Veton Surroi
“Islami është fe e paqes”, është njëra prej përgjigjeve që myslimanët (dhe ata që kundërshtojnë paragjykimet e myslimanëve) përsërisin, kur duan të distancohen nga terrorizmi apo thirrjet për dhunë në islamin politik, në islamizëm.
Dhe, e menjëhershme është përgjigjja e atyre që kanë paragjykime ndaj islamit, duke dhënë shembuj nga më drastikë të sjelljes së myslimanëve nëpër vende të ndryshme të botës. Do të dalë ndonjë foto e terrorit, do të dalë ndonjë foto a rrëfim për dhunë ndaj gruas, do të dalë ndonjë histori mbi dënimet trupore të njerëzve që mendojnë ndryshe (në shkrim), që flasin ndryshe (për fenë a gjë tjetër) apo janë ndryshe (homoseksualë).
Veton SurroiPor, ata që thonë se islami është fe e paqes, kanë po aq të drejtë sa edhe paragjykuesit. Islami është fe e paqes, por brenda islamit ekziston në Arabinë Saudite diskriminimi i gruas, në Afganistan dhuna ndaj gruas (posaçërisht femrës që do të shkollohet) dhe në çdonjërin prej vendeve ku ekziston policia fetare (Irani, Arabia Saudite) përndjekja e institucionalizuar e atyre që mendojnë a sillen a janë ndryshe. Dhe, në islam po ashtu ekzistojnë njerëz që vrasin në emër të besimit të tyre.
Si të interpretohet konstatimi mbi “Islamin si fe e paqes” me sjelljet që nuk janë paqësore? Shumë thjesht. Islami nuk dallohet prej religjioneve të tjera monoteiste; çdonjëra prej tyre avokon paqen dhe çdonjëra ofrohet si mënyrë e arritjes së paqes. Dhe, sikundër islami, çdonjëra prej feve monoteiste është e interpretueshme dhe e interpretuar prej njeriut, prej shoqërisë. Njeriu e bën fe të paqes, nëse do. Njeriu e bën fe të urrejtjes e vrasjes, nëse do.
Ta marrim njërin prej simboleve kulturore (pothuajse ikona të pop-kulturës), në shekullin XX dhe tashmë XXI, të religjionit të paqes, budizmit. Imazhi i parë i budizmit është ai i murgut me kokë të rruar, me pamje asketike, me sandale në këmbë apo këmbëzbathur. Murgu, në këtë religjion, duhet të simbolizojë tërë modestinë e natyrës njerëzore, që duke u larguar nga të mirat materiale të botës, arrin t’i afrohet Hyut. Murgu budist, që ushqehet nga gjërat që i jepen në komunitet dhe i konsumon këto vetëm në mesditë, e kalon pastaj tërë ditën pa ngrënë, duke u ofruar/ atyre që e kërkojnë mësimet nga d-harma, tërësia e interpretimit të rregullave shpirtërore të njeriut e botës. Ky murg, i cili në sytë e kamerave filmike është o në meditim, o në buzëqeshje, duke dhuruar mirësinë e zbuluar nga Hyu, në Birmani (Myanmar) po ashtu identifikohet me ndjekjen sistematike të myslimanëve. Në këtë vend, më 2013-n u shpall botërisht lëvizja e murgjve budistë “969”, e cila predikoi e pastaj edhe zbatoi dhunën ndaj myslimanëve rohingya (që janë pakicë në këtë vend, numërojnë një milion banorë).
Kur nxorën thikat për t’i prerë myslimanët e vendit të tyre, përfshi më 2013-n edhe dy fëmijë (pasi disa të rinj myslimanë kishin prerë me thikë një murg budist), murgjit budistë nuk i thyen vetëm të gjitha perceptimet që i kishte krijuar pop-kultura për natyrën e tyre dhe të religjionit të tyre, por thyen edhe pikën e parë të betimit të tyre, atë se nuk do të marrin jetën e të tjerëve – shtazëve, njerëzve.
11.
Si është e mundur që njëri prej postulateve të budizmit, i shënuar në vargjet se “Urrejtja nuk pranë së qenë urrejtje kurdo qoftë: urrejtja ndërpritet me dashuri, ky është një rregull i përjetshëm”, te murgjit që u konfrontuan me myslimanët e Birmanisë të shndërrohet në thikë vrastare?
Dr. Robert Pape, një shkencëtar i Universitetit të Çikagos, dha një sqarim lidhur me parimin e kësaj pyetjeje (si është e mundur që religjioni që predikon paqen të shndërrohet në dhunë), duke analizuar fenomenin e sulmeve vetëvrasëse që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar deri në dhjetëvjetëshin e parë të këtij shekulli. Ai konfirmoi atë që çdo analizë e esëllt do të tregojë: “Ekziston fare pak lidhje mes sulmeve vetëvrasëse terroriste dhe fundamentalizmit islamik apo cilitdo prej religjioneve botërore”.
Dr. Pape, që shkroi një libër në këtë temë (“Dying to win”, Random house, 2006) dhe po ashtu themeloi “Projektin e Çikagos për siguri dhe terrorizëm”, konstaton se veprimi i shumicës së sulmeve vetëvrasëse ka një qëllim sekular e strategjik, që është shporrja e forcave okupatore nga territori që terroristët e konsiderojnë atdhe”. Rrjedhimisht, konstaton Pape, nacionalizmi është burimi i vërtetë i terrorizmit sot.
Nuk ka vend më të dukshëm të këtij konstatimi se në Izrael/Palestinë. Bombat e hotelit “King David” në Jerusalem, të vëna nga nacionalistët hebrenj, qenë drejtuar drejt thyerjes së vullnetit të britanikëve që të mbesin në atë që quhej Palestina e Mandatuar. Bombat e shpërthyera nga pjesëtarët e Hamasit palestinez janë të drejtuara drejt thyerjes së vullnetit të shtetit të Izraelit për të mbajtur të okupuar territoret palestineze.
Vala e sulmeve vetëvrasëse, që sipas “Projektit” të dr. Pape eskaloi në formë dramatike pas vitit 2000, duke e shndërruar shekullin XXI në shekull të sulmeve vetëvrasëse, që pasoi në Afganistan a Irak, i ka të njëjtat primesa – pra një luftë asimetrike të terroristëve për të thyer vullnetin e forcave okupuese.
12.
Dhe, ashtu siç nuk ka vend më ilustrues se Palestina për shfrytëzimin e terrorizmit në axhendat nacionaliste, ashtu nuk ka vend më ilustrues për mënyrën e shkrirjes së kufirit mes nacionalizmit dhe religjionit në një kauzë të përbashkët.
“Kur të kemi avionë e raketa, atëherë do të mund të mendojmë për ndryshimin e mjeteve tona për vetëmbrojtje legjitime. Por tash, mund të luftojmë zjarrin vetëm me duart tona të thata dhe vetëflijimin.”
Kështu thoshte njëri prej liderëve palestinezë, sheiku Ahmed Yassin, duke arsyetuar taktikën e sulmeve vetëvrasëse që ishte iniciuar në Rripin e Gazës, që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, nën udhëheqjen e tij. Në tërë arsyetimin e tij të qartë, njëra gjë mbetej gjithnjë e paqartë, në emër të kujt flet? Ai ishte themelues i Hamasit, një lëvizje islamike në Rripin e Gazës që synonte që të zëvendësonte Al-Fatahu-n e Jaser Arafatit, gjegjësisht OÇP-në në përgjithësi. Kur fliste në emër të lëvizjes, ai mund të fliste në emër të palestinezëve, të cilëve u printe edhe si lider politik, por në masë të madhe si lider fetar.
Lëvizja Hamas është indikatori i hershëm i lëvizjeve te palestinezët. Ata që u dëshpëruan me mungesën e rezultateve për krijimin e shtetit palestinez, të një lëvizjeje laike si OÇP qenë të gatshëm të jenë pjesë e një lëvizjeje të re për çlirim, por tashmë jo laike.
Islami i depërtuar në politikë, islamizmi, siç u pa me rastin e Hamasit, nuk është i kufizuar në këtë rast, e as ka filluar me të. Përkundrazi, islamizmi është shndërruar në zëvendësues të opsioneve më legjitime për popujt arab. Diktaturat ushtarake, si ajo e Egjiptit, kanë kufizuar opozitën me ide liberale dhe e kanë frikësuar opozitarizmin aq sa e vetmja formë e mbijetuar dhe e strukturuar e rezistencës ka qenë dhe mbetur islamizmi në formën e Vëllazërisë Myslimane. E njëjta gjë kishte ndodhur në Sirinë e Hafez el Assad-it, babait të Presidentit të tanishëm.
Në shekullin XXI, islamizmi ka hyrë me të dyja këmbët, madje, me pretendimin që të jetë jo vetëm opsioni i vetëm opozitar, por me ambicie shumë më të madhe. Islamizmi sot dëshiron ta paraqesë veten si opsionin e vetëm shtetndërtues, aty ku po shemben shtetet, në Irak, Siri dhe Libi ose aty ku nuk po mund të lindin, si në Palestinë.
Islamizmi sot përpiqet të paraqitet si alternativë shtetndërtuese arabe, shikuar nga këndvështrimi kombëtar. Apo si alternativë e shtetit “të drejtë” (të pastër, të Sheriatit), përballë shteteve të padrejta (qoftë sekularizmit arab, shteteve në tranzicion apo demokracisë liberale Perëndimore).