2014/12/07

Lufta e ftohtë mes Ramës e Metës mban lart grafikun e korrupsionit


Në një bashkëqeverisje pa kokëçarje për shkak të numrave të bollshëm në parlament, Rama e Meta duket se tani mendojnë më shumë për të ardhmen se qeverisjen aktuale. Ndërsa e kanë mbledhur mendjen se ky mandat qeverisës do shkoj lëmuar, falë suportit të madh parlamentar, ata nuk e kanë të qartë si do jetë e nesërmja (pas tre vjetësh). 

PS nën Ramën morri 65 mandate më 23 qershor, aq sa kishte marrë në zgjedhjet e 2009-s, zgjedhje që Rama i pat deklaruar të manipuluara nga Berisha. Në dy palë zgjedhje radhazi, si në ditën më të mirë (23 qershor 2013) ashtu dhe më të keqen (28 qershor 2009) kemi të njejtin rezultat, që nënkuton se PS nën Ramën s'mund të marrë më shumë se 65 mandate. Kjo përbën minus serioz të lidershipit të tij, pasi pushtetin se mban dot pa Metën.

Për të evituar këtë destinim, Rama që në fillim të mandatit qeverisës (vjet), përpiloi me shpejtësi të ashtuquajturin ligj të territorit për të krijuar disa zona elektorale ekstra në favor të PS-së për zgjedhjet e 2017-s.

Megjithëse ligji u duk se godiste PD-në, në fakt synonte më shumë të krijonte pavarësi nga Ilir Meta në zgjedhjet e ardhshme, duke deklaruar kështu de facto luftën e ftohtë Rama vs. Meta.

Natyrisht Meta e ka të qartë se ligji synon evitimin e LSI-së nga aleanca e ardhshme me PS-në. Si kundërpërgjigje Meta ka zgjedhur strategjinë e distancimit të heshtur nga qeverisja agresivo-aventurore e Ramës, për të mënjanuar implikimin, element ky që nënkupton se lufta e ftohtë mes tyre është një realitet tashmë që mund të përshkallëzohet nga mesi ose fundi i këtij mandati. Është evidente se Meta synon diskretitimin e Ramës si kusht për të sjellë dështimin.

Në këtë linjë konflikti është edhe grafiku i lartë i korrupsionit në vend, siç u pasqyrua së fundi nga "Transparency International", që nënkupton se njerëzit e LSI-së në shtet (në çdo nivel, edhe në gjykata që përbëjnë rreth 30%) vijojnë të pa-trazuar cënimin e parasë së qytetarëve, siç bënin edhe në qeverinë Berisha derisa e kolapsën.

Në Serbi nuk shihet ç'thua ditën, por ç'bën natën (Rama dakort për konfederatë)


ballkani perendimor
Në ditët në vijim gjërat do vijojnë të zbardhen, ndoshta nga veprime indirekte, por duket se vizita e Ramës në Serbi s'ka qenë aq kot, aq pa protokoll, apo aq historike siç propogandohet. Duket se çdo gjë është kurdisur më parë, kalkuluar e përpunuar deri në detaje, dhe të dy palët mund të jenë pjesë e lojës.
Mënyra si Rama "recitoi", kur u pyet për Kosovën, ndoshta s'ishte fare e rastësishme, gjërat mund të kenë qenë të inskenuara. Gjithashtu, dhe reagimi gjoja indinjues i kryeministrit serb ndoshta ka qenë në këtë linjë (luajti pjesën).
Ashtu siç është nënkuptuar, vizita e Ramës në Serbi u ideua në të ashtuquajturën Konferencë të Berlinit (dy-tre muaj më parë), pavarësisht se kurrë nuk u zbardh pse dhe qysh duhej vizita në fjalë. Gjithashtu, pas asaj konference filloi të përdoret një terminologji tjetër anëtarësimi për vendet e pa-anëtarësuara të Ballkanit në BE. Ato nuk etiketoheshin më individualisht, por në grup, si të ashtuquajturat "vende të Ballkanit perëndimorë".
Duket se Serbia ka kërkuar një garanci nga lidershipi shqiptar që Kosova nuk do bashkohet me Shqipërinë, dhe këtë ja dha Rama me pashë në Beograd, kur tha se Kosova është shtet i pavarur dhe kjo s'do ndryshoj, dhe se shteti shqiptar s'është për Shqipërinë e Madhe, por për anëtaresim te shqiptarëve në BE.
Me ç'duket Serbia nuk indinjohet aq shumë nëse Kosova egziston si shtet i pavarur, por nëse ajo bashkohet me Shqipërinë, dhe këtë shqetësim ja hoqi Rama tashmë.
Nga ana tjetër, duket se s'është vetëm thashethem tani, por mund të jetë kristalizur në letër (e praktikë), nga anëtarë të caktuar të BE-së, futja e "vendeve të Ballkanit perëndimorë" si një tërësi në BE, në formën e një konfederate. Qëndrimi i BE-së në këtë aspekt synon të evitoj grindjet pa-fund për territore kufitare të këtyre vendeve, dhe bashkimi në një konfederatë, me premtimin se do anëtarësoshin menjëherë në BE, mund ti joshte popujt e dëshpëruar të "Ballkanit perendimorë" (Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi e Bosnjës...
Për sa më lart duket se u bë vizita e Ramës në Serbi. Ditët në vijim do zbardhin gradualisht këtë "projekt"...

Rreziqet ndaj Euro-Atlanticizmit (Po Shqipëria dhe Shqiptarët?)


 nga Frank Shkreli


frank_shkrel.jpg
Javën që kaloi në Washington u mbajtë një konferencë e organizuar nga Qëndra për Analiza të Politikës Europiane ku morën pjesë akademikë, ekspertë të çështjeve dhe politikës europiane, diplomatë të huaj dhe amerikanë.
Forumi i gjashtë i këtij enti iu kushtua sigurisë në Europë, përfshirë rolit të NATO-s si dhe gatishmërisë së vendeve europiane, sidomos vendeve ish-komuniste, tani anëtare të NATO-s, për të luajtur rolin që u takon në këtë moment të historisë, e që u cilësua si periudha e "krizës më serioze të sigurisë në Europë në disa dekada."
Debatues të ndryshëm theksuan, sidomos politikën e ashpër anti-perëndimore dhe revizioniste që ka ndjekur Rusia e Putinit -- përfshirë edhe sulmin rus kundër Ukrainës -- që sipas ekspertëve, për arsye të ndryshme, por kryesisht ekonomike, ka shkaktuar tensione të mëdha edhe në radhët e Aleancës së Atlantikut.  Politika e Kremlinit, e cila përfshinë forcën ushtarake, propagandën, presionet ekonomike, diplomacinë dhe subversionin ndaj shteteve fqinje, sipas disa pjesëmarrësve në atë forum, po kërcënon sigurinë anë e mbanë Europës, me qëllim për të rivendosur hegjemoninë ruse në Europën Lindore ish-komuniste.  Konferenca vuri në dukje rolin e NATO-s në Europë gjatë  luftës së ftoftë dhe gjatë 25 viteve të fundit ç'rej shëmbjes së komunizmit, por u theksua gjithashtu fakti, se siç duket në Europën post-komuniste po zbehet kujtesa e luftës së përbashkët kundër komunizmit, si dhe e rolit që dikur luante Amerika në punët europiane. Folës të ndryshëm, ekspertë të politikës dhe të marrëdhënjeve amerikano-europiane ngritën një numër çështjesh që prekin lidhjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës, si dhe rolin që duhet të luaj Aleanca e Atlantikut, NATO, në shekullin e 21-të.  Përballë kësaj situate të pasigurtë në marrëdhënjet europiane dhe ndërkombëtare, konferenca e Washingtonit, javën që kaloi, çka është edhe me keq, theksoi gjithashtu se ndjenjat anti-amerikane në Europë, për një numër çështjesh, janë në rritje e sipër.
Ekspërtë të ndryshëm, akademikë dhe përfaqsues të qeverive të ndryshme nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë, diskutuan mbi rolin që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara, NATO-ja si dhe vendet dhe popujt e Europës Qendore dhe Lindore, me objektivin për të përforcuar lidhjet strategjike transatlantike, ashtu që në të ardhmen të mënjanohet ndonjë krizë e mundëshme ndaj sigurisë në Europë, e shkaktuar qoftë nga politika e mbrendshme e shteteve ish-komuniste, qoftë nga politika hegjemoniste ruse, e cila gjithmonë peshkon në ujëra të turbullëta, përfshirë edhe Ballkanin perëndimor.  Europa Qendrore/Lindore u karakterizua si një front i ri-aktivizuar lufte, ky si rrjedhim i sulmit rus kundër Ukrainës dhe sepse Moska po bën ç'mos që të frikësoj ushtarakisht dhe të shantazhojë ekonomikisht vendet e rajonit.
Është e pamundur që edhe vizita e planifikuar e presidentit rus, Vladimir Putin në Beograd të mos shikohet në këtë prizmë. Sepse ajo po bëhet në një periudhë delikate dhe që përputhet  plotësisht me politikën e re ruse të shantazhit dhe të frikësimeve ndaj vendeve të atij rajoni. Dhe si e tillë, politika e Rusisë së Putinit jo vetëm ka për qëllim të minojë përparimin e bërë në Ballkan këto 25 vitet e fundit, por është një sfidë e drejtë për drejtë ndaj autoritetit dhe influencës së Bashkimit Europian, të NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor. Kujdes Ballkanin!
Atëherë, për ata që interesohen dhe ende dëshirojnë  një Europë të lirë demokratike, të begatë dhe të sigurtë, të tërë dhe të bashkuar -- çka duhet të bëhet përball këtyre sfidave ndaj sigurisë në Europë dhe si mund, dhe si duhet të përforcohen lidhjet transatlantike për të kundërshtuar rreziqet dhe sfidat e mbrendshme dhe të jashtme, që i kanosen sigurisë në Europë.
Një prej folësve në forumin e javës së kaluar në Washington ishte edhe Victoria Nuland, Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Punët Europiane dhe Euro-Aziatike.  Ajo u kujtoi të pranishëmve se këtë vjeshtë bie 25-vjetori i rrëximit të Murit të Berlinit dhe se dy dekada e gjysëm më parë, vendet e Europës Qëndrore, me shëmbjen e komunizmit, frymëzuan botën duke kapur atë “moment shprese” dhe duke e transformuar atë në liri dhe mundësi të reja për miliona veta  në atë vende dhe duke rivendosur, sipas saj, demokracinë liberale, me zgjedhje të lira, me institucione të pavarura  dhe me një liri të medias, anë e mbanë Europës Qëndrore dhe Lindore.
Zyrtarja e lartë e diplomacisë amerikane u tha pjesmarrësve të këtij forumi se, "Sot ne jetojmë në një botë më të mirë, sepse Europa Qendrore 25 vjetë më parë kishte zgjedhur rrugën e një Europe të lirë, të tërë dhe në paqë." Por ajo theksoi se kjo alternativë e zgjedhur nga këto vende 25 vjetë më pare, "është nën kërcënim dhe në rrezik spese Europa Qëndrore gjëndet përsëri përball një fronti, të një lufte për të mbrojtur sigurinë dhe vlerat tona."   Këtë kërcënim, Victoria Nuland e karakterizoi si, "një luftë të mbrendshme dhe të jashtme."  Si kërcënime nga jashtë, diplomatja amerikane përmendi agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, si një rast kur një vend i madh shtyp vendet e vogëla, kur të dojë e si të dojë. Ajo u ndal edhe tek kërcënimi që paraqet grupi terrorist ISIL kundër sigurisë, begatisë dhe vlerave perëndimore-- kërcënim të cilin ajo e cikësoi si real dhe emergjent. Ajo mirëpriti ndihmën e vendeve të Europës në luftën kundër këtij grupi terrorist dhe bëri thirrje shteteve që të bëhet më shumë për të ndaluar rekrutimin dhe financimin e këtij grupi në hapësirën transatlantike.
Ndërsa, Z.nja Nuland theksoi  kërcënimet e jashtme ndaj sigurisë dhe vlerave të vendeve  në hapësirën euro-atlantike, ajo njëkohësisht nënvijoi se në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, "kërcënimet e mbrendëshme ndaj  demokracisë dhe lirisë janë po aq shqetsuese sa edhe kërcënimet e jashtme".  Diplomatja amerikane përgjegjëse për çështjet europiane, vazhdoi duke thënë se "dy kancerët binjakë, mangësitë në përforcimin e demokracisë dhe korrupsioni, po kërcënojnë ëndërrën e shumë prej atyre të cilët kanë punuar aq shumë për realizimin e saj, ç'prej vitit 1989."  Në një kritikë të drejtë për drejtë  ndaj disa udhëheqsve të këtij rajoni, ajo tha se, "Ndërsa ata përfitojnë nga antarësimi në NATO dhe në Bashkimin Europian, ne mund të gjëjmë udhëheqës në këtë rajon të cilët sillen sikurë kanë harruar vlerat mbi të cilat janë ndërtuar dhe veprojnë këto institucione". Ata, pohoi, ajo flejnë rehat gjatë natës, të sigurtë se mbrohen nga artikulli 5 i aleancës së NATO-s, ndërsa gjatë ditës, udhëheqës të këtyre vendeve ish-komuniste zbatojnë një "demokraci jo liberale", ndërkohë që i fryjnë nacionalizmit, kufizojnë lirinë e shtypit dhe kritikojnë shoqërinë civile.  Ajo kritikoi ashpër edhe ata të cilët "mbrojnë zyrtarët e korruptuar nga persekutimi" për krimet e tyre, ose "ata që anashkojnë parlamentin kur t'u teket e si t'u teket".  Zyrtarja e lartë e Departmentit amerikan të shtetit tha ndër të tjera, në fjalimin e saj duke theksuar se, nepërmjet antarësimit në organizmat euro-atlantikë, vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore duhet të jenë vigjilente, sepse, shtoi ajo, "Ne mund të jemi të fortë vetëm atëherë kur të mbrojmë pluralizmin politik, shoqërinë civile dhe të drejtën e individit për të kundërshtuar edhe mbrenda kufijve tonë shtetërorë sfidat ndaj lirisë dhe demokracisë".  Jemi të fortë, përfundoi diplomatja amerikane, atëherë, "kur qeveritë tona janë të pastra, transparente dhe të përgjegjëshme, por edhe llogaridhënse ndaj popujve të cilëve ato u shërbejnë."
Po vlerat, për të cilat foli diplomatja amerikane, vlerat pra të euroatlanticizmit, të lirisë dhe të demokracisë, të së drejtës të individit -- a janë kto vlera që zbatohen a po jo nga Shqipëria dhe shqiptarët, si vend anëtar i NATOs dhe si popull që aspiron antarësimin e plotë në organizmat euro-atlantike.  25 vitet e kaluara të sjellin dyshim. Mos vallë edhe shqiptarët, 25 vjetë pas shëmbjes së komunizmit zyrtar e kanë harruar historinë e tyre kombëtare të shekullit të kaluar.  Cili ishte "momenti i shpresës", për kombin shqiptar apo kemi harruar, kur shqiptarët e donin Shqipërinë si e gjithë Europa? A mos janë edhe udhëheqsit shqiptarë në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan pa dallim, ata të cilët natën flejnë rehat nën umbrellën e sigurisë së NATO-s, e ditën praktikojnë politika shkatërruese ndaj njëri tjetrit, duke minuar demokracinë dhe lirinë, në dëm të së ardhmes së kombit shqiptar si anëtar në të gjitha organizmat euro-atlantike.  A e shohin udhëheqsit shqiptarë këtë lloj politike që ndjeket për një çerek shekulli tani si të dëmshme sa janë të dëmshme edhe kërcnimet e jashtme? Me të thënë të drejtën, janë shqetsuese tendencat dhe dukuritë e fundit në Shqipëri për të rihabilituar figurën e diktatorit komunist Enver Hoxha, gjë që të sjellë në mendë sistemin më të egër komunist në Europë dhe më anti-demokratik dhe anti-NATO dhe më anti-vlerave perëndimore -- ndërkohë që udhëheqsit më të lartë të vendit dhe ministrat e qeverisë përulën para fugurës së tij dhe marrin pjesë në parakalime të periudhës së komunizmit.  A ndanë Shqipëria këto vlera perëndimore për të cilat u diskutua në forumin e Washingtonit javën e kaluar, me organizmat euro-atlantike si NATO, anëtare e së cilës është, dhe me Bashkimin Europian, anëtare e së cilës dëshiron të jetë. A i ndanë dhe ai i mbështet ky brez politikanësh, vlerat e lirisë e të demokracisë, të lirisë dhe pavarësisë së medias, të lirisë së veprimit të shoqërisë civile, të pavarësisë së gjykatave, të politikës së anti-korrupsionit, të dënimit të zyrtarve të korruptuar, të  pjesmarrjes në parlament dhe jo të anashkalimit të tij.  Sepse janë këto vlera të cilat kombi shqiptar, të pakën në letër, është angazhuar të ndajë me botën perëndimore,të cilës thotë se i përket dhe të cilës dëshiron t'i bashkohet, dhe t'i mbrojë në hapësirën e tij -- në trojet e veta -- si pjesë e hapësirës së organizmave euro-atlantikë.
Janë këto vlera, jo të shekullit të kaluar, por janë vlera të cilat e janë provuar se forcojnë lirinë, pluralizmin politik, shoqërinë civile, dinjitetin njerëzor dhe të drejtat bazë të njeriut. Janë këto vlera të cilat e bëjnë më të lehtë dhe kontribojnë për një qeverisje të pastër, transparente dhe përgjegjëse ndaj popullit që duhet t'i shërbejë.  I takon kësaj gjenerate, që të ndahet njëherë e mirë nga një e kaluar e tmershme gjysëm shekullore, e që seriozisht të zbatojë këto vlera, duke ruajtur dhe duke mbrojtur bekimet e lirisë dhe të demokracisë, nëqoftse me të vërtetë ky brez politikanësh beson në këto vlera, si bazë e veprimtarisë së tyre politike. Ky është një angazhim që duhet të ritheksohet dhe të ripohohet nga ana e tyre, sidomos nga kjo klasë politike, nga ky brez, dhe jo vetëm me fjalë, por me vepra konkrete për të bindur popullin vet, por edhe miqët e jashtëm me të cilët pretendojnë se I ndajnë vlerat perëndimore -- duke u larguar nga “vlerat” e diktatorit që përfaqsonte një sistem që jo vetëm nuk besonte në këto vlera, por i cili për pothuaj 50-vjetë i luftoi këto vlera, që ndajnë shtetet europiane me njëra tjetrën si anëtare të organizmave euro-atlantike, e që kombi shqiptar dëshiron tu bashkohet. O me vlera të botës moderne të dinjitetit njerëzor ose me kundërvlera të një regjimi antivlerë! Shpresoj që mangësitë e vlerave demokratike të kësaj politike, të mos jenë “kërcënimi nga mbrenda”, për të cilin foli diplomatja amerikane, Victoria Nuland në Qëndrën për Analiza të Politikës Europiane, javën që kaloi në Washington.

Humb Rusia, humb Serbia!


 Frank Shkreli

Version i përshtatshëm për printim
frank_shkrel.jpg
Rusia njoftoi se po heqë dorë nga ndërtimi i të ashtuquajturit projekti i gazsjellësit jugor, vendim ky që po cilësohet nga ekspertët dhe analistët si një humbje diplomatike dhe ekonomike për Moskën, e i cili njëkohësisht ka shqetsuar shumë edhe aleaten e saj të ngushtë në Ballkan, Serbinë.
Presidenti rus, Vladimir Putin pohoi se është anulluar ndërtimi i këtij projekti pasi Bashkimi Europian vendosi ta kundërshtonte këtë projekt, sepse sipas shpjegimit zyrtar të Brukselit, projekti nuk ishte në përputhje me normat dhe standardet e BE-së për konkurim dhe si i tillë do t'i jepte Gazpromit rus një monopol ekonomik dhe do i garantonte Rusisë një kontroll politik mbi vendet që do të blenin gazin rus.   Për anullimin e vendimit për ndërtimin e gazsjellësit jugor, Presidenti rus Vladimir Putin, fajësoi Bashkimin Evropian, por analistët janë të mendimit se pa marrë parasyshë shpjegimin zyrtar të BE-së dhe pa marrë parasyshë pohimet e Putinit --  e vërteta është se, e pranon ose jo Vladimir Putin, ky projekt ra viktimë e politikës së tij ekspansioniste ruse në Ukrainë dhe e izolimit të vendit të tij në arenën ndërkombëtare.
Anullimi i këtij projekti është një lajm i mirë për kontinentin europian por edhe më i mirë për rajonin e Ballkanit, ku mendohej se përfundimi i këtij projekti rus do të shtonte edhe më shumë influencën dhe dominimin politik dhe ekonomik rus në vendet e Ballkanit perëndimor.  Gazsjellësi do të kishte furnizuar me gaz rus Europën perëndimore dhe vendet e Europës jugore, nepërmjet Bullgarisë dhe Serbisë.  Anullimin e këtij projekti nga Presidenti Putin,  gazeta  amerikane the New York Times, e cilëson si "një fitore të rrallë të Bashkimit Europian dhe të administratës së Presidentit Obama, të cilët gjatë këtij viti u dukën si të pafuqishëm për të bërë gjë kur Putini aneksoi Krimenë dhe ndërkohë  që Rusia nxitë kryengritjen në pjesën lindore të Ukrainës."  

Është e qartë se me anullimin e këtij projekti humbi Rusia, jo vetëm në pikpamje ekonomike por edhe në pikëpamje politike, diplomatike dhe ushtarake, pasi mos ndërtimi i këtij projekti rajonal afekton drejtë për së drejti dominimin dhe influencën e Rusisë, sidomos në rajonin e Ballkanit. Por humbi edhe Serbia, e cila priste shumë nga ky projekt i Gazpromit rus. Serbia e cila priste përfitime të mëdha ekonomike nga ky projekt si dhe një përforcim të dominimit rus në rajon, shfaqi keqardhjen e saj të thellë nepërmjet Kryeministrit të saj Alekandër Vuçiq, i cili u shpreh për mediat se anullimi i projektit të gazsjellësit jugor ishte një lajm i keq për Serbinë.

Analistët thonë se tensionet politike në rritje e sipër midis Rusisë dhe Bashkimit Europian influencuan në anullimin e këtij projekti nga ana e Moskës.  Kjo është venë re sidomos nga shqetësimet që ka shfaqur kohët e fundit Gjermania, vendi kryesor i BE-së,  mbi rrritjen e influencës ruse në Ballkan.  Ishte vetë Kancelarja gjermane, Angela Merkel e cila në mbledhjen ndërkombëtare të nivelit të lartë të grupit G20 në Australi ngriti zërin duke venë në dukje shqetësimet e vendit të sajë në lidhje me influencën ruse në rritje e sipër në Ballkan.  Në këtë ndërkohë,  javën që kaloi,  Presidenti i Gjermanisë vizitoi Slloveninë në përpjekje, sipas medias për të venë në dukje interesimin dhe angazhimin gjerman për atë atë rajon, por edhe si një masë për të kundërshtuar influencën ruse në rritje e sipër në Ballkanin perëndimor.   Gjithashtu kohët e fundit, Berlini dërgoi edhe në Kosovë një diplomat të lartë të çështjeve ballkanike, ish-ambsadorin e Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel, "me qëllim për tu njohur me situatën", sipas ambasadës gjermane në Prishtinë.   Është e  qartë se Gjermania dërgoi diplomatin e saj të lartë në Kosovë, si pjesë e përpjekjeve të miqëve perëndimorë të Kosovës, përveç shqetësimeve rajonale, njëkohësisht  edhe për të bindur politikanët dhe partitë politike që ata përfqësojnë, që të zgjidhin sa më shpejt gërçin politik dhe të formojnë  sa më parë institucionet qeveritare të vendit.  Duket se Gjermania është me të drejtë e shqetësuar se Rusia dhe aleatja e saj Serbia mund të përfitojnë nga mos stabiliteti politik dhe ekonomik në vende të ndryshme të asaj zone, përfshirë edhe Kosovën. Dhe si rrjedhim Berlini, me politikat e tij dhe me vizitat e zyrtarëve të saj të lartë në Ballkan po përpiqet të vejë në dukje vendosmërinë e tij politike dhe ekonomike, se Gjermania mbetet e interesuar dhe e angazhuar ndaj rajonit të Ballkanit, me ose pa projektin e gazsjellësit jugor dhe se është e gatëshme të kundërshtojë dominimin rus në rajonin e Ballkanit perëndimor.  Nga këndvështrimi i Berlinit, thotë revista gjermane Spiegel, Rusia nga një ortak i vështirë, brenda një viti, është këthyer tani në një vend kundërshtar dhe se Berlini tani është duke diskutuar mbi mënyrat për të ngadalësuar fushatën ekspansioniste të Rusisë -- veçanërisht në Ballkan, një rajon ky në të cilin disa shtete nuk janë krejtsisht stabile, shkruan Spiegel. Revista e njohur gjermane citon gjithashtu Elmar Brock, anëtar i  Partisë Demokristiane konservatore të Kancelares Angela  Merkel dhe kryetar i Komisionit të Punëve të jashtme të BE-së, i cili ka shfaqur shqetësimin e tij mbi politikën ruse në rajonin e Ballkanit, duke thënë se ajo, "Është pjesë e një strategjie të përgjithëshme e Rusisë për të infiltruar ato vende politikisht dhe ekonomikisht", ka thënë parlamentari gjerman.

Angazhimi më i madh ekonomik dhe politik i Gjermanisë në rajonin ballkanik, është një politikë që i shkon për shtat interesave strategjike kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe si të tilla këto dy vende duhet të inkurajojnë dhe të mirëpresin angazhimet e vendeve perëndimore, e sidomos përpjekjet diplomatike dhe ekonomike të Gjermanisë ndaj rajonit të Ballkanit.  Shqipëria dhe Shqiptarët kurrë nuk ia kanë parë hajrin influencës dhe dominimit rus në Ballkan as nuk do ia shohin as sot.  Moska, përveç interesave ekonomike dhe diplomatike në Ballkanin perëndimor -- në politikën e saj ndaj këtij rajoni -- ajo nuk ka fshehur kurrë ndjenjat dhe interesat pansllaviste, që në vetvete përbën një politikë anti-shqiptare, veçanërisht përball Republikës së Kosovës.  Për më tepër, interesat ruse në Ballkan janë të tilla që asnjë nga këto vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën,  të mos antarësohen në Bashkimin Europian dhe si të tilla të mbeten nën mëshirën e politikës ruse dhe pre e Serbisë dhe e interesave të saja, si aleatja më e ngushtë dhe më me rëndësi e Rusisë në Ballkan. 

Anullimi i projektit rus të gazsjellësit jugor është lajm i keq për Rusinë dhe aleaten e saj Serbinë, por është lajm i mirë për vendet e Ballkanit, pasi nënkupton mundësisht ngadalësimin e një fushate për një influencë dhe dominim më të madh rus në atë rajon, që natyrisht do të afektonte edhe Shqipërinë e Kosovën në përpjekjet e tyre për integrim në organizmat euro-atlantike dhe për një përafrim të mëtejshëm, sidomos me Bashkimin Europian. A janë gati Shqipëria dhe Kosova që t’i përgjigjen seriozisht atij që duke se është një angazhim i ri i Gjermanisë për të kundërshtuar rritjen e influencës dhe dominimit rus në Ballkan si dhe premtimit të Berlinit për një përspektivë europiane për to?

Sipas FBI-s Ilir Meta duhej dënuar 14 vjet burg, këta e bënë Kryetar Parlamenti!

Version i përshtatshëm për printim
Gjyqtari drejtesi
Për të njëjtën natyrë ekspertize të FBI-s, si ajo e Ilir Metës për 1 milion dollarët që kërkoi bakshish, u dënua në Amerikë me 14 vjet burg guvernatori i Chicagos, Rod Blagojeviç. Asnjë dallim teknik mes dy ekspertizave. FBI konkludonte për Blagojeviçin njëlloj siç kishte konkluduar për Metën, që pergjimi ishte origjinal (jo i montuar), kaq, dhe Blagojeviçi përfundoi në birucë.
Rod Blagojeviç, si Ilir Meta, synoi të korruptohej, kërkoi bakshish, por në Amerikë e dënuan me 14 vjet burg (prokuroria kërkoi 300 vjet burg). Në kontrast me të, Ilir Meta në Shqipëri u bë Kryetar Parlamenti, çmenduri ta mendosh! A ka ndonjë dallim/privilegj ligjor/hyjnor Meta në krahasim me Blagojeviçin? - shtrohet pyetja. S'ka pse të ketë, ndoshta vetëm që serbi Blagojeviç nuk mbrohet nga UDB në Amerikë, kurse Meta me ç'duket mbrohet nga UDB në Shqipëri. Ky mbase është dallimi.
Me caktimin e Ilir Metës në krye të Parlamentit shqiptarë (emërimi më i ndyrë institucional në historinë e Europës - një kriminel që evitoi drejtësinë, duke shfrytëzuar pushtetin, tani do drejtoj pushtetin legjislativ), ai institucion kthehet përfundimisht në një lloj burgu, si ato burgjet që caktojne ndonjë bos nga burgaxhitë për të bërë zap të tjerët.
"Bishti i qenit bisht qeni mbetet, drejtoje sa të duash përsëri i shtrembër mbetet" - themi ne në zhargon. S'ke derman nga krimineli që i trembet drejtësisë. Një element i tillë e dëmton përfundimisht imazhin e Shqipërisë në botë, më tremb mua (një emigrant shqiptarë në Perëndim), jo më perëndimorët dhe investitorët e tyre. Shqipëria do vijoj të endet në mjerim e anarki të thellë thjesht e vetëm se shteti është nën darrën e mafias. Vendi yne i dashur është marrë peng nga kriminelët, gjë që mban larg botën dhe paranë e saj të shumtë, para që do benefiste Shqipërinë e shqiptarët...

Hieroglifet dhe ndikimi i tyre deri në ditët e sotme.

Kur flasim për popujt e lindjes së lashtë, gjithmonë mendojmë për historinë, traditën, kulturën, gjuhën, religjionin kushtet dhe periudhat e ndryshme nëpër të cilat ka kaluar shoqëria njerëzore. Në Egjipt fillimisht shkruhej në dru, në gurë, në pllaka, në pëlhyrë dhe në brez. Sa i përket kulturës egjiptiane, hasim edhe në shkrime dhe dokumentet e tyre që njihen si Hieroglifet, që ata (egjiptianët) gdhendnin ose shkruanin me bojë në muret e tempjuve dhe gjetiu.

Po ashtu, letërsia në Egjipt karakterizohej me mite të shumta fetare, tregime kushtuar perëndive, shkrime historike etj. Ndër tregimet më të njohura të letërsisë egjiptiane janë: “Tregimi mbi përjetimin e fatkeqësisë në det”, “Epi i Gilgameshit” Zbulimi i shkrimit (Hieroglife) nga egjiptianët, shkrimi Kuneiform nga babilonasit, zbulimi i Alfabetit fontetik nga fenikasit, dhe përdorimi në masë të gjerë, ndikoi në hartimin e veprave letrare që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme.
Hieroglifet cfare jane, nga rrjedhin.
Hieroglifet (vijnë nga gjuha greke që nënkupton Shkrimet e Shenjta). Hieroglifet janë shkrime që në vete ngërthejnë një rëndësi aq të madhe historike, sa edhe vetë historia e njerëzimit. Këto shkrime datojnë qysh nga shekulli i katërt para Krishtit. Qytetërimi i lashtë egjiptian ka bërë që këto shkrime të jenë ushqim shpirtëror dhe psiqik për kulturën, traditën ndërshekullore të Egjiptit në veçanti dhe asaj botërore në përgjithësi. Ndërsa emrin herioglif këtyre shkrimeve ua kanë lënë grekët e vjetër dhe këtu del që nga ajo kohë egzistonin Shkrimet e Shenjta, jo vetëm në Egjipt por edhe në mbarë popujt që kishin kulturë dhe traditë në të gjitha fushat. Në këto shkrime paraqiteshin figura të ndryshme si ato të Faraonëve, të kafshëve, të luleve, por paraqiteshin edhe figura të perëndive të ndryshme që egzistonin në atë kohë në Egjipt.
Karakteristikat
Karakteristikë e Hieroglifeve është shkrimi nga ana e majtë në të djathtë dhe anasjelltas, me qëllim të ruajtjes së këtyre shkrimeve. Poashtu, një rol të veçantë ka luajtur edhe shkrimi në “Hedike”, ku dy persona shkruanin Hieroglifet në Hedike, ndërsa personi i tretë kontrollonte punën e bërë nga këta dy persona. Krahas këtyre shkrimeve, egzistonin edhe shkrimet e quajtura “Shkrimet Demotike” që ishin pothuajse të ngjashme me Hieroglifet. Ndërsa faraonët që ishin me famë në atë kohë në Egjipt, pas vdekjes së tyre në varre (zakonisht faraonët kur vdisnin varroseshin nëpër piramida) dhe këto ndërtesa për Faraonët ndërtoheshin nga skllevërit e asaj kohe, ku në çdo Piramidë shkruhej me Hieroglife emri i Faraonit të vdekur.
Papiruset
Një rol të rëndësishëm tek egjiptianët ka luajtur edhe përpunimi i Papirusit si material për të shkruar. Për vjetërsinë e shkrimeve egjiptiane dhe rëndësinë e tyre flet egjiptologu K.A. Kiçen ku ndër të tjera thekson: Sipas llogaritjeve, 99% të papirusëve janë të shkruara pothuajse para 3000 vjetëve, ku deri në fillim të epokës greko-romake janë shpërbërë të gjitha këto shkrime. Mirëpo bëhet pyetja rreth zhdukjes të papirusëve: Pse kanë mbijetuar kaq pak dokumentime të lashtësisë të shkruara në Papirus? Sepse, materialet që shpërbëhen si papirusi, lëkura ose ndonjë material tjetër i zakonshëm, dekompozohen aq shpejtë, dërgohen në vende me klimë të lagështa. Poashtu, tregohet qartë se për shkak të klimës, dokumentet në papirus nga periudha (Mijëvjeçari i parë p.e.s), deri në ditët e sotme dokumentet mund të ruhen në një shkretëtrië të thatë, brenda një shpelle ose brenda një vendi të mbrojtur. Në vitin 1799 Napoleon Bonaparta pushtoi Egjiptin.
Guri i Rozetes
Gjatë pushtimeve të ushtrisë franceze në Egjipt, u zbulua “Guri i Rozetës. Qëllimi i zbulimit të këtij guri është që të ruhen Shkrimet e Shenjta që ishin të shkruara në tri gjuhë mbi këtë gurë. Ky zbulim ishte i rëndësishëm jo vetëm për francezët por edhe për egjiptianët, pasiqë gurë të tillë ishin të njohur për ndërtimet e e ndryshme të objekteve të banimit në Egjiptin e lashtë. Fatkeqësisht, me pushtimin e Egjiptit nga Britania e Madhe, ushtria franceze arriti që të humb gurin e zbuluar. Në këtë gur që sot gjindet në njërin nga muzetë angleze është shkruar në tri gjuhë: në Gjuhën Hieroglife, Demotike e Greke. Rreth gjuhës së hieroglifeve janë bërë hulumtime të ndryshme.
Gjatë periudhës së Mesjetës, shumë filozofë dhe dijetarë janë munduar që të kuptojnë këto shkrime, ku disa prej tyre bënin dallimin e gjuhës demotike dhe asaj greke, ku gjenin edhe disa fjalë që shkruheshin dhe lexoheshin njëjtë në të dy gjuhët për ta pasur më lehtë edhe zbulimin e sekreteve të Hieroglifeve. Filozofë, historianë, egjiptologë, ndër ta edhe egjiptologu i njohur Kerkel, mendojnë që nga fillimi i krijimit shkrimeve, deri në ditët e sotme, kurrë nuk do të arrihet që të kuptohen karakteristikat dhe fshehtësitë e botës së mistershme të Hieroglifeve. Nuk është çudi atëherë që në hollësitë e fshehura brenda alfabetit tonë sot qëndrojnë mbeturinat e këtyre formave të lashta, shumë prej të cilave pasqyrojnë marrëdhëniet e hershme midis njeriut dhe natyrës. Për të dalluar ato, njeriut sot i duhet vetëm të shikojë pak më afër.
Ndryshe nga Perëndimi, ata (egjiptianët) nuk e shkruan historinë që t'i shkonte për shtat ideve fetare të kohës, gjë që e bën rrëfimin e tyre më të besueshëm. Ata ishin gjithashtu të prirur drejt universalitetit të historisë njerëzore, të bazuar në unitetin e origjinës së qenieve njerëzore dhe diversitetin e paraqitjes dhe gjuhëve të tyre. Për më tepër, ka shumë gjasa që të ekzistojnë shumë dorëshkrime të fshehura nëpër botë, të cilat mund të kontribuojnë shumë për kuptimin e botës së lashtë.
Ndikimi i Hieroglifeve deri në ditët e sotme
Shumë nga shenjat paraardhëse në shkrimin tonë modern janë gjetur në piktograme dhe hieroglifet e Egjiptit të lashtë. Simboli i shkronjës "A", në përfaqësimin e saj të hershëm, përshkruan imazhin e demit të hyjnizuar i cili erdhi për të përfaqësuar “të madhen” ose “krijuesin” në kulturat e mëvonshme. Pra kjo shkronjë ka mbetur si simbol dhe u miratua si e tillë nga grekët dhe romakët në një formë më rudimentare, të quajtur “Alfa” – e cila ende sot nënkupton një pozitë të lartë.Por megjithatë, jo të gjitha shkronjat që përbëjnë shkrimin tonë të tanishëm mendohet të kenë prejardhjen nga format e natyrës. Shkronja B, për shembull, është gjurmuar në fillimet e saj në një piktogram të një shtëpie, qendra e saj me gropat që përfaqëson një hapësirë dere. Po kështu, simbol i hershëm për “C” i ngjan një hobeje, edhe pse disa thonë se mund të përshkruajë edhe një gungë në kurrizin e devesë. Shkronja “D” në Proto-semitikën e saj u përfaqësua shpesh nga piktogrami i një peshku, edhe pse si simbol u miratua nga fenikasit, duket se vetëm forma e bishtit trekëndësh është ruajtur.
Ky trekëndësh do të bëhet më saktë më pas shkronja greke “Delta”, derisa romakët e ndërruan formë pak dhe e rrumbullakosën një nga këndet. Disa besojnë se shkronja “E” me origjinë nga një piktogram përfaqësojnë “erën” e shënuar me tri goditje horizontale. Të tjerë pretendojnë se kjo mund të jetë imazhi i njeriut me armët e tij të ngritura.
Shkronja “F” mund jetë shfaqur për herë të parë në një piktogram që përfaqëson një çengel, ndërsa shkronja “G” është futur më vonë në latinen klasike. Ndërsa forma e shkronjës “H” ka ndryshuar në mënyrë dramatike gjatë shekujve, mendohet të ketë origjinën në skicën e një muri rrethues në hieroglifet egjiptiane. Piktogrami i shkronjës “i” paraqitet horizontalisht, është ajo e një penisi ose krahu i shtrirë. “J” do të vijë e fundit edhe kjo në fillim e përdorur në numrat romake. “K”, në hieroglifet egjiptiane, u përfaqësua nga një dorë e hapur. Si simbol kaloi te fenikasit, të cilët nuk qenë të prirur që të gëzojnë gdhendjet e formave të përkulur, “dora” u bë më e papërpunuar në përshkrim.
Grekët janë përgjegjës për projektimin e simbolit që përdorim ne sot. Hieroglifet për shkronjën “L” dukej pak si një kallam një vijë të drejtë me një prirje të lartë. Si formë është miratuar më pas nga fenikasit. Ndërsa forma e shkronjës “M” në piktogramin egjiptian e ka fillimin nga skica e ujit. Valët e hieroglifit “i” u thjeshtëzuan më vonë nga fenikasit dhe më pas edhe më shumë nga grekët. Simboli i hershëm për shkronjën “N” ishte ajo e një gjarpri në zvarritje dalluese. Njerëzit semi në Egjipt janë përgjegjës për formën e shkrimit më vonë. Fjala e tyre për “gjarpër” filloi me këtë shkronjë. Jo në mënyrë të habitshme, simbol për 'O' u përshtat nga një piktogram kompleks dhe nga hieroglifi egjiptian më skicën e një syri njeriu. Për fat të mirë për shkrimtarët më pak të talentuar artistik, përveç simbolit egjiptian mbetet edhe emërimi i "Irisit" të syrit. Forma e shkronjës “P” është zhvilluar më vonë në latinishten klasike.
Ndërsa paraardhësve të lashtë shkronja “P” mendohet të përshkruajë një lidhje leshi. Origjina e shkronjës pasardhëse në alfabet është pak më interesante. Me vetëm një grimë të imagjinatës, është e lehtë për të parë një mjekër me majucë, ku në mjeken e faraonit dallon shkronjën “R”.
Simboli për shkronjën “S” ishte adaptuar nga shkrimit proto-semit dhe fenikas, ku piktogrami, në fillim e shfaq këtë shkronjë si një 3 përsëprapthi të përfaqësuar si gjoksi i gruas. Ndërsa “T” duket më shumë si simboli që përdorim sot, si simbol kur duam të shënojmë apo të veçojmë. Pjesa tjetër e karaktereve në alfabet do të zhvillohet vite më vonë dhe nuk janë drejtpërdrejt të lidhura me piktograme të veçanta, edhe pse disa mund të ndajnë një origjinë të përbashkët me ndonjë nga simbolet e mësipërme.
Nga paraardhësit tone të lashtë që hartonin shumë thjesht në muret e një shpellë në Francë me thëngjij, është rrënjosur në letrat e një lloji tjetër në kohë të tjera, qoftë edhe tek ky artikull që është i përbërë ndoshta nga shkronjat që kanë lindur nga marrëdhëniet mes qenieve njerëzore dhe botës natyrore dhe që është më i rrënjosur se ç’mund të imagjinohet. Në një mënyrë ose një tjetër, mund të thuhet, se një prozë e disa klasike të nderuar dhe mendimeve të shkruara në mijëra faqe janë pak a shumë një koleksion lumenjsh, gjarpërinjsh, që janë transformuar në shekuj nga skica të ngjashme në shkronja.
Pra, kini kujdes, është një xhungël simbolesh rreth nesh dhe në këtë fjali mbyllëse një tjetër xhungël.
Argjira Ukimeri / Prizren.

Historiku i shkurtër i Egjiptit të lasht



Argjira Ukimeri
Egjipti ishte një qytetërim i lashtë në Afrikën Veriori lindore, i përqendruar në rrjedhat e lumit Nil, në atë që është sot shteti modern i Egjiptit. Qytetërimi egjiptian filloi të ngrihej rreth 3150 p.e.r (sipas kronologjisë konvencionale egjiptiane) kur u krye bashkimi politik i Egjiptit të Sipërm e të Poshtëm nën faraonin e parë. Historia e Egjiptit të lashtë ndodhi në një seri Mbretërish të qëndrueshme, të ndara nga periudha paqëndrueshmërie të njohura si Periudhat e Mesme. Mbretëria e Vjetër i përket Epokës së Hershme të Bronzit, Mbretëria e Mesme dhe Mbretëria e Re Epokës së Vonë të Bronzit. Egjipti arriti pikun e fuqisë së tij gjatë Mbretërisë së Re, në periudhën e Ramsesit, pas së cilës filloi të binte ngadalësisht. Egjipti u pushtua radhë pas radhe nga fuqi të huaja gjatë kësaj periudhe të vonë.
 

Tutan-Khamon

ASPEKTI RELIGJIOZ NË EGJIPTIN E LASHTË
Në këtë vend kanë mbretëruar plotë 18 dinasti. Në aspektin religjioz, Egjipti ishte vend politeist. Në vitin 1334 para Krishtit, faraoni Akenaton ndërtoi tempullin e parë monotesit të quajtur Amarna. Sipas këtij faraoni, qëllimi i këtij tempulli ishte besimi në një zot të vetëm – Diellin. Emërtimi Aton erdhi si emërim i diellit që në Egjipt Aton i kanë thënë diellit. Kështu që Akenatoni pikërisht mori emrin e tij si e kishte. Kjo Perëndi, konsiderohej nga faraoni dhe përbëhej nga dy gjini: Mashkull dhe Femër. Mirëpo, kjo teori u hodhë poshtë nga ana e faraonit Ramsesi II, duke ndërtuar kështu tempullin e Ambus – Simbel në vitin 1269-1266. Kështu që Egjipti mbeti përsëri në ndikimin e politeizmit.
MARTESAT FAMILJARE
Në Egjiptin e Lashtë, Martesat Brenda familjes ishin të ngjashme. Një gjë të tillë e tregojnë edhe hulumtimet e bëra në këtë vend. Shembull konkret i martesave në mes të anëtarëve të familjes ishte ajo e faraonit Akenaton me motrën e tij Nefertiti. Dyshohej se kjo martesë ka sjellë edhe probleme shëndetësore (gjymtyrë të deformuar të fizikusit të njerëzve në Egjipt). Poashtu, edhe prindërit e Faraonit në fjalë që ishin vëlla e motër, kishin martsë në mes tyre. Pas vdekjes së Akenatonit, në pushtet erdhi djali i tij Tutankhamon. Ashtu si babai i tij, Tutankhamun-i kishte një interes të ndarë më dysh. Ashtu si gjyshi i tij, ai kishte një këmbë kopaçe dhe vuanin nga sëmundja Kohler, e cila e pengon furnizimin e kockave të këmbës me gjak. Studim i ri u përgjigj pyetjeve të bëra për një kohë të gjatë në lidhje me familjen e Tutankhamun-it, gjurmimin e gjyshit të tij, Faraonit Amenhotepi III. Ndërsa disa arkeologë kanë spekuluar se babai i Tut-it, ishte një figurë pak e njohur, Smenkhkare, por tani duket se ajo ishte Akhenateni, i cili u përpoq të ndryshonte traditën fetare mijëravjeçare, duke i detyruar ta adhuronin zotin Aten, diellin, në vend të një shumëllojshmërie të hyjnive. Analizat e përpikta të ADN-së së mumjes së nënës së TUT-it konfirmuan se ajo ishte motra e babait të tij -, por ende nuk është identifikuar me saktësi. Martesat ndërmjet vëllait dhe motrës ishin të zakonshme në mesin e faraonëve të Egjiptit.
VDEKJA E MISTERSHME E FARAONIT TUTAN-KHAMON
Tutankhamon ishte një ndër 10 fëmijët e Akenatonit. Erdhi në pushtet pas vdekjes së të Atit në moshën 10 vjeçare. Djaloshi mbret qëndroi në pushtet për 9 vite. Pas ardhjes në pushtet, Faraoni shkatërroi çdo gjë monoteiste që kishte ndërtuar i ati i tij. Ai (faraoni) mendonte që përmes politeizmit të mbajë të bashkuar popullin e tij. Ai u martua me vajzën Anksenamon (që mendohet të jetë edhe motra e tij). Mirëpo, qëndrimi i tij në pushtet zgjati pak kohë. Pasi vdiq në moshën 19 vjeçare. Misteri i vdekjes së tij në moshë të hershme zgjoi interesimin e shumë studiusëve, shkencëtarëve dhe egjiptologëve. Ndër studiuesit që u morën me vdekjen e hershme të faraonit në fjalë ishin:
- Mjeku Gray mendon që djaloshi mbret vdiç si pasojë e thyerjes së kockave në kokë gjatë balsamimit të tij,


2. Mjeku Arizon konstatoi që Tutankhamon vdiq nga Tuberkulozi.


3. Howard Merkel në një studim të bërë në vitin 2005, theksoi që faraoni i ri vdiq si pasojë e Incesit që kishin prindërit e tij (që rezultojnë të jenë vëlla dhe motër.
Vdekja e tij erdhi nga komplikimet prej këmbës së thyer – së bashku me një zbulim të ri: nga malaria e rëndë. Ekipi hulumtues tha se gjeti një ADN të parazitit të malaries në disa prej mumieve, disa nga më të vjetrit të izoluar ndonjëherë. “Një thyerje e papritur e këmbës ndoshta nga një rënie, mund të ketë rezultuar me përhapjen e një gjendjeje kërcënuese për jetën, kur ai ishte i infektuar me malarie,” thuhet në një artikull të botuar në revistën JAMA.
Poashtu, në një artikull tjetër të botuar në këtë revistë shkencore thuhet: “Tutankhamon ka çrregullime të shumfishta. Ai mund të paramendohet si një mbret i ri, por i dobët, i cili ec me bastun (shkop). Gjithashtu, Testet përgënjeshtrojnë spekulimet se Tutankhamun-i dhe anëtarët e familjes së tij vuanin nga çrregullime të rralla që i dha atyre atribute femërore dhe kocka të shtrembëra, duke përfshirë sindromin Marfan, një çrregullim i indeve lidhës që mund të rezultojë me gjymtyrë të zgjatur. Ndërsa sot, me zhvillimin e teknikës dhe teknlogjisë, jemi afruar më shumë rreth gjërave misterioze që nuk i kemi njohur deri më tash për Botën Antike dhe Egjiptin e Lashtë.

‘Takimi i gjeneralit Fatmir Limaj- Kryeministrit Albin Kurti?’- Heshtje totale nga dy kampet politike… Çfarë po ‘zihet’?

Ditën e sotme  më datën 5.4.2025. qarkulluan lajme në media se kryetari i Nisma-s, gjnerali i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës , dhe Kr...