Nga Romeo Gurakuqi*
Shtysën për këtë shkrim e mora nga njoftimi informativ i botuar te “Gazeta Shqiptare” më dt. 12 shkurt 2017, mbi hapjen e konkurimit “për vendin e antropologut si ‘Akademik i asociuar’ në Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike (të Akademisë së Shkencave)”, për të cilin ka kandiduar, me të drejtën e të vetmit që plotëson kriteret e drejtimit të mirëfilltë kërkimor në këtë fushë. Sipas njoftimit në fjalë, “Prof. Aleksandër Dhima është një ndër themeluesit e antropologjisë shqiptare dhe krijues i Laboratorit Antropologjik Shqiptar”.
Së paku nga viti 1984, si lexues i kujdesshëm i revistës “Iliria” dhe i përmbledhjeve të Kuvendeve të Studimeve Ilire, kam pasur rastin të studoj punimet e prof. Dhimës mbi ato materiale të së shkuarës iliro-shqiptare, që pak studiues i kanë pasur në zotërim, për të realizuar vlerësime, analiza të krahasueshme me ato të shkencave të tjera albanologjike dhe ekzakte. Në opinionin publik shqiptar brenda dhe jashtë vendit, kur flitet për Antropologjinë, të gjithëve iu shkon mendja te prof. Aleksandër Dhima, si antropologu i parë shqiptar, i cili hapi rrugën për studime të thelluara në fushën e antropologjisë etnike, social-kulturore dhe të zbatuar.
Prof. Dhima e nisi punën e tij shkencore në fushën e Antropologjisë qysh në janar 1973, duke sakrifikuar karrierën e tij si mjek, në përgjigje të thirrjes së prof. Aleks Budës për ndihmesën e antropologjisë në sqarimin e problemit madhor të etnogjenezës shqiptare, sipas rekomandimit të personaliteteve shkencore ndërkombëtare që morën pjesë në Kuvendin I të Studimeve Ilire (tetor 1972). Në vitin 1976, ai krijoi të parin Laborator Antropologjik në vend, që hapi rrugën për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj dege të re të shkencave albanologjike, në shërbim të zgjidhjes së problemit kyç të etnogjenezës së shqiptarëve. Ndonëse në moshë të re dhe me rezultate ende modeste në këtë fushë, ai mori pjesë me kumtesa në dy aktivitete të rëndësishme shkencore: në Konferencën për formimin e popullit shqiptar, të gjuhës e kulturës së tij (Tiranë, 2-5 korrik 1982) dhe në Kongresin e 3të të Antropologjisë Evropiane (Petralona/Greqi, 25-30 shtator 1982, i shoqëruar nga kryetari aktual i Akademisë së Shkencave, prof. Muzafer Korkuti).
Specializimin e parë në fushën e Antropologjisë, A. Dhima e ka kryer në Institutin e Paleoantropologjisë të Akademisë së Shkencave të RP të Kinës (Pekin, 1977-1978). Më tej, ai ka qenë bashkëdrejtues i Projektit të përbashkët midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për studimin e lëndës eshtërore nga Vërmica (Prizren, nëntor-dhjetor 1980). Në vazhdim, ai kreu specializime afatshkurtra për studime ndërdisiplinore në Institutin e Demografisë pranë CNRS (Paris, Francë) dhe në Shkollën Franceze të Arkeologjisë (Romë, Itali).
Një vend të veçantë në karrierën kërkimore-shkencore të periudhës së parë të prof. Dhimës zë monografia “Gjurmime antropologjike për shqiptarët” (botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, 1985), që përbën studimin e parë përmbledhës mbi sintezën antropologjike të popullit shqiptar. Kjo vepër u nderua me çmimin special në Konkursin Ndërkombëtar të Studimeve Etnoantropologjike (Palermo, 11-16 korrik 1987).
Në vitet në vazhdim, A. Dhima ka botuar artikuj studimorë në revistat shkencore të vendit dhe në revistat ndërkombëtare të antropologjisë me faktor impakti (Portugali, Poloni, Gjermani, SHBA) dhe ka marrë pjesë me kumtesa në kongrese ndërkombëtare të antropologjisë në Prishtinë (Kosovë), Prijepolje (Serbi), Madrid (Spanjë) dhe Potsdam (Gjermani). Gjithashtu, ai u ftua për të mbajtur ligjëratën e parë jashtë vendit në Departamentin e Antropologjisë të Universitetit të Ulmit (RF e Gjermanisë) me temë “Hulumtime antropologjike mbi popullatat e vona të Shqipërisë” (14 maj 1990).
Duke vlerësuar këtë aktivitet shkencor në rritje të tij, fondacioni i mirënjohur gjerman “Alexander von Humbold” i akordoi atij bursën federale për studime të thelluara në fushën e Antropologjisë në universitetet gjermane (1 qershor 1991-31 janar 1993). Kohën e qëndrimit të tij në Gjermani, prof. Dhima e shfrytëzoi për përpunimin dhe analizën me metoda bashkëkohore të materialit faktik nga Shqipëria, çka e ndihmoi atë në rindërtimin më të qartë të morfobiologjisë së popullatave të vjetra dhe në përvijimin e elementëve evolutivë të karakterit antropologjik deri në popullatën e sotme të vendit. Me këtë rast, u bë e mundur të qartësoheshin disa prej hipotezave të hedhura kohë pas kohe nga albanologët (shqiptarë dhe të huaj) mbi prejardhjen ilire dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare. Rezultatet e kësaj pune u pasqyruan në punimin pasdoktoral “Beitrag zur ethnischen Anthropologie der Albaner” (Ndihmesë për antropologjinë etnike të shqiptarëve), që u mbrojt në Departamentin e Antropologjisë dhe Gjenetikës Humane në Universitetin “Johannes Gutenberg” të Majncit (janar 1993).
Kapituj integralë të këtij produkti shkencor panë dritën e botimit në revista ndërkombëtare me faktor impakti, si: Variability and Evolution (Poznan, vol. 1, 1991); International Journal of Anthropology (Firenze, vol. 8, nr. 4, 1993); Homo (Stuttgart/ Jena/ New York, vol. 45, nr. 2, 1994); The Mankind Quarterly (Springfield-IL, vol. 34, nr. 3, 1995). Qëllimi i kësaj ndërmarrjeje shkencore ishte promovimi i një interpretimi shkencërisht të besueshëm të përbërjes antropologjike të shqiptarëve, në kuadër të gjenetikës së popullatave të Evropës Juglindore dhe të hapësirës mesdhetare.
Qëndrimi në Gjermani i shërbeu prof. Dhimës për nxënien e përvojës së pasur gjermane në fushën e Antropologjisë së zbatuar, si dhe për vendosjen e marrëdhënieve me rrjetin e antropologëve të shquar botërorë. Atij po ashtu iu dha rasti për kualifikime: në Institutin e Biologjisë Humane të Universitetit të Vjenës dhe në Institutin Antropologjik Mbretëror të Suedisë në Stockholm.
Me kthimin në Shqipëri, prof. A. Dhima vijoi punën kërkimore-shkencore në drejtime të reja, krejt të panjohura më parë për këtë fushë studimesh. Në saje të kësaj ndihmese shkencore, Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë miratoi më 13.12.1994 kërkesën e Këshillit Shkencor të Institutit të Arkeologjisë për dhënien e titullit “Mjeshtër Kërkimesh”, ekuivalentuar me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me titullin “Profesor i Asociuar”. Ndërkohë, me interesimin e trupës akademike të universitetit të Ulmit (RF e Gjermanisë), ai u ftua për një cikël ligjëratash mbi probleme të antropologjisë shqiptare (3-13.7.1995), me ç’rast u nderua me titullin “Profesor i Jashtëm” i atij universiteti.
Për arsye objektive, në mars 1995, prof. Dhima u detyrua ta lëshojë vendin e punës si antropolog në Institutin e Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe, falë ndërmjetësimit të ambasadës së RF të Gjermanisë në Tiranë, u punësua me detyrën e Bashkëpunëtorit shkencor dhe Drejtuesit/ koordinator projektesh në fondacionet publike-politike gjermane që hapën/ kishin hapur zyrat e tyre në vendin tonë, përkatësisht në fondacionin “Konrad Adenauer” dhe në fondacionin “Friedrich Ebert”, ku ka dhënë ndihmesë efikase në mbarëvajtjen e projekteve me shoqërinë civile dhe me partitë politike të spektrit përkatës, duke siguruar akses dhe emër të mirë të këtyre fondacioneve në përfaqësues të lartë të politikës, ekonomisë dhe të jetës publike të Shqipërisë.
Nga viti 2011, me rikthimin me kohë të plotë në veprimtarinë shkencore pranë Qendrës Studimore të Trashëgimisë të Universitetit Europian të Tiranës (më tej: UET), prof. Dhima e zhvendosi kahen e studimit antropologjik, duke u fokusuar më tepër në aspekte të Antropologjisë social-kulturore. Fryt i kësaj pune janë artikujt e tij studimorë, të botuar në revista shqiptare të karakterit sociologjik (Polis, Studime Sociale, Humanus), disa research papers, si produkte individuale dhe në bashkëpunim me doktorë e doktorantë të atij universiteti, si dhe kumtesat e mbajtura në Ditët e Studimeve Shqiptare, të organizuara nga UET-i me pjesëmarrje ndërkombëtare. Në ‘to trajtohen problematika të lidhura me “prerjen” social-kulturore e komunikuese të shqiptarëve, marrëdhëniet vlerore të individit në shoqërinë shqiptare të tranzicionit, si dhe me metodologjinë e kërkimeve të ardhshme antropologjike në Shqipëri. Në prill 2013, prof. Dhima mori titullin “Profesor” dhe në nëntor të atij viti “Senior Research Fellow” në konkursin e shpallur nga UET-i, nën supervizionin e London School of Economics (LSE).
Në vjeshtë të vitit 2016, prof. Dhima ka dhënë për botim te UET Press monografinë “Antropologjia etnike e shqiptarëve”, që është “vepra e jetës” së tij, një vepër e karakterit të mirëfilltë albanologjik ku, përmes trajtimit të disa prej aspekteve më të rëndësishme të “prerjes” etnokulturore të shqiptarëve, ka synuar të nxjerrë në pah bashkëlidhjen e tipareve të natyrave të ndryshme në sintezën antropologjike të shqiptarëve. Kjo vepër sendërton një gjykim realist mbi “trasenë” e kërkimeve të mëtejshme në fushat e zbatuara të Antropologjisë në Shqipëri. Kam bindjen se kjo vepër do të ketë jehonë të gjerë, jo vetëm në mjedisin shkencor të vendit, por edhe përtej kufijve, sidomos tek intelektualët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, shpresoj edhe më gjerë në qarqet shkencore ndërkombëtare.
Monografia “Antropologjia etnike e shqiptarëve”, e profesor Aleksandër Dhimës, është një studim i mirëfilltë shkencor ndërdisiplinor, hulumtim krejtësisht i veçantë dhe i parealizuar deri më sot për shqiptarët, nga shkencëtarët vendës dhe të huaj. Kjo, sepse për të realizuar këtë studim, që në fakt është një analizë komplekse e një pune kërkimore-shkencore e disa dhjetëvjeçarëve, të cilën mund ta realizojë vetëm një shkencëtar i aftësuar në Mjekësi, Antropologji Humane, Antropologji Etnike, Arkeologji, Histori, Demografi, duhen studiues me karakteristika të veçanta, me përvojë pune të pandërprerë në këto relacione shkencore, një formim akademik dhe përvojë e gjithanshme. Shqipëria e vogël dhe e pashquar në kualitete të tilla studiuesish në kohën e sotme, ka pasur fatin që në institucionin e Akademisë së Shkencave, gjegjësisht në ish-Qendrën e Kërkimeve Arkeologjike/ Institutin Arkeologjik, ka pasur në gjirin e vet një mjek antropolog që ka shoqëruar ekspeditat e baballarëve të arkeologjisë shqiptare: Hasan Ceka, Selim Islami, Skënder Anamali, Frano Prendi, Bep Jubani etj.; një shkencëtar që, krahas arkeologjisë, ka arritur të depërtojë dhe bashkëpunojë me ikonat e etnografisë shqiptare, Rrok Zojzi dhe Abaz Dojaka, dhe të përdorë në krahasim arritjet e tyre lapidare, me analizat e tij antropologjike. Profesor Dhima ka arritur të impostohet historikisht në mesjetën shqiptare, të lexojë me syrin e antropologut dhe demografit regjistrat kadastralë venedikas dhe osmanë, nën udhëzimet dhe shkëmbimet e vlefshme të mendimeve me prof. Selami Pulahën e studiues të tjerë.
Studimi i profesor Dhimës është një punë që analizon gjendjen disashekullore të popullsinë shqiptare, bazuar në gjetjet antropologjike të përftuara prej ekspeditave arkeologjike, burimet dhe të dhënat dokumentare historike dhe demografike, në një hark kohor që fillon nga ngjizja e popullit shqiptar në Ballkanin Perëndimor dhe vjen deri në shekullin XX. Ndërkohë, autori ka qenë i kujdesshëm që ta shtrijë studimin e tij nga Alpet Shqiptare në Veri, në Mirditë, Ishëm e Çermenikë në Shqipërinë Qendërveriore, Kolonjë në Juglindje, në Kurvelesh e deri në Çamëri, në cepin më jugor ku banojnë/ ose banonin shqiptarët deri në mesin e shekullit XX, duke krijuar mundësinë e një vlerësimi përafërsisht të plotë të strukturës antropologjike të popullsisë, të raporteve mes vedit dhe lëvizjet në territor etj. Në mënyrë të posaçme, studimet e tij antropologjike janë përqendruar në krahinat tradicionale të Shqipërisë natyrale: Malësi e Madhe, Dukagjin, Malësi e Vogël, Myzeqe, Labëri, Toskëri, Çamëri etj.
Studimi është impostuar krejtësisht qartë nga pikëpamja metodologjike dhe epistemologjike. Duke e konceptuar Antropologjinë si një shkencë, sa biologjike aq edhe shoqërore, autori ka arritur të integrojë në studim tiparet dhe veçantitë humane me faktet dhe të dhënat historike, demografike dhe matjet e realizuara nga ai dhe të tjerë më parë, në një territor të gjerë. Autori ka përdorur metodat që kombinojnë hulumtimin vertikal, varësisht këndit të studimit, për të arritur në marrjen e rezultateve që mund të krahasohen horizontalisht dhe të shpien drejt përfundimeve të bazueme shkencore. Profesori ka përdorur metodën antrobiologjike për të kryer matjet morfologjike; metodën mjekësore-antropologjike për studimin e patologjive masive që kanë prekur popullsisë e përcaktuar si kampion studimor; metodën e investigimit familjar dhe demografik për sqarimin e evolucionit të popullsisë në territorin e banuar nga shqiptarët, për të dëshmuar strukturën trashëgimore, ciklin e lidhjeve martesore etj. Ndërkohë, për aspektet e investigimit etnohistorik, ai ka përdorur kërkimin gjegjës për institucionin e fisit, si grupim shoqëror që rrjedh nga një stërgjysh i përbashkët, duke u përqendruar kryesisht në ato pjesë të Shqipërisë, ku kjo ndërlidhje njerëzore vazhdon të jetë ende e fortë (kam parasysh fiset e Malësisë së Madhe, Hotin posaçërisht, që edhe pse i ndarë dhe i shpërndarë prej njëqind vitesh gjeopolitikisht, ka ruajtur fuqishëm ndjenjën e përkatësisë në fis); institucionin e bajrakut, si element të organizimit shoqëror dhe politik tradicional. Një burim shumë i veçantë për bazën e të dhënave të përdorura, posaçërisht në Shqipërinë Veriperëndimore, kanë qenë regjistrat famullitare të Kishës Katolike, përmes të cilave studiuesi Aleksandër Dhima ka bërë vlerësimin e lidhjeve martesore mes komuniteteve, lindjeve sipas gjinive, vdekjeve, epidemive masive dhe shkaqeve të tyre etj.
Puna e tij mbi 40-vjeçare në kërkimin shkencor dhe në mësimdhënie në fushën e Antropologjisë i ka lejuar prof. Dhimës të ndërmarrë projekte të rëndësishme individuale dhe në bashkëpunim me asistentë dhe studentë të fushës, si: Probleme të bashkëlidhjes konjitive medie/ politikë në realitetin kulturor shqiptar; Metodologjia e studimit etno-antropologjik; Demografia historike e Shkodrës mesjetare dhe rrethinave etj.
Për të gjitha këto arritje, mendoj se puna shkencore dhe mësimdhënëse e profesor Aleksandër Dhimës do të vlerësohet edhe nga akademikët shqiptarë, jashtë planeve e strukturave të njohjes, por veç mbi kriteret e shkencës, arsyes dhe ligjit: si antropologu i parë shqiptar, si qytetar me ndjenja të larta atdhetare, si studiues i palodhur e konsekuent dhe si mik i urtë e kërkues për brezat e rinj të studiuesve.