2023-09-28

“Projekti Handke”, drama e cila flet për gjenocidin serb, fituese në Francë

 


the handke project

Këtë të martë në emisionin “Ora e Pasdites” u diskutua për dramën e cila flet për gjenocidin serb, fituese në festivalin e famshëm të teatrove në Francë.

Autori i shfaqjes, dramaturgu Jeton Neziraj ishte mysafiri i sotëm, i cili shpalosi rrëfimin e tij për shfaqjen “Projekti Handke”, por edhe për çmimin fitues, duke qenë në konkurrencë me 400 garues.

Në këtë shfaqje me regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, zhvishet krejtësisht shkrimtari austriak Peter Handke, i cili ka mohuar gjenocidin që shteti serb ka kryer në Bosnjë e Hercegovinë.

“Për mua është e rëndësishme që është shpërblyer kjo dramë, sepse flet për një temë kontroverse nëse e marrim në kuptimin përtej regjionit, ngase në Bosnjë dhe Kosovë qëndrimet janë gati të unifikuara, dhe aty nuk ka shumë dilema. Megjithatë, në Evropë, në qarqe të ndryshme, në mesin e intelektualëve dhe mediave është diskutuar shumë rasti i Peter Handke, sidomos pas marrjes së çmimit Nobel”, u shpreh fituesi i çmimit që jepet për dramaturgët e huaj në festivalin e Francës, “Journees de Lyon des Auteurs de Theatre”.

Autori, në studio me moderatoren Njomza Aliu – Kajtazi, shpalosi shumëçka tjetër rreth shkrimit të dramës, dhe analizave të bëra deri në finalizim të kësaj shfaqjeje.

Shfaqja “Projekti Handke”, ka bërë që shteti serb ta shënjestrojë dramaturgun Jeton Neziraj për “provokime të rrezikshme”, ani pse ky edhe së fundi fitoi çmimin kryesor në Mal të Zi.

“The Handke Projekt” me autor dramaturgun Jeton Neziraj dhe përkthyer në frëngjisht nga Sebastien Gricourt, ka marrë Çmimin për dramën më të mirë të huaj në konkursin më të madh të Francës, “Journées de Lyon des Auteurs de Théâtre”.

Por, për të kuptuar më saktësisht se si i mori autori këto reagime, klikoni në linkun e mëposhtëm.