2013-12-27

Simbioza e modernizimit ferrian

Rexhep Ferri.gif

Rexhep Ferri, piktor, profesor e shkrimtar , u lind në Kukës (Shqipëri) në vitin 1937. Më 1958 mbaroi shkollën e mesme të Artit në Pejë. Më 1962 botoi poezitë nga cikli Shëtitësit e lodhur në revistën letrare Jeta e re në Prishtinë. Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd. Në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës. Në vitin 1974 zgjedhet pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë. Më 1975 fiton çmimin e Sallonit Pranveror për pikturë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës. Në vitin 1999 zgjedhet sekretar i Seksionit të Arteve në ASHAK dhe në vitin 2000 zgjedhet anëtar i rregullt i ASHAK. Kritika i ka vlerësuar lartë veprat e tij në aspektin artistik. Ka botuar edhe disa përmbledhje të poezive, si dhe disa romane.

Tituj të veprave

Ndoshta ishte dashuri, Prishtinë: Gazeta "Rilindja", 1997
Atdheu im Torzo, Prishtine: Rilindja, 1998
Kuartet për harqe : partiturë, Autorët" Rauf Dhomi, Rexhep Ferri. Prishtinë, 2001
Frikë nga Guernika: roman, Tiranë: Onufri, 2004
Njeriu po kush tjetër: roman, Tiranë: Onufri, 2005
Shapo Albane: roman, Tiranë: Onufri, 2006
Humbës i lumtur, Tiranë : Toena, 2007

description

Akademik Rexhep Ferri, njëri prej artistëve më të shquar modernistë shqiptarë, të kujton pikërisht një lloj arkeologjie të mëngjesit (një mëngjes që për ta kuptuar duhet të rrëmosh thellë nëpër terrin e kohërave). Ky prezantim na çon drejt përmbajtjes të një studimi të thelluar mbi veprën e Rexhep Ferrit, me të cilin studiuesi i gjuhës pamore Gëzim Qendro kërkon në labirintet që krijon ky medium, në kontekstin e kohës dhe hapësirës duke e konsideruar si përfaqësues i periudhës së artit modernist të Kosovës.

Togfjalëshi "arkeologji e mëngjesit"

Megjithatë, Qendro ndalet për të kuptuar pse togfjalëshi "arkeologji e mëngjesit", prej së cilës ndan titullin dhe tharmin vendoset si "njëfarë tautologjie e metaforës së Bernardit të Shartrës (… ne shohim më shumë dhe më larg se paraardhësit tanë, jo sepse kemi vështrim më të mprehtë, apo se jemi më truphedhur, por sepse jemi ngjitur dhe qëndrojmë lart mbi shtatin e tyre vigan), sepse bart në vetvete tensionin e skajshëm semantik të paradigmës moderniste: ajo u shfaq si mëngjesi vezullues i një lloji të ri, pas shumë të tjerëve mbi të cilët kishte rënë muzgu e që tashmë ishin kyçur përgjithmonë në sarkofagun e historisë".
Sado e brishtë t'i ngjajë qasja e gjuhës pamore kushteve reale, përmes së cilës kalon ky medium në trojet shqiptare, Qendro vazhdon t'i rezistojë kaosit duke gjetur "rrugë të fshehta" hulumtimi (kurator ekspozitash, pedagog i lëndëve të gjuhës pamore, filozofi arti dhe histori arti, përkthyes) si kontribut në ndërtimin e një biblioteke moderne në të tilla shqyrtime kritike studimore. Prognoza që ndërton ky studiues e zhvesh punën e Ferrit nga tipizimi lokal duke e zhvendosur në një hapësirë më vizionare, në afrim të qartë me çfarë duhet identifikuar rasti përballë burimeve universale të gjuhës pamore.

Pa huazime nga disiplinat e tjera artistike

Prandaj, shpesh në artikulimin, apo gërmimin e tij për zbulime përafruese, na çojnë në të dhëna krahasuese me të njëjtin medium duke i takuar një territori më të gjerë. Në rastin konkret, piktori Rexhep Ferri kalon në hapësirën dhe kohën paralele të modernizmit përtej territoreve të këtushme.
"Në veprat e Rexhep Ferrit jo vetëm që nuk gjejmë huazime nga disiplina të tjera artistike, por përforcimi i zonës së kompetencës së pikturës së tij, shpeshherë, merr forma të skajshme, duke shtjelluar me zhdërvjelltësi teknike ato risi që transformuan rrënjësisht marrëdhëniet themelore të artit evropian: të artistit me realitetin, të hapësirës reale me atë piktorike, apo të kësaj të fundit me hapësirën kontekstuale, të imazhit me realitetin, të mediumit me teknikën dhe të plasticitetit modal me subjektin", shkruan Qendro.

Simbioza e modernizimit

Përndryshe, ky vështrim kritik i referohet simbiozës së modernizmit njësoj siç e trajtojnë dhe e njohin fenomenet paraardhëse në Evropë, si koncepte të njohura botërisht.



"Rastin për t'u ngjitur mbi "supe viganësh" e patën të parët artistët që jetonin në anën perëndimore të "vijës së re të Teodosit", që do të ndante vertikalisht trojet shqiptare gjatë shekullit XX. Kjo sepse shteti shqiptar lehonë, pas një periudhe turbullirash shoqërore që pasuan shpalljen e pavarësisë, mundi gjithsesi të arrinte njëfarë zhvillimi ekonomik dhe kulturor, veçanërisht gjatë mbretërimit të Zogut I; nga gjysma e dytë e viteve '20 deri në pushtimin italian më 1939. Tekefundit, historia e artit është edhe njëfarë arkeologjie mëngjesesh, ku cilido brez shfrytëzon përvojën e atyre që jetuan përpara tij për t'i dhënë kuptim dhe substancë mëngjesit që sapo ka nisur për të, duke nxituar të lërë gjurmën e tij përpara perëndimit", shkruan Qendro në lëndën hyrëse, të vëna në dispozicion nga shtëpia botuese "Dituria", prej nga është mbështetur për botim kjo vepër

Përgatitit Agjencioni Floripress/Flori Bruqi


------------------------------------------------

Midis atdheut dhe vetvetes, Rexhep Ferri ka zgjedhur një rrugëtim që i përshkon të dyja. Dhembja e atdheut ka qenë e ngjashme me dhembjen që ndiente mbrëmjeve teksa shihte sytë e trishtuar të së ëmës që nuk qeshën kurrë. Çdo të hënë ajo priste një shenjë shpresëdhënëse nga Daja Peshk. “Hatixhe, kam disa lajme nga Malësia e Gjakovës. Shabanin e ke gjallë… Nëna nuk e di në e besoi, por u gëzua. Daja Peshku, duke pirë cigaren e vazhdonte rrëfimin… 

Rexhep Ferri - piktura (1)
Komunizmi i ka ditët e numëruara. Nuk e ka të gjatë. Shpejt do t’i humbë fara. Me këto mashtrime nëna e kalonte javën, derisa vinte e hëna tjetër. Pastaj gënjeshtra tjetër”. Tani vite më vonë, Rexhep Ferri i kujton ato mashtrime për nënën si diçka të mirë, si një terapi, për një grua që i duhej të kapej diku për të mbajtur familjen dhe fëmijët, qoftë kjo dhe gënjeshtër. Në atë kohë askush nuk e dinte se çfarë kthese do të merrte historia. “Nëna në ëndrrat e saj e kishte edhe një ëndërr edhe një besim, ku njeriu mund të mbështet shpresën, shpëtimin.

Rexhep Ferri - piktura (2)
 Karakteri i saj ishte kodi i ruajtjes, kodi i shpëtimit. Vetëm në sajë të sakrificës dhe të mirësisë së saj jemi rritur me kujdes. Gjatë, shumë gjatë si e ruajti atë shpirt nuk e di. Me besimin e vet të madh i kalonte të gjitha vështirësitë e heroinës”, kujton sot Ferri. Besimi i saj do ta bënte të kuptonte se gjithmonë ka shpresë, fije shkëndije për të arritur atë që dëshirojmë. 

Rexhep Ferri - piktura (3)

Lufta i kishte çuar nga Plava në Pejë, nga Peja në Babaj të Bokës, nga aty në Gjakovë. Ishte koha e miqësive të rrejshme, atëherë kur shqiptarët mes Tiranës dhe Prishtinës besonin në iluzionin e dashurive të tepruara. Në këtë tablo historike, Rexhep Ferrit, vetëm një adoleshent nuk i mbetej gjë tjetër veçse të kapej fort pas librave dhe ngjyrave.



 Shumë shpejt do ta kuptonte se mes tyre mund të gjente zgjedhjen për t’iu larguar të gjithave, dhe syve të trishtë të nënës. Pas përfundimit të shkollës së mesme të artit në Pejë, ai u nis për studime në Shkollën e Artit në Beograd për të studiuar pikturë ku u diplomua në vitin 1966. Ferri i përket brezit të atyre artistëve që hodhën piketat mbi atë çfarë do të përfaqësonte arti pamor në Kosovë pas viteve ‘60. Në një situatë jo të lehtë politike në Kosovë ai do t’i përfundojë studimet përmes shumë rreziqesh. 
Rexhep Ferri - piktura (4)

Sot, gjithçka nga ajo kohë i vjen në formën e kujtimeve të ngjashme me ngjyrat që hedh në telajo. I kujtohet profesor Pavle Vasiqit, thënia e tij, kur ai i druajtur hyri në klasën ku rrinin arsimtarët. “Eja Ferri, pse po hyn aq turpshëm. Ti më je më i moçëm se grekët në Ballkan”. I kujtohet, Marta, fjalët e saj se “Ruaje zemrën, mos e jep lehtë”.





Qeshja e saj, kur ai i fliste për të dashurat e Modelianit, ngjyrën e kuqe, fjalët e profesor Rajkut kur u ndal para pikturës së tij e i tha “Ferri nga piktura në pikturë, pjesa e dytë e sfidave po të pret. Të çlirohesh nga vetvetja e prapë të mbetesh vetja. Procesi nuk është i lehtë. Nga sfidat mësohet shumëçka. Koha para se të kthehet në famën e vet kërkon magji…”. Frikën për të pikturuar portretin e Martës. “Për të larguar frikën shko në Muzeun e Luvrit në Paris dhe bëje një fotografi me Mona Lizën. Ajo gjatë fotografimit mund të thotë: ”A do kesh kohë sot për mua?! Për suksesin tim, për famën time!”. E ti, duke shprehur rebelimin e krijuar nga rebelimi thuaj: “E dashura zonjë e madhe e romantikes, buzëqeshja jote është diçka që nuk e prisja. Shkurt: tani njoha edhe një grua. Sot botën po e sundon afërsia artistike”. Këto kujtime Rexhep Ferri nuk ia ka lënë vetëm kujtesës. Ashtu si piktura shkrimi ka qenë një tjetër fuqi brenda tij, e cila shpeshherë kërkonte të dilte në sipërfaqe. Vitet e fundit shkrimi është më tepër brenda tij.
Rexhep Ferri - piktura (6)

 Teksa Tirana është e zhytur në shi, ai nuk di ta shpjegojë, këtë ndjesi të hershme. Në duar mban librin “Portreti në monedhë”, i cili sapo ka dalë nga tregu në Prishtinë, që është në një farë mënyre portreti i tij artistik. Një portret që ka dalë nga tabloja e një pikture e është shndërruar në fjalë pafund, për të treguar jetën e një të riu, mes pasioneve të mëdha dhe atdheut. Kjo jetë ndihet dhe në tablotë e mëdha që prej disa ditësh ndodhen në sallën kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në ekspozitën e kuruar nga Suzana Varvarica Kuka “Afër dhe larg”.




 Arti i Rexhep Ferrit ndryshon nga arti i piktorëve të brezit të tij në Shqipëri. “Në Kosovë ne edhe pse ishim nën robëri, kishim fatin të kemi lirinë e mendimit artistik. Ish-Jugosllavia nuk e kishte dogmën e komunizmit në Shqipëri. Ne kishim një dritare të hapur nga Europa dhe filluam të krijojmë një art me mesazhe moderne duke qenë bashkëkohorë me kohën në të cilën krijuam”, thotë Ferri. Akademia e Beogradit ku ai dhe një brez i tërë piktorësh të Kosovës dhe vendeve fqinje studioi ishte e njëjtë me Akademinë e Brerës në Itali, apo De Bozaro në Paris. Pedagogët vinin nga e njëjta shkollë, çka i bënte studentët e tyre të ndiheshin sikur ishin diku në Perëndim. 

Rexhep Ferri - piktura (5)
Ky qe fat për Ferrin, një fat që ai e reflektoi në pikturat që krijoi. “Është e dhembshme që kjo liri nuk ishte në Shqipëri, por parullat e komunizmit”, thotë Ferri. Por në ato vite ai e ëndërronte Shqipërinë, jo vetëm për faktin se këtu ishte babai i tij, i cili e la 8 vjeç dhe do ta shihte vetëm pas 35 vitesh kur ishte 40 vjeç, por se Shqipëria ishte si një totem për Kosovën. “Në ato vite isha i verbër të shihja dramën e popullit shqiptar gjatë atyre viteve.



Edhe Enver Hoxhën e donim pasi e lidhnim me Shqipërinë e nuk e dinim atë çfarë ndodhte këtu”, kujton Ferri. I kujtohet një vizitë në Shqipërinë e viteve 1974, vizita në studion e Abdurrahim Buzës, dhe frikën e tij për çdo bisedë… Rexhep Ferri i përket atij brezi artistësh që kanë shumë për të treguar…


Ai zgjodhi pikturën dhe të shkruarin, si një formë për t’u thënë të gjitha përmes ngjyrave dhe fjalëve, edhe pse Ballkani ku ai jeton vazhdon të jetë vendi i dramave njerëzore. “Për artin tim nuk dua të flas, sepse arti është më shumë se një reagim, për ne që i takojmë kohës. Gjithmonë duam që koha të na sjellë mitet, mjegullat, legjendat. Sepse aty ku ka mjegull e legjenda ka dhe art”, thotë Ferri. E gjithë këtë rrugëtim drejt artit ai ia dedikon nënës, vështrimit të saj që edhe sot pas kaq vitesh i shfaqet si një tablo, ngjyrat e së cilës nuk mund t’i prishë koha…
 
Ferri ka përfunduar shkollën e mesme të artit në Pejë në vitin 1958 dhe është diplomuar në pikturë në Akademinë e Arteve në Beograd në vitin 1966.
ekspozita
Akademiku dhe njeriu i letrave të Kosovës, piktori Rexhep Ferri prej disa ditësh ka hapur një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve, kuruar nga Suzana Varvarica Kuka. Në ekspozitë paraqiten 50 vepra në pikturë, në teknikën vaj mbi pëlhurë. Veprat janë një pjesë e krijimtarisë së tij 50-vjeçare. Vepra më e hershme është e vitit 1967, me titull “Porosia”. Atmosfera e ekspozitës ndërtohet në idenë e titullit të saj: “Larg dhe Afër”, si një ndjesi e natyrshme dhe e gjeneruar nga hapësira e zhvillimit të arteve pamore në të dy vendet tona shqipfolëse, që në fillim të shek. XX. Rexhep Ferri, u lind në Kukës, më 10 tetor 1937.



 Familja dhe jeta e tij ka përshkruar pothuajse të gjithë Veriun e Alpeve shqiptare. Ferri ka përfunduar shkollën e mesme të artit në Pejë në vitin 1958 dhe është diplomuar në pikturë në Akademinë e Arteve në Beograd në vitin 1966. Kreativiteti i tij ka rrugëtuar në dy paralele: në pikturë dhe në letërsi, që njëkohësisht, janë zhvilluar së bashku. Në vitin 1962, botoi poezitë e para në librin “Shëtitësit e vonë” dhe në vitin 1967 hapi ekspozitën e parë personale, në Galerinë e Qendrës Kulturore në Prishtinë. Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë dhe në vitin 2000 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku punon aktualisht.



Rexhep Ferri u përket artistëve që e formuan stilin e tyre, përmes studimit dhe kërkimit në disiplinat e modernizmit botëror. Ai kapërceu me shumë sukses kahet e forta e ndikuese të tyre dhe arriti të ketë gjuhën e tij pamore. Ajo spikat për imazhin e pastër figurativ, ku subjekti i nisur tretet si një mbresë e lënë dhe mediumi imagjinar merr pushtetin kryesor dhe dallon i pangatërrueshëm në mesin e pasurisë së pafund të eksperiencave ndërgjegjësore figurative.

Puthjet me Verën…
Vera, me çdo gjë që kishte, përpiqej të bëhej e nesërmja ime. Të qenët femër është ngarkesë, dehje dhe shtrirje që kërkon një burrë. Unë edhe pse e kisha kaluar pragun e naivitetit të djalërisë i mbylla sytë. Një kohë të gjatë kot isha frikësuar. Pas disa sekondave apo minutave dëgjova diçka prapë si thirrje. Nga leximi i ëndrrave kisha kuptuar se zemrën e Verës e kisha pushtuar, por guximin ende jo. Duke iu përgjigjur thirrjes shpejt dola nga naiviteti dhe frika.



Verën në duart e mia duke e parë si skulpturë dhe duke e vlerësuar si arkeologji, ishte mendim se isha duke rënë në dashuri. Në ato momente Vera më ofrohet. Donte dhe ajo të hynte në mua edhe unë të hyja tek ajo. Nga puthjet, nga gjinjtë, ngrohtësia na hyri pak më thellë mes kofshëve. Me kënaqësinë që nuk e kisha përjetuar.



Deri në atë moment nuk kisha pasur marrëdhënie seksuale me asnjë femër. Nuk e di se si më erdhi e nga më erdhi guximi. Rastin nuk e lashë vetëm në duart e fatit. Nga Fati ende kisha frikë. Fati nuk kthehet po e lamë për një ditë tjetër. Nuk është e thënë se duhet të jetë vetëm i bardhë. Në atë moment mua më iku truri. Vera duke kthyer kokën në anën tjetër u ndal. Filloi të mbyllet. Aty ishte fillimi i kohës që e kuptova se paska qenë larg e afër fillimi i jetës sime të re…(Alda Bardhyli)
(nga kujtimet)

dr. Ilir Yzeiri -“Semiotika e realizmit socialist (1944-1949)”

Studiuesi dhe gazetari i njohur, dr. Ilir Yzeiri, boton librin “Semiotika e realizmit socialist (1944-1949)”
ilir-yzeiri-semiopragmatika-1“Semiopragmatika e realizmit socialist (1944-1949)” është monografia e tretë e Ilir Yzeirit, pas “Poetikës” (2000) dhe “Kadare, Agolli, Arapi – figuracioni në poezinë e viteve ‘60” (2011). Në këtë libër, ai ka nisur të gjurmojë dukuritë e shenjueshmërisë poetikë në letërsinë shqiptare të realizmit socialist, duke hetuar në fillim se çfarë ndodhi në procesin letrar shqiptar në vitet 1944-’45 e deri në vitin 1949, atëherë kur një kod dhe një sistem shenjash u përjashtuan dhe një kod dhe një sistem tjetër shenjash u aktivizuan për të interpretuar procesin letrar. Ky libër përmban dy pjesë dhe është i pari në serinë e studimeve për semiopragmatikën e letërsisë shqiptare që autori ka dëshirë të botojë në të ardhmen. Semiopragmatika e realizmit socialist shqiptar (1944-1949) është fillimi i një cikli me studime që synon të tregojë se çfarë ndodhi me shenjueshmërinë dhe me zbatimin e saj në procesin letrar në mes të shekullit të kaluar, atëherë kur letërsia, arti e kultura iu nënshtruan metodës së realizmit socialist.
Pse e keni quajtur me këtë titull një periudhë të tillë, si instalimi i realizmit socialist?
Studimi i semiotikës tërësore të socrealizmit dhe pragmatikës së saj si mendësi totalitare që la gjurmë në të gjitha llojet e ligjërimit publik dhe në atë kulturor veçanërisht, ende nuk është bërë sa dhe si duhet objekt për vështrim. Strukturalizmi, që shërbeu si shtysë për semiotikën, është një fushë e re, që edhe në Europë u përhap aty nga mesi i shekullit të kaluar. Ndërsa te ne, për arsye që dihen, pas vitit 1944, studimet të mbështetura në disiplina që frymëzoheshin nga strukturalizmi dhe nënvariantet e tij, as që mund të mendoheshin.
Po pas viteve ’90, çfarë ndodhi? Kanë munguar fare vështrimet e kësaj natyre?
Për argumentin tonë, një nga studiuesit e njohur në këtë fushë, Ardian Vehbiu, sidomos me librin e tij “Kulla e sahatit”, ka hedhur një themel të qëndrueshëm. Ndërsa vepra tjetër e tij, “Shqipja totalitare”, trajton tërësisht shfaqjen dhe mekanizmin mbi të cilin u ngrit semiotika gjuhësore që shërbeu për të shënjuar strukturën e nocioneve dhe koncepteve që u krijuan rishtas dhe që kishin si të shënjuar kohën ideologjike komuniste dhe si shënjues ndërtime nga më të larmishmet, por edhe të dallueshme dhe me kolorit të veçantë të një epoke që ka lënë gjurmë dhe zgjati pothuaj një gjysmëshekulli në jetën e shqiptarëve. Ndërkaq, edhe Aurel Plasari, në një studim të tij, analizon stilemat e përbashkëta të doktrinës teorike fashiste mbi letërsinë e artin që u përpunuan nga ajo që ai i quan elita e djathtë në Shqipëri dhe që u morën më pas nga elita e majtë si konstruksione të gatshme për metodën e re që mbështetej në teorinë socrealiste të letërsisë, siç do ta përmendim edhe më poshtë. Të dyja këto ndihmesa janë një mbështetje e mirë për të shpjeguar se çfarë ndodhi në mekanizmin e mentalitetit të atyre që iu përveshën punës për të ndërtuar një kulturë të re, një njeri të ri, duke thirrur në ndihmë për këtë edhe letërsinë.
Në cilat fusha u vu re kjo semantikë?
Nga pikëpamja e semantikës, ky entuziazëm preku të gjitha anët e procesit letrar, kuptimin për letërsinë, për autorin, për subjektin e temat, për intrigën e zgjidhjen, shkurt, gjithë kodin që kishte shërbyer si mjet për të analizuar, interpretuar e klasifikuar produktin letrar dhe mendimin teorik për letërsinë gjithashtu.
Por cilat janë tiparet e semiopragmatikës së socrealizmit shqiptar dhe që ju i keni nxjerrë si përfundime në këtë libër?
ilir-yzeiri-semiopragmatikaPër të shpjeguar se cilat janë tiparet e semiopragmatikës së socrealizmit shqiptar që u ngjizën gradualisht nga viti 1944 e deri më 1947 për të marrë formë përfundimtare në Konferencën III të Lidhjes së Shkrimtarëve që u mbajt në tetor të vitit 1949, jam nisur nga disa premisa. Në fillim, meqenëse analiza jonë kërkon të rrokë semiopragmatikën, kam sqaruar disa nocione dhe kam ndriçuar gjithashtu edhe njohuritë për këto fusha, të cilat kanë qenë për një periudhë të gjatë jashtë qarkullimit teorik e filozofik letrar. Martin Heideger, me konceptin e tij për letërsinë, është më afër objektit që po analizojmë. Ai shkruan: Letërsia është art dhe ligjërim: është një sistem estetik – tekst – që ngërthen një regjistër retorik të gjinive, të stilit ose të figurave dhe një regjim socio-historik – arkiteksti- që përfshin një rrëfim konstitucional (ose një rrugëtim), që përfshin ai vetë një ligjërim institucional. Kur themi art, kemi thënë teknikë; kur themi ligjërim, kemi thënë gramatikë; kur themi teknikë e gramatikë, kemi thënë tekhnê:poiêsis et physis. Sistemi estetik e bën letërsinë art; regjimi socio-historik e bën atë zanat: letërsia bëhet art kur artizanët bëhen artistë: origjina e artistëve gjendet në origjinën e veprave të artit. Ky përcaktim i Heidegerit do të na ndihmojë në analizën tonë, sepse e dallon qartë marrëdhënien tekst-arkitekst, një marrëdhënie që në këtë periudhë fiton një përmasë të re, sepse arkiteksti dikton tërësisht tekstin me një trysni të detyrueshme që nuk ishte njohur më parë. Po ashtu, me këtë përcaktim ne do të kuptojmë se përse diktati partiak kërkonte që shkrimtarët të ktheheshin në artizanë dhe përse statusi i tyre nuk humbiste gjë në qoftë se ata ishin më shumë artizanë sesa artistë.
Ju përmendni në libër jo realizmin socialist, por fenomenologjinë letrare?
Një mundësi tjetër për të depërtuar sa më mirë në thelbin e argumentit që po trajtojmë, është edhe fenomenologjia letrare e përpunuar sidomos nga Roman Ingarden dhe e mbështetur si në fenomenologjinë e Huserlit, ashtu edhe në teoritë e rrëfimit të Pol Rikër-it. Në analizën e tij për rrëfimin e fiksionit, Rikër e quan Mimesis I frymëzimin e autorit, drejtimin nga vjen përftesa e krijimit letrar, ose parakuptimi i botës së veprimit. Autori është kushti i ekzistencës së veprës dhe ai e quan atë Mimesis II. Në vitin 1975, Rikër pohonte se letërsia shkatërron referencën me realitetin dhe krijon një referencë tjetër, atë me botën e saj. Në vitin 1983 ai fliste për “fshirjen e referencave përshkruese”, një metaforë kjo që na largon nga ideja e shkëputjes radikale të botës së veprës në raport me botën reale dhe na përafron me tezën (që është konstante e tij në librin “Koha dhe rrëfimi”), sipas së cilës bota e fiksionit është rajoni i asaj që ndërtohet me sikur. Edhe ky përcaktim i Rikërit do të na ndihmojë për të parë se si estetika e socrealizmit e modifikoi botën fiktive të veprës dhe i nxiti shkrimtarët që, në vend të saj, të paraqitnin një botë që nuk ishte as imagjinare, as fiktive, por që ngjante më shumë me një projeksion ideal, me një imazh transparent që ndërtohej si zgjerim i një ideje fikse që kishin komunistët për të ndërtuar botën e re.

Petro Marko, apostulli i shkrimtarisë shqiptare

Dorian Koçi

Petro Marko, një prej personazheve më të njohura të letërsisë shqipe, do të kujtohet sot përmes një aktiviteti, me rastin e 100-vjetorit të lindjes në Bibliotekën Kombëtare. Ai lindi më 25 nëntor 1913 në Dhërmi të Himarës dhe u nda nga jeta në vitin 1991. Jeta e tij duket interesante para vitit 1944, ku i riu Petro angazhohet të jetë pjesë aktive e jetës publicistike të kohës, më pas i bashkohet Luftës së Dytë Botërore. Pas një takimi me Migjenin më 1937-n, ai niset për në Athinë e më pas merr anijen për në Francë, Marsejë; anija i ra përreth Mesdheut (Izmir, Xhafa, Aleksandri, Tripoli). Mbërrin në Marsejë dhe gjen në Paris, Llazar Fundon e Ali Kelmendin.
Bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, shkon për në Kuintanar de la Republica. Merr pjesë në Mbledhjen e Shkrimtarëve Antifashistë në Valencia, ku ishin dhe Ernest HeminguejPablo Neruda etj. Pas kthimit në Shqipëri, ai i përkushtohet të shkruarit. Ndër romanët e tij më të lexuar mund të përmendim “Hasta la Vista” dhe “Nata e Ustikës”. Për krijimtarinë e tij ai ka marrë vlerësimet më të larta që jepen në vend. Aktiviteti i sotëm që zhvillohet nga Biblioteka Kombëtare, është vetëm fillimi i një morie aktivitetesh që do të zhvillohen gjatë këtij viti për këtë personazh të dashur të letrave shqipe, me rastin e 100-vjetorit të lindjes.

Petro MarkoNëse bilinguizmi do të vlerësohej ndonjëherë si vlerë e veçantë në Ballkan, pa dyshim fshati Dhërmi do të ishte një nga vendet që do të përmendej si i tillë. Ky fakt, edhe nëse është hipotetik, pasi Ballkani ende vuan nën etnocentrizmin e vet dhe shoqëritë ballkanike me shumë vështirësi e pranojnë kulturën e “Tjetrit”, nuk duhet të na trembë dhe as të na trishtojë, pasi vetë këto shoqëri dhe mikrokozmose të vogla lindin dhe personalitete që me ndërgjegje të hapur dhe të lirë kontribuojnë në kulturën me dimensione më universale sesa në atë lokale. Një rast i tillë është fenomeni letraro-kulturor e politik, Petro Marko, që ka shënjuar gjithë skenën kulturore e politike të gjysmëshekullit të kaluar, duke na lënë dëshmi të plota me veprat e tij të karakterit të çuditshëm e jo lehtësisht të përshkueshëm të shqiptarit modern. I ndërgjegjshëm se në galerinë e personazheve të veta më së shumti risjell atmosferën e njohjeve të para në jetë në fshatin e tij Dhërmi, në librin e tij madhor “Retë dhe gurët-Intervistë me vetveten”, pohon me zë të plotë dhe pa mëdyshje se i përket me shpirt, por jo vetëm me të, por edhe me gjak, kulturës, gjuhës dhe kombit shqiptar, sikur do t’u tregojë hartuesve të skenarëve më të vonshëm të telenovelave nacionaliste testamentin e vet, por edhe përkatësinë e fshatit të vet. E çuditshme, për të mos thënë e paimagjinueshme që një shkrimtar të intervistojë vetveten për së gjalli, por ngaqë kumtet besoj që dëshiron të lërë janë të rëndësishme dhe ai vetë e kupton me frymëmarrjen e rënduar se nuk ka kohë që të presë pyetje nga të tjerë, në një atmosferë borhesiane në një shtëpi në bulevardin që mbante emrin e një njeriu, në emër të të cilit në rininë e vet kish luftuar në Spanjë (bulevardi “Stalin”, sot bulevardi “Zogu I”), rrëfen pa asnjë mëdyshje 50 vjet histori e kulturë të socializmit të lodhur shqiptar. Dikur njeriu që mban emrin e bulevardit ku ai ka shtëpinë i ka quajtur shkrimtarët si “inxhinierë të shpirtrave”, ndoshta i nisur dhe i joshur nga ideja se shkrimtarët do ta ndihmonin të projektonte një nga ëndrrat më të vjetra të diktatorëve, modelimin sipas dëshirave të shpirtit njerëzor. Por Petro Marko është ndryshe nga të tjerët, edhe pse vetë ka luftuar për utopinë e komunizmit, ai është shumë njerëzor e universal dhe nuk bie në grackën që për dogmën të sakrifikojë ndërgjegjen. Në të kundërt, në gjithë veprat e tij kërkon utopinë ta kthejë në shërbim të njerëzimit, ndaj nuk joshet nga subjekte të vogla dhe lokale, por heronjtë e romanëve të tij i ka internacionalë. Janë të rrallë shkrimtarët ballkanikë, në mos edhe ata europianë, që të kenë pasur një jetë të vrullshme, por edhe një pjesëmarrje në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të shekullit, siç ka qenë jeta e Petro Markos dhe aktiviteti i tij shoqëror, kulturor e politik. Lufta e Spanjës, internimi në Ustikë, përjetimi i burgjeve të komunizmit, dhimbja familjare për djalin, kthimi i veprave në karton, moslejimi i publikimit janë seri ngjarjesh të denja për të krijuar mllef e urrejtje, por Petro Marko e tejkalon vetveten dhe habit dhe gjithë bashkëkohësit e vet. Ai ndërton një botë të vetën të ngjarjeve dhe personazheve ku mbretëria shqiptare, Lufta e Dytë Botërore dhe socializmi real shqiptar ngjajnë më tepër si dinozaurë të frikshëm, për shkak se dhunojnë lirinë dhe ndërgjegjen e të gjithëve sesa i kanë ndonjë borxh shkrimtarit. Në mes të fitores së krekosur të një populli të vogël që dilte nga lufta, gjen mundësinë të përshkruajë ata që kanë pësuar disfatë njerëzore në fatet e tyre dhe presin të pashpresë të kthehen në atdhe. “Qyteti i fundit” është nga të vetmit romanë në letërsinë shqipe që thyen konvencionet tradicionale bardhezi të personazheve dhe dashurinë e ndjenjat njerëzore i përshkruan si fllad që i përshkon të gjithë, të mundur dhe fitimtarë. Në Ustikë, aty ku jeta njerëzore poshtërohet, ai rindërton sërish tempullin e dashurisë dhe si ballkanas që është mund të pritet që në zemërim e sipër ta shkatërrojë, por në të kundërt ndodh çudia që shpirtrat njerëzorë, edhe pse të munduar nga tallazet e nacionalizmit ballkanik, në fakt bëhen bashkë të pandarë duke projektuar një të ardhme më të mirë. Ç’gjë tjetër mund të dëshirojë një autor, sesa të depërtojë kaq thellë në shpirtin njerëzor e për rrjedhojë të jetë i lexueshëm për breza të tjerë. A nuk i përket përjetësisë një shkrimtar që përcjell kumte të tillë?
Nuk ka rëndësi se në këtë 100-vjetor të lindjes së tij nuk gjen një monografi të plotë studimore të veprës së tij, e për më tepër askund të shkruar e zezë mbi të bardhë se është themelues i romanit modern shqiptar, as një emër rruge në Tiranë ku jetoi që nga vitet ‘30, e rëndësishme është se me veprën e vet madhore ka krijuar një gjeografi të shpirtit rebel shqiptar që endet sa në brigjet e Ebros, në Ustikë, Vlorë, Labëri, Durrës e Tiranë, si për të na kujtuar se në letërsi nuk vlejnë rekomandimet as emërimet, por mesazhi dhe magjia e fjalës që bën sot e kësaj dite çdo të ri shqiptar në të gjithë hapësirat shqipfolëse ta ndjekë e ta lexojë Petro Markon, apostullin e shkrimtarisë shqiptare. Letërsia e vështirë dhe e mundimshme e një populli të vogël nuk mund të gjente një apostull më të mirë sesa Petro për të përçuar mesazhin e vet, ndaj ajo, por edhe ne, jemi me fat që kishim Petro Markon mes nesh.

Aleksandër Çipa-Vendlindja i rikthen borxhin Petro Markos

Safo & Petro Marko










Nëqershor të vitit 2004, ndërsa Safo Marko më dhuronte librin e Petro Markos “Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët)”, me dedikimin: “Aleksandrit, birit të Bregut, dhe birit të Lefterit zemër-zjarr, bashkudhëtar në art me Arianitën dhe Madun, fëmijët e Petros, luftëtar i Lirisë dhe poet i Bregut”, më ishte bërë edhe më i rëndë pengu për “borxhin” që vendlindja jonë, Bregdeti i Himarës, i ka këtij burri me emër të përjetshëm. Shkrimtari dhe gazetari Petro Marko është unik në përvojën dhe historinë e gazetarisë së Mesdheut. Një reporter lufte dhe luftëtar, ndoshta ndër të parët në historinë e shtypit shqiptar. Kjo nuk është përmendur ndonjëherë në tekstet dhe memuaret tona për publicistikën. Ka edhe shumë gjëra të tjera të papërmendura për një kontribut dhe investim të ndershëm shqiptarësie në jetën e shkuar të Petro Markos.

Por tashmë kur ai ka fituar përjetësinë dhe brezat dhe bashkëkohësit e tij jetojnë kohën e shkurtër të jetës së tyre, ndërgjegjja vlerësuese është në zgjim përditë e më të shtuar. Këtë zgjim fisnik, nderues, njeri dhe kulturëdashës, inkurajues dhe optimist e shijova, të shtunën e kësaj jave, më 23 nëntor në fshatin “…më të bukur në botë”, siç do të shprehej Petro Marko, pra në vendlindjen e tij, Dhërmi. Një emër të cilin prej disa vitesh të pakta, një pjesë e reporterëve tanë me injorancë njohëse e shkruajnë shpesh sipas gjuhës së tjetërkujt: Dhrimadhes. Shkrimtari dhe mijëra njerëz të atij visi të fjetur dhe të mbetur, e njohin me emrin e vet, shqip: Dhërmi.

Është hera e parë që në Dhërmi, bashkia e shtatë fshatrave të Bregut, institucioni administrativ i visit mitik të Akrokerauneve, jo vetëm nderon e kremton, por për herë të parë kryen një akt të parë lartësonjës për birin e vet, të përjetshmin Petro Marko. Kohë më parë ndanë avllisë së shtëpisë së tij të mbetur rrënojë u vendos monumenti. I pari i këtij lloji në viset e Himarës. Ishte thyerja e një miti, në të cilin politika dhe etnonacionalizmi i tëhuajtur kishte dominuar trashëgiminë dhe kulturën e këtij visi që rezulton i gjendshëm që në kohët para-homerike. Ose e thënë sipas at-krijuesit tim Lefter: “Jemi këtu që pa ardhur deti”. Pas vendosjes së monumentit të shkrimtarit më të madh të këtyre viseve, i quajtur me vonesë edhe Kazanzaqisi i Bregut ose “Hemingueji i letërsisë shqipe”, në Dhërmi, veprimtaria për 100-vjetorin e lindjes së Petro Markos falë këmbënguljes së Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur të Himarës të kryesuar nga Irakli Gjicali dhe mbështetjes pa ngurrim të kryetarit të Bashkisë së Himarës, zotit Gjergji Goro, punuar me aq përkushtim dhe inteligjencë kulturore nga poeti Odise Goro, do të mbetet një ndër ngjarjet më të shënuara dhe më nderuese për bijtë e kulturës së Bregut. Kryebashkiaku i Himarës, zoti Goro, duke u ndier krenar për këtë përfaqësim me përmasa të mëdha kombëtare të krijuesve, artistëve dhe emrave të papërsëdytshëm të viseve të Bregut, do të shtonte: “Himara është vendi i detit, maleve, njerëzve trima e kapedanë dhe artistëve”. Një renditje në të cilën e shkuara e afërt dhe ajo e imponuar e pati shembur kujtesën për artistët dhe përfaqësimin e tyre në panteonin e kulturës kombëtare shqiptare. Një cikël veprimtarish të shkëlqyera dhe vlerësuese janë kalenduar deri në fund të këtij viti nga Bashkia e Himarës. Në ditët e para të dhjetorit është planifikuar një tjetër aktivitet për poetin më emblematik të 100 viteve të shkuara në këto vise, Neco Muko Himarjotin, autorin e “Vajzës së Valëve”, këngës që konsiderohet si “mbretëresha e polifonisë shqiptare”. Por në këtë nderim përbashkues do të përfshihen edhe kolosë të tjerë të arteve shqiptare, si regjisori i famshëm Dhimitër Anagnosti apo biri tjetër himarjot, aktori magjik Robert Ndrenika, si dhe përkthyesi dhe komediografi i rrallë Spiro Comora.

Bashkia e Himarës ka çelur një kapitull nderues për emra të shquar dhe me kontribut themelor në fondin dhe historinë e kulturës kombëtare shqiptare. Është një nismë e një bashkie të vogël, e cila duhet mbështetur për herë të parë, ndonëse me shumë vonesë, shtetërisht në këtë iniciativë. Kjo qytezë e vogël dhe fshatrat si qyteza të saj, përfaqësojnë në fondin themelor të artit të fjalës dhe muzikologjisë shqiptare, një kontribut që tejkalon shumë qytete e vise metropolitane të hapësirës shqiptare. Nderimi i Petro Markos është një rikthim i Himarës dhe qeverisësve vendorë të saj, aty ku duhet, aty ku vlen më shumë dhe ku krenaria merr peshën specifike reale e të gjithëjetshme. Një krenari e tillë duhet përkrahur nga kushdo e prej kujtdo, edhe prej atyre që mendojnë e flasin në më shumë se një gjuhë. Nderimi për trashëgiminë kulturore e për përmasën e shumëjetshme të letërsisë që kanë krijuar bijtë e shquar himarjotë, është akt i vonuar, por në rastin kur nis me Petro Markon, lexohet thjesht si një rikthim borxhi për bijtë që e kanë siguruar përjetësinë e tyre edhe si një “konto” të shtrenjtë për brezat dhe gjeneratat e visit të tyre. Në Himarë ka nisur të qeveriset dhe mirëmendohet vlera dhe përjetësia e bijve të saj të shquar. Kjo është një e mirë që premton edhe më shumë mbrothësi për këtë vis që e ka historinë shumë e shumë herë më të madhe e të rëndë sesa shtati i vet gjeografik.

Beti Njuma :Besnik Mustafaj, t’i dorëzohesh letërsisë pas 6 viteve pas largimit të tij nga politika, shkrimtari boton romanin “Autoportret me teleskop”.

Gjashtë vite pas largimit të tij nga politika, shkrimtari boton romanin “Autoportret me teleskop”.

besnik mustafajIshte e marta e 24 prillit 2007 kur krejt papritur, ministri i Jashtëm shqiptar, Besnik Mustafaj, dha dorëheqjen. Një largim të cilit kuriozët dhe të gjithëdijshmit e panumërt u munduan t’i mveshin mijëra pse. Ndërsa skeptikët t’i gjenin diçka më të besueshme përtej justifikimit zyrtar në hollin e ministrisë. “Jam i lodhur nga ushtrimi i detyrës”, tha ministri, teksa zuri në befasi gjithkënd që nuk e kishte parashikuar, po as menduar ndonjëherë një dorëheqje të parevokueshme të njërit prej njerëzve më të afërt të Berishës. Sot, gjashtë vite pas largimit nga politika aktive, Besnik Mustafaj na heq çdo dyshim: Letërsia është arsyeja pse u largua nga politika. Dhe këtë e bën përmes faqeve të një romani voluminoz të cilin mbase nuk do ta kish shkruar po të kish vazhduar të qëndronte majë kolltukut të rehatshëm, por edhe të lakmueshëm të ministrit. Për një njeri të dhënë shpirtërisht pas politikës, por ca më tepër pas letërsisë, ishte e natyrshme të fitonte kjo e dyta. Do të kish qenë komode për Mustafajin të flirtonte me të dyja, duke u dhënë mundësi që të dyjave të përfitonin nga njëra-tjetra. Dhe nuk do të ishte i pari që do ta bënte këtë. Por kjo nuk ndodh me çdo shkrimtar, e aq më pak kishte gjasa të ngjante me Besnikun. Megjithëse humbjen e pushtetit politikani e përjeton shumë më dhimbshëm se humbjen e nderit! Mund t’i imagjinoj lexuesit kërshërorë që do t’i përpijnë faqet e këtij romani, i pagëzuar që tani si rikthimi i Besnik Mustafajit tek letërsia, një botë të cilën në të vërtetë ai nuk e ka braktisur asnjëherë. Është një vepër që autorit i ka marrë pesë vitet e fundit të jetës dhe që në mënyrë paradoksale e ka titulluar “Autoportret me teleskop”? Përse vallë këtë titull? Ndoshta sepse ka qenë i vetëdijshëm se në ballafaqim me lexuesit, kjo metaforë do të godiste po aq sa dhe çudiste. Vetë Mustafaj sqaron se nga një objekt që afron, teleskopin e ka shndërruar në një objekt metaforik që shërben për të parë diçka të largët, në rastin konkret, kohën e humbur në politikë. E pra, ky libër është një mea culpa për pesëmbëdhjete vitet e çuara dëm pa shkruar letërsi. Pesëmbëdhjetë vite në kërkim të kohës së humbur, e falë Zotit tanimë të gjetur. A nuk është kjo një shenjë e fortë e kthimit të fuqishëm të pushtetit të letërsisë te shkrimtari Besnik Mustafaj? Unë them se po. Lidhja e tij me letërsinë ishte e shkruar të ishte një destinacion pa kthim. Andaj, në “Autoportret me teleskop”, pavarësisht ftesës diku në faqet e fillimit, lexuesit, do të rreken të kuptojnë shumëçka nga Besnik Mustafaji i humbur. Kam frikë se ata nuk do t’i shmangen leximit të dyfishtë, atij të një vepre letrare të trilluar po aq sa dhe një leximi autobiografik, ku përmes rreshtave nënvetëdija dhe mbivetëdija e autorit janë një e vetme me atë të rrëfimtarit. Ballë për ballë, ish-politikani dhe shkrimtari Besnik Mustafaj në jetë, dhe alteregoja e tij në roman. Sepse personazhet e marrin në dorë librin dhe e shkruajnë vetë. Sakaq, autori kujdeset të sqarojë që në faqe të parë se ky roman i çmuar nuk është autobiografik, edhe pse një nga personazhet quhet Besnik Mustafaj. Sidoqoftë, Besniku autor dhe Besniku personazh kanë të vërtetën e tyre, të cilën sado të përpiqemi ta mbajmë larg, aq më shumë ajo do të afrohet, për t’u shkrirë befas në një e për të na dhënë dilemat e mëdha të Mustafajit. Janë dilemat e tij si autor, të cilat i ka përcjellë përmes personazhit me të njëjtin emër si i tiji. Janë dilemat e një shkrimtari që është në majën e piramidës politike e nga ajo majë guxon edhe të thumbojë eprorin e tij. Sepse “Shkrimtari Besnik Mustafaj ishte i lirë nga çdo detyrim vartësie ndaj eprorit të tij”. Janë dilemat e një shkrimtari që kërkon t’i shpëtojë mediokritetit të politikës, duke u zhytur në laboratorin krijues ku ka vend vetëm për eksperimente letrare, sikurse është edhe një pasazh erotik në libër, i pangjashëm me ato që Mustafaj ka shkruar deri më sot. Në roman ndodh një takimi i çuditshëm në hollin e një hoteli me këshilltaren e presidentit slloven. Besnik Mustafajit personazh, Ana B jo thjesht i rikujton Boshin, një roman të shkruar shumë vite më parë, porse identifikohet me personazhin femër të tij. Ana B është truku për zgjimin e kujtesës së shkrimtarit, çka sjell për pasojë edhe zgjimin e krenarisë së tij. Ajo është e panjohura që guxon të hedhë në koshin e plehrave si pa vlerë vetë kuptimin që Besnik Mustafaj i ka dhënë jetës së tij gjatë viteve të lirisë, por edhe gjate viteve në pushtet. Kjo grua, për më tepër joshëse, gjen çelësin për ta kompleksuar personazhin tonë duke i kundërvënë në mënyrë çarmatosëse Besnik Mustafajin ministër, një Besnik Mustafaj të përfytyrimit të saj. Besnikun shkrimtar që ai vetë e ka harruar, duke e hedhur si të panevojshëm në sirtarët e pluhurosur të kujtesës. A nuk i flakin rëndom gjërat politikanët, edhe vetveten, vetëm e vetëm për t’i shërbyer pushtetit? Duke u udhëhequr nga e vërteta e tregimit dhe vetëm nga ajo e vërtetë, Besnik Mustafaj përgjigjet se PO kur shkruan: “Ana B do të çuditej sa shumë isha larguar unë nga shkrimtari Besnik Mustafaj – autor i Boshit – gjatë viteve të ngjitjes në pushtet. Ajo do të më pyeste, duke më parë drejt e në sy, me një hije të rëndë në fytyrë, nëse një shndërrim i tillë u ndodh në përgjithësi njerëzve që marrin pushtet? Apo vetëm atyre të cilët ndryshojnë rrugën e jetës në një moshë të pjekur, për t’u kthyer drejt politikës? Fjala ishte për politikën e madhe, atë që jep pushtet të vërtetë”. Dhe pak më tej kur pohon se është marrë me politikë, me diplomaci, me një fjalë, i ka shërbyer vendit të tij, autori shkruan me një autoironi të hollë: “Edhe shkrimtar, edhe shërbyes! Ky njeri ka një keqkuptim të thellë me veten”. Me apo pa keqkuptime ca thërrime nga uni i shkrimtarit kanë mbijetuar, qoftë edhe ilegalisht, nëpër ca anekse të trurit, ku nuk ka depërtuar drita verbuese e ministrit. Ndaj mos u habisni kur të ndjeni sesi Besniku shkrimtar vuan i pushtuar befas nga një ndjenjë e thellë fajësie, të cilën politikani as që e kishte vënë re. Është një roman për thyerjet e tabuve dhe rrënjët e lirisë, në të gjitha kuptimet e saj, lirinë politike, mendore, lirinë seksuale, sidomos në Shqipëri. Po, sepse edhe zbulimi i trupit krahas zbulimit të botës ishte i ndaluar në diktaturë. Ndaj edhe në libër, Mustafaj na kujton se liria politike e shoqërisë e mbërrin plotërinë e vet vetëm kur e çliron trupin e individit, ashtu si dhe mendjen e tij.

Ky libër përmban në mënyrë simbolike ankthet, ngërçet dhe përpëlitjet e shpirtit të një brezi të plakur tanimë. Por proza e Mustafajit është gjithashtu e mbushur me vetëdije historike, vetjake po aq sa dhe publike për brezin e tij dhe të bashkëmoshatarëve që u rritën nën diktaturë dhe u burrëruan në liri. Personazhi Besnik Mustafaj ishte betuar se pushtetin e kishte dashur vetëm për të qenë i dobishëm në zgjerimin e lirive të të tjerëve, porse në mënyrë paradoksale kishte kufizuar liritë e tij. Dhe ja ku lind pyetja: Sa i përkushtuar për të zgjeruar liritë e të tjerëve mund të jetë dikush i cili nuk ka guxim të ushtrojë liritë e veta? Edhe kësaj pyetjeje, Mustafaji i përgjigjet shterueshëm në roman. Kur ndërmerr një eksperiment të tillë, pra të ngjizësh një roman si Besniku, pasi ke kaluar pesëmbëdhjetë vite larg të shkruarit letërsi, nuk mund të jesh i sigurt se çfarë do të bësh. Sepse arratisesh nga një regjim burgosës që është politika, për t’iu nënshtruar një tjetër regjimi akoma më skllavërues, sikundër është letërsia. Besniku e kaloi me sukses tranzicionin e pushteteve brenda vetvetes. Paçin të gjithë një Rilindje si e tij!

Lope De Vega:“Qeni i kopshtarit”

Kthim në kohë
Historia e dramës “Qeni i kopshtarit” i dramaturgut spanjoll Lope De Vega, e cila u vu në skenën e Teatrit Kombëtar në vitin 1963
Untitled-5Në qytetin e Napolit, që ndodhet nën sundimin spanjoll, jeton Diana, kontesha e Beforit, e cila njihet jo vetëm për bukurinë, por edhe për urrejtjen ndaj burrave. Rivalizojnë për të markezi Rikard dhe konti Frederik, por asnjëri prej tyre nuk është i zoti ta bëjë për vete zemrën e konteshës kryelartë. Në të vërtetë, “urrejtja” ndaj burrave e Dianës, nuk është aq serioze, meqë ajo dashuron fshehur sekretarin e saj, Teodorin, i cili, duke mos marrë guximin ta shohë veten as në ëndërr, me konteshën, bën dashuri me shërbëtoren Marçela. Dianës i lind xhelozia kur e merr vesh këtë gjë, dhe vihet para dilemës: të martohet me Teodorin nuk ia lejon rangu, të mos martohet me të, s’është e zonja, sepse e dashuron marrëzisht dhe nuk mund ta shohë se si ia merr një femër tjetër. Atëherë? “Më mirë asnjëra, as unë, as Marçela!”, mendon ajo. Ky është subjekti i komedisë “Qeni i kopshtarit”, shkruar nga komediani dhe dramaturgu i njohur spanjoll Lope de Vega. E konsideruar si një nga kryeveprat e komediografisë klasike botërore, regjisorja Zina Andri, ishte njohur për herë të parë me këtë vepër, gjatë studimeve në Institutin Teatral “Lunaçarski”, dhe kur nisi punë në Teatrin Popullor të atyre viteve, mendoi ta ngjiste në skenë. Regjisorja që kishte lënë Ukrainën, vendin e saj të lindjes për të ardhur në Shqipëri, prej dashurisë, e ndjeu më afër vetes trajtimin e kësaj teme, ku një grua ndihet e tunduar nga dashuria dhe ndjen deri në dhimbje frikën e humbjes së saj. Një komedi ku përplasen situata dhe dalin në pah realitete që prej më shumë se katër shekujsh nga koha kur është shkruar vijojnë të jenë aktuale, ishte një zgjedhje e menduar me kujdes për teatrin e atyre viteve. “Qysh nga vënia në skenë e veprës së Goldonit, ‘Shërbëtori i dy zotërinjve’, mjetet e saj artistike janë pasuruar mjaft.
Olga-Shuraja-dhe-Lazer-Filipi-ne-rolin-e-kryesherbetorit
Ajo e ka konceptuar spektaklin si një tërësi organike. Domethënia ideo-artistike dhe stili i aktorit përputhen me afrimin që ajo i ka bërë në kohë veprës duke i drejtuar aktorët në një aktrim më të përditshëm nga sa mund ta përligjë, në dukje periudha e zhvillimit të ngjarjes”, shkruan në shtypin e kohës për këtë komedi regjisori Mihal Luharasi. Ishte viti 1963, kur kjo shfaqje u vu në skenë, dhe nuk ishin mbushur ende dy dekada nga krijimi i teatrit (17 maj 1945). Dy personazhet kryesore të komedisë Diana dhe Teodori luhen nga Besa Zhei dhe Naim Frashëri, aktorë të njohur të dramave të forta. Ja çfarë shkruan Luarasi në shkrimin e tij “Diana e Besa Zheit e dominon skenën me prezencën e saj: është e shkathët dhe tërheqëse, ajo e ka ndërtuar figurën duke theksuar më tepër anën egocentrike të Dianës, me një ritëm që fillon qysh në skenën e parë në gradën më të lartë të vlimit, por shpresat tona për të qeshur me situatat e saj, avullohen shpejt, sepse shqetësimi i përhershëm i konteshës, i justifikuar nga rrethanat, e çon aktoren në një nervozizëm të rënë, i cili ndofta vjen nga një keqkuptim. Ndryshimi i shpeshtë i gjendjes shpirtërore të Dianës (sjellja ndaj Teodorit) nuk rrjedh nga xhelozia dhe karakteri i saj kapriçioz, por këto të fundit janë pasqyrim i pengesave të panumërta që vështirësojnë realizimin e dashurisë së saj: pengesa brenda vetes, për të mundur fudullëkun klasor dhe jashtë saj, konvencionet shoqërore. Sepse siç e shohim në aktin e tretë, kur pengesat kapërcehen, Diana nuk është më as kapriçioze e as xheloze”. Roli i Dianës është interpretuar më parë nga aktorja Drita Pelingu, e cila sipas Luarasit kishte dhënë një Dianë më të plotë. Ndërsa aktori Naim Frashëri, i cili në atë kohë ka qenë rreth 40 vjeç vlerësohet në shtypin e kohës. “Me qenin e kopshtarit”, aktori Naim Frashëri, provoi se i ka të gjitha të dhënat për të debutuar në komedi, ndofta njësoj si në dramë dhe nuk i mbetet gjë tjetër veç të zgjidhë një problem aktoresk, jo shumë të ndërlikuar: shkathtësinë e të folurit ose fjalën “në majë të gjuhës”, siç thonë komikët. Lëvizjes së tij plastike shumë elegante, mimikës shprehëse humoristike dhe ëmbëlsisë dashurore, u qëndron pranë si njollë e pahijshme fjala e thënë ashpër, jo me lehtësinë e gjinisë. Ka skena kur ai është i plotë si Teodor. Mund të përmendim tablonë kur gënjen për së treti Marçelën dhe përpiqet që ajo ta pranojë përsëri. Teodorit, Naim këtu i shkasin lajkat lirshëm: plastika dhe të folurit janë në harmoni”. Dy nga figurat më të goditura artistikisht në këtë komedi, veçohen çifti i shërbëtorëve, Tristani i Lazër Filipit dhe Marçela e Margarita Xhepës. “Lazër Filipi, si të thuash, luan tri role në këtë shfaqje: Trosanin, ‘Tregtarin grek’ dhe ‘Vrasësin’. Me një lehtësi dhe mençuri të atillë i zgjidh problemet dhe kombinon dredhitë e veta Tristani-Lazër, sa që është e vështirë të mendohet një shërbëtor më i përsosur për Teodorin. Pa dashur aspak të bëhet i mërzitshëm me praninë e tij, ai ndodhet kudo për të ndihmuar dashnorët e zhduket si kamfori kur e do nevoja, duke lënë veshët e tij të mprehtë në vendin e ngjarjes, për të mos humbur asgjë nga ato që fliten. Humori, shkathtësi dhe elegancë janë tri vetitë kryesore të Filipit në këtë spektakël”, shkruan Luarasi. Aktorë të tjerë që interpretuan në këtë komedi janë Avni Resuli, Esma Agolli, Drita Agolli, Luan Qerimi, Mihal Stefa, Tef Pali, Ilia Shyti, Xhevat Serezi, Neki Shkaba. Dekori i skenografit atëherë të ri, Tonin Shiroka, është pritur mirë nga kritika. Historia e dashurisë së fshehtë të Dianës, këtij personazhi kaq kontrovers të dramaturgjisë spanjolle është ngjitur në skenë në vitin 1963, si për të treguar se fillimet e teatrit kanë qenë cilësorë, pavarësisht kohës…Këto janë vetëm disa rreshta të marra nga arkivat e kohës, për një shfaqje e cila është mbajtur mend gjatë nga spektatori i atyre viteve….

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...