2013-07-22

Franz Kafka (1883 - 1924) , misteri brenda kutive sekrete




Nga Flori Bruqi 


Ai nuk donte që shkrimet t’i botoheshin dhe i la porosi mikut të tij, Brod, që t’i digjte. Por ai një pjesë e botoi dhe një pjesë ia besoi dikujt tjetër. Sot vazhdon beteja për pjesën e panjohur të materialeve që ndoshta mund të nxjerrin në dritë anë të panjohura të krijuesit të “Metamorfozës”.
Kafka, misteri brenda kutive sekrete

Franz Kafka (1883 - 1924) lindi në Pragë në një familje tregtare hebreje që i përkiste shtresës së lartë gjermanishtfolëse të këtij qyteti në periudhën e monarkisë austro - hungareze. Pas studimesh juridike, u punësua në një shoqëri sigurimesh, ku qëndroi deri pak vite para vdekjes kur i shpërtheu sëmundja e turbekulozit. Sa ishte gjallë botoi vetëm tri vëllime me tregime dhe proza të tjera të shkurtra të shpërndara në shtypin e kohës.
Rrallëherë i kënaqur me ato që shkruante, pjesën më të madhe të krijimeve i ndërpriste ose i shihte si të papërfunduara. Shumicën e dorëshkrimeve, ku përfshiheshin veç tregimeve të shumta tri romanet e papërfundura: "I humburi", "Procesi" dhe "Kështjella", bashkë me ditarët etj. ia la amanet që t'i digjte mikut të tij shkrimtar, Maks Brodit. Por, Brodi nuk e respektoi këtë dëshirë: në disa botime, prej vitit 1925 e në vazhdim, ai i dha botës të plotë shkrimtarin që magjepsi lexuesin edhe në ditët tona e që ndikoi zhvillimin e letërsisë botërore si asnjë tjetër autor i shekullit të XX - të.




Kafka, misteri brenda kutive sekrete


Disa nga veprat që mund të shtjellohen dhe të përkthyera në shqip janë: "Procesi", "Metamorfoza", "Kështjella" në formën e romanit por dhe nga proza e tij e shkurtër në formën e tregimit. Disa nga tregimet e tij janë "Një Leksion Akademik", "Populli i Minjve", "Barbarët", etj. Fatkeqësisht veprat e tij janë në shumicën e tyre të humbura dhe për më tepër nga vet dëshira e autorit për ti asgjësuar ato. Kryesorja çka mund të fillojë një analizë për ketë shkrimtar është vënia re e një ndryshimi rrënjësor të formës në veprën e tij dhe në përmbajtje. Ai shpesh përdor një formë të veçantë dhe të thatë simbolike ku majmunët flasin, njerëzit transformohen, portretizohen në mostra etj., pra një realitet jashtëtokësor për të analizuar bujtinën tokësore në formën e saj më reale. Ky konstatim mund të duket kontradiktor në vetvete por nis nga një simbolikë surreale që të kërkon vëmendje për problemet e mëdha universale që prezanton Kafka.
Në analizën e "Procesi"-it vihet re një e vërtetë tronditëse e realitetit me njeriun e thjeshtë brenda dhe sistemet që ndryshojnë dhe e shikojnë ketë të fundit si një pengesë apo një të mire për to. Kafka parapëlqen një të vërtetë të skajshme ku sheqerosjet artistike nuk janë me vlere në veprën e tij. Personazhi përgjithësisht është njeriu i rendomë jo heroi që bën diferencën. Kafka injoron pa e marrë fare parasysh esencën romantike të letërsisë dhe hidhet i teri në kërkim të shpëtimit universal të cilin e shpreh: "Vetëm kur shkrimtari rastësinë mund ta kthej në ligj dhe ta bëj njeriun të pavdekshëm vetëm atëherë ai ka një rol në art dhe vetëm atëherë roli i tij është profetik". Kafka nuk qëndron te ekzagjerimi dhe optimizmi emotiv, ai është ulur këmbëkryq dhe na shikon të gjithëve. Në personazhin e "Proces"-it zotit "K.", sistemi gjigant i pushtetit i bën grafikun e jetës pa e shpjeguar se për se e trajton ashtu deri në vendimin për ta vrarë pa i dhënë shpjegim. Nga ana tjetër kjo mund të analizohet dhe në të kundërt; vetë zoti "K." nuk ka aftësinë për të kuptuar sistemin megjithëse përpiqet që të kuptojë diçka, përsëri është i mbytur në paqartësi. Në secilin kah vlerësimi rezultati i kësaj marrëdhënie është një absurditet fatal ku qenia, ambienti, logjika, hapësira, ekzistenca në vetvete është tejet e pakuptueshme dhe pa mundësi për të pasur një debat ndërmjet tyre, gjithashtu e tmerrshme në efektin e saj. Zoti "K." mund të shikohet në disa drejtime të tjera ai nuk është vetëm njeri por dhe ligjësi skolastike e cila në një periudhe të caktuar humbet ekzistencën e saj pasi një ligj tjetër e nxjerr atë të pavlerë. Kjo është një e vërtetë jo e dëmshme në dukje por si do të justifikohen gjithfarë energjish dhe përpjekjesh njerëzore që qenë frymëzuar nga ajo që tashme është e pavlerë dhe për tu fshire. Një kuptim tjetër i përfolur për "Procesi"-in është dhe pyetja teologjike që ai përmban. Përgjithësisht dogma fetare është një përhapje e arsyes se jeta është një përpjekje për të merituar një perfeksion pas vdekjes. Feja përmban shumë rregulla që duhen ndjekur dhe pasojat që vijnë nga mosndjekja e tyre, por Kafka i bërtet këtyre arsyeve me faktin se jo të gjithë i njohin dhe i kuptojnë këto ligje. Pse do të duhet të kenë të njëjtin fat si mos-zbatuesit vullnetar e të vuajnë dënimin kapital. Kafka kërkon shtojcën "biblike" që duhet të përmbajë logjikën për fatin e këtij grupi. Ka dhe shume tematika të tjera më sekondare nga ato që u përmendën më sipër. Zoti "K" në disa rrethana që i krijohen kryen marrëdhënie intime me një vajze pa modalitet klasik të njohjes, bisedës ose ndjesisë emocionale dhe kurse ç’farë veprimesh paraprijëse për të kaluar në marrëdhënie seksuale, por e realizon atë në një forme apriori sikur të mos ketë vend për kushtëzime dhe justifikime. J. P. Sarter citon në një paragraf se: "Shpirti ka me shumë të drejtë se arsyeja" pasi kjo e fundit është e asgjesuesshme nga vet ajo kurse shpirti është një forme e qenësishme apriori. Por veprimi i zotit "K." mund të shihet dhe si një protestë e Kafkës me dy elementë. I pari sistemi (qoftë teologjik, politik, tradicional, etj.) që vepron në mënyre injoruese ndaj individit dhe ky i fundit i përgjigjet atij me të njëjtën monedhë duke krijuar kështu plotësimin instiktiv ndaj dëshirave rastësore. Në ketë logjikë Kafka është disi në atmosferën e Niche-s por me ndryshimin se nuk e ka qellim në vetvete por një përgjigje e natyrshme dhe e rrjedhur nga kushtet. Kjo vepër dhe po ashtu vepra në tërësi e Kafkës me të drejtë është një ortek që sa me shumë thellohesh aq më i madh bëhet deri sa orteku është vetë globi që banojmë. Letërsia e Kafkës është një ambient i ankthshëm; është një situatë e një zgjimi e njëkohësisht i një fataliteti. Kafka nuk është dekadent, ai bën një portret të gjërave por nuk mundohet të rrënoje, të mohojë apo të zgjedhë mjete për të asgjësuar, ai thjesht paraqet ftohtësisht acarin e absurditetit.


Shtëpia në Vjenë ku vdiq Franz Kafka më 1924


Një kryevepër mund të cilësohet padyshim vepra "Metamorfoza". Si zakonisht tek Kafka dhe këtu ambienti është një natyre simbolike. Kafka e fillon veprën e tij me mëngjesin në të cilin një person ndjen që po shndërrohet në kandër. Mëngjesi është i zakonshëm në shkrimet e tij, zgjimi që personifikon shpresën e re, emocionet e reja, të gjitha këto turbullohen menjëherë sapo personi fillon kontaktin me botën, ai rrënqethet nga atdheu zhgënjyes. Grigori i transformuar tashmë krijon fillimisht një shqetësim të thelle në familje. Të gjithë ata në ketë moment janë të përkushtuar rreth tij. Gjenialiteti i Kafkës është se ai e paraqet Grigorin në ndryshimin fizik apo mekanik por jo shpirtëror dhe të ndërgjegjes. Grigori e kupton të gjithë situatën rreth tij dhe ka një pikëllim të madh që tanimë as mund ta shprehi nën petkun e kandrës. Por ç’është në të vërtetë "Kandra"? S'është gjë tjetër veçse krijesë e një natyre anti-njeri, e një natyre të tmerrshme dhe pa kthim. Ajo është me tepër, nuk është krijim i individit po e një trysnie fati të cilin askush prej nesh nuk e zgjedh me vetëdije. Grigorit gjithë kjo gjëmë i vjen pasi ai është shumë i përkushtuar në punë, e cila e ka bere efektin e saj të çuditshëm jo duke i dhënë të mirat që çdo njeri pret por duke e shndërruar në një qenie të çuditshme dhe të trishtueshme që e pengon të realizojë natyrshëm dëshirat njerëzore qoftë dhe më minimalet. Në fund familjarët e lodhur dhe përfundimisht të bindur se krijesa që kanë përballë nuk është me djali apo vëllai i tyre por një "kandër", e trajtojnë si të tillë dhe Grigori vdes në ngashërimin e pashprehur dhe disi në pritje të "zgjidhjes" që do ti sjelli vdekja. Megjithëse përshkrimi i mësipërm i këtij romani është mjaft i shkurtër kemi mundësinë të analizojmë disa ide përmbajtëse në të. Shkrimet e Kafkës, në ndryshim nga tregimet e stërzgjatura, përgjithësisht zgjaten me përtesë vetëm për të thënë atë që duhet dhe pa ceremonira formale. Nëse do ta nisim nga fundi Grigorit i ka ardhur në maje të hundës por siç kemi thënë me lart Kafka nuk është dekadent (të gjejë mjete për të asgjësuar apo zhdukur situata) Grigori ndihet thellësisht i pa shpresë për momentin por ai nuk tenton vetëvrasjen. Ai zgjidhjen e merr si pasojë e një veprimi pasiv mbi situatën dhe e le veten tërësisht të shkrihet në fatin që i racionoi Jeta. Vdekja është një zgjedhje e natyrshme e tij por jo me ekzaltim e për mundësinë e ndreqjes por duke çliruar pamundësinë përballë natyrës absurde që e rrethon. Kafka në vetvete është një protestues i madh; është vetë protesta. Ai nuk krijon arsyetime fatale por paraqet botën dhe në ketë drejtim protesta e tij nuk ka hierarki drejtuese, ajo lind apriori për të gjithë që nga momenti i zgjimit në absurd gjithashtu ajo nuk ka mjete lufte përveç reflektimit mbi situatën. Grigori jemi të gjithë ne të mekanizuar me elemente që fati arbitrar na etiketon çdo kohe dhe që janë të pa evitueshëm. Jo vetëm kandra por dhe vdekja është e njëjta gjë ashtu si Grigori nuk i bënte balle dhe s’e kuptonte transformimin ashtu dhe vdekja e kaplon njeriun në vite e ndihmuar nga plagosjet e përpjekjes për lumturi dhe qetësi që i lakmojmë për ditë të gjithë ne. Kandra është i alkoolizuari që nëpërmjet alkoolit donte të prekte gëzimin por që endet i shkatërruar rrugëve, kandra është "At Sergei" (Tolstoi ) që duke u drejtuar vetëm nga shpirti i amshuar u kthye në një përdhunues. Ajo është gjithçka që prodhon absurdi dhe jeta pa pika referimi dhe që prezanton fytyrën e saj nëpërmjet këtyre fenomeneve. Nëse kemi hyre pak në esencën e fundit të veprës dhe në mesin e saj fillimi është ndryshe. Njerëzit tronditen nga transformimi, mortaja, burgosja, etj. Ata mbajnë një qëndrim ndaj halleve që u bien nga qielli. Mos vallë Kafka e merr njeriun si një qenie me manual të paracaktuar përdorimi të cilin e ka të stamposur në ndërgjegje dhe orientohet midis të mirës dhe të keqes? Vetë Kafka është një njeri që i dorëzohet trasendentes? Ai e le hapur apo pa zgjidhur vetë ketë dileme me dëshirën për të asgjësuar krijimtarinë e tij apo me saktë pyetjet e tij dhe si Grigori shikon nga ylli i mëngjesit, pas vdekjes.
Në vazhdën e krijimeve pikante të Kafkës me interes është tregimi "Një Leksion Akademik".
Këtu paraqitet një personazh shume i përfolur, të transformimit majmun në njeri. Kafka nuk e shikon zhvillimin nga ana estetike por kuptimore. Majmuni tashmë njeri ndihet përballë lirisë së zgjedhjes. Ai nuk i referohet vetes në anën e cilësisë organike por të ndërgjegjes. Pikërisht për shkrimtarin njeriu ka koordinata arsyetive dhe jo të një problemi vizual dhe të lëvizjes. Për kuptimin tradicional të lirisë ajo çka deklaron Kafka për të është të paktën e çuditshme. Majmuni tashmë njeri është i pikëlluar për lirinë e zgjedhjes pasi është përgjegjës për rrjedhën e gjërave ndërkohe që nuk është i sigurt për pasojat e zgjedhjes së tij. Bota tashmë ka formën që ai zgjedh por e tmerrshme pasi ai të vetmin vend ankimi dhe ndëshkimi ka veten. Kjo tek "Zarathuastra" (F. Niche) është një çlirim i qenies për tu perfeksionuar, tek Kafka është një fatalitet. Ai është thellësisht në kërkim të fesë, të para-projektit rruga e të cilit nuk do ta zhgënjente njeriun. J. P. Sarter mendonte se njeriu nuk është prodhim fizik dhe ndërgjegjësor i vetvetes, Kafka megjithëse më i hershëm pasi e kalon koshiencën e këtij postulati mendon se gjithashtu njeriu s’mund të projektojë veprimin e vetvetes. Ai është një qenie e trishtuar për pozicionin që ka. E gjithë kjo të bën ta mendosh mbase të pezmatuar ndaj zotit, natyrës por mbase si një nxitje drejt kërkimit të zotit të humbur ose të një depresioni të pashmangshëm nga kotësia dhe boshllëku që nuk japin shpjegim. Forma e tregimit është krijuar afërsisht si monolog e cila fatkeqësisht mund të interpretohet si një shprese e venitur për përgjigje, kurse fakti që ai e hedh në letër është një veprim i vetvetishëm siç është mendimi.
Kafka është një qenie gjeniu dhe pikëllues njëkohësisht, sikur të qe i pashmangshëm dëshpërimi i një shpirti të lartë në realitetin tokësor.









****

Nuk ndodh shpesh që letërsia botërore të përfshihet në një situatë me përmasa kafkeske, por duket se një e tillë, që ka në qendër pikërisht të famshmin e letërsisë, Kafkën, sapo ka nisur. Bëhet fjalë për një betejë ligjore në lidhje me përmbajtjen e 4 depozitave që ndodhen në një bankë të Zvicrës, që prej disave mendohet se kanë brenda vepra të pabotuara të Franz Kafkës, apo qoftë edhe materiale të tjera që hedhin dritë mbi jetën e tij.

Kjo betejë iu afrua fundit të mërkurën e kaluar, kur një gjykatës izraelit vendosi që materialet dhe letrat të cilat ndodhen në këto kuti duhet të bëhen publike. Dokumentet ishin vendosur në bankë në vitin 2008 nga dy motra izraelite, që luftuan për t’i mbajtur ato private. Kutia e parë u çel të mërkurën dhe u tha se ajo përmbante një histori të shkruar dhe të papublikuar të Kafkës. Pas kësaj, studiuesit pyesin se çfarë thesaresh letrare mund të mbahen ende brenda saj. Është tashmë e njohur se njeriu që i ka dhuruar njerëzimit “Metamorfozën”, ia besoi një numër të madh të dorëshkrimeve të tij mikut të vet, Max Brod, duke lënë si amanet që ky t’i digjte pas vdekjes së autorit, e cila ndodhi në vitin 1924.

Megjithatë, Brod i publikoi romanet e Kafkës, por një pjesë të letrave dhe shkrimeve të autorit të famshëm i çoi në Izrael dhe ia la sekretares së tij. Për këtë arsye, disa studiues mendojnë se nuk ka më vepra të pabotuara të Kafkës. Por, sipas tyre, mund të ketë letra personale të Brod, apo ditarë të tij, që mund të hedhin dritë për aspekte të panjohura të jetës së shkrimtarit të madh sipas këndvështrimit të mikut të tij: kryesisht për vitet kur Kafka ishte student, apo për fillimin e karrierës së tij si jurist e si nëpunës, që është një periudhë pak e njohur dhe e dokumentuar. Ndërsa për një shkrimtar italian dhe njohës të Kafkës, Mauro Nervi, miku i Kafkës, Brod, i publikoi të gjitha materialet që kishte. Por gjithsesi mund të kishte ende material njohës për vetë Brod apo miqtë e tjerë të Kafkës.

Mirëpo ka edhe nga ata që janë shumë më entuziastë mbi materialet që mund të gjenden në depozitat e bankës së Zyrihut. Disa janë të bindur se ato përmbajnë ende vepra të papublikuara të shkrimtarit të madh, ose qoftë edhe blloqe shënimi të papërfunduara, apo letra të viteve të fundit të tij, si dhe 35 letrat që ai ia shkroi me dorë të dashurës së tij, Dora Diamant. Për pothuajse një dhjetëvjeçar pas vdekjes së Kafkës, Dora i mbajti të fshehta të gjitha shkrimet dhe letrat e Kafkës, duke pretenduar vazhdimisht se i kishte djegur. Por pas konfiskimit që i bënë nazistët letrave në vitin 1933, ajo më në fund ia rrëfeu Brod gënjeshtrën e saj, i cili nga ana e tij bëri shumë përpjekje për të rikuperuar të gjitha dokumentet e humbura të mikut të tij.

Ndër dokumentet e panjohura mund të gjenden edhe 70 letra të shkruara nga Dora, drejtuar Brod-it mes viteve 1924-1952, dhe shumë studiues mendojnë se ato mund të gjenden në kutinë misterioze në Zyrih. Mes shumë paqartësive të kësaj historie, një gjë është e qartë, që sekretarja e Brod-it ia la koleksionin e ish-shefit të saj, të bijave Eva Hoffe dhe Ruth Wiesler, të cilat deri më tani kishin arritur që t’u rezistonin të gjitha presioneve dhe kërkesave të bëra nga Libraria Kombëtare e Izraelit, që donte t’i posedonte dokumentet përmes pretendimeve se ato ishin një pjesë shumë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore hebreje. Kafka ishte hebre i lindur në Pragë dhe ka disa studiues që thonë se një rol të madh në veprat e tij luajti sionizmi, edhe pse askush nuk ka demonstruar deri më tani prova në mbështetje të këtij pretendimi.

Që prej dy vitesh vazhdon një betejë e ashpër legale për publikimin e materialeve që janë në fakt në pronësinë e dy motrave dhe kjo betejë arriti pikën kulmore me vendimin e gjykatësit hebre që i detyron motrat të bëjnë publike brendinë e kutive që ndodhen në bankën e Zyrihut, si dhe një kutie tjetër që ndodhet në Tel Aviv.

Por këtu lind pyetja: Përse një bankë shumë diskrete zvicerane ka çeduar para resionecve të bëra nga një qeveri e huaj, në këtë rast nga qeveria izraelite? Vetë banka në fjalë, pra UBS, nuk ka dhënë ndonjë shpjegim, por sipas zëdhënësit të Shoqatës së Bankave Zvicerane, asnjë bankë zvicerane nuk do t’i përgjigjej një kërkese të tillë të bërë nga një vend i huaj, nëse nuk do të kishte marrë një kërkesë të ngjashme edhe nga ndonjë autoritet zviceran. Sipas Shoqatës së Bankave, në shumë raste bankat nuk e kanë idenë se çfarë mban të fshehur një klient në një depozitë. Në këto rrethana mbeten ende shumë pyetje që presin përgjigje.

Sigurisht pyetja që jo vetëm studiuesit, por edhe admiruesit e shkrimeve të Kafkës bëjnë, është: A ka vërtet në kutitë misterioze vepra të pabotuara të shkrimtarit të madh, apo qoftë edhe të dhëna për jetën e tij të panjohura më parë? Detaje të mëtejshme në lidhje me këto arkiva të fshehta me siguri që do të publikohen në ditët në vijim. Megjithatë, ndërsa pak nga pak misteri do të zhbëhet dhe e vërteta do të dalë në dritë, ajo çfarë ka ndodhur prej vitesh përreth këtyre kutive të fshehta në banka është një ankth i vërtetë, më i madh nga ai që vetë Kafka i njohur për ankthe e makthe do të mund ta kishte imagjinuar.


Procesi, Franc Kafka

Procesi, Franc Kafka
Në analizën e romanit "Procesi", vihet re një e vërtetë tronditëse e realitetit me njeriun e thjeshtë brenda dhe sistemet që ndryshojnë dhe e shikojnë ketë të fundit si një pengesë apo një të mirë për to. Kafka parapëlqen një të vërtetë të skajshme ku sheqerosjet artistike nuk janë me vlerë në veprën e tij....

Franz Kafka, Vepra e plote ne prozen e shkurter




Kur hyn në veprën e Kafkës, ke kaluar një prag që s'ka të bëjë më me jetën e përditshme, me njohuritë e tua historike, filozofike, psikologjike. Ti ke hyrë thjesht në botën e tij ashtu siç hyn bie fjala në botën e mitologjisë greke kur merr në duar një përmbledhje me mite të lashtësisë, ose sikurse lexon Dhiatën e Vjetër dhe të Re, por pa pjesët e tjera moralizuese apo didaktike.
Prej çastit që ke hyrë nuk duhet të habitesh më me asnjë pamje të personazheve, me asnjë kthesë të subjektit, madje as me kthesa ose zhvendosje në atë që quhet logjikë e shëndoshë e njeriut.  Gjuha që krijon këto vizione është magjia më e madhe e Kafkës. Ajo është e saktë deri në skaj, ose përtej skajit.
Njeriu që ditën e kalonte si nëpunës i një shoqërie sigurimesh mes shkresave ku kërkohej pikërisht saktësia maksimale e gjuhës dhe natën ua kushtonte krijimeve, përdori gjuhën e ftohtë administrativo - shkencore për të veshur ëndrrat, fantazitë dhe makthet e tij. Këto makthe janë edhe si një profeci për tragjeditë që e prisnin familjen Kafka dhe gjithë njerëzit e tjerë të afërt, vendin e tij dhe krejt botën ën dekadat që vinin.
Pas botimesh të shpërndara aty - këtu, përkthimesh shpesh nga gjuhë të treta, vepra e Franz Kafkës në prozën e shkurtër, ku përfshihen të gjitha tregimet, skicat, novelat e tij, të përfunduara ose jo, vijnë për herë të parë të plota në gjuhën shqipe sipas rendit kronologjik të krijimit të tyre.

Shkrime dhe përkthime (përzgjedhje)

1909: Një libër lutjesh grash (Ein Damenbrevier)
1909: Një bisedë me të luturin (Gespräch mit dem Beter)
1909: Një bisedë me të dehurin (Gespräch mit dem Betrunkenen)
1909: Aeroplani në Brescia (Die Aeroplane in Brescia)
1911: Rihardi dhe Samueli (Richard und Samuel)
1912: Zhurmë e madhe (Großer Lärm)
1913: Soditje (Betrachtung; me 18 tekste prozë)
1913: Gjykimi (Das Urteil)
1913: Fokisti (Der Heizer)
1915: Metamorfoza (Die Verwandlung)
1915: Para ligjit (Vor dem Gesetz; pjesë i romanit "Procesi")
1918: Vrasja (Der Mord)
1918: Një doktor vendi (Der Landarzt)
1919: Në koloninë ndëshkuese (In der Strafkolonie)
1921: Kalorësi i kovave (Der Kübelreiter)
1924: Një artist i urisë (Ein Hungerkünstler)

Biografi

Peter-André Alt: Franz Kafka: Der ewige Sohn. (Franz Kafka: Djali i përjetë) Beck, Mynih 2005, ISBN 3-406-53441-4.
Thomas Anz: Franz Kafka. Beck, Mynih 1989, ISBN 3-406-33162-9. (botimi i dytë u shfaq më 1992)
Hartmut Binder: Kafka-Handbuch in zwei Bänden. Band 1: Der Mensch und seine Zeit. (Manuali i Kafkës në dy vëllime. Vëllimi I: Njeriu dhe koha e tij.) Kröner, Shtutgart 1979, ISBN 3-520-81701-2.
Louis Begley : Die ungeheure Welt, die ich im Kopfe habe. Über Franz Kafka. (Bota e jashtëzakonshme, të cilën e kam në mendje. Mbi Franz Kafkën.) Deutsche Verlags-Anstalt, Mynih 2008, ISBN 978-3-421-04362-7.
Max Brod: Franz Kafka. Eine Biographie. (Franz Kafka. Një biografi.) S. Fischer Verlag, Frankfurt mbi Main 1962.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...