Nga Fatmir Terziu
Çuditërisht
për njeriun, ky diskursi i rezistencës! Më së shumti për mësuesin,
studiuesin, hulumtuesin, kthyesin dhe transmetuesin e çdo vlere të
ardhur nga skutat shekullore në germa të arta për brezat, kohërat e
shekujt në ikje, vijim e ardhje… Një magazinë e pashtershme vlerash nën
këtë ‘çudi’ që mbetet fakt teksa formon diskursin e rezistencës. Dhe kjo
s’është në fakt ‘çudia’, por është aroma e largët e viteve që pasojnë
ndikimin e urtësisë dhe mençurisë tek Minella Gjoni. Aroma e Shën Vasilit, jo thjesht si një gjeografi apo histori e vendlindjes, por si një ‘erë e asaj Shëvasie aq të dashur’ për të cilën Robert Martiko shprehet “Kur
vija në fshat nga Vlora, për hir të dashurisë që më shfaqnin prindërit
apo paraardhësit tuaj të dashur më dukej ky vend si një shtet brenda
shtetit… Ku nuk vepronte fare e ashtuquajtura Luftë e Klasave, apo ato
forca negative që juve vetë ju shtrënguan për tu larguar nga ai fshat i
mrekullueshëm apo Vend Perëndish” (Martiko, Blogspoti kushtuar
fshatit Shën Vasil). Në këtë udhëtesë grishëse tundimi i ‘çudisë’
vyshket tej dhe ardhjet na diktojnë amshin e një kohe tjetër që nguli
tek studiuesi Gjoni, atë fëmijëri “gishtëprerë në vllazëri gjaku,
përballë vështrimit bekues të shënjtorëve nga ikonat” (Papagjoni, shënim
për librin e autorit: “Se jam nga Bregdeti”). Kjo ndodhte dhe
vinte në rritjen e saj graduale mes aromës tipike të Bregdetit sepse “ai
është nga ata djem të Bregut, modest e këmbëngulës, që ka kontribute,
jo thjesht si një ndër personalitetet e arsimit në trevën e Jugut e më
gjerë si “Mësues i Merituar”, por edhe për studimet e tij në rrafsh
historik, folklorik, gjuhësor, gjithëheri për krahinën e Bregdetit”
(ibid).
Me
këtë rregëtim tipologjik të faktorit frymëzues në tërë aritmetikën e
fateve, fakteve dhe materialeve, argumentave dhe dimensioneve, artikujve
dhe konferencave, trajtesave e kumtesave të panumërta të Minella
Gjonit, ajo që lidhet me librin është thjesht një dëshmi e strukur në
qindra e qindra faqe që shënojnë libra të tillë si “Se jam nga Bregdeti” (rrjedhë historike), “Bregdeti dhe Ali Pashë Tepelena”, “Studim dialektologjik dhe toponimik i Bregdetit të Poshtëm”; “Vendlindja jonë Shën Vasili”; “Shën Vasil fshat i dëgjuar”, “Historia e shkollës Shënvasil”, “Bregdeti dhe Europa” dhe “Xhelozi pleqërie”.
Dhe
ne, jemi gati pjesë e këtyre faqeve të shumta të librave të Gjonit,
teksa aritmetika e tyre na përpin enkas “në histori betejash, emrash e
kapetanësh të njohur, burrash të mençur, dijetarësh, klerikësh të lartë,
vezirësh, administratorësh e hierarkësh autoritarë, ushtarësh,
oficerësh e gjeneralësh që kanë shërbyer nëpër oborret mbretërore,
filluar nga perandoria romake, Bizanti, epoka zulmëmadhe e Skënderbeut,
mbretëria e Napolit, Spanja, Venediku, Stambolli, Austro-Hungaria,
luftërat ruso-turke, Misolongji dhe revolucioni grek e gjer tutje në
brigjet e Argjentinës dhe Amerikës së re” (Papagjoni, po aty). Por
autori i dehur nga ‘aroma’ e hershme, nga trashëgimia ngacmuese dhe
njohuria didakte nuk mbetet me kaq. Ai rrëmon e rrëmon deri në grimën e
fundit për të kapërcyer shekuj e shekuj e për të sjellë fate dhe fakte
të reja të diskursit të rezistencës, aq të vyer në një zonë-Perlë
shqiptare të rrahur nga erozioni dhe agraviteti i historisë. Autori këtë
shërbim nuk ia bën thjesht vetëm fushës me të cilën ai ndan jetën, por
diskursi i tij i rezistencës është mjeti me të cilin qindra e qindra
studentë të të gjitha niveleve, studiues e shkencëtarë, vendas e të huaj
mund të kenë çelësin e mjaft arsyeve të kyçura me e pa qëllim. Jo më
kot autorin e shohim në mjaft raste mes emrave më në zë të
historiografisë shqiptare. Jo më kot! Ai është besnik në kërkimin dhe
paraqitjen e tij dhe e sheh të pandarë pjesën e konsideruar nga tërësia e
Europës, ndaj mëshon më së miri tek “Bregdeti dhe Europa”. Jo më pak tek “Xhelozi pleqërie”
ku rrëfimet e tij janë pjesë e këtij diskursi. Janë 34 tregime me
ngjarje reale të ardhura brezash, por në një këndvështrim letrar e një
dioprinë moderne. Ky libër është jo vetëm me individualitet të spikatur
dhe me tematikë e stil të admirueshëm, por edhe me nivel të lartë si në
përmbajtje edhe në formën e të shprehurit. Më tej diskursin e
rezistencës e bën më të arsyeshëm vetë shtrirja kohore në disabrezash e
këtyre rrëfimeve, që sjell edhe mentalitete e zbërthime të psikës së
personazheve që vijnë si individualitete të pangatërrueshëm. Një rrëfim i
zhdërvjellët, mes rrëfimit kronikan, letrar e gazetaresk bën që të lexohen me një frymë rrëfimet e librit më të fundit “Xhelozi pleqërie”
të Minella Gjonit, por edhe shton më tej forcën e diskursit të
rezistencës me të cilën studiuesi dhe hulumtuesi Gjoni dihat mes
kohërave për kohërat.
Nga ana tjetër “Bregdeti dhe Europa”
i autorit Minella Gjoni (Mësues i Merituar) është çelësi në morinë e
shumë hyrjeve që historia u ka lënë shqiptarëve në sënduqe të heshtura
kornizave dhe shtjellave lëmishkore. Historia e një treve si Bregdeti,
me të veçantat e veta gjeografike, sociale e mitike, është parë në një
këndvështrim të ri nga studiuesi Minella Gjoni. Tek “Bregdeti dhe Europa”,
kjo histori vjen e parë në raportet e hershme me Mbretërinë e Napolit e
deri në ato me Francën e Egjyptin. Në libër analizohen marrëdhëniet e
krahinës së Bregdetit me Papatin e Romës, më tej me Spanjën, apo me
Venedikun, për të vijuar me Rusinë e Austrinë, me Turqinë e Greqinë, si
dhe me Francën e me Egjyptin. Diskursi i rezistencës në këtë vepër është
një pasim i dukshëm i veprave paraardhëse të autorit, edhe pse këtu ai
është më i ndjeshëm dhe tejet transparent. Josif Papagjoni në njëfarë
mënyre i parafrohet këtij diskursi kur citon “Ky fis kaonësh epirotë,
shqiptarë me rrënjë ngulur thellë në shekuj, trima e atdhetarë të
flakët, rrëmbyen vëmendjen e Bajronit duke i inspiruar atij ekstazën e
njohur poetike tek “Çajld Harold”(Të bijt’ e Himarës që s’falin as
mikun/ si mund ta lënë të gjallë armikun?!); gjithpo aq grishën penën e
francezit Pukëvil, vlerësimet e konsullit anglez Lik, shkrimet e Edith
Durhamit. Brigjeve të ashpra të kësaj krahine me Akrokeraunet (Mali i
vetëtimave ku Zeusi godiste me shigjeta flakërimash), i është adresuar
vetë Homeri tek “Odiseu” e më pas Virgjili” (ibid).
Për librin “…se jam nga Bregdeti – rrjedhë historike”,
të Minella Gjonit, Papagjoni është shpehur “Është e çuditëshme se si
kjo krahinë, e djegur, e rrënuar dhe e shpopulluar dhunshëm nga luftrat,
emigrimet, epidemitë shfarrosëse dhe fatkeqësitë natyrore disa herë,
sërish është ringritur nga gjaku dhe kuja si Anteu, dhe sërish ka
rilindur nga hiri dhe zjarret si zogu Fenix. U dyndën aty: romakë, gotë,
vizigotë e ostrogotë, hunë e arabë, bullgarë e bizantë, normandë e
venetikas, anzhuinë e turq, andartë grekë, fashistë italian e nazitë
gjermanë; vranë, prenë, shkatërruan, dëbuan, dogjën (vetëm gjatë luftës
civile midis legjioneve të Qesarit dhe Pompeut u dogjën 70 fshatra, Ali
Pasha bëri kërdinë dhe i vuri zjarrin Bregut të poshtëm me ambicjet prej
turkoshaku), - por njerëzit e saj hyjni patën tokën ku kishin lerë edhe
etrit e tyre, besimin e patundur tek zoti dhe feja që kishin përqafuar,
krenarinë për identitetin” (Papagjoni, po aty).
Mes
këtyre pikasjeve të Papagjonit dhe mjaft thënieve e arsyeve të sjella
në forma të tjera nga studiuesi Xhufi në komunikimet shkencore me
autorin, po aq në vetë argumentet që vetë autori sjell për fate të
pashkruara më parë, shihet qartë forca e diskursit të rezistencës që
sqarom më tej se “Bregasit nuk kanë qenë shquar vetëm për nepsin e
pashuar ndaj lirisë, por edhe për kulturën e jetesës e më gjerë. Kur
gjithkund Shqipërisë flihej në rrogoz, piktori anglez Eduard Lir
shprehte kënaqësinë që pat fjetur, në fshatrat e Bregut, në krevat me
sustë dhe çarçafë të larë. Në fletët e librit lexuesi ndjen edhe etjen e
përhershme të bregasve për dije, shkolla, kulturë. Të panumërt janë
mësuesit, veprimtarët e kulturës, artistët, studiuesit: 65 profesorë e
doktorë shkencash, 16 Mësues të Popullit dhe Mësues të Merituar, 13
Artistë të Popullit dhe Artistë të Merituar, rreth 100 shkrimtarë e
publicistë të njohur në rrafsh kombëtar” (ibid).
Ndërsa
citojmë dhe marim në konsideratë veprën e Gjonit, të ndërlidhur me
diskursin e rezistencës, duhet sqaruar se fjala ‘rezistencë’ me të cilën
ne kumptojmë tërësinë e lidhjeve historike, nuk është thjesht arsyeja
për mbijetesë, madje as edhe vetë nocioni i saj historik. Me këtë
kontekst përfshihen të gjitha anët strukturore, kulturore, sociale dhe
shkencore me të cilat format e diskursit formojnë vartësinë e rrjedhës
së gjërave në histori, por edhe në kërkimin e fateve dhe fakteve që
përcaktojnë vetë ato struktura. Le të konsiderojmë edhe fatin që një
trevë e tillë, të cilën mjeshtërisht e dekodon për të gjithë lexuesit
autori Gjoni, ka patur në shekuj, por edhe e konsideruar në emra
konkretë të cilën përbëjnë krenari dhe lavdi për të. Në të njëjtën kohë
vetë diskursi i rezistencës në këta emra gjen arsyen të flasë më qartë.
Ata sipas gjetjeve të Papagjonit janë “Ashtu si galaktikat, ndrisin mes
këtyre emrave opuset e njerëzve të shquar të penës, të mendjes e të
fantazisë si Petro Marko, Spiro Çomora, Dhimitër Anagnosti, Robert
Ndrenika, Diana Çuli, Odise Grillo, Anastas Kondo, Neço Muka, Lefter
Çipa, Llambro Ruci, Aleks Çaçi, Spiro Gjikondi, Andrea Varfi, Myzafer
Korkuti, Adriatik Kallulli, Miho Gjini, Spiro Shkurti, Sulejman Mato,
Viktor Qurku, Ilirian Zhupa, Alqi Lepuri, Andon Qesari, Anastas
Kristofori, Sheri Mita etj. Nga Bregdeti ishin Spiro Jorgo (Koleka),
Xhorxh Tenet (ish shefi i CIA amerikane), Melina Mërkuri (ish ministre e
kulturës së Greqisë), apo Spiro Koleka e Gogo Nushi, Stefan Papagjoni,
Mantho Bala, Jorgo Milica e Myzafer Ahmati, Paskal Milo e Petro Koçi,
luftëtar si Zaho Koka, Kozma Nushi, Vasil Laçi, Mitro Xhani, Persefoni
Kokëdhima, portjeri i kombëtares Foto Strakosha, komentatori sportiv
Valdimir Grillo, mjeku Besim Elezi, juristi Ismet Elezi, heroina Maro
Konda që u hodh nga gremina për të mos rënë në duart e turqëve dhe i
tërhoqi pas edhe ata vetë…” (ibid).
Pra
shihet më së qarti vetëm edhe fakti i fundit i cituar i ‘Maro Konda’,
mes të cilit diskursi i rezistencës forcon bindjen në këtë lidhje ku
sedërtohet filozofia e studimeve të Minella Gjonit. Argumentet
hulumtuese, faktet e ardhura nga qindra burime të besueshme, debati në
heshtje me disa jo-argumentime të shfaqura, apo ‘goditja’ në heshtje
shton më tej rëndësinë e leximit të Gjonit dhe cilësimin e studimeve dhe
krijimeve të tij të besueshme dhe të qëndrueshme.
Për këtë le të rikthehemi paksa tek tregimi “Shpirti i nënës së një të cmenduri”, tregim të cilin autori e vendos në rrjeshtin e “Xhelozi pleqërie”. Aty gjejmë tipare të tilla rezistence dhe dashurie si “Një shtëpi e vjetër ndodhej në krye të fshatit”; “ngrehinë shkatarraqe”; “xhaketa e vjetër”; “I vetmi banor i mureve të rrëzuara ishte Moisiu, i sëmuri nga trutë – si e thërrisnin”; “gërmadhat e shtëpisë së gjyshit të vdekur”; “të ëmën e donte shumë”; “misërniken ia servirte e ëma”; “Mushkonjat atë verë kishin mbuluar dhenë”; “Moisiu i çmendur e kuptoi se e ëma ishte shumë sëmurë”; “dyshekun me kashtë”; “Loti i të çmendurit të kthjellët dhemb deri në shpirt”; “Me duar bënte sikur ia hiqte zjarrin nga balli, por prapë asaj trupi i digjej furrë”; “Se
si do ta shëronte Moisiu të ëmën, një zot e dinte. Ç’bluante vallë
truri i tij i kthjellët në çmenduri!? Ç’pjesë të shpirtit të tij do t’i
falte ai së ëmës?” “Se si do ta shëronte Moisiu të ëmën, një
zot e dinte. Ç’bluante vallë truri i tij i kthjellët në çmenduri!?
Ç’pjesë të shpirtit të tij do t’i falte ai së ëmës?”; “Shikimin
e hodh tutje, në grykat e Skotinisë së Zhulatit përkarshi. Duke
picërruar sytë, mundi të dallonte së largu ca copa bore të ngrirë”; “mbushi thesin me dëborë të ngrirë”; “Ndjeu një lehtësim në shpirt”; “Unë do ta shëroj nënën. Unë do ta shëroj nënën”; “Nëna
po ikte, po ikte duke pasë mbi ballë një copë bore, duke pasë mbi ballë
një dorë dhembshurie, një copë sakrifice nga i biri i saj i çmendur. Në kthjelltësinë
e çmendur, Moisiu e kuptoi që e ëma ndërroi jetë. Klithi, lebetiti e
ulëriti mbi të ëmën. Përpiqej t’i hapte sytë, buzët. I donte shikimin,
buzëqeshjen, por merrte veç ngurtësimin e trupit. E rrotullonte si për
ta ngrohur, si për ta gjallëruar. Nuk e shkëpusnin dot nga trupi i së
ëmës si për të ngelur përjetësisht aty, bashkë edhe përtej vdekjes…” etj.
Në
qetësinë tonë më të madhe kuptojmë këtë përshkallëzim figuratik me
tension, qëllim dhe dimension force. Lexojmë forcën dhe arsyen. Kuptojmë
pra diskursin e rezistencës me të cilin edhe fjala ‘i çmendur’ dështon.
Këtu qëndron forca e autorit edhe pse në këtë rast është tregim,
rrëfenjë, fikshën.