Shkrimtari i njohur italian jetoi i ndarë mes botës akademike dhe asaj letrare, ndërsa u përpoq të krijonte një ndërthurje tërheqëse të të dyjave, pavarësisht kritikave. Ai shiti miliona kopje të librave të tij, duke i bërë lexuesit të mos lëshonin nga duart romanet e tij, me misterin që përcillte pavarësisht ngarkesës shpjeguese të simboleve, shenjave dhe kulturave
Umberto Eko, një shkollar në fushën e errët të semiotikës, që u bë autor i suksesshëm romanesh, mbi të gjitha me veprën “Emri i Trëndafilit”, vdiq në moshën 84 vjeç.
Si një semiotikan, Eko kërkoi të interpretonte kulturat përmes shenjave dhe simboleve të tyre – fjalëve, ikonave fetare, banerave, veshjeve, notave muzikore dhe madje edhe filmave vizatimorë. Ai ka publikuar mbi 20 libra mbi këto çështje ndërsa jepte mësim në Universitetin e Bolonjës, më i vjetri në Europë.
Në bashkimin e këtyre dy botëve, ai nuk ka qenë kurrë më i suksesshëm sesa tek “Emri i Trëndafilit”, romani i tij i parë, që u publikua në Europë në vitin 1980. Suksesi qe i madh dhe ai shiti më tepër se 10 milionë kopje në rreth 30 gjuhë dhe pati edhe një adaptim kinematografik në Hollivood.
Libri tregon për ngjarjet që ndodhin në një manastir italian në shekullin 14, kur murgjit vriten nga besimtarë të tjerë duke risjellë bukur një qasje filozofike të Aristotelit, harruar kohë më parë.
Në një intervistë për “Vogue” në vitin 1995, Eko pranoi se ai nuk ishte i lehtë për t’u lexuar. “Njerëzit gjithnjë më pyesin, ‘si është e mundur që romanet tuaja, që janë kaq të vështira, kanë një lloj suksesi?’”, tha ai. “Më ofendon kjo pyetje.
Është si të pyesësh një grua ‘si është e mundur që burrat tërhiqen prej teje?’”, sqaroi Eko, i cili e përfundoi përgjigjen me një dozë ironie: “Unë vetë i kam qejf librat e thjeshtë, sepse ata më vënë në gjumë”.
Ai i ka mirëpritur kritikat ndaj tij duke thënë se nuk ishte një fundamentalist dhe se çdo gjë ishte perfekte në kontekstin e saj. Eko mund të jepte leksione në pesë gjuhë moderne, si dhe në latinisht dhe greqishten klasike. Ai i ra kryq e tërthor Atlantikut për konferenca akademike, promovime e diskutime librash dhe festa koktejesh të personave të njohur. Por nga ana tjetër, atij i pëlqente edhe të pinte verë të lirë dhe të shkëmbente batuta me studentët e tij natën vonë në tavernat e Bolonjës.
Ai dhe gruaja e tij gjermane, Renate Ramge, një profesoreshë arkitekture dhe e artit, kishin apartamente në Paris, Milano dhe një çiflig të shekullit 17 në Rimini, mbi detin Adriatik. Ata patën dy fëmijë, Stefanon, një producent televizioni në Romë dhe Karlotën, një arkitekte në Milano.
Umberto Eko lindi më 5 janar 1932, në Aleksandri, një qytet industrial në veriperëndim të Italisë. Babai i tij, Xhulio, ishte një llogaritar në një firmë metalesh ndërsa e ëma, Xhovana ishte nëpunëse atje.
Në fëmijëri, ai kalonte orë të tëra në qilarin e gjyshit, duke lexuar koleksionin e librave të tij. Gjatë diktaturës së Benito Musolinit, ai mban mend të ketë veshur një uniformë fashiste dhe të ketë fituar çmimin e parë në një konkurs shkrimi për fashistët e rinj.
Eko pati një lidhje të fortë me fenë, për të cilën mbrojti edhe tezën e doktoraturës në 1956, por ishte gjithashtu i lidhur me filozofinë dhe semiotikën, për të cilat dha mësim në Universitetin e Bolonjës.
Ai fitoi famë në Itali për kolonat e përjavshme për politikën dhe kulturën në revistën më të famshme “L’Espresso”. Por ishte botimi “Emri i Trëndafilit” ai që i dha Ekos njohje botërore.
Pas romanit të parë, të tjerët që pasuan nuk u pritën me të njëjtën dëshirë. Ato u kritikuan, e megjithatë, romanet e Ekos vazhduan të shiten me miliona pas krijimit të lexuesve të devotshëm.
Janarin e shkuar, u botua dhe romani më i ri i Ekos, “Numri Zero”, historia e të cilit zhvillohet në vitin 1992 dhe trajton një shkrimtar fantazmë që përfshihet në botën e politikave të medias dhe konspiracioneve për vrasje në lidhje me ish-diktatorin Benito Musolini. Ky i fundit u përfol se nuk vdiq në 1945, por jetoi në hije për dekada me radhë.
Eko ka marrë çmimin më të lartë letrar të Italisë, “Premio Strega”, është nderuar si Kalorës i Legjionit të Nderit nga Franca dhe është një anëtar nderi në Akademinë Amerikane të Arteve dhe Letrave.
Ndërsa ai vazhdoi t’i habiste kolegët e tij akademikë me famën e tij të kulturës pop, Eko nuk shihte kontradiktë në statusin e tij të dyfishtë. “E shoh veten si një profesor serioz, i cili gjatë fundjavës, shkruan romane”, ka thënë ai.
Ai nuk është thjesht një libër. “Emri i trëndafilit” është një kryevepër që duhet lexuar nga të gjithë dhe jo vetëm kaq, çdo vepër e Umberto Ecos duhet lexuar për shumë arsye. Që nga fjalori i tij i pasur (fatmirësisht i përkthyer në mënyrë të përkryer në shqip), thëniet fantastike, subjektet interesante, e deri tek ironia e tij e bukur dhe therëse. Më poshtë do t’ju japim disa nga mesazhet që ai na sjell me veprën “Emri i trëndafilit” :
“Kur armiqtë e vërtetë janë tepër të fortë, lind nevoja të zgjedhim armiq të tjerë më të dobët”.
“Vlera e një libri duket në momentin që e lexojmë. Një libër përbëhet nga shenja që flasin për shenja të tjera dhe këto flasin më pas për gjëra. Pa një sy që t’i lexojë, një libër mban shenja që nuk prodhojnë mesazhe dhe me pak fjalë është i shurdhët”.
“Librat nuk janë bërë për t’u besuar, por për të na ftuar në dyshime. Përpara një libri ne nuk duhet të besojmë çfarë na transmetohet, por të pyesim veten se çfarë ka dashur autori të transmetojë me fjalët e tij”.
“”E vërteta e vetme është të mësojmë se si të çlirohemi nga pasioni jo i shëndetshëm për të vërtetën”.
“Kush nuk lexon, në moshën 70 vjeçare ka jetuar vetëm një jetë : të vetën! Kush lexon, ka jetuar 5000 vjet : Që kur Kaini vrau Abelin, kur Renzo u martua me Lucian, kur Leopardi adhuronte pafundësinë… sepse në thellësi leximi të dhuron pavdekësinë”.
F.B