2021-12-28

INTERVISTË ME DR. FETI MEHDIU* “25 VJET PAS PËRKTHIMIT TË PARË TË PLOTË TË KUR’ANIT NË GJUHËN SHQIPE”** (1985-2010)


Kurani dhe hija e tij shqip - Feti Mehdiu

Tema: Jeta e bashkëbiseduesit, veprimtaria politike e shkencore etj.

25 vjetori i përkthimit të Kur’anit,

Si nisi përkthimi?,

Orientalistika shqiptare sot etj.

Jeta dhe vepra e Dr. Feti Mehdiut

Feti L. Mehdiu u lind më 20 janar 1944 në fshatin Zajaz të Kërçovës. Aty kreu katër klasë të shkollës fillore, kurse tetëvjeçaren dhe medresenë e ulët i kreu në Prishtinë, në vitin 1962. Vazhdoi medresenë e mesme Alauddin dhe kreu maturën në vitin 1967. Studimet i ka kryer në Fakultetin e Filologjisë, në Beograd, Degën e Filologjisë Orientale, në vitin 1971, ku merr titullin profesor i filologjisë orientale (për gjuhën arabe dhe gjuhën turke). Këtu ka vazhduar edhe studimet pasuniversitare – dega e gjuhësisë dhe në vitin 1977 mbrojti punimin e magjistraturës me temën: Srpskohrvatski prevodi Kur’ana (Përkthimet e Kur’anit në gjuhën serbo-kroate), kurse doktoratën e ka mbrojtur në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, në vitin 1990, me temën: Përkthimet e letërsisë arabe në gjuhën shqipe, 1922-1982. Në vitin shkolor 1975-76 ka specializuar gjuhën arabe në Universitetin e Kairos në Egjipt.

Punën e filloi në Institutin e Historisë, më 1 mars 1973, në Prishtinë, kurse nga tetori i vitit 1974 punon në Degën e Orientalistikës – Fakulteti i Filologjisë, në Prishtinë, si asistent, ligjërues, docent, profesor inordinar dhe tani profesor ordinar për gjuhën arabe, fonetikë-morfologji. Në fillim të vitit 1995 ka mbajtur ligjërata të gjuhës arabe në Universitetin e Tetovës, kurse në vitin 2002-2004 ka ligjëruar lëndën Orientalistika dhe orientalistët, në Fakultetin e Shkencave islame në Shkup.

Ka marrë pjesë në më shumë se tridhjetë simpoziume shkencore brenda dhe jashtë vendit si në: Prishtinë, Sarajevë, Zagreb, Shkup, Tetovë, Tiranë, Stamboll, Amman, Teheran, Lahorë, Ankara etj.

Ka botuar si vijon:

Poezi arabe, 1983, Shkup, Shtëpia Botuese “Flaka”,

S. Frashëri, Vepra 7, 1984, Prishtinë, Shtëpia Botuese “Rilindja”,

Kur’an-i, 1985, Prishtinë, B.I.K. (Bashkësia Islame e Kosovës),

Kur’ani, mrekullia më e përsosur, Shkup, B.I.M. (Bashkësia Islame e Maqedonisë),

Flasim arabisht, 1987, Prishtinë, Enti i TMM të Kosovës,

Rexhep Vokë Tetova, MENDIME, 1991, Tetovë, KBI,

Gjuhë arabe: fonetikë – morfologji, 1991, Prishtinë, Enti i TMM të Kosovës,

Salih Gjuka, Shkrolaria e shqypes, 1991, Prishtinë, BIK,

Jasin-i me 20 sure të tjera shqip, 1992, Prishtinë,

Kur’ani kryevepër, 1992, Prishtinë,

Hafiz Ali Korça, MEVLUDI, 1992, Prishtinë,

Nga tematika e Kur’anit, 1993, Shkup, Logos-A,

Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 3, 1994, Prishtinë,

Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 4, 1995, Prishtinë,

Nga Kërçova për Kërçovën, 1995, Kërçovë,

Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe, 1996, Shkup, Logos-A,

Xhuz’i 30 (Amme), 1997, Prishtinë,

Nedimu-l-Xhisr, Besimi në All-llahun në dritën e Kur’anit, 1997, Prishtinë,

Kur’ani dhe hija e tij shqip, 1999, Shkup-Stamboll, Logos-A – IHH,

Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 6, 2000, Prishtinë,

Kur’ani mrekullia më e përsosur, 2001, (bot. i dytë), Prishtinë,

Hafiz Ali Korça, Bolshevizmi është shkatërrim i njerëzimit, 2001, Prishtinë,

Hyrje në filologjinë orientale, 2004, Prishtinë, SHORK,

Për letërsinë arabe, 2005, Prishtinë, SHORK,

Maturantët e parë të medresesë Alauddin, Prishtinë, 2007,

Sulejman Mashoviç, Pikëpamje islame, Prishtinë, 2007,

Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 9, Prishtinë, 2008,

Përkthimet e letërsisë arabe në gjuhën shqipe, Prishtinë, 2008,

Kërçovarët për Kërçovën, Shkup, 2009.

Anëtar: 1964 – Organizata ilegale LRBSH; 1969 – anëtar i redaksisë “El-Emel”, Beograd; anëtar i grupit letrar “Përpjekja” në Beograd; anëtar i Kuvendit Suprem të B.I. të Jugosllavisë, Sarajevë; anëtar i K.B.I., Prishtinë; anëtar i redaksisë “Dituria Islame”, Prishtinë; anëtar i redaksisë “Bashkimi Paqësor” (redaktor i rubrikës islame), Prishtinë; anëtar i redaksisë “Filologji”, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë; anëtar i redaksisë “Përmbledhje punimesh të F.Sh.I., Shkup; anëtar i Akademisë Arabe të Shkencave, Damask; anëtar i Shoqatës për Hulumtime të Kur’anit dhe Hadithit, Kairo; anëtar i Kryesisë së shoqatës kulturore-humanitare “Urtësia”, Prishtinë.

Sekretar: i Shoqatës së studentëve “Përpjekja”, Beograd, 1970-1971; sekretar i Degës së Orientalistikës, Prishtinë; zëvendës-dekan i Fakultetit të Filologjisë, 1997-99, Prishtinë.

Kryetar: i shoqatës së nxënësve të Medresesë “Alauddin” 1965-67; Këshilli nismëtar për ndihma pranë B.I.K., 1990-91; kryetar i Degës së Orientalistikës; kryetar i Shoqatës së Orientalistëve të Kosovës.

Pyetjet

Ju vendosët të shkolloheni në medrese. Shkuat që të bëheni hoxhë, apo për shkak të traditës tuaj fetare familjare?

Për të shkuar në medrese, vendimtare ishte vullneti për dije, veçanërisht për dije islame, e cila në atë kohë shikohej me nënçmim nga sistemi dhe një pjesë e shoqërisë. Kjo atmosferë mua më nxiste edhe më shumë që t’i përkushtohem kësaj fushe. Jo me qëllim që të shërbej në profesionin e imamit, por në shërbim të mbarë opinionit, do të thotë që dëshiroja të bëhem më tepër sesa një hoxhë, si thoni ju, përkatësisht më shumë se një imam i një xhamie. Dhe kjo dëshirë më është plotësuar. Edhe tradita fetare në familje luante rolin e vet, edhe pse para brezit të dhjetë nuk e kemi të qartë përkatësinë fetare.

Përse vendosët të studioni Orientalistikën në Beograd? Çfarë mund të na thoni për atë kohë?

Kryerja e medresesë siguronte kualifikimin vetëm për hoxhë, që sipas konceptit tonë, do të thotë imam i një xhemati. Pasi unë dëshiroja më shumë se aq në këtë fushë, atëherë duhet të thelloja studimet në gjuhë arabe. E vetmja mundësi ishte Orientalistika, sepse për shkak të moshës nuk mund të dilja jashtë shtetit pa e kryer shërbimin ushtarak, dhe nuk mund të merrja pasaportë. Dega e Orientalistikës ishte edhe në Sarajevë, por atje nuk njihej medreseja si shkollë e mesme dhe nuk kisha mundësi të regjistrohesha. Në Beograd nuk e kishim këtë pengesë dhe unë këtu i fillova studimet e gjuhës arabe, pastaj u zgjerova edhe për gjuhën turke, saqë në vitin 1971 u diplomova në filologjinë orientale, që do të thotë kualifikim i barabartë për gjuhën arabe dhe gjuhën turke me letërsitë e tyre, si edhe për letërsi perse.

Orientalistika në Beograd ka një traditë shumë të gjatë, ka filluar nga viti 1926 dhe ajo përvojë ka qenë e dobishme për studentët e kësaj fushe. U regjistruam shumë kolegë që kishim kryer medresenë në Prishtinë, por mbeta i vetëm pasi  kolegët e mi, më të rinj, mundën të merrnin pasaportat dhe shkuan në Bagdad, Irak.

Kushtet për të studiuar në Beograd kanë qenë shumë të mira, kur kemi parasysh se në çfarë kushtesh e kishim kryer maturën. Orientalistika kishte bibliotekën e vet me literaturë profesionale, por ne mund të shfrytëzonim edhe bibliotekat e tjera: bibliotekën e qytetit, bibliotekën Svetozar Markoviç, bibliotekën popullore, madje edhe bibliotekën e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve.

Këtë vit mbushen plot 25 vjet nga përkthimi i parë komplet i Kur’anit në gjuhën shqipe. Kur e filluat konkretisht përkthimin e Kur’anit në gjuhën tonë dhe a ishit i vetëdijshëm për peshën e rëndë që merrnit mbi vete? Të përkthesh një libër siç është Kur’ani është një privilegj i madh, por edhe një përgjegjësi e madhe?

Përkthimin e Kur’anit të Madhërishëm, praktikisht e kam filluar në vitin 1977, pasi mbrojta temën e magjistraturës, e cila si objekt studimi kishte përkthimet e Kur’anit në gjuhën serbo-kroate. Në vitin 1981 botova përkthimin e sures Shu’ara, në revistën Edukata Islame, në Prishtinë, kurse në vitin 1983 dhe 1984 edhe disa sure të tjera në revistën Glasnik VIS, në Sarajevë. Në vitin 1984 e kam kryer përkthimin në tërësi. Kjo do të thotë se gjithsej më kanë shkuar shtatë vjet. Në qershor të vitit 1985 lexuesi shqiptar e merr për herë të parë në duar Kur’anin e përkthyer komplet në gjuhën shqipe.

Kam qenë plotësisht i vetëdijshëm për peshën, përgjegjësinë dhe privilegjin. Të futesh në një pyll kaq të dendur kërkon guxim, sidomos në atë kohë, por duke pasur parasysh faktin se me këtë përkthim pasurimi i kulturës shqiptare islame do ta arsyetojë rrezikun, nuk u hamenda fare. Vetëm All-llahu është i pagabueshëm, e Ai në Kur’an kërkon nga ne që të mos e fshehim atë çfarë u thuhet njerëzve në Kur’an (Sure el-Bekare, ajeti 159), dhe unë vendosa të marr mbi vete edhe përgjegjësinë që më takon.

Kur nisi përkthimi i Kur’anit nuk ishit vetëm ju, por ishin një grup që do duhej ta përkthente librin e shenjtë. Çfarë ndodhi? Pse u ndatë? Do të na e sqaroni këtë për hir të korrektësisë historike, për lexuesit dhe studiuesit shqiptarë?

Kur unë nisa të përkthej Kur’ani Kerimin nuk kishte asnjë grup përkthyesish. Ka pasur vetëm fjalë, që i kam përshkruar në veprën “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe”. Lidhur me këtë ka nevojë, ndoshta, për sqarime. Në vitin 1981 Shoqata e Ulemave në Prishtinë, në krye me H. Abdullah Zhegrovën ka formuar grupin punues, që ka filluar të punojë për përkthimin e Kur’anit në muajin shkurt të atij viti. Kryetari i grupit punues ka qenë H. Sherif ef. Ahmeti, kurse në grupin punues kam qenë edhe unë, bashkë me kolegët Bajrush Ahmeti, Ismal Ahmedi, Qazim Qazimi, Resul Rexhepi, Ruzhdi Shabani dhe Emin Behrami. Më vonë iu bashkuan edhe Hajrullah Hoxha dhe Avni Aliu. Unë kam qenë deri në vitin 1983 kur dhashë dorëheqje për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes së arritur në ditën e formimit të këtij grupi punues. U tërhoqa për shkak të mospërfilljes së parimeve themelore që duhen zbatuar në projekte siç ishte ky. U tërhoqa që të vazhdoja punën që e kisha nisur vite më parë, punë e cila përkundër marrëveshjes kur unë panova të hyj në këtë grup punues, nuk gjeti mirëkuptim në formacionin e këtij grupi. Grupi punues e vazhdoi punën edhe pas largimit tim. Mirëpo tre vjet pasi u botua përkthimi im, brenda grupit punues dolën në shesh disa parregullsi, madje edhe ndërmjet botuesit dhe kryesuesit të këtij projekti. Puna e atij grupi shkoi edhe në gjygj, për të cilën bëhet fjalë në monografinë “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe”, Shkup 1996, në revistën “Dituria Islame”, nr. 37/1992, Prishtinë, etj.

Përkthimi juaj pati edhe një botim të dytë që u titullua “Kur’ani dhe hija e tij shqip”. Pse vendosët ta emërtoni kështu përkthimin e dytë? A mendoni se Kur’ani nuk mund të përkthehet në asnjë gjuhë, por përkthehet kuptimi i tij, apo ende i qëndroni mendimit se Kur’ani duhet të përkthehet ashtu si është në origjinal?

Ribotimi i përkthimit tim, Shkup-Stamboll 1999, për dallim nga botimi i parë në vitin 1985, e përmban edhe Kur’anin, sepse ai i pari kishte vetëm hijen, ishte vetëm përkthimi. Përkthimi nuk është Kur’an, është hije e Kur’anit, prandaj me këtë rast është emërtuar ashtu si duhet dhe ashtu si është botuar: Teksti i Kur’anit dhe i hijes së tij janë në proporcion të barabartë. Ky botim nuk e ka tekstin e Kur’anit për dekor por për ta lexuar ai që di të lexojë në origjinal. Po e përsëris se Kur’ani mund të përkthehet, por gjithashtu e përsëris, sepse e kam thënë edhe më parë, se asnjë përkthim nuk është Kur’an. Kur’ani vetëm në origjinal është Kur’an. Ndërkaq për shprehjen “…përkthehet kuptimi i tij” dëshiroj të theksoj se kjo shprehje është formuar gabimisht. Dihet se melodia nuk përkthehet, bukuria e veprës nuk përkthehet, piktura dhe skulptura nuk përkthehen. Këto vetëm sa mund të përjetohen dhe të interpretohen. Arti i shprehur me fjalë edhe përkthehet edhe interpretohet, por edhe përjetohet. Prandaj është e tepërt dhe jokorrekte të thuhet se përkthehet kuptimi, apo siç shprehen disa “kuptimet e Kur’anit”. Kjo shprehje e importuar në gjuhën shqipe është e palogjikshme. Kuptimet, apo domethëniet vetëm mund të komentohen dhe atëherë bëhet fjalë për komentim – tefsir, jo më për përkthim. Përkthimi dhe komentimi janë dy veprime të ndryshme dhe unë kam bërë përkthim të Kur’ani Kerimit, siç kanë bërë shumë të tjerë në gjuhët e tyre. Nuk qëndron konstatimi se Kur’ani nuk mund të përkthehet – vetëm mund të interpretohet. Unë qëndroj fortë në konstatimin se Kur’ani i përkhyer nuk mund të ruajë në tërësi vlerat që i ka në origjinal, prandaj e quaj hije të Kur’anit, por që mund të përkthehet nuk ka diskutim fare. Dhe ky veprim është shumë më korrekt sesa interpretimi i Kur’anit, ku mbizotërojnë mendimet e shprehjet individuale të krijesës njeri dhe që, me pahir, mund të largohet krejtësisht nga origjinali. Tekefundit, përkthimi është edhe interpretim – kushtimisht, kurse interpretimi mbetet gjithnjë vetëm interpretim.

Sot para publikut shqiptar ka disa përkthime të Kur’anit. Si i vlerësoni ato dhe a mendoni se do të bëhet përkthimi i Kur’anit nga një grup shkencëtarësh shqiptarë ekspertë të fushave të ndryshme, pasi që Kur’ani përbëhet nga shumë fusha shkencore?

Është një pasuri e kulturës islame-shqiptare. Secili përthim ka vlerat e veta dhe përmban në vete vulën e shkallës së angazhimit individual dhe kolektiv, por edhe të kohës kur ka ndodhur. Është fakt se Kur’ani ngërthen në vete një mal disiplinash të dijes e të përvojës njerëzore, por sa i përket çështjes së përkthimit prej ndonjë grupi shkencëtarësh shqiptarë, mendoj se është një investim irracional dhe i padobishëm. Nëse është fjala për komentim, atëherë kjo duhet bërë, në radhë të parë, nga ekspertë të fushave të ndryshme në nivel gjithislam dhe gjithëbotëror, jo vetëm te shqiptarët. Kjo në përgjithësi mungon. Pavarësisht se disa manovrojnë me shprehjen tefsirë shkencorë, ata tefsirë janë nga individë të specializuar njëanshëm. Nuk mundet një individ, as dy e tre që të thellohen në tërë disiplinat që ngërthen Kur’ani Kerimi. Unë mendoj se është koha dhe mundësitë që bota islame të mendojë për një projekt të tillë, sepse ka nevojë dhe është e realizueshme, pa i anashkaluar tefsirët aktualë. Kjo do të ishte një punë e dobishme dhe që i bën nder shpalljes hyjnore dhe shkencës.

Sami Frashëri nisi përkthimin e parë të Kur’anit ndër shqiptarët në gjuhën turke. Çfarë u bë me këtë përkthim? A gjendet ai në arkivat e Stambollit? Çfarë mund të bëjnë orientalistët shqiptarë për këtë përkthim, për t’i dalë hakut Sami Frashërit që ishte një njohës i mirë edhe i fushave islame?

Është një çështje me interes shkencor e kulturor, por akoma në fazë të hulumtimit dhe të konfirmimit se çfarë është e vërteta këtu. Janë thënë mendime të ndryshme, njëri prej të cilëve është se pushteti aktual i kohës e ka asgjësuar, e ka djegur, këtë kontribut të Samiut. Nëse është ashtu, mbesin pak gjasa për t’u gjetur nëpër arkiva. Por megjithatë mendoj se edhe shkenca shqiptare, para së gjithash orientalistika shqiptare, nuk duhet të ndalen së hulumtuari përmes kanaleve zyrtare dhe private për të hedhur dritë lidhur me këtë kontribut të Samiut. Kjo do të ishte diçka e jashtëzakonshme, kur dihet se shqiptarët vetëm në shekullin 20 i lënë gjurmët e para në përkthimin e Kur’ani Kerimit në gjuhën amtare.

Publiku shqiptar nuk ka njohuri shumë për Orientalizmin dhe Orientalistikën Shqiptare. Na thoni shkurtimisht, çfarë është Orientalizmi dhe ku dallon Orientalistika Shqiptare nga Orientalizmi?

Në thelb nuk ndryshojnë aspak. Nga fjala latine oriri – të lindësh, orient – lindje, formimi me mbaresat: izam dhe istik ka të bëjë me natyrën e gjuhës ku formohet, prandaj kemi fjalët: oriental; arientalismus, orientalism,  orintalische, orientalistikë, etj., dhe në gjuhën shqipe Orientalistika shpreh disiplinën e cila merret me studimin, njohjen e botës së orientit: Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Kryesisht, atë që përfshinë fenë dhe kulturën islame, apo thënë ndryshe, hapësirën e gjuhëve arabe, persiane dhe turke. Kurse me orientalizëm shënohet derivati gjuhësor i ngulitur në gjuhën shqipe, ashtu që elementet gjuhësore arabe, turke dhe perse, që janë bërë pjesë e inventarit të gjuhës shqipe i quajmë orientalizma, për të mos thënë: fjalët arabe, fjalët turke dhe fjalët persane, në të njëjtën kohë. Kjo i takon themelimit të kësaj disipline si disiplinë shkencore në nivel botëror dhe shqiptar. Mirëpo, kohët e fundit, nën ndikimin e koncepteve politike edhe në qarqet kulturore e politike shqiptare ka lëshuar degët e veta termi orientalizëm me domethënie tendencioze për të emërtuar frymën anti-islame. Edhe emërtimin orientalist e përdorin për anti-islamistin, formime këto të dhunshme dhe të pambështetura në themele shkencore dhe përvojën historike të kulturës dhe shkencës botërore. Sa i përket dallimit të termave orientalistikë dhe orientalizëm shqiptar, do të bëja fillimisht dallimin nga orientalistika botërore me orientalistikën shqiptare. Përderisa orientalistika botërore kishte si qëllim të studiojë dhe të njohë kulturën dhe historinë e popujve të Lindjes – orientalistika shqiptare ka si qëllim që të njohë kulturën dhe historinë e vet nëpërmjet historisë dhe kulturës së orientit. Ky është dallimi thelbësor që duhet pasur parasysh. Sipas bindjes dhe përvojës sime orientalizëm shqiptar, siç e përdorin disa në qarqet kulturore shqiptare sot, nuk ka fare. Nuk është mirë që terminologjia fisnike shkencore të përdoret për të shprehur misionarizmin anti-islam.

Ku është orientalistika shqiptare sot?

Orientalistika shqiptare sot qëndron në themele të shëndosha e mbështetur mbi një kapital shumë të fortë profesionalisht të realizuar deri tash, dhe krenare për çfarë ka bërë për këto tri dekada, e pak më shumë. Por ajo sot, për fat të keq nuk është duke përparuar, nuk ka bibliotekë, siç e meriton një fushë studimesh si kjo, nuk ka furnizime me literaturë të nevojshme dhe mjete adekuate teknologjike për të mësuar gjuhën arabe dhe turke – këtu mësohen të dyja gjuhët – sipas standardeve bashkëkohore. Përkundër kësaj, me një mirëkuptim modest nga institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, orientalistika vazhdon ta mbajë hapin për ngritje dhe përgatitje të kuadrit të ri shkencor për historinë dhe kulturën e Kosovës dhe atë shqiptare në përgjithësi. Ajo sot numëron të arritura inkurajuese, me disa doktorë shkencash, me një varg të gjatë veprash shkencore e kulturore nga kjo fushë, me një potencial të lakmueshëm hulumtues, por që është në pritje të një përkrahje më të madhe konkrete nga institucionet kompetente me qëllim që të japë kontribut edhe më të madh.

Përse gjithë ky hezitim i institucioneve tona për të bashkëpunuar me Orientin?

Mbase përgjegjësia mund t’i lihet fazës në tranzicion që po kalon Kosova, por kjo zgjati shumë. Është e pashpjegueshme për mua, por edhe e paarsyeshme. Edhe 10 vjet pas çlirimit dhe dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, akoma vazhdohet me nivelin e OJQ-ve, madje të reduktuara. Edhe me ato shtete që e kaë pranuar shtetin e Kosovës, akoma nuk kemi lëvizur me asgjë nga aspekti kulturor e shkencor.

Në një punim, kohë më parë lidhur me sektet keni kritikuar edhe institucionet fetare për neglizhencën e tyre. Çfarë mendoni për to dhe si mendoni se duhet të sillemi me to?

Është e vërtetë, i jam qasur kësaj teme – jo aq e lidhur ngushtë me filologjinë orientale, së cilës i përkas unë – me qëllim që të kontribuoj në zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare, kur keqpërdoret edhe faktori gjuhë, i cili shërben për të emërtuar drejtë dukuritë dhe fenomenet shoqërore dhe për t’i trajtuar me seriozitet ato dukuri dhe ato zhvillime. Kam dëshiruar që t’ia tërheq vërejtjen, kjo i takon secilit studiues, të gjithë subjektëve me përgjegjësi në shoqëri, e për temën konkrete duhet në rend të parë që të kyçen institucionet fetare – por jo vetëm këta, duhet që bashkërisht me instrumentet që ka një shoqëri e organizuar, se diçka po ndodh në këtë drejtim dhe ajo çfarë po ndodh mund të jetë rrezik për shoqërinë tonë. Krahas kësaj që kam thënë, do ta them përsëri se këto zhvillime kërkojnë qasje më serioze dhe duhet të sillemi me korrektësi, pa iluzione, me fakte të dorës së parë që mbështeten në burime të pakontestueshme dhe me korrektësi reale.

A mendoni se pas tolerancës së tepërt ndërfetare fshihet ndonjë intolerancë?

Toleranca, edhe ajo ndërfetare, nënkupton një raport të ndërsjellë në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Nëse nuk veprohet kështu, atëherë mund të bëhet shkaktar për të inkurajuar, ushqyer dhe kultivuar intolerancën. “Gjella me kripë – kripa me karar!” – thotë populli.

Jeni ndër themeluesit e Partisë së Drejtësisë. Pse u futët në politikë dhe si po ecën partia?

E vërtetë. Kam kontribuar në themelimin e Partisë së Drejtësisë, në vitin 1999, sepse kishte një koncept ndryshe nga partitë e tjera politike që veprojnë në Kosovë, me qëllim që popullit të Kosovës t’i afrojmë një alternativë për të mbrojtur vlerat e  traditës fetare dhe kombëtare. Qëndrova anash për një kohë, por më në fund duhej të aktivizohesha me këmbënguljen e ish-studentit tim Sulejman Çerkezit. Momenti kur u riaktivizova, në vitin 2007, ka të bëjë me tendencat e politikës kosovare që përmes një pragu prej 5% të eliminojë nga skena politike subjektet e vogla politike, ku bënte pjesë edhe Partia e Drejtësisë që asokohe ishte Parti Parlamentare. Megjithëse nuk e kaloi pragun, mbase kam kontribuar edhe unë që PD-ja të ecë përpara. Fakti se ajo tani radhitet në vendin e gjashtë të subjekteve politike në Kosovë dhe fakti se në secilën fazë zgjedhore shënon vetëm ngritje, dëshmon se është një subjekt politik serioz dhe stabil. Pa premtime kuturu dhe me oferta reale ajo kërkon një angazhim të përbashkët për të dalë nga kjo situatë e mjegullt dhe udhëheqje e padrejtë dhe mashtruese. Rrugëtimi i mëtejshëm do të jetë edhe më i suksesshëm ngase dita-ditës populli i Kosovës po vetëdijesohet për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare dhe fetare, program të cilin e gjen në platformën e PD-së.

Keni botuar një varg veprash të ndryshme. Çfarë presin në të ardhmen e afërt lexuesit nga ju profesor?

Shpresoj që së shpejti të shohë dritën leksikoni i hafizëve, në të cilin janë përfshirë rreth 1000 hafizë nga hapësira shqiptare duke filluar nga shekulli 17 e deri më sot. Pastaj janë edhe disa kontribute të tjera, si: ribotimi i teksteve për studentë dhe të interesuar të tjerë për të mësuar gjuhën arabe, bazat e gjuhës arabe, arabishtja pa mësues, për të cilat akoma nuk kemi gjetur ndonjë donator për shtypin, e pastaj shpresojmë edhe për botimin e fjalorit shqip-arabisht dhe ca botime të tjera në fushën e filologjisë, islamistikës dhe historisë shqiptare. Të gjitha këto shumë shpejt mund të bëhet gati dhe të vazhdojnë procedurën e shtypit.

Faleminderit shumë për intervistën.

Intervistoi: Liridon KADRIU

08.01.2010

Prishtinë

/Orientalizmi Shqiptar/


* Akademik Feti Mehdiu është profesor në Fakultetin e Filologjisë – Dega e Orientalistikës, Prishtinë.

** Kjo intervistë është botuar në revistën “URA”, nr. 4, Pranverë-Verë, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com, numër ekskluziv për përkthimin e parë të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe nga Dr. Feti Mehdiu.

INTERVISTË ME PROF.DR. ABDULKADIR OZCAN: “SHEKULLI 16 ISHTE SHEKULLI I KRYEMINISTRAVE SHQIPTARË”


Abdulkadir Ozcan

Abdulkadir Ozcan

Profesor Doktor Abdul Kadir Ozcan ka lindur ne Mullat te Turqise ne vitin 1943. Pasi mbaroi universitetin per shkencat historike ai iu fut studimeve te thelluara per Perandorine Osmane, lufterave te saj, qeverisjes, shkelqimit dhe renies se saj. Ne vitin 1980 merr titullin Doktor i Shkencave Historike. 10 vjet me vone merr titullin Profesor. Nder librat e tij me te njohur jane: “Historia e Perandorise Osmane”, “Betejat e Sulltan Fatiut”, “Saderzanet e perandorise” etj. I pelqen te lexoje historine dhe te shkruaje histori. “Ky,- sic thote ai vete,- eshte qellimi i jetes se tij. Duke u marre per nje kohe te gjate me Sadrazamet (kryeministrat) qe kane qeverisur Perandorine Osmane ai vuri re se gjate 500 vjeteve te perandorise, per 100 vjet rresht, ne kohe te ndryshme, ate nuk e kishin qeverisur turqit por shqiptaret e ardhur nga skaji me perendimor i saj. “Te pabindurit” e padishahut, cuditerisht ishin edhe njerezit me besnike te perandorise. Aktualisht, Prof. Dr. Abdul Kadir Ozcan jep mesim ne Universitetin “Arkitekt Sinani” ne Stamboll, duke punuar aktivisht edhe per institutin e historise ne Stamboll. Pas kesaj interviste ekskluzivisht per “Koha Jone”, ja ku jane, per here te pare, ne faqet e kesaj gazete, te gjithe bashke, njeri pas tjetrit, te 34 kryeministrat shqiptare qe kane udhehequr Perandorine Osmane. Ata qe kane shkelqyer dhe ata qe kane deshtuar. Ata qe kane qeverisur per nje kohe te gjate dhe ata qe kane qendruar jo me shume se dy muaj. Ata qe kane bere sakrifica per kete perandori dhe ata qe kane pare interesat e tyre. Permes peripecive te shumta, 34 kryeministrat shqiptare, per nje shekull, u bene lubrifikanti i makines se rende shteterore. Supershteti multietnik osman filloi te funksionoje fale punes se mire qe kane bere pikerisht keta 34 kryeministra arnaute. Shume prej tyre lane sarajet e ngrohta dhe hanenet e nxehta per te luftuar me zjarr e hekur armiqte e perandorise.

Intervista

Si shpjegohet qe ne Perandorine Osmane ka pasur kaq shume vezire, pashallare e kryeministra shqiptare?

-Qe ne vitet e para te themelimit te shtetit multietnik osman, duke pare se roberit e zene ne lufte nuk mjaftonin, sulltanet dhane urdher qe te merreshin me sherbim ushtarak edhe persona te huaj, muslimane e te krishtere. Shume prej tyre u perdoren jo vetem ne ushtri, por edhe ne sherbimin civil. Ata u arsimuan ne shkollat e sarajave ne Enderun dhe perfaqesonin Padishahun. Te rinjte e afte te marre nga krahinat jo turke, si Bosnja, Kroacia, Gjeorgjia, Armenia, Italia, Rusia, Serbia, Bullgaria dhe vecanerisht nga Shqiperia, pasi kalonin ne keto shkolla, pasi kryenin nje detyre ne saraje, dergoheshin me detyra jashte shtetit. Me te zotet, ngjiteshin ne administraten e larte shteterore.

Pse thoni “vecanerisht nga Shqiperi”, thjesht per diplomaci, apo pse intervistoheni nga nje gazete shqiptare?

-Absolutisht jo! Por sepse veziret, pashallaret dhe kryeministrat me origjine shqiptare zene nje vend te vecante ne perandorine osmane. Jo vetem si numer, por edhe si cilesi. Ata kane ndikuar me shume nga te gjithe, ne fatin e kesaj perandorie. Jane gjithsej 34 kryeministra shqiptare qe kane udhehequr perandorine. Si vit sherbimi jane 100 vjet. Domethene nje here ne 6 vjet, qeverine e Perandorise Osmane e kane udhehequr kryeministrat me origjine shqiptare. Midis tyre ka pasur te suksesshem, ashtu sic ka pasur edhe te deshtuar.

Kush jane konkretisht kryeministrat shqiptare qe kane ndikuar ndjeshem ne fatin e shtetit osman?

-Si te gjithe punonjesit e tjere te administrates shteterore, edhe kryeministrat shqiptare kane mbaruar ne rinine e tyre shkollen e sarajave qe ishte prane oborrit perandorak. Ne shekullin e 15-te i pari shqiptar qe u be kryeminister (1493) ka qene Koco Daut Pasha. Daut Pasha u rrit ne Saraj. Ai ka marre pjese ne luften kunder Uzum Hasanit, i cili ishte kundershtar i Sulltan Fatihut. Ne vitin 1478 mori pjese ne luften e Shkodres. Ne vitin 1493 Sulltan Bajaziti i dyte e emeroi ate kryeminister. Daut Pasha ka qendruar ne kete detyre 15 vjet pa nderprerje. Duke dale kunder shqiptareve ne vitin 1492 ai solli paqe. Faktikisht, sherbimet e tij te verteta Koco Daut Pasha i ka bere ne fushen social-kulturore. Ai ka qene mbeshtetes i shkences. Te gjithe pasurine e tij e harxhoi per bamiresi. Xhamite, medresete, shkollat fillore, cesmat si dhe nje sere godinash social-kulturore, perdoren edhe sot e kesaj dite ne lagjet e Stambollit. Ajo cfare e ben Daut Pashen te pavdekshem eshte ndertimi i mureve mbrojtese te Kostandinopojes. Daut Pasha, me shpenzimet e tij ndertoi gjithashtu edhe nje vile per Sulltan Bajazitin. Fortifikimet qe iu bene per ushtine e re ne shekullin e 19 moren emrin e Daut Pashes. Dy lagje ne Stamboll mbajne emrin e tij.

Cili ka qene shekulli ka kane dominuar kryeministrat shqiptare?

– Mendoj se ka qene shekulli i 16-te, ku 7 vezire shqiptare, ne periudha te ndryshme, u bene kryeministra te Perandorise Osmane. I pari nga keta eshte Dukagjin Hamet Pasha. Ai eshte nipi i nje familje fisnike shqiptare me mbiemrin Dukagjini. Ka marre pjese ne luften e Iranit dhe ne kthim filloi detyren si vezir Azam. Ka bere shume bamiresi dhe nga kjo familje kane dale burra shteti, si Mehmet Pasha dhe shkrimtari i shquar Taslici Jaha. Shume vite pas Dukagjinit, kryeminister u be Ajaz Pasha nga Vlora. Edhe ai ka marre pjese ne shume beteja dhe ka ndikuar ne krijimin e Sanxhakut te Delvines. Ne periudhen qe ka qene kryeminister shenoi fitoren e shquar te Prevezes. Ne kohen e tij, popullsia turke u shtri deri ne Oqeanin Indian dhe Detin Mesdhe. Nje lagje e njohur dhe nje varreze ne Stamboll vazhdojne te mbajne emrin e tij. Megjithate kryeministri me i madh me origjine shqiptare ne Perandorine Osmane Lutfi Pasha, i cili para se te vihej ne krye te qeverise mori pjese ne lufte me sulltan Sulejmanin, ne lindje e ne perendim. Ai zbuloi dhe luajti rol ne formimin e arkitekt Sinanit. Puna me e mire qe beri ne kohen qe ishte kryeminister ishte vendosja e sistemit informativ. Ne kete periudhe ai zhvilloi nje sere takimesh jashte vendit dhe nenshkroi paqe me Venedikun dhe Austrine. Ishte kryeministri i pare qe evidentoi gabiet e administrates ne kohen qe perandoria osmane kish arritur kulmin e saj. Ai punoi per te ndaluar rrushfetet dhe luftoi cdo veprim te paligjshem ne administraten shteterore, mirepo beri aq shume armiq sa ata organizuan heqjen e tij nga detyra. Lutfi Pasha luftoi per forcimin e flotes osmane. Duke u bazuar me eksperiencen e tij shumevjecare, pasi doli ne pension, shkroi libra me karkater fetar, libra per historine, si dhe libra mbi qeverisjen e shtetit osman. Me vepren “Asafname”, Lutfi Pasha ka qene numri nje ne historine osmane. Vec faltoreve e shkollave ka bere edhe nje ure ne Janine. Kete shekull, mund ta mbyllim me Kara Ahmet Pashen, i cili edhe kur ishte kryeminister (1553-1555) rrembeu shpaten dhe shkoi ne lufte ku nenshkroi paqen qe njihet me emrin: marreveshja e Amasjase. Ai ka luftuar ne Hungari e Gjeorgji. Ndertesat e bera nga arkitekt Sinani me porosi te tij, si; xhami, medrese, shkolla, cezma, jo vetem qe kane emrin e tij, por disa prej tuyre jane funksionale edhe sot e kesaj dite.

Po me tej?

_ Me tej kemi Koxha Sinan Pashen. Ky eshte kryeminister qe ka ardhur ne kete post 5 here, por me periudha te shkurtera. Ai bashkoi dy pjeset e ndara te Jemenit. Nxori nga kriza Tunizine dhe rregulloi financat e saj. Donte te lidhte Detin e Zi me Detin Marmara. Mirepo kundershtaret e tij nuk e lane ta mbaronte me sukses kete projekt. Koxha Sinan Pasha ishte shume i pasur. Vila qe i beri dhurate Muratit te dyte ish nje nga vilat me te bukura te Stambolit. Ne vendin qe ndodhet perkujtimorja e tij ne Stamboll ka cesem, shatervan, dhe lule. Ne Jemen, Meke, Selanik, Prishtine ka xhami e banjo te bera nga ai vete.

Po ne shekullin e 17-te, d.m.th, ne vitet 1600, a kemi kryeministra shqiptare qe kane drejtuar qeverine e Perandorise Osmane?

– I pari, eshte Mustafa Pasha i Zi. Ai ka lindur ne Vlore. Eshte rritur si jenicer, ka punuar si oficer marine dhe ka marre pjese ne shume luftera. Ai ka luajtur rolin kryesor ne marrjen e Bagdatit. Kufijte e sotem midis Turqise dhe Iranit jane pikerisht ashtu sic i ka lene ai. Mustafa Pasha ka meriten e madhe se ka mbajtur nen kontroll cmimet ne te gjithe perandorine. Ai i holli themelet e qytezes Ylldizel. Ai e shpuri ujin nga Arafati ne Meke. Ai u lidhi pension te varferve, per te mos folur per xhamite, shkollat, cezmat, e vepra te tjera qe jane ndertuar ne kohen qe ai ishte kryeminister. Ka qene i drejte, i ndershem, armik i ryshfeteve, teper nevrik. Ka mbajtur nen kontroll buxhetin e shtetit, ka bere vleresimin e parase dhe ka parandaluar cdo revolte qe mund te vinte nga populli per shkak te taksave. Ai i ka dhene rrogat e ushtareve dhe te nepunesve gjithmone ne kohen e caktuar. Me emrin e tij jane shkruar shume libra dhe meqe njihej si mjeshter i hedhjes se shigjetes permendet me emrin kamankes (shigjetari).

Kush vjen pas Mustafa Pashes se Zi?

Ahmet Pasha nga Tarhumi. Ka lindur ne Mat te Shqiperise. Kur u emerua kryeminister, ne vitin 1652, ai njihej si nje nga financieret me te zote te perandorise. Gjeja me e rendesishme qe behej ishte percaktimi i te ardhurave dhe harxhimeve te shtetit dhe krijimi i nje buxheti rezerve. Ai ishte i drejte, i ndershem, korrekt. Keto cilesi amortizuan sulmet kur ai shkurtoi gjithe shpenzimet e teperta te sarajeve. Lista e tij e te ardhurave dhe e shpenzimeve njihet me emrin “Lista e Tarhumit”.

Po Qyprylynjte e Beratit qe qeverisin 3 breza rresht?

-Per ta ju shkruat geresisht numrin e kaluar te gazetes. Une po shtoj vetem disa detaje per ta. Per shembull, kryetari i familjes Ahmet Pasha, kur erdhi ne saraje ponoi si kuzhinier. Ai neutralizoi kryengritjen e spahinjve ne vitin 1657 dhe eliminoi gjithe grabitesit te dilnin ne rruget e Stambollit, vari Patrikun e trete te Partenios, shpetoi boskadenin nga pushtimi venedik. Sipas amanetit qe la, djali i tij u be kryeminister. Ky lloj zbatimi ishte i pari ne historine osmane. Babai nuk kish gabuar. I biri Fazell Ahmet Pasha eshte nje nga personalitetet me te medhenj te shtetit osman. Duke qene se e mori pushtetin nga babai, problemet e brendshme ishin zgjidhur. Pervec betejave te shumta qe beri jashte Turqise, Fazell Pasha permendet per marrjen e Ukraines. Ai beri qe edhe Liteinshteinji te pranonte pushtimin nga Turqia. Vdiq ne moshen 41-vjecare duke qendruar 15 vjet resht kryeminister. Ai ka qene jo vetem komandant i zoti, por edhe politikan i mire. Djali i vogel i Qypryly Ahmet Pashes ishte Mustafa Pasha. Mustafa Pasha u be kryeminister ne vitin 1689. Ai hoqi nje sere taksash per te lehtesuar varferine e njerezve te thjeshte. Ai ra deshmor ne luften e dyte te Hungarise. Hysen Pasha, djali i xhaxhait d.m.th vellait te Mehmet Pashes, u be kryeminister ne vitin 1697. Ai vendosi disipline brenda perandorise dhe hartoi rregulloren per administraten civile dhe ushtarake. Ne vitin 1702 dha doreheqjen dhe po kete vit nderroi jete. Ka krijuar institucionin e historianeve zyrtare te shtetit osman. Qypryly Numan Pasha eshte djali i Mustafa Pashes. Para se te behej kryeminister ne vitin 1710 ka qene vezir ne Kube. Ai duhej te siguronte kthimin e mbretit te Zvicres, i cili ishte strehuar ne Stamboll. Mirepo, meqe ky operacion deshtoi, Numan Pasha u arrestua. Vdiq ne vitin 1719 si prefekt i Giritit.

Kush kane qene kryeministrat e fundit me origjine shqiptare ne Perandorine Osmane?

-Haxhi Halili, Ivaz Mehmeti, Ivazde Halili e Mustafa Naili. Ne 15 vjetet e pare te shekullit te 20 kemi pasur 3 vezire te medhenj. Kryeministri i fundit i Abdul Hamitit te dyte ka qene Ferit PAsha nga Vlora, i cili qendroi ne kete detyre nga viti 1903 deri ne vitin 1908. Shume kohe me vone ka qene Hamet Izet Pasha nga Manastiri, kurse ne vitin 1923 kur merr fund edhe Perandoria Osmane, kryeminister ka qene Demet Ferit Pasha. Sa here qe behej armepushim Ferit PAsha zgjidhej kryeminister. Ai e ka mbajtur kete post 5 here. Anglezet e kane fajesuar Ferit Pashen si mbrojtes te perandorise dhe armik te lufterave nacionale.

Kryeministrat shqiptare

1493-1923

Koco Daut Pasha

Dukagjin Hamet Pasha

Ajaz Pasha

Lutfi Pasha

Kara Ahmet PAsha

Koxha Sinan Pasha

Kara Mustafa Pasha

Ahmet Pashe Tarhuni

Qypryly Ahmet Pasha

Qypryly Fazell Pasha

Qypryly Mustafa Pasha

Qypryly Hysen Pasha

Qypryly Numan Pasha

Haxhi Halil Pasha

Izav Memet Pasha

Ivazdi Halil Pasha

Ferit Pasha

Hamet Izet Pasha

REXHEP MITROVICA – MISIONAR I KOMBIT, NJË JETË PËR SHQIPËRINË ETNIKE

 Fazli HAJRIZI

 

Rexhep Mitrovica

Rexhep Mitrovica

Fëmijëria pranë Lumit të Bardhë

Rexhep Mitrovica është një figurë madhore, komplekse e dramatike, luftëtar i orëve të para për krijimin e Shqipërisë etnike, një personalitet i shquar dhe i veçantë i luftës për liri, demokraci dhe bashkim kombëtar, një intelektual i mirëfilltë, drejtues e edukator, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëntor 1912, në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, deputet i Pejës e Gjakovës në parlamentin shqiptar, ministër i arsimit (1922-1924), reformator i arsimit kombëtar, kryetar i organizatës “Lidhja Popullore Shqiptare” me seli në Mitrovicë, kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kryeministër i Shqipërisë.

Këtë njeri të qetë e të kulturuar, të urtë, fjalëpak e gojëmbël, me drejtësi të kulluar, që mendjen e ndritur e zemrën e zjarrtë, fjalën e shenjtëruar e veprën e pavdekshme ua kushtoi atdheut e kombit, literatura historike gjatë periudhës mbi 50-vjeçare e dha në mënyrë të njëanshme, duke e quajtur bashkëpunëtor të nazizmit, tradhtar, pijanec, tuberkuloz dhe qeverinë e tij kolaboracioniste. Ai, krahas nacionalistëve të tjerë nga Kosova, si Xhafer Deva, Bedri Gjinaj, Dr. Xhelal Mitrovica, Bedri Pejani, Selman Riza, Ahmet Gashi, Ymer Berisha, Shefqet Shkupi, Luan Gashi, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi e shumë të tjerë, dha një ndihmesë të shquar në mbajtjen gjallë të nacionalizmit shqiptar, të kulturës, arsimit dhe rezistencës kombëtare.

Rexhep Mitrovica u lind më 1888 në qytetin buzë Lumit të Bardhë në një familje atdhetare. E pa dritën e jetës në kohën kur Lidhja Shqiptare u shua me gjak, kur vendimet e Traktatit të Berlinit po zbatoheshin në dëm të shqiptarëve, në kohën kur plagët e muhaxherëve të ardhur nga rrethet e Leskocit, Nishit etj. po kullonin dhembje, rrëfimet e tyre trondisnin gur e dru. Erdhi në këtë botë në kohën kur jehona e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte shtrirë edhe në Mitrovicë dhe si synim parësor kishte lirinë dhe pavarësinë e trojeve shqiptare. Në vendlindje e kaloi fëmijërinë.

Mësimet e fesë dhe njohuritë fillestare të diturisë i mori në gjuhën turke, ndonëse në Mitrovicë flitej një gjuhë e pastër dhe e bukur shqipe. Si fëmijë i zgjuar, ai përcolli me vëmendje bisedat e miqve që silleshin rreth Shqipërisë, fatit të saj. Ato lanë gjurmë në shpirtin dhe temperamentin e heshtur të djaloshit me shikim ëndërrimtar. Kudo e kahdo që e përcollën valët e jetës, në zemër e në mendje e mbajti qytetin e bukur e të pastër. Shpesh shkruante me mall për të, për lumin, për kalanë madhështore, për Trepçën e artë, rrëfente me krenari për luftëtarët trima e racën e stralltë shqiptare që banonte në kufirin verior të Shqipërisë Etnike. Atëbotë në Mitrovicë vepronte dega e Komitetit të Lidhjes që qeveriste vendin dhe organizonte luftëra të armatosura për të krijuar Shqipërinë e bashkuar. Forcat e armatosura të Lidhjes kishin çliruar Mitrovicën më 25 janar 1881. Këtë detaj e përmendnin me krenari banorët e këtij mjedisi.

U nis në rrugën e dijes për t’iu përgjigjur zërit të atdheut

Rexhepi Mitrovica, i cili ishte një vërejtës i kujdesshëm, çdo gjë e regjistronte në kujtesën e tij të jashtëzakonshme. E dallonte dëshira e madhe për të mësuar. Fill pas mësimeve në vendlindje, mori rrugën për në Shkup, në këtë qendër të rëndësishme patriotike. U regjistrua në Gjimnaz. Për mbiemër mori emrin e qytetit të lindjes. Ishte njëri ndër nxënësit më të zellshëm e më të talentuar. Serioz e studioz siç ishte, menjëherë tërhoqi vëmendjen e mësimdhënësve, të cilët tek ai shihnin shpresën e atdheut, dhe të shokëve, të cilët tek bashkëmoshatari i tyre shihnin mikun besnik e të sinqertë. Studionte me zell të madh, duke qenë kështu i bindur se atdheu, në agun e shekullit të ri, ka nevojë shumë për penë e dituri, që një ditë do t’i paraprinin jehonës së armëve të lirisë. Si gjimnazist i vihet studimit të disa disiplinave: historisë, gjeografisë, matematikës, mësimit të gjuhëve të huaja etj. Lexonte literaturë artistike, sidomos autorët klasikë e bashkëkohorë.

Veprat e rilindësve i lexonte me pasion. U vu në kërkim të vetvetes, në kërkim të zbulimit të rolit që i kish caktuar fati. Librat, për të cilët kishte një pasion të veçantë, u bënë miqtë e tij më të mirë. Si nxënës i gjimnazit, nën ndikimin e rilindësve tanë, filloi edhe vet punën e në drejtim të rritjes së ndërgjrgjes kombëtare. Ndonëse ende i ri, ai u bë i njohur dhe i respektuar edhe në rrethet intelektuale. U njoht me shkrimet e Midhat Frashërit, të cilat i pëlqente shumë. Pikëpamjet e tij se vetëm me dituri mund të bëjmë punë të mëdha, se shqiptarit, aq sa i duhet buka, i duhet dituria e nacionalizma, se për të rrojtur si komb duhet të luftojmë për t’u bërë e për t’u njohur si komb, etj., i mbështeste me tërë qenien.

Së bashku me Bedri Pejanin e Sali Gjukën më 1908 udhëhoqi një fushatë propagandistike si parapërgatitje për Kongresin e Manastirit. Tubimin historik të Manastirit ai nuk e quante thjeshtë një mbledhje gjuhëtarësh, po një Kongres kombëtar për çështjen më të rëndësishme të lëvizjes sonë. U arrit një shkallë e lartë e ndërgjegjësimit kombëtar, njësimi i abe-ve, i dëshmuan botës për qenien e kombit shqiptar, i cili, edhe pse i pranguar, përspektivën e vet e shihte vetëm kah perëndimi. Ndërgjegjësimin e bashkimin e shqiptarëve e shihte si shpresën e vetme përballë rrezikut. Ideja e lirisë që ishte trajtuar në mënyrë të përgjithshme nga rilindësit tanë, tek Rexhep Mitrovica merr trajtim konkret dhe bashkëkohor. Ai është kundër lirisë primitive me pushkë në dorë dhe me vdekje në dhëmbë, që është e egër dhe e dhembshme, e rrezikshme, por për një liri që ka hapësira dhe mundësi të jashtëzakonshme.

Në decenien e parë të shek. XX në Shkup, në Manastir e në qytete të tjera lëvizja kombëtare u gjallërua shumë dhe po shënonte një shkallë të lartë të zhvillimit. U themeluan shoqëri, klube kulturore, të cilat u kthyen në qendra për organizimin dhe drejtimin e lëvizjes kombëtare. Duke shfrytëzuar Revolucionin xhonturk, pas 20 korrikut 1908, d. m. th. pas shpalljes së Konstitucionit, u hapën shkolla në gjuhën shqipe, si në Elbasan, Filat, Frashër etj. Duke hapur shkolla, duke shkruar libra në gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin, synohej të mbahej i bashkuar populli ynë pa dallim feje, regjioni etj. Fill pas Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908) ku u miratua Alfabeti, ky libër i shenjtë i atdhedashurisë, Rexhep Mitrovica, së bashku me Sali Gjukën, i hyri punës për dhënien e mësimit në shkollat shqipe me këtë alfabet. Librat që u botuan me alfabetin latin të miratuar në Kongresin e Manastirit, kalonin dorë më dorë.

Deputetët shqiptarë, si Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Shahin Kolonja, Nexhip Draga e ndonjë tjetër zhvillonin një aktivitet të dendur në parlamentin turk në Stamboll e në qendra të ndryshme. Rexhep Mitrovica ishte i njohur me veprimtarinë e tyre, po edhe me veprimet e hapura reaksionare të turqve të rinj, të cilët goditnin pa mëshirë e në mënyrë tinzare klubet, shkollat kombëtare, patriotët dhe lëvizjen kombëtare që u masovizua në të gjitha krahinat shqiptare.

Ai vuri kontakte me rrethet patriotike dhe komitetet e fshehta për organizimin e kryengritjeve të armatosura kundër regjimit osman. Sulmit të luftëtarëve shqiptarë të rrethit të Mitrovicës, Vushtrrisë e Podujevës, në fillim të prillit 1910, kundër garnizonit turk në Prishtinë, i parapriu aksioni i pajtimit të gjaqeve. Këtë aksion të pajtimit të gjaqeve dhe kryengritjen e armatosur i përkrahu me tërë qenien Rexhep Mitrovica. Ai shprehu njëkohësisht domosdoshmërinë e një kryengritje të përgjithshme, mbështeti Memorandumin e Gërçës të miratuar më 23 qershor 1911 në Malësinë e Madhe, 12 pikat e tij të paraqitura nga Kuvendi që iu dërguan Portës së Lartë, si: njohjen e kombit shqiptar, bashkimin e vilajeteve shqiptare, vendosjen e një administrate me nëpunës shqiptarë, lirinë e plotë të mësimit të gjuhës shqipe dhe për çeljen e shkollave kombëtare.

Memorandumi i Gërçës ngriti peshë shpirtrat dhe zemrat e atdhetarëve duke i dhënë fund qëndrimit pritës të disa komiteteve në krahinat tjera dhe, në rrafshin politik të viteve 1912-1913, ai çonte në realizimin e kërkesave të shqiptarëve, në krijimin e një krahine autonome shqiptare. Ndër të parët që nënshkroi peticionin për autonomi drejtuar prefektit të Mitrovicës, është pikërisht Rexhep Mitrovica, i cili propagandonte idenë se, për të siguruar autonominë e Shqipërisë, lëvizja kombëtare duhet të kthehet në kryengritje të përgjithshme. Rexhep Mitrovica shprehte domosdoshmërinë e formimit të një lidershipi udhëheqës për lëvizjen kombëtare, sepse, sipas tij, asaj i mungonte drejtimi dhe organizimi i nevojshëm. Në detin e hapur e plot tallase, anija pa timonier shpejt mund të fundoset.

Edhe në këto kohë të trazuara popullit shqiptar i duhen prijës të shkathët që do ta drejtojnë kah qëllimi. Sipas tij faktori i brendshëm është kurdoherë imponues, mirëpo më parë duhet të sigurohet ndonjë aleat i jashtëm. Në vetëdijen e tij ishte ngulitur thellë mendimi se pavarësia është e vetmja alternativë për mbrojtjen e qenies dhe trungut kombëtar. Pavarësia nuk vjen dhuratë prej askujt. Ajo fitohet me dituri, përpjekje të vazhdueshme, punë këmbëngulëse, me gjak, prandaj iu bashkua Hasan Prishinës, Mehmet Pashë Derallës, Ali Riza Kosovës duke ideuar një varg betejash kundër Turqisë dhe duke i paraprirë nëntorit të lavdishëm të vitit 1912. Pas Kuvendit të Junikut (12 maj 1912) kryengritja nisi të përhapet me shpejtësi nga Mitrovica deri në Pervezë.

Emri i Rexhep Mitrovicës u bë i njohur në tërë Kosovën edhe për shpirtin e paepur, për besnikërinë dhe devocionin ndaj ndjenjës nacionaliste. Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, për shkaqet që dihen, përfundoi pa i arritur plotësisht objektivat e caktuara. Forcat serbe pushtuan Kosovën dhe përparuan drejt Elbasanit e Durrësit për të dalë në det. Shpallja e pavarësisë ishte bërë e domosdoshme, pra shpëtimi në indipedencë ishte zgjidhja më e drejtë me këtë akt madhor, mëvetësia e Shqipërisë, ekzistenca e saj kombëtare e shtetërore do t’ishte fakt i kryer përpara Fuqive të Mëdha dhe shteteve ballkanike.

Nga Shkupi e Mitrovica deri në Durrës e Vlorë

Pavarësinë e kërkonin shqiptarët e të gjitha krahinave që nga Mitrovica e Prishtina, Shkodra e Shkupi, Tetova e Ulqini deri tek Gjirokastra, Preveza e Janina. Kështu më 14 tetor 1912, në Shkup, që ishte kryeqendër e vilajetit të Kosovës, atdhetarët shqiptarë organizuan një tubim, ku vendosën që të mbahet një kuvend kombëtar, i cili do të merrte vendime për fatin e atdheut të rrezikuar. Në këtë kuvend morën pjesë Rexhep Mitrovica, Midhat Frashëri, Bedri Pejani, Sali Xhuka etj. Sipas vendimeve të kuvendit të Shkupit në tërë hapësirën shqiptare filloi zgjedhja e delegatëve për në Kuvendin Kombëtar. Hasan Prishtina mendonte se akti i pavarësisë së Shqipërisë të bëhej në Prizren. Më 16 tetor Rexhep Mitrovica, Sali Xhuka, Bedri Pejani e Midhat Frashëri u nisën me tren për në Mitrovicë, ku në këtë kohë kishte filluar shpërndarja e armëve. Nga Mitrovica në Pejë udhëtuan me një qerre të mbuluar.

Pas Pejës, ku qëndruan disa ditë, vizituan Gjakovën, një nga qendrat më të rëndësishme të Kosovës. Aty takojnë Isa Boletinin. Nga Gjakova kalojnë nëpër Qafë të Prushit. Në fshatin Arnë takojnë Ramadan Zaskocin. Disa ditë i kalojnë në Reç, Mirëditë, te kulla e Oroshit ku takojnë imzot Preng Diçin, pjesëmarrës aktiv të Lidhjes së Prizrenit, themelues i shoqërisë letrare “Bashkimi” në Shkodër. Zbresin në Luginën e Fanit, në Rubik, pastaj në Tiranë e Durrës ku paria ngriti zërin për rrezikun e copëtimit të Shqipërisë. Meqë Durrësi ishte i pasigurt për kuvend, u përcaktuan për Elbasanin. Më 21 nëntor 1912 Rexhep Mitrovica, së bashku me Midhat Frashërin, Sali Xhukën e Bedri Pejanin, arritën në Elbasan, duke shprehur bindjen e tyre se ky qytet është më i përshtatshëm për këtë akt madhor. Meqë Prizreni dhe Elbasani ishin të rrezikuara nga pushtuesit serbë e as Durrësi nuk u gjet i përshtatshëm, delegatët u nisën për në Vlorë.

Rexhep Mitrovica porositi bashkatdhetarët që të qëndrojnë me gjithë barbarizmat e shkijeve e të bashkohen me gjithë armiqësitë e përçarjet që mbollën ata e veglat e tyre. Vlora u caktua për kuvend sepse paraqiste vend më të sigurt e më të përshtatshëm që të korespondihej me Evripën. Duke kaluar nëpër Muzeqe, pastaj duke zbritur Ardenicës, takuan karvanin e kalorësve që vinte nga Durrësi me delegatët e Bukureshtit, Durrësit, Tiranës, Kavajës etj. me në krye Ismail Qemalin. Pas pak ditësh në Vlorë arritën edhe delegatë të Beratit, Janinës, Gjirokastrës, Çamërisë etj.

Me iniciativën e Ismail Qemalit dhe të atdhetarëve tjerë, më 28 nëntor u thirr Kuvendi i Vlorës për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë dhe për të formuar Qeverinë e saj të Përkohshme. Kosova, duke qenë e pushtuar nga serbët, u përfaqësua në Kuvendin e Vlorës nga Rexhep Mitrovica, Sali Gjuka e Bedri Pejani, delegatë të Gjakovës, Pejës e Gucisë.
Një ditë më vonë mbërritën në Kuvend edhe Isa Boletini, Mehmet Pashë Deralla, Hasan Hysen Budakova, Tafil Boletini, Dervish Mitrovica, Zejnel Begolli, Halim Musë Bajgora, Ahmet Ali Llapi, Riza Beg Gjakova, Vehbi Dibra, Hajdin Draga etj., të cilët u pritën me gëzim të madh nga popullsia dhe delegatët e kuvendit. Delegatët e nënshkruan aktin historik të kësaj ngjarjeje kulmore.

Midis nënshkruesve ishin edhe Rexhep Mitrovica, Midhat Frashëri, Bedri Pejani dhe Sali Gjuka, të cilët erdhën nga Shkupi në Vlorë bashkërisht. Është e vështirë të përfytyrohet edhe sot udha mbi dhjetë ditë këmbë nëpër male e dhiare të vështira nëpër të cilat kaluan këta atdhetarë për të arritur deri në Vlorë.

Serbët kishin ngritur shumë kurthe e prita. Nacionalisti i flakët Ferid Vokopola në kujtimet e tij, lidhur me ato ditë të vështira, në gazetën “Përlindja e Shqypnijes”, viti II, nr. 6-7 të dt, 30 janar e 1 shkurt 1914, shkruan: “Vjen shiku im, i ndjeri Nebil Sefa para se të nisesh për Kavajë e më lajmëron se Komanda Otomane ka burgosur në hotel të Shaqir Beut delegatët nga Kosova, zotërinjtë Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovicën. Menjëherë biseduam me shokë dhe morëm udhën të vemi, unë, Nebi Sefa e Taulla Sinani me një patrullë pesë vetësh për t’i liruar…” Dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë e botuan gazeta “Përlindje e Shqypnijes”, organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës si dhe më vonë edhe Lef Nosi në përmbledhjen e dokumenteve historike, por regjimi komunist i Enver Hoxhës i falsifikoi këto dhe shumë dokumente të tjera, duke mbuluar kështu emrat e Rexhep Mitrovicës, Midhat Frashërit, Lef Nosit etj. jo vetëm nga dokumenti përkatës po edhe nga historia.

Emri i Rexhep Mitrovicës u fshi nga ngjarjet më të rendësishme të vitit 1908-1912, po edhe nga ato të mëvonshmet, sepse regjimit komunist nuk i konvenonte që ai të figuronte si protagonist i Kongresit të Manastirit, i Kuvendit të Vlorës etj. Po në këtë gazetë dhe po në këtë numër është shkruar se si në çeljen e Kuvendit të Madh të Vlorës para delegatëve dhe burrave të ardhur nga të gjitha trojet etnike, pas verifikimit të mandatit foli edhe i respektuari Rexhep Mitrovica: “Si u mbaruan këto punë, zoti Rexhep Beu mori fjalën e tha që si kryetar të kuvendit të zgjedhet Ismail Qemal Beu, si shkronjës i parë Luis Gurakuqi e shkronjës i dytë z. Shefqet bej Daiu.

Delegatët e pëlqyen këtë kërkim dhe të propozuarit me të përplasur duarsh”. Ismail Qemalit i hyri në zemër ky atdhetar. E mori pranë vetes, sepse e respektonte zgjuarësinë e tij. Rexhepi 24 vjeçar i shpjegoi për situatën në Kosovë duke i folur me mallëngjim edhe për Mitrovicë, vendlindjen e tij. Në tubimet e protestat që u organizuan për të kundërshtuar politikën hegjemoniste të serbëve grekëve e malazezve, aktet gjenocidiale të serbëve në Kosovë e të grekëve në jugun e Shqipërisë, ai ngriti zërin fuqishëm, duke demaskuar politikën diskriminuese edhe në faqet e shtypit evropian të kohës. U rreshtua në radhët e para të luftëtarëve që luftuan për etninë shqiptare. Gjatë qëndrimit në Vlorë, pos me Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Midhat Frashërin, Bedri Pejanin, Sali Gjukën, u njoht edhe krijoi miqësi, të thuash me të gjitha personalitetet e atyre ngjarjeve dhe ditëve të shpalljes së pavarësisë, si me Dom Nikollë Kaqorin, nënkryetar, Mehmet Pashë Derallën, ministër i luftës, Petro Pogën, ministër i drejtësisë, Myfit Bej Libohovën, ministër i punëve të mbrendshme, Abdi Bej Toptanin, ministër i financave, Pandeli Calën, Lef Nosin, Riza Bej Jakovën, S. Vrijonin, Musa Hakalin, Alan Tragjasin, Mehmet Radhimën, Qazim Kokoshin, Ahmet Mersinin, Cano Sharrën etj.

Ballafaqimi me sfidat e ndeshtrashat e kohës

Rexhep Mitrovica përcillte me vëmendje Konferencën e Ambasadorëve në Londër që nisi punimet më 17 dhjetor 1912. mbështeti fuqimisht delegacionin shqiptar që udhëtoi në Londër për t’u takuar me Eduard Grejn, si dhe të gjithë ata intelektualë që mbronin interesat shqiptare dhe luftonin për një Shqipëri të Pavarur me kufij natyrorë, gjeografikë dhe etnikë. U rreshtua në radhët e luftëtarëve duke vepruar sa në jug, sa në veri për të mbrojtur kufijtë etnikë me flamurin shqiptar dhe në emër të Shqipërisë së pavarur.

Udhëtoi edhe deri në Janinë gjithnjë duke mbrojtur idenë se ky qytet shqiptar, qendër e Vilajetit, duhet të mbrohet me çdo kusht sepse i takon Shqipërisë. Largohet prej këtij qyteti më 6 mars 1913, sepse aty hyjnë forcat greke, ndërsa ushtria turke dhe disa vullnetarë të dërguar nga Qeveria e Vlorës, dezertuan. Rexhep Mitrovica shprehte indinjatën e tij ndaj vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve, e cila më 25 mars 1913 vendosi kufijtë verilindorë duke lënë jashtë tyre Kosovën dhe Shqipërinë Lindore, të cilat kalonin nga pushtimi osman në robërinë serbo-malazeze. Shqetësimi i tij ishte shumë i madh, sepse kjo çonte në zhbërjen e Shqipërisë.

Kërkonte nga qeveria që të përpiqej të bënte më shumë me anë të diplomacisë për t’i kundërshtuar vendimet e gjashtë fuqive evropiane (Anglisë, Francës, Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Rusisë dhe Italisë), ndërsa qortoi popullin e Kosovës, Shkupit, Tetovës etj. që nuk reflektuan ndonjë protestë, kryengritje apo therori për të kundërshtuar ata që copëtuan dhe e nxorën Shqipërinë në shitje si plaçkë tregu. Pas 30 marsit 1913 dhe dorëheqjes së disa anëtarëve të qeverisë, në Shqipëri mbretëronte një anarki e vërtetë. Rexhep Mitrovica, i cili ndodhej në Shkodër, në qytetin që kurdoherë ishte dashuria e tij, përcillte me shqetësim të madh gjendjen në Shqipëri.

Në destabilizimin e shtetit shqiptar, në krijimin e anarkisë dhe në shpërthimin e luftës së brendshme për interesat e tyre të pushtimit, qeveritë e shteteve fqinje nuk lenin gurë pa lëvizur. Qeveritë e shteteve hegjemoniste ia arritën qëllimit të tyre, arritën të bindin shumë përfaqësues të Konferencës së ambasadorëve se shqiptarët janë një popull primitiv që nuk i shtrohet ligjit dhe që shkatërron edhe shtetin e vet. Ai kundërshtoi vendimet e Esat Pashë Toptanit, i cili më 12 tetor 1913 formoi pleqësinë e Shqipërisë së Mesme në Durrës, dhe doli hapur kundër qeverisë së Ismail Qemalit. Të gjitha ishin bërë mbi bazën e marrëveshjeve të fshehta midis Greqisë, Serbisë, Malit të Zi e më pas edhe me Italisë.

Megjithatë, pas këtyre zhgënjimeve të njëpasnjëshme, një shkëndijë shprese ia ngrohu zemrën e shpirtin. Ishte ky vendimi i 29 korrikut 1913 i Konferencës së Ambasadorëve për statutin e Shqipërisë, e cila bëhej shtet i pavarur, asnjëanës dhe nën garancën dhe kontrollin e Fuqive të Mëdha për periudhën 10-vjeçare. Shpresonte se, pas njohjes dhe garantimit të pavarësisë së Shqipërisë, vënia në krye të shtetit e një princi evropian do të qetësonte gjendjen në vend dhe do t’i hidhte poshte traktatet e fshehta që kishin për qëllim ta fshijnë Shqipërinë nga harta e Evropës.

Në takimet e herëpashershme me të huajt që vinin në Shqipëri, si dhe me anë të shkrimeve që i botonte në faqet e shtypit të kohës, Rexhep Mitrovica qortonte me argumente vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, gjykatoren e Evropës, e cila, pa përfillur parimin historik, etno-kulturor, duke mos menduar për stabilitetin e ardhshëm të Ballkanit, kishte vendosur arbitrarisht për copëtimin e Shqipërisë, lënien e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën pushtues të ndryshëm. Më 7 mars 1914 Rexhep Mitrovica mori pjesë në pritjen që iu bë princ Vidit, i cili zbriti në Durrës. Pasuan ngjarjet e tjera edhe më tragjike. Pas dhjetë ditësh esadistët sulmuan batalionin e vullnetarëve tiranas që shkonte për në luftë kundër shovinistëve grekë në jug. Filloi lëvizja bolshevike në krye me Haxhi Qamilin. Rexhep Mitrovica i dënoi këto veprime antikombëtare dhe, për atë që po ndodhte në Shqipëri, e bënte përgjegjës çdo shqiptar.

Student në Vjenë, takimi me armët e Skënderbeut, me Aleksandër Mojsiun…

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, kur Greqia shpalli të kryer pushtimin e “Vorio-Epirit”, kur Italia pushtoi Sazanin e Vlorën, kur ushtria serbe hyri në Shepër e arriti deri në Durrës, ndërsa forcat malazeze më 27 qershor 1915 pushtuan Shkodrën, kur ushtritë austro-hungareze u shtrinë në Shqipërinë verilindore e në atë të mesme, ndërsa armata franceze hyri në jug, pra, kur Shqipëria u kthye në teatër të luftërave, Rexhep Mitrovica u largua në Austri.

Më 1916 u vendos në Vjenë. Atje u regjistrua në fakultet dhe studioi katër vjet me radhë shkencat pedagogjike. Në muzeun e këtij qyteti të bukur ai vizitonte shpesh armët e Skënderbeut, të vetmet objekte origjinale të Heroit tonë Kombëtar që ruheshin aty. Këto objekte, përkrenarja dhe dy shpatat, që i janë dorëzuar Ferdinandit, djalit të Perandorit të Austrisë më 1588-1593, që ruheshin të grumbulluara në armëtaren e Kështjellës “Ambrar”, më 1888, pikërisht në vitin kur u lind Rexhepi, u falën nga perandori i Austrisë dhe kaluan në ndërtesën e re të Muzeut të Vjenës. Ato i zgjonin krenarinë kombëtare dhe i shtonin vullnetin për punë më këmbëngulëse.

Rexhep Mitrovica, një temparament i gjallë, i etshëm për dituri, ishte një vërejtues i hollë dhe i kujdesshëm. Çdo gjë regjistronte në kujtesën e tij të jashtëzakonshme. Kohën më të madhe, pas leksioneve, e kalonte në biblioteka e salla leximi. Arriti të zotërojë me lehtësi disa gjuhë, si atë gjermane, frenge, angleze, italiane, tureke, boshnjake etj. Pos lëndët nga fusha e pedagogjisë e psikologjiisë, iu vu me vullnet të madh edhe studimit të disiplinave shkencore: histrisë, gjeografisë, astronomisë, kimisë, biologjisë, aritmetikës etj., lexonte me ëndje veprat e shkrimtarëve dhe filozofëve të shquar botërorë, si autorët klasikë e bashkëkohës.

Studioi me vëmendje veprat e Naimit, De Radës, Gjergj Fishtës, Sami Frashërit etj. Profesorët austriakë çmonin lart punën këmbëngulëse, sjelljet shembullore, gjykimin e thellë e urtinë e dëshirueshme të tij. Studentët e atdhetarët e tjerë shqiptarë e adhuronin shumë, sepse i mbante në zemër dhe në mendje Kosovën, Shqipërinë. Fliste me zjarr e admirim për vendlindjen e tij, Mitrovicën. Me studentët që vinin nga anë të ndryshme të trejeve shqiptare, fliste me krenari për të kaluarën e popullit shqiptar, shprehte dhembje të madhe për gjendjen e popullatës shqiptare nën regjimin serb. Me rastin e festave kombëtare ai i tubonte studentët, i organizonte që të protestojnë kundër padrejtësive e vendimeve që ishin marrë e po merreshin në dëm të shqiptarëve.

Rexhep Mitrovica mbante të gjallë ndjenjën e atdhedashurisë dhe çonte më tej frymën nacionaliste. Kishte zënë një miqësi të fortë dhe të sinqertë me aktorin kavajas me famë botërore, Aleksandër Mojsiun. Atë e përcillte në të gjitha shfaqjet. Në ndejat e bisedat me të, ku ftoheshin studentët shqiptarë, gjithherë merrnin në gojë çështjen e atdheut, çështjen e kulturës, të artit, të letërsisë. Pos mallit për vendlindjen, natyrshëm shpaloheshin edhe ndjenjat e tjera. Rexhep Mitrovica përcillte me vëmendje punën e Konferencës së Paqes në Paris që u hap më 18 janar 1919.

Ai shpresonte se pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, më në fund Fuqitë e Mëdha fituese (SHBA, Anglia, Italia, Franca dhe Japonia) do të çonin në vend drejtësinë duke zgjidhur drejt kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar. Mbështeti delegacionin e qeverisë shqiptare, i cili shkoi në Paris dhe i paraqiti Konferencës së Paqes, gjatë muajit shkurt 1919, dy memorandume. Atëherë e kishte hetuar se SHBA, që nuk e kishin nënshkruar Traktatin e Fshehtë të Londrës në vitin 1915, mbanin një qëndrim të drejtë ndaj çështjes shqiptare. Në një letër që i dërgoi në këtë kohë Midhat Frashërit në Zvicër, ndër të tjera i shkruan: “Nji vllau si ty, që me të drejtë ka fitue besimin e krejt kombit, për disa shkaqe politike të mos i jepet leje me shkue në Paris, ma cenon pak gëzimin e maparshëm. Formova besim të plotë se po të kishe qenë ti në Paris nuk do të kishin ndodhë këto paturpsina”. Në këtë kohë u formua në ilegalitet Komiteti “Mbrojtja kombëtare e Kosovës”.

Përmes miqve mori vesh se në krye të këtij Komiteti që vepronte në Shkodër, ishte vënë Hoxhë Kadri Prishtina. Shpejt vuri kontaktin me mikun e tij të vjetër, Bedri Pejanin, sekretar i Komitetit, me bashkëpunëtorët e veprimtarët e dalluar, si Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Sali Nivicën, Hysni Currin, Avni Rrustemin, Elez Isufin, Beqir Vokshin, Tafil Boletinin etj. Pasi mbaroi studimet në Vjenë me rezultate mjaft të larta, më 1920 Rexhep Mitrovica u kthye në vendlindje, ku nisi misionin e mësuesit për edukimin e brezit të ri shqiptar me ndjenja të dshurisë për shkollën, librin, vullnetin për dije si detyrim moral ndaj atdheut, si parakusht për mbijetesë. U shqua si mësimdhënës i përgatitur mirë me një horizont të gjerë e me një talent të madh. Organizoi fëmijët në shkollë. Udhëtoi e punoi edhe në Pejë, në Prishtinë, Shkup. Atje përhapi shkëndijat e dritës e diturisë. Gëzohej pa masë kur shihte bashkëkombasit e vet duke mësuar abecenë, kur dëgjonte këngën dhe fjalën shqipe. Ishte shumë i afërt dhe shumë i dashur, kishte takt pedagogjik e sjellje dinjitoze, prandaj të rinjtë e adhuronin shumë. Qarqet politike serbe, duke njohur cilësitë intelektuale të tij, veprimtarinë, influencën politike në popullsinë shqiptare, që kishte shumicën dërrmuese në Mitrovicë dhe në gjithë vendet tjera të Kosovës, vazhdimisht e mbanin në shënjestër.

Rexhep Mitrovica dhe kontributi i tij në ngritjen e shkollës e arsimit kombëtar

Duke parë se në Konferencën e Paqes në Paris po bëheshin pazarllëqe të mëdha në dëm të kombit shqiptar, patriotë të shquar thirrën Kongresin Kombëtarë të Lushnjës, i cili i zhvilloi punimet nga 28 deri 31 janar 1920. Kongresi i Lushnjës, pasi e konsideronte qeverinë e Durrësit si antikombëtare, zgjodhi qeverinë e re të kryesuar nga Sylejman Delvina. Më 11 shkurt 1920 kjo qeveri, Këshilli i Lartë dhe Këshilli Kombëtar u vendosën në Tiranë duke zhvilluar veprimtarinë e pavarur nga pushtuesit italianë. Në zgjedhjet parlamentare, më 1921 qeveria e Iliaz Vrijonit nënprefekturës së Tropojës i la dy delegatë. Me ndikimin e Bajram Currit nxori deputetët për Partinë Përparimtare Mustafa Krujën, kurse për Partinë Popullore nxori Rexhep Mitrovicën. Qeveria e dalë prej Kongresit të Lushnjës (Eshref Frashëri, Mehmet Konjica, Ahmet Zogu, Sotir Peci, Hoxhë Kadria, Ndoc Çoba), duke i njohur aftësitë organizative, e bindur në ndjenjat nacionaliste e të kulluara të Rexhep Mitrovicës, e ftoi për të shkuar në Tiranë.

Më 26 dhjetor 1921, kjo qeveri, që kishte këtë përbërje: Xhafer Ypi, kryeministër, Hysen Vrioni, ministër i drejtësisë, Fan Noli, ministër i jashtëm, Ahmet Zogu, ministër i brendshëm, Kol Thaçi, ministër i financave, Spiro Koleka, ministër i punëve botore, dhe Ismajl Tezati, ministër i luftës, e emëroi Rexhep Mitrovicën Ministër të Arsimit në Kabinetin e Xhafer Ytit. Duke njohur mirë vendimet e Kongresit Arsimor të Lushnjës (gusht 1920) për problemin e sistemit arsimor, të strukturës dhe përmbajtjes së shkollës, të njësimit të gjuhës në tekstet shkollore, të çështjeve didaktike dhe praktike të punës në shkollë, Rexhep Mitrovica menjëherë filloi punën e susksesshme në shtrirjen e rrjetit arsimor. U përcaktua qartë për fizionominë e arsimit shqiptar, për domosdoshmërinë e unifikimit të programeve shkollore, për futjen e gjuhës së huaj që nga klasa e tretë e fillores etj. Punoi me tërë qenien në realizimin e shumë punëve e detyrave në frymën e kërkesave të Kongresit Kombëtar të Lushnjës.

Kongresi arsimor, që kishte si synim njësimin e organizimit të shkollës dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit arsimor ekzistues, me iniciativen e Rexhep Mitrovicës, punoi në drejtim të sigurimit të kuadrit arsimor, të unifikimit të programeve mësimore, hartimit të teksteve shkollore, përgatitjes së disa projektligjeve, të cilat synonin në sanksionimin e drejtimeve kryesore që do të kishte arsimi në shtetin e ri, si: organizimi i istitiucioneve qendrore arsimore, dokumentacioni shkollor etj. Kështu, Këshilli Kombëtar nën udheheqjen e Rexhep Mitrovicës miratoi ligjet: “Mbi organizimin qendror të Ministrisë së Arsimit”, “Mbi organizimin themelor të Ministrisë së Arsimit”, “Mbi ndjekjen e detyrueshme të shkollës”, “Mbi emërime e shpërngulje mësuesish”, “Mbi ngritjen dhe mbajtjen e ndërtesave shkollore”, “Mbi tekstet shkollore” dhe “Mbi bursat”. Rexhep Mitrovica përkrahu dhe ndihmoi organizimin dhe mbajtjen e Kongresit Arsimor të Tiranës (22.7 – 3.8.1922) ku u morën gjithashtu vendime të rendësishme për demokratizimin e shkollës, laicizmin e saj, njësimin e punës mësimore, u miratua programi i ri i shkollës fillore, u caktuan afatet e shkollës fillore, u vendos që të çelen shkolla të ulëta profesionale trivjeçare dhe Gjimnazi gjashtëvjeçar, të ngritet roli i lëndëve shkencore, u shtrua nevoja e ngutshme për zbatimin e parimit të konkretizimit.

Programi sintetik-analitik që miratoi Kongresi Arsimor i Tiranës, filloi të zbatohet që nga viti 1922-1923. Ky program zbatohej në të gjitha shkollat që ekzistonin atëherë në Shqipëri dhe, padyshim, ishte një hap i sigurt përpara drejt forcimit të shkollës shqiptare dhe laicizmit të saj. Ai preokupohej jo vetëm me çështje të arsimit po edhe me halle të atdheut. Në cilësinë e Ministrit të Arsimit, më 4 korrik 1922 i shkruan Midhat Frashërit: “Ministria e Arsimit e Shqipërisë ju emëron si përfaqësues i saj në Kongresin Ndërkombëtar të Tretë të Edukatës Morale, i cili do të mbahet nga 28 korrik deri më 1 gusht 1922” (AQSH, fondi 35, dosja 64, fleta 1). Që nga Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, para Rexhep Mitrovicës Ministra të Arsimit kanë qenë Luigj Gurakuqi (4.12.1912; 22.1.1914 dhe 15.12.1918), Dr. Mihal Turtulli (13.3.1914), Pjetër Poga (3.5.1914), Abdi Bej Toptani (28.5.1914), Sotir Peci (31.1.1920; 11.7.1921), Kristo Floqi (9.11.1920), Hil Mosi (16.10.1921), Kristo Dako (7.12.1921) dhe Aleksandër Xhuvani(12.12.1921), ndërsa pas tij deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë: Xhafer Ypi (4.4.1922; 12.2.1927; 1.1928; 5.9.1928), Fahri Gorani (30,10.1923), Stavro Vinjau (16.6.1924), Nush Bushati (21.10.1935), A. Dibra (7.11.1936), Ernest Koliqi (12.4.1939), Dhimitër Berati (31.2.1941)

Rexhep Mitrovica mbante një korrespondencë të rregullt me personalitetet e shquara të kohës. Kështu më 16 mars 1921 nga Barcelona i shkruan Rexhep Mitrovicës se ai është për një regjim republikan: “Puna e qeverimit më duket se do të zgjidhesh ma lehtë me nji regjim republikan, ndryshe kena me pasë shumë ngatrresa”. Ai e njofton për disa artikuj të botuar nëpër gazeta të njohura, përmes të cilëve sensibilizonte opinionin ndërkombëtar për mizoritë e serbëve. “Kena me pasë kurdoherë nevojë për ndihmën morale e materiale të çdo fuqie të madhe e aq më tëpër të Francës” – rekomandon Midhat Frashëri, duke shtuar se “edhe një punë sado e vogël që të jetë, nuk bahet pa durim dhe përseverencë”. Në letrën që i dërgon më 23 korrik 1921, ai i kërkon Rexhep Mitrovicës që të nxitohet në themelimin e një shoqate për mbrojtjen e të drejtave kombëtare e njerëzore, ndërsa në tjetrën, që i dërgon më 12 janar 1922, i rikthehet punës kulturore dhe problemeve të shoqërisë civile. Ai thotë se së pari duhet të hapen shkolla në çdo cep të Shqipërisë, së dyti duhet të çelet në Tiranë një bibliotekë.

Midhat Frashëri rekomandon që në Kongresin e Lidhjes Shqiptare të Shoqërisë së Kombeve të hyjë Rexhep Mitrovica, Eshref Frashëri, Bedri Pejani, Sejfi Vllamasi dhe Aleksandër Xhuvani. Me përkrahjen e Ministrisë së Arsimit dhe vëçanërisht të Rexhep Mitrovicës, u themeluan organizatat profesionale të mësuesve të Shqipërisë, si: “Lidhja e mësuesve të prefekturës së Durrësit” (8 janar 1922), “Lidhja e mësuesve të prefekturës së Shkodrës” (18.6.1922), “Lidhja shoqërore e arsimtarëve të Korçës” (23.3.1923) etj., që çuan në krijimin në Tiranë të Lidhjes së Përgjithshme të Arsimtarëve të Shqipërisë” (gusht 1924), në botimin e revistës “Arsimtari”, në riorganizimin e demokratizimin e shkollës, ngritjen e figurës së mësuesit, në hepjen e shkollave të mesme, në zbatimin e arsimit të detyruar për femrat, në çeljen e shkollave gjysmëgjimnaze në disa qytete të Shqipërisë, në akordimin e bursave me kritere të drejta, në krijimin e konvikteve për nxënësit e zonave malore etj.

Duke qenë Ministër i Arsimit gjatë viteve 1922-1924, Rexhep Mitrovica inspektoi dhe ndihmoi shkollat shqipe në veri e në jug të Shqipërisë, ndikoi që parlamenti shiptar të japë votbesimin për shkollën profesionale, autorizoi shumën prej 60 mijë franga ari (afro 12 mijë dollarë) për të plotësuar ndërtesën e kolexhit të filluar nga turqit më 1910. Shkolla u pagua nga qeveria dhe përgjegjësia për sigurimin e lokalit binte mbi shqiptarët. Shkolla profesionale shqiptare ose Shkolla Teknike Shqiptaro-Amerikane u krye në prill të vitit 1922. Ministri i Arsimit Rexhep Mitrovica bashkëpunoi ngusht me udhëheqësit e shkollës profesionale, Hari Fultz, Çarls Holingshed etj. Pas njohjes që i bënë SHBA-të Shqipërisë më 28 korrik 1922, Rexhep Mitrovica pati një takim të përzemërt dhe me interes me Ministrin e parë amerikan në Shqipëri, Julisis Grant – Chmithin, i cili arriti në Tiranë në tetor të vitit 1922.

Rexhep Mitrovica arriti që përmes formave të ndryshme të dërgojë fshehurazi në Kosovë tekste të ndryshme. Meqë qeveria SKS kishte mbyllur shkollat shqipe në Kosovë, ai përmes njerëzve besnikë u lidh me mësuesit e fesë, hoxhallarë e priftërinj, të cilët punonin në drejtim të zënies së shkrim-leximit në gjuhën shqipe dhe në ruajtjen e identitetit kombëtar. Në një letër që i dërgon Dervish Mitrovicës, Rexhepi shkruan: “Shkjaun ma se pari do ta rrëzojmë me dije e pastaj vjen pushka”.

Vitet 1922-1924 ishin mjaft të stuhishme e me plot trazira për Shqipërinë, sidomos për Kosovën. Në Shqipëri ekzistonin dy koalicione të mëdha politike, secili grup me lidhje të dobëta në vetvete. Konservatorët përbëheshin nga klasa e vogël e pasanikëve, pronarë tokash. Shumica e këtyre anëtarëve të kësaj partie mendonin vetëm për interesa përsonale.

Drejtuesit i përkisnin klasës së vjetër me tituj, klasës së bejlerëve që kishin mentalitet feudal dhe shumica e këtyre prijësve ishin mbi moshën mesatare. Partia Popullore, së cilës i përkiste Rexhep Mitrovica, përbëhej prej bejlerëve të rinj më të arsimuar dhe ish emigrantë që luftonin për arsimimin e shpejtë të gjithë rinisë, për zhvillimin e shpejtë të burimeve natyrore, për dhënien e ligjshme të tokës klasës fshatare punonjëse. Përfaqësuesit e Partisë Popullore ishin reformatorë. Rexhep Mitrovica, i cili si Ministër i Arsimit arriti të themelojë shkollën kombëtare shqiptare, ishte njëri ndër burrështetasit më me autoritet. U shqua për kulturën e gjerë e drejtësinë e kulluar.

Fjala e tij plot elokuencë, mendimi i thellë dhe arsyetimi logjik dëgjoheshin e respektoheshin në parlamentin shqiptar. Ai ishte zëri i Kosovës e i gjithë Shqipërisë. Në qershor të vitit 1924 jeta politike dhe shoqërore në Shqipëri po bëhej gjithnjë e më e paqëndrueshme në Shqipëri. Situata po bëhej e pasigurt. Departamentet e qeverisë nuk ishin aktive dhe efektive. Në gjirin e tyre mbretëronte kaosi. Kjo gjë e shqetësonte shumë Rexhep Mitrovicën. Nuk mund të pritej punë e frytshme as nga Ministria e Arsimit përderisa ministri e ndiente veten të përkohshëm dhe të pasigurt. I ndodhur përballë këtyre ndeshtrashave të mëdha e provave të hidhura ai jep dorëheqje.

Pas udhëtimit nëpër Evropë, prapë kthehet në Shqipëri e në Mitrovicë

Pas Revolucionit Demokratik të Qershorit të vitit 1924 menjëherë kthehet në vendlindje, në Mitrovicë, pastaj prapë në Pejë, Gjakovë e Shkup, ku vazhdon misionin e tij për edukimin e brezave të rinj duke mbjellë farën e diturisë e atdhedashurisë. Furtuna të ashpëra po e rrahnin Shqipërinë. Ai e dëgjoi zërin e mekur të atdheut që kërkonte ndihmë, prandaj vendosi t’i përgjigjet menjëherë. E la Kosovën dhe u nis në rrugën e mundimshme jo drejt Shqipërisë, por nëpër Evropë, ku besonte se prej andej mund t’i ndihmonte më shumë çështjes kombëtare.

Menjëherë ra në kontakt me personalitete të shquara të politikës evropiane. Shkroi dhe botoi një sërë artikujsh duke zbuluar me fakte në shtypin evropian të kohës për tmerret që vuante Kosova dhe populli shqiptar i saj prej shovinizmit të egër serbomadh. Tuboi pranë vetes intelektualë të shquar e studentë shqiptarë dhe, për ta bërë të njohur popullin shqiptar, veproi në shumë drejtime. Duke cituar veprat e autorëve shqiptarë e të huaj, duke u thirrur në burime të ndryshme relevante ai u shpjegonte disa personaliteteve politike të huaja dhe opinionit të këtyre vendeve se shqiptarët janë një komb i qytetëruar, më i vjetri në Evropë, prandaj meriton të hyjë në familjen e madhe evropiane. Përmes studentëve shqiptarë në Evropë dhe përmes letërkëmbimeve që kishte me Bedri Pejanin, Sali Gjukën (deri më 1925), Midhat Frashërin, Hasan Prishtinën, Dervish Mitrovicën etj., ai vazhdimisht merrte informacione për gjendjen në Shqipëri e Kosovë.

Më 1939, me aktin tragjik të pushtimit fashist të Shqipërisë, Rexhep Mitrovica u gjend nëpër vende të ndryshme të Evropës. Të premten e zezë e priti me dhembje e pikëllim, me indinjate e kundërshtim, duke e stigmatizuar përmes formave të ndryshme agresionin, okupacionin dhe propagandën fashiste. Në fillim të viteve ’40 u kthye në Shqipëri.

Duke vërejtur se propaganda fashiste ishte shumë e fortë, se radhët e organizatës “Djelmnia shqiptare”, e cila me urdhër administrativ ishte zëvendësuar në shoqërinë “Djelmnia e Liktorit Shqiptar” po mbusheshin me të rinj të mashtruar nga propaganda fashiste që pandehnin se mirëqenia dhe fati i kombit të tyre ishin në duart e Musolinit, pra duke kuptuar se nxënësit shqiptarë, e ardhmja e kombit të vet, po ndrydheshin e drejtoheshin tinëzisht në udhë pa krye prej pushtuesve italianë, prandaj edhe duke mos mundur të durojë e të heshtë para kësaj drame të mynxyrshme që po përjetonte rinia dhe populli i tij, Rexhep Mitrovica më parë u lidh me atdhetarë të kohës. I bënte thirrje të hapur popullit të mos e lënë rininë, shpresat e mëdha të kombit, të humbte. I porosiste të rinjtë të braktisnin përshëndetjet alla romane, të shkyejnë flamurin e Liktorit dhe të mbajnë në gji idealin nacional dhe flamurin me shqiponjën e zezë dykrenare në hapësirën e kuqe. Nacionalizmin shqiptar e shihte si forcë dhe rrugë të vetme për shpëtimin e kombit.

Në takimet dhe lidhjet që pati me ish nxënësit e tij të dikurshëm, shpjegonte se pavarësia e atdheut mund të vijë kur secili prej tyre frymëzohet prej realizimit të Shqipërisë etnike. Në kontakt me intelektualë dhe miq atdhetarë të orëve të para ai këmbëngulte në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Menjëherë iu ofrua mikut të vjetër, themeluesit të organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, Midhat Frashërit, u njoftua me anëtarët e Komitetit të fshehtë, patriotët e shquar, si Hasan Dostin, Thoma Orollogain, Faik Qukun dhe Fuad Dibrën, prandaj aderoi bashkë me atdhetarët e tjerë, si Vasil Andonin, Halil Menikun, Ethem Haxhiademin, Jup Kazazin, Enver Bushatin, Kol Tromarën, Aziz Çamin, Ali Këlcyrën dhe një plejadë të tërë të rinjsh, duke mbështetur pa rezervë programin e hartuar në prill të vitit 1939, ku, ndër të tjera, shkruan: “Kjo racë, ky komb, ky popull e ndjen veten e tij vëlla dhe të pandarë prej shoku-shokut. Dhe ka vetëm një qëllim. Ky qëllim është:

1. Të ketë Shqipëri të lirë dhe indipendente,

2. Të sigurojë një Shqipëri të pavarur, të zonjën për të jetuar, të nderuar dhe të vëllazëruar,

3. Të ruajë kufijtë e saj etnikë, të mbështjellë në një atdhe djemtë e saj,

4. Të jenë gati djemtë e këtij kombi për çdo sakrificë për të arritur qëllimin e përbashkët,

5. Për të arritur këtë qëllim duhet që gjithë shpresën më përpara ta kemi tek vehtja jonë. Vehten tonë do ta shpëtojmë ne vet, me sakrificat tona, me përpjekjet tona, me dëshirën tonë. Dhe Zoti ka për të na ndihmuar,

6. Nacionalizma shqiptare dëshiron që me kombet dhe me shtetet fqinje të ketë marrëdhënie fqinjësore, të rrojë në harmoni me ta. Kjo miqësi lypset të jetë e themeluar mbi respektin e të drejtave të të dy palëve. Nacionalizma shqiptare e këshillon krejt popullin tonë që të lërë menjëanë ideologjitë dhe të përpiqet vetëm për Shqipërinë rreth Flamurit të Skënderbeut, me patriotizmë të patundur” (Arkivi Qendror i shtetit, fondi 14, AP, Programi i hartuar në prill 1939).

Themelues dhe kryetar i “Lidhjes Popullore Shqiptare”

Duke e parë aktivitetin patriotik të Rexhep Mitrovicës, në vitin 1941 e emëruan anëtar të Këshillit të Shtetit Shqiptar. Më 6 prill 1941 gjermania sulmoi Jugosllavinë. Rexhep Mitrovica, si shumë patriot të tjerë, këtë e priti me entuziazëm të madh. Ai ishte i vetëdijshëm se tashti do të përfundojnë barbaritë serbe mbi popullin shqiptar, vrasjet, likuidimet, dëbimet me dhunë, kolonizimi i Kosovës, se do të bien në ujë marrëveshjet që ishin nënshkruar ose përgatiteshin të nënshkruheshin e që kishin për qëllim përzënien e shqiptarëve në Turqi dhe kolonizimin e plotë të Kosovës.

Shqiptarët e Kosovës, të cilët tri dekada kishin qenë të diskriminuar, nuk patën as arsyen më të vogël të luftojnë në krahun serb për mbrojtjen e mbretërisë, të kësaj krijese që ishte fatkeqësia dhe kobi i tyre. Në Tiranë arrinin lajme shqetësuese. Ushtria e mbretërisë jugosllave edhe pse kapituloi shumë shpejt para forcave të motorizuara gjermane, para se të tërhiqej, u urdhërua nga oficerët kriminelë që të vrasë ushtarët shqiptarë e të terrorizojë qytetarët duarthatë në Mitrovicë.

Posa mori këto lajme, Rexhep Mitrovica u lidh shpejt me grupin e kosovarëve, me Bedri Pejanin, Xhelal Mitrovicën, Bedri Gjinën, Tafil Boletinin dhe me nacionalistët tjerë. Vendosën që menjëherë të kthehen në Kosovë. Në fillim të majit të vitit 1941 Rexhep Mitrovica, së bashku me kryetarin e Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, Bedri Pejanin dhe me 120 atdhetar të tjerë, u kthye në Mitrovicë. Më 23 prill 1941 u caktua vija e ashtuquajtur e demarkacionit, ndërsa në mesin e majit Kosova u nda në tri zona pushtuese: italiane, gjermane dhe bullgare.

Gjermanët njohën prefekturën e Mitrovicës me nënprefekturat e Vushtrrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri si autonomi shqiptare dhe, për shkak të burimeve të pasura natyrore, u përfshinë në zonën e tyre të pushtimit. Me marrëveshjen e gjeneralit gjerman Eberhard me prijësit shqiptarë të Mitrovicës, Prishtinës, Podujevës, Pazarit, Vushtrrisë, Drenicës, Pejës, Istogut etj. u sigurua sundimi i plotë i shqiptarëve në këto vise. Administrata u ishte lënë në dorë shqiptarëve. Ushtria gjermane e favorizonte popullsinë shqiptare për shkak të sinqeritetit e besnikërisë, po edhe për hirë të vuajtjeve nën regjimin serb.

Në qytet dhe gati në të gjitha fshatrat e rrethit të Mitrovicës u hapën shkolla në gjuhën shqipe. Flamuri kombëtar valonte nëpër ndërtesat qeveritare. Shqiptarët morën pushtetin vendor. Njeriu i parë ishte Xhafer Deva.
Pos Xhaferit, figura të tjera të shquara e me ndikim ishin edhe Osman Ibrahimi – Solidi, Shaban Mustafa – Gashi, Adem Voca, Pajazit Boletini, Ahmet Selaci etj. Prefekt i Mitrovicës ishte zgjedhur Ibrahim Lutfiu, kryetari i administratës Ago Agai, sekretar i tij Kadri Borshi, kryetar gjyqi Shefqet Shkupi, prokuror Kudret Kokoshi, komandant i xhandarmërisë Pajazit Boletini.

Në Mitrovicë u vendos shkalla e lartë gjyqësore, u themelua Pleqësia (Islihati). Shqiptarët më eminentë në Mitrovicë, si Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Bedri Gjinaj, Ago Agai, Tafil Boletini, Ymer Lutfiu, Kudret Kokoshi, Gjon Logoreci, Ferat e Ali Draga, Vehbi Frashëri, Pajazit Boletini, Shaban Mustafa e atdhetarë të tjerë që ishin rreth dy organizatave: Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës dhe “Lidhja Popullore Shqiptare” (u themelua në gusht të vitit 1941), u angazhuan me tërë qenien për të krijuar rend, paqe e qetësi.
Në këtë kohë, kur forcat çetnike sulmonin fshatrat në veri të Mitrovicës, Rexhep Mitrovica, i cili ishte zgjedhur kryetar i parë i Lidhjes Popullore Shqiptare (gusht 1941), me nënkryetar Bedri Pejanin, sekretar Dr. Xhelal Mitrovicën dhe anëtarët e kryesisë: Xhafer Devën, Ali Dragën, Pajazit Boletinin dhe Shaban Mustafën, u gjend para një përgjegjësie të madhe.

Menjëherë iu hyri punëve për hartimin e planit dhe organizimin e çetave të armatosura vullnetare në zonat kufitare me Serbinë. Me iniciativën e tij u themelua organizata e rinisë në krye të së cilës u vu Bedri Gjinaj.

Organizata “Lidhja Popullore Shqiptare” kishte program të qartë në rrafshin e zgjidhjes së problemeve kombëtare. Mitrovica ishte qendër e kësaj organizate të rëndësishme, e cila, pos në organizimin e pushtetit vendor që shikohej në unitet me zhvillimet në shtetin amë, harmonizoi aktivitetin e vet në dy drejtime: të hapë sa më shumë shkolla dhe të krijojë degë të veta në Vushtrri, Podujevë, Pazar të Ri, duke propaganduar që Qarku i Mitrovicës t’i bashkohet patjetër Shqipërisë.
“Komiteti i Kosovës” dhe “Lidhja Popullore Shqiptare” bashkëpunonin me grupin e vullnetarëve të ardhur nga Shqipëria, me Vehbi Frashërin (djali i Mehdi Frashërit), Ago Agajn, kryetar i administratës në Prefekturën e Mitrovicës, Shefqet Shkupin, kryetar i gjyqit, Kudret Kokoshin, prokuror, Kadri Vasilin e bejlerëve të Borshit, sekretar etj.

Gjermanët e përcillnin me vëmendje veprimtarinë e organizatave “Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës” dhe “Lidhja Popullore e Shqiptarëve”. Në programin e “Lidhjes Popullore” në rend të parë theksohej qëllimi dhe strategjia për bashkimin e të gjitha trojeve etnike. Fjalët se “Vetëm me bashkimin dhe vëllazërimin e plotë të gjithë kombit dhe trojeve etnike, me rritjen e vetëdijes kombëtare mund të shpëtojë kombi shqiptar dhe kultura kombëtare” i përsëriste shpesh e i përsëriti edhe në Asamblenë Kombëtare më 1943, me rastin e zgjedhjes kryeministër i Shqipërisë. Në një mbledhje të tri palëve të interesuara (gjermane, serbe e shqiptare), që u mbajt në Krelevë, morën pjesë Rexhep Mitrovica e Vehbi Frashëri, për administratën Ago Agai, dhe Xhafer Deva, i cili nuk kishte detyrë të caktuar.

Delegacioni shqiptar, pas akuzave të ministrit Aqimoviq për gjoja vrasjet që bënin shqiptarët mbi serbët, ofroi të dhëna relevante me të cilat dëshmohej se kjo ishte një gënjeshtër e kulluar sebe. Rexhep Mitrovica dhe Xhafer Deva nxorën 20-30 fotografi të shqiptarëve të masakruar dhe të hedhur në Ibër (1941), duke dëshmuar se shqiptarët janë ata që kanë përsuar nga kriminelët serbë. Bedri Pejani pohon se bashkë me Rexhep Mitrovicën, Ali Dragën, Vehbi Frashërin e Kudret Kokoshin kanë qenë edhe disa herë të tjera në Beograd, ku kanë paraqitur pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre për moscopëtimin e Kosovës. Në një mbledhje tjetër që u mbajt në Podujevë midis palës shqiptare dhe asaj serbe e ku palën serbe e përfaqësonte Vojvoda Kosta Peqanci, komandant i çetnikëve në kufi, u gjykuan sulmet dhe masakrat e çetnikëve në kufijtë veriorë të Kosovës.

Me rastin e festës së 28 nëntorit më 1941, për herë të parë në Mitrovicë kremtuan bashkërisht në mënyrë madhështore nxënësit, qytetarët, gratë e veshura bukur të familjeve muslimane e katolike. Në këtë kohë gjermanët urdhëruan që të burgosën çifutët e romët (gabelë e arixhinj) me origjinë nga Egjipti, mirëpo, pas ndërhyrjes së Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës, Ago Agait e Vehbi Frashërit, ky vendim nuk u zbatua, përkundrazi, iu mundësua çifutëve që përmes korridorit të sigurt nëpër Drenicë, të tërhiqen deri në Shqipëri e tutje. Rexhep Mitrovica kishte marrë në dorëzim detyrën e Komandantit të Forcave Vullnetare Shqiptare në trojet e çliruara.

Pos si organizator i veprimeve luftarake, u angazhua me tërë qenien edhe në aksionin për pajtimin e gjaqeve në Kosovë. Punoi e luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare prej sulmeve të forcave çetnike. Kur pa se italianët po i favorizonin forcat malazeze, goditi rënd ushtrinë e tyre duke shpejtuar rrënimin e saj. Kjo veprimtari e tij ra në sy të fashistëve italianë, të cilët në gusht të vitit 1943 e arrestuan. U dënua disa vjet me akuzën “për veprimtari kundër regjimit italian në Shqipëri”. Burgun deri më 13 shtator, bashkë me Bedri Pejanin, Mehdi Frashërin, Xhelal Mitrovicën etj. e vuajti në Porto-Romano afër qytetit të Durrësit. Ndonëse mbi të u ushtrua një dhunë e paparë, ai nuk u përkul, nuk u thye shpirtërisht.

Rexhep Mitrovica-kryetar i parë i Komitetit Qendror të Lidhjes II të Prizrenit

Pas kapitulimit të Italisë më 8 shtator 1943, në Shqipëri u vendosën trupat gjermane të Korpusit XXI e XXII. Gjermanët nderuan Shqipërinë e çliruar, indipendente e të lirë, duke shpallur veten garante të pavarësisë së saj. Komiteti Ekzekutiv i Përkohëshim më 11 shtator 1943 rishpalli pavarësinë. Në krye të këtij Komiteti u emërua Ibrahim Biçaku, i biri i Aqif Pashë Elbasanit.

Në këtë kohë Xhafer Deva udhëtoi menjëherë për në Tiranë me një qëllim të përcaktuar, të çlironte nga kampi i Porto-Romanos afër Durrësir disa prijës të njohur, si Mehdi Frashërin, Rexhep Mitrovicën, Bedri Pejanin, Dr. Xhelal Mitrovicën etj. Pas lirimit më 13 shtator 1943, këto personalitete formuan një përfaqësi për të biseduar në emër të Kosovës me përfaqësuesit e dalluar të Shqipërisë së 1913-ës. U formua grupi prej 22 vetash, i cili hyri menjëherë në bisedime me përfaqësuesin e plotfuqishëm të shtetit gjerman, Dr. H. Nojbaher (Neubacher). Nacionalistët shqiptarë aspironin të ruanin bashkimin e të gjitha viseve shqiptare. Për këtë arsye ata u organizuan politikisht për t’i realizuar synimet kombëtare.

Duke parë se popullata shqiptare në disa vise të Kosovës, sidomos në veri të saj, po kërcënohej seriozisht nga sulmet e çetnikëve nacionalistë serbo-malazezë dhe nga bandat komuniste serbo-malazeze-maqedone, me iniciativën e Xhafer Devës, Asllan Boletinit e Bedri Gjinajt, që të tre nga Mitrovica, pastaj të Musa Shehut, Sheh Hasanit, Lukë Simon Mjedës, Pjetër Vuçajt nga Prizreni, Tahir Zajmit nga Gjakova, Qazim Bllacës nga Suhareka etj. u shtrua nevoja për mbajtjen e një mbledhjeje pikërisht në Prizren dhe zgjedhjes së një Këshilli Ekzekutiv, i cili do të kujdesej për qeverisjen e vendit përkohësisht deri në formimin e ndonjë organi qeveritar që do të dilte nga vullneti i përgjithshëm popullor.

Kjo mbledhje, sipas tyre do të jetë në frymën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe do të quhet Lidhja e dytë e Prizrenit. Mbledhja u mbajt më 16 shtator 1943. Kuvendi u pagëzua njëzërit Lidhja e Dytë e Prizrenit. U zgjodh kryesia në përbërje: Musa Shehu (kryetar), Aqif Bluta (nënkryetar), Rexhep Krasniqi (nënkryetar) dhe Bedri Gjinaj (sekretar).

Në kuvend u bisedua për çështjen e shpalljes së vullnetit të popullit për bashkimin e viseve të Kosovës, Dibrës, Strugës, Ulqinit dhe Tuzit me Shtetin Shqiptar, për bashkimin e prefekturës së Mitrovicës me Shqipërinë, meqë ajo me nënprefekturat e Vushtrrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri ndodheshin nën pushtimin gjerman dhe administratizisht bënin pjesë nën shtetin serb; për organizimin ushtarak të popullit dhe përgatitjen e mbrojtjes së kufijve etnikë; për krijimin e një komiteti Qëndror me seli në Prizren dhe të nënkomitëteve në të gjitha qendrat e tokave të liruara për të drejtuar veprimtarinë e nevojshme të qeverisjes dhe mbrojtjes së vendit; për përpilimin dhe aprovimin e Kushtetutës së organizatës Kombëtare Lidha e Dytë e Prizrenit etj.

Në ditën e dytë, pra më 18 shtator 1943 në sallën e shkollës fillore “Bajram Curri”, ku mbahej kuvendi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, hynë Rexhep Mitroviva, Bedri Pejani, Xhafer Deva dhe Xhelal Mitrovica. Me të hyrë në sallë, delegatët u ngritën në këmbë dhe i përshëndetën me duartrokitje duke thirrur emrat e tyre me rend. Rexhep Mitrovica, i emocionuar nga atmosfera festive që mbretëronte në qytet e sidomos në sallën e dekoruar me flamuj kombëtarë e fotografi të personaliteteve kombëtare, në diskutimin e tij para delegatëve, ndër të tjera, kërkoi që t’i ipet rëndësi e madhe dy pikave kryesore, siç janë:
a) Organizimi ushtarak për mbrojtjen e vendit kundër ndonji masakrimi eventual të popullsisë nga çetat subverzive,
b) Regjistrimi i popullsisë së Kosovës që deri tash asht neglizhue prej qeverivet tona.

Rexhep Mitrovica shpjegon gjerë e gjatë rolin që do të luante në Konferencën e Paqes regjistrimi dhe dokumentat që provojnë se Kosova është shqiptare. Ai u bën apel sidomos arsimtarëve për realizimin e regjistrimit të popullsisë: “Duhet t’ia lëshojmë rrugën punës e jo fjalëve të thata në qoftë se duem me jetue si shtet, si komb, ose si njeri. Lypset kujdesje të mëdha e duhet derdhun shumë mundime në të mbledhunit e dokumentave që kanë lidhje me interesin e jetës sonë të përbashkët. Fundi i luftës duhet të na gjejë krejt kompakt me të gjitha përgatitjet e duhuna për me ju ba ballë çdo kërcënimi a intrige politike që mund të kërkojë sigurimi i lirisë sonë të përjetshme”.

Ky fjalim i zjarrtë që u përshëndet ngrohtë nga delegatët, veprimtaria e tij e mëhershme mjaft e begatshme, vuajtjet që përjetoi në Porto-Romano etj., shin arsyet që i shtyen delegatët më 23 shtator 1943 ta zgjedhin kryetar të Komitetit Qendror, t’i japin besimin që të udhëheqë Lidhjen e Dytë të Prizrenit. Kryesia e Komitetit Qendror përbëhej prej shtatë vetash. Ky Komitet Qendror u kryesua së pari nga Rexhep Mitrovica (18-26 shtator 1943), së dyti nga shkollari e politikani Bedri Pejani (12 tetor 1943 – 26 korrik 1944), dhe së fundi nga intelektuali poliglot Xhafer Deva (fundi i korrikut 1944 – 19 nëntor 1944. Komiteti Qendror nën udhëheqjen e Rexhep Mitrovicës organizoi komitetet qendrore të prefekturave të Prizrenit, të Pejës, të Mitrovicës dhe disa komitete rrethore nëpër nënprefektura.

Lidhja e Dyrë e Prizrenit e kryesuar nga Komiteti Ekzekutiv i zgjedhur nga Kuvendi i shtatorit 1943 iu përvesh punës për organizimin e luftës kundër shkaut në bashkëpunim me qeverinë e Tiranës, e cila ishte bërë një qeveri kombëtare qyshse mori fund aneksimi i Shqipërisë nga Italia fshiste. Komiteti Ekzekutiv i Lidhjes së Dytë të Prizrenit në Kosovë kreu detyrën e qeverisë, në bashkëpunim të ngushtë me nëpunësit e emëruar nga qeveria e Tiranës.

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...