Nga Agim Baçi.
“Vuajmë ende hijet e tejzgjatuna të sistemit kriminal stalinian që trullosi mendjet tona”. Kështu shkruante ditë më parë në “Panorama” Sami Repishti, një nga ata që vuajti vetë për 10 vite ferrin shqiptar të diktaturës, por që nuk reshti kurrë që të kërkojë nga shoqëria shqiptare që të guxojë të hedhë sytë nga e shkuara nën diktaturë për ta lexuar atë me gjithë tronditjen e madhe të saj.
Por zërat të cilët kanë evidentuar fuqimisht të shkuarën, si At Zef Pllumi, Ejll Çoba, Spartak Ngjela, Lek Pervizi, Agim Musta, apo shkrimeve në shtypin e shkruar nga Sami Repishti, Uran Butka, Nebil Çika, Kastriot Dervishi e shumë emra të tjerë, kanë mbetur në hije përballë furisë së ish-drejtuesve të kohës së diktaturës për të na rrëfyer historitë e tyre, kurorëzuar së fundmi me guximin e vejushës së ish-diktatorit, Nexhmije Hoxhës, për të na rrëfyer “mrekullitë” e dashurisë së saj në televizione e gazeta.
Paradoksalisht nga ajo që nuk kemi mundur ta realizojmë ne si shoqëri, duket se janë ambasadorët e SHBA-ve, OSBE-së apo ambasadori gjerman, që përsërisin pareshtur se shqiptarët nuk duhet të harrojnë të shkuarën, pavarësisht hapave që kanë hedhur. “Shqiptarët nuk duhet të harrojnë padrejtësitë e sistemit komunist”, u shpreh dy muaj më parë ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, gjatë seminarit “Shqipëria, 25 vite pas komunizmit: rindërtimi i shtetit dhe i shoqërisë”.
Në të njëjtën kohë, përfaqë- sia e OSBE-së në Tiranë ka mbështetur idetë mbi dekomunistizimin, ndërsa ambasadori gjerman, Helmut Hoffman, ka qenë ndoshta edhe më aktivi në këtë përpjekje, kur ka marrë pjesë dhe ka mbështetur projekte, si në rastin e mbështetjes së një prej pjesëve teatrale më përfaqësuese të asaj çfarë ka ndodhur me të shkuarën shqiptare, dramën “Ata hyjnë pa trokitur” të regjisorit Armando Bora.
Hoffman nuk e fshehu tronditjen kur u përball me këtë shfaqje verën e shkuar në Voskopojë, në një aktivitet të Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut drejtuar nga znj. Elsa Ballauri. Aktorët Rozi Kostani dhe Alfred Trebicka e kishin shtangur teksa luanin një nga fytyrat më dramatike të komunizmit, kur njeriu priste veçse ndëshkimin. Një shfaqje pa emra njerëzish apo vendesh, pa mllef apo urrejtje, por e ngarkuar me tërë tmerrin që vinte nga absurdi i një shoqërie të dehumanizuar.
E tillë është ligësia që vjen nga mungesa e lirisë, nga mungesa e njeriut për të besuar dhe për të ëndërruar. Personazhi pret ndëshkimin vetëm sepse nuk është treguar entuziast në një situatë banale me shefin, kur ai po ndëshkonte të atin se vdiq gjatë gjumit të drekës dhe jo duke ndërtuar veprat e socializmit. Menjëherë pas shfaqjes, Hofmman deklaroi se do mbështeste përhapjen e kësaj shfaqjeje, ndërkohë që përfaqësuesja e OSBEsë mori përsipër të sugjerojë rihapjen e një diskutimi lidhur me domosdoshmërinë e debatimit të krimeve të së shkuarës.
Falë këtij sensibilizimi, shfaqja e absurdit të diktaturës shqiptare, shkruar dhe vënë në skenë nga Bora, pritet të luhet në Athinë, Paris, Hagë, Berlin. Si për të thënë se, pavarësisht se kemi qenë vetëm një pjesë e vockël në botën e absurdit, mund të jemi shembull për shumë qytetarë të botës, për t’u treguar se si përmes mungesës së plotë të lirisë, përmes autocensurës, mund të arrijmë në pikën më të fundit të pikëpyetjeve mbi qenien tonë. Për këto leksione kemi nevojë të gjithë, e sidomos të rinjtë, të cilët kanë nevojë të mësojnë të shkuarën e prindërve dhe gjyshërve.
Përpjekja e atyre njerëzve që nuk e kanë prekur këtë të keqe në jetët e tyre, por që mjafton vetëm ta përfytyrojnë atë, është një thirrje për të kthyer sytë një herë e mirë nga ky debat e për të kuptuar se nuk do të jemi kurrë të qetë, për sa kohë nuk kemi guxuar të lexojmë të shkuarën. Sepse çdo gabim i moslexuar mund të rrezikojë të na rikthejë tek ato hije, tek e cila vë theksin Repishti.
Bota e qytetëruar, pavarësisht hapave të jashtëzakonshëm që ka hedhur në drejtim të të drejtave të njeriut, të raportit me lirinë, nuk ka harruar kurrë të kujtojë se, shumë të shkolluar në Rusi, Hungari, Çeki, Gjermani, Itali e shumë vende të tjera, ishin përkrahës të makinave çnjerëzore si komunizmi, nazizmi e fashizmi dhe që u dhanë jetë diktaturave, duke rrëzuar çdo ditë vetveten e duke tundur kokën përballë çdo humbjeje lirie dhe krimi.
Rikthimi i syve nga ato krime që kanë ndodhur në Shqipëri për 50 vite, është thirrja për të kuptuar se përveç përpjekjes për dije, na duhet edhe të kthejmë sytë nga njeriu, nga vetja, nga vlerat, që të mos rrëzohemi sërish. Leximi i së djeshmes është njëkohësisht thirrja që të mos dorëzojmë para asnjë oferte lirinë tonë për të besuar, për të folur, për të guxuar.