kujton disi teknikën e përroit të ndërgjegjies të Xhoisit, ka një hendek kuptimor të papërmbushur kurrë plotësisht nga lexuesi: është rilindje, rimishërim, dalje nga çmenduria, dalje nga ëndrra?
Pas çdo periudhe të errët vjen një dritë një rilindje dhe kjo është një rilindje simbolike.
Izolta ka besimin se me kalimin e kohës do të ndryshojnë shumë gjëra, falë forcës së përpjekjes mbinjerëzore të saj, falë besimit tek e mira. Izolta kupton më së miri brendësinë e saj. Ajo në fëmijëri është e mahnitur pas Gjarprit, e përunjur para tij. Gjatë zhvillimit të ëndrrës shohim se ky qëndrim do t’i lërë vendin një qëndrimi tjetër. Ndjenja e mëshirimit, pafajësisë rritet bëhet dashuri pa e kuptuar dhe në fund ajo e di se kjo dashuri e pamundur do kthehet në vuajtje. Ai para syve të saj fillon bëhet i pamëshirshmëm, kthehet në të kundërtën e tij.
Interaktiviteti i Izoltës për të hyrë në film dhe në teatër është thyerja e parë; futja në aksion për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve, qëllimisht që të mos jetë më spektatore. Ajo kërkon protagonizëm, për ndryshimin e ngjarjeve në favor të saj. Në këtë kuptim ajo pavetëdijshmërisht kërkon të bëhet pragmatike, nëse kujtojmë konceptin e Durkheim-it mbi këtë temë. Tipari zotërues i pragmatizmit dhe në veçanti i Izoltës është që në fund të fundit ajo ka bindjen se mund të zbusë të vërtetën, atë që me shekuj ka vijuar të ndodhë: fatin e parashkruar të çdo qënieje njerëzore. Këtu parashtrohet edhe çështja e besimit aq këmbëngulëse e autore-rrëfimitares. Për të pëligjur këtë jo më kot romani hapet me vargjet e nje teksti të shenjtë. Por besimi i saj është pragmatik; besimi sipas qënies. Nëse e vërteta është reale për ta çliruar atë nga disiplina e mendimit logjik (Durkheim), kjo do të thotë të ndryshojë rrjedhën që marrin gjërat, ta kthesh atë në diçka që mund të shpjegohet dhe analizohet. Izolta dhe Gjarpri-Illyrius mbartin tiparet e brezave te tyre të mëparshëm; ata janë arketipa dhe prandaj në çdo periudhë kanë të njëtin fat.
Fakti që në roman ecet në retrospektivë përmes brezave e brezave deri tek mëkati primordial, tregon që me kohë edhe mëkati fillestar po fillon të çbëhet. Mallkimi do të zbutet – faji po shlyhet.
Rrëfimtarja ka bindjen se njerëzimi nuk është gjë tjetër veçse një histori ardhjesh dhe ikjesh e brezave te ndryshëm me po ato ndjenja dhe pasione, ato intriga e prapaskena, ku mikja me e mirë, bëhet edhe armikja më e rrezikshme; (e ngjashme me konceptin e Jungut mbi të tanishmen ta kaluarën dhe ta ardhmen, ku e tashmja është pika ku e shkuara takohet me të ardhmen, e ardhmja është pika paraardhëse e së shkuarës). Hic et nunc eshtë njeriu në pakohësi, në përjetësi në të gjitha kohët.
Pragmatizmi ende mendon të jetë një doktrinë spiritualiste. Pragmatizmi ndryshe thotë se ne e bëjmë realitetin. Ndaj IZOLTA (emri i saj të kujton izolimin) kërkon të prishë rrjedhën reale, të ndryshojë kahun e ecjes se bashkeshorit të saj-Gjarpër. Ajo mendon se të dy ata mund të ribëjnë botën sepse intuita e saj i thotë që koha e kaluar (të cilën as ajo nuk e njeh dot asnjëherë thellësisht) ka ndaluar që ajo të ketë ndikim tek ai.
Interesante është hapja e romanit. Vargjet e një teksti të shenjtë nuk janë zgjedhje e rastësishme. Këtu është edhe qëndrimi i hapur i rrëfimtares sipas të cilit çdo gjë në natyrën njerëzore ka një rend mistik. Mbi të gjithë është një fuqi e madhe drejtuese. Ndaj rrëfimtarja është e bindur se ka mbështetjen hyjnore për të rindërtuar copëzat e historisë së fëmijërisë, për të reflektuar sesi mund të ishte hipotetikisht jeta me Gjarprin
Ç’privilegj është të dish të ardhmen!
Kështu, kemi të bëjmë me një roman në qendër të së cilit është bota e turbullt e një të kaluare të trishtë, e së tashmes kaotike, dhe e një të ardhme e cila mund të ndryshohet nëse ndërhyhet tek vetë njeriu për të cilin ti jeton, gjithmonë aq sa një fuqi e padukshme mund të të lejojë, sepse në fund të fundit:
Të tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar… (Isufaj. V, Saga e Gjarprit, Tiranë 2005, f. 5)