2018-09-02

...bota do të jetë e populluar nga një brez idiotësh...




(E shkruara qëndron, fjalët i merr era)

Bajram Peçi*


Nga papirusi egjyptian te pergamena e Azisë së Vogël; prej pergamenës lëkurë e deri te letra, janë disa mijë vjet histori njerëzore. Po, prej fillimit të shek. XIII, kur letra, prej Lindjes së Largët hyri në Europë, e deri te braktisja e teknikës ksilografike, për t’u zëvendësuar nga shtypshkrimi, nuk u deshën më shumë se dy shekuj e gjysëm. 24 gërmat metalike prej plumbi të Gutenbergut pushtuan shpejt Europën, mendimet dhe idetë nuk ngeleshin më në biblioteka; ato qarkullonin në mijëra. Bota e veprës letrare hapi dyert për këdo. Prej kësaj kohe, kush ka dashur të besojë se mund t’i ndryshojë faqen botës, e dinin se libri ishte instrumenti që duhej të përdornin. A duhet besuar më kjo, a e ka më libri këtë peshë?

Është “Monitori” që jep të dhëna, marrë nga INSTAT, të një anketimi kryer vitin e kaluar, se mbi një milion shqiptarë nuk kanë arritur të lexojnë gjatë vitit asnjë libër. Si e qysh e ka realizuar organizatori këtë anketim, nuk ka pse përbën objekt, por që kjo nxiti një përfshirje të shumë njerëzve në debat e opinione, tregon se shërbeu për të rritur ndjeshmërinë ndaj një pohimi, që realisht duhet të nä trëmbë. Pavarësisht se nuk i marr shumë seriozisht këto lloj anketime e sondazhe (sepse ska infrastrukurë të besueshme aplikimi për të dalë e vërteta nga çdo shtresë shoqërore), dyshoj se janë edhe më shumë. Situatat kanë ndryshuar kaq vrullshëm, saqë është e pamundur të kuptohen, qoftë dhe duke u shpjeguar.

Para se të vijmë te libri dhe lexuesi, do më përshtatej të përdor si metodë krahasimi kulturën e shfletimit të shtypit të përditshëm. Po i drejtohem një shembulli. Qytetet tona (se në fshat kurrë nuk ka shkuar këto 26 vjetët e fundit), marrin afërsisht 50 mijë gazeta në ditë. Shiten prej tyre rreth gjysma.

Pra, në kontakt të përditshëm leximi, le të themi se janë diku te 25 mijë vetët. Prej tyre, ju siguroj se 80-85 përqind i përkasin moshës së tretë. Gjithsesi, pranojmë se lexojnë shtyp të përditshëm më pak se 8 veta për 1000 banorë. Qëndron argumenti se ato janë bërë vulgare e të brengosin, por nuk është tërësisht kjo që përcakton rënjen. Le ta shohim!

Është e njohur se për një titull libri shtëpia botuese rreh të shesi 300 deri 500 kopje, që do të thotë: një titull-libër për më shumë se 10 mijë veta. Kush ka pak haber nga kjo punë kupton se këta tregues e rendisin shqiptarin në fund të listës europiane. Në mënyrë naive, shtëpitë botuese nuk rreshtin së predikuari mos braktisjen e librit.

Vetëm kaq. Por lexuesi ka nevojë për veprime më të thjeshta, për një moral më të prekshëm, psh., uljen e çmimeve të larta. Le të sjellim një shembull! Në vitet ’90, përkthyes të talentuar, si Sokrat Gjerasi, Jorgji Dhoksani, etj., sollën nga rusishtja të përkthyer Fjodor Dostojevskin. Një redaktor punëshumë e fjalëpak, Xhevahir Lleshi, botoi shumicën prej tyre. Kam në dorë ”Idioti”-n, botim i vitit 1996

nga Eugen, faqe 556, çmimi 400 lekë. Me një të tillë vëllim të hedhur në treg, çmimi sot nuk do ishte më pak se 1500 lekë. Siç shihet, brënda 20 vjetësh çmimet e librit janë rritur katër herë. Inflacioni ka qenë aty-aty, teknika e shtypshkronjave u përmirësua dukshëm, çka presupozon një rendiment të lartë të shoqëruar me ulje të kostos prodhimit.

Por jo, ndodhi e kundërta! Paradoksit të çmimeve tepër të larta i qëndron ballazi koraca e papërshkueshme e mbrojtjes me çmimin e letrës, me taksat e larta, me TVSH arbitrare, etj. E të mendosh se një lexuesi me pagë mesatare ose nën mesatare, blerja e një libri i kushton 5 përqind të strukturës së pagës mujore. Besomëni, por është më mirë t’u qëndrosh larg, kur bëhet fjalë se cënon financat e familjes!

Ndoshta, mund të duket disi i panatyrshëm ky ndryshim, po të kemi parasysh se dy dhjetëvjeçarë më parë, shitej një sasi shtypi afërsisht dhjetë herë më e madhe. Po me librin, si qëndrojnë gjërat? Në këtë rrëfenjën e gjendjes së leximit sot, trysnohen një det prapësish, që po ndryshojnë rrëmbyshëm e rrëmujshëm botën.

Orvatem paksa të gërmoj për të parë se në ç’raport është Perëndimi me librin dhe, o Perëndi, shoh se nuk qenka vetëm problem shqiptar! Në një anketim të para 20 vjetëve francezët e rinj përgjigjeshin qartazi. Listën e më të lexuarit në rend e mbante Dostojevski. Sot nuk po njohin jo këtë shkrimtar rus, por nuk po njohin as gjeniun e tyre, krenarinë dikur të Francës, Viktor Hygonë. Por, lind pyetja, si është e mundur, vallë, që arsyeja të pajtohet e të pranojë të tilla ndryshime? Kur kthehesh në botën reale e sheh librin të mos ketë vepruar dot i pavarur nga ndryshimet në teknologjinë e komunikimit, ndryshime që as u vunë në dyshim dhe u panë si diçka që nuk ke si i kundërshton.

Telefoni mobil me 4G-në e nënshtroi. “Kam frikë nga dita kur teknologjia do të shkojë përtej njerëzimit tonë: bota do të jetë e populluar nga një brez idiotësh”-kish profetizuar Albert Ainstain.

Nuk ka asnjë hartë të jetës shoqërore, që të na japë të dhëna të sigurta për mirëqënjen e përparimin e atij vëndi, sesa tregu i botimeve të librit. Ajo çka shihet që në krye te botimet, është: zgjedhje titujsh që t’i shërbejnë tregtisë. Sistemit që po i përshtatemi, duke funksionuar si biznes, me treguesit e raportit të ardhura-shpenzime, nxit përpos se botimin e atyre veprave që parashikohen se do kenë treg të suksesshëm. Klasikët, për shembull, tani rrallë herë janë pjesë e planeve të botimit.

Para disa vitesh, dy psikologë kanadezë të Universitetit të Torontos, për revistën “Science” publikuan një studim, përfundimi i të cilit fliste qartë: më shumë lexim të letërsisë, si mjeti më i mirë për të rritur aftësinë tonë për atë që quhet “Teoria e Mendjes”. “Por jo të gjithë librat kanë këtë fuqi”, shpjegojnë shkencëtarët, “Vetëm romanet”, dhe natyrisht jo të gjithë romanet. Leximi i letërsisë së mirë – thonë ata – ka aftësi të të ndihmojnë për komunikimin tënd në botën reale shumë më tepër sesa librat e lehtë. Përparësinë këtu e marrin klasikët.

Në ç’raport është sot letërsia me lexuesin? Do na ngelet në gojë një shije e hidhur. Kur botohen libra, pak merrren në vlerësim nevojat që ka shoqëria, për ta patur librin si objekt me ndikim në përgatitjen e brezave për të hedhur hapat e duhur në jetë. Në fund të fundit, ka qenë letërsia ajo që ka formuluar në shekuj kërkesat e ndërgjegjes njerëzore, ka qenë libri që ka rritur njeriun! Në vitin 1935 Ernest Heminguej-it i kanë marrë një intervistë. Ju përgjegj pyetjes së gazetarit: cilat janë librat që një shkrimtar apo lexues duhet t’i ketë shfletuar? Ky kolos i letrave, pa u menduar gjatë, renditi: ”Lufta dhe Paqja”, ”Ana Karenina” të Tolstoit; ”Zonja Bovari” e Floberit; ”Budenbrokët” e Tomas Man; ”Tom Xhonsi” dhe ”Xhozef Endri” të Fildingut;

”Manastiri i Parmës” dhe ”E kuqja dhe e zeza” të Stendal; ”Vëllezrit Karamazov” dhe veprat e tjera të Dostojevskit; ”Aventurat e Hekëlber Finit” të Mark Tuen; ”Buti i hapur” dhe ”Bujtina e kaltër” të Stefan Krënit; ”Përshëndetje e ndarje” të Xhorxh Merit; ”Autobiografitë” e Jitsit; gjithë veprat e Mopasanit, Turgenievit, Kiplingut … Këta tituj dhe autorët sa më sipër, të sjella si shembull i pjesshëm, njihen paksa ose vijnë gjithnjë e më shumë, duke mos u njohur. Trëmbem se një ditë do jenë të harruar si emra e tituj.

Kush nuk ka lexuar klasikët, hyn në jetë me boshllëqe dijesh (thonë këta psikologët)! Është ky një përfundim jo i botës së letrave, por i shkencës së mëndjes. Ata, klasikët, nuk mëshirojnë vetëm ndërgjegjen e kohës së veprimit, por janë (dhe pranohet njëzëri) se krijimtaria e tyre përbën themelin dhe modelin, shëmbullin që përmes letërsisë së tyre të shohësh të ardhmen.

”…ende me të vdekurit ti?”- i tha dikush Kristaq Trajës, kur promovoi botimin me Shtëpinë Botuese Saras të tre dramave të Shekspirit. Dhe të mendosh se ato jo vetëm përktheheshin për herë të parë, por botimi bëhej me një shpenzim që e përballonte përkthyesi. Në këto raste është vendi të ndërhyjë shteti me përkrahje e mbështetje, siç kjo ndodh me Europën, ku libri print po ruhet edhe përmes subvencionimit të tij. I njëjti fat shoqëron edhe poezinë, dramën, skenarin, mendimin kritik e mendimin estetik, të cilat janë jashtë vëmendjes së botimit dhe të papërfillura.

Sa i përket krijuesit të ri, mjerimi i gjendjes duket açik. As që bëhet fjalë se mund t’u afrohet ndokush nga shtëpitë botuese, përpos se kur marrin përsipër shpenzimet e prodhimit e fitimin e munguar. Të merresh sot si rishtar me krijimtari letrare, jo vetëm që s’bëhet fjalë se mund të fitosh përmes publikimit, por gjasat janë të zhytesh në borxhe.

Si parashikohet e ardhmja e librit? Të thuash e zymtë, është pak! Janë kohët e reja që kanë ardhur, me sjellje e ndryshime thelbësore në strukturën e kulturës së lajmit, informimit, dhënjes së dijes. Teknollogjitë e reja të komunikimit, fillimisht teleteksi, faksi e telefonia celulare, zëvendësuan letrën postare.

Më tej, interneti e çoi përcjelljen e lajmit në papërfillshmëri kohore, bëri që lajmi t’i afrohet lexuesit falas, duke zëvendësuar gazetën print; pajisjet që përdoren për leximin e librave elektronike, si Kindle (prodhim i AMAZON.COM,shoqëria tregtare më e madhe në internet për shitje online); iPad, iPhone dhe iPod, prodhime të kompanisë APPLE Inc; tabletat (si iPad) e prodhuara nga Samsung; Nookia, prodhim i kompanisë BARNES & NOBLE (shoqëria më e madhe në SHBA e prodhimit dhe sidomos e shpërndarjes dhe shitjes se librave), zotërojnë sot pothuaj se gjysmën e tregut të librave në tërësi, duke pretenduar kështu se kanë zëvendësuar një pjesë të madhe të librit në letër. Do jetë vallë ky fundi i librit print?

Edhe nëse e pranojmë pa droje, se roli i letërsisë në jetë dhe shoqëri po zbehet, nuk është se po bëjmë ndonjë mëkat. Thjesht po pohoj një

bindje vetjake. I përkas atij grupi që beson se po shfaqet hapur nevoja për t’i ndenjur doemos pranë librit, me politika mësimdhënjeje, po dhe qeverisëse. Shprehja, “T’i rrish pranë”, ngelet fjalë boshe nëse mbi to nuk vendosen disa realitete. Si e qysh, kjo ngelet për t’u vlerësuar nga institucionet përkatëse, me synimin për t’i ulur çmimin librit përmes politikave fiskale. Natyrisht, nëse duan ta bëjnë? Me gjasa, sdo ta bëjnë kurrë!

Siç shihet, ndodhemi në muzg të librit. Do perëndojë, për të mos rilindur më apo jo, askush nuk e di!? E shkruara, libri, i profetizuar në Romën e lashtë, se ishte në themelet e ndërtimit të shtetit të së drejtës, e ngulitën si bindje te thënja, “E shkruara qëndron, fjalët i merr era”. Tani që njerëzia po harrojnë të shkruajnë me dorë, kur u duket si kinezçe pyetja mbi ndryshimet e gërmave të dorës nga të shtypit, mund të presësh humbjen e kuptimit të sentencës.

Sundimi i internetit, këtë gur themeli të shtetit, nuk e përfill dhe kuptohet se gjërat po dalin jashtë kontrollit dhe do mjaftonte edhe një pikë që gota të derdhet. Dikur, ata që merreshin me sociologjinë, kishin përcaktuar se kapaciteti intelektual i një lexuesi të elitës, atij që i përkiste botës akademike, kishte si kufi leximin afërsisht të 2000 librave.

“Letërsia është e zonja të frymëzojë dhe të përgatisë botën për një jetë më të mirë”-ka pasë shkruar Tomas Man. A thua do jetë i aftë googëll, facebook, rrjetet sociale, ta zëvendësojnë librin? Sa statuse facebook-u, 20 mijë, 200 mijë, do duhen ta zëvendësojnë librin? Qesharake kur e mendon! Tani që libri po humbet e bashkë me të dhe njeriu i vërtetë, nuk e di se për sa kohë ne mund të rezistojmë në mbrojtje të tij!

*Ish Administrator i Shtëpisë Botuese “Saras”

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...