2023-09-28

Albin Kurti, i thotë Edvin Ramës: Kudo në Kosovë e para përgjigjet policia, pastaj KFOR-i dhe EULEX-i

 


Kurti

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka deklaruar se KFOR-i duhet ta marrë nën kontroll veriun.

Me këtë rast, atij i është kundërpërgjigjur kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Në një intervistë për gazetën boshnjake Istraga, Kurti tha se kudo në Kosovë e para përgjigjet policia e pastaj KFOR e EULEX.

Kurti tha se ka nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo formulë nuk duhet ndryshuar.

“Për propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës: “Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. E për sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është vendosur. Kudo në Kosovë e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet ndryshuar”, deklaroi Kurti për Istraga përcjell Klankosova.tv

Kjo intervistës sipas njoftimit të redaksisë së portalit boshnjak pritet të publikohet të dielën.

Slloba i Vogël- Ivica Daçiq në tentativë për ta mbrojtur Radojiçiqin e bën fillimvjeshtën, dimër

 


Milan RADOJICIQ

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendon se nënkryetari i Listës Serbe (subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës), Milan Radojiçiq, është në territorin e shtetit serb, pra është larguar nga Kosova.

Shteti i Kosovës, e konsideron Radojiçiqin, si njeriu që i priu grupit të armatosur e terrorist që me 24 shtator sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i forcave të rendit, Afrim Bunjaku, e u plagos kolegu i tij, Alban Rashiti.

“Ai, (Milan Radojiçiq) gjithsesi do t’i përgjigjet thirrjes së organeve kompetente të Serbisë. Jam i bindur se ai do të jetë i intervistuar. Ai ndodhet në territorin e Serbisë qendrore dhe Serbia me organet e saj gjegjëse do ta bëjnë punën e tyre. Milan Radojiçiq, nuk është i plagosur. Kjo është edhe një gënjeshtër e televizionit N1 dhe politikanit të tyre të preferuar Sveçla (Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës)”, tha Vuciq, për televizionin publik serb RTS.

Vuçiq, thotë se e njeh fort mirë Radojçiqin, por jo edhe pjesëtarët e tjerë të grupit të armatosur që ky nuk i quan terrorist. Kryetari i Serbisë, mohoi që ka informata për qëllimet që i kishte grupi.

Kryetari i Serbisë, disa herë akuzoi ministrin për komunitete e kthim të Kosovës, Nenad Rashiq dhe zëvendësin e tij, Radojica Radomiroviq, për atë që këta të dy thanë rreth ngjarjes që ngjau në Komunën e Zveçanit.

Nga ana e tij ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se nuk e di nëse nënkryetari i Listës Serbe, ishte në Banjskë ditën kritike, por se ai pretendon se në filmimin e shfaqur nga qeveria kosovare ku mendohet se shihet Radojçiq, ka borë, pra sipas Daçiqit videoja është bërë në dimër.

 

Gjendet i vdekur në territorin e Serbisë një shqiptar i Kosovës

 

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka njoftuar se një shtetas i Kosovës, është gjetur pa shenja jete në territorin e Serbisë.

MPJD bën të ditur se rrethanat e vdekjes së tij nuk janë sqaruar ende. Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me vdekje natyrale, aksident apo sulm.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka udhëzuar Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi që të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe veprimet e duhura sa i përket riatdhesimit të trupit të pajetë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e viktimës për t’i ofruar atyre mbështetjen e nevojshme institucionale”, thuhet në njoftim.

Lista Serbe hesht për rolin e Millan Radoiçiçit në sulmin në Banjskë

 

Derisa autoritetet e Kosovës çdo ditë prezantojnë prova se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, është përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë, kjo parti – më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk është deklaruar.

Kjo nuk ka qenë një praktikë e zakonshme deri më tani, sepse kur ndonjë nga zyrtarët kosovarë e ka përmendur Radoiçiçin në kontekst negativ, Lista Serbe do të shfaqte qëndrimin në mbrojtje të nënkryetarit të saj.

A po distancohet këtë herë Lista Serbe, përmes heshtjes, nga Millan Radoiçiçi?

Lidhur me këtë pyetje, Radio Evropa e Lirë (REL) nuk ka mundur të marrë përgjigje nga zyrtari i kësaj partie. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe zëvendësi i tij, Igor Simiq, nuk përgjigjen në telefon dhe as ndaj mesazheve. As zyrtarët tjerë të kësaj partie, nga komuna të ndryshme me shumicë serbe, nuk ishin të qasshëm.

Në një prononcim për REL-in, Ognjen Gogii, politolog nga Beogradi, vlerëson se Lista Serbe kësaj radhe nuk është deklaruar, për shkak se “nuk ka çfarë të thotë” dhe se “ende nuk di se si të pozicionohet ndaj tij”.

Autoritetet e Kosovës e cilësuan Millan Radoiçiqin si organizator dhe pjesëmarrës të sulmit ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, më 24 shtator. Një grup personash të armatosur dhe të maskuar, vranë policin Afrim Bunjaku dhe më pas policia vrau tre sulmues të nacionalitetit serb. Mirëpo, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se Lista Serbe si parti politike nuk mund t’i bartë pasojat e veprimeve të individëve, në qoftë se distancohet prej tyre.

Pse nuk reagon Lista Serbe?

Politologu Ognjen Gogiq thekson se Lista Serbe nuk merr vendime në mënyrë të pavarur dhe se në fakt po pret që Beogradi zyrtar të shprehë fillimisht qëndrimin e tij për përfshirjen e Radoiçiqit në sulmin në Banjskë.

Lista Serbe u themelua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Që atëherë, me mbi 90 për qind të mbështetjes, ajo ka fituar pothuajse në të gjitha zgjedhjet lokale apo parlamentare në Kosovë.

“Kur Beogradi të vendosë se si do të pozicionohet ndaj Millanit (Radoiçiq), ashtu do të pozicionohet dhe do të reagojë edhe Lista Serbe. Ajo që e dallon këtë situatë nga të gjitha të tjerat është se kemi prova, pra, është shfaqur një video, në të cilën shihet qartë Millan Radoiçiqi në portën e manastirit, me uniformë”, thekson ai.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, më 26 shtator publikoi një video të bërë nga droni me pretendimet se tregon rolin e Radoiçiqit në konfliktin e armatosur me policinë në Banjskë. Një ditë më herët, duke folur për sasinë e madhe të armëve të gjetura, Sveçla tha gjithashtu se policia ka gjetur dokumente që vërtetojnë lidhjen dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Radoiçiqit në aksion.

Kosova: Duam hetim ndërkombëtar! Rezoluta e Kuvendit kërkon ekstradimin e terroristëve

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës, seancën e së enjtes e ka nisur me një minutë heshtje në nderim të rreshterit Afrim Bunjaku i cili u vra në sulmin terrorist të dielën e 24 shtatorit.

Këtë sulm e ka dënuar Kuvendi duke e quajtur sulm terrorist të shtetit të Serbisë ndaj Policisë së Kosovës, e me një rezolutë kërkon hetim ndërkombëtar.

“Kuvendi i Kosovës e dënon në termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës me datën 24 shtator 2023 si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raportet me organizimin dhe mbështetjen që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri”, tha Glauk Konjufca – Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti kërkon ndëshkimin ndërkombëtar të Serbisë për sulmin terrorist të cilit i priu nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq.

“Sulmuesit te cilët arritën të ikin duhet të ekstradohen, duhet të dorëzohen në organet e Republikës së Kosovës. Organizatat terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” duhet të shpallen organizata terroriste edhe nga vendet mike, ashtu siç bëri edhe Kosova”, tha Kurti.

Në këtë qëndrim atij i janë bashkuar edhe dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Prandaj sot para se gjithash është e rëndësishme që Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve që planifikuan dhe realizuan sulmin mbi shtetin tonë. Në këtë aspekt kërkojmë edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”, tha Memli Krasniqi, kryetari i PDK.

“Si përgjigje ndaj këtij sulmi institucionet tona kishin dhënë përgjigjen më të mirë të mundshme. Në bashkërendim me aleatë, me profesionalizëm më të lartë të mundshëm, e me guxim patriotik ndaj Republikës, e diela e nisur me tragjedi u shndërruar në ditë triumfi ndaj terrorit”, tha kryetar i LDK, Lumir Abdixhiku.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lënë fajtor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për situatën e krijuar.

“Mashtrimi nuk kalon qe dy vjet jemi mashtruar, qe dy vjet jemi mashtruar nga mashtruesi, zhvillimet kanë shkuar në drejtimin e gabuar për fajin e këtij njeriu”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

Rreth orës 2:30 mëngjesin e së dielës Policia e Kosovës është sulmuar nga një grup terrorist i prirë nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit.

Në krye të detyrës ra rreshteri Afrim Bunjaku e u plagos Alban Rashiti, ndërkohë Policia e Kosovës ka arrestuar tre terroristë e ka neutralizuar tre të tjerë.

Diverzantët- terroristët erdhën në Kosovë nga Serbia

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Kosova po heton për përfshirjen e mundshme të Rusisë në sulmin ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit.

Më 24 shtator, rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë dhe disa policë u plagosën, pasi autoritetet e rendit u sulmuan nga një grup i armatosur. Po ashtu, tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Kosova për këtë sulm, që e cilëson terrorist, e ka fajësuar Serbinë. Beogradi ka mohuar se ka gisht në ngjarjet në Banjskë të Zveçanit.

Sveçla tha në një intervistë për Associated Press se hetuesit janë duke shikuar provat që e lidhin Rusinë – aleaten e Serbisë – me sulmin e armatosur. Armët ruse dhe pajisjet e dokumentet e tjera sugjerojnë për përfshirjen ruse në sulmin e armatosur, tha ai.

“Ajo çka e dimë sigurt është se [sulmuesit] erdhën nga Serbia. Disa prej tyre janë serbë të Kosovës, që kanë shtetësi të dyfishtë – të Kosovës dhe Serbisë – dhe sipas informacioneve nga inteligjenca jonë, ata ishin trajnuar në kampet në Serbi”.

“Kemi gjetur disa dokumente që na bëjnë të dyshojmë se ka pasur individë nga Rusia po ashtu”, tha ai. “Sa u përket pajisjeve, ne kemi dëshmi, por sa u përket individëve, ne ende kemi vetëm dyshime”.

Në Perëndim ka frikë se Rusia, duke vepruar përmes Serbisë, mund të synojë destabilizimin e Ballkanit dhe të shpërqendrojë vëmendjen nga pushtimi i saj i Ukrainës. Rusia ka ofruar mbështetje për Serbinë pas sulmit në Banjskë, duke e akuzuar Perëndimin se ka dështuar që të mbrojë serbët e Kosovës.

Sveçla tha se bazuar në dëshmitë e mbledhura dhe pamjeve të incizuara me dron, disa nga sulmuesit, që ai iu referua si “terroristë”, mbanin maska gjatë operacionit.

“As anëtarët e grupit që u arrestuan nuk e dinin se kush ishin ata”, tha ai. “Pra, ata ose janë zyrtarë të lartë të sektorit të sigurisë së Serbisë, ose kanë ardhur direkt nga Rusia”.

Sipas Sveçlës, qëllimi i operacionit dukej se ishte marrja nën kontroll e veriut të Kosovës me synimin final që të shkëputjes së kësaj zone – e banuar me shumicë serbe – nga pjesa tjetër e shtetit.

“Ata kishin mbi 100 uniforma. Ata po planifikonin që të rekrutonin më shumë persona brenda [komuniteteve] ku jetojnë serbët… Institucionet e Kosovës më pas do të duhej të përballeshin me disa qindra terroristë, sipas skenarit që ata kishin planifikuar”.

Ai i bazoi këto pretendime edhe në bazë të armatimeve të shumta që tha se Policia gjeti në Banjskë.

Sipas Sveçlës, rreziku për një kryengritje të re nuk ka kaluar.

“Nuk kemi përleshje, por kemi informacione se trajnimi i terroristëve të tillë po vazhdon në Serbi”, tha ai.

“Në Kosovë ka ende persona që janë pjesë e këtij grupi”, tha Sveçla për AP-në.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Sveçla më herët ka prezantuar pamje me dron, duke thënë se në to shfaqet nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, i armatosur në Banjskë. Zyrtari kosovar tha thënë se Radoiçiç ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin e 24 shtatorit.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se Radoiçiç gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje. Ai megjithatë ka thënë se nuk e di se cili ka qenë qëllimi i grupit që kreu sulmin në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë

Beogradi mund të ndëshkohet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë krah për krah me Europën për qëndrimin ndaj Albin Kurtit për dështimin e dialogut, por tashmë “rolet” mund të ndryshojnë.

The Guardian zbulon se administrata Biden po heton përfshirjen e Beogradit në njësinë paraushtarake dhe po përpiqet të zbulojë misionin e saj në sulmin terrorist të së dielës, ku humbi jetën një polic i Kosovës.

Nëse Vuçiç zbulohet se ka qenë i përfshirë, kjo mund të ndryshojë qasjen e SHBA dhe BE ndaj Kosovës, të cilën e kanë kritikuar për çështjen e dialogut me Serbinë.

Kjo gjithashtu mund të çojë në sanksione ndaj Serbisë, shkruan The Guardian.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka deklaruar se ky sulm ka kaluar vijën e kuqe dhe perëndimi nuk mund ta tolerojë.

“Është gjithnjë e më e qartë se ka pasur një skenar për të provokuar një konflikt në mënyrë që ushtria serbe të hyjë për të mbrojtur popullin serb në veri dhe kështu të zbatojë ndarjen e Kosovës. Ky operacion, pavarësisht se kush është drejtpërdrejt përgjegjës për të në Beograd, ka kaluar një vijë të kuqe që perëndimi nuk mund ta tolerojë. Kjo situatë nuk është provokuar nga Kurti, siç komentojnë shumica në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri dhe policia e Kosovës tregoi profesionalizëm”, tha Sonja Biserko.