2011-12-10

In memoriam për Ali Ohrin


 



Nga Riza Lahi

Këto ditë u largua nga jeta i ndjeri Leka Zogu, larguar nga atdheu i tij bebe 3-4 ditësh. Unë personalisht, as 
kam qenë ndonjëherë monarkist, as kam ati për monarkët por më a bërë përshtypje nga i ndjeri që na la, të folurit e gjuhës shqipe me një gegënishte të bukur si edhe qetësia me të cilën ai e ka shoqëruar në përgjithësi katrahurën konstante politike në vendin tonë. Unë do të thoja pa asnjë hezitim, se i ndjeri ka qenë politikani që ka dëmtuar më pak se secili prej “politikanëve profesionistë” popullin e tij në periudhën postkomuniste. Dukej se ai në “oborrin mbretëror”, ndiqte qetësisht çfarë ndodhte në vendin tonë, nuk i hidhte benzinë zjarrit dhe me një flegmatizëm të bukur malësorësh shtatlartë, jepte mendimin e tij duke e matur fjalën me kujdes dhe kur e pyesnin. Të ndjerin Leka Zogu, pavarësisht një fletë e dyshimtë dhe e errët që ia ka lënë faturë popullit të tij i ati dhe që quhet “Shën Nauni” e kemi dëgjuar të flasë pa kompromis për tokat shqiptare jashtë kufirit tonë shtetëror, madje, siç kemi mësuar nga burime të ndryshme, sidomos monarkistët shqiptarë me banim në SHBA kanë mbledhur ndihma të konsiderueshme për popullin e Kosovës kur rroku armët për liri.
Mbreti Ahmet Zogut – për disa shqiptarë, strateg që organizoi rrëshqitjen spektakolare për të shpëtuar popullin e tij nga masakra që do të pasonte lufta pabarabartë e me superfuqinë fashiste e për disa të tjerë një tradhtar, hajdut, që erdhi në fuqi me bajoneta serbe, që vrau Luigj Gurakuqin, Bajram Currin dhe që la në mjerim luftëtaren, komandanten kosovare Shote Galica – la të vetëm një djalë. Leka Zogun e pat me një nënë hungareze e nga familja aristokrate e hasburgëve, ndërsa vetë, si shumica e liderëve të botës, që nga De Goli e deri te Ce Dun qe katundar; nga Mati, nga fshati Burgajet. Mirëpo, mua më ka takuar të takoj të njihem nga afër me dy persona që kanë qenë pjesëtarë të “oborrit mbretëror”. I pari ka shërbyer atje me rrogë, i dyti, oh, nuk mori rrogë kurrë. Që të dy flisnin me shumë respekt për bosin e tyre. Respekti thuajse i verbër i atyre, mua më ka pas çuditur. Ende nuk e shpjegoj dot, se si ka ndodhur që, si të atin, edhe Leka Zogun, ta donin me vetëmohim njerëzit që kanë ndenjur e shërbyer pranë tyre. Nuk e di, në ka qenë e mundur që Enver Hoxha të kishte pranë vetes njerëz që ta duan me kaq fanatizëm, si ata që ka patur Leka Zogu.
Dua të flas për njërin prej atyre besnikëve. Më plakun, i cili ka disa pak kohë që ka ndërruar jetë, edhe ai. Quhej Ali Ohri dhe ishte një nga idealistët e bukur që di të prodhojë raca e shqiptarëve. I specializuar si kavalier në shkollat ushtarake të Italisë, ai ka vazhduar tërë jetën e tij dinjitoze ta mbajë lart titullin e “kavalierit”, të njeriut besnik ndaj fjalës së dhënë, korrekt, shumë të vëmendshëm, që i shkonte aq bukur pamja e tij prej burri shtatderdhur, si një bredh i lartë dhe i mplakur por që, si të gjithë bredhat e botës, vazhdojnë të kenë hijeshinë e species së tyre. Në një darkë miqësore që shtroi një atashe ushtarak, në mes të vetëm katër shqiptarëve, ishte edhe ai – një funksionar i lartë i sigurisë së oborrit të SHT, zotit Leka Zogu. Kur i tregova se nga isha, Ali Ohri më tha se kishte përkthyer nga italishtja një libër kushtuar rrethimit të qytetit tim, se ia kishte botuar Shtypi ynë Ushtarak, se kishte për autor një gazetar italian që kishte përjetuar gjithçka gjatë atij rrethimi të tmerrshëm, ku u pat vrarë me tradhti Hasan Riza Pasha. E lamë të ma dhuronte të nesërmen librin e shkruajtur nga gazetari i së përmendurës milaneze “Corriere della Sera”, Gino Berri, i cili ka pas hyrë në Shkodrën e atyre ditëve si drejtor i Postës italiane, me emnin e rremë Giovanni Bertini, duke iu shmangur urdhrit të Valiut e komandantit të Shkodrës, Hasan Riza Pashës, që nuk lejonte gazetarë të huej brenda Shkodrës së rrethuar.
Doli në orën e caktuar nga dera kryesore e “Pallatit Mbretëror” me librin në dorë – “Gino BERRI: Rrethimi i Shkodrës. Tetor 1912 – Prill 1913. Ditar i një korrespondenti të luftës”, më qerasi me një kafe në klubin e bukur me lulishte përpara “Pallatit Mbretëror” dhe m’ i nguli sytë e tij të rreptë dhe të pafrikshëm prej shpatari kavalerie , si i hodhi një vështrim dhuratës që i kisha sjellë si kompensim për librin… Dhurata ishte libri im shumë lluksoz kushtuar Shkodrës – “Maratonomaku nga Shkodra”.
“Shkodra yte ma ka një borxh”
“Shkodra nuk i ka borxh askujt”
“Mua, po. Një…”
“Cili është borxhi?”
Si më përgëzoi për librin, duke më hedhur sytë zhbironjës, si një shpatar përpara një bejlegu, hapi gojën. Mustaqet e tija elegante m’u dukën shumë të ashpra: “Kur po kapitullonte Italia fashiste rinia shkodrane organizoi një demonstratë në mes të qytetit dhe unë mora urdhër të prerë që të përleshesha me demonstruesit me forcën e armëve të mia dhe të vartësve që komandoja…”
“Ju keni vazhduar të ishit oficer i ushtrisë fashiste kur të tjerë kishin rrokur armët për liri dhe po vriteshin nga fashizmi?”
“Po. Vazhdoja t’i shërbeja betimit ushtarak që kisha dhënë…”
“Para flamurit me sëpatën e liktorit fashist?”
“Po! Para flamurit shqiptar me sopatën e liktorit!”
“Sa vartës kishit, zoti Ohri?”
“Tetëdhjetë e katër kalorës. Urdhrin e kisha që, në krye të këtyre kavalierëve – që të gjithë italianë – të grija me shpata rininë e paarmatosur shkodrane, sapo të shpërthente demonstrata!”
“Dhe?”
“Ia thashë në sy eprorit tim, se nuk do t’ia zbatoja urdhrin dhe ai, si më kërcënoi, ma përsëriti atë dhe më urdhëroi të largohesha.”
“E dinit çfarë ju priste për këtë moszbatim urdhri luftarak në kohë lufte?”
“Po…Sigurisht….”
U pamë në heshtje sy më sy. Në një rast të tillë, nuk ka njeri në botë që ta kuptojë më mirë gjendjen e një oficeri se sa një oficer tjetër karriere. Vazhdoi: “Të tetëdhjetë e katër kalorësit e mi nuk morën urdhër kurrë nga unë që të grinin e copëtonin me shpata a me plumba djemërinë shkodrane që demonstronte. Do të kishte vajtur gjaku deri në gju, mjaftonte vetëm një fjalë e imja, e Ali Ohrit. Për moszbatim urdhëri, më dërguan të çarmatosur menjëherë në shtatmadhori, te gjenerali i plotfuqishëm i trupave italiane. Ndenja në këmbë. Jashtë ishin rojet që do të zbatonin çfarëdo urdhri të gjeneralit.
“Ohri, ti nuk ke zbatuar urdhrin e eprorit tënd?”, më pyeti, sapo hyra.
“Urdhri ka qenë i gabuar, zoti gjeneral!”
“Urdhri zbatohet një herë, pastaj dilet në raport për atë, nëse ishte i gabuar apo jo. Këtë e di çdo rekrut, jo më …”
“Urdhri ka qenë krejtësisht I pazbatueshëm nga unë. Në këtë rast bëhej fjalë për nderin tim. Ju e dini që unë jam shqiptar. I vetmi shqiptar oficer i ushtrisë italiane në Shkodër. Urdhri ishte të vrisja njerëz të popullit tim. Ishin që të gjithë të paarmatosur. Shqiptarët nuk luftojnë me njerëz të paarmatosur. Për më tepër, nga fisi im, ka disa burra që kanë dhënë jetën për popullin e tyre. Unë nuk mund të veproja ndryshe nga ata. Duke masakruar popullin tim”
“E dini se çfarë ju pret, Ohri, për moszbatim urdhri në kohë lufte?”
“Jam gati të pres çfarëdo dënimi, zoti gjeneral.”
Mirëpo, gjenerali nuk e dha urdhrin për pushkatimin tim, që mund të bëhej menjëherë dhe pa gjyq, gjë që po e prisja”
Ndërsa mbaronim kafetë, Ali Ohri pa, mes fotografive të “Maratonomaku nga Shkodra”, edhe nipin e ish monarkut shqiptar, Lekën e Dytë. I shpjegova se, njëri nga heronjtë e librit tim, ish kampioni i boksit, talenti Sokol Buliqi, kishte një histori me SHT Leka Zogu dhe bashkëshorten e tij, të ndjerën Suzan ; fotografia në fjalë ishte futur në libër me propozimin e kampionit. Buliqi kishte fituar një ndeshje me kampionin serb të boksit dhe SHT Leka Zogu e kishte thërritur në selinë e tij patriotin tim që shërbente në Pallatin Mbretëror si “bodyguard”. Buliqit ia pat larguar emocionin e pasigurisë pikërisht e ndjera Suzan. Ajo duke e parë djaloshin e zbehur me dashuri, boksoi vetë në ajër. Pra, e kishin thërritur ta përgëzonin për fitoren. SHT Leka Zogu, siç shkruhet në librin në fjalë sipas tregimit të Sokol Buliqit, nxori një tufë të madhe me para dhe ia zbrazi në pëllëmbë boksierit fitimtar: “Merri e prishi me shokët tuaj me rastin e fitores mbi boksierin sërb. Ti na ke nderue Shqypninë”.
Ali Ohri, duke e mbajtur librin si peshtaf para duarve më pyeti: “A t’ia dhuroj Nalt Madhnisë këtë libër në emrin tuaj?”
“Jo, këtë radhë libri është dhuratë për Ali Ohrin. Një herë tjetër…Unë librin ua dhuroj vetëm miqve të mi personalë. Askujt tjetër. Që të gjithë e dinë këtë”.
Ali Ohri, atëherë, e futi librin në çantë duke më falënderuar.
Jam krejtësisht i bindur që kavalieri Ali Ohri e ke ruajtur librin në mes të relikeve të tija personale.
Edhe më shumë se arritjet në karrierën e tij prej oficeri, edhe më shumë se kontributet në fushën e kavalerisë dhe kuajve të ushtrisë, Ali Ohri ka meritën e hulumtimit së pari dhe shqipërimit e botimit të ditarit të gazetarit italian kur Shkodra rezistonte. Mbase janë dy rrethimet më të skëterrshme shoqëruar me rezistencë heroike, që Shkodra i ka provuar gjatë historisë së re – në kohën e Skënderbeut dhe kur Shqipëria sapo kish shpallur pavarësinë nga Turqia dhe ky, për të cilin po flasim. Për rrethimine parë, ja, ne kemi Veprën e Barletit. Po për të dytin? Dakord, vepra letrare e Filip Ndocaj “Shkodra e rrethueme…”, por letërsi dokumentare, pra, shkencore të asaj periudhe? Janë llokma floriri faktet e gjalla që sjell pena e gazetarit të asaj periudhe. Në librin e shqipëruar nga Ohri shikojmë jetë të përditshme, të prekshme, mbi bazën e gazetarisë së mrekullueshme klasike të kohës – pra, me një lakonizëm brilant – Shkodrën e përditshme. Me radif shkodran që shkon të shikojë familjen në shtëpi dhe, kur gjen të shoqen me tre fëmijët duke vdekur nga uria, nxjerr pushkën dhe, si i vret me dorën e tij që ata të mos vuajnë më , shkon në llogore sërish të mbrojë qytetin; një tjetër radif merr leje për pak dhe verifikohet që, në ënd që të kishte shkuar në familje aq pak kohë sa kishte, kish qenë te dashorja; një fëmijë i rrëmben bukën nga dora një gruaje , dhe ikën me vrap duke flakur në baltën dimrore paratë e bukës; vrasja e Komandantit turk dhe pandehmat e kohës për te…Libri mbyllet me tregimin e një kapiteni sërb për sfidën e stërguximshme të dy “zonjushave shkodrane” para syve të atij dhe të së shoqes. “Dy zonjusha të reja, na panë drejt në sy, mua dhe time shoqe, dhe në mënyrë provokuese, njëra prej tyre hapte e mbyllte xhaketën e veshur ku tregonte flamurin shqiptar…Këta…askush nuk na do…”
Për këtë periudhë ekzistojnë shënimet e shoqëruara me hartat e luftës të oficerëve osmanë A.Nazif e M. Kiramettin dhe disa libra të tjerë në italisht e gjermanisht. Ka qënë edhe ditari i një gruaje shkodrane të kohës të quajtur Nine Shiroka – Daragiati; një mrekulli të tillë e kish pikasur At Gjergj Fishta, por autorja nuk ia dha dhe nuk gjenden askund.. Mësojmë se edhe Gjon Kamsi ka lënë në dorëshkrim kujtimet e veta në një pasqyrë besnike të ngjarjeve në rrethim, por… Ali Ohri, si e gjeti librin kushtuar atdheut të tij në një bibliotekë të Milanos, e shtiri në dorë, e përktheu dhe nuk gjeti tjetër botues, përveçse asaj të ushtrisë, gjë që do të thotë se, me siguri, shumica e kopjeve , kushedi se në cilat biblioteka repartesh ndodhen pa u lexuar nga lexuesit masivë…Sigurisht, së paku “Pallati mbretëror”, pa le ndonjë tjetër shtëpi botuese, do të bëjnë, mendojmë, përpjekje që të ribotohet për publikun e gjerë “amaneti për Shkodrën” për të cilën Ohri një herë në jetën e tij, u bë gati të shkonte para murit të pushkatimit. Ky burrë, besnik i idealeve të tija monarkiste, shërbeu deri në fund të jetës së tij në Oborrin Mbretëror, duke refuzuar prerë rrogën dhe çfarëdo shpërblimi tjetër material.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...