Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendon se nënkryetari i Listës Serbe (subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës), Milan Radojiçiq, është në territorin e shtetit serb, pra është larguar nga Kosova.
Shteti i Kosovës, e konsideron Radojiçiqin, si njeriu që i priu grupit të armatosur e terrorist që me 24 shtator sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i forcave të rendit, Afrim Bunjaku, e u plagos kolegu i tij, Alban Rashiti.
“Ai, (Milan Radojiçiq) gjithsesi do t’i përgjigjet thirrjes së organeve kompetente të Serbisë. Jam i bindur se ai do të jetë i intervistuar. Ai ndodhet në territorin e Serbisë qendrore dhe Serbia me organet e saj gjegjëse do ta bëjnë punën e tyre. Milan Radojiçiq, nuk është i plagosur. Kjo është edhe një gënjeshtër e televizionit N1 dhe politikanit të tyre të preferuar Sveçla (Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës)”, tha Vuciq, për televizionin publik serb RTS.
Vuçiq, thotë se e njeh fort mirë Radojçiqin, por jo edhe pjesëtarët e tjerë të grupit të armatosur që ky nuk i quan terrorist. Kryetari i Serbisë, mohoi që ka informata për qëllimet që i kishte grupi.
Kryetari i Serbisë, disa herë akuzoi ministrin për komunitete e kthim të Kosovës, Nenad Rashiq dhe zëvendësin e tij, Radojica Radomiroviq, për atë që këta të dy thanë rreth ngjarjes që ngjau në Komunën e Zveçanit.
Nga ana e tij ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se nuk e di nëse nënkryetari i Listës Serbe, ishte në Banjskë ditën kritike, por se ai pretendon se në filmimin e shfaqur nga qeveria kosovare ku mendohet se shihet Radojçiq, ka borë, pra sipas Daçiqit videoja është bërë në dimër.