2015-11-30

Prof.Dr.Shefki Stublla: Libër i vogël – Me përmbajtje të madhe

Likja

Fatime Rr. Ahmaeti, LIKJA, roman, botoi ULKK, Prishtinë, 2015



Romani LIKJA, i autores Fatime Rr. Ahmetit, është një libër i formatit të vogël, me përmbajtje të madhe, është një himn që i kushtohet dashurisë për atdhe, vendlindjes së të parëve, një himn që qëndron brenda shpirtit të Likjes dhe secilit njeri me ndërgjegje të pastër prej nga buron gjithçka që të bën krenar.
Dashuria e Likës për atdhe e hijeshon atë dhe e kënaq lexuesin, sepse kjo edhe pse ndodhet larg në Anadollin e mallkuar turk, shpirtërisht është e lidhur me të. Ky është edhe mesazhi themelor i librit: të mos e harrohet atdheun, sepse guri peshon rëndë, vetëm në vendin e vet.
Komunikimi i autores Ahmeti, me lexuesin, është i mbarë, i qetë, i qartë dhe i këndshëm. Autorja duke përdorur këtë trajtë shkrimi, Likjen e Martinajve, e zbukuron edhe kur flet, edhe kur ëndërron edhe kur është e dëshpëruar për konvertimin e të vëllait në turk. Të gjitha veprimet e saj janë të natyrshme, me karar dhe vazhdimisht të veshura me ngrohtësi humane. Tërë këtë gjendje shpirtërore të Likjes dhe personazheve tjera në roman, autorja e përshkruan thjeshtë, kuptueshëm, me emocion, dhe sinqeritet që ta lë shijen e një proze të vërtetë poetike, që ta shton dijen dhe respektin për Likjen dinjitoze, e cila falë shpirtit të paepur, të mbushur me vlera e virtyte ia arrin qëllimit dhe kthehet në vendlindjen e të parëve.
Rrethana historike e sollën që shumë shqiptarë të largohen nga vatrat e veta. Dhe në rrugën e gjatë, të panjohur edhe familjen e Likjes e futën në humnerë. Gjatë asaj odisejade, ndodhin shumë fatkeqësi të kobshme: nënën e sëmurë të Likjes, në vend të ndihmes turqit e hodhën në det nga vapori,i vëllai ,Simoni u konvertua në turk dhe mori emrin Sinan,bishat barbare e rrëmbyen dhe deshën ta dhunojnë, por e shpëtojnë disa gra bamirëse, ia vrasin të vëllain Engjellin… Sidomos është e rëndë dhe me plot rreziqe rruga e kthimit për në atdhe. Likja e kamufluar në rroba të vjetra plake është me fat kur takohet me dy burra që donin të kthehen në atdhe nga asqeri i turkut. Kjo skenë e takimit me ta ishte si e porositur dhe shumë prekëse. Këta njerëz, në udhëtimin e gjatë, nëpër det, e sjellin Likjen në qytetin e alfabetit shqip, në Manastir. Aty e vendosin në një han. Meqë bujtina ishte vetëm për udhëtarë burra, i zoti i hanit e vendos tek familja e tij. Pronari i hanit porosit të renë që plakën ta dërgojë në dhomën e tyre ku edhe bun. Të nesërmen kur shkon reja ta ftojë për kafjall plakën has në një vajzë bukuroshe, si peri. Kthehet prapa dhe informon vjehrrin dhe vjehrrën: ajo plaka kishte ikë. Në dhomë gjeta një vajzë të bukur. Të gjithë mbeten të stepur nga bukuria e saj. Kjo familje e shëron Likjen nga TBC-ja dhe kjo vajzë bëhet ndrikull e djalit që u lind në atë familje duke emërtuar nipin e tyre me emrin Arbër. Rrugën e gjatë nëpër shi e mjegull, me Malësorin Ujkan e kalon si është më mirë, përkundër shumë vështirësive. Kur kthehet në vendlindje nuk gjen askë, përveç varrezave të të parëve të saj. Në derën e oborrit të dikurshëm, ra në gjunjë dhe puthi tokën. Askush nga të afërmit nuk e njohën Likjen e Gjeloshit. Edhe Likjen e kishin shpallur për të vdekur. Likja, pasi u përqafua me të afërmit e saj, mori gurin nga skaji i boshqës (shamisë) dhe vendosi kryelivadhit në vendin e vet, aty ku dikur kishin pasur shtëpinë.
Ky kthim i Likjes në vendlindje i dha asaj një mundësi që të motivojë bashkëvendësit e saj që kurrë, për së gjalli, mos ta lëshojnë vatanin dhe të shkojnë në një vend të mallkuar siç ishte Anadolli.
Gjatë gjithë leximit e kam përcjell Likjen, kudo që shkoi, ndejti dhe punoi, por mbeti po ai njeri modeste dhe e përzemërt dhe mike e kujtdo, pa paragjykuar se cilës fe i përket. Ajo është shembull kuptimplotë për të treguar se asgjë nuk vlen para qenies Njeri. Pikërisht për këtë qëndrim dinjitoz të saj Likjen e konsideroj si vajzë dhe motër timen.
Ky roman i autores Fatime Rr. Ahmetit, është një motivim për të gjithë ata që e duan atdheun gjë për të cilën përherë meritojnë nderimin tonë. Gjithmonë kam menduar dhe tash e vërtetova se e vërteta mund të shkruhet edhe me pak faqe siç ndodhi me romanin e autores. Fatimja mund të vlerësohet tashmë, jo vetëm si poete por edhe si romansiere e talentuar.
Aurore, faleminderit, për këtë vepër me përmbajtje të mbarë.

Masakrat e Kriminelit Sulltan Mehmet Fatih mbi shqiptaret

Kete histori e ka shkruar Tursun Beu.. ishte HISTORIANI i SULLTANIT Mehmetit te Dyte dhe ishte prezent gjate pushtimit te shqiperise.Lexoni pak se cili ishte Mehmet Fatihu per Shqiptaret xhamia e te cilit eshte ne mes te Prishtines !!!

Kronikani Qemal Pashë-Zade shkruan se “me urdhër të padishahut u vra pa mëshirë, cilido që u zu gjallë, vendi u plaçkit tmerrësisht, gratë dhe fëmijët u morën robër.” Kronisti bizantin i kalif Fatihut, Kritobuli nga Imbrosi, që e vëzhgoi së afërmi këtë luftë, thotë se “shqiptaret preferonin më mirë vdekjen se sa të binin në duart e turqve.” “Disa ilirianë” shkruan Kritobuli, “duke parë se ndiqeshin nga turqit dhe pasi nuk gjetën asnjë vend për t’u strehuar, u hodhën poshtë që nga shkëmbinjtë, në hapësirën e përrejve dhe u vranë.”

I zemëruar për disfatën, kalifi Fatih largohet nga Kruja. Gjatë rrugës prej Elbasanit në Dibër, ai rrethon qytetin e Kidhnës, afër Drinit, ku janë strehuar rreth 20 mijë gra, pleq e fëmijë, të larguar nga krahinat fushore për t’i shpëtuar masakrave islamike. Nën thirrjet ‘vdekje shqiptarëve’ dhe ‘allahu akbar,’ osmano-islamikët sulmojnë qytetin. Pasi e pushtojnë atë, kalifi islamik Fatihu i masakron të gjithë barbarisht në emër të allahut “mëshirëmadh.”

Vetëm në këtë qytet humbën 20 mijë shpirtra të pafajshëm. U masakruan nën klithmat ogurzeza ‘allahu akbar.’ “Shkodër. Viti 1478. Kështjella e Shkodrës rrethohet nga ushtritë osmane. Turqit sulmojnë pareshtur por mbrojtësit nuk dorëzohen dhe i zmbrapsin me sukses sulmet e barbarëve. Mehmet Fatihu që e drejtonte vetë fushatën, vendos zbatimin e një tjetër taktike për të terrorizuar mbrojtësit e qytetit.

Ai sulmon dhe pushton kështjellat Zhabjakut, Drishtit e Lezhës. Pasi i rrafshon ato, banorët e marrë robër i sjell përpara mureve të Shkodrës. Disa mijëra gra, burra, pleq e fëmijë masakrohen në mënyrën më mizore pranë mureve të kështjellës. Me këto skena makabre, kryekrimineli islamik Fatih ka si qëllim të ligështojë mbrojtësit e kështjellës, dhe t’i detyrojë ato të dorëzohen. Kjo taktikë dështon. Më vonë qyteti dorëzohet sipas një traktati midis Venedikut dhe sulltanit. Banorët e qytetit largohen drejt Italisë, dhe në vend të tyre sulltani e popullon qytetin me islamikë të ardhur nga Anadolli, Afrika Veriore dhe Azia Qëndrore.

Në librin e tij, “Shkodra dhe motet,” studjuesi Hamdi Bushati, ndër të tjera shkruan se “shumë nga myslimanët që u vendosën në qytetin e braktisur nga të krishterët ishin turq ose me kombesi te tjera jo shqiptare. Instalime myslimansh me prejardhje te huaj kane vazhduar te vertetohen deri ne kohet e fundit te pushtimit osman të Shkodres.” Ai vazhdon më poshtë: Te ardhur nga Turqia, Egjypti, Arabia, Dardanelet, Maroku, Tunizia, Algjeria, Siria, Dagistani, Sudani etj perbejne numrin me te madh te familjeve te ardhura ne Shkoder…

Pashko Vasa, Labirinthet e jetës së një patrioti të madh

Është një fenomen psiko-antropologjik i njohur, por i pastudiuar sa dhe si duhet në historinë shqiptare, që nis nga antikiteti dhe vjen deri në kohët moderne prania dhe karriera e suksesshme e iliro-shqiptarëve që ngjitën shkallët më të larta udhëheqëse shtetërore dhe ushtarake dhe hynë në histori në vende të huaja.
Hynë në radhë të parë në historinë e perandorive të mëdha si ajo romake, bizantine dhe osmane, por dhe në ato vende evropiane si Italia, Greqia, Rumania etj. U bënë perandorë si Kostandini në Romë, si Komnenët në Kostandinopojë, dhjetëra krye-vezirë në Stamboll, princa si Gjikajt në Rumani apo shtetarë të lartë në Greqi.

M’u kujtuan këto, kur zura të mendoj e të shkruaj mbi ditëlindjen jubilare të Pashko Vasës. Ç’është e vërteta, përherë më ka tërhequr dhe impresionuar, madje më është imponuar figura e tij si një personalitet i gjithanshëm me vlera të spikatura dhe kontribute shumë të çmuara, që dëshmon dhe vërteton me këtë rast fjalët mirëdashëse të historianit të shquar anglez Paul Johnson se “shqiptarët janë njerëz shumë të zgjuar, dinamikë dhe origjinalë. Kanë shumë cilësi favorizuese.”

Pashko Vasa është nga fytyrat emblematike të Lëvizjes sonë Kombëtare, një nga ideologët e saj të parë që mori pjesë dhe u angazhua që në krye në aksione patriotike në shërbim të atdheut të robëruar. Nga kjo pikëpamje, rruga e jetës së tij do të qe e gjatë, e mundimshme, plot sakrifica, e frymëzuar nga ideale liridashëse. I lindur në Shkodër, më 17 shtator 1825, në një familje patriotike me origjinë mirditore, pasi kreu mësimet e para në vendlindje duke qene një i ri inteligjent dhe energjik, pasi punoi si sekretar i konsullatës britanike në qytetin e tij, në moshën 25 vjeçare, i nxitur dhe i inspiruar nga idetë revolucionare, hidhet në Itali dhe merr pjesë aktive në kryengritjen që kish shpërthyer atje dhe lufton kundër pushtuesve austriakë, duke u bërë shpejt dhe oficer i Kalorësisë Qytetare.

Ai shkruan veçanërisht një faqe të lavdishme trimërie e besnikërie në luftën për çlirimin e Venedikut, duke manifestuar një shpirt të lartë vetëflijimi e sakrificash. Edhe pse u kap rob nga austriakët dhe u burgos, ai rezistoi heroikisht deri sa u largua nga Italia dhe vendoset në Stamboll. Kjo periudhë 2-3 vjeçare përbënte vetëm prologun e jetës së tij politike, një jetë të ngarkuar me ngjarje, përpjekje, sakrifica, por dhe vlera që i hapën rrugën e një karriere të gjatë e komplekse politike e jo vetëm politike.

Në Stamboll ai do ta fillojë jetën nga hiçi, duke u marrë me punë të rëndomta, por gjithnjë besimplotë në vetvete, i mbajtur pas mendimesh e planesh të guximshme, me vullnet e kurajë për të shkuar përpara. Jetën që e pret dhe detyrat që i vë vetës djaloshi inteligjent dhe trim e vështron në dy plane: si shqiptar dhe si qytetar i perandorisë turke, i pari që do të përbënte identitetin dhe ndërgjegjen atdhetare, ndërsa i dyti mundësinë dhe aspiratat për mbijetesë në kushtet e shtetit dhe shoqërisë osmane.

Në këto dy drejtime do të orientohet dhe do të përpiqet t’i gjejë vend vetes. Ai kishte, siç dëshmojnë bashkëkohësit, cilësi të çmuara intelektuale, shpirtërore dhe të karakterit dhe do të qenë këto që e bënë të çajë në jetë. Pashko Shkodrani nuk ishte vetëm i zgjuar, i kulturuar, me iniciativë e shpirt krijues, poliglot sado që qe autodidakt (dinte 9 gjuhë të huaja), por i frymëzuar dhe nga ide të mëdha e aspirata të guximshme. Pas punëve të rëndomta, arriti të futet në Shoqërinë e tramvajeve dhe të zërë poste në administratën e huaj.

Tani nuk flinte më në varrezat e armenëve dhe s’endej rrugëve. Kish krijuar në një farë mënyre individualitetin qytetar dhe jo rastësisht, në moshën 25 vjeçare, boton në italisht librin me kujtime “Burgu im” (1850). Ndofta ky moment ka luajtur rol pozitiv në afirmimin e tij, sepse s’kaloi shumë kohë dhe ai u punësua në aparatin e Ministrisë së Jashtme të Perandorisë. Sukseset që arriti në këtë detyrë, e ndihmuan të ngjisë shkallët e karrierës diplomatike, duke u dërguar me detyra të rëndësishme në Halep të Sirisë dhe në ambasadën turke të Londrës. Më pas ai kreu një mision diplomatik në Bosnje-Hercegovinë.

Kurse më 1878, në kohën e ndezur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Pashko Vasa u caktua këshilltar i Valiut të Kosovës, por në fakt, pa u shfaqur publikisht, falë atdhetarisë dhe diplomacisë së mençur, do të kontribuonte për një orientim të drejtë të veprimtarisë së Lidhjes.

Është kuptimplotë dhe për meritë të tij Pashko Vasa, edhe pse kryente detyra shtetërore të rëndësishme, dinte t’i shfrytëzonte postet në favor të kauzës shqiptare. Kjo veprimtari patriotike nis qysh në fillim të viteve 70, kur së bashku me K. Kristoforidhin, I. Qemalin e të tjerë, arritën të grumbullonin fonde për të krijuar një shoqëri për shkronjat shqipe.

Më pas kjo veprimtari u zgjerua duke krijuar një shoqëri kulturore për një alfabet të përbashkët shqip mbi bazën e alfabetit latin, ku Pashko Vasa dhe Sami Frashëri luajtën rolin kryesor. Në 1877, Pashko Vasa u bë anëtar i “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”.

Ndërkaq aksionet organizative Pashko Vasa do t’i shoqëronte me studime shkencore kushtuar gjuhës shqipe, siç qe vepra “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (botuar në Stamboll) dhe “Gramatika e gjuhës shqipe” (botuar në Londër në frëngjisht), por dhe vepra që e bënin të njohur çështjen shqiptare dhe gjuhën shqipe në botën politike dhe shkencore, si libri “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë”.

Në këtë fushë, ku shpërfaqen shkencërisht idetë e tij politike për fatin dhe të ardhmen e atdheut të tij, është “Shqipëria dhe shqiptarët”, botuar në gjuhën shqipe po të njëjtin vit (1879). Ky vit ishte produktiv dhe për faktin se ai u bë nga themeluesit e “Shoqëria e të shtypurit të shkronjave shqipe”. Patriotizmi i thellë i Pashko Vasës nuk mjaftoi të shfaqet e të argumentohet vetëm me veprat studimore, por fill pas tyre ai do të shpërthejë në vargje përmes poemës kushtruese “Mori moj Shqypni e mjera Shqypni”, që mbeti gjithnjë aktuale në historinë shqiptare.

Ajo pati një pritje të jashtëzakonshme në Shqipëri dhe në rrethet patriotike të diasporës, duke bërë për vete zemrat e shqiptarëve me frymën atdhetare, thirrjet për bashkim kombëtar, qëndrimet realiste dhe frymën e theksuar kritike sidomos ndaj institucioneve fetare. Duke pasur në qendër figurën e nënës, poema ngriti lartë zemrat e shqiptarëve dhe tingëlloi si kushtrim lufte për Shqipërinë e lirë. Aq jehonë pati, sa u përkthye në disa gjuhë të huaja si italisht, rusisht, frëngjisht, gjermanisht etj.

Pashko Vasa nuk do të ishte vetëm publicist, gjuhëtar, historian, memuarialist, por dhe krijues, një shkrimtar i talentuar që dha vepra letrare me vlera, të cilat pasuruan letërsinë shqipe. Ai shkroi në poezi, prozë e dramaturgji. Përveç poemës “Mori Shqypni e mjera Shqypni”, ai botoi përmbledhjen poetike “Trandafila dhe gjemba” në italisht (Stamboll1873), me një tematikë kryesisht humane, jashtë politikës, me motive autobiografike dhe frymë intimiteti. Poeti i këndon dhe evokon në radhë të parë njerëzit e familjes, nënën (Nënës sime), gratë e ndjera (Në kujtim të Maries sime), vdekjen e pangushëllueshme të fëmijëve (Birit tim).

Ndjehet në to dhimbja e thellë e njeriut human, lidhja shpirtërore me to. Por nuk mungojnë motivet për vetveten si “Ëndrra e mërgimtarit” që trajton mendimin se ai është gati të luftojë jo vetëm për lirinë e popujve fqinjë, por dhe për çlirimin e popullit të vet.

“Sikur nën qiell të atdheut / të kish paqe shpirti im” shprehet tek “Ëndrra e mërgimtarit”. Shpirti i tij poetik vlon nga ndjenja liridashëse, por për kushtet dhe pozitën që ka, ai shprehet përmes aludimesh të largëta. Në poezinë e tij që karakterizohet nga fryma romantike dhe nga nota të theksuara lirike nuk mungojnë motive kushtuar poetëve klasikë e bashkëkohorë italianë si Petrarkës, Tasos etj., dhënë përmes soneteve të goditura. Gjithashtu paraqesin interes disa nga poezitë lirike kushtuar dashurisë, dufeve shpirtërore e zhgënjimeve që dëshmojnë për shpirtin delikat të poetit.

Pashko Vasa ngrihet në lartësinë e një shkrimtari me nivel të panjohur në letërsinë shqiptare, kur më 1890 boton në Paris në gjuhën frënge romanin “Bardha e Temalit” nën pseudonimin Albanus Albano (Shqiptar Shqiptari). Botimi i tij përbën një ngjarje në letërsinë tonë si një nga romanet e parë në historinë e saj. Përpara kësaj vepre ishte botuar romani “Dashuria e Talatit me Fitnetin” në gjuhën turke i Sami Frashërit (jo me temë shqiptare), por romani i Vasës, për vlerat e përmbajtjes dhe nivelin artistik, duke trajtuar një temë kryesisht shqiptare, i kapërcen kufijtë e veprës së sivëllait të tij.

Ai hedh një hap më tej përpara. “Bardha e Temalit”, për subjektin, karakteret dhe atmosferën shoqërore, përshkrimin e jetës zakonore, paraqitet thellësisht shqiptare dhe i motivuar nga pikëpamja sociale dhe psikologjike.

Romani ka për subjekt jetën shqiptare të kohës, historinë e një krushqie të martesës së Bardhës, vajzës së një familjeje të pasur shkodrane, me Lulin, një bajraktar nga një derë e moçme e Malësisë. Është një martesë pa dashuri dhe krijon një familje sipas kanuneve të jetës zakonore të maleve.

Subjekti i romanit ndërthuret me konflikte nga më të ndryshmet, me ndeshje nga më të egrat, me akte kriminale, me intriga, besëtytni, paragjykime nga më tronditëse. Flitet për prapambetje e padituri, shkak i të cilave, sipas autorit, është pushtimi otoman. Shkrimtari tregohet realist kur bën dallimin në mes popullit të virtytshëm e fisnik dhe shtresave të larta, bartëse të zakoneve prapanike, instinkteve të egra, krimeve, pabesive etj. Në këtë drejtim autori nuk kursen kritikat ndaj klerit katolik, që në vend t’i luftojë ata, i mbështet. Përjashtim bën prifti Leonardo me përpjekjet për t’i ardhur në ndihmë popullit me mësimet kishtare.

Vlerë të veçantë i jep romanit trajtimi i problemit të emancipimit të gruas, që bartet e mishërohet në figurën e Bardhës. Kjo e bën veprën me karakter të dyfishtë, social dhe zakonor, gjë që autori ia ka dalë me sukses, shprehje kjo e botëkuptimit të tij liberal e demokrat. Marrja në mbrojtje e gruas, ideja për emancipimin e saj në një kohë të errët e në një shoqëri të prapambetur përbën një nga shtyllat e veprës, ashtu siç bën përgjegjës indirekt pushtuesit otomanë për gjithçka të keqe që ndodh në vendin e tij.

Pashko Vasa me këtë roman, duke e shkruar në frëngjisht, i bën të njohur opinionit evropian realitetin e rëndë shqiptar dhe shpall mesazhe liridashëse.
Është interesant që pas botimit të romanit në Paris, Pashko Vasa u emërua nga Sulltani Guvernator i Libanit, i titulluar tani Vaso Pasha, një pozitë shumë e lartë që flet për aftësitë e kapacitetin e shquar qeverisës të tij në një vend pak a shumë të zhvilluar, siç ishte kjo pjesë e perandorisë . nga ana tjetër, ai qeverisi këtu për afro dhjetë vjet (1883-1892), kur sipas rregullit perandorak nuk duhet t’i kalonte më shumë se pesë vjet. Kjo dëshmon qartë se, pavarësisht nga opozicioni i fshehtë patriotik, ai ishte një burrë shteti me cilësi të veçanta.

Prof. Vehbi Bala, nga kërkimet dhe studimet e tij për Pashko Vasën, na sjell të dhëna dokumentare shumë të çmuara për veprimtarinë e tij shtetërore-kulturore-emancipuese gjatë shërbimit në Liban. Sipas kronikave libaneze guvernatori shqiptar bëri reforma administrative, krijoi një ekuilibër të qëndrueshëm ndërmjet elementeve fetare dhe atyre krahinore, ndërmori ndërtime të mëdha ushtarake, si ura e rrugë, sa filluan ta quajnë Libanin “Venediku i thatë”, hapi shkolla në vende të prapambetura, nxori organin “El Liban” në gjuhën libaneze, duke shkruar edhe vetë artikuj për çështjet jetike të ditës.

Nga kujtimet e një mikut tim diplomat që shkoi në Liban i ngarkuar nga qeveria jonë në vitet 70 për të marrë eshtrat e Pashko Vasës mbaj mend të më ketë thënë se sa vështirë e kish pasur nga qeveria libaneze të tërhiqte eshtrat e Vasës.

Ajo paraqiste shumë arsye për të mos i dhënë ato duke i argumentuar me meritat dhe kontributet e Vasës për të mirën e Libanit, veç të tjerash, përpjekjet e tij për themelimin e një teatri kombëtar libanez, faktin që ai kish shkruar dhe vetë pjesë teatrale, të cilat ishin vënë në skenë. Madje, nga të dhënat e historianit libanez I. Asuadi, del që Guvernatori ishte enciklopedik, tepër i kulturuar, njohës i thellë i letërsisë dhe arteve, fliste në shumë gjuhë dhe i bënte për vete njerëzit me natyrën fisnike dhe horizontin e gjerë.

Duke qenë në postin e lartë në një vend afrikan, ai do të ndihmonte politikisht, moralisht dhe financiarisht diasporën shqiptare. Ndihmoi F. Shirokën, J. Vreton etj. Ai mbante lidhje me gazetën “Drita” të Bukureshtit, nga merrte libra, sidomos të N. Frashërit, dhe shprehej me admirim për poemën “Bagëti e Bujqësi”. Ai thoshte për veprat e Naimit se “ato janë shkrue për të gjithë motet”.

Nuk mund të lëmë pa përmendur se me gjithë sukseset që arriti në jetën e tij si burrë shteti, si njeri plot talente, veçanërisht si veprimtar e ideolog i Lëvizjes sonë Kombëtare, ai pati dhe fatkeqësi të rënda familjare. Kështu nuk qe fatlum në martesat, i vdiqën disa gra njëra pas tjetrës, po kështu disa fëmijë në moshë të mitur. Më jetëgjatë qe martesa me francezen Berta Lerishin me të cilën pati dy djem, njërin nga të cilët e pagëzuan me emrin e gjyshit Mëhill.

Pashko Vasa u nda nga jeta më 2 korrik 1892, në moshën 77 vjeçare. Ishte guvernatori më jetëgjatë në këtë detyrë të Libanit. Një personalitet që, nën kostumin e burrit të lartë të shtetit, fshihej një nga ideologët dhe udhëheqësit e Rilindjes sonë Kombëtare, një republikan i bindur, intelektual iluminist dhe enciklopedik, krijuesi, poeti, prozatori dhe dramaturgu, historiani dhe gjuhëtari, publicisti dhe ekonomisti.

Nga gjithë sa shkroi dhe na la si trashëgim shpirtëror do të citoja, në përkujtim të 190 vjetorit të lindjes, fjalët e shkëputura nga libri “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, ku përshkruan vizionin që ka për të ardhmen e atdheut të tij: “Në kushtet më të mira, Shqipëria jo vetëm nuk do t’ia kishte zili Zvicrës, por do t’ia kishte kaluar kësaj nga bukuria, poezia dhe fuqia.”

Antologjia e poezisë arvanitase


Nga Teuta Kamberi-Llalla


Të hartosh një Antologji të poezisë arvanitase, është një punë e vështirë, duke ditur që arvanitasit e Greqisë, gjithmonë kanë qenë nën trysninë e racizmit shtetëror grek. Nën një presion të tillë, ata me shumë sakrifica ruajtën gjuhën, kulturën e tyre shqiptare, si dhe në fillim të viteve 1980 themeluan Lidhjen e Arvanitasve të Greqisë. Kjo shoqatë filloi të botonte revistën BESA dhe Kalendarin Vjetor, në faqet e të cilave pasqyroheshin pjesë nga jeta arvanitasve. Për këtë Antologji, ne shfrytëzuam pikërisht arshivën e Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë, duke bërë një përzgjedhje të kujdesshme të poezisë arvanitase gojore dhe asaj të shkruar.
Në shumicën e rasteve poezitë na janë sjellë të shkruar në gjuhën shqipe jo nga autorët e tyre por nga mbledhësit. Një problem i poezisë arvanitase është se shpeshherë autorët nuk kanë vënë emrat e tyre, por i kanë botuar pa emra ose thjesht me emrin një arvanitas i Greqisë.
Një pjesë e mirë e krijimeve poetike arvanitase janë pa titull dhe neve na u duk më e arsyeshme që ti sillnim ashtu siç i kemi gjetur. Gjithashtu zgjodhëm ato krijime të cilat kanë vlera të larta artistike dhe nxjerrin në pah karakterin e vërtet të arvanitasve. Në të shumtën e rasteve poeti arvanitas, përmes vargjeve ka shprehur gjithçka rreth ndodhive të jetës së tij.
Kërkimi për të gjetur poezinë arvanitase të shkruar është çështje tepër e vështirë, por ia vlen mundimi të merret njeriu me to, për pasurimin e mëtejshëm të kulturës sonë kombëtare.
Si përfundim dua të shtoj se ky libër është i pari i këtij lloji dhe shpresojmë që mos të mbetet i vetëm, por le të jetë një shkëndijë dhe nxitje e mëtutjeshme për punën e studiuesve që merren me çështjen e arvanitasve.
Shumë mendime ka rreth poemës O E BUKAR MORE, ku secili jep mendimet e veta.
Kjo poemë e përcjell gojarisht dhe e shtuar shumë vite më vonë ka këtë histori.
Në vitin 1534 rreth 20.000 mijë arvanitas me në krye kapitenin Andrea Doria largohen nga Korona e Moresë në drejtim të Italisë së Jugut. Largimit të kësaj mase të madhe të popullsisë arvanitase nga trojet dhe shtëpitë e tyre u kushtohet poema “O e bukura More”. Për fat të keq ende nuk dihet autori që e krijoi këtë poemë e cila u kthye në himn për të gjithë popullin arbër. Por, për herë të parë poema “O e bukura More” u gjet e shkruar në vitin 1708, në dorëshkrimet e Kieutit. Filologu arbëresh Dhimitër Camarda (1821-1882), do ta ribotonte në vitin 1866, këtë vjershë në gjuhën shqipe por me shkronja greke në librin “Appendice al Saggio di Grammatologia Comprata Sulla Lingua Albanese”.
Vite më vonë poemës “O e bukura More” do t’i shtohen edhe disa reshta të tjera nga Arqimadriti Pietro Camodeca. Kjo këngë-vaje që i kushtohet dhimbjes shpirtërore për braktisjen e pasurive të tyre u këndua për herë të parë në fshatin arbëresh Shën Dhimitri Korone në Itali. Pra, kjo poemë e kthyer në këngë nuk i përket krijimeve të poezisë gojore të arbëreshëve por, të arvanitasve. Dallimi midis arbëreshëve dhe arvanitasve është sepse arbëreshët emigruan në Itali nga Arbëria (Shqipëria), ndërsa arvanitasit shkuan në Itali nga Greqia.
O E BUKURA MORE

Petkat e të mirat tona
Na i lam te Korona
Krishtin na kemi me ne
Oj e bukura More
Thell të plas, me lot ndër si
Na të lipisnjëm, Arbëri!

Petkat e të mirat tona
Na i lam te Korona
Shën Mërin kemi me ne
Oj e bukua More!
Thell të plas, me lot nder si
Na të lipisnjëm, Arbëri!

Petkat e të mirat tona
Na i lam te Korona
Papën na kemi me ne
Oj e bukura More!
Thell të plast, me lot ndër si
Na të lipisnjëm, Arbëri!

Malet tan me lis e driza
Të bukur sheshe me muriza
Të bukur kroje, të bukur gropa
Të bukur gjerdhe me fallopa!
Jemi e vemi ndë Itali
E më s’ju shomi me këta si!
Dherat të huaj hare s’kan
Se s’mbllin printët tan
Prindë, luftuat me thik më dor
Ndërpër shi e ndëpër bor
Ni ju lëm pa një qiri
E pa një vajim. Oj Arbëri!

Luajtim valle nd’atë More
Shtum kangjele ndë ato hje
Klisht e tona të bukuruara
Shpizit tona të nderuara!
Ni vjen Turku, Turku i zi
E tërpron klish e shpi

Qeti: Shihni jet e re,
Na tha Dorja, zoti Ndre,
Lipim qellnjëm ka do vemi
Se buartim mallin e s’e kemi
Me kët zemër, me këta si
Klajëm keq kët Arbëri!

Ndallandishe e ler e ler
Kur të vish ti njatër hjer
Vjen të vish ti te Korona
E s’gjën më shpit e tona!
Më së gjën trima hajdhjar
Po ngë një qen, çë kloft i vrar!

Kur u nistin gjith anit
E dherat tan iktin ka sit
Burrat gjith me një vajtim
Thirrtin grat me një vajtim,
Dil e hana ti, Stihji!
Oj More! Oj Arbëri!

(Marrë nga libri “Antologjia e Poezisë Arvanitas” autor, Teuta Kamberi-Llalla, botuar në Tetovë, 2008)

Ismail Kadare: Dosja e Gjergj Fishtës vazhdon të jetë e hapur



Vetëm pak kohë nga botimi i përmbledhjes me tregime, novela dhe shënime “Mëngjese në Kafe Rostand”, shkrimtari i njohur Ismail Kadare vjen për lexuesin me dy botime të reja. Një joshje e re ndaj artit mund të quhet sprova letrare që mban titullin “Arti si mëkat”. Libri sjell konceptet e një shkrimtari kalibri për artin, në një analizë interesante idesh që të fusin drejt një bote që e ka joshur herët shkrimtarin. “Ka dy fate artistësh. Një palë lindin dhe rriten në shtëpi ku arti ka hyrë, ndërkaq: biblioteka është plot me libra, pasditeve nëna luan në piano ose emta pikturon, pasdarkeve miqtë flasin për letërsinë, artet dhe spiritizmin. Një palë tjetër nuk njohin asgjësend nga këto. Në shtëpitë e tyre nuk është dëgjuar kurrë muzikë, s’është folur kurrë për pikturë dhe të vetmit dialogë dramatikë që janë dëgjuar kanë qenë grindjet e prindërve në ditët plot mërzi. Askush nuk mund ta dijë, ndërkaq, se cili mjedis e nxit më fuqishëm prirjen e artistit të vogël: ai që e josh me praninë e tij gjithkund, apo tjetri, që ia shton etjen me mungesën e tij. Ndërkaq, ka edhe një fat të tretë, disi më të rrallë, por më dramatik. Jo vetëm që fëmija që ëndërron të pikturojë ose të shkruajë nuk ka kurrfarë nxitjeje nga njerëzit e familjes, por, përkundrazi, ka pengesë. Dhe artisti i ri shkon drejt artit siç shkohet drejt mëkatit”, shkruan Kadare në këtë libër. “Uragani i ndërprerë: Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” është botimi tjetër i “Onufrit” të këtij shkrimtari, një version i rishikuar i studimit të hershëm me të njëjtin titull. Pas botimit në veprën e plotë më 2009, ky botim i autorizuar i Kadaresë del për herë të parë si libër më vete. Këtu përfshihen dy parathënie të Kadaresë për këtë sprovë dhe hidhet dritë për herë të parë për botimin e vitit 1991, nga shtëpia botuese “8 Nëntori”. Ky botim ishte pa lejen e autorit. Në parathëniet Kadare shpjegon qartë dhe u jep përgjigje spekulimeve që e kanë shoqëruar këtë sprovë gjithë këto vite të tranzicionit.

Ismail Kadare: Dosja e Gjergj Fishtës vazhdon të jetë e hapur

Sprova për Migjenin, e titulluar fillimisht “Uragani i ndërprerë”, u shkrua si parathënie e gjerë për botimin e veprës “Novelat e qytetit të veriut”, në Francë, në fund të viteve tetëdhjetë. Meqenëse me tekstet e botimeve të veprave të letërsisë shqipe në gjuhë të huaja merrej shtëpia e botimeve politike “8 Nëntori”, përkthimi në frëngjisht, si dhe miratimi i tekstit nuk mund të bëhej veçse prej saj. Sprova për Migjenin kaloi kështu nëpërmjet një shtëpie botuese që shquhej për dogmatizmin e saj të skajshëm. Kjo ka kushtëzuar ndoshta edhe më fort një pjesë të kufizimeve të këtij teksti, që gjithsesi ishte vështirë të shmangeshin. Ndërkaq, duhet thënë se me datën e botimit të kësaj sprove është kryer, me dashje ose pa dashje, një dezinformim publik, i cili për herë të parë po sqarohet në këtë shënim. Sipas marrëveshjes me shtëpinë botuese franceze “Fayard”, proza e përkthyer e Migjenit, bashkë me sprovën e gjerë që e shoqëronte, u dorëzua në fillim të vitit 1989. Pak kohë më pas, libri doli nga shtypi në Paris. Teksti i sprovës nuk u botua në shqip dhe as u paraqit prej autorit në ndonjë shtëpi botuese.
Një vit pas ikjes së autorit në Francë, teksti i sprovës, i mbetur në zyrat e shtëpisë botuese “8 Nëntori”, u botua prej kësaj shtëpie pa kurrfarë leje të autorit, pa asnjë sqarim dhe jashtë çdo mbikëqyrjeje të tij. Redaktori i botimit, siç e dëshmon botimi, ka qenë Arshin Xhezo, kryeredaktor i gazetës më politike shqiptare “Zëri i popullit”. Data e botimit 1991, pas rënies së komunizmit, për një temë delikate për nga natyra e saj, të shkruar më 1988-1989, siç është shënuar në fund të tekstit, pra në komunizëm, do të krijonte, pa dyshim, jo pak habi midis lexuesve. Thelbi i çështjes lidhej me pyetjen se si ishte e mundur që kjo trajtesë, e botuar pas rënies së komunizmit, nuk kishte as më të voglin sqarim për ato kufizime, një pjesë e të cilave diktoheshin madje dhunshëm prej rendit komunist, siç ishte problemi i klerit katolik dhe sidomos i Gjergj Fishtës. Për këtë është folur gjerësisht në intervistën në “Hyllin e Dritës”, që ribotohet në këtë vëllim të veprave.
Sprova për Migjenin ishte një rast për t’i dhënë publikut të gjerë francez një tablo të përgjithshme të letërsisë shqipe që nga zanafilla e gjer në kohën tonë. Kufizimet e tekstit, gjuha shpeshherë e ngurtë, epitetet e ashpra “reaksionar, shovinist, arkaik, konservator”, të përdorura me tepri, shpeshherë për të lehtësuar kalimin e ideve dhe mesazheve liberale, nuk do ta dëmtonin aq rëndshëm tablonë në sytë e publikut francez, sa ç’do ta dëmtonte heshtja e plotë dhe mospërmendja e emrave të ndaluar, në radhë të parë e emrit të Gjergj Fishtës. Për publikun perëndimor epiteti “reaksionar” nuk kishte atë ngjyrim tragjik si te ne, ku përfytyrimi i parë shoqërues ishte skuadra e pushkatimit. Në tekst ishin trajtuar në një mënyrë pothuajse normale shkrimtarë të ndaluar ose gjysmë të ndaluar, si: Konica, Koliqi, Pasko, Poradeci. Mbetej gjithmonë Gjergj Fishta, i cili, ashtu si i dënuari numër një, që s’mund të shfaqet në publik pa prangat në duar, nuk mund të përmendej pa epitetet shoqëruese të zakonshme, çka ishte ndoshta më mirë sesa të mbetej në terr të plotë. Aty-këtu në tekst ka ndonjë përpjekje të druajtur për ta ndryshuar gjuhën ndaj Fishtës, si në kreun pesë, ku flitej për nacionalizmin antisllav të poetit: “Aq më pak nuk i lejohej një poeti që, duke dhënë tablo tronditëse të kësaj ndeshjeje dhe duke u revoltuar me të drejtë ndaj padrejtësive që i qenë bërë e vazhdonin t’i bëheshin kombit shqiptar, të mos bënte, megjithatë, një dallim midis popujve sllavë e shovinizmit serbomadh”. Ka gjasë të jetë hera e parë që në Shqipërinë komuniste shprehja “duke u revoltuar me të drejtë” të jetë përdorur për Fishtën. Në të njëjtin kapitull, pak radhë më poshtë, thuhet se mesazhet shoviniste nuk pranoheshin në Shqipëri “qoftë edhe kur ato parashtroheshin nga një poet i shpallur kombëtar, e qoftë të shprehura me një poetikë hijerëndë e mjeshtërore, siç qe përmbledhja ‘Mrizi i zanave’, vepra më e arrirë artistikisht e tij”.
Siç shihet është një përpjekje, ndonëse ende e brishtë, drejt normalitetit. Po t’i shtohet kësaj edhe ikonografia e botimit francez, ku fotografitë e Fishtës, ashtu dhe të shkrimtarëve të tjerë të ndaluar, zënë vendin e tyre të natyrshëm midis plejadës së shkrimtarëve të mëdhenj të kombit, atëherë mund të thuhet se një përpjekje e parë, ndonëse e pamjaftueshme, është bërë drejt rehabilitimit. Dosja e Gjergj Fishtës vazhdon të mbetet e hapur në Shqipëri. Dhe kjo është e kuptueshme. Borxhi ndaj tij mbetet gjithmonë i madh, më i madhi borxh ndaj një poeti i ndërgjegjes shqiptare. Ky borxh mund të lehtësohet dhe do të lehtësohet vetëm me dashuri dhe sinqeritet, dhe jo me nervozizëm dhe revansh. Për fat të keq, janë këto dy të fundit që ende ndihen më fort. Dhe është e natyrshme të jetë kështu, përderisa shpeshherë qëllon që në ballë të falangës për kinse mbrojtjen e poetit, shfaqen shpesh fytyra jo fort të besueshme. Është thënë dhe duhet përsëritur prapë se nuk mund ta mbrojnë poetin rrahagjoksët që gjer dje nuk ia përmendnin kurrë emrin, as disidentët e rremë, që kanë shërbyer në policinë e fshehtë komuniste, që kanë denoncuar e futur në burg kolegët, as ata që shquhen ende sot për nostalgjinë ndaj otomanëve, ose që afishohen kundër Gjergj Kastriotit.
Mospërputhja midis adhurimit ndaj Gjergj Fishtës dhe njëfarë shpërfilljeje që ende vazhdon është kushtëzuar ndoshta nga ajo që u tha më lart. Dëshmi e kësaj shpërfilljeje është përurimi tejet modest dhe gati-gati i bojkotuar i shtatores madhështore të poetit, vepër e skulptorit të shquar Ilmi Kasemi. Shtatorja e poetit e dyzuar nga transfiguracioni në bronz i poezisë së tij epike, u përurua në Lezhë, më 15 gusht 2009, në kohën që po shkruheshin këto radhë. Ajo që duhej të ishte një festë kombëtare e artit, shoqëruar me një ndjenjë të thellë meditimi për shkrimtarët e ndaluar, kaloi për habi si një ngjarje e rëndomtë, gati-gati e pavërejtur nga media dhe nga krejt shoqëria shqiptare.
Bojkoti i shtatores nxori në pah se veçimi i poetit vazhdonte në Shqipëri, njëzet vite pas rënies së komunizmit, për të tjera arsye tani dhe nga të tjerë faktorë. Nuk ishin të paktë ithtarët e poetit që, me dashje ose pa dashje, në vend që të shmangnin pengesat dhe moskuptimin, shpeshherë i shtonin ato. Krijohej përshtypja se s’bëhej asnjë përpjekje për të afruar drejt Gjergj Fishtës njerëz që, për arsye që diheshin, nuk e njihnin atë, ose që mendimin e gabuar për të dëshironin ta qortonin. U krijua kështu, dashur pa dashur, një brez sanitar rreth poetit, pra një veçim i ri, pikërisht atëherë kur duhej të ndodhte e kundërta.
Një tjetër mungesë e kësaj sprove për Migjenin është trajtimi i figurës së mbretit Zog. Ndonëse shteti komunist kishte një linjë të përcaktuar rreptë lidhur me këtë personazh, mund të thuhet, pa frikë, se censura për Fishtën ishte dukshëm më e pakapërcyeshme se ajo për mbretin. Rrjedhimisht, sado paradoksale të duket, për shtetin komunist shqiptar, poeti Gjergj Fishta ishte më i rrezikshëm se mbreti Zog.
U theksua kjo për të vënë në dukje se përmendja e monarkut të parë shqiptar në këtë parathënie kurrsesi nuk ishte aq e vështirë sa e Fishtës, kështu që as epitetet e vrazhda ndaj tij nuk ishin as të detyrueshme dhe as të përligjura. Arsyeja e ashpërsisë ndaj mbretit lidhet me tjetër gjë, dhe pikërisht me një nga motivet kryesore të kësaj sprove, marrëdhëniet midis sunduesit diktator dhe shkrimtarit të madh. Në kohën që u shkrua kjo sprovë dukej qartë se ky raport të kujtonte më shumë rendin komunist, sesa shtetin mbretëror. Për rrjedhojë, paralelizmi i hamendësuar midis diktatorit komunist dhe mbretit, vetvetiu e dëmtonte kryesisht këtë të fundit.
Një tjetër problem delikat që, në një mënyrë ose në një tjetër, shtrohet në këtë trajtesë, është raporti midis Migjenit dhe shkrimtarëve të mëdhenj të ndaluar, kryesisht Fishtës. Ky raport as është shtruar e as që mund të shtrohej drejt. Sipas një tradite të keqe të ideologjisë sunduese të kohës, Migjeni cilësohej gati-gati si pararendës i realizmit socialist shqiptar, çka ishte një mashtrim i pashembullt. E keqja vazhdoi më pas, kur, në vend që ky mashtrim, bashkë me komunizmin, të rrëzohej, ai vazhdoi të mbrohej, këtë herë nga kampi kundërshtar, nga vetë fishteanët. Migjeni vazhdoi të quhej shkrimtar pothuajse komunist, ndonëse të gjithë e dinin se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se mentori i tij i parë kishte qenë pikërisht Ernest Koliqi, i shquar për antikomunizmin e tij.
Pas viteve ’90, në kohën e demokracisë, kundër Migjenit, kinse në emër të antikomunizmit, u përdor dhe ende vazhdon të përdoret një gjuhë mizore, që nuk i lë asgjë mangët traditës staliniste.
Kësaj tradite iu shtua zakoni i keq shqiptar, sipas të cilit rikthimi në Panteonin e letrave i një shkrimtari të madh, shoqërohej nga dëbimi prej Panteonit i një tjetri shkrimtari të madh. Kështu u vunë në skajimin më të mbrapshtë të mundur Fishta me Migjenin, thua se nuk mund të rrinin të dy atje ku të dy e kishin vendin në këtë botë: pikërisht në Panteon.
Historia e trishtë, e bashkë me të keqkuptimi dramatik, ende vazhdon në kohën e ribotimit, pas njëzet vitesh, të kësaj sprove.

Vepra e plote e At Gjergj Fishtes

Nga Frano Kulli

At Gjergj Fishta kishte 144 vjetorin e lindjes (23 tetor 1871)


Kjo eshte vepra e plote e Fishtes, gjithe ajo qe ai ka lene te botuar ne rreth 45 vjet te krijimtarise se vet,

Poezia Lirike (“Mrizi i Zanave”, “Vallja e Parrizit” etj., si dhe poezi te perkthyera prej tij nga letersia bashkekohore europiane-vellimi 1,2,3),

Epika (Lahuta dhe poema e pa mbaruar “Mojs Golemi”-vellimi 4),Dramatika (“Juda Makabé”, “Jerina ase Mbretnesha e luleve dhe gjithe melodramat e tjera-vellimi 5 dhe 6),Satira (Anzat e Parnasit dhe Gomari i Babatasit dhe Visku i Babatasit…-vellimi 7 dhe 8) dhe e gjithe publicistika (artikujt dhe esete e botuara ne “Hylli i Drites”, “Posta e Shqypnise“, te cilat i pati themeluar vete, si dhe artikuj e shkrime te tjera botuar ne revista e periodike te tjere-vellimi 9 dhe 10.

Botimi eshte i “Entit botues “Gjergj Fishta”.Eshte pergatitur dhe paisur me shenime spjeguese gjuhesore nga redaksia e perbere nga:Prof.Tonin Cobani, prof.Tefe Topalli, Dr. Ndue Zef Toma, Prof.Stefan Capaliku dhe prof. Hamit Borici.

Intervistë me Prof. Ardian Ndreca: Arkivat e Vatikanit na ndihmojnë të njohim vetveten


Prof. Ardian Ndreca


Pyetje: Zoti Ndreca para pak ditësh në Vatikan u zhvillua një kuvend ndërkombëtar kushtuar pranisë së dokumenteve që kanë të bëjnë me Shqipërinë në arkivat e Vatikanit. Ishin të ftuara figura të rëndësishme të albanologjisë si P. Bartl, M. Mandalà, B. Demiraj, L. Nadin, I. Sarro etj. U tha madje se në Romë nuk zhvillohej një kuvend i këtyre përmasave që nga koha e Koliqit. A mund të na tregoni cilat ishin objektivat e këtij kuvendi ndërkombëtar.

A.N.: Kuvendi trajtonte problemin e randësisë së arkivave të Vatikanit për shkrimin e historisë sonë. Siç dihet, studjues si Valentini, Zamputti, Bartl, Sarro, Demiraj etj. janë marrë gjansisht me ato arkiva, tue na dhanë nji mozaik interesant që mundet dhe duhet të përditësohet tue shtue tesera të reja që të ndriçojnë ma shumë të kaluemen tonë. Nji prej objektivave ishte që të tërhiqej vemendja e shtetit shqiptar për randësinë e hulumtimeve sistematike nga ana e institucioneve shkencore të këtyne arkivave.

Pyetje: A mendoni se ka gjëra të reja për tu zbuluar?

A.N.: Patjetër që po. Për shembull studjuesja Blerina Suta solli diçka krejt të panjohun për Pjetër Budin, historiani Italo Sarro ka botue kohët e fundit dokumente të reja shumë interesante, edhe studjuesja Lucia Nadin solli disa letra të panjohuna të Bogdanit. Megjithatë nuk duhet të ndalemi vetëm tek “zbulimet sensacionale”, pse kemi pa dekadat e fundit mjaft sharlatanë që e kanë luejt deri në fund ketë kartë nepër media. Historia asht interpretim i fakteve dhe i dokumenteve, asht vizion në tanësi i asaj që njihet në detaj, prandaj duhet punë dhe mbi të gjitha duhen formue kërkues të rinj të pajisun me metodë shkencore dhe me instrumentet e nevojshme që mundësojë kërkimet arkivore.

Pyetje: Kemi vënë re sesi nga viti 2006 i keni dhënë hapësirë albanologëve të huaj dhe vendas në revistën Hylli i Dritës që ju drejtoni. A keni gjetur mbështetje tek shteti shqiptar për këtë mision?

A.N.: Nuk mendoj se shteti duhet të bajë gjithçka, nganjiherë mjafton edhe nji fjalë e mirë. Në të vërtetë revista mbahet vetëm me kontributin financiar të françeskanëve. Megjithatë, meqë doli kjo gja, mund t’ju them se kuvendi doli me nji rezolutë drejtue kryeministrit Rama, me anë të së cilës i kërkohet që të themelojë në Romë nji institut studimesh, apo akademi, siç e kanë shumë vende tjera si Hollanda, Egjipti, Rumania, Franca, ShBA etj., që të merret me studimin e arkivave vatikanase dhe italiane. Shpresojmë që kjo qeveri të mund të realizojë diçka në ketë drejtim.

Pyetje: Arkivat, dokumentet e pazbuluara, faktet e panjohura, na ndihmojmë që të shikojmë më me qetësi të shkuarën dhe të ecim drejt së ardhmes disi më të shpenguar. Besoj e keni ndjekur polemikën e fundit të Ben Blushit me figurën e Lef Nosit. A mendoni se po të kishte studjuar më thellë Blushi figurën e Lef Nosit, ndoshta nuk do të kishte bërë thirrje për të prishur monumentin e tij?

A.N.: E ndoqa nepërmjet shtypit polemikën që Blushi ka shkaktue këto ditë, me qëllim me promovue vetveten. Tue e pa çeshtjen me ftohtësi më ban përshtypje sesi nji parlamentar ban thirrje për shkatrrim të dhunshëm monumentesh. Në rastin konkret ai monument asht vu konform me ligjet dhe asnji deputet nuk e nderon nji thirrje si ajo e Blushit, prandaj jam dakord me të kur thotë se parlamenti asht i mbushun me individë mjerana.

Në qoftë se do ta kishte studjue sadopak historinë do ta dinte se populli i Elbasanit e donte dhe i ishte mirënjohës Lef Nosit pse ai e mbajti me bukë në kohën e krizave të Luftës së Parë Botnore, e shpëtoi prej lukunisë së haxhiqamilistave, ndihmoi me nji veprim filantropik bashkëqytetarët e tij, mblodhi dhe botoi dokumente historike me vlerë të padiskutueshme.

Nuk e di nëse qytetarët e Elbasanit kanë arsye me i qenë mirënjohësa Blushit sot për arsye të ngjashme? Sigurisht Blushi nuk ban mirë që mburret se nuk shkon prej disa kohësh në parlament, të paktën të kishte ndershmëninë me lanë mandatin dhe me u engledisë me romanza, por jo me marrë leje krijimtarie tue u pague me taksat e shqiptarëve që e kanë votue me i përfaqsue.

Do të ishte me shumë interes me zbulue proces verbalin e arrestimit të Lef Nosit, pse kur ai lëvizte prej malsive të Shkodrës drejt kryeqytetit, deri në ditët e fundit para arrestimit, kishte me vete, siç kanë dëshmue njerëz që e kanë takue para arrestimit, nji këllef të vogël me gur të çmueshëm që janë zhdukë. Do të ishte me interes me dijtë se ku kanë përfundue, pse sigurisht që ishin pronë e ligjshme e të zotit dhe vjedhja e tyne përban nji krim mbrenda krimit.

Do të shtoja se në qoftë se Blushit do t’i jepnin bezdi ata honxho-bonxhot që çdo vit dalin me fotot e diktatorit Enver Hoxha, do t’ia kishim marrë si parimor këtë reagimin ndaj Nosit, por Blushi ka nji ide komuniste për të majtën, prandaj ka qenë nji e mirë e madhe që e kanë mënjanue nga ajo parti. Blushin e shoh ma mirë përkrah Kastriot Islamit, Sali Berishës, Fatos Nanos, sesa Milena Haritos apo Niko Peleshit. Ndërsa si shkrimtar Blushi ka shumë shokë në Shqipni, ata të aradhës së logorroikëve pa talent, që janë shumica absolute e kategorisë dhe ta neverisin letërsinë.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...