2016-01-23

Ma hiq qafe atë celular!

image


Umberto ECO

Pak kohë më parë, ndërsa po flisja para Akademisë së Spanjës në Romë, një zonjë duke ujdisur telekamerën ma përplasi në fytyrë një dritë verbuese e s'po më linte të lexoja dot shënimet. Iu ktheva shumë i lënduar, sikurse më ka ndodhur edhe me fotografë të tjerë të pasjellshëm, duke i thënë se rregullat e ndarjes së punëve na mësojnë se kur unë jam duke punuar të tjerët duhet ta lënë punën. Dhe zonja e fiku telekamerën, por mori pamjen e njeriut që i bien më qafë kot. Në San Leo, bash javën që shkoi, ndërsa po shpallej një nismë shumë e bukur e komunës për rivlerësimin e peizazheve të vendit në pikturat e Piero della Franceskës, tre vetje po më verbonin me flash-et e tyre, ndaj m'u desh t'u kujtoja rregullat e edukatës së mirë. Dukej se në të dyja rastet verbuesit nuk ishin tipa nga ata që futen në Big Brother por, me gjasë, njerëz të mësuar dhe që vijnë me dëshirë në veprimtari të tilla për të ndjekur diskutime në një fushë të dijes. Gjithsesi, është e qartë se sindroma e syrit elektronik i uli ata nën nivelin që mbase aspironin ngaqë, praktikisht të çinteresuar për çka po thuhej, donin vetëm ta regjistronin ngjarjen, qoftë edhe për ta vënë pastaj në YouTube. Nuk donin të kuptonin për çfarë po flitej, ngase atë që mund ta kishin rrokur përmes shqisave, mëtonin vetëm ta ruanin në kujtesën e telefonit celular.

Gjithëprania e syrit mekanik në vend të trurit, më ngjan se ka ndryshuar mendërisht edhe njerëz përndryshe të qytetëruar. Nga veprimtaria ku qëllon të marrin pjesë ata largohen duke marrë me vete ndonjë imazh, por pa kuptuar asgjë se ç'u tha e se ç'u bë (dhe do t'i kisha mirëkuptuar nëse do të isha ndonjë kërcimtar nudist). Sikundër e marr me mend, teksa i bien botës rrotull duke fotografuar çfarë u sheh syri, ata janë të dënuar që të nesërmen ta harrojnë ç'mundën të shohin një ditë më parë. Në disa raste kam rrëfyer se ç'më ndodhi në Francë më 1960-tën, kur pasi fotografova si i marrë një mori katedralesh, hoqa dorë përfundimisht nga bërja e fotografive. Sepse kur u ktheva në shtëpi nuk rikujtoja dot çfarë kisha parë, ndërsa nga udhëtimi më mbetën si kujtim vetëm disa foto pa vlerë. Prandaj e flaka aparatin dhe gjatë udhëtimeve të mëvonshme atë që shihja mundohesha vetëm ta regjistroja në mendje. Si kujtim për më vonë, më shumë për të tjerët se sa për vete, blija kartolina shumë të mira.

Dikur, isha vetëm njëmbëdhjetë vjeç, më tërhoqi vëmrndjen poterja e pazakonshme në unazën e qytetit, ku më pati marrë osh turma e njerëzve. Pashë nga larg sesi kamioni pati përplasur një qerre që e ngiste një fshatar; kishte patur edhe gruan me vete. Gruaja ishte plandosur përtokë me kafkën e çarë dhe dergjej mbi një grumbull gjaku dhe lënde trunore, ndërsa i shoqi e shtrëngonte në kraharor duke klithur nga dëshpërimi (në kujtimet e mia, ende të llahtarshme, skena më fanepsej si një tortë me pana e luleshtrydhe, e shkelur me këmbë). I terrorizuar nuk u avita më tepër, jo vetëm pse ishte hera e parë (fatmirësisht, edhe e fundit) që shihja tru të shpërndara mbi asfalt, por sepse për herë të parë u gjenda përballë Vdekjes. Dhe përballë Dhimbjes, Dëshpërimit. Çfarë do të kishte ngjarë sikur të kisha pasur një celular me telekamera, sikurse e kanë sot të gjithë fëmijët? Mbase do ta kisha regjistruar skenën për t'u treguar miqve se unë isha aty, e pastaj ndoshta këtë pasuri do ta hidhja në YouTube për të kënaqur ithtarët e tjerë të "schadenfreude", ndryshe, të gazit që ndjen nga gjëma e tjetrit. Pastaj, ku i dihet, duke regjistruar fatkeqësi të tjera, dhimbja e tjetrit s'do më bënte më përshtypje. Përkundrazi, unë ngjarjen e regjistrova në kujtesë dhe ato pamje, edhe tash pas shtatëdhjetë vjetësh, s'më hiqen nga mendja dhe vazhdojnë të më edukojnë: po, ato më bëjnë ta ndjej në shpirt dhimbjen e tjetrit. Nuk e di nëse djelmoshat e sotëm e kanë ende këtë mundësi për t'u ndjerë të rritur. Sot, kjo racë të rriturish ka humbur përgjithmonë, ngaqë fëmijët gjithë ditën e ditës i mbajnë sytë ngulur tek telefonat celularë.

Historia e dramës "Besa", e cila do të kishte premierën më 1875-n, në teatrin osman në Stamboll



Elisabeta LULI

Më 25 mars 1875, në teatrin osman u dha për herë të parë shfaqja teatrale "Besa" e shkruar nga Sami Frashëri. Sami Frashëri, ndërmjet të tjerave, shkruan: "Që prej kohësh ma pati pushtuar imagjinatën ideja që të shkruaja një pjesë teatrale, në të cilën të viheshin në pah disa virtyte dhe zakone të popullit shqiptar. Dhe kjo, jo pse isha bir i këtij populli, por sepse kisha vënë re disa virtyte burrërore e të forta, të denja për skenë, siç ishin dashuria për Atdheun, shpirti i sakrificës, besa dhe fakti që ata nuk e kishin për gjë jetën". … Salla po mbushej plot, jo vetëm me shqiptarë që gjendeshin me punë në Stamboll, por edhe me dashamirës të artit dhe të kulturës, gazetarë etj. Ç'ishte kjo dramë e Sami Frashërit? Pse ai i kishte lënë punët e shumta të gazetarisë e të enciklopedisë dhe i ishte përveshur punës për të vënë në skenë një dramë? "Mirëpo, midis kërkesës për një pjesë teatrale dhe aftësisë sime, ishte një hendek shumë i gjerë. Prandaj, njëherë kisha vendosur që këtij qëllimi timit, t'ia arrija nëpërmjet ndonjë tregimi. Mirëpo tregimi mbetet vetëm në mendjen e lexuesve dhe mbetet si diçka abstrakte". Dhe ja, kjo dramë që po vihej në skenë në teatrin osman nuk ishte abstrakte, përkundrazi … Drama "Besa" e merrte temën nga Progonati i Shqipërisë në një ambient malësorësh të lirë, të cilët janë lindur dhe rritur në liri dhe si njerëz të lirë nuk mund të duronin dot shfrytëzimin e çifligarëve. Le t'ia lëmë fjalën përsëri autorit. "Më 10 mars fletoren e përfunduar ia dorëzova teatrit. Më 24 dhjetor, në mbrëmje, pjesa do të shfaqej. … Heronjtë e mi u gjykuan në sallën e gjyqit të ndërgjegjes sime …" Me këtë gjyq të ndërgjegjes, ndërsa dritat fikeshin në teatrin osman atë mbrëmje të 25 marsit të vitit 1875, Sami Frashëri do të vendoste vetë kohën e tij, vetë ndërgjegjen e kohës dhe të njerëzve. Është një nder dhe shenjë emancipimi i teatrit osman dhe shoqërisë turke, që hapi skenën e vet për këtë dramë të madhe atdhetare shqiptare, e cila në vetvete është një thirrje dhe manifestim për të gjitha shtresat e popullit shqiptar për ndërgjegjësimin e asaj kohe delikate në pikat e vlimit që po vinin. Nuk do të kalonin më shumë se tri vite dhe populli shqiptar, i udhëhequr nga vëllai i madh i Frashëllinjve, Abdyl Frashëri, do të udhëhiqte Lidhjen Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare kundër lakmive dhe pretendimeve shoviniste të vendeve fqinje. Drama "Besa" vuri në qendër të vëmendjes së masës së spektatorëve, fuqinë shpirtërore të shqiptarëve të thjeshtë, ato vlera të mrekullueshme të humanizmit, të lirisë, të burrërisë e të mirësisë.

Drama "Besa" e Sami Frashërit e luajtur për herë të parë në teatrin osman më 25 mars 1875, u bë një manifestim artistik i lëvizjes kombëtare shqiptare. Gjithashtu, ajo do t'i tregonte botës së qytetëruar se aty në Ballkan jetonte një popull i lashtë liridashës me thesare të mëdha njerëzore, etike dhe morale. Kjo dramë do t'i tregonte botës së qytetëruar, vitalitetin e një kombi të lashtë liridashës, siç ishte populli shqiptar. Për më tepër, drama "Besa" e Sami Frashërit do të përbënte një nga themelet e dramës shqiptare, e cila do të vihej në skenë me entuziazëm nga dhjetëra shoqëri atdhetare shqiptare në Shqipëri dhe kudo nëpër diasporë. … Në fillim të vitit 2015, u nisëm drejt Kosovës. Në Prishtinë, librashitësit kishin nxjerrë tavolinat në zemër të qytetit dhe prisnin blerësit e tyre. Dhe jo rastësisht, një nga librat më të kërkuar ishte "Historia e Perandorisë Osmane" shkruar nga Halil Inalçik. Ndërsa në Prizren, në ndërtesën e rikonstruktuar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, brenda një avllie të madhe gjendej edhe muzeu etnografik. Në pjesën ballore të muzeut ishte vendosur fotografia e Abdyl Frashërit, vëllait të Sami Frashërit, autorit të dramës "Besa". Abdyl Frashëri u bë zemra dhe truri i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në "Kamus Al-a'lam", Sami Frashëri jep këtë shkrim për vëllain e tij të madh: "Është vëllai i autorit të ngratë, i njohur dhe i quajtur Frashërli. Lindi në kohën e ardhjes së lartmadhërisë së tij, sulltan Abdylmexhitit, në katundin Frashër, i cili ndodhet në qendër të krahinës së Dangëllisë, në kazanë të Përmetit që i takon sanxhakut të Gjirokastrës së vilajetit të Janinës. Që kur ishte 14 vjeç u gjend në kufirin e Greqisë me ushtrinë ndihmëse së bashku me babanë e tij. Aty, kohën e lirë e plot qetësi e kalonte duke mësuar. Në moshën 18-vjeçare, pas vdekjes së të atit, ai mbeti mbikëqyrës i familjes shumëanëtarëshe. Për shkak të mbajtjes së familjes, ishte i shtrënguar të punonte në Drejtorinë për Mbledhjen e Tatimit (Xhelepit), në sekretariatin për mbrojtjen sociale, si dhe në detyra të tjera. Pas dy vitesh, kur i vdiq edhe e ëma, për të mundësuar shkollimin e pesë vëllezërve të tij më të vegjël, u largua nga vendlindja dhe u transferua në Janinë. Këtu, përveç përgjegjësisë së punëve zyrtare, si dhe kujdesin ndaj familjes, në kohën e mbrëmjes së bashku me vëllezërit e tij, në formë bisedash dhe konsultimesh mësonte dhe ushtronte gjuhën arabe, persiane, frëngjishten, greqishten, si dhe vepra letrare. Sami Frashëri është një mjeshtër i publicistikës në përgjithësi dhe i jetëshkrimeve në veçanti. Dhe në jetëshkrimin e vëllait ai flet qartë e saktë për këtë jetë të madhe.

"Pasi vëllezërit e tij e mbaruan shkollimin, në moshën 35-vjeçare ai u martua. Në kushtet e presionit dhe kërcënime të vazhdueshme nga ana e Greqisë, lidhur me çështjen e ndërmjetësimit të kufirit grek në dëm të Shqipërisë, së bashku me disa personalitete të tjera të Janinës, u lejua kthimi i tij në vendlindje." Dhe cili ishte kontributi konkret i Abdyl Beut në këtë drejtim? "Që nga ajo kohë nuk mbeti pa shpenzuar pasurinë dhe fuqinë kundër aneksimit të Janinës dhe Prevezës, Greqisë. Në këtë çështje tregoi një kujdes dhe vullnet të jashtëzakonshëm. Për këtë qëllim, ai shpenzoi edhe pasurinë prej disa mijëra lirash që sa e sa vite e kishte mbledhur me mundim dhe me punë …. Duke shëtitur nëpër kabinetet e shteteve të mëdha së bashku me Mehmet Ali Vrionin, të tregonte të vërtetën mbi këtë çështje. Në sajë të përpjekjeve dhe të zgjuarsisë së tij, duke kundërshtuar vendimet e Kongresit të Berlinit për çështjen e ndërrimit të kufirit me Greqinë, anët e Janinës dhe të Prevezës mbetën në kuadër të shtetit osman". Si e komenton Sami Frashëri, aktivitetin e Abdylit në Lidhjen e Prizrenit?

"Po ashtu, meqë kundërshtonte edhe qëndrimet e Serbisë dhe të Malit të Zi ndaj Shqipërisë, inkuadrohet në Komitetin e Lidhjes që ishte formuar në Prizren. Atëherë ra në një gjendje të vështirë, sepse duke u komentuar mbrapsht qëllimet e tij të vërteta dhe patriotike nga ana e disa qëllimkëqijve, të cilët nuk i donin të mirën as vetes, gjithashtu qëndroi tre vjet i burgosur në Kalanë e Prizrenit … Më 1885-n, duke kërkuar falje te sulltani, vjen në Stamboll. Pas një kohe u caktua anëtar në Këshillin e Sigurimit të Qytetit të Stambollit … Ishte jashtëzakonisht i zgjuar dhe i guximshëm, i durueshëm dhe i mësuar me mundimet dhe torturat trupore, ishte trim i madh, i prirur dhe i gatshëm të bënte të mira të shumëllojshme, ishte bamirës dhe shpirtgjerë, bujar dhe fisnik, ishte njeri që më shumë e donte rehatinë për të tjerët se për veten …

…Madje edhe vdekja e tij ishte madhështore, ashtu sikurse dhe jeta, sepse dha shpirt duke folur dhe duke thënë fjalë burrërore e këshilla të arsyeshme me vend". Jetëshkrimet e vëllezërve Frashëri në përgjithësi dhe jetëshkrimi i Abdyl Frashërit në veçanti shërbejnë si një etalon për marrëdhëniet turko-shqiptare në Perandorinë Osmane. Ata ishin të punësuar në vende ku shumëkush do të dëshironte të punonte në administratën shtetërore të një shteti të madh, si? ishte Perandoria Osmane. Madje edhe kur i kundërviheshin vijës së përgjithshme të perandorisë ata dënoheshin, por dhe faleshin e përsëri punësoheshin. Më tej, këto marrëdhënie u përtërinë dhe u forcuan në një kohë kur shqiptarët nxorën mbi gjithçka mesazhin e tyre të madh nacional dhe fitoren e pavarësisë. Ata panë te populli turk një mik të natyrshëm jo thjesht të interesave të ditës, por të interesave historike jetike. E duke parë stendat e Muzeut të Lidhjes në Prizren, ndihet kudo në çdo foto dhe ngjarje se nga ajo datë e 25 marsit 1875 kur u dha për herë të parë drama "Besa" e Sami Frashërit në teatrin osman e deri te kjo ngjarje e madhe e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka një koherencë të brendshme të pashkëputur, të mbështetur në vazhdimësi nga forcat rilindëse të kombit… …Janë të rralla evenimentet artistike si drama "Besa" vënë në skenë në teatrin osman, që të luajnë një rol kaq të spikatur në zgjimin shpirtëror të një kombi. Në themel të saj ishte liria dhe vetë drama "Besa" është një poemë për lirinë dhe emancipimin shoqëror. Në zemër të Perandorisë Osmane, dritat ishin ndezur dhe dy popujt gjithashtu po i jepnin besën njëri-tjetrit për miqësi në rrjedhën e shekujve. Do të ishte përsëri Sami Frashëri që si në një teatër vigan kohor do të paraqiste në një nga veprat e tij "Personalitetet shqiptare në Kâmûs Al-a'lâm", personalitete shqiptare të të gjitha fushave, ministra dhe kryeministra, ligjvënës dhe arkitektë të famshëm, luftëtarë dhe poetë të dëgjuar, ndërtues të mëdhenj që do të shkruanin epopenë e tyre në hapësirat e Perandorisë Osmane. Emra të tilla si Abaz Pasha, Abdyl Beu, Ahmed Rifat Pasha, Ajaz Pasha, Bajraktar Mustafa Pasha, Ali Pashë Tepelena, Amuxha Zade Hysejn Pasha, Ballaban Beu, Daut Pasha, Ferhat Pasha, Asllan Pasha, Gjedli Pasha, Halil Pasha, Hamza Beu, Hasan Pasha, princ i Egjiptit, Hoxha Hasan Tahsini, Ibrahim Pasha, Ibrahim Pashë Vlora, Is-hak Çelebiu, Ismail Pasha, Jahja Bej Dukagjini, Kara Ahmed Pasha, Kyçyk Ahmed Pasha, Lutfi Pasha, Mehmed Ali Pasha, Mehmed Pasha, Merret Hysejn Pasha, Mirahor Iljaz Beu, Murat Pasha, Nasar Qazim Pasha, Omer Pashë Vrioni, Qemal Beu, Qyprili Mehmed Pasha, Fazil Ahmet Pasha, Mustafa Pasha Qyprili, Naum Pasha Qyprili, Abdullla Pasha Qyprili, Seid Pasha, Sinan Pasha, Sirri Selim Pasha, Xhaferr Efendiu, Talib Faik Efendiu etj., janë dhënë me tërë karrierën e tyre ushtarake, administrative, ndërtuese apo projektuese, si poet apo si luftëtarë të mëdhenj në raport me kohën e tyre dhe Perandorinë Osmane, zëdhënës të mëdhenj të racës shqiptare në këtë perandori qindravjeçare me një përvojë të jashtëzakonshme në administratë. Në një kuptim të gjerë drama "Besa" e Sami Frashërit e luajtur për herë të parë në teatrin osman, më 25 maj 1875, ishte një dramë historike që u luajt në qindra vjet dhe në një hapësirë të madhe të botës.


******************

Kush ishte Sami Frashëri?

Sami Bej Frashëri (1 qershor 1850, Frashër - 18 qershor 1904, Stamboll). Ai ishte rilindës i shquar, ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dijetar i madh, shkrimtar dhe publicist. Në literaturën e huaj është njohur me emrin Shemseddin Sami.

Lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor 1850. Ishte një nga djemtë e Halit bej Dakollarit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos në Janinë. Këtu së bashku me vëllanë, Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke "Zosimea", ku përveç kulturës së përgjithshme, përvetësoi krahas greqishtes së re e të vjetër edhe gjuhën latine si dhe gjuhën frënge dhe atë italiane. Në Tetovë, nga Mahmut Efendiu (Kalkendelenli Mahmut Efendi), mësoi arabisht, persisht dhe turqisht .

Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të "Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare" dhe me themelimin e "Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip" (1879) u zgjodh kryetar i saj.

Sami Frashëri drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe "Drita" dhe pastaj "Dituria" (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një varg artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat "Abetare e gjuhës shqipe" (1886), "Shkronjtore e gjuhës shqipe" (gramatika, 1886) dhe "Shkronjë" (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe. Nga veprat më të shquara të këtij mendimtari të shquar, patriot, demokrat dhe iluminist është "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet", botuar më 1899 pa emër autori në Bukuresht. Ky traktat u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të zhvillimit të arsimit, të kulturës e të shkencës. Sami Frashëri hartoi dhe një fjalor të gjuhës shqipe që mbeti i pabotuar, ai la gjithashtu në dorëshkrim një përmbledhje këngësh popullore shqiptare.

Çështjen shqiptare Sami Frashëri e mbrojti edhe në organet e ndryshme të shtypit që drejtoi sidomos në gazetën turke "Terxhuman-i Shark". Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Çështjen shqiptare dhe historinë e popullit shqiptar Sami Frashëri i trajton edhe në veprat në gjuhën turke e sidomos në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në veprat letrare me motive nga jeta shqiptare.

Si dijetar i madh Sami Frashëri dha kontributin e tij të vyer në disa fusha të shkencës ku u dallua si përfaqësues i mendimit të përparuar materialist, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Lindjes. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke (Kamus-i türki, 1901) i cili ruan vlerën e vet të madhe edhe në ditët e sotme. Fjalori "Kamus-i türki" përmban mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore dhe është pajisur me një parathënie të gjatë të shkruar nga vetë Samiu ku parashtron parimet e tij mbi fjalorin e një gjuhe letrare. Samiu është edhe autor i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht 1882); turqisht-frëngjisht 1885); arabisht-turqisht (Kamus-i arabi). Vepra madhore e Sami Frashëri në gjuhën turke është Enciklopedia e tij "Kamus-ul alâm" (1900) në 6 vëllime, ku Samiu u jep një vend tëdukshëm botës shqiptare, figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij. Në enciklopedinë e Samiut gjenden njoftime për institucionet shtetërore, arsimore, fetare etj., si edhe të dhëna gjeografike jo vetëm për qytetet dhe qendrat administrative më të rëndësishme të Shqipërisë, por edhe për fshatrat më të njohura.

Si shkrimtar Sami Frashëri shkroi në gjuhën turke drama e romane. Vepra më e rëndësishme tregimtare Sami Frashëri "Besa", e botuar më 1875 (?) e ka marrë subjektin nga jeta shqiptare. Ajo u shfaq në teatrin perandorak në Stamboll më 1874, një vit para se të botohej.

Për popullarizimin e dijeve shkencore shkroj disa libra dhe broshura, të ciat i përmblodhi në "Bibliotekën e xhepit", hartoi tekste të ndryshme, botoi antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia botërore dhe kryesisht orientale, ai la në dorëshkrim 11 vepra kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë. Sami Frashëri ishte edhe një gazetar i talentuar. Ai ka bashkëpunuar me shkrime dhe ka qenë redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta si psh: "" ("Mëngjezi" 1876), ku për një kohë ishte kryeredaktor, ("Java") etj.

Në punën krijuese të Sami Frashëri një vend të rëndësishëm zënë edhe përkthimet, e kryesisht ato nga frëngjishtja. Ai shquhej për kulturën e tij të gjerë në shumë fusha. Biblioteka personale e tij kishte 20,000 vëllime. Për veprimtarinë patriotike edhe për frymën përparimtare që përshkon veprat e tij Porta e Lartë e ndoqi dhe e persekutoi Sami Frashërin, duke e internuar e izoluar. Vitet e fundit atij i qe ndaluar të dilte nga shtëpia. Atdhetari i shquar vdiq në Stamboll.

Titujt e veprave

Gjave (1876)
Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet (1899)
Besa dramë (osmanisht)
Kamus-i Turki fjalor (osmanisht-
Kamus al alam enciklopedia e parë osmane e gjeografisë dhe historisë.
Kamus-i Fransevi, 1882 Fjalor osmanisht-frëngjisht
Kamus-i Fransevi, 1885 Fjalor osmanisht-frëngjisht
Kamus-i Arabi, Fjalor arabisht-osmanisht
Dheu Është Flori
Dashuria e Talatit për Fitneten
Himmetu-l-Himam fi neshri-l-Islam
Medeniyyet-i-l islamiyye

(Floripress)

Ja çfarë duhet të bëni në rast të një sulmi terrorist?

image


Sulme të përmasave të atyre siç ndodhën në Paris, ku mbetën të vrarë 129 persona dhe u plagosën afro 400 vetë, janë të rralla. Por çfarë këshillash duhet të ndjekin njerëzit në ngjarje të tilla?

TË JENI TË PËRGATITUR.


 Shumë të mbijetuar në sulmet në Paris thanë se i kujtuan të shtënat e armëve për fishekzjarrë. Kjo është diçka e zakonshme thotë instruktori i mbijetesës John Leach. Njerëzit nuk kujtojnë se janë të shtëna sepse nuk e presin diçka të tillë. Por dikujt që i shkon nëpër mend diçka e tillë, me siguri reagon më shpejt nga ngjarja. Është e lehtë të ulesh në një restorant apo kinema dhe të mos i kushtosh rëndësi daljeve të emergjencës, por nëse i dimë ato mund të shpëtojmë jetët tona.

VEPRONI MENJËHERË.

 Shumica e njerëzve hutohen nga ajo që ndodh gjatë një sulmi. Nga studimet e instruktorit Leach nëpër botë, vetëm 15% e njerëzve përgjigjen në atë mënyrë që i ndihmon ata të mbijetojnë. 75% janë konfuzë rreth asaj që po ndodh, ndërsa 10% janë ata që reagojnë në mënyrën që i ulin shanset e vetes për të mbijetuar dhe për më tepër i prishin punë edhe të tjerëve. Të veprosh me vendosmëri do të thotë që me shumë gjasa të mbijetosh, por është në natyrën e njeriut që të gjithë presin që të reagojnë të tjerët në fillim.

TË KUNDËRPËRGJIGJENI.

 Ndonjëherë të përballesh me një të armatosur, pa qenë i stërvitur, të bën të rrezikosh jetën tënde. Është e rëndësishme gjithashtu të dimë, se shumica e sulmuesve veprojnë në grup. Shumica e tyre janë të armatosur, pastaj ka edhe nga ata që kanë eksplozivë. Por pavarësisht rreziqeve, disa njerëz mendojnë se është e rëndësishme të kundërpërgjigjesh e të luftosh nëse është e nevojshme.

PAS ARRATISJES.

 Kur dikush ka arritur të shpëtojë nga vendngjarja apo situata e tensionuar që është krijuar, është e rëndësishme që përsëri të tregohemi vigjilentë. Largohuni sa më shumë të jetë e mundur, dhe shkoni në pikën më të afërt ku mund të kërkoni ndihmë. Është e rrezikshme t'i bashkoheni turmave të mëdha të njerëzve apo të merrni transportin publik.

NDIHMONI NJËRI-TJETRIN.

 Në rastet kur ndodh një sulm, bashkëveprimi me njëri-tjetrin mund të rrisë mundësitë e njerëzve dhe individëve për mbijetesë, thotë Chris Cocking, një psikolog i sjelljes së turmave. Pas disa pyetësorëve që ky i fundit ka zhvilluar tek njerëzit që kanë hasur në situata të tilla, shumica janë përgjigjur që mënyra më efikase për të shpëtuar, është nëse të gjithë bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

Financial Times-Kush e drejton dhe kush i urdhëron sulmet

image


Kush e drejton Shtetin Islamik?

Shteti Islamik drejtohet nga Abou Bakr al-Baghdadi, që shpalli në qershor të vitit 2014 "kalifatin" në territoret e fituara në Siri dhe në Irak. Ai luan një rol të madh, por përgjegjësitë e veprimeve ushtarake dhe administrative të "kalifatit" janë ndarë mes përgjegjësve të tjerë, veçanërisht të vendosur në Raqa dhe Mosul, bastione të Shtetit Islamik në Siri dhe në Irak. Nga shqetësimi për të funksionuar si një shtet, ISIS-i ka krijuar administratë për drejtimin e shërbimeve. "Baghdadi duket se është një figurë e planit të parë në procesin e vendimeve", thekson Aymenn al-Tamimi, studiues në "Middle East Forum". "Por mendoj se ekziston një fare autonomie akorduar për çdo shkallë të hierarkisë lokale", shton ai.



Kush i urdhëron sulmet?

Nuk ka gjithmonë prova të prekshme që zyrtarët e lartë të Shtetit Islamik kanë urdhëruar sulmet e kryera të premten e 13 nëntorit në Paris, edhe pse është Baghdadi që merr vendimet strategjike. "Ne nuk kemi për momentin asnjë provë që sulmet në Paris janë urdhëruar nga kreu më i lartë i Shtetit Islamik", konfirmon Tamimi. "Operacionet janë në mënyrë të dukshme të ekzekutuara nga komandantët nën urdhrat e Baghdadit", nënvizon nga ana e tij Harleen Gambhir, nga Instituti "For the Study of War". Agjentët e lidhur me Shtetin Islamik kanë tentuar të sulmojnë Evropën disa herë këtë vit



Si bëhen rekrutimet?

Shteti Islamik përdor një makinë propagande shumë të zhvilluar për të prodhuar video, foto dhe deklarata përsa i përket aktiviteteve duke përfshirë ekzekutimet brutale të kryera në publik, për ta ndihmuar të tërheqë të rekrutuar. Por, për një operacion si ai i ndërmarrë në Paris, të kesh agjentë me lidhje në Evropë është një faktor kyç. "Shteti Islamik ka zgjedhur të përdorë luftëtarët e huaj evropianë për sulmet në Paris, sepse luftëtarët mbajnë lidhje me rrjetet radikale dhe kriminelët në vendet e tyre", thekson Harleen Gambhir. "Këto rrjete ndihmojnë në furnizimin me armë dhe logjistikën e nevojshme për zbatimin e një operacioni, si sulmet në Paris", shton ajo.



Cilat janë burimet e financimit?

Ka shumë burime, sipas ekspertëve. Në territorin që ISIS kontrollon në Irak dhe në Siri, Shteti Islamik praktikon shantazhin dhe vendos taksa për popullsinë lokale. Kësaj i shtohet dhe kontrabanda e naftës dhe sendeve të antikitetit apo ryshfetet për lirimin e pengjeve. Sipas një hetimi të "Financial Times", publikuar në muajin tetor, vetëm trafiku i naftës i siguronte Shtetit Islamik 1,5 milionë dollarë në ditë me një çmim mesatar për një fuçi naftë 45 dollarë. Por, operacionet e jashtme janë të financuara në mënyrë të pavarur, edhe pse ato mund të mbështeten në një financim të organizatës. "Funksionimi i Shtetit Islamik është ndryshe nga ai i Al-kaedës", nënvizon Matthew Levitt, ish-zyrtar i Thesarit amerikan në "Washington Institute". "Kjo ndodh pasi ai kontrollon një pjesë të madhe të territorit dhe mund të përdorë vendosjen taksave për popullsinë, forma shantazhi dhe çdo lloj aktiviteti kriminal", shton Lewitt.



Sa kushtojnë sulmet?

Jo shumë, kryesisht në raport me shumat e mëdha të shpenzuara për t'iu përgjigjur apo për t'i penguar. Kostoja varet nga numri i personave të përfshirë në ekzekutim dhe përgatitje. "Nuk bëhet fjalë për shuma të mëdha. Këto gjëra kanë kosto të ulët", thekson Matthew Levitt. "Operacioni i ndërmarrë në Paris mund të ketë kushtuar 50 000 dollarë (46 900 euro)", shtoi ai, në funksion të numrit të personave të përfshirë.

Kur dibranët luftonin kundër serbëve

image


Qerim LITA

Kryengritja e Shtatorit të vitit 1913 (e cila fillimisht shpërtheu në Dibër, që më pas të shtrihet në mbarë brezin kufitar Ohër-Strugë-Dibër-Gostivar-Prizren), në kohë të fundit ka zgjuar një interesim më të madh tek studiuesit shqiptar e më gjerë, të cilët përmes disa Konferencave shkencore kombëtare e ndërkombëtare të organizuara në Dibër, Strugë e Ohër, kanë arrit të hedhin dritë mbi atë ngjarje me peshë historike. Mirëpo, sado që në ato konferenca, studiuesit përmes punimeve të tyre studimore, ofruan shumë fakte dhe të dëshmi të panjohura për opinionin shqiptar e më gjerë, megjithatë nuk mund të thuhet se u arrit zbardhja e tërësishme e asaj Kryengritje. Nisur nga kjo, e pash të arsyeshme që përmes gazetës shqiptare të Shkupit "KOHA", të botoj një dokument shqiptar i pa botuar deri më sot, në të cilin ofrohen disa të dhëna të reja jo vetëm për Kryengritjen e Shtatorit të vitit 1913 por edhe për Kryengritjen anti-serbe të viteve 1920-22 në Krahinën e gjerë të Dibrës e të Lumës, që në historiografinë shqiptare njihet si Kryengritja e Drinit. Dokumenti është i shkruar me dorë, ku nuk figuron as data e hartimit dhe as autori, mirëpo shikuar sipas përmbajtjes i njëjti është hartuar gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, nga Ismail Strazimiri, i cili ka qenë pjesëmarrës aktiv në të dy kryengritjet. Dokumenti, gjendet në Arkivin Qendror Shqiptar, Fondi "Ministria e Tokave të Liruara - 1941-1944", dosja 25. I njëjti botohet në formë origjinale.

. . .

"Si kuer se, do ta shifni në fotografi qytetin Historik Dibrën e Madhe e cila si në kohë të Skënder Beut ashtu dhe në kohën e fundit më 912(bëhet fjalë për vitin 1912 - Q.L.) si marshonin ushtriet Serbe mbi Shqipni ndeshen në luftime të rrepta ku ma pastaj lufta zuni vend në grykën e vogël ku vazhdojë 3 (tre) muej me radhë, natyrisht Dibranët u thyen se, ishte përpara nji ushtris qi then gardhat e frontevet të mbretnis Otomane e jo të qindronin ato n'at dimën me ka nji rup me municijon, por me gjithë të mehtat e ushqimit munocjonit e fuqis prap mujti me qendrue tre muej me radhë, e nuk i lanë kalorsit Serb m'u hedhë nëpër kualë e me zaptue tokën Shqiptare kot. Pra prap më (1)913 u fillue lufta në fushën e Alisë (qark i Dibrës Vogël) e mandej tue u ndie zani "a besa besë" bura e gjin u zgjanue revulucjoni nëpër tanë qarkun e Dibrës Vogël dhe në gjith t'asaj Dibrës Madhe ku me luftën e bamë më 48 orë pa pre ju arit qytetit Dibrës Madhe, ku paria dhe shumë burra të zgjedhun ishin marrun prej Serbëve nën vuajtje (zënë rob - Q.L.) në kohën kur lufta po zgjanoheshe, mbasi Serbët e panë se, luanët e Gjergjit të I-rë po i afroheshin qytetit, i muarën parinë dhe burrat trima të Dibrës për m'i gri në mitralioz tue gjumue topat dhe krismat e mitralizovet si dhe pushkët e Shqiptarvet u dha urdhën prej komandantit qi të ekzekutohet.... si qenë ata të rrethue dhe mitralozi filloj kundrejt tyne, u dha britma "a besa besë me dorë burra" u zgjidhën si luanat prej kufomavet dhe ju turrën ushtarve Serb kujt u muerrën pushkën e kujt revolen .. dhe filloj lufta dhe në qytet, tue mbet të grim nga patarja: Sheh Mumini, Sadulla Strazimiri, Ramiz Beu, Safet Beu... dhe shumë të tjerë, dhe të tjerët që murnë mjetet luftarake në dorë filluan luftën kundra Serbve, dhe britma e besës po tingëllonte në çdo shtëpi e lagje qi kështu zani i gjith popullsis që përbante prej 30,000 frymësh tue bërtitë burra me spata e me thika binuni Serbvet. Zani këmbonte si kambana e Katedralës Romës, mbas dy orë lufte u rethue tan qyteti prej luanash qi vishin prej s'jashtmi dhe të gjith topat, mitralozat e nji shumica 300 ushtarë Serb ngelën të robnuem, e mandej u muerr pjesa tjetër deri afër Resnjës (Manastir e deri nhymjet Tetovës). Dhe ushtarët e oficerët Serb qi u robnuan ndër të cilët shumica ishin të plagosun mbasi u banë kushtet ma të mira si spitalë u vendosën duke ju siguruar të gjitha mjetet si i meritojnë spitalet ndërkombëtare për shërimin e tyne.

E pra kundrejt barbarizmavet Serbe, Shqiptarët qi i akuzonte Serbi si të tillë ju afruan atyne shëndetsinë ma njerzore qi ata ndoshta nuk e kishin pamun në ata shtete moderne qi kishin luftue e ja Shqiptarët qi n'at kohë organizoheshin me anën e nji Komiteti. Bamirsinat qi panë të plagosunit dhe të robnuemit besojmë edhe sod nuk do t'i ken harue..., kur vetë ata e pohonin se, me të zanun rob kishin kujtue se Shqiptarët kan me i grië, por ma pastaj ju doli e kundërta sa habiten në bamirsin dhe besnikrin Shqiptar. Dhe më pastaj kur shpërthej lufta 14 dit me radhë, munycjonet munguhen, ushqimi mungonte mbasi luftat u larguen nga 100 km (gjatësia e frontit 100 km. -Q.L.). Dhe n'atë kohë nuk ekzistonte nji Qeveri Shqyptare ose nji organizatë qi të kujdesesh për të sigurue nji municjon dhe ushqimin, me gjith që, Serbët sollën nji ushtri prej 70.000 vetash mbas dy luftimevet të rrepta e mbas nji damit që mbetën të vramun, shumica e Shqiptarëvet të cillët kishin frontin prej Gostivarit e deri në Petrine të Manastirit pa pasun asnji top ose mitralioz si dhe mjaftë fishekë për pushkët e tyne u - thyen tue u tërhekë nëpër malet e Matit e të Lurës, masandej në Dibër kush u gjet Shqiptar mbeti i therrur dhe tanë ajo pasuni u grabit prej Serbvet, sa që dhe sod sexhadet e gjanat ma kalitativ gjinden nëpër shtëpijat e oficervet Serb qi u ndodhnë në garnizonet e athershme, dhe katundet e bukra e të begatshme si u dogjën krejtsisht fusha e Dibrës Madhe e asaj të Voglës si dhe katundet e fushës Kastriotit deri afër Lumës u banë hi dhe gërmadha. Popullsia e qarqeve të Dibrës gjetën streh e lëmosha vllaznore të Elbasanit e ma tepër tek Tiransit, ku edhe Dibra duhet t'jet mirënjoftës përpara edhe Tiransit. Pastaj mbas nji kohë të shkurtun u lirue kufini i 1913-tës ku popullsia ma e shumta u kthyhen nëpër gërmadhat e tyne duke mbulue ka nji kasolle sa me jetue e me shpëtue prej shiut e dëborës. Më (1)915 kur Esad Pasha dash të shtynte rebelët, dhe n'at kohë Serbët e lejum prej Esadit, ndodhën në luftë me Dibranët por mbasi çan këtu nji rrugë lufta nuk zgjati shumë. Kur më (1)918 Serbët e kthyem prej luftës madhe, t'armatosun e ma shovenë nuk dojshin kursesi me u tërheqë në kufinit e 913-tës, më 1919 Komiteti i Arrasit i dërgoj nji Memorandum Komandantit të ushtrivet Serbe në Peshkopi për lirimin e provincës Dibrës në bazë të kufinit (1)913-tës të njoftun prej Kësh. të Ambasadorvet, Komiteti kërkonte nji gjegje a lirimin ase luftë, Komandanti u tall dhe as gjegje nuk i dha. Komiteti mbasi priti të mbushet afati i caktuen në memorandum mandej filloj të realizojnë në të katër anët allo, allo, as nji telefon nuk gjegjesh mbasi ishin këput, asnjo fuqi me t'jetrën s'mereshte vesht, e kështu mbas planit të Komitetit ku ishin 600 ushtarë shkuenin 150 Shqiptarë e kështu në nji luftim 10 arësh fuqija e përbame prej 30.000 urtarësh Serb të forcuem nëpër këndet ma strategjike e me gjith at alamet topash e mitralozash mbasi shumica u vranë, pjesat tjera ranë rob në dorën e Shqiptarit, dhe luftat ma të rrepta njgjanë në katundet e Kr. Trojakut dhe në katundet Berzhdan, ...., .... e Pollozhan sa memzi ka shpëtue Komandanti me disa autoritete civile tue lanë rrugën mbasi qe preme xhadeja e Dibrës Madhe kapërcehen prej malit Skërtacit për Gostivar. Dhe pjesa e robnueme bashkë me 10-12 oficera të mbëdhej u dërguen në Tiranë, mbasi shumica qe vra në luftë ku Drini n'at ditë mori ngjyrë të kuqe prej gjakut. Shqiptarët, si kurse, ja - u kishin njoftue dhe në Memorandumin që u përmend ma sipër s'kishin për qëllim me kapërcye kufinin e (1)913-tës me gjithë se n'ato ditë u çliruen Dibra Madhe, Gostivari dhe të t'jera qytete dhe tue ja u dorzue administrimin shqiptarvet atjeshëm dhe mandej mbasi e panë se, shqiptarët me të vërtetë respektonin traktatin ndërvendas - u qetsuhen duke u kthye prej Shkupit e Manastirit nëpër vendet e tyne. Por dhe kjo nuk u kërkohej ma se, 13-14 ditë kur qeverija Serbe e- cila ka zanun vendin e Austro-Hungaris vjetër solli 70.000 ushtarë nji ushtri me të gjitha mjetet qi i lypsin nji ushtris s'atillë dhe filloj lufta përsëri ku mbas tre ditë e tre netë Shqiptarët mbasi nuk patën ndihmë prej asnji vendi të Shqipnis (mbasi atherë nuk ekzistonte nji Qeveri kaq e fortë dhe me rregull si kjo e sotshmja) u shtrënguen m'u tërhekë po si n'at (1)913 -tës duke i dërgue gra e fmi e pleq në Tiranë, dhe pjesa e trimavet qi luftonin zunë malet e Bulqizës, Lurës e Martaneshit me mos e lejue ushtrinë Serbe me ja arrit Tiranës e cila kish lakmi të shtrihet deri në Durrës, kjo defanzivë vazhdoj duke luftue me Serbët deri me 11 Dhetuer të vitit (1)922, q'u prapsën Serbët prej fushavet të qarqevet Dibrës deri në kufinin e (1)913-tës. Luftat qi vazhduen mbrenda dy vjetvet qenë aq të rrepta sa fuqija e 70.000 vetvet nuk munte të shkatronte atë 10-12 mi vetësh të shqiptarvet të cilët ishin të bindur se, për atë se, m'byt në detin e Adriatikut s'kishin vend tjetër nga kjo ishte një ide e preme që a lirin e (1)913-tës ase vdekja e të gjithvet. Duhet t'a dinë plaçkitsit se, në këta dy vjet Shqiptarët si vullnetarë që ishin të zhveshur e të zbathur në borë e në shi a n'ata male të nalta si dema në dimnat e me bukë misri e dy kokra kryp u-bajshin ball artilerisë moderne të ushtrisë Serbe si mizëria e madhe e lanë m'u e duk prej artës Shqipnis kombin e tyne duke e lëshue përfund dëshirën e Serbve qi deshin m'u ulun deri në Durrës e në Shëngjin. Kjo qe nji shkurtim i vogël i ngjarjevet Kombëtare të popullsisë Dibrës, se ma vonë do të shtypet nji libër me të gjitha hollsinat e nevojshme".

AQSH. F. 266. Pa vit. D. 25. Fq. 1-10

Sot përurohet libri "Isa Boletini në lëvizjen kombëtare shqiptare"


Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup , sot në sallën e hotelit "Bushi" do të bëjë promovimin e librit "Isa Boletini në lëvizjen kombëtare shqiptare", me materiale nga konferenca shkencore e mbajtur më 5 qershor të vitit 2015 në Prishtinë.

image

Ky projekt është fryt i bashkëpunimit në mes të Institutit të Historisë "Ali Hadri" - Prishtinë, Institutit të Historisë - Tiranë, dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve - Shkup.

Ky libër botohet me rastin e 100 vjetorit të rënies së Isa Boletinit dhe me rastin e ngritjes së shtatores së tij në Komunën Saraj të Shkupit.

Karriera e njeriut që luftoi kundër turqve dhe malazezëve deri në vdekje


Isa Boletini lindi në kullën e Boletinëve, afër Mitrovicës, më 15 janar 1864.



 Vitet e rinisë i kaloi në vendlindje. Në prill të 1881 mori pjesë në betejën e Shlivovës, ku u ndeshën trupat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me ushtrinë osmane.
Në 1902 u emërua komandant i “rojeve arnaute” të Sulltan Abdyl Hamitit I. Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll mori titullin “bej”. Në 1908-n, në fillim ishte në krahun e xhonturqve, megjithatë shpejt kjo lidhje u prish. Në nëntor 1908, Porta e Lartë dërgoi një ushtri prej 7 mijë ushtarësh për të nënshtruar Kosovën. Komandën e qëndresës antiosmane e mori në dorë Isa Boletini. Gjatë tërheqjes, osmanët i dogjën kullën në shenjë hakmarrjeje. Gjatë vitit 1909, Isa Boletini udhëhoqi kryengritjet e kosovarëve në Prishtinë, Prizren e gjetiu. Ishte një ndër udhëheqësit më kryesorë të kryengritjes së pranverës 1910. Nën drejtimin e tij, shqiptarët bllokuan për dy ditë në betejën e përgjakshme të Carralevës ushtritë osmane që po depërtonin në Kosovë.
Gjatë Luftës Ballkanike të 1912-s, ishte një ndër kryetarët më në zë të çetave në Kosovë. Në nëntor 1912, u vu menjëherë në mbrojtje të qeverisë së parë shqiptare, asaj të Ismail Qemalit. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar që shkoi në Londër për të mbrojtur ekzistencën e Shqipërisë së porsakrijuar. Në 1914 trupat e tij mbrojtën qeverinë e Princ Vidit.
“Baca Isë” është bërë i njohur edhe për ndodhinë që i ngjau në Londër. Teksa delegacioni shqiptar shkonte të takonte Eduard Grejin, ministër i Jashtëm asokohe i Mbretërisë, roja i kërkoi Isait me xhentilesë që të dorëzonte revolverin. Isai u bind pa fjalë. Pas bisedimeve Grej, si një anglez i vërtetë bëri shaka: Nesër gazetat do të shkruajnë se atë që nuk e bëri dot ushtria e pamat osmane, e bëra unë. Isa Boletini u çarmatos vetëm në Londër! Thonë se Isai është përgjigjur: Jo besa, as në Londër! Dhe ka nxjerrë një tjetër revolver që e mbante diku fshehur.
Isa Boletini u vra bashkë me shtatë nga njerëzit e tij në Podgoricë, mbi Urën e Moraçës, më 23 janar 1916.
Si u vra Isa Boletini
Në shtator të vitit 1914, Princi Vilhelm von Vied u detyrua të largohej nga Shqipëria. Isa Boletini me njerëzit e tij, si dhe Bajram Curri, pajtuan me qira dy anije italiane, të cilat i çuan drejt Shëngjinit. Pagesa ishte 150 napolona ar.
Pas kësaj, kosovarët të sfilitur nga ethet malarike dhe nga lufta e gjatë, bëjnë një përpjekje gati titanike për t’u kthyer në vendet e tyre, por u penguan nga trupat malazeze që ndihmoheshin edhe nga Ceno bej Kryeziu. Kosova ndërkohë kishte rënë nën pushtimin serbo-malazez. Për një periudhë të gjatë Boletini dhe njerëzit e tij u endën nëpër malet e Veriut mes Kosovës, Hasit dhe Pukës, duke i shpëtuar pritave që u ngrinin armiqtë. Në fund të 1915-s mbërrin në Shkodër. Ishte bashkë me tre djemtë e tij, dy nipa dhe 100 luftëtarë besnikë. Shkodra e asaj kohe i ngjante një rrëmuje të vërtetë. Këtu përziheshin bashkë ushtarë të huaj, disa malësorë që ishin gënjyer nga Mali i Zi, esadistë, ish-ministra të Vidit, aventurierë lloj-lloj. Në këtë kohë, Isai dergjet i sëmurë në hotel “Parruca”.
Pak ditë më vonë ushtria malazeze shtiu në dorë Shkodrën. Me këtë rast, Knjaz Nikolla fali të gjithë ata persona që kishin luftuar me armë kundër tij, vetëm se krerët duhej të internoheshin në Podgoricë. Aqif Pashë Elbasani, Prenk Bibë Doda, Hilë Mosi e të tjerë pësuan këtë fat. Mes tyre ishte edhe Isa Boletini, me 40 njerëz nga të tijtë, por këta fillimisht i vendosën në Nikshiç e më pas në Danillovgrad. Një përpjekje e francezëve për ta nxjerrë nga Shkodra kishte përfunduar pa rezultat.
Në janar të 1916-s, ushtritë austro-hungareze po depërtonin në territorin malazez. Më 20 janar 1916 malazezët vendosin të transferojnë kosovarët në Podgoricë. Ndërsa austro-hungarezët avanconin, tri ditë më vonë do të ndodhte tragjedia. Më poshtë po citojmë kujtimet e Tafil Boletinit, nip i Isait, i vetmi i shpëtuar nga masakra:
“…Ndërkohë kasneci lajmëronte: Pushtet ma s’ka, gjithkushi nëpër shpija. Ushtria austriake asht hi në qytet. Gjandarmëria po mban qetësinë deri në dorëzim. Ajo detyrë i ishte ngarkue major Savo Llazareviç me dy batalione gjandarë. Ky kriminel i njoftun, po me këta gjandarë që quheshin ‘krillash’ (me krah), ka pasë me tmerrue me masakrime e vrasje, djegie, plaçkitje e me çdo lloj torturash barbare rrethet e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, terror që shumë breza s’kanë me e harrue dhe historia kurrë. Këtë xhelat populli i atyne anëve e njef me emrin Savë Batarja, që e kishte fitue tue ba batare…
Të gjitha kryqet e rrugëve Savo i kishte xanë me patrulla të forta. Me nja 80 gjandarë kishte zanë pusi në të dy anët e urës së Ribnicës jo larg kishës katolike e karshi prefekturës… në ato moment mbërrin axha, po tue qenë ura në bërryl të rrugës nuk shifesh gja deri sa ka hip në urë. Me të hypë axha Isë në urë jepet shenji: Qe ky asht vetë Isa Boletini! Dhe prapa e nxanë urën. Kështu axha me Jonuzin me shokë rrethohen në hallkë. Oficeri komandues me za të naltë komandon: Predajte oruzhje! (Dorëzoni armët!). Axha Isa: Jo besa, kurrë s’ia kam dorëzue as mbretit, as kralit! Nagantin e mbante para dhetçes.
E para pushkë nga malazezët ka qenë e Pero Buriçit nga Vasoviçi. Në flakë të ksaj axha Isa me shokë iu bijnë atyne përqark. Edhe Jonuzi ka pasë dy revolverë, nagant e dhetçe. Krejt i kanë zbrazë, ndonëse të rrëzuem prej plumbave deri sa iu ka ra edhe me bomba dore. Çuni i axhës Isa, Halili, përveç revolverit iu ka ra edhe me bomëbn që ia pat marrë Niko gjandarit…
Mbrenda pak minutave tragjedia mbaroi. U vra Isa vetë i tetë:
1. Isa Boletini, vjeç 51.
2. Halili, i biri, vjeç 24.
3. Seidi, i biri, vjeç 18, student në Vjenë.
4. Jonuzi, nipi, vjeç 26.
5. Halili, nipi, vjeç 24.
6. Hajdar Selim Radisheva, kunat i axhës dhe dhandërr, vjeç 30.
7. Idris Bislimi, nipi i Hajdarit, vjeç 18.
8. Misin Niman Bala nga Isniqi, kushëri, vjeç 26.
Seidi, tue shkue prapa axhës Isa, mbasi e vret gjandarin që e kishte përpara ia kap pushkën e tij dhe vritet tue shti me ata fishekë që i kishte pushka. Misin Nimani, ndonëse nuk ka pasë pushkë, deri sa e kanë rrxue plumbat ka qindrue në kam pranë axhës. Në këtë duel grykë për grykë nga malazezët u vranë 7-8 vetë e 12-13 u plagosën, kryesisht nga ata trima që kishin ba gara se kush i del Isa Boletinit përpara e që kishin sulmue të parët.
Ministrat e Malit të Zi të larguem nga Cetina, të grumbulluem në prefekturë, fillim e mbarim e kanë shijue nga penxherët këtë dramë tragjike, që zhvillohesh trup me trup në krye të urës, bash në sheshin para prefekturës…
Unë në këtë moment ndodhesha në pjacë, në berberhane të Maliq Shkodranit, ku i kisha qethë flokët. Kur krisi pushka u ba nji panik i madh. Populli i grumbulluem rrugave për me pa ushtrinë austriake tue hi në qytet, i alarmuem, u shpërnda pikë e pesë, se kah mujte me ikë. Njiheri u dëgjuan zanat e oficerave: Nedajtene oruzhje, napadeshe kaçaçi! (O burra kapni armët, se na ranë kaçakët!). Kaçak iu thonin shqiptarëve. Masa e popullit këtë propagandë që e kishte digjue përpara, me tamam e besoi. Vraponin poshtë e lart si të hutuem, dyqanet mbylleshin, gjandarët në kamiona vrapojshin rrugave, tue shti me mitraloza në ajër, po ashtu edhe patrullat nëpër rruga shtishin kot, tue alarmue popullin, se gjoja na ranë kaçakët e malsorët… Ndërkohë me vrap u fut në dyqan major Misin Serezi, edhe ai i internuem. Kur më pa mue u nxi edhe më tepër. E pyeta: Zoti major, a patë gja ju, se unë nuk pashë gja se ç’po bahet? Tha: Jo. E pyeta: Po ça po thonë se na ranë shqiptarët? Atëherë majori mu përgjigj: Ç’thue more, çfarë shqiptarësh! Dhe shtoi turqisht: Isa bej i lë bereber bytyn sizinqilerini vurdiler! (Bashkë me Isa begun të gjithë tuajt u vranë!). Lajm i tmerrshëm e i paharrueshëm për mue sa të jetë jeta. Perëndia mos i baftë kurrkujt kësmet nji lajm kaq të zi. Leshrat e kresë mu ngrehën përpjetë…”.

Fatos Baxhaku
(Për këtë shkrim u përdorën materiale nga Tafil Boletini, Kujtime, përgatiti për botim prof. dr. Marenglen Verli, Botimpex, Tiranë 2003; Skënder Luarasi, Tri jetë, Migjeni, Tiranë 2007).

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...