2018/09/02

Bashkimi Kosovë-Shqipëri, Surroi: Një mashtrim politik! Thaçi ideator i ndarjes


Veton Surroi një ndër personazhet e njohur të mendimit shqip ka qenë i ftuari i radhës në takimin “Letërsia dhe Qyteti” mbajtur në Prishtinë, përballë dy gazetareve Alda Bardhyli dhe Beti Njuma. Pas një zhvendosje nga jeta aktive politike pas largimit nga partia “Ora”, i pyetur se si e shihte veten në dekadën e ardhshme, Surroi ka pranuar se e sheh në politikë, dhe pse vijon të jetë në të përmes reagimeve dhe shkrimit.
Ndërsa përsa i përket raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në dekadën e ardhshme Surroi tha se raportet në masë të madhe do të varen nga ajo çfarë do të ndodhë në procesin e tashëm të dialogut. Ai ka shfaqur shpresën se në vend të një situate pa krye në të cilën është nisur Kosova, do të ketë një ndryshim dhe nëse ka ndryshim sipas tij brenda 10 viteve të ardhshme Kosova dhe Serbia do të jenë dy shtete demokratike të cilat do të përpiqen që në formë të vështirë por me shumë vullnet të krijojnë një ambient tjetër.

Lidhur me debatet e hapura kohët e fundit mbi idenë e korrigjimit të kufijve dhënë nga dy presidentët ai serb dhe presidenti i Kosovës Surroi sheh si zbatues dhe autor të projektit për shkëmbim kufijsh, presidentin Hashim Thaçi. Sipas tij ky projekt do të ketë pasoja të rënda për Kosovën nëse vihet në jetë.
“Është një projekt që nuk është i menduar mirë, ose është i menduar mirë tjetërkund, por i zbatuar këtu me pasoja negative për vendin. Nuk mund të ketë korrigjim të kufijve mes dy shteteve të cilat nuk e kanë njohur njëra tjetrën. Kosova dhe Serbia duhet të përfundojnë procesin e negociatave në mënyrë që si të barabarta të krijojnë një marrëveshjeje paqeje dhe pasi të kenë vendosur parametrat e marrëveshjes së paqes. E marrëveshja e paqes nënkupton edhe përgjegjësi për të gjitha ato viktima të luftës, për shkatërrimin,për përndjekjen për gjenocid, për 1648 të zhdukur dhe nevojën që të zbulohen të gjithë ata”, tha Surroi.

Më tej ai foli edhe për raportet e Kosovës me Shqipërinë duke u treguar kritik për politikat e bashkëpunimit që deri tani kanë demonstruar të dyja vendet. “Përderisa ekzistojnë pritshmëri të mëdha për bashkëpunim del një problem i cili është aq banal si patatja dhe tregon realitetin e komunikimit të dy shteteve, tha ai. Derisa nuk mund ta zgjidhësh një problem si patatja si mund ti zgjidhësh problemet e tjera, ndërkohë që patatja simbolike e Maqedonisë udhëton gjithandej po ashtu ajo e Malit të Zi”, tha Surroi.

Ai ka shtruar nevojën për vendosjen e një regjimi ndërmjet të dyja vendeve i cili është i ngjashëm me atë të shteteve të BE. Sipas tij prioriteti shtetëror i Shqipërisë do të duhej të ishte zgjerimi i hapësirës së komunikimit eliminimi i barrierës e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për Kosovën. Ka përmendur vetëm një ndryshim. Sipas tij, Kosova nuk do të mund të komunikojë njëjtë me të gjithë fqinjët dhe si absurditet më të madh e ka konsideruar fakti që Kosova është importuesi më i madh i mallrave të Serbisë ndonëse ka ende një konflikt të hapur me këtë shtet . Duke folur për klasën politike qeverisëse, ai e ka përkufizuar atë si keqpërdoruese në masë të madhe. Në vend të shtetit social, sipas Surroit, Kosova ka mbërritur në shtet post-otoman por para-social.

Sa i përket Gjykatës Speciale, ai mbetet i pashpresë për të. Në çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, Surroi sheh një mashtrim politik në këtë temë, e cila sipas tij, shfaqet çdoherë për t’u mënjanuar një problem tjetër, siç është tani rasti i shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Veton Surroi ka rrëfyer më tej për fëmijërinë, adoleshencën, periudhën e luftës në Kosovë dhe angazhimin e tij përmes fjalës, në të dyja fushat. Shkrimtari shpalosi para të pranishmëve edhe pjesë nga fëmijëria e tij e rrethuar me libra dhe ndikimet ndoshta të pavetëdijshme nga i ati. Themelimin e Grupit KOHA, Surroi e ka quajtur si çlirim mendor të asaj kohe, teksa tregoi se aktualisht, po merret me tri projekte të reja që janë më shumë afër zhanrit letrar.

...bota do të jetë e populluar nga një brez idiotësh...




(E shkruara qëndron, fjalët i merr era)

Bajram Peçi*


Nga papirusi egjyptian te pergamena e Azisë së Vogël; prej pergamenës lëkurë e deri te letra, janë disa mijë vjet histori njerëzore. Po, prej fillimit të shek. XIII, kur letra, prej Lindjes së Largët hyri në Europë, e deri te braktisja e teknikës ksilografike, për t’u zëvendësuar nga shtypshkrimi, nuk u deshën më shumë se dy shekuj e gjysëm. 24 gërmat metalike prej plumbi të Gutenbergut pushtuan shpejt Europën, mendimet dhe idetë nuk ngeleshin më në biblioteka; ato qarkullonin në mijëra. Bota e veprës letrare hapi dyert për këdo. Prej kësaj kohe, kush ka dashur të besojë se mund t’i ndryshojë faqen botës, e dinin se libri ishte instrumenti që duhej të përdornin. A duhet besuar më kjo, a e ka më libri këtë peshë?

Është “Monitori” që jep të dhëna, marrë nga INSTAT, të një anketimi kryer vitin e kaluar, se mbi një milion shqiptarë nuk kanë arritur të lexojnë gjatë vitit asnjë libër. Si e qysh e ka realizuar organizatori këtë anketim, nuk ka pse përbën objekt, por që kjo nxiti një përfshirje të shumë njerëzve në debat e opinione, tregon se shërbeu për të rritur ndjeshmërinë ndaj një pohimi, që realisht duhet të nä trëmbë. Pavarësisht se nuk i marr shumë seriozisht këto lloj anketime e sondazhe (sepse ska infrastrukurë të besueshme aplikimi për të dalë e vërteta nga çdo shtresë shoqërore), dyshoj se janë edhe më shumë. Situatat kanë ndryshuar kaq vrullshëm, saqë është e pamundur të kuptohen, qoftë dhe duke u shpjeguar.

Para se të vijmë te libri dhe lexuesi, do më përshtatej të përdor si metodë krahasimi kulturën e shfletimit të shtypit të përditshëm. Po i drejtohem një shembulli. Qytetet tona (se në fshat kurrë nuk ka shkuar këto 26 vjetët e fundit), marrin afërsisht 50 mijë gazeta në ditë. Shiten prej tyre rreth gjysma.

Pra, në kontakt të përditshëm leximi, le të themi se janë diku te 25 mijë vetët. Prej tyre, ju siguroj se 80-85 përqind i përkasin moshës së tretë. Gjithsesi, pranojmë se lexojnë shtyp të përditshëm më pak se 8 veta për 1000 banorë. Qëndron argumenti se ato janë bërë vulgare e të brengosin, por nuk është tërësisht kjo që përcakton rënjen. Le ta shohim!

Është e njohur se për një titull libri shtëpia botuese rreh të shesi 300 deri 500 kopje, që do të thotë: një titull-libër për më shumë se 10 mijë veta. Kush ka pak haber nga kjo punë kupton se këta tregues e rendisin shqiptarin në fund të listës europiane. Në mënyrë naive, shtëpitë botuese nuk rreshtin së predikuari mos braktisjen e librit.

Vetëm kaq. Por lexuesi ka nevojë për veprime më të thjeshta, për një moral më të prekshëm, psh., uljen e çmimeve të larta. Le të sjellim një shembull! Në vitet ’90, përkthyes të talentuar, si Sokrat Gjerasi, Jorgji Dhoksani, etj., sollën nga rusishtja të përkthyer Fjodor Dostojevskin. Një redaktor punëshumë e fjalëpak, Xhevahir Lleshi, botoi shumicën prej tyre. Kam në dorë ”Idioti”-n, botim i vitit 1996

nga Eugen, faqe 556, çmimi 400 lekë. Me një të tillë vëllim të hedhur në treg, çmimi sot nuk do ishte më pak se 1500 lekë. Siç shihet, brënda 20 vjetësh çmimet e librit janë rritur katër herë. Inflacioni ka qenë aty-aty, teknika e shtypshkronjave u përmirësua dukshëm, çka presupozon një rendiment të lartë të shoqëruar me ulje të kostos prodhimit.

Por jo, ndodhi e kundërta! Paradoksit të çmimeve tepër të larta i qëndron ballazi koraca e papërshkueshme e mbrojtjes me çmimin e letrës, me taksat e larta, me TVSH arbitrare, etj. E të mendosh se një lexuesi me pagë mesatare ose nën mesatare, blerja e një libri i kushton 5 përqind të strukturës së pagës mujore. Besomëni, por është më mirë t’u qëndrosh larg, kur bëhet fjalë se cënon financat e familjes!

Ndoshta, mund të duket disi i panatyrshëm ky ndryshim, po të kemi parasysh se dy dhjetëvjeçarë më parë, shitej një sasi shtypi afërsisht dhjetë herë më e madhe. Po me librin, si qëndrojnë gjërat? Në këtë rrëfenjën e gjendjes së leximit sot, trysnohen një det prapësish, që po ndryshojnë rrëmbyshëm e rrëmujshëm botën.

Orvatem paksa të gërmoj për të parë se në ç’raport është Perëndimi me librin dhe, o Perëndi, shoh se nuk qenka vetëm problem shqiptar! Në një anketim të para 20 vjetëve francezët e rinj përgjigjeshin qartazi. Listën e më të lexuarit në rend e mbante Dostojevski. Sot nuk po njohin jo këtë shkrimtar rus, por nuk po njohin as gjeniun e tyre, krenarinë dikur të Francës, Viktor Hygonë. Por, lind pyetja, si është e mundur, vallë, që arsyeja të pajtohet e të pranojë të tilla ndryshime? Kur kthehesh në botën reale e sheh librin të mos ketë vepruar dot i pavarur nga ndryshimet në teknologjinë e komunikimit, ndryshime që as u vunë në dyshim dhe u panë si diçka që nuk ke si i kundërshton.

Telefoni mobil me 4G-në e nënshtroi. “Kam frikë nga dita kur teknologjia do të shkojë përtej njerëzimit tonë: bota do të jetë e populluar nga një brez idiotësh”-kish profetizuar Albert Ainstain.

Nuk ka asnjë hartë të jetës shoqërore, që të na japë të dhëna të sigurta për mirëqënjen e përparimin e atij vëndi, sesa tregu i botimeve të librit. Ajo çka shihet që në krye te botimet, është: zgjedhje titujsh që t’i shërbejnë tregtisë. Sistemit që po i përshtatemi, duke funksionuar si biznes, me treguesit e raportit të ardhura-shpenzime, nxit përpos se botimin e atyre veprave që parashikohen se do kenë treg të suksesshëm. Klasikët, për shembull, tani rrallë herë janë pjesë e planeve të botimit.

Para disa vitesh, dy psikologë kanadezë të Universitetit të Torontos, për revistën “Science” publikuan një studim, përfundimi i të cilit fliste qartë: më shumë lexim të letërsisë, si mjeti më i mirë për të rritur aftësinë tonë për atë që quhet “Teoria e Mendjes”. “Por jo të gjithë librat kanë këtë fuqi”, shpjegojnë shkencëtarët, “Vetëm romanet”, dhe natyrisht jo të gjithë romanet. Leximi i letërsisë së mirë – thonë ata – ka aftësi të të ndihmojnë për komunikimin tënd në botën reale shumë më tepër sesa librat e lehtë. Përparësinë këtu e marrin klasikët.

Në ç’raport është sot letërsia me lexuesin? Do na ngelet në gojë një shije e hidhur. Kur botohen libra, pak merrren në vlerësim nevojat që ka shoqëria, për ta patur librin si objekt me ndikim në përgatitjen e brezave për të hedhur hapat e duhur në jetë. Në fund të fundit, ka qenë letërsia ajo që ka formuluar në shekuj kërkesat e ndërgjegjes njerëzore, ka qenë libri që ka rritur njeriun! Në vitin 1935 Ernest Heminguej-it i kanë marrë një intervistë. Ju përgjegj pyetjes së gazetarit: cilat janë librat që një shkrimtar apo lexues duhet t’i ketë shfletuar? Ky kolos i letrave, pa u menduar gjatë, renditi: ”Lufta dhe Paqja”, ”Ana Karenina” të Tolstoit; ”Zonja Bovari” e Floberit; ”Budenbrokët” e Tomas Man; ”Tom Xhonsi” dhe ”Xhozef Endri” të Fildingut;

”Manastiri i Parmës” dhe ”E kuqja dhe e zeza” të Stendal; ”Vëllezrit Karamazov” dhe veprat e tjera të Dostojevskit; ”Aventurat e Hekëlber Finit” të Mark Tuen; ”Buti i hapur” dhe ”Bujtina e kaltër” të Stefan Krënit; ”Përshëndetje e ndarje” të Xhorxh Merit; ”Autobiografitë” e Jitsit; gjithë veprat e Mopasanit, Turgenievit, Kiplingut … Këta tituj dhe autorët sa më sipër, të sjella si shembull i pjesshëm, njihen paksa ose vijnë gjithnjë e më shumë, duke mos u njohur. Trëmbem se një ditë do jenë të harruar si emra e tituj.

Kush nuk ka lexuar klasikët, hyn në jetë me boshllëqe dijesh (thonë këta psikologët)! Është ky një përfundim jo i botës së letrave, por i shkencës së mëndjes. Ata, klasikët, nuk mëshirojnë vetëm ndërgjegjen e kohës së veprimit, por janë (dhe pranohet njëzëri) se krijimtaria e tyre përbën themelin dhe modelin, shëmbullin që përmes letërsisë së tyre të shohësh të ardhmen.

”…ende me të vdekurit ti?”- i tha dikush Kristaq Trajës, kur promovoi botimin me Shtëpinë Botuese Saras të tre dramave të Shekspirit. Dhe të mendosh se ato jo vetëm përktheheshin për herë të parë, por botimi bëhej me një shpenzim që e përballonte përkthyesi. Në këto raste është vendi të ndërhyjë shteti me përkrahje e mbështetje, siç kjo ndodh me Europën, ku libri print po ruhet edhe përmes subvencionimit të tij. I njëjti fat shoqëron edhe poezinë, dramën, skenarin, mendimin kritik e mendimin estetik, të cilat janë jashtë vëmendjes së botimit dhe të papërfillura.

Sa i përket krijuesit të ri, mjerimi i gjendjes duket açik. As që bëhet fjalë se mund t’u afrohet ndokush nga shtëpitë botuese, përpos se kur marrin përsipër shpenzimet e prodhimit e fitimin e munguar. Të merresh sot si rishtar me krijimtari letrare, jo vetëm që s’bëhet fjalë se mund të fitosh përmes publikimit, por gjasat janë të zhytesh në borxhe.

Si parashikohet e ardhmja e librit? Të thuash e zymtë, është pak! Janë kohët e reja që kanë ardhur, me sjellje e ndryshime thelbësore në strukturën e kulturës së lajmit, informimit, dhënjes së dijes. Teknollogjitë e reja të komunikimit, fillimisht teleteksi, faksi e telefonia celulare, zëvendësuan letrën postare.

Më tej, interneti e çoi përcjelljen e lajmit në papërfillshmëri kohore, bëri që lajmi t’i afrohet lexuesit falas, duke zëvendësuar gazetën print; pajisjet që përdoren për leximin e librave elektronike, si Kindle (prodhim i AMAZON.COM,shoqëria tregtare më e madhe në internet për shitje online); iPad, iPhone dhe iPod, prodhime të kompanisë APPLE Inc; tabletat (si iPad) e prodhuara nga Samsung; Nookia, prodhim i kompanisë BARNES & NOBLE (shoqëria më e madhe në SHBA e prodhimit dhe sidomos e shpërndarjes dhe shitjes se librave), zotërojnë sot pothuaj se gjysmën e tregut të librave në tërësi, duke pretenduar kështu se kanë zëvendësuar një pjesë të madhe të librit në letër. Do jetë vallë ky fundi i librit print?

Edhe nëse e pranojmë pa droje, se roli i letërsisë në jetë dhe shoqëri po zbehet, nuk është se po bëjmë ndonjë mëkat. Thjesht po pohoj një

bindje vetjake. I përkas atij grupi që beson se po shfaqet hapur nevoja për t’i ndenjur doemos pranë librit, me politika mësimdhënjeje, po dhe qeverisëse. Shprehja, “T’i rrish pranë”, ngelet fjalë boshe nëse mbi to nuk vendosen disa realitete. Si e qysh, kjo ngelet për t’u vlerësuar nga institucionet përkatëse, me synimin për t’i ulur çmimin librit përmes politikave fiskale. Natyrisht, nëse duan ta bëjnë? Me gjasa, sdo ta bëjnë kurrë!

Siç shihet, ndodhemi në muzg të librit. Do perëndojë, për të mos rilindur më apo jo, askush nuk e di!? E shkruara, libri, i profetizuar në Romën e lashtë, se ishte në themelet e ndërtimit të shtetit të së drejtës, e ngulitën si bindje te thënja, “E shkruara qëndron, fjalët i merr era”. Tani që njerëzia po harrojnë të shkruajnë me dorë, kur u duket si kinezçe pyetja mbi ndryshimet e gërmave të dorës nga të shtypit, mund të presësh humbjen e kuptimit të sentencës.

Sundimi i internetit, këtë gur themeli të shtetit, nuk e përfill dhe kuptohet se gjërat po dalin jashtë kontrollit dhe do mjaftonte edhe një pikë që gota të derdhet. Dikur, ata që merreshin me sociologjinë, kishin përcaktuar se kapaciteti intelektual i një lexuesi të elitës, atij që i përkiste botës akademike, kishte si kufi leximin afërsisht të 2000 librave.

“Letërsia është e zonja të frymëzojë dhe të përgatisë botën për një jetë më të mirë”-ka pasë shkruar Tomas Man. A thua do jetë i aftë googëll, facebook, rrjetet sociale, ta zëvendësojnë librin? Sa statuse facebook-u, 20 mijë, 200 mijë, do duhen ta zëvendësojnë librin? Qesharake kur e mendon! Tani që libri po humbet e bashkë me të dhe njeriu i vërtetë, nuk e di se për sa kohë ne mund të rezistojmë në mbrojtje të tij!

*Ish Administrator i Shtëpisë Botuese “Saras”

2018/09/01

Të jetosh nga letërsia




Të shkruarit nis duke qenë pothuaj gjithnjë një ëndërr, një trill apo një prirje imagjinare. Por ëndrra, dëshira, trilli, nuk arrijnë të ngjizin në qoftë se nuk kthehen në një mjeshtëri. Një mjeshtëri, çfarëdo qoftë, kërkon një prirje të fuqishme dhe një praktikë të gjatë. Një mjeshtëri është një detyrë, e cila shpesh herë rezulton e lodhshme apo e mërzitshme për nga durimi dhe sforcimi i vazhdueshëm që lyp, veç ka plot momente kur gjërat shkojnë mirë, dhe atëherë vjen shpërblimi i një çlodhjeje, që bëhet më e këndshme ngaqë e ndien të merituar, të paktën deri në një farë mase.

Them deri në një farë mase sepse kur gjithkush që i përkushtohet plotësisht një mjeshtërie, e di se gjithmonë ka një hapësirë të madhe midis mundësive më të mira të një projekti dhe realizimit të tij, ashtu siç ka zbulime që nuk i kishe parashikuar. Një mjeshtëri është një detyrë praktike: dikush bën diçka që i pëlqen dhe që me shumë mund e këmbëngulje arrin të japë një farë garancie profesionaliteti, veç këtë nuk e bën për vetveten, edhe pse është një detyrë që e kryen vetëm dhe që kur e mbaron ndien thjesht kënaqësi personale.

Rezultati që arrihet prej saj përfton një ekzistencë objektive, pavarësisht se kush e kreu, dhe vjen e ndikon dobishmërisht në jetën e atyre tek të cilët shkon: një instrument muzikal apo një partiturë, një vegël, një tryezë, një histori, një fletore, një pikturë, një enë balte, një fotografi, një zbulim shkencor, një hap vallëzimi, shërimi i një sëmundjeje, një mrekulli sportive, një pjatë gjellë e gatuar mirë, një piramidë e vogël me angjinare në vitrinën e një frutashitësi.

Si në çdo mjeshtëri tjetër edhe në mjeshtërinë e të shkruarit ka disa veçori. Së pari është se nevoja njerëzore që kënaq është nga më të paprekshmet, edhe pse nga më universalet: nevoja për të ditur histori dhe për t’i treguar, domethënë, t’i japësh botës një formë të kuptueshme përmes fjalëve. Një histori, e trilluar apo jo, vendos një model universal të një fushe të caktuar të përvojës nisur nga vrojtimi i të dhënave të veçanta të jetës. Në të njëjtën mënyrë vepron edhe shkencëtari, duke përpunuar modele teorike të rrjedhur nga vrojtimi dhe eksperimentimi, të cilët në mënyrë të dyfishtë shërbejnë për të shpjeguar dhe parashikuar.

Në shoqëritë primitive apo antike miti ishte modeli shpjegues dhe parashikues i sjelljeve njerëzore. Ndryshueshmëria jonë moderne e mitit është fiksioni, në tërë larminë e vet, nga më të rëndomtat, më të trashat, më komercialet, më jetëshkurtrat, deri tek ato më të thellat, më kërkueset, nga telenovelat dhe videolojrat te Don Kishoti, Moby-Dick apo një tregim i mikeshës time të dashur Alice Munro. Pra, i përkushtohemi një mjeshtërie më të lashtë dhe më të dobishme nga ç’duket. Po ashtu edhe shumë më të pasigurt.

Sepse në të, dhe kjo është veçoria e dytë, përvoja nuk na ofron asnjë garanci, dhe mund të ketë një mospajtim skandaloz midis meritës dhe vlerësimit. Kush shkruan e di se duhet t’i kushtojë mjeshtërisë së tij aq orë dhe aq vite sa edhe një zejtar së vetës, dhe se pa këtë përkushtim nuk do të arrinte të përmbushte dot asgjë me vlerë. Gjithashtu ai di se përkushtimi, vetvetiu, nuk garanton cilësinë e rezultatit, sepse përvoja dhe përkushtimi mund të të çojnë drejt stërhollimit të ngurtësuar dhe parodisë së vetvetes.

Gjithashtu di se jo gjithmonë më e mira është njohur si e tillë dhe se ajo që duket më e mira, nganjëherë vithiset në shumë pak kohë, dhe se një drejtësi çuditërisht e vonuar ndriçon shumë kohë më pas, pa shpërblimin e mundur ndaj talentit të vërtetë që nuk shkëlqeu dot gjatë jetës. Shkurajimi përpara pasigurive të mjeshtërisë thellohet edhe më shumë në kohëra pasigurie aq të hidhura si këto. Është e vështirë të flasësh për përpjekje dhe kënaqësi të punës në një vend ku disa miliona njerëz vuajnë ankthin e papunësisë.

Është gati mendjelehtësi të merresh me mospajtimin e meritës dhe suksesit në letërsi, në një botë ku ata që punojnë shpërblehen me ca rroga mjerane, ndërsa më të kamurit, në mënyrë të turpshme, shtojnë fitimet e tyre; në një vend të rrënuar nga një krizë, përgjegjësit e së cilës mbeten të pandëshkuar, ndërkohë që viktimat e tyre vuajnë nga padrejtësia, ku ndershmëria dhe detyra e kryer mirë të shumtën e herëve vlerësohen më pak nga mashtrimi dhe klientelizmi; një vend ku format më bashkëkohore të demagogjisë kanë bleruar përçmimin e vjetër ndaj punës intelektuale dhe ndaj dijes. Dhe kështu, duke lënë mënjanë përgjegjësitë e qytetarisë, i vetmi ilaç i pranueshëm që njoh kundër dëshpërimit të mjeshtërisë është vetë mjeshtëria.

Të shkruash duke vendosur mjeshtërisht në çdo fjalë të pesë shqisat. Të shkruash pa i lejuar vetes as më të voglin kompromis. Të shkruash duke pranuar e duke u kënaqur me vetminë dhe duke qenë mirënjohës ndaj mbështetjes së mjeshtërive të tjera themelore që e bëjnë një nga mjeshtëritë më pak të vetmuara dhe më kolektive të botës, siç është e vetmuar.

“Kush shqetësohet për artin”?

 Kësaj pyetje do ti japin përgjigje gjatë qëndrimit në Art House, artistë të rinj të artit bashkëkohor. Artistët Lori Lako, Edson Luli, Marina Sula, Haveit, Dardan Zhegrova, Ergys Vela, Pleurad Xhafa do të orvaten në temat e artit bashkëkohor sot. Krahas tyre një grup i ftuar kuratorësh, artistësh e drejtuesish institucionesh të rëndësishme ndërkombëtare- Helene Larsson, Johan Poussette, Rein Wolfs, Candice Breitz, Martin Engler- do të njihen më nga afër me punët e artistëve të ftuar si dhe do të mbajnë biseda të hapura për publikun.

Duke vendosur shkëmbimin në qendër të marrëdhënies mes pjesëmarrësve Art House School, tematika e këtij viti është “ Who cares about art? ”, e nënkuptuar më shumë si pyetje sesa si deklaratë. Pra idea është të eksplorohen kufinjtë e artit dhe marrëdhënie me atë që e rrethon, në një farë mëyre, në marrëdhënie me “jo artin”.
E konceptuar si një platformë e lirë ku pjesëmarresit do jenë ato që do i japin trajtë kësaj structure, në të nuk do mungojnë prezantimet e punëve të secilit, diskutimet mbi projektet apo intuitat fillestare për punë që nuk kanë lindur akoma, lexime tekstesh e projektime filmash, refleksione e debate mbi argumente që do prezantohen nga të pranishmit, hapësirë për kërkim individual e punë në studio.


Të jetuarit së bashku dhe kërkimi intelektual nuk do shihen si dy zona të ndara por si proçese ku format e mendimit, e të shprehurit dhe të jetuarit tentojnë t’i gërshetohen njera-tjetrës. Po cilët janë artistët pjesëmarrës? Ergys VELA (Shkodër, Shqipëri, 1989) jeton dhe punon në Shkodër.
Ai është diplomuar në Pikturë-Grafikë në Shkodër dhe ndjek studimet Master në Multimedia në Akademinë e Arteve në Tiranë. Punimet e tija synojnë implikimin aktiv të publikut, i cili ftohet të ndërveprojë me të. Vepra ka “mangut” diçka që vizitori duhet ta plotësojë. Ndodh që përfshirja e publikut mund ta rrezikojë mesazhin e veprës duke e kthyer në mesazh sensibilizues apo në lojë argëtuese, por është në këtë kufi “të rrezikshëm” që artisti realizon krijimin e tij.


Ekspozita personale e në grup: “E vërteta apo Iluzioni”, Galeria e Arteve Shkoder, 2016; “Gjurmë”, Qendra Rinore Arka, Shkoder, 2016; Ekspozitë e Artit Pamor, Galeria e Arteve Shkodër, 2016. Pleurad Xhafa (Lushnjë, Shqipëri,1984) është një artist pamor dhe kineast që jeton dhe punon në Tiranë. Ai ka studiuar në akademinë e Arteve të Bukura në Bolonjë, Itali, dhe është diplomuar me një Master në Artet Pamore në vitin 2012. Në 2014 ai ishte fituesi i çmimit “Ardhja” për artistët e rinj pamor shqiptar, organizuar nga T.I.C.A – Tirana Institute for Contemporary Art.




Puna kërkimore dhe kritike e tij vjen si rezultat i një praktike post-konceptuale e cila vepron mbi një bazë dokumentuese për t’u raportuar më pas vizualisht dhe politikisht me kulturën e kohës sonë. Projektet më në zë të realizuara prej tij deri më tani përfshijnë: Monument to Failure (2016), NEGATIVE I-II-III-IV (2015), Trickle Down- Crime Scene (2014), Breaking News (2013), Tireless Worker (2013), Announcement (2012), Mind Goes Blank, Eye is Gazing into the Future (2010), Déjà-vu & Paranoia (2009, së bashku me Sokol Pecin), dhe Shadows of Time (2006). Disa prej ndërhyrjeve të kryera në pikat nevralgjike të Tiranës, i ka realizuar në bashkëpunim me “Departamentin e Shqiponjave” dhe “MAPS- Museum of Art in Public Space”.

Punët e tij janë prezantuar gjithashtu ndërkombtarisht në ekspozita si: Les Rencontres Internationales, Paris/Berlin (2015-2016); “Teatri i Gjelbërimit”, Galeria FAB, Tiranë (2016); Shame On You, Celje (2015); Çmimi Ardhja, Galeria Zeta, Tiranë (2014); Lavoro/Work/Vore, Udine (2013); Bienalja e 6-të e Arteve Bashkëkohore, Berlin (2010); Bienalja e 4-rt e Tiranës (2009); Çmimi Onufri XIV, GKA, Tiranë (2008); dhe Every Revolution is a Throw of Dice, Gjenova (2006). HAVEIT (Alketa Sylaj, Hana Qena, Vesa Qena, Lola Sylaj) është një kolektiv artistik i përbërë prej katër vajzash të cilat përdorin artin për tu rebeluar ndaj përdorimit të forcës, nacionalizmit, diskriminimit të LGBT dhe shtypjes së femrave në shoqërinë shqiptare.
Arti i tyre është një formë proteste ndaj vështirësive të përditshme të shoqërisë kosovare. Performancat e tyre mbahen në hapësira publike në Kosovë. Puna e Haveit shkon përtej etiketimeve moraliste dhe refuzon të pranojë stereotipet që ato imponojnë. Grupi është themeluar në Prishtinë në vitin 2011. Marina SULA (Lezhë, Shqipëri, 1991) jeton dhe punon në Vienë, Austri.

Ajo është e dilplomuar në histori arti në Universitetin e Vjenës e më pas vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura ku u diplomua në Art dhe Fotografi. Punët e saj eksplorojnë dinamikat dhe impaktet në ekperiencat e mediuara nga teknologjia dhe komunikimi për të identifikuar aty ndërprerjen dhe përçarjen. Puna me mediume të ndryshme si fotografia, skulptura, printet, video dhe audio i mundëson ndërtimin e narrativave të ritualeve, liturgjisë dhe besimit që duket sikur krijojnë një mburojë në marrëdhënien e subjektit me pasigurinë e vazhdueshme dhe komplekse në një kontekst kapitalizmit komunikativ.

Në vitin 2018 ishte e përzgjedhur për kategorinë Forbes 30 Under 30, Europe, kategoria Art dhe Kulturë. Ekspozita personale dhe në grup: And this is, again, a Fertile State, Wasser Biennale, Vienna, 2018; All‘estero & Dr K. Takes the Waters at Riva: Version B, Vienna, 2018; Salon with O. Coeln, Schwarzenbergplatz, Vienna, 2018; Bottoms Up!, curated by Severin Dünser & Olympia Tzortzi, Fluc, Vienna, 2018; Soft Power, Gabriele Senn Galerie, Vienna,2016; EMOZIONALE, Milano,2016; Salloni i Artit Bashkëkohor shqiptar, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, 2015; Somewhere in Between me B. Segschneider, Galeria Zeta, Tiranë,2015; Sula & Nikl, me R. Nikl, Galerie Kunstbuero, Vienna,2015. Edson LULI (Shkodër, Shqipëri, 1989) jeton dhe punon në Milano, Itali. Luli është diplomuar në New Technologies of Art (BA), Cinema and Video (MA) në Akademinë Brera në Milano.

Puna e tij konsiston në një investigim të vazhdueshëm të dimensionit të të qenurit në lidhje me hapësirën, sidomos atë të krijuar nga njeriu. Mënyra se si sillemi në hapësirën e përditshmërisë mund të konsiderohet si esenca e pranisë tonë në botë. Kërkimi i Lulit shtrihet në hapësirën kohore ku krijohen perceptimet, abstraksionet, konceptet dhe mendimet. Në praktikën e tij artistike, ai përdor mediume të ndryshme që nga printet e deri tek fotografia, filmi dhe instalacionet.

Luli përdor mediumet si një komunikim i vazhdueshëm me konceptet dhe abstraksionet që lindin nga një kërkim multidisiplinor. Ka marrë pjesë në L’Arte nei Pixel. Videoart & Arte Contemporanea, Lucca Film Festival, Lucca, 2018; This Exhibition Will Have a Title Soon (ekspozitë personale), Prometeogallery e Ida Pisanit, Milano, 2017; Watch the Line While Crossing, Prometeogallery e Ida Pisanit, Lucca, 2017; Mediterranea 18 Young Artists Biennale, Tiranë dhe Durrës, 2017; Media Art Festival, MAXXI Museum, Romë, 2017; Edicioni XXII i çmimit ndërkombëtar Onufri – Stranger than Kindness, National Art Gallery, Tiranë, 2016; Tirana Film Festival, Tiranë, 2016; Fuori Visioni – Contemporary Art Festival, Piacenza, 2016; Talking About, MM XI, Galeria Kombëtare e Kosovës, Prishtinë, 2016; Combat Prize, Museum G. Fattori, Livorno, 2016; Milano Film Festival, Milano, 2015; Future Identities, Laura Haber Gallery, Buenos Aires, 2015; The rhythm of art lies somewhere in between, Bienal del Fin del Mundo IV, Kili, 2015; Hybrid Identities, Contemporary Venice, Palazzo Flangini, Venecia, 2014; Pamur, Festival i Arteve Pamore, Tiranë, 2014; Lori LAKO (Pogradec, Shqipëri, 1991) jeton dhe punon në Firence, Itali.

Ka kryer studimet në Akademinë e Arteve në Firence, dhe një eksperiencë simestrale në Akademinë e Arteve në Mynih. Me anë të punës të saj artistike reflekton mbi gjendjen e njeriut postmodern, në një bote të shpejtë, mes një morie imazhesh e informacionesh që i vështirësojnë kujtesën historike dhe kërkimin e vetvetes. Prej këtu lind nevoja e krijimit si një proces kontemplativ që shpesh sjell në sipërfaqe dimensionin poetik të të qënurit.

Ndër ekspozitat ku ka marrë pjesë veçojme: Polis BBQ, Arte fiera (Bolonja 2018); Fituese e çmimit kombëtar për artin bashkëkohor Idromeno, Galeria e Arteve (Shkodër 2017); Di queste luci si servirà la notte, Le Murate / Projekte për Artin Bashkëkohor (Firence 2017); TU 35 Expanded, Qendra për Artin Bashkëkohor Luigi Pecci (Prato 2017); Downside-up, Tirana Art Lab (Tiranë 2016); Era pacifica pare, Careof (Milano 2016); Jahresausstellung, Akademia e Arteve, (Mynih 2015); Nuovo cinema Masaccio, Casa Masaccio, (San Xhovani Valdarno 2014).

Sa lexojnë shqiptarët ?

Ka dramë më të madhe sesa djegia e fletëve të librave! Një prej tyre është të mos i lexosh ato. Sipas statistikave kulturore të INSTAT-it, më shumë se 1/3-ta e shoqërisë shqiptare nuk ka lexuar asnjë libër vitin e kaluar.

“Përgjithësisht vijnë lexues të rregullt. Normalisht që ka edhe klientë që i shohim rrallë, që vijnë një herë në vit ndoshta. Të rinjtë shqiptarë, nga çfarë vëmë re ne lexojnë pak, ndoshta nga zhvillimi i teknologjisë. Grupmoshat 30-40 vjeç blejnë më shumë dhe letërsi të mirë”, thotë Antonio Cikollari, punonjës librarie.
Nga 2 milionë e 800 mijë shqiptarë, vetëm 44 mijë prej tyre kanë lexuar më shumë sesa 10 libra në vit. 102 mijë banorë të tjerë kanë lexuar nga 5 deri në 10 libra gjatë vitit të kaluar.

“Unë nuk rri këtu, jetoj jashtë shtetit. Por lexoj, po”, thotë një qytetar.

“Kohën e lirë e kaloj me telefonin, normale. Nuk lexoj, s’i kam pasion librat”, thotë një e re.

“Sa mirë do të ishte të lexonim, por e kam shumë të ngushtë kohën. Pothuajse nuk lexoj fare”, tha një zonjë.

“Jo edhe aq shumë, por lexoj disi. Ndoshta dy libra”, thotë një i ri.

Nga ana tjetër, në Bashkimin Europian, “Eurostat” raporton se rreth 20% e popullsisë janë lexues të rregullt dhe se një europian shpenzon gati 200 euro për libra. Por, si në BE, edhe në Shqipëri, shpenzimet për libra nga viti në vit janë në rënie, ndërkohë që banorët harxhojnë më shumë parà për ushqim, veshje dhe aksesorë.

Ritet mortore në fshatrat arnaute në Rusi

Studiuesi Aleksandër Novik ka folur për ritet mortore e përkujtimore në fshatrat arnaute të rajonit të Rostovit, Rusi, gjatë Seminarit për gjuhën e Letërsinë që ka hapur siparin në Prishtinë.

“Në brigjet e detit Azov si pasojë e luftrave turko-ruse në gjysmën e dytë të shekullit XVIII janë themeluar disa vendbanime me popullsinë arnaute: fshati Margaritovo, fshati Epirskoje, fshati Himara, fshati Allbanskoje etj. Në vitet 2015 – 2018 Akademia e Shkencave e Rusisë dhe Universiteti Shtetëror i Shën Peterburgut kanë organizuar ekspedita në këto vendbanime.

Studimet në terren na kanë lejuar të grumbullojmë shumë materiale etnografike lidhur me dokët dhe zakonet familjare. Në këtë studim bie fjalë për ritet mortore ndër banorë të fshatrave me popullsi arnaute”, tha studiuesi rus. Sipas tij, zakonet dhe ritet mortore e përkujtimore tek pasardhësit e popullsisë arnaute të rajonit të Detit Azov janë transformuar dukshëm në shekullin XIX – fillim të shekullit XXI nën ndikim të etnive që jetojnë në këtë zonë – kryesisht rusët, ukrainasit, armenët etj.

Ritet mortore janë transformuar në mënyrë të dukshme gjithashtu nën ndikimin e propagandës ateistike sovjetike pas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917 – në periudhën e gjatë deri në fund të viteve 1980’.

Në studim trajtohet një spektër i gjerë çështjesh kushtuar një tematike të përgjithshme: përfytyrimet e banorëve të rajonit të Detit Azov (rajoni i Rostovit) për vdekjen dhe çka lidhet me të (fati dhe lajmësit e vdekjes, etapat e përgatitjes së varrimit dhe riteve të tjera në shtëpi dhe në komunitet fshatar, kompleksi përkujtimor dhe kultura e organizimit të hapësirës së varrezave). Disa përshkrime të veçanta i janë kushtuar rolit të priftit dhe kishës ortodokse në përgjithësi, veçorive të varrimit të fëmijëve të papagëzuar, beqarëve, lehonave, vetëvrasësve etj. Në vazhdim shpjegohen me hollësi kompleksi përkujtimor kalendarik dhe shndërrimet e tij gjatë shekullit XX – fillim të shekullit XXI.

Është përshkruar kultura e varrezave e fshatrave me popullsinë arnaute me shembuj të veçantë të varrezave të fshatit Margaritovo dhe ato të Pavllo-Oçakovos.

Në bazë të studimit të motiveve ballkanike dhe vendase në strukturën e riteve mortore të banorëve të fshatrave me popullsi arnaute është arritur në përfundim se këto komponente të riteve dhe zakonave në kohën e sotme luajnë një rol markues identiteti etnik (arnaut, grek) dhe / ose rajonal (i rajonit të Detit Azov, i Rostovit, i jugut etj.).

Si e përjetoi Dritëro Agolli sëmundjen e Xhevahir Spahiut?!


Në kohën kur poeti Xhevahir Spahiu kaloi një sëmundje jo të lehtë , Dritëroi , me optimizmin që e shquante në çdo situatë sado të vështirë, i shkruante mikut të tij, Xhevos, plot humor:

D: – Si je, o Xhevo? Xhevua qesh.

D: – Jam Dritëroi. Mos u mërzit. Do të të hapet në mendje një vidhë që do ta shpjesh poezinë në një shkallë më të lartë; do të bësh një poezi të çuditshme. Përsëri Xhevua qesh.





D: – Edhe unë u sëmura dhe u shtrova në spital për 11 ditë. Unë e humba jo vetëm mendjen, po edhe këmbët, por m’u hap një vidhë në tru: vidha e të shkruarit aforizma, dmth fjalë të urta. Xhevua qesh dhe thotë: -Ashtu.

D: – Nuk dua të të shqetësoj. Së shpejti do të vij të të vizitoj me helikopter, se këmbët mezi më punojnë.

Letrat me këto shënime janë bërë publike nga e bija Elona Agolli.

‘Takimi i gjeneralit Fatmir Limaj- Kryeministrit Albin Kurti?’- Heshtje totale nga dy kampet politike… Çfarë po ‘zihet’?

Ditën e sotme  më datën 5.4.2025. qarkulluan lajme në media se kryetari i Nisma-s, gjnerali i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës , dhe Kr...