2013-12-28

Pushimet dimërore, dëshira të parealizuara

Dëshirat e disa të rinjve kosovarë që pushimet dimërore apo të fundvitit, t’i kalojnë jashtë territorit të Kosovës, për shumicën e tyre nuk mund të realizohen për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Megjithatë, në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë disa nga ta thonë se ndonjë vikend do të kalojnë në kompleksin turistik “Brezovica” dhe në Malet e Rugovës, të tjerë nuk kanë mundësi financiare që të planifikojnë ndonjë pushim as brenda në Kosovë, e ka edhe nga ta që nuk u pëlqejnë pushimet në dimër.

Jetmir Berisha, është student në Fakultetin e Bujqësisë. Ai shpreh dëshirën e madhe për të shkuar në pushim, por pengesë për të paraqiten mjetet materiale.

“Duke marrë parasysh kushtet në Kosovë, është problem të planifikohen pushimet dimërore. Unë nuk kam planifikuar të shkoj, sepse nuk kam të ardhura. Patjetër se më pëlqejnë dhe dëshira më e madhe do të ishte të shkoj dhe të pushoj, të largohem nga jeta studentore, të qetësohem paksa, por kushtet...”, shprehet Jetmiri.

Por, disa studentë të tjerë thonë se gjatë kohës së pushimeve duhet të përgatiten për afatin e ardhshëm të provimeve. Ledion Bytyçi është njëri nga ta:

“Jemi studentë, ende nuk kemi standard. Kemi për t’u përgatitur për provime, kemi afatin e parë, unë jam në vitin e dytë dhe konsiderohet më i vështirë. Është një konkurrencë më e madhe për notë. Vendet malore që ka Kosova, janë një bukuri dhe veçohemi nga vendet tjera, por këtë vit nuk do të mund t’i vizitoj”.

Afati i provimeve paraqitet pengesë për të vizituar ndonjë vend turistik, si në Kosovë, po ashtu edhe jashtë vendit, edhe për studenten e Fakultetit të Edukimit, Nazife Preniqi.

“Unë për vete nuk i kam planifikuar pushimet dimërore. Thënë në përgjithësi, të rinjtë në Kosovë nuk kanë kushte për të shpenzuar për pushimet dimërore. Por, unë nuk mundem të shkoj për shkak të afatit të provimeve”, pohon Nazifja.
Ilustrim
Turizmi dimëror konsiderohet atraksion interesant për ata që e adhurojnë skijimin në Kosovë.

Florent Zeqiri, student në vitin e tretë në Fakultetin Ekonomik, thotë se e adhuron skijimin, por këtë vit nuk mund të vizitojë ndonjë vend për shkak të obligime që ka në fakultet. Ai tregon se shpesh ka vizituar qendrën e skijmit “Brezovica”.

“Kemi provime, nuk kemi kohë. Po të isha më i lirë nga angazhimet, me gjithë qejf do të shkoja. E dua skjimin, në ‘Brezovicë’ kam shkuar viteve të kaluara me shoqëri dhe kemi kaluar shumë mirë”, tregon Florenti.

Por, Esat Kurtishi, i cili punon në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, obligimet familjare nuk e lejojnë që t’i kalojë jashtë shtëpisë pushimet dimërore.

“Nuk do të shkoj askund. E kam një fëmijë të vogël, edhe ashtu nuk më pëlqen skijimi. Më mirë rri me familje. Edhe është shumë shtrenjtë. Kam qenë një herë në ‘Brezovicë’ dhe më kanë shkuar 50 euro për një ditë. Kjo është tepër. Edhe pse prapë po them, se kushte kam, por nuk më krijon kënaqësi. Këtu është problemi, duhet të qëndroj me familje”, thotë Esati.

Blerta Kastrati, 25-vjeçare, është e papunë, kështu që nuk ka mundësi të bëjë plane për ndonjë pushim dimëror.

“Kam dëshirë të shkoj, por jam e papunë dhe nuk kam mundësi. Kështu që, as nuk planifikoj ndonjëherë pushime dimërore”, thekson Blerta.

Por, ndryshe nga ta, Zaim Latifi, me padurim pret datën 28 të këtij muaji, që të shkojë në Bogë me shokë. Ai, duke qeshur thotë se nuk punon dhe mjetet financiare do t’i marrë nga prindërit, përndryshe do të qëndronte më gjatë, jo tri ditë sa kanë planifikuar.

“Në Bogë po shpresojmë, kushtet janë të mira. Shpenzimet do të paguhen nga familja”, thotë Zaimi.

Fatmire Selimi, studente në Fakultetin Juridik, thotë se janë organizuar me disa kolegë të fakultetit, që një vikend ta kalojnë duke u skijuar.

“Do të bëjmë ndonjë organizim me universitet. Nuk jemi duke punuar, por kemi mundësi të shkojmë dhe në këtë mënyrë t’i realizojmë dëshirat tona”, tregon Fatmirja.

Nadie Ahmeti
nadie.ahmeti@gmail.com
Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

A ka korrupsion në Universitet?

Ditëve të fundit në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina” ka pasur arrestime, pezullime dhe shkarkime, nën dyshimet për afera korruptive.

Në këtë valë të fundit të shpërfaqjes së dyshimeve për korrupsion, mediat e shkruara në Kosovë kanë publikuar mesazhe telefonike të disa personave, të cilët dyshohet se kanë bërë pazar me provime dhe regjistrime në disa fakultete.

Por, se çka mendojnë studentët dhe të rinjtë lidhur me pazaret që po bëhen në Universitet, flasin ata vetë për rubrikën e përjavshme “VOX”, të Radios Evropa e Lirë.

Berat Hasani, student i vitit të dytë në degën Biznes Ndërkombëtar, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirës, thotë se Universiteti i Prishtinës e ka humbur kredibilitetin e tij, duke e marrë parasysh se tashmë po dihet që ka korrupsion brenda tij. Por, Berati thotë se atij personalisht nuk i ka ndodhur që dikush t’i kërkojë të holla brenda Universitetit.

“Jam student në vitin e dytë, Biznes Ndërkombëtar. Po ma merr mendja që i ka humbë kredibiliteti, për shkak të korrupsionit. Mendoj se studentët janë vetëdijesuar, edhe i shohin pak më larg gjërat. Unë personalisht nuk e kam pasur rastin të më kërkojnë të holla”, thotë Berati.

Studentja e Fakultetit Juridik, Florina Morina, mendon se besimi i opinionit në Universitetin e Prishtinës ka humbur për 60 për qind, pasi që tashmë po dihet që ka korrupsion brenda institucioneve:

“Po duket që ka korrupsion, sidomos pas ngjarjeve të fundit që ndodhën. Mendoj që deri në 60 për qind e ka humbur besimin, jo vetëm Fakulteti i Mjekësisë, por mendoj se gjithë universiteti e ka humbur kredibilitetin”.

Aferat korruptive në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina” konsiderohen veprime të dëmshme, dëme këto, që sipas ekspertëve të arsimit janë edhe të pariparueshme.

Një tjetër qytetar, i cili nuk deshi t’i bëhej publik emri, thotë se raportimet rreth dyshimeve për korrupsion në universitet, ndikojnë negativisht te qytetarët, meqë konsiderohet institucion edukativ, institucion ku njeriu ngrihet profesionalisht:

“Rastet, në të cilat raportohen për shkelje të çfarëdo natyre qofshin, në procesin edukativ, në procesin e lartë të arsimit, e humbin kredibilitetin, sepse në mendjen e secilit qytetar, institucionet e arsimit portretizohen si institucionet për t’i edukuar gjeneratat dhe për t’i ngritur profesionalisht, por edhe për t’i luftuar d dukuritë e tilla. Prandaj, raportet si këto, që kanë dalë ditëve të fundit, lidhur me disa ngjarje në Fakultetin e Mjekësisë, si dhe në disa fakultete të tjera ndikojnë dukshëm negativisht në imazhin e institucionit të arsimit të lartë, siç është universiteti”.
Ilustrim
Edhe Valdete Kastrati, studente në Fakultetin Ekonomik, mendon se gjithmonë në Universitete ka pasur padrejtësi dhe korrupsion.

“Unë gjithmonë kam menduar që ka dallavere në universitet, për regjistrime, blerje të notave. Por, tash, me ngjarjet e fundit që ndodhën dhe u bënë publike, mendoj se është degraduar, shumë duke filluar prej dekanatit, e deri te profesorët e asistentët”, pohon Valdetja.

Ndryshe, Agjencia Kosovare Kundër-korrupsion, është mekanizëm që merret me luftimin e dukurisë së korrupsionit. Drejtues në këtë agjenci thonë se kanë pasur disa raste të ngritjes së kallëzimeve penale që ndërlidhen me Universitetin e Prishtinës.

Lufta kundër korrupsionit është një nga sfidat më serioze përballë institucioneve të Kosovës, të cilat jo rrallëherë thonë se ndaj kësaj dukurie do të ketë zero tolerancë.

Për ta adresuar këtë fenomen, janë themeluar disa mekanizma, që për synim kanë parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie në shoqërinë kosovare.

Mendimin e saj rreth çështjes së aferave korruptive e jep edhe Tina, studente e Gazetarisë.

“Më herët kam dashur të studioj në Universitetin e Prishtinës, por për arsye të ndryshme nuk kam arritur dhe kam shkuar në universitet privat. Por, tash po e shoh që ai nuk ka ndonjë nivel dhe nuk ka ndonjë ndryshim, pasi që në UP po shihet që edhe asistentët mund të vendosin për nota të studentëve, e paramendojeni tash kur ata marrin vendime për studime të studentëve, dihet se çfarë hije e zezë i është dhënë universitetit. Edhe ashtu, UP-ja në disa gara që janë mbajtur me vendet e rajonit, ka dalë diku i 10-ti. Ngjarja e fundit që ka ndodhur, po e argumenton nivelin e studentëve dhe mësimdhënësve që punojnë në Universitetin e Prishtinës”, shprehet Tina.

Në raportin e fundit të “Transparency International”, organizatë kjo e cila merret me Indeksin e Perceptimit mbi Korrupsionin, Kosova ka shënuar ngecje, duke rënë nga pozita e 105-të, në atë të 111-të.



Ariana Kasapolli - Selani
arianakasapolli@gmail.com
Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

BE s’e ka kushtëzuar Serbinë me njohjen e Kosovës

Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Michael Davenport, ka thënë se në negociatat Serbi-BE, në raport me Kosovën, kusht do të jetë normalizimi dhe jo njohja e pavarësisë së Kosovës.

Në një intervistë për gazetën beogradase “Novosti”, Davenport ka thënë se dispozitat për normalizimin e përgjithshëm dhe marrëveshja ligjore detyruese do të jenë shumë të rëndësishme në procesin negociues.

Michael Davenport

I pyetur se cila do të jetë përmbajtja e marrëveshjes detyruese ligjore, ai ka thënë se ajo duhet të reflektojë të gjitha çështjet lidhur me normalizimin gjithëpërfshirës.

“Njëra nga fushat kryesore është respektimi i marrëveshjes Beograd-Prishtinë se nuk do të bllokojnë njëra-tjetrën për në BE”, ka thënë Davenport.

Serbia doli e shpërblyer nga negociatat


Arton Konushevci


Deputetët e Kuvendit e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë vazhduar të kritikojnë Qeverinë e Kosovës lidhur me vazhdimin e bisedimeve me Serbinë.

Deputeti Rexhep Selimi, nga ky subjekt politik, duke folur për përparimet e Serbisë për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian, tha se këto bisedime janë një proces që e afrojnë Kosovën me afër Serbisë dhe Serbinë më afër Evropës.

Selimi tha po ashtu se si rezultat i negociatave dhe i marrëveshjeve Thaçi-Daçiq, Serbia mori datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa institucionet e Serbisë po legalizohen në Kosovë.

“Ju deputetët, nga cilido grup parlamentar që i keni mbështetur këto negociata me votën tuaj, të vetëdijshëm apo jo, jeni ata që falë mbështetjes suaj, kryeministri negocioi me Daçiqin dhe falë këtyre negociatave Serbia mori shpërblimin”.

“Bashkimi Evropian ka mbivlerësuar përparimet që Serbia ka bërë në dialogun me Kosovën, duke i ofruar si shpërblim nisjen e negociatave për anëtarësim. Kështu ju, ia dhatë amnistinë Serbisë, asaj që mbi kurriz mban barrën e krimeve më të rënda kundër njerëzimit, e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë”, tha Selimi.

Deputeti Selimi theksoi se para nisjes së negociatave u propagandua se në dialog do të bisedohet për të pagjeturit shqiptarë të zhdukur nga forcat e Serbisë në luftë.

Por siç tha ai, “jemi dëshmitarë askush s’i përmendi kurrë në asnjë tryezë në Bruksel”.

“Rastësisht apo jo, asfalti dhe objekti mbi trupat e shqiptarëve në Serbi i përkiste një ndërmarrje që quhej ‘Kosmet-Put’ që në shqip do të thotë ‘Rruga Kosmet’, apo ‘Rruga Kosova’. E pra, e di apo nuk e di BE-ja se nëpër çfarë rruge po i afrohet Serbia asaj, Kosmet-Put quhet rruga e Serbisë drejt Evropës, rrugë e cila kalon mbi eshtrat e shqiptarëve të vrarë e të fshehur”, u shpreh Selimi.

Selimi, duke kritikuar kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se “ai nuk flet me Daçiqin për t’i kthyer trupat dhe eshtrat e shqiptareve por për kthimin e policëve serbe të MUP-it (Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë) në Policinë e Kosovës”.

Sipas tij, kryeministri kosovar do të duhej të kërkonte nga Brukseli hapjen e Kosovës e cila është kthyer në një vend të izoluar në mes të Evropës.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri tha se nga ajo që shihet, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më shumë i ka ndihmuar Serbisë se sa Kosovës që të afrohet me Bashkimin Evropian.

“Për mendimi tonë nuk është Serbia ajo që i ka kryer të gjitha obligimet për të merituar këtë shpërblim – këtë hapje të mundësisë për integrim. Ne mendojmë që Serbia nuk është duke i kryer ato obligime si do të duhej të kryhen”, u shpreh Beqiri.

Ai shtoi se Kosova dhe qytetarët e saj e meritojnë që të jenë të barabartë si gjithë qytetarët që jetojnë në Evropë.

“Pak kemi parë që Kosova realisht është përkrahur, karshi asaj se si është sjellë gjatë dialogut dhe ne mendojmë se ky është të mos them një dënim, por realisht një vlerësim jo i drejt për Kosovën dhe qytetarët e saj”, vlerësoi Beqiri.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se viti 2013 ka qenë vit evropian për shtetin e Kosovës.
Qeveria e Serbisë
“Zhvillova takimin përfundimtar, për vitin 2013, me përfaqësuesin ne BE-së në Kosovë, zotin Zhbogar dhe gjithë ambasadorët e vendeve të BE -së në Kosovë. Viti 2013 për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj ishte viti i konsolidimit dhe forcimit, i rritjes stabile ekonomike, i njohjeve të reja, i anëtarësimit në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare dhe organizimit të zgjedhjeve të lira të standardit më të lartë demokratik, për herë të parë me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe në gjithë territorin e Republikë së Kosovës”.

“Të gjithë kryetarët do të punojnë me ligjet e Republikës së Kosovës. Viti 2013 shënon edhe fillimin serioz dhe konkret të normalizimit të marrëdhënieve midis shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, edhe pse ka mbetur ende shumë për t’u implementuar. Ishte konkludim i përbashkët se viti 2013 ishte vit evropian për shtetin e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Në anën tjetër, analistë politikë në Kosovë, kanë deklaruar se Kosova nuk arriti të përfitojë nga dialogu me Beogradin, qoftë në integrimin e veriut të Kosovës, apo edhe përmbylljes së subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Ndryshe, në konkluzionet e BE-së për Serbinë, thuhet se para hyrjes së saj në BE, ajo duhet të nënshkruajë një dokument obligues ligjor për rregullimin e raporteve me Prishtinën.



Arton Konushevci
arton.konushevci@gmail.com
Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.

Serbisë BE-ja, Kosovës status quo-ja


Zijadin Gashi


Bashkimi Evropian ka mbivlerësuar përparimet që Serbia ka bërë në dialogun me Kosovën, duke i ofruar si shpërblim nisjen e negociatave për anëtarësim, vlerësojnë analistët politikë në Prishtinë.

Në anën tjetër, Kosova, sipas tyre, nuk arriti të përfitojë nga dialogu me Beogradin, qoftë në integrimin e veriut të Kosovës, apo edhe përmbylljes së subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Në konkluzionet e BE-së për Serbinë thuhet se para hyrjes së saj në BE, ajo duhet të nënshkruajë një dokument obligues ligjor për rregullimin e raporteve me Prishtinën.

Mirëpo, një konkluzion i tillë, nga analisti Ilir Deda konsiderohet jo shumë i dobishëm, pasi që dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sipas tij, pritet që të ketë një marrëveshje të dytë normalizimi brenda një afati më të shkurtër kohor sesa ajo që parashihet në konkluzionet e Brukselit.

“Afati kohor, të cilin e ka miratuar Këshilli Evropian është shumë i vonshëm për Kosovën, sepse Kosova nuk i ka edhe tetë apo dhjetë vjet që të presë të nënshkruajë marrëveshjen substanciale për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Ajo marrëveshje duhet të nënshkruhet sa më shpejt që t’i hapë dyer përfshirjes në OKB dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare Kosovës dhe fitimit të legjitimitetit të plotë ndërkombëtar”, thotë Deda për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe politike mendon se Brukseli është ngutur me përshpejtimin e rrugës së Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian.

Serbia, sipas tij, nuk ka zbatuar obligimet e Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Dhënia e datës Serbisë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian përbën një hap të ngutshëm të Këshillit të Bashkimit Evropian, meqë, jo thjesht në kuptimin e substancës, por as në kuptimin simbolik, Serbia nuk ka zbatuar detyrimet themelore që dalin nga Marrëveshja e 19 prillit, përfshirë këtu edhe heqjen e barrikadës mbi urën e lumit Ibër. Serbia ende qëndron larg zbatimit të detyrimeve që ka në raport me Kosovën”, deklaron për Radion Evropa e Lirë, Korenica.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka qenë vendimtar për konkluzionet e arritura në Bruksel.

Sipas analistit Ilir Deda, dialogu që Bashkimi Evropian ka ndërmjetësuar në krijimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, megjithatë i ka shkuar në dobi palës serbe.

Përmes këtij procesi, ai vlerëson se Serbia arriti të ruajë ndikimin në veri të Kosovës dhe të afrohet me procesin integrues në BE, përderisa Kosova vazhdon me status quo-në dhe veriun e trazuar.


“Ajo çfarë ka bërë BE-ja, është se e ka shtyrë status quo-në e Kosovës për dekadën e ardhshme, nuk ia ka dhënë rrugën e qartë të integrimit evropian Kosovës, por normalisht ka ndodhur ajo që e kemi thënë tërë këto vjet se nëpërmjet këtij dialogu, Serbia po afrohet me BE-në e Kosova as nuk po afrohet me BE-në, e as me Mitrovicën e veriut”, thekson Deda.

Në anën tjetër, analisti Fisnik Korenica nuk sheh ndonjë dobi të madhe nga konkluzionet e Brukselit se avancimi i Serbisë në raport me integrimin në Bashkimin Evropian do të monitorohet me përparimet e këtij vendi në raport me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Në këtë stad aktual që ndodhet Serbia, Këshilli vetëm se e mori vendimin dhe konstatoi se Serbia ka bërë progres të mjaftueshëm dhe nëse për BE-në ky qenka progres i dukshëm, unë konsideroj që edhe nëse do të ketë një monitorim të mëtutjeshëm, nuk do të jetë i tillë që do ta detyronte Serbinë që të veprojë ndryshe në raport me Kosovën dhe të ndryshojë këtë pozicion që unë mendoj se është shumë i dëmshëm ndaj Kosovës dhe që s’ka të bëjë aspak me normalizim”, konsideron Korenica.

Përderisa analistët politikë nuk po shohin ndonjë dobi të Kosovës nga dialogu me Serbinë, kur bëhet fjalë për avancimin e saj në raport me integrimin në Bashkimin Evropian dhe kryesisht po e vlerësojnë këtë si një proces në favor të Serbisë, autoritetet në Prishtinë mbeten të përkushtuara të vazhdojnë bisedimet me Beogradin.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka konfirmuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, baroneshën Catherine Ashton.

”U dakorduam që nga fillimi i vitit të ri të intensifikohet angazhimi për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, si parakusht për të ardhmen evropiane të Kosovës, Serbisë dhe rajonit”, ka shkruar ndër tjera Thaçi në Facebook.

Ndërkaq, në adresimin vjetor para Kuvendit të Kosovës, presidentja Atifete Jahjaga kishte deklaruar se BE-ja duhet të kushtëzojë përparimet e integrimit të Serbisë në BE, me zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Zijadin Gashi
zijadin.gashi@gmail.com
Zijadin Gashi, i lindur më 01 janar 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001.

Nadie Ahmeti-Barrierat e të qenët femër

Gratë në Kosovë përballen me barriera nga më të ndryshmet, duke filluar nga dhuna fizike, e deri te pozita jo e kënaqshme në vendimmarrje, si në nivelin qendror, po ashtu edhe atë lokal, thonë përfaqësuese të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave.

Barrierat në këtë fushë, sipas tyre, burojnë nga mentaliteti patriarkal.

Sfidë she ngecjen edhe gjatë këtij viti, përmendet moszbatimi i ligjeve për këtë çështje, të miratuara vite më parë në Kuvendin e Kosovës.

Viti 2013 ka sjellë disa përparime, por ka pasur shumë sfida në përparimin dhe ngritjen e pozitës së gruas, konsideron Arieta Rexhaj, nga Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore
Ilustrim
Rexhaj thotë se që nga krijimi i institucioneve të Kosovës, janë miratuar shumë ligje që kanë të bëjnë me barazi gjinore, por që nuk zbatohen, e shqetësim, sipas saj, mbetet se nuk ka mekanizma që monitorojnë këto shkelje.

“Duke filluar nga aspekti shoqëror, social, kulturor e deri te pozitat vendimmarrëse, me të cilat jemi përballur gjatë gjithë kohës, me atë pak numër të grave që kemi në pozita vendimmarrëse. Kjo, ngase fuqizimi i gruas në politikë, ose në pozitat vendimmarrëse, është parakusht për fuqizimin e gruas në të gjitha sferat e jetës”, thotë Rexhaj.

Sidoqoftë, në Kosovë, ekziston Ligji për barazi gjinore, ligj ky i cili obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në proceset vendimmarrëse, por ato thonë se ky ligj nuk zbatohet ashtu siç parashihet.

Në pozita vendimmarrëse në Kosovë është presidentja, një zëvendëskryeministre, një ministre dhe tashmë së fundmi një kryetare komune.

Luljeta Vuniqi, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, përveç se nuk është e kënaqur me pozitën e grave në vendimmarrje në nivel qendror, ajo konsideron se zhgënjim i radhës kanë qenë zgjedhjet komunale ku një numër i vogël i grave janë kandiduar nga partitë politike.

“E qartë është se ne duhet të kemi vetëm një kryetar-e, mirëpo mund të kemi më shumë ministre, kryetare të komunave. Faktikisht, zhgënjim i radhës ka qenë në zgjedhjet e kaluara lokale, ku vetëm një numër i vogël i grave u kandiduan nga partitë politike. Dhe, si rezultat, kemi një kryetare të komunës”.

“Gjithsesi, është e rëndësishme që të kemi një kryetare e komunës dhe të thyhet ajo barriera që ka mundësi që gratë të jenë udhëheqëse në nivel komunal”, thekson Vuniqi.

Por, Arieta Rexhaj thotë se pozita e gruas është në nivel të duhur vetëm ku ekzistojnë kuotat e obligueshme, siç është kuota prej 30 për qind të grave në Kuvendin e Kosovës.

Kurse, në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, thotë ajo, nuk plotësohet 40 përqindëshi ashtu siç kërkohet me ligj.

“Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore do të vazhdojë edhe në vitin 2014, që të punojë konkretisht në rritjen dhe avancimin e barazisë gjinore, në zbatimin e ligjit për barazi gjinore që të kemi gra, jo vetëm të mbështetura në kuota, siç është kuota e 30 për qindëshit, por të kemi kuotën dhe kualitetin në të gjitha institucionet dhe instancat e Qeverisë së Kosovës”, shprehet Rexhaj.

Përveç moszbatimit të ligjeve, Luljeta Vuniqi përmend disa probleme që rëndojnë jetën e të qenët femër në Kosovë.

“Vazhdon dhuna ndaj gruas, vazhdon të jetë çështje dhe sfidë shumë e madhe. Heqja dorë nga trashëgimia e vetë grave, si rezultat i normës tradicionale, ku trashëgimtarë janë vetëm djemtë në familje".

"Gjithashtu, një sfidë shumë e madhe në nivel vendi, është niveli i lartë i papunësisë. Gratë janë më të papuna dhe të më të paarsimuara në Kosovë. Vazhdon ky trend negativ që shumëfish e rëndon jetën e grave dhe vajzave të reja në Kosovë”, shton Vuniqi.

Dramatike sa i përket dhunës në familje, sipas Arjeta Rexhaj, janë rastet e humbjes së jetës së grave nga dhuna që është ushtruar nga bashkëshortët e tyre.

Nadie Ahmeti

Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Nadie Ahmeti :Feride Rushiti: Në burgje ka edhe çmimore për narkotikët


Dhuna fizike nuk është e pranishme në burgjet e Kosovës, siç ishte më herët, por ka kontrabandim të celularëve e narkotikëve, tha për Radion Evropa e Lirë, Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Feride Rushiti

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Rushiti, kushtet që mbretërojnë sot në burgjet e Kosovës, kanë qenë temë diskutimi jo rrallëherë në opinion. Këtu nuk është përjashtuar as çështja e dhunës fizike, që mund të jetë ushtruar ose jo në burgje, apo edhe qendra korrektuese. Keni ju informacione mbi këtë çështje?

FERIDE RUSHITI
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, bashkërisht edhe me organizata të tjera dhe me institucionin e Avokatit të Popullit,
monitorojnë sistemin korrektues të Kosovës, po ashtu edhe qendrat e ndalimit apo stacionet policore, si dhe shëndetit mendor që nga viti 2006 dhe del me raporte vjetore.

Fatmirësisht, mund të themi, që për dallim prej viteve të mëhershme ose ndoshta vitit 2007- 2008, tani dhuna fizike nuk është element që dominon në sistemin korrektues të Kosovës. Megjithatë, mund të ketë ndonjë rast sporadik, të izoluar, mirëpo nuk është dukuri, e cila i përcjell këto institucione.

RADIO EVROPA E LIRË
Në burgjet e Kosovës, gjithashtu thuhet se ka kontrabandim të telefonave celularë, substancave narkotike, e në disa raste edhe të armëve. A mund t’i konfirmoni këto pohime?

FERIDE RUSHITI
Siç e dini edhe ju, si medium, edhe mediumet tjera e kanë potencuar që ka edhe armë edhe mjete narkotike, edhe telefona komunikues, kështu që ne gjatë vizitave tona monitoruese nuk mund t’i investigojmë rastet, mirëpo ka pohime nga të burgosurit që ka edhe lëndë narkotike. Madje, kanë edhe çmimoren sa qarkullojnë, dihen edhe pavijonet se cilat janë ato më problematiket dhe mund të themi se thuhet që ka mjete narkotike.

Po ashtu, edhe për mjete komunikimi apo telefona, ka, pasi që edhe neve vetë si monitorues, kohë pas kohe ata na thërrasin dhe na shqetësojnë për çështje të caktuara. Kështu që, sipas pohimeve të të burgosurve dhe sipas kontakteve direkte, mendojmë që po.

RADIO EVROPA E LIRË
Po cilat janë ato pavijone, siç thoni ju, më problematiket?

FERIDE RUSHITI
Zakonisht janë pavijonet që kanë regjim standard apo regjim bazik, që nuk është pavijon me privilegje. Zakonisht, mbahen të burgosurit, të cilët vijnë në fillim, pastaj ata të cilët mund të kenë thyer rregullin e brendshëm, është Pavijoni 5, Pavijoni 3, që janë pavijonet më të diskutueshme në raport me gjetjet që i përmenda më herët - është fjala për Burgun e Dubravës.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni ndonjë kufi ligjor gjatë vizitave në Qendrat korrektuese apo të paraburgimit?

FERIDE RUSHITI
Qendra Kosovare për të Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës që nga viti 2008 ka lobuar për krijimin e mekanizmin kombëtar për parandalimin e torturës, mekanizëm ky i cili rrjedh nga protokolli shtesë i Konventës së OKB-së kundër torturës. Mirëpo, siç e dimë, Kosova nuk është nënshkruese e as ratifikuese e kësaj konvente, po ne si shoqëri civile, bashkërisht me KMDLNJ-në dhe institucionin e Avokatit të Popullit, kemi bërë një marrëveshje mirëkuptimi, me të cilën si trupa të përbashkët, bëjmë vizita.

Ndërsa, veçmas ne kemi një marrëveshje mirëkuptimi me Ministrinë e Drejtësisë, pastaj me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë, dhe atë për Punë dhe Mirëqenie Sociale që t’i vizitojmë këto institucione me paralajmërim.

Po e them me paralajmërim, pasi që institucionet korrektuese, të cilat menaxhohen nga Ministria e Drejtësisë, janë institucione që vizitohen me paralajmërim. Kurse, për dallim prej stacioneve policore, të cilat menaxhohen nga ministritë e tjera, ne kemi arritur që të sigurojmë qasje pa paralajmërim, domethënë ne mund të jemi aty 24 orë, varësisht prej mundësive që ne si organizatë i kemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas mundësive, sa herë në javë apo në muaji, në çfarë periudhe kohore bëni vizita?

FERIDE RUSHITI
Zakonisht vizitat dallojnë për kah karakteri, domethënë ka vizita të rregullta apo sistematike që quhen, e që kanë karakter pak më afatgjatë kur vizitohet Burgu apo Qendra korrektuese e Dubravës që është ndër qendrat më të mëdha dhe është indikator për të gjitha qendrat tjera korrektuese, vizita do të jetë 3 ditë, do të jetë prej një ekipi multidisiplinar, i përbërë prej 5 apo 6 vetëve, kështu që kjo merr kohë më shumë.

Kurse, për vizitat e tjera, mund të jenë vizita ad-hoc, për shembull kemi informacion që po ndodh atje një shkelje apo kemi telefonatë nga i burgosuri apo familjari vetë dhe ne i informojmë institucionet korrektuese dhe shkojmë.

Vizitat bëhen kryesisht në baza mujore, dymujore, varësisht prej problematikës që e trajtojmë. Kështu që, jemi munduar që të gjitha qendrat të paktën dy herë brenda vitit i vizitojmë, por megjithatë ka pasur raste që janë vizituar më shpesh për shkak të problematikave që kanë pasur.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë telashet më të mëdha, sipas jush, në sistemin e paraburgimit, shkeljet të cilat ju si organizatë keni vërejtur?

FERIDE RUSHITI
Te paraburgimi, padyshim infrastruktura është një shqetësim që mbetet, por na gëzon fakti që edhe tani Qendra e paraburgimit në Gjilan është duke u ndërtuar dhe së shpejti edhe ajo do të jetë një qendër e re ku të paraburgosurit mund të vendosen në mënyrë të njerëzishme, për faktin se kushtet, të cilat ata tani i kanë pothuajse shumica e dhomave kanë probleme qoftë nga lagështia, ventilimi, ndriçimi. E njëjtë është edhe Qendra e Prishtinës.

Mos të harrojmë se Qendra e Prishtinës ka një infrastrukturë të atillë që është torturuese vetëm nga ana vizive e saj, po edhe për Prishtinën është menduar të krijohet një qendër e re paraburgimi, e cila do t’i kënaqte nevojat e të paraburgosurve, po ashtu, edhe të sistemit korrektues.

Pikë kryesore, e cila është problematike për Qendrën e paraburgimit është mbipopullimi. Mbipopullimi e ka karakterizuar këtë institucion edhe vitin e kaluar, e edhe këtë vit, ç’gjë paraqet problem për faktin që shumë herë është dashur që edhe të burgosurit edhe të paraburgosurit ta ndajnë qelinë - që është thyerje e të drejtave të njeriut për faktin që të burgosurit duhet të kenë një sistemim dhe trajtim krejt tjetër prej të paraburgosurve.

Kështu, shumë herë të paraburgosurit janë detyruar t’i dërgojnë edhe në Burgun e Dubravës, sepse këto qendrat tjera nuk kanë mundur t’i strehojnë. Pastaj, në Qendrën e paraburgimit në Lipjan, të paraburgosurit ka pasur raste të flenë në dyshekë edhe gjatë periudhës së dimrit kur është ftohtë dhe ka lagështi etj. Pra, mbipopullimi ka qenë dhe mbetet ende një sfidë për sistemin korrektues të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A merren parasysh rekomandimet tuaja nga autoritetet kompetente?

FERIDE RUSHITI
Po, mund të them se tashmë si organizatë, edhe ne, edhe KMDLNJ-ja edhe Avokati i Popullit, kemi dalë çdo vit me raport publik që i ka potencuar gjetjet dhe njëkohësisht edhe rekomandimet. Dhe, na gëzon fakti që tashmë ne kemi arritur të krijojmë një dialog konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe të mos shihen raportet tona si diçka kritikuese, si diçka tendencioze, por të merren seriozisht nga këto institucione dhe të jetë një burim alternativ për mënyrën se si funksionojnë këto sisteme - qoftë shërbimi korrektues, qoftë shërbimet e tjera të cilat ne i monitorojmë.

Dhe, pa dyshim, mund të them lirisht që tani rekomandimet edhe implementohen po edhe është arritur të shihet një progres në qoftë se flasim në vija afatgjata, kur ne kemi filluar t’i monitorojmë këto shërbime.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...