2013-07-22

Franz Kafka (1883 - 1924) , misteri brenda kutive sekrete




Nga Flori Bruqi 


Ai nuk donte që shkrimet t’i botoheshin dhe i la porosi mikut të tij, Brod, që t’i digjte. Por ai një pjesë e botoi dhe një pjesë ia besoi dikujt tjetër. Sot vazhdon beteja për pjesën e panjohur të materialeve që ndoshta mund të nxjerrin në dritë anë të panjohura të krijuesit të “Metamorfozës”.
Kafka, misteri brenda kutive sekrete

Franz Kafka (1883 - 1924) lindi në Pragë në një familje tregtare hebreje që i përkiste shtresës së lartë gjermanishtfolëse të këtij qyteti në periudhën e monarkisë austro - hungareze. Pas studimesh juridike, u punësua në një shoqëri sigurimesh, ku qëndroi deri pak vite para vdekjes kur i shpërtheu sëmundja e turbekulozit. Sa ishte gjallë botoi vetëm tri vëllime me tregime dhe proza të tjera të shkurtra të shpërndara në shtypin e kohës.
Rrallëherë i kënaqur me ato që shkruante, pjesën më të madhe të krijimeve i ndërpriste ose i shihte si të papërfunduara. Shumicën e dorëshkrimeve, ku përfshiheshin veç tregimeve të shumta tri romanet e papërfundura: "I humburi", "Procesi" dhe "Kështjella", bashkë me ditarët etj. ia la amanet që t'i digjte mikut të tij shkrimtar, Maks Brodit. Por, Brodi nuk e respektoi këtë dëshirë: në disa botime, prej vitit 1925 e në vazhdim, ai i dha botës të plotë shkrimtarin që magjepsi lexuesin edhe në ditët tona e që ndikoi zhvillimin e letërsisë botërore si asnjë tjetër autor i shekullit të XX - të.




Kafka, misteri brenda kutive sekrete


Disa nga veprat që mund të shtjellohen dhe të përkthyera në shqip janë: "Procesi", "Metamorfoza", "Kështjella" në formën e romanit por dhe nga proza e tij e shkurtër në formën e tregimit. Disa nga tregimet e tij janë "Një Leksion Akademik", "Populli i Minjve", "Barbarët", etj. Fatkeqësisht veprat e tij janë në shumicën e tyre të humbura dhe për më tepër nga vet dëshira e autorit për ti asgjësuar ato. Kryesorja çka mund të fillojë një analizë për ketë shkrimtar është vënia re e një ndryshimi rrënjësor të formës në veprën e tij dhe në përmbajtje. Ai shpesh përdor një formë të veçantë dhe të thatë simbolike ku majmunët flasin, njerëzit transformohen, portretizohen në mostra etj., pra një realitet jashtëtokësor për të analizuar bujtinën tokësore në formën e saj më reale. Ky konstatim mund të duket kontradiktor në vetvete por nis nga një simbolikë surreale që të kërkon vëmendje për problemet e mëdha universale që prezanton Kafka.
Në analizën e "Procesi"-it vihet re një e vërtetë tronditëse e realitetit me njeriun e thjeshtë brenda dhe sistemet që ndryshojnë dhe e shikojnë ketë të fundit si një pengesë apo një të mire për to. Kafka parapëlqen një të vërtetë të skajshme ku sheqerosjet artistike nuk janë me vlere në veprën e tij. Personazhi përgjithësisht është njeriu i rendomë jo heroi që bën diferencën. Kafka injoron pa e marrë fare parasysh esencën romantike të letërsisë dhe hidhet i teri në kërkim të shpëtimit universal të cilin e shpreh: "Vetëm kur shkrimtari rastësinë mund ta kthej në ligj dhe ta bëj njeriun të pavdekshëm vetëm atëherë ai ka një rol në art dhe vetëm atëherë roli i tij është profetik". Kafka nuk qëndron te ekzagjerimi dhe optimizmi emotiv, ai është ulur këmbëkryq dhe na shikon të gjithëve. Në personazhin e "Proces"-it zotit "K.", sistemi gjigant i pushtetit i bën grafikun e jetës pa e shpjeguar se për se e trajton ashtu deri në vendimin për ta vrarë pa i dhënë shpjegim. Nga ana tjetër kjo mund të analizohet dhe në të kundërt; vetë zoti "K." nuk ka aftësinë për të kuptuar sistemin megjithëse përpiqet që të kuptojë diçka, përsëri është i mbytur në paqartësi. Në secilin kah vlerësimi rezultati i kësaj marrëdhënie është një absurditet fatal ku qenia, ambienti, logjika, hapësira, ekzistenca në vetvete është tejet e pakuptueshme dhe pa mundësi për të pasur një debat ndërmjet tyre, gjithashtu e tmerrshme në efektin e saj. Zoti "K." mund të shikohet në disa drejtime të tjera ai nuk është vetëm njeri por dhe ligjësi skolastike e cila në një periudhe të caktuar humbet ekzistencën e saj pasi një ligj tjetër e nxjerr atë të pavlerë. Kjo është një e vërtetë jo e dëmshme në dukje por si do të justifikohen gjithfarë energjish dhe përpjekjesh njerëzore që qenë frymëzuar nga ajo që tashme është e pavlerë dhe për tu fshire. Një kuptim tjetër i përfolur për "Procesi"-in është dhe pyetja teologjike që ai përmban. Përgjithësisht dogma fetare është një përhapje e arsyes se jeta është një përpjekje për të merituar një perfeksion pas vdekjes. Feja përmban shumë rregulla që duhen ndjekur dhe pasojat që vijnë nga mosndjekja e tyre, por Kafka i bërtet këtyre arsyeve me faktin se jo të gjithë i njohin dhe i kuptojnë këto ligje. Pse do të duhet të kenë të njëjtin fat si mos-zbatuesit vullnetar e të vuajnë dënimin kapital. Kafka kërkon shtojcën "biblike" që duhet të përmbajë logjikën për fatin e këtij grupi. Ka dhe shume tematika të tjera më sekondare nga ato që u përmendën më sipër. Zoti "K" në disa rrethana që i krijohen kryen marrëdhënie intime me një vajze pa modalitet klasik të njohjes, bisedës ose ndjesisë emocionale dhe kurse ç’farë veprimesh paraprijëse për të kaluar në marrëdhënie seksuale, por e realizon atë në një forme apriori sikur të mos ketë vend për kushtëzime dhe justifikime. J. P. Sarter citon në një paragraf se: "Shpirti ka me shumë të drejtë se arsyeja" pasi kjo e fundit është e asgjesuesshme nga vet ajo kurse shpirti është një forme e qenësishme apriori. Por veprimi i zotit "K." mund të shihet dhe si një protestë e Kafkës me dy elementë. I pari sistemi (qoftë teologjik, politik, tradicional, etj.) që vepron në mënyre injoruese ndaj individit dhe ky i fundit i përgjigjet atij me të njëjtën monedhë duke krijuar kështu plotësimin instiktiv ndaj dëshirave rastësore. Në ketë logjikë Kafka është disi në atmosferën e Niche-s por me ndryshimin se nuk e ka qellim në vetvete por një përgjigje e natyrshme dhe e rrjedhur nga kushtet. Kjo vepër dhe po ashtu vepra në tërësi e Kafkës me të drejtë është një ortek që sa me shumë thellohesh aq më i madh bëhet deri sa orteku është vetë globi që banojmë. Letërsia e Kafkës është një ambient i ankthshëm; është një situatë e një zgjimi e njëkohësisht i një fataliteti. Kafka nuk është dekadent, ai bën një portret të gjërave por nuk mundohet të rrënoje, të mohojë apo të zgjedhë mjete për të asgjësuar, ai thjesht paraqet ftohtësisht acarin e absurditetit.


Shtëpia në Vjenë ku vdiq Franz Kafka më 1924


Një kryevepër mund të cilësohet padyshim vepra "Metamorfoza". Si zakonisht tek Kafka dhe këtu ambienti është një natyre simbolike. Kafka e fillon veprën e tij me mëngjesin në të cilin një person ndjen që po shndërrohet në kandër. Mëngjesi është i zakonshëm në shkrimet e tij, zgjimi që personifikon shpresën e re, emocionet e reja, të gjitha këto turbullohen menjëherë sapo personi fillon kontaktin me botën, ai rrënqethet nga atdheu zhgënjyes. Grigori i transformuar tashmë krijon fillimisht një shqetësim të thelle në familje. Të gjithë ata në ketë moment janë të përkushtuar rreth tij. Gjenialiteti i Kafkës është se ai e paraqet Grigorin në ndryshimin fizik apo mekanik por jo shpirtëror dhe të ndërgjegjes. Grigori e kupton të gjithë situatën rreth tij dhe ka një pikëllim të madh që tanimë as mund ta shprehi nën petkun e kandrës. Por ç’është në të vërtetë "Kandra"? S'është gjë tjetër veçse krijesë e një natyre anti-njeri, e një natyre të tmerrshme dhe pa kthim. Ajo është me tepër, nuk është krijim i individit po e një trysnie fati të cilin askush prej nesh nuk e zgjedh me vetëdije. Grigorit gjithë kjo gjëmë i vjen pasi ai është shumë i përkushtuar në punë, e cila e ka bere efektin e saj të çuditshëm jo duke i dhënë të mirat që çdo njeri pret por duke e shndërruar në një qenie të çuditshme dhe të trishtueshme që e pengon të realizojë natyrshëm dëshirat njerëzore qoftë dhe më minimalet. Në fund familjarët e lodhur dhe përfundimisht të bindur se krijesa që kanë përballë nuk është me djali apo vëllai i tyre por një "kandër", e trajtojnë si të tillë dhe Grigori vdes në ngashërimin e pashprehur dhe disi në pritje të "zgjidhjes" që do ti sjelli vdekja. Megjithëse përshkrimi i mësipërm i këtij romani është mjaft i shkurtër kemi mundësinë të analizojmë disa ide përmbajtëse në të. Shkrimet e Kafkës, në ndryshim nga tregimet e stërzgjatura, përgjithësisht zgjaten me përtesë vetëm për të thënë atë që duhet dhe pa ceremonira formale. Nëse do ta nisim nga fundi Grigorit i ka ardhur në maje të hundës por siç kemi thënë me lart Kafka nuk është dekadent (të gjejë mjete për të asgjësuar apo zhdukur situata) Grigori ndihet thellësisht i pa shpresë për momentin por ai nuk tenton vetëvrasjen. Ai zgjidhjen e merr si pasojë e një veprimi pasiv mbi situatën dhe e le veten tërësisht të shkrihet në fatin që i racionoi Jeta. Vdekja është një zgjedhje e natyrshme e tij por jo me ekzaltim e për mundësinë e ndreqjes por duke çliruar pamundësinë përballë natyrës absurde që e rrethon. Kafka në vetvete është një protestues i madh; është vetë protesta. Ai nuk krijon arsyetime fatale por paraqet botën dhe në ketë drejtim protesta e tij nuk ka hierarki drejtuese, ajo lind apriori për të gjithë që nga momenti i zgjimit në absurd gjithashtu ajo nuk ka mjete lufte përveç reflektimit mbi situatën. Grigori jemi të gjithë ne të mekanizuar me elemente që fati arbitrar na etiketon çdo kohe dhe që janë të pa evitueshëm. Jo vetëm kandra por dhe vdekja është e njëjta gjë ashtu si Grigori nuk i bënte balle dhe s’e kuptonte transformimin ashtu dhe vdekja e kaplon njeriun në vite e ndihmuar nga plagosjet e përpjekjes për lumturi dhe qetësi që i lakmojmë për ditë të gjithë ne. Kandra është i alkoolizuari që nëpërmjet alkoolit donte të prekte gëzimin por që endet i shkatërruar rrugëve, kandra është "At Sergei" (Tolstoi ) që duke u drejtuar vetëm nga shpirti i amshuar u kthye në një përdhunues. Ajo është gjithçka që prodhon absurdi dhe jeta pa pika referimi dhe që prezanton fytyrën e saj nëpërmjet këtyre fenomeneve. Nëse kemi hyre pak në esencën e fundit të veprës dhe në mesin e saj fillimi është ndryshe. Njerëzit tronditen nga transformimi, mortaja, burgosja, etj. Ata mbajnë një qëndrim ndaj halleve që u bien nga qielli. Mos vallë Kafka e merr njeriun si një qenie me manual të paracaktuar përdorimi të cilin e ka të stamposur në ndërgjegje dhe orientohet midis të mirës dhe të keqes? Vetë Kafka është një njeri që i dorëzohet trasendentes? Ai e le hapur apo pa zgjidhur vetë ketë dileme me dëshirën për të asgjësuar krijimtarinë e tij apo me saktë pyetjet e tij dhe si Grigori shikon nga ylli i mëngjesit, pas vdekjes.
Në vazhdën e krijimeve pikante të Kafkës me interes është tregimi "Një Leksion Akademik".
Këtu paraqitet një personazh shume i përfolur, të transformimit majmun në njeri. Kafka nuk e shikon zhvillimin nga ana estetike por kuptimore. Majmuni tashmë njeri ndihet përballë lirisë së zgjedhjes. Ai nuk i referohet vetes në anën e cilësisë organike por të ndërgjegjes. Pikërisht për shkrimtarin njeriu ka koordinata arsyetive dhe jo të një problemi vizual dhe të lëvizjes. Për kuptimin tradicional të lirisë ajo çka deklaron Kafka për të është të paktën e çuditshme. Majmuni tashmë njeri është i pikëlluar për lirinë e zgjedhjes pasi është përgjegjës për rrjedhën e gjërave ndërkohe që nuk është i sigurt për pasojat e zgjedhjes së tij. Bota tashmë ka formën që ai zgjedh por e tmerrshme pasi ai të vetmin vend ankimi dhe ndëshkimi ka veten. Kjo tek "Zarathuastra" (F. Niche) është një çlirim i qenies për tu perfeksionuar, tek Kafka është një fatalitet. Ai është thellësisht në kërkim të fesë, të para-projektit rruga e të cilit nuk do ta zhgënjente njeriun. J. P. Sarter mendonte se njeriu nuk është prodhim fizik dhe ndërgjegjësor i vetvetes, Kafka megjithëse më i hershëm pasi e kalon koshiencën e këtij postulati mendon se gjithashtu njeriu s’mund të projektojë veprimin e vetvetes. Ai është një qenie e trishtuar për pozicionin që ka. E gjithë kjo të bën ta mendosh mbase të pezmatuar ndaj zotit, natyrës por mbase si një nxitje drejt kërkimit të zotit të humbur ose të një depresioni të pashmangshëm nga kotësia dhe boshllëku që nuk japin shpjegim. Forma e tregimit është krijuar afërsisht si monolog e cila fatkeqësisht mund të interpretohet si një shprese e venitur për përgjigje, kurse fakti që ai e hedh në letër është një veprim i vetvetishëm siç është mendimi.
Kafka është një qenie gjeniu dhe pikëllues njëkohësisht, sikur të qe i pashmangshëm dëshpërimi i një shpirti të lartë në realitetin tokësor.









****

Nuk ndodh shpesh që letërsia botërore të përfshihet në një situatë me përmasa kafkeske, por duket se një e tillë, që ka në qendër pikërisht të famshmin e letërsisë, Kafkën, sapo ka nisur. Bëhet fjalë për një betejë ligjore në lidhje me përmbajtjen e 4 depozitave që ndodhen në një bankë të Zvicrës, që prej disave mendohet se kanë brenda vepra të pabotuara të Franz Kafkës, apo qoftë edhe materiale të tjera që hedhin dritë mbi jetën e tij.

Kjo betejë iu afrua fundit të mërkurën e kaluar, kur një gjykatës izraelit vendosi që materialet dhe letrat të cilat ndodhen në këto kuti duhet të bëhen publike. Dokumentet ishin vendosur në bankë në vitin 2008 nga dy motra izraelite, që luftuan për t’i mbajtur ato private. Kutia e parë u çel të mërkurën dhe u tha se ajo përmbante një histori të shkruar dhe të papublikuar të Kafkës. Pas kësaj, studiuesit pyesin se çfarë thesaresh letrare mund të mbahen ende brenda saj. Është tashmë e njohur se njeriu që i ka dhuruar njerëzimit “Metamorfozën”, ia besoi një numër të madh të dorëshkrimeve të tij mikut të vet, Max Brod, duke lënë si amanet që ky t’i digjte pas vdekjes së autorit, e cila ndodhi në vitin 1924.

Megjithatë, Brod i publikoi romanet e Kafkës, por një pjesë të letrave dhe shkrimeve të autorit të famshëm i çoi në Izrael dhe ia la sekretares së tij. Për këtë arsye, disa studiues mendojnë se nuk ka më vepra të pabotuara të Kafkës. Por, sipas tyre, mund të ketë letra personale të Brod, apo ditarë të tij, që mund të hedhin dritë për aspekte të panjohura të jetës së shkrimtarit të madh sipas këndvështrimit të mikut të tij: kryesisht për vitet kur Kafka ishte student, apo për fillimin e karrierës së tij si jurist e si nëpunës, që është një periudhë pak e njohur dhe e dokumentuar. Ndërsa për një shkrimtar italian dhe njohës të Kafkës, Mauro Nervi, miku i Kafkës, Brod, i publikoi të gjitha materialet që kishte. Por gjithsesi mund të kishte ende material njohës për vetë Brod apo miqtë e tjerë të Kafkës.

Mirëpo ka edhe nga ata që janë shumë më entuziastë mbi materialet që mund të gjenden në depozitat e bankës së Zyrihut. Disa janë të bindur se ato përmbajnë ende vepra të papublikuara të shkrimtarit të madh, ose qoftë edhe blloqe shënimi të papërfunduara, apo letra të viteve të fundit të tij, si dhe 35 letrat që ai ia shkroi me dorë të dashurës së tij, Dora Diamant. Për pothuajse një dhjetëvjeçar pas vdekjes së Kafkës, Dora i mbajti të fshehta të gjitha shkrimet dhe letrat e Kafkës, duke pretenduar vazhdimisht se i kishte djegur. Por pas konfiskimit që i bënë nazistët letrave në vitin 1933, ajo më në fund ia rrëfeu Brod gënjeshtrën e saj, i cili nga ana e tij bëri shumë përpjekje për të rikuperuar të gjitha dokumentet e humbura të mikut të tij.

Ndër dokumentet e panjohura mund të gjenden edhe 70 letra të shkruara nga Dora, drejtuar Brod-it mes viteve 1924-1952, dhe shumë studiues mendojnë se ato mund të gjenden në kutinë misterioze në Zyrih. Mes shumë paqartësive të kësaj historie, një gjë është e qartë, që sekretarja e Brod-it ia la koleksionin e ish-shefit të saj, të bijave Eva Hoffe dhe Ruth Wiesler, të cilat deri më tani kishin arritur që t’u rezistonin të gjitha presioneve dhe kërkesave të bëra nga Libraria Kombëtare e Izraelit, që donte t’i posedonte dokumentet përmes pretendimeve se ato ishin një pjesë shumë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore hebreje. Kafka ishte hebre i lindur në Pragë dhe ka disa studiues që thonë se një rol të madh në veprat e tij luajti sionizmi, edhe pse askush nuk ka demonstruar deri më tani prova në mbështetje të këtij pretendimi.

Që prej dy vitesh vazhdon një betejë e ashpër legale për publikimin e materialeve që janë në fakt në pronësinë e dy motrave dhe kjo betejë arriti pikën kulmore me vendimin e gjykatësit hebre që i detyron motrat të bëjnë publike brendinë e kutive që ndodhen në bankën e Zyrihut, si dhe një kutie tjetër që ndodhet në Tel Aviv.

Por këtu lind pyetja: Përse një bankë shumë diskrete zvicerane ka çeduar para resionecve të bëra nga një qeveri e huaj, në këtë rast nga qeveria izraelite? Vetë banka në fjalë, pra UBS, nuk ka dhënë ndonjë shpjegim, por sipas zëdhënësit të Shoqatës së Bankave Zvicerane, asnjë bankë zvicerane nuk do t’i përgjigjej një kërkese të tillë të bërë nga një vend i huaj, nëse nuk do të kishte marrë një kërkesë të ngjashme edhe nga ndonjë autoritet zviceran. Sipas Shoqatës së Bankave, në shumë raste bankat nuk e kanë idenë se çfarë mban të fshehur një klient në një depozitë. Në këto rrethana mbeten ende shumë pyetje që presin përgjigje.

Sigurisht pyetja që jo vetëm studiuesit, por edhe admiruesit e shkrimeve të Kafkës bëjnë, është: A ka vërtet në kutitë misterioze vepra të pabotuara të shkrimtarit të madh, apo qoftë edhe të dhëna për jetën e tij të panjohura më parë? Detaje të mëtejshme në lidhje me këto arkiva të fshehta me siguri që do të publikohen në ditët në vijim. Megjithatë, ndërsa pak nga pak misteri do të zhbëhet dhe e vërteta do të dalë në dritë, ajo çfarë ka ndodhur prej vitesh përreth këtyre kutive të fshehta në banka është një ankth i vërtetë, më i madh nga ai që vetë Kafka i njohur për ankthe e makthe do të mund ta kishte imagjinuar.


Procesi, Franc Kafka

Procesi, Franc Kafka
Në analizën e romanit "Procesi", vihet re një e vërtetë tronditëse e realitetit me njeriun e thjeshtë brenda dhe sistemet që ndryshojnë dhe e shikojnë ketë të fundit si një pengesë apo një të mirë për to. Kafka parapëlqen një të vërtetë të skajshme ku sheqerosjet artistike nuk janë me vlerë në veprën e tij....

Franz Kafka, Vepra e plote ne prozen e shkurter




Kur hyn në veprën e Kafkës, ke kaluar një prag që s'ka të bëjë më me jetën e përditshme, me njohuritë e tua historike, filozofike, psikologjike. Ti ke hyrë thjesht në botën e tij ashtu siç hyn bie fjala në botën e mitologjisë greke kur merr në duar një përmbledhje me mite të lashtësisë, ose sikurse lexon Dhiatën e Vjetër dhe të Re, por pa pjesët e tjera moralizuese apo didaktike.
Prej çastit që ke hyrë nuk duhet të habitesh më me asnjë pamje të personazheve, me asnjë kthesë të subjektit, madje as me kthesa ose zhvendosje në atë që quhet logjikë e shëndoshë e njeriut.  Gjuha që krijon këto vizione është magjia më e madhe e Kafkës. Ajo është e saktë deri në skaj, ose përtej skajit.
Njeriu që ditën e kalonte si nëpunës i një shoqërie sigurimesh mes shkresave ku kërkohej pikërisht saktësia maksimale e gjuhës dhe natën ua kushtonte krijimeve, përdori gjuhën e ftohtë administrativo - shkencore për të veshur ëndrrat, fantazitë dhe makthet e tij. Këto makthe janë edhe si një profeci për tragjeditë që e prisnin familjen Kafka dhe gjithë njerëzit e tjerë të afërt, vendin e tij dhe krejt botën ën dekadat që vinin.
Pas botimesh të shpërndara aty - këtu, përkthimesh shpesh nga gjuhë të treta, vepra e Franz Kafkës në prozën e shkurtër, ku përfshihen të gjitha tregimet, skicat, novelat e tij, të përfunduara ose jo, vijnë për herë të parë të plota në gjuhën shqipe sipas rendit kronologjik të krijimit të tyre.

Shkrime dhe përkthime (përzgjedhje)

1909: Një libër lutjesh grash (Ein Damenbrevier)
1909: Një bisedë me të luturin (Gespräch mit dem Beter)
1909: Një bisedë me të dehurin (Gespräch mit dem Betrunkenen)
1909: Aeroplani në Brescia (Die Aeroplane in Brescia)
1911: Rihardi dhe Samueli (Richard und Samuel)
1912: Zhurmë e madhe (Großer Lärm)
1913: Soditje (Betrachtung; me 18 tekste prozë)
1913: Gjykimi (Das Urteil)
1913: Fokisti (Der Heizer)
1915: Metamorfoza (Die Verwandlung)
1915: Para ligjit (Vor dem Gesetz; pjesë i romanit "Procesi")
1918: Vrasja (Der Mord)
1918: Një doktor vendi (Der Landarzt)
1919: Në koloninë ndëshkuese (In der Strafkolonie)
1921: Kalorësi i kovave (Der Kübelreiter)
1924: Një artist i urisë (Ein Hungerkünstler)

Biografi

Peter-André Alt: Franz Kafka: Der ewige Sohn. (Franz Kafka: Djali i përjetë) Beck, Mynih 2005, ISBN 3-406-53441-4.
Thomas Anz: Franz Kafka. Beck, Mynih 1989, ISBN 3-406-33162-9. (botimi i dytë u shfaq më 1992)
Hartmut Binder: Kafka-Handbuch in zwei Bänden. Band 1: Der Mensch und seine Zeit. (Manuali i Kafkës në dy vëllime. Vëllimi I: Njeriu dhe koha e tij.) Kröner, Shtutgart 1979, ISBN 3-520-81701-2.
Louis Begley : Die ungeheure Welt, die ich im Kopfe habe. Über Franz Kafka. (Bota e jashtëzakonshme, të cilën e kam në mendje. Mbi Franz Kafkën.) Deutsche Verlags-Anstalt, Mynih 2008, ISBN 978-3-421-04362-7.
Max Brod: Franz Kafka. Eine Biographie. (Franz Kafka. Një biografi.) S. Fischer Verlag, Frankfurt mbi Main 1962.

Thimi Thoma Kreji – një veprimtar i rilindjes kombëtare nga Krusheva


Çdo mëhallë e kishte qendrën e vet, ndërsa në qendër të mëhallëve ekzistonin dyqane, furra, si dhe zejtaritë të ndryshme. Në mëhallën e mijakëve ekzistonte edhe një kishë. Po në këtë qytet ekzistonte edhe një shkollë meshkujsh dhe një shkollë femrash.
Thimi Thoma Kreji – një veprimtar i rilindjes kombëtare nga Krusheva




















































Prof. Dr. Avzi Mustafa

Thimi Kreji, sipas disa shënimeve, thuhet se ka lindur rreth vitit 1842 në Krushevë të R. së Maqedonisë së sotme. Me shpërnguljen e vllehve të Gramozit dhe të Voskopojës në fund të shekullit VIII dhe në fillim të shekullit XIX, këtu vendoset edhe një pjesë e madhe e shqiptarëve nga Shqipëria e Jugut. Supozohet se kjo familje ka ardhur nga rrethi i Gjirokastrës. Shumica e të shpërngulurve vllahë ishin të detyruar për arsye politike, ndërsa shqiptarët për arsye ekonomike. Varfëria e vendeve malore, si dhe shtypja dhe shfrytëzimi i pamëshirë i administratës osmane, kërkonte ndërrimin e vendbanimit për kushte më të mira jetese. Kështu shpërngulja ishte edhe një ikje nga pronat e pronarëve, që ata të mund të merren me zejtari dhe tregti ose te gjejnë një “tokë pazot”.

Në Krushevë ose, siç i thonë vendasit, Krushovë, mërgimet bëheshin grupe-grupe nga koha në kohë. Prandaj ky qytet është formuar mbi ndarjet familjare dhe etnike. Kështu Krushevën e përbëjnë 12 mëhallë: mëhalla e vllehve, mëhalla Arbinesh (e Shqiptarëve), mëhalla e mijakëve të ardhur nga Reka e Dibrës, mëhalla e Gjipëve (mëhalla rome), si dhe mëhallët sipas familjarëve: e Strungës, e Bushës, e Matakëve, Koku etj.

Çdo mëhallë e kishte qendrën e vet, ndërsa në qendër të mëhallëve ekzistonin dyqane, furra, si dhe zejtaritë të ndryshme. Në mëhallën e mijakëve ekzistonte edhe një kishë. Po në këtë qytet ekzistonte edhe një shkollë meshkujsh dhe një shkollë femrash. 

Mesha në kishën e mijakëve mbahej në gjuhën shqipe, por pas vitit 1821, kur Greqia e shtoi zgjerimin e kufijve dhe krijoi të ashtuquajturën “Megali-Idea”, ajo i përdori të gjitha mjetet e mundshme që ta identifikonte fenë me kombësinë. Kështu të gjithë ortodoksët, pra edhe shqiptarët ortodoksë, i llogariste grekë. Kjo bëhej me qëllim të caktuar dhe në vende ku jetonte popullatë ortodokse e etnive tjera. Kisha, nëpërmjet klerit, bënte propagandë, por përdorte edhe mjete të tjera për helenizimin e popullatës ndaj etnive jogreke. Këtë e shohim edhe në rastin e mitropolitit për Ohër e Prespë, ku bënte pjesë edhe Krusheva. Ndonëse mitropoliti grek i kësaj eparhie selinë e kishte në Ohër, ai e transferon atë në Krushevë vetëm e vetëm që ta ndalojë të mos dëgjohet aty gjuha shqipe ose arumune. Ky metropolit i kishte thënë popullit të Krushevës: “Gjuha arumune dhe gjuha shqipe janë mallkuar dhe aforisuar nga të gjithë të shenjtit, por edhe nga vetë Zoti dhe se vetëm gjuha greke është gjuha e dashur e Zotit”. 

Thimi Krej ndoqi shkollën e meshkujve në vendlindje. Aty mësimi zhvillohej në gjuhën greke. Familja e tij ishin zejtarë – me kohë e kishte ushtruar zanatin e ngjyrosjes së flokeve dhe merreshin me shitjen e tyre. Thimin, krahas shkollës, e dërguan edhe në zanatin e terziut te një mijak. Dukë punuar në dyqanin e terziut, edhe pse ishte i ri, Thimi me vëmendje dëgjonte gjithçka mbi shqetësimet e ndryshme që rëndonin mbi jetën e këtyre banorëve, si dhe kërkimin e zgjidhjeve për të ardhmen. Megjithëse nuk dihet se ku e ka mbaruar shkollën e mesme në gjuhën greke, në bazë të informacioneve të mbledhura nga njerëz të ndryshëm të këtij qyteti, përshtypje më lë plaku 92-vjeçar Nako me një memorie të çuditshme, i cili pohon se të “tonit” kanë mësuar “gërkisht”, ngase kisha i dërgonte nëpër shkolla të gërkishtës. Në fakt, të gjithë ortodoksit, pra edhe shqiptarët e këtij konfesioni, për arsye fetare mësonin greqisht, sepse mësimi në këtë gjuhë llogaritej si cilësi e një kulture të lartë, duke anashkaluar gjuhën shqipe dhe duke mos lejuar shkolla në gjuhë amtare. Por, kur diskutojmë për familjen e Krejit, plaku Naku thekson se nuk ka dijeni për këtë personalitet, sepse shpeshherë pushtuesit na kanë djegur e plaçkitur, por thotë se “ne (duke përfshirë edhe shqiptarët – A.M.) jemi marrë me tregti dhe se neve na quanin grekë me kuptimin tregtarë”. Disa familjarë nguliteshin në ato vende, ku punonin edhe me familje. Gjithashtu plaku 90-vjeçar rrëfen me ofshamë se “neve na kanë shitë bullgarët te osmanlinjtë”. “Shumë familje vllahe e shqiptare pësuan gjatë kryengritjes së Ilindenit, ndërsa disa u shpërngulën brenda qyteteve të tjera”. Prandaj, thotë xha Nakoja, edhe Tomajt mund të kenë ikur. “Tomaj ka në Kërçovë, Manastirë, Shkup.. Bisedën e mbyllë duke thëne “se kemi qenë të detyruar disa herë edhe llagapet t’i ndërrojmë. Të tonit punonin kudo, edhe në Egjipt, edhe në Stamboll, edhe në Selanik, Bukuresht e gjetiu”. 

Kushtet, rrethanat dhe motivet ekonomike-shoqërore e psikologjike ishin faktorët kryesorë që shumë shqiptarë të kërkojnë fatin e tyre nëpër vendet e botës. Kjo gjendje tepër e vështirë e detyron edhe Thimi Krejin të marrë rrugën e mërgimit. Ai një herë mendoi të shkojë në Bukuresht ose në Sofje, sepse atje kishte shumë ortodoks që punonin, por në kohën kur ai përgatitej të largohet nga vendlindja me të madhe flitej për Egjiptin si një vend ku mund të gjendet punë. 

Mërgimet në Egjipt janë ato që lidhen me luftën që beri Turqia kundër mamlukëve dhe me vendosjen ne krye të qeverisjes së shqiptarit Memhmet Ali Pasha. Egjiptit ndodhej në zhvillim e sipër dhe atij vendi i duheshin punëtorë të profesioneve të ndryshme. Shumica e shqiptarëve që kishin shkuar atje si ushtarakë, kishin mbetur edhe pas luftës. Prej tyre shumica e shqiptarëve ishin vendosur në qytete të ndryshme, si: Kajro, Aleksandri, Benisuef, Shibin El Kom, Mansuri, Fishnje, Mamflutë, Bibe, Vostë etj. Një pjesë e shqiptarëve kishin mërguar në Egjipt edhe për shkaqe ekonomike, ashtu që shumica e shqiptarëve, përveç punëve nëpër karakollë, punonin edhe punë të ndryshme të zanateve e të tregtisë. Shqiptarët që jetonin në Egjipt, sipas P. Kabue-së, ishin afër 30 mijë. 

Si te shumica e shqiptarëve në vendet tjera, edhe në Egjipt ata rronin së bashku dhe në ditët e festave ose kohët e lira ose me ndonjë rast të veçantë, në shtëpitë e banimit ose në hanet e ndryshme gjëmonte kënga dhe vallja shqiptare. Këtë më së miri e përshkruan Spiro Dine, i cili thotë: “Karakollët e Kajros qenë plot gegë e toskë, këngët e vallet nuk reshtin, buzuku, tamburaja e bakllamaja buçitnin në katër anët... na dukej sikur gjendeshim në Shqipëri”.

Thimi Kreji në vitin 1860 nga porti i Selanikut udhëton për në Egjipt dhe bashkë me një shok vendoset në qytetin Shibin El Kom. Me t’u vendosur aty, për Thimin do të fillojë një jetë të re. Ai shumë shpejt do të bie në kontakt me bashkatdhetarë të viseve të ndryshme të Shqipërisë. Pasi siguron një vend pune, duke iu falënderuar njohjes së gjuhës frënge, pas orarit të punës shkonte në klube e vende ku tuboheshin shqiptarët. Meqë mërgimi ngjallë dashurinë me të madhe ndaj atdheut, ai me inteligjencën e dhuruar nga Zoti nuk mund të mos inkuadrohej në biseda patriotike. Siç duket, ai si intelektual, gjatë studimeve, kishte njohuri nga historia, e njihte mirë gjuhën greke, vllahe, bullgare, turke dhe gjuhën frënge. Ndërkaq tani ai do të interesohet për gjuhën shqipe, për letërsinë shqipe, për lashtësinë e shqiptarëve, për trashëgiminë kulturore etj. Ai lexonte çdo gjë që i binte në dorë. Si njeri që nuk përtonte të kontaktonte me secilin dhe i dashur që ishte, që shihet edhe nga korrespondenca e tij me shumë intelektualë e patriotë të kohës, ai do të inkuadrohet me tërë qenien e tij në jetën kulturore dhe në lëvizjen patriotike. 

Në fillim shqiptarët e Misirit e kishin vështirë të mendonin dhe të vepronin në mënyrë të organizuar në lëvizjen kombëtare. Prandaj ishte e nevojshme që shqiptarët e Misirit të krijojnë një vatër ku do të tuboheshin gjithë shqiptarët e Misirit, ashtu siç vepronin shqiptarët në Bukureshtit e të Sofjes. Siç dihet, shqiptarët e Misirit në fillim u organizuan si një degë e Shoqërisë së Stambollit, e quajtur “Shoqëri e të shtypurit shkronja shqip”, e cila u krijua në Aleksandri me ndihmën e Jani Vretos, por kjo pati një jetë të shkurtër. 

Thimi Kreji, bashkë me Thimi Mitkon dhe të përkrahur edhe nga patriotë të tjerë, u angazhuan të formojnë një shoqëri me emrin “Bashkimi i vërtetë i atdhetarëve shqiptarë”, që do të kishte organin “Besa”. Kjo shoqëri zgjodhi motom “Bashkimi bënë fuqinë”.

Në maj të vitit 1882 në Egjipt formohet shoqëria e përkrahur nga të gjithë të mërguarit kudo që jetonin në Egjipt, që do të quhet “Vëllazëria Shqiptare”, e cila për qëllim kryesor do të ketë ruajtjen e gjuhës dhe të traditave kombëtare shqiptare. Aty Thimi Kreji do të zgjidhet sekretar i kryesisë së Shoqërisë për Shibin el Kom.

Anëtarët e Shoqërisë me vëmendje po i ndiqnin ngjarjet e viteve 1878-1881, kur propagandat e huaja shoviniste, sidomos ajo greke ushtronin veprimtarinë e tyre grabitqare. Anëtarët e Shoqërisë haptazi iu kundërvunë këtyre qëllimeve grabitqare dhe asimiluese nëpërmjet polemikave të botuara në shtypin kombëtar, si “Shqipëria”, “Toska”, “Spata”, “Pellazgu” etj.

Gjuha shqipe për shqiptarët e Egjiptit ishte një ndër çështjet më të mëdha që mund ta ruante kombin tonë. Por, siç dihet, ende nuk kishte gjetur zgjidhje alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe. Prandaj atdhetarët tanë në Egjipt nuk kursenim as mund e as djersë për të gjetur format më të ndryshmet që të organizojnë lëvizjen arsimore dhe kulturore, si në mërgim, ashtu edhe në Shqipëri. Në një letër që mban datën e 17 majtit 1877 Thimi Mitko i shkruan kështu Thimi Krejit: “Për sa i përket qytetërimit të Shqipërisë së prapambetur do të ishte një vepër me më shumë sukses ngritja në Egjipt e një tipografie për të shtypur vazhdimisht libra dhe një gazetë”. Po ashtu nëpërmjet të shoqërisë shqiptare që do të “përhapte diturinë do të mundësohej që të hapen një ose dy shkolla shqipe në qendër të Shqipërisë”.

Thimi Kreji do të futet në problemet e kohës dhe do t’i zgjerojë lidhjet e veta me shumë atdhetarë, si në Misir si me Jani Vruhon, Milo Duçin, Çajupin, L. Lligorin,Th. Tashko, Th. Manon, V. Vithkuqarin, S. Dinen, Th. Mitkon, Jani Vreton etj., por edhe me patriotë të tjerë të kolonive të tjera shqiptare. Ai nuk do të shkëputet nga forcat përparimtare. Si njeri me një intelekt të çuditshëm, ai do të inkuadrohet në çështjet rreth alfabetit. Derisa të gjendej një zgjedhje përfundimtare, dominonte mendimi që “toskët ta shkruajnë shqipen me germa helene, kurse gegët me ato latine”, por intelektualet shqiptarë, si ato të Stambollit, Bukureshtit e Sofjes, po përgatitin variante të ndryshme të alfabeteve. Një variant që e kishte përgatitur Jani Vretoja kishte kërkuar mbështetje edhe nga patriotët e Misirit. Ai ia dërgon këtë variant pikërisht Thimi Krejit në Shibin el Kom që ai ta propagandojë atë. Kështu këtë variant të alfabetit e përkrahin edhe Thimi Kreji, Thimi Brandi, Sipro Dine etj. Kështu, të kënaqur për punën e Vretos, këtë alfabet e quajtën atë si një sistem shkronjës, si një alfabet shumë i përshtatshëm. Kreji, i bindur se ky ishte një alfabet origjinal i bërë nga një intelektual i formuar si Jani Vereto, në vitin 1877 do të angazhohet të shkruajë edhe një traktat mbi alfabetin shqip. Me aprovimin e këtij varianti ai do të hapë polemikë të ashpër sidomos me shqiptarët në Benisuef, të cilët udhëhiqeshin nga Thimi Mitko, sepse nga ata nuk u pranua ky variant i alfabeti të Vretos, siç ndodhi edhe në mesin e shqiptarëve të tjerë të Misirit dhe të patriotëve në kolonitë tjera .Me gjithë kundërshtimet, ai nuk e humbi miqësinë me patriotët e tjerë shqiptarë. Këtë e vërejmë në letrën e Thimi Mitkos dërguar Thimi Krejit më 12.7. 1878, ku ai shkruan: “Thash dhe kuvendova. Papo secili të ketë idhenë e vet. Idherat e njërëzëve janë të respektueshme” 

Në vitin 1878 Jani Vretoja përsëri do të ofrojë një variant tjetër me 8-9 ndryshime, ndërsa Thimi Kreji, edhe pse është përkrahës i projekt-stautit të Kanonizës së vitit 1878, ai nuk është kundër një alfabeti të përbashkët kombëtar, i cili do të përkrahet nga të gjithë. Edhe ky variant i alfabetit të Vretos nuk do të gjejë popullarizim dhe do të kritikohet nga atdhetarët e tjerë, ndërsa Kreji përsëri do të arsyetojë këtë variant të alfabetit të Vretos. “Ai (Vretoja) është pjesëmarrës në Mbledhjen e Stambollit, ku do ta paraqesë një variant të vetin, duke dhënë edhe këtë sqarim: “Këtë alfabet e ka dërguar tek ne i lartpërmenduri Jani Vreto, me qëllim thjeshtë që të na kallëzojë vështirësitë e këtij alfabeti”. 

Studiuesit e ndryshëm nuk kanë njohuri se me cilin variant u paraqit Vretoja në Mbledhjen e Stambollit, por krahas supozimeve të ndryshme, më i bindshmi është ai i shkencëtarit Alfret Uçi, i cili mbështetet në fjalët e Thimi Krejit, i cili shkruan: “Në mbledhje janë paraqitur disa alfabete: grek, latin dhe arab. Më në fund ranë dakord se secili të mendojë e të parashtrojë projektin e vet. Jani Vretoja në Mbledhje i prezanton të tre variantet e alfabetit vet”. Megjithatë, ndryshimet që u bënë në vitin 1879,gjegjesit ne mbledhjen e Stambollit janë pikërisht të Vretos, ngase u morën gati 20 shkronja nga ai (nga të tria variantet) dhe të atij të Stambollit.
Prof. Dr. Avzi Mustafa
Prof. Dr. Avzi Mustafa

Prandaj Kongresi i Manastirit në nëntor të vitit 1908 për një alfabet të përbashkët shqip nuk është punë rasti, por është një punë e vazhdueshme gjatë gjithë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Thimi Kreji ishte i pasionuar ndaj leximit, shkruante edhe vetë, por mbi të gjitha atë e karakterizonte oratoria dhe zgjedhja e fjalorit. Kryeneçësinë nuk e adhuronte, ishte tolerant, por vendimet i merrte vetë. Këtë Ai tërë jetën e vet, me energjinë dhe entuziazmin që kishte, punoi për të qenë një shëmbëlltyrë e vërtetë morale dhe fizike. Gëzohej shumë kur dikush botonte ose shkruante në periodikun e kohës. Daljen e librit të Thimi Mitkos “Bleta shqyptare” ai e priti me dashuri të veçantë, madje në letrën që i dërgon autorit të veprës menjëherë pas botimi ai do të shprehet kështu: “Shumë kënaqemi duke kënduar zakonet e vendeve tona, të cilat po thuaj se i kemi humbur”

Thimi Kreji, krahas veprimtarisë iluministe, na paraqitet edhe si një figurë që trajton personalitete historike dhe si një frymëzues me poezitë e tij, që janë parulla kushtrimi për çlirim, janë mësime moralizuese, shprehen kundër fanatizmit fetar, kundër gjakmarrjes etj.

Pas largimit të tij nga vendlindja, ai do të kthehet aty në vitin 1864 dhe do të bëjë një vizitë jo vetëm në Krushevë, por edhe Korçës, Kavallë, Manastirit e Janinës. Aty do ta shohë gjendje shumë të rënduar të popullit të molisur nga taksat, grabitjet, vëllavrasjet, ndasitë fetare, injoranca etj. Kjo gjendje do ta mundojë shumë gjatë dhe kurrë nuk do t’i hiqet nga mendja. Madje, ndoshta nga kjo arsye, ai do të fillojë të botojë vjersha me frymë atdhetare. Kështu në vitin 1888 do ta shkruajë vjershën me titull “Shqipëria”, ku do të lëshojë kushtrimin ashtu siç kishte bërë Vaso Pashë Shkodrani. 

“O zot im, Perëndi,
shtjer syt’e tu, shikomë ti!
Përse më le të shkretë sot, 
e mjera vdes dhe s’duroi dot.

O mëmëzë e dashurë,
ç’na je kështu se ç’pate ti?
Përse na je helmuarë?
Përse qan e na mban zi?”


Gjendja në të cilën gjendej Shqipëria, e lidhi Krejinme realitetin jetësor. Gjakmarrja dhe ndasitë fetare i shprehin shqetësimet dhe idealet e autorit. Vjersha me titull “Vret vëllai vëllanë”, po ashtu është një problem i madh që të huajt ua kishin mbjellë shqiptarëve, duke mbrojtur të fortit e kriminelët që gjenin mbështetje te pushteti i korruptuar. Ai habitet se si mundet një Shqipëri me një histori të trimërisë, tani e ndarë dhe e coptuar, tanimë nuk i ngjan aspak Shqipërisë së Skënderbeut. Shpëtimin e Shqipërisë Kreji e shihte vetëm në nëpërmes arsimit në gjuhën amtare, të bashkuar pa dallim feje e krahine dhe në besën e dhenë.

Krijimtaria e tij do të marrë frymëzime kryesisht edhe nga historia e lashtë e Shqiptarëve. Qëllimi i tij i madh është që, nëpërmjet frymëzimit nga heronjtë e Atdheut, të arrihet bashkimi i të gjithë shqiptarëve, ashtu siç ndodhi edhe në kohën e Skënderbeut. Prandaj, ai do t’i rreket përshtatjes nga gjuha greke në gjuhën shqipe të një historie të Skënderbeut me titull “Istoria e Gjergjit Kastriotit që u quaj Skënderbej, Princ i Shqipërisë” nga një autor i panjohur. Vepra është në dorëshkrim dhe gjendet në bibliotekën e Korçës.

Rreth shkrimit të kësaj historie ekziston edhe letra ndërmjet Thimi Mitkos dhe Krejit. Kreji më 17.05.1877 do t’i kërkojë Mitkos disa të dhëna lidhur me “sinoret” (kufijtë) e Shqipërisë. Në këtë Mitkoja i përgjigjet se ai posedon një kopje të një J. Pema në Zagazik të një “historie të Shqipërisë në gjuhën frënge… Ajo do t’u vlejë. Unë kam një kopje, por ajo është në gjuhën gjermane dhe nuk ju vlen”, por Mitkoja nuk e lë Krejin pa i dhënë disa shënime mbi kufijtë: “Mbë Veri Mali I Zi, Bosnja Serbija,M’anën e Diellit: Kaçaniku, Shkupi, Velesi, Përlepi, Manastiri (Dhiavati), Ohëri, Mali i Thatë, Gramozi, Konica, Zagori, Narta (Arta). Në jug është Deti Jonë, nga perendon Dielli, Adriatiku. Nahite Shqipënisë: Gegëria, Shkodra, Zadrima edhe Malësia, Miridita, Mati Daradania (Shkupi, Dibraçlart-poshtë edhe bregu i detit gjerë në Shkumbin e në Elbasan. Toskëria që nga Shkumbini (lum) gjer në lum të Viuosës, e përpjetë Korça e Kolonjë e Leskovik, Arbëria që në Viosë e gjer në Delvinë e Gjirokastër (Kaonët), Çamëria, nga Delvina gjer në Nartë (Thesprotia dhe në krahinën e Sulit edhe Mollosia e përpjetë gjer në Janinë. Ndarjen e Shqipërisë së Sipërme nuk e njoh…”. Kjo do të thotë se Historia e Skënderbeut nuk është thjesht një përkthim.

Thimi Kreji me vëmendje do t’i ndjekë të gjitha ngjarjet që ndodhin mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Atij i dhimbset shpirti vetëmohues luftarak i shqiptarëve. Ai kurrë nuk do të kënaqet me atë që i ndodhte Shqipërisë nga fuqitë e mëdha. Ai ushqente edhe më tej shpresë, edhe pse ishte në moshë të thyer, se përsëri shqiptarët duhet të organizohen si më pare për ta ndihmuar shtetin shqiptar dhe shqiptarët e Misirit. Në vitin 1930 Thoma Kreji përsëri në Kajro do ta themeloi një tjetër shoqatë me emrin “Tomorri” me qëllim që të botojë edhe një gazetë me këtë emër. Mirëpo, kjo mbetet vetëm iniciativë, sepse ai më vitin 1931 ndërroi jetë. 

Veprimtaria patriotike e Thimi Krejit, me punën e tij vetëmohuese, mbetet një shembull i përpjekjes së një shqiptari nga Krusheva për koloninë shqiptare të Misirit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Edhe pse figura e tij nuk është i ndriçuar thuajse aspak, roli i tij është i madh dhe radhitet ndër personalitetet që punoi shumë për zgjimin kulturor, arsimor dhe politik të shqiptarëve në mërgim, duke u radhitur ndër figurat më të merituara të Rilindjes Kombëtare.

Imigrimi i shqiptarëve në Zelandë të Re

Në Tokën e reve të bardha e të mëdha, siç e quajtën ardhësit /Maori/, kur erdhën, gjeten parajsën, vendin ku organizuan jetën e re në tokë të re dhe për ketë janë edhe sot shumë krenar.


Imigrimi i shqiptarëve në Zelandë të Re


Sabit Abdyli, Zelandë e Re

Kronika e migrimeve të shqiptarëve në shtetin e paqes, qetësisë e të rregullit janë pjesë e historisë së dhimbshme të zhvendosjeve me represion e dhunë nga tokat e tyre. Mërgata shqiptare në Zelandë është një ndër mërgatat më të reja shikuar në pikëpamje të kohës së mërgimit nga të gjitha bashkësitë tjera shqiptare nëpër botë. Aotearoa siç e quajnë Zelandën e Re vendësit, shqip: toka mbi të cilën qëndrojnë re të mëdha e të bardha, ndodhet në anën jugperëndimore të Oqeanit Paqësor, 8,000 km. larg bregdetit të Amerikës jugore, kurse në veri 2,000 km e ndajnë nga bregu i Australisë lindore. Me një sipërfaqe 269,000 km katror, e përafërt me Britaninë e Madhe, Zelanda përbëhet prej dy ishujve kryesor; verior dhe atij jugor. Toka e reve të mëdha e të bardha është tokë kodrinoro vullkanike e pasur me bimësi, e cila shtrihet në një gjatësi prej 1500 km. nga veriu në jug. Njerëzit e parë janë vendosur në këtë Ishull të largët pak para sh. X – të.

Në Tokën e reve të bardha e të mëdha, siç e quajtën ardhësit /Maori/, kur erdhën, gjeten parajsën, vendin ku organizuan jetën e re në tokë të re dhe për ketë janë edhe sot shumë krenar. Evropiani i parë që shkeli në Aotearoa ishte lundërtari holandez Abel Tasman, në vitin 1642, i cili qëndroi për pak kohë përgjatë bregut perëndimor dhe sipas regjionit të Zelandës në Holandë ishullin e posa vizituar e quajti “Zelanda e Re”. Pas 127 vjetëve pason vizita e kapitenit anglez James Cook me marinarët e tij, që erdhi nga Tahiti, 1769. Në vitin 1814 për herë të parë vijnë misionarë anglez për përhapjen e fesë krishtere. Më 6 shkurt 1840 pas nënshkrimit të traktatit mes vendasve /MAORI/ dhe përfaqësuesit të mbretëreshës Viktoria, në qytezën Waitangi, Britania e Madhe e shpalli koloni të vetën Zelandën e Re. Në vitet që pasuan ardhjet vazhduan me intensitet më të shtuar nga Britania e madhe, kurse më vonë edhe nga shtetet tjera të Evropës, Azisë .. Sot këtu bashkëjetojnë në harmoni të plotë shumë kultura, gjuhë e raca njerëzish, në mesin e tyre edhe shqiptarë që erdhën këtu pas aplikimit të sistemit sllavo komunist të vitit 1945 në tokat shqiptare, pra në fillim të dekadës së pestë të shekullit XX-të.. Kronika e migrimeve të shqiptarëve në shtetin e paqes, qetësisë e të rregullit janë pjesë e historisë së dhimbshme të zhvendosjeve me represion e dhunë nga tokat e tyre. Mërgata shqiptare në Zelandë është një ndër mërgatat më të reja shikuar në pikëpamje të kohës së mërgimit nga të gjitha bashkësitë tjera shqiptare nëpër botë.

Vapori "Goya" nga Stambolli mbërrin në Zelandë më 1 maj 1951

Për emigrimin e shqiptarëve të parë, në Zelandë të Re, rrëfen Petrit Aliu, njëri nga emigrantët e parë në Zelandë. " Nga Stambolli me vaporin "Goya" kemi mbërri në Zelandë më 1 maj 1951. Numri i saktë nuk me kujtohet, por ishim më tepër se 50 shqiptarë, që të gjithë meshkuj dhe tė rinj nga të gjitha trojet etnike tona. Po i përmend disa prej tyre:Fadil Katseli. Shaqir Seferi /i ndjerë/, Besim Kazazi /i ndjerë/ e Lulzim Pogoni nga Tirana, Shaban Kryeziu, Jorgji Harillamsi dhe Halit Bajrami /i ndjerë/ nga Durrësi, Bahri Kavaja nga Shkodra, Masar Krasniqi nga Prishtina, Zydi Zequllari e Islam Kulla /i ndjerë/ nga Korça, Bajram Murati nga Vlora, Musa Hajdari nga Muzeqina, Nevruz Mullaj nga Gjirokastra, Sabahudin Qefaliu e Qamil Hasani, nga Tetova, Ramazan Daja /i ndjerė/ nga Petrela, Kamber Rustemi /i ndjerë/, Vilson Shkambi, Xhelo Resuli, K. Myrteza, Ramadan Nazifi /i ndjerë/ nga Labëria dhe të tjerë. Mënyra se si morëm botën në sy ishte shumë e dhimbshme, thotë, z. Aliu. "Secili prej nesh ka historinë e vet rrëqethëse e të llahtarshme gjatë arratisjes nga vendlindja". Në vaporin “Goya” përveç shqiptarëve kishte edhe rumun, bullgarë e jugosllav. Së pari na vendosen në Pahitua, qytezë afër Wellingtonit. Pas 6 javëve na shpërndan gjithandej Zelandës nëpër ferma duke na pajisur me nga një kartë identifikimi dhe leje për punë. Shpejt e gjetëm veten dhe për pak kohë u adaptuam në rrethin e ri. Pas dy vjetësh kishim të drejtë për t’u vendosur e për të punuar aty ku donim vetë. Disa prej nesh u vendosem në qytetin e Aucklandit. Me punë krijuam kushte të mira për të jetuar. Besoj se edhe para nesh ka pasur shqiptarë në Zelandë të Re. Kur erdhëm takuam një femër shqiptare e ardhur nga Egjipti e cila fliste mire shqipen. Çka u bë me të më vonë nuk di. Por sidoqoftë, ne ishim emigrantët e parë politik shqiptarë, me numër kaq të madh, të vendosur në ketë Ishull të largët. Këtu ne formuam Lidhjen Qytetare të Shqiptareve në Zelandë të Re. Të gjitha forcat i përqendruam në ruajtjen e traditave, gjuhës... mbajtjen e lidhjeve, qëndrimeve në sensibilizimin e çështjes së pazgjidhur të Kosovës me Mërgatat simotra shqiptare në Australi, Amerikë e gjetiu. Tuboheshim gjatë vikendeve, festave dhe kurrë nuk harruam prej nga kishim ardhur, kurrë nuk i humbëm shpresat se një ditë do të thyen qafen diktatura e kuqe. Me rastin e festes se Flamurit takoheshim në shtëpinë e njërit prej nesh dhe festonim familjarisht, para flamurit kuq e zi këndonim himnin, dëgjonim muzikë shqipe evokonim të kaluarën... Sot edhe fëmijët tanë në ketë vend të bukur me demokraci të vërtet kanë krijuar familjet e tyre dhe jetojnë komfort standardit të shoqërisë zelandeze”. Sipas Petrit Alliut, i lindur në Tirane 1930, i arratisur në vitin 1948, se pari në Turqi e pastaj në Zelande të Re, personalitet i respektuar dhe emër i njohur i futbollit zelandez në vitet 1952-1956. Rreth viteve të 70-ta, 80-ta të shekullit të kaluar pati ardhje në mënyrë individuale, kurse pas vitit 1990 për shkak ndjekjeve, burgosjeve e vrasjeve të shqiptarëve në Kosovë, eksodit masiv në Shqipëri u rritë paksa numri i atyre që vinin në Zelandë. Vala e dytë, kjo e fundit, e imigrimeve masive u bë pas zhvendosjeve të egra të shqiptarëve nga Kosova, në pranverën e vitit 1999. Më, 22 maj 1999, erdhën refugjatët e parë shqiptarë, të cilët u morën në mënyrë të organizuar nga Qeveria zelandeze në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Në aeroportin e Aucklandit del i gjithë komuniteti shqiptar, i madh e i vogël, shumë zelandez e të tjerë, të prirë nga kryeministresha e atëhershme e Qeverisë së Zelandës Jenny Shipley me bashkëpunëtorë si dhe përfaqësues të opozitës për t’ju uruar mirëseardhje refugjatëve nga Kosova. Ardhjet vazhduan gjatë tërë vitit 1999. Duhet përmend se në mesin e refugjateve pati edhe personalitete të shquara të kulturës e shkencës shqiptare: Akademik Enver Gjerqeku, shkrimtari Rexhep Hoxha, Dr. Hysen Ukmata etj. Të ardhurit /me përjashtim të katër familjeve të ardhura në vitin 2000/ kishin lidhje farefisnore me shqiptarët zelandez. Pritjet qenë të ngrohta dhe emocionuese. Pas një jave qëndrimi në kampin Mangere mirëpriten në familjet shqiptare për të kaluar pastaj në shtëpia, banesa të tyre të marra me qira. Që të gjithë vendosën në qytetin e madh të Auckland-it. Falë sjelljeve me kulturë, punës me korrektësi, shqiptarët, këtu në Zelandë, respektohen si njerëz punëtorë e familjarë të mirë. Të ardhurit në vitin 1951 ishin kryesisht nga Shqipëria, kurse të ardhurit në vitin 1999 janë nga Kosova. Komuniteti shqiptar është i përqendruar në qytetin Aucklandit. Mundet që edhe në qytete tjera të ketë shqiptarë, por ne nuk i dimë. Në bisedë me mërgimtarët, që kanë përcjellë lëvizjet, ardhjet e shqiptarëve del se në Zelandë të Re duhet të jenë diku 600 deri 700 shqiptarë. Të ardhurit shqiptarë, fjalën e kam për imigrimet të vitit 1999, që të gjithë janë të përqendruar në qytetin e Aucklandit. Ndërkohë që po rritet numri i fëmijëve tanë, ruajtja e gjuhës dhe mësimi i saj po behet gjithnjë e më i vështirë, gjithnjë e me shumë po shfaqet rreziku i humbjes se identitetit kulturor e kombëtar. Është për të ardhur keq se bashkësia shqiptare edhe ato pak aktivitete, veprimtari që i pati dikur, si: fletushkën informative “Fjala jonë", ekipin e futbollit “Kosova”, klubin “Dardania” tashmë janë shuar. Në vitin 2005, autori i këtij shkrimi për hir të fëmijëve tanë, gjuhës shqipe, profesionit /mësuesisë/ që e ka ushtruar 33 vjet në Kosovë, në mbledhjen e Kryesisë së Komunitetit Shqiptar propozoi të bëhen përgatitjet për hapjen e një klase për mësimin e gjuhës shqipe dhe përmes saj edhe kulturës, historisë dhe origjinën e tyre duke premtuar se mësimin do ta mbaj falas, propozimi u mirëprit, u aprovua njëzëri nga kryesia por, për çudi, kjo nismë nuk u realizua me arsyetimin banal të disa prej prindërve: “... se po i ngarkojmë tepër fëmijët, nuk po u lemë mjaft kohë për argëtim...”

Dokumente me vlerë të madhe kombëtare

Dokumente me vlerë të madhe kombëtare

Dhjetëra letra të rilindësve tanë që kanë komunikuar në fushë intelektuale, publicistike dhe atdhetare në gjuhën shqipe, 20 vjet përpara se të unifikohet gjuha shqipe në Kongresin e Manastirit, janë pjesë e arkivit personal të Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Bukureshtit. Një pjesë të tyre i dorëzuan për “Muzeun e Lirisë” në Shkup.

Driton Dikena

“Skolia këtu shkon mirë. Brenda një muaji do tju dërgoi raportin”, kështu në gjuhën shqipe në vitin 1893 Sevasti Qiriazi i drejtohet Nikolla Naços, kryetarit të Kolonisë shqiptare në Bukuresht duke i kërkuar ndihmë që të punohet edhe më shumë për hapjen e shkollave shqipe në Vilajetin e Manastirit.
Kjo letër dhe dhjetëra të tjera të rilindësve tanë që kanë komunikuar në fushë intelektuale, publicistike dhe atdhetare në gjuhën shqipe, 20 vjet përpara se të unifikohet gjuha shqipe në Kongresin e Manastirit, janë pjesë e arkivit personal të Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Bukureshtit dhe përfaqësojnë mbase më qartë mendimet dhe pozicionet e rilindësve shqiptarë në trazirën e pafund intelektuale të kësaj periudhe.
Personazhe të njohur të kësaj periudhe të lavdishme të popullit shqiptarë si Nikolla Naço, motrat Qiriazi, Kristo Prifti Luarasi dhe të tjerë po ushtronin influencën e tyre tek Fuqitë e mëdha dhe po fitonin terren për të hapur shkollat e para shqipe nën perandorinë osmane dhe njëkohësisht bindnin ato se populli shqiptarë në Ballkan ka të drejtën që të ketë një shtet të tyre etnik dhe të pavarur.
Letërkëmbimet e tyre vijojnë edhe më tej. Ka dhjetëra letra që ruhen në fondet personale të Bashkësisë Shqiptare të Bukureshtit, letërkëmbime që nuk kanë parë dritën e botimit edhe sot e kësaj dite. Në shkatërrimin e sipër këto letra , që paraqesin një pjesë të rëndësishme të historisë së shqiptarëve kryetari i Bashkësisë Shqiptare Baki Ymeri thotë se është koha që dikush të kujdeset për këto letra sepse koha shumë shpejt edhe mund ti shkatërrojë.
Shqiptarët e Rumanisë pasurojnë “Muzeun e Lirisë”
Frikë nga kohezioni i kohës

Të ruajtur me një xhelozi të rrallë, Ymeri nxjerr nga arkivi gjashtë letra dhe i jep në emër të komunitetit shqiptarë të Rumanisë për “Muzeun e Lirisë” në Shkup.
“Janë letra të shkruara në gjuhën shqipe në kohën kur bëhej luftë intelektuale mes rilindësve tanë se cili alfabet do të përdoret për të shkruajtur gjuhën shqipe. Letrat deri më sot kanë mundur ti ikin kohezionit të kohës mirëpo shumë shpejt mund të shkatërrohet nëse shteti shqiptarë nuk tregon kujdes për ti konservuar të njëjtat. Deri më sot askush nuk ka treguar interesin dhe është për të të ardhur keq”, thekson Ymeri i cili shprehet i fascinuar nga iniciativa e ngritjes së muzeut të shqiptarëve në Shkup.
“Para shumë vitesh ne në Bukuresht kemi kërkuar që të ndërtohet një muze i atij lloji në Maqedoni. Atëherë kompetentet u treguan të shurdhur. Me vjen mirë që më në fund është bërë diçka në këtë aspekt”, thekson Ymeri duke shfaqur shpresën se ky muze në të ardhmen do të tregoj kujdes edhe për pjesën tjetër të arkivit në Bukuresht për ta konservuar dhe ekspozuar në brendinë e tij.
Ymeri tregon se ka një dokumente të vjetra të aktivitetit të shqiptarëve të Bukureshtit ku mund të mbushet një muze i tillë por shprehet shumë modest. “Do të mjaftonte sikur edhe një pjesë e vogël të shpëtohej. Do të jetë tradhti kombëtare nëse nuk bëjmë diçka për të shpëtuar këtë arkiv”, potencon Ymeri duke shprehur keqardhje për neglizhencën e shtetit shqiptarë, partive politike shqiptare dhe ambasadorit aktual shqiptar në Rumani Dashnor Dervishi i cili ende nuk e ka parë të arsyeshme të vizitoj Bashkësinë kulturore –shqiptare në Bukuresht.
Për “Muzeun e Lirisë”, dokumente të vjetra dha edhe dr.prof. Xhelko Makusti, një aktivist i madh i çështjes shqiptare në Bukuresht.

Libri i rrallë dhuratë për Muzeun

Maksuti, një profesor universitar në pension shprehet se komuniteti shqiptar në Bukuresht është në shpërbërjen e sipër për shkak të mashtrimit të një deputeteje rumune e cila genjën se është shqiptare dhe përfaqëson shqiptaret vetëm e vetëm për të marrë buxhetin prej 340 mije euro që ndan Rumania për pakicën shqiptare atje.
Si historian që ka dëshmuar veten në këtë aspekt Maksuti menjëherë mbështeti iniciativën e ndërtimit të “Muzeut të Lirisë”.
“Është një punë me vend. Është mire që ndërtoni një muze ku do të dëshmohet aktiviteti i shqiptarëve në kufijtë administrativ të Maqedonisë. Shumë shqiptarë nga Maqedonia kanë dhënë kontribut të madh për çështjen shqiptare në Bukuresht”, thekson Maksuti duke përmendur Sefedin Novosellanë, e bijën e tij Flora Naum e cila ishte edhe kryetare e Bashkësisë kulturore shqiptare , Ibrahim Themo, Rexhep Selimi, Nik Pema, Daut Ismaili që të gjithë nga Maqedonia.
Këto shqiptarë kanë harxhuar edhe fondet e tyre për të ndihmuar çështjen shqiptare”, sqaron Maksuti duke vazhduar se për shkak të tyre sot kemi një libër të rralë për historinë e shqiptarëve nga dijetari i madh rumin Nikollas Jorgo të cilën libër e jep si dhuratë për “Muzeun e Lirisë”.
“Libri është shumë i rrallë dhe është botuar në vitin 1919 në prag të Konferencës së Versajës në Paris. Atëherë atdhetarët shqiptarë nga Maqedonia me në krye Ibrahim Themo dhe Sefendin Novosella shkojnë tek Jorgo dhe e lusin që të shkruaj një letër në emër të shqiptarëve dhe tua dërgoj Fuqive të mëdha . Ai në vend të letrës pas dy javësh i jep dorëshkrimin ‘Historia e shkurtër e Shqipërisë dhe popullit shqiptar’, të cilin dorëshkrim shqiptarët e Bukureshtit e botojnë si libër dhe ia dorëzojnë konferencës së Versajës ku edhe vendosej për popullin shqiptar”, thotë Maksuti i cili vazhdon se në libër për herë të parë dijetari i madh rumun Jorgo vërteton tezen e lidhshmërisë iliro-arbërore-shqiptare dhe jep të dhënat zyrtare me shifra për përqindjen e shqiptarëve në pesë vilajetet shqiptare dhe tre sanxheket.
“Atëherë 80 për qind e këtyre trojeve ishin të banuar me shqiptar ortodoks, katolik dhe muhamedan ndërsa Jorgo në librin e tij arsyeton nevojën e një shteti etnik shqiptar në Ballkan”, shton Makusti.
Që të dy si Ymeri ashtu edhe Makusti shpresojnë se këto dokumente do dorëzuan dhe disa të tjera do të gjënë vend në “Muzeun e Lirisë”. Dhe ashtu ndodhi. Të martën dokumentet e vjetra së bashku me librin dhe letrat e këmbimit të rilindësve tanë u dorëzuan në Komisionin për ngritjen e “Muzet të Lirisë”

Llazar Siljani- Rekanasi atdhetar dhe intelektual i harruar




Avzi MUSTAFA


Ne mes të maleve të larta të Velivarit, Korabit dhe Kërçinit, në dy anët e lumit Radika, gjendet bukuria natyrore, ashtu siç mund ta falë vetëm Zoti, që quhet Reka e Epërme. Bukuritë e saj janë ma të mahnitshmet në të gjitha stinët e vitit. 

Dimri është me borë të ashpër që qëndron deri në pranverën e vonshme, kurse vera dhe vjeshta këtë vend e pikturojnë si një artist i vërtetë me ngjyrat e ylberit. 

Ajri i pastër dhe pllajat malore, që i dhurojnë “Erën e Bardhë” siç quhet nga vendasit, e bëjnë Rekën e Epërme një banjë natyrore që ndikon edhe në rritjen e banorëve me trup të lart e të shëndoshë me karakteristika somatike që dallojnë nga të tjerët. 

Kjo krahinë, me ujin e pastër dhe kullosat e shumta, mundëson që ky vend të merret vetëm me blegtori. Për të gjithë banorët e kësaj treve rruga dhe fushëpamja e tyre është rrjedha e lumenjve dhe përroskave që derdhen në lumin Radika dhe janë të vetmet rrugë që çojnë në dalje për në qytet. 

Aty ku lumi Radika e pranon lumin e Bogdit, në anën e djathtë të bregut të lumit, Gjollet e Krekarnicës që buron nga themelet e Kishës së Edingosit dhe në lindje të fshatit Vau, gjendet fshati Krakornica.


Llazar Siljani- Rekanasi atdhetar dhe intelektual i harruar

Krakonirca është e rrethuar me malet ose, siç e quajnë banorët “bgjeshka”, atë të Reçit dhe atë të Strazimirit, ndërsa në lindje të këtyre maleve, përveç Krakornicës, gjendeshin edhe dy fshatra të tjera të kësaj zone, si: Vaiu (Brodecë) dhe Bogdi. Të rrethuara me male, këto fshatra të vetmen dalje në një botë tjetër e kishin atë përmes rrjedhës së lumit Gjolleve të Krakornicës si dhe të lumit të Bogdit. 

Këta dy lumenj diku afër Niçpurit bashkohen dhe derdhen në Radikë. Vetëm kjo është dalja, që për banorët e këtyre viseve përshkohej me një udhë dhiare që të çonte në Dibër dhe atë vetëm me kafshë samari. Prandaj, këto tre fshatra nuk kishin mundësi tjetër, përveç Dibrës, për të siguruar nevojat e jetesës.

Një vit pra se të lind Llazar Siljani, i ati Ilija, posedonte një shtëpi në Dibër, sepse merrej me tregti dhe në atë shtëpi kishte ndërtuar një fllanik (katua), ku ruante dhe shiste bulmetin. Meqë pritej lindja e djalit, e ëma qëndroi në Dibër. Para se lindte pasardhësi i tyre, ndodhi edhe një dimër i madh që bëri të pamundur që nëna të kthehej në fshatin Krakornicë. 

Në kollozhek të vitit 1878 lindi një djalë, ndërsa pas tri ditëve nga shtëpia e Ilijës në Krakornicë u dëgjua një pushkë, që lajmëroi se në familjen e Siljanëve ka lindur një djalë, të cilin e pagëzuan Llazar. 

Llazari që në fëmijëri dëshmonte se posedon një inteligjencë, por edhe me trup po rritej shpejt dhe fuqishëm. Pasi u mëkëmb, Llazari në stinën e verës shkonte në Krakornicë dhe rritej bashkë me cingërimat e deleve, duke ecur bashkë me to nëpër rudina, luante me këlyshët e qeneve të racës ilire dhe mblidhte, siç i thonë banorët e kësaj ane, aushka (repa).

Në kohën e vjeshtës së vonshme dhe të dimrit qëndronte në Dibër. Ai kishte dëshirë të qëndrojë pranë të atit. Aty ulej mbi shegat (tinarët) e bulmetit. Kur ai mungonte, mungesa e tij ndihej dhe njerëzit kur vinin në shtëpinë e Siljaneve në Dibër pyesnin për djalin, ndërsa babai u thoshte se është në Rekë. 

Familja krenohej, që kishte dëshirë të shkojë të rrijë gjatë deri në vjeshtën e vonshme në Krakornicë. Të afërtit e quanin rekanas, që më vonë ky djalosh ta përvetëson këtë nofkë dhe ashtu njihet në qarqet intelektuale e patriotike – Llazar Siljani – Rekanasi.

Në shtëpinë e Siljanit vinin e shkonin njerëz , dikush blinte, dikush vetëm pyeste e dikush ndalej e bisedonte për vuajtjet e shqiptarëve .Në dyqanin e babait, Llazari ndonjëherë shiste e ndonjëherë dëgjonte, madje ndonjëherë pyeste edhe për gjera që babanë e tij e fusnin në mendime për t’i dhëne përgjigje. Në këtë kohë Siljani kishte filluar të kuptojë nga pak dhe te ai të ngjallen ndenja patriotike. 

Në atë kohë me të madhe në Dibër flitej për ardhjen e Abdyl Frashërit dhe për atentatin mbi të. Kishte mendime të tilla se, pas largimit të Abdylit nga Dibra, për disa javë ai kishte kaluar në zonat e thella malore pikërisht në Rekën e Eperme, për të pasur kontakte të fshehura me patriotët e Prizrenit e të Gjakovës. 

Kjo krahinë, megjithëse e bukur e vend blegtoral, ishte edhe vend ku bëhej shumë acar e binte borë që nuk shkrihet gjatë. Prandaj aty vështirë sigurohej buka e gojës. 

Andaj banorët e këtyre fshatrave malore migronin në viset më të mira brenda Rekës, por edhe nëpër qytetet e afërta, si në Dibër, Gostivar, Kërçove e gjetiu, madje më vonë edhe në vendet e largëta, ku mund të gjendej punë, si në: Stamboll, Bukuresht, Sofje, Pllovdiv, Stamboll, Misir e gjetiu.

Llazar Siljani vetë, por sidomos babai i tij, kishin dëshirë që ai të mësojë shkollë. Në atë kohë në qytetin e Dibrës funksiononte një shkollë bullgare me katër klasë dhe me dy mësues. Numri i nxënësve, sipas të dhënave, arrite 90 nxënës. 

Edhe Llazari i mori mësimet e para në këtë shkollë. Pasi ndoqi katër klasë në këtë shkollë, ai e kishte shumë vështirë për të vazhduar me tej shkollimin në Dibër. Si shumë të tjerë, edhe Lazari në moshën 15-vjeçare, pas dy viteve pauzë, u nis që të mësojë në ndonjë shkollë të mesme në Bullgari. 

Meqenëse e kishte mësuar gjuhen bullare në shkollë, kurse në shtëpi fliste gjuhën amtare shqipe, interferenca gjuhësore e tij u binte në sy mësuesve bullgar në Sofje dhe atij i sugjeruan se me këtë të folme mund të regjistrohej në ndonjë shkollë në Pllovdiv. Kështu veproi dhe u regjistrua në një gjimnaz real në Pllovdiv. 

Pikërisht në vitin kur kishte lindur Llazar Siljani, Bullgaria kishte fituar autonominë dhe shumë shqiptarë kishin marrë rrugën që të gjejnë punë nëpër shumë qytete të Bullgarisë. Në Sofje shumë patriotë shqiptarë të Rilindjes kombëtare zhvillonin aty aktivitet politik dhe kulturor. 

Në Sofje u themeluan shoqëritë e para patriotike, filluan të dalin edhe gazetat e para në gjuhën shqipe dhe filluan të përkthehen libra ne gjuhë te ndryshme për të afirmuar kulturën dhe historinë e shqiptarëve. 

Në kohën kur Llazari ndodhej në Bullgari, një pjesë e intelektualëve shqiptarë, që kishin mbaruar shkollën e mësuesisë të Nikolla Naços, kishin ardhur në Bullgari, siç ishin: Krist Luarasi, Kostë Trebicka me të vëllanë, Dhimtar Nikolla Mole, Mil Sotir Gurra e shumë të tjerë. 

Njeriu që ishte më i merituari dhe që i tubonte të gjithë shqiptarët dhe përhapte ndjenjat e shqiptarizmit, ishte Dhimitar Mole. Ai mbante një han në rrugën “Serdika” të Sofjes, si dhe kafenenë me emrin “Albania”, ku shumë shqiptarë i brumosi dhe i vetëdijesoi jo vetëm me ndenja patriotike, por edhe i angazhoi për veprime konkrete në dobi të kombit shqiptar. 

Kafeneja“Albanija” u bë një fole patriotësh, ku ata mblidheshin dhe bisedonin për çështjen e kombit. Masa që frekuentonte ishin analfabetë e gjysmanalfabetë – punëtorë krahu që punonin çdo lloj punësh. Aty mërgimtarët gjenin ngushëllim në fotografinë e Skënderbeut, që e kishin vendosur në ballë të kafenesë. Portreti i Skënderbeut ishte ikona e frymëzimit patriotik.

Me te fillonin dhe mbaronin bisedat. Kafeneja dhe hani ishte mbushur plot me libra ne gjuhën shqipe. Nga patriotët u ndërmor aksion që të hapen kurset për shkrim lexim-shqip, ku një numër shumë i madh filluan të shkruajnë e të lexojnë, mes tyre ndër të parët ishte Josif Bageri nga Nistrova e Rekës së Epërme.

Llazari, si i ri, përmallohej për Dibrën, Krakornicën, por prehje shpirtërore gjente kur takohej me bashkëvendësit. Mirëpo, në të njëjtën kohë ai filloi të vë kontakte edhe me shumë intelektualë e patriotë të kohës. Miqësi te madhe lidhi me Nikollë Ivanajn, Adham Shkabën, Dhimtar Mole, Said Najdenin, Josif Bagerin, Kristo Luarasin, por edhe me disa intelektualë bullgarë. Sipas disa shënimeve, thuhet se Llazër Siljani ishte një udhëtar i përhershëm i trenit që lëvizte në drejtim Pllovdiv-Sofje-Sofje-Pllovdiv. 
Avzi MUSTAFA
Avzi MUSTAFA
































Në vitin 1900 patrioti shqiptar Kristo Luarasi do të sigurojë një shtypshkronjë për botime të librave në gjuhën shqipe. Përmes gazetës “Kalendari kombiar”, ai do të njoftojë shqiptarët se në vitin 1899 është botuar në Sofje Abetarja e Stambollit, por, përveç dokumentacionit, ekzemplarë të saj nuk janë gjetur. 

Në vitin 1902 do të dalë botimi i dytë i “Abetares Toskrisht” të Sami Frashërit, që ishte botuar nga shtypshkronja “Mbrothësija”, që e posedonte Luarasi.

Meqenëse në Bullgari kishte shumë punëtorë nga krahinat e ndryshme të Shqipërisë dhe dialekti toskë u paraqiste ca vështirësi, patriotët shqiptarë ndërmorën iniciativë që Abetaraja e Sami Frashërit të botohet edhe në dialektin gegë. Për këtë punë e angazhuan Said Najdeni nga Dibra. Patrioti Said Najdeni ishte një ndër ata që kërkonte dhe punonte për hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe. Ai shumë shpejt e kreu atë dhe në vitin 1900 u botua Abetarja e adaptuar në dialektin gegë.

Ndërkaq Llazar Siljani ndërmori iniciativë që si shqiptar dhe bashkëqytetar të angazhohet që ta botojë veprën në dorëshkrim të Said Najdenit “Ferrefenjën myslimane” në të folmen e Dibrës. Vepra është shkruar me alfabetin e Stambollit. Për daljen në dritë të këtij botimi, Llazar Siljani u angazhua të sigurojë edhe para për botim nëpërmjet të donatorëve. Ai vetë dhuroi një shumë të parave. Kështu në vitin 1900 “Ferrëfenja myslimane” e Said Najdenit (Hohë Vokës) u botua në Sofje.

Në vitin 1875 për herë të parë në gjuhën turke u botua drama “BESA” e Sami Frashërit, ndërsa ë vitin 1902 ajo u përkthye në gjuhën frëngjishte nga Abdyl Ypi Kolonja. Kur u lexua vepra e Samiut dhe kur dilnin në pah virtytet e larta shqiptare si komb më vete, zemra i tha Llazarit që kjo vepër gjithsesi duhet që të përkthehet edhe në gjuhën bullgare. Prandaj iu përvesh punës, konsultoi shumë fjalorë, dhe në vitin 1902 vepra e Samiut “Besa” u përkthye në bullgarisht nga Llazar Siljani dhe u botua në shtypshkronjën e bullgarit D. V. Mançov në Pllovdiv.

Meqë ishte e pamundur që shqiptarët të punojnë individualisht, u paraqit nevoja që të gjithë shqiptarët e Sofjes të organizohen në një shoqatë, që u emërtua më pas “Dëshira”. Për formimin e shoqatës u angazhuan: Mole, Adham Shkaba, Josif Bageri, Spiro Garo, Llazër Siljani dhe Ligor Prifti. 

Në fillim në të u anëtarësuan vetëm 30 vetë, por ky numër dita-ditës shtohej. Qëllimi parësor i shoqërisë ishte të përhapë dituri dhe mësim të gjuhës shqipe, pra ajo kishte karakter kulturor e arsimor. Programi realizohej mbi parimet demokratike dhe dallohej nga shoqëritë tjera, sepse në të mund të anëtarësoheshin vetëm ata që e “flasin gjuhën shqipe” e jo të huaj (neni nr. 4 i statutit)
Anëtarët e shoqërisë “Dëshira” dita ditës po shtoheshin, ndërsa patriotët shqiptarë ndërmerrnin iniciativa të ndryshme. 

Mbi të gjitha ishte ruajtja e gjuhës shqipe, bashkimi i shqiptarëve, hapja e shkollave shqipe dhe afirmimi i kombit shqiptar në sy të botës, prezantimi i kulturës shqiptare nëpërmjet përkthimeve etj.
Meqenëse shqiptarët sipas ndasive fetare i identifikonin si grekë, bullgarë, turq e serb, ajo që i bashkonte të gjithë shqiptarët ishte gjuha shqipe, që me një fanatizëm të paparë i ruante shenjat dalluese të kombit. Ata e quanin gjuhen shqipe “tapia e vendit”.

Mospranimin e shqiptarëve si komb e shqetësonte shumë Lazar Siljanin. Prandaj në vitin 1907 ai botoi librin: “BESA / A / FEA / E / SHQIPËTARËVET TË VJETËR”. 

Libri ka 78 faqe dhe prej faqes 3-7 ka një parathënie, ku i shpalos të gjitha mendimet si dhe rëndësinë historike të besës shqiptare si një prej virtyteve më të shenjta të popullit tonë, por gjithashtu edhe fenë e sheh si një ndër tiparet e rëndësishëm në shërbim të ruajtjes së kombit. 

Prandaj Llazari do të shkruaj kështuë: “Besa, feja e kombit janë si fletët e drurit të cilat pot të ndryshojnë nga koha, bien dhe në pranverë dalin të tjera. Gjaku (shpirti) i kombit është si palca e drunit, të cilën po e nxorre, nuk mbetet as fletë, as pemë dhe druni thahet për jetë”.

Llazar Siljani bashkë me Josif Bagerin, që të dy nga Reka e Epërme dhe dy nga pesë anëtarët për ngritjen e iniciativës për ndërtimin e një kishe ortodokëse në Sofje. Më vonë kësaj inciative iu bashkangjitën72 anëtarë të tjerë. Kështu më 25 shkurt 1910 ata iu drejtuan me kërkesë organeve gjegjëse kishtare për themelimin e kishe ortodokse shqiptare në Sofje. 

Themelimi i kishës kishte për qellim jo përçarjen, por të zgjonte ndërgjegjen kombëtare bashkatdhetarëve, si dhe mbajtjen gjallë të frymën e patriotizmit dhe të urrejtjes ndaj pushtuesit, si dhe qarqeve shoviniste të shteteve fqinje. Por, Sinodi i Kishës Bullgare e refuzoi kërkesën, sepse në kërkesën e shqiptarëve ortodoksë potencohej qartë se mesha duhet të jetë shqip e prifti duhet të jetë shqiptar. 

Llazari ia kishte venë vetes për detyrë që të punojë për popullin shqiptar pa humbur asnjëherë shpresën se një ditë shqiptarët do të mëvetësohen. Shqiptarët janë popull i vjetër .Ky popull ka gjuhën, historinë e bujshme luftarake. Duke iu referuar kryengritjeve ndryshme që kishte bërë populli shqiptar, si dhe prirjes së madhe të popullit shqiptar për liri, sidomos nga ana organizative e politike, ai dita-ditës gjente shprehjen e vet në formimin dhe rritjen e ndërgjegjes kombëtare. Si problem më i madh që e brengoste Llazarin ishte identifikimi i kombit me fenë, jo vetëm nga sunduesit osmanë, por edhe nga qarqet shoviniste greke e sllave, por edhe nga disa autorë të huaj, që i mohonin shqiptarët si komb.

Llazar Siljani iu kundërvu tezave të huaja dhe përpjekjeve të pushtuesve të huaj për të përçarë shqiptarët sipas feve, duke ngritur besimin fetar në parim kombësie. Nëpërmjet një libri të veçantë me titull “Cilët janë shqiptarët e sotëm dhe gjuha e tyre?”, ku shtroi çështjen e trajtimit të posaçëm të shqiptarëve si komb më vete me gjuhë e tradita, duke e mbështetur tezën e Hasan Tahsinit se “Ne jemi një komb i veçantë, kemi gjuhën tone të veçantë, andaj duhet të jetojmë më vete si dhe të tjerët”.

Llazar Siljani ishte në rrjedhat e kohës. Ai si një intelektual inkuadrohej edhe në problemet që nxitnin debate të ndryshme. Një kohë të gjatë në qarqet bullgare po diskutohej me të madhe se cilin shkrim do të marrin për bazë: atë të lindjes apo të perëndimit. 

Intelektualet dhe shkencëtarët i kishin ndarë mendimet dhe në të njëjtën kohë ishin formuar dy shkolla: që njëra ishte shkolla e Sofjes që përkrahte shkrimit dhe dialektit e lindjes dhe e dyta ishte shkolla e Pllovdivit. Sipas studimeve të Olivera Jashar-Nastevës, një shkencëtare e madhe e studimeve gjuhësore, shkolla gjuhësore e Pllovdivit karakterizohej si më e mirë në zbatimit praktik gjuhësor e drejtshkrimor që përvetësohej nga përkthyesit dhe nga gjuhët e tjera sllave të Ballkanit. 

Meqenëse Llazari kishte mësuar në shkollë gjuhën bullgare dhe në Dibër të folmen maqedonase, ndërsa duke u mbështetur në fushën e leksikut si sistem i hapur dhe në sistemin gramatikor të gjuhës shqipe dhe të bullgarishtes, ai kishte vërejtur shumë afërsi ndërmjet këtyre gjuhëve. Prandaj ai ndërmori një provë që të bëjë një studim në një libër me titull “Afrimi i bullgarishtes së sotme me gjuhën shqipe”. Libri ka 66 faqe dhe shoqërohet me një pasthënie nga autori.

Si të gjithë patriotët shqiptarë të krahinave të ndryshme shqiptare, edhe intelektualet e krahinës së Rekës së Epërme u vunë plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare, qoftë me pushkë ose me penë. Edhe Reka e Epërme, nëpërmjet të përfaqësuesve të saj, dha kontributin e çmueshëm për çlirim e pavarësi, për kulture, për gjuhë, kishë e shkollë në gjuhën amtare. Në këtë kontekst pa dyshim edhe Llazar Siljani, përmes punës dhe veprave të tij, ia dha vulën kohës së vet, ambientit të vet dhe popullit të vet, të cilat i sigurojnë atij, krahas Josif Bagerit, një vend të denjë si iluminist i shquar nga treva e Rekës së Epërme.

Debate për albanologjinë, Schmitt: Metodologji e vjetër


Edhe pse bashkohet me Schmitt mbi problemetikën e metodave, historiania Valentina Duka, mbron idenë se studiuesit shqiptar nuk janë më të izoluar.




Debate për albanologjinë, Schmitt: Metodologji e vjetër





Shkenca e albanologjisë vuan ende mungesën e dialogut midis albanologëve shqiptar dhe atyre të huaj. Katër studiues të njohur kanë diskutuar në një auditor me studentë dhe profesorë shqiptarë gjendjen dhe prespektivën e studimeve në albanologji duke u bazuar në librin që ata kanë botuar "Historia e Shqiptarëve".

Njëri nga katër aurorët, historiani Oliver Schmitt thekson se studimet albanologjike janë ende në ndikimin e izolimit të mëparshëm dhe metodave të vjetëruara të kërkimit.

"Për fat të keq shkencat e albanologjike kanë jetuar një ndarje midis shkencatarëve shqiptarë dhe joshqiptarë. Institucionet shtetërore u krijuan pas luftës së dytë botërore dhe pas rënies së komunizmit Shqipëria jeton në një fazë shumë të vështirë. Albanologët joshqiptarë ne Evropën Qëndrore, Perëndimore dhe në SHBA janë përfaqësuesit e një disipline shumë të vogël", deklaroi historian Schmitt.

Edhe pse bashkohet me Schmitt mbi problemetikën e metodave, historiania Valentina Duka, mbron idenë se studiuesit shqiptar nuk janë më të izoluar.

"Pas 90' mendoj se situatë në histografinë shqiptare nuk është aq e zesë sa përshkruhet në libër. Histografia shqiptare vazhdon të ketë segmente ku trajtohen ngjarjet bardh e zi, vazhdon të ketë produkt me doza folklorike, vazhdon të ketë produkt të politizuar. Jo se politika na ndërhyn ne por sepse ne duam ta shkruajmë ashtu. Sigurisht që janë hedhur hapa shumë të mëdha pas 90'. Debatet që ata i ngrejnë sot, ne i kemi të përditshme në auditorin tonë", deklaroi historiania, Valentina Duka.

Libri "Historia e Shqiptarëve? me autor temash Nathalie Clayer, Stephanie Sievers, Oliver Schmitt dhe Joachim Matzinger prek fusha të ndryshme studimi si prejardhja e shqipes apo karakteristikat fetare.

Mjeshtri dhe propagandisti


Hasan Jella ishte përtac, apatik, i pasjellshëm, tekanjoz, megaloman dhe injorant, megjithëse kishte qenë një vit mësues dhe punonte në librarinë më të njohur në Tiranë.



Mjeshtri dhe propagandisti



Heronjtë e rremë, propaganda dhe kryevepra non-fiction e Mid’hat Frashërit

Çelo Hoxha

Hasan Jella ishte fatkeq: pa nënë, pa baba, pa vëlla, pa motër – pa njeri. Në Tiranë familja Jella ishte me emër, por, për anëtarët e saj, ai nuk ekzistonte.

Vetëm më përfaqësuesi i tyre e dinte që jetonte një person i quajtur Hasan Jella. Ai konfirmoi ekzistencën e shegertit të librarisë Lumo Skëndo në një rast që foli me përçmim për të. “Nga familja Jella s’del fidan biçimsëz i tillë,” tha ai.

Hasan Jella ishte përtac, apatik, i pasjellshëm, tekanjoz, megaloman dhe injorant, megjithëse kishte qenë një vit mësues dhe punonte në librarinë më të njohur në Tiranë. E vetmja cilësi e mirë që mund t’i përmendet është patriotizmi i tij i zjarrtë, por i modelit të një shekulli që në vitet 30-të të shekullit të 20-të kishte tre dekada që kishte mbaruar.

Por jo gjithçka është e zezë për ditëziun. Një ditë ai takon një punëdhënës që ngjante më shumë me një baba teqeje se me një tregtar. Ai quhej Mid’hat Frashëri.

Marrëdhënia e tyre ishte e çuditshme. Shegerti kishte prirjen të bënte gjithçka të kundërt me porositë e pronarit të tij, e megjithatë, pronari nuk hoqi dorë prej tij, as pas vdekjes. Në 1933, Mid’hat Frashëri i kushtoi tregimin “Kujtimet e një librari”. Ky tregim, një portret i Hasan Jellës, është, të paktën për mua, tregimi non-fiction më i mirë i gjuhës shqipe.

Përveçse la në dëshmi për jetën e një njeriu dhe marrëdhënien e tij me të, me këtë tregim Mid’hat Frashëri u mëson shkrimtarëve si të shkruajnë për njeriun e zakonshëm, ndonjëherë dhe jo fort tërheqës: me sinqeritet, realizëm dhe dashuri.

Me portretin për Adem Rekën (një njeri i zakonshëm), tre dekada më vonë, Dritëro Agolli nuk respektoi asnjë nga këto parime. Personazhi i tij është hero që në fjalinë e parë, pa bërë asgjë, e pa patur kohë – në tregim – të bëjë diçka. Më poshtë lexuesit i thuhet se ai është simbol i burrërisë, vetëmohimit dhe dashurisë për popullin, por nuk i tregohet asnjë dëshmi.

Nuk jepet asnjë detaj që ilustron heroizmin, burrërinë, vetëmohimin ose dashurinë e njeriut që e kanë shpallur hero me dekret shtetëror dhe madje i kanë ngritur një përmendore.
Penës së Mid’hat Frashërit i mungon megalomania.

Ai thotë që Hasan Jella ishte dembel dhe tregon që ai rrinte më shumë jashtë librarisë sesa brenda saj, aty ku ishte puna. Ai thotë që Hasan Jella ishte apatik dhe këtë e ilustron: ai nuk tregohej i kujdesshëm t’i pyeste klientët dhe për gjëra të nevojshme, si një herë që nuk ia mori emrin një zonje, e cila kishte shkuar në dyqan për të takuar pronarin dhe nuk e kishte gjetur.

Ai thotë që shegerti ishte i pasjellshëm dhe këtë e ilustron me mënyrën si iu drejtohej (kundër këshillës së pronarit) klientëve të vegjël dhe të zhurmshëm që hynin në librari: “Ç’do mor, surrat bostan?” Ai thotë se Hasan Jella ishte tip kundërshtues dhe jep edhe argumentin. Një herë ai e këshilloi shërbëtorin e tij që një herë në vit të bënte pastrim të përgjithshëm të librarisë nga pluhurat, kurse ai ktheu: “Unë e bëj çdo ditë, por t’i nuk ngopesh me punë.”

Shkrimtari bën aq shumë ilustrime të tilla saqë lexuesi ngutet të lexojë, me shpresën që të mësojë se kur ky pronar e ka flakur me shkelma jashtë librarisë shegertin e tij tekanjoz. Kjo nuk ndodh as një fund të rrëfimit dhe shkakun e mësojmë nga një citim i shegertit të cilit nuk i japim rëndësinë e duhur në momentin që e ndeshim: “Po këtu se mos vijnë të gjithë për punë. Dyqani është gjysmë-teqe, vakëf, kush kërkon këshillë, kush ka një hall, kush do memurijet.”

Detaje të tilla mungojnë në portretin e Dritëro Agolli. Ai thotë që Adem Reka ishte i thjeshtë dhe i ndershëm, por nuk jep asnjë shembull thjeshtësie ose ndershmërie. Kur flet për luftën, thotë se Adem Reka ka qenë partizan, pa përmendur formacionin ku ai ka bërë pjesë, për shembull. Thotë se ka marrë pjesë në shumë përleshje e beteja por nuk përmend asnjë përleshje apo betejë, as atë ku ai, sipas Agollit, është plagosur.

Nuk është e vështirë të kuptohet se shkrimtari nuk e ka njohur subjektin e tij, siç e ka njohur Mid’hat Frashëri, i cili e vërteton këtë me dialogjet me të. Dritëro Agolli nuk ka bërë as kërkime, diçka që e bëjnë shkrimtarët seriozë. Ai shkruan vetëm gjëra të sajuara nga ai ose nga të tjerë.

E vërteta e vdekjes së personazhit të Dritëro Agollit është kjo: në 17 nëntor 1966, Adem Reka shkoi në punë si çdo ditë dhe si gjithë kolegët, në portin e Durrësit. Atë ditë e goditi fatalist një fije çeliku e digës dhe vdiq. Kjo është historia e vdekjes së tij. Një aksident i rëndomtë në punë. Ose ndërmarrja nuk kishte krijuar kushte pune të sigurta, ose punëtori (heroi, shembulli për t’u ndjekur, sipas Agollit) nuk i kishte respektuar rregullat e sigurisë.

Ironia është se jetojnë ende njerëz që e kanë njohur Adem Rekën. Një herë unë pyeta një nga këta dhe ai ma ktheu shkurt: “Lene mer atë pijanec, lozte bilardo gjithë ditën”. Deklaratën e tij nuk jam i prirë ta besoj verbërisht, por nuk mund të mohohet që ajo fjali ka më shumë jetë dhe më shumë fakte për jetën e Adem Rekës se në rrëfimin e gjatë të Dritëro Agollit.

Sidoqoftë, dallimi themelor mes këtyre autorëve, i cili ka ndikuar fuqishëm dhe në cilësinë e veprës, është motivi që ata kanë pasur për të shkruar atë që kanë shkruar. Mid’hat Frashëri shkroi në kujtimin e tij të Hasan Jellës, pas vdekjes, i nxitur po nga ajo dhembshuri që dikur e kishte shtyrë ta mbante në punë dhe ia ka rrëfyer gjërat me aq mjeshtëri saqë personazhi i tij gjithë defekte në fund të lë përshtypjen se ka qenë njeri simpatik. Motivi i Dritëro Agollit ishte politik, ai ka shkruar atë që duhej të lexonte dikush, jo atë që kishte ndodhur apo ekzistuar.

Tregimet propagandistike për heronj të rremë ishin në modë në vitin 1967. Kjo bëhej me direktivën e KQ të PPSH. Çdo vdekje aksidentale në punë të paraqitej në publik si një vepër heroike. Në kohën që u botua portreti i Agollit, shtypi ziente nga “heroizmi” i Shkurte Pal Vatës. “Heroina” ishte një minorene që kishte shkuar, me nxitjen edhe të Dritëro Agollit (përmes artikujve të tij), të punonte pa pagesë (punë vullnetare) në hekurudhën Rrogozhinë-Fier. E zuri balta dhe vdiq pas dy javësh në spital. Dritëro Agolli ishte një nga punonjësit kryesorë të propagandës së regjimit.

Si vepër propagandistike, përderisa diktatura jetoi dhe 24 vjet, portreti i Adem Rekës ka përqindjen e saj të kontributit, por me rënien e diktaturës vlera e saj ka marrë fund. Kurse tregimi i Mid’hat Frashërit do të vazhdojë të lexohet me endje në breza e breza, derisa të ketë shqip.

Bibliografi:

Mid’hat Frahsëri, “Kujtimet e një librari”, Minerva, nr 12-13, korrik gusht 1933, ribotuar në librin “Midhat Frahsëri, elita shqiptare”, Plejad, Tiranë, 2008; Dritëro Agolli, “Vazhda e heroizmave shqiptare”, Zëri i Popullit, 17 nëntor 1967.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...