Thonë që fjalorët janë librat më të mirë që mund të
shkruhen për gjuhën. Sepse fjalorët janë fryt i një pune të ngulët për qëmtimin
e njësive që do të përbëjnë korpusin e tij, punë e cila zgjat me vite e vite të
tëra, në mos me dhjetëvjeçarë. I tillë është rasti edhe i “Fjalorit
frazeologjik të gjuhës shqipe”, që po i vihet në dorë lexuesit, i cili e ka
zanafillën gjysmë shekulli më parë, kur prof. Eshref Ymeri nisi punën për
vjeljen e shprehjeve frazeologjike të gjuhës shqipe nga disa qindra vepra
letrare, publicistike e politiko-shoqërore.
Ky është fjalori i pestë
frazeologjik i prof. E. Ymerit. Katër të tjerët janë gjuhë e huaj - shqip
(italisht-shqip - me bashkautorë, rusisht-shqip, anglisht-shqip e frëngjisht- shqip
- ky i fundit me bashkautor). Të pesë fjalorët janë të mëdhenj. Në katër të
parët, frazeologjia e shqipes ballafaqohet denjësisht me frazeologjinë e katër
gjuhëve të mëdha botërore.
Në Fjalorin e tanishëm,
shqipja “ballafaqohet” me vetveten - me pasurinë e saj të madhe frazeologjike,
me sinoniminë e variantësinë e saj të gjerë. Fjalori mund të vlerësohet
denjësisht edhe si Fjalor frazeologjik sinonimik i gjuhës shqipe.
Një nga detyrat e gjuhësisë
sonë është ngritja e kulturës gjuhësore të popullit. Fjalori i prof. Eshref
Ymerit mendojmë se e përmbush më së miri këtë detyrë. Përdoruesi e ka rrugë të
shtruar Fjalorin për të gjetur të gjitha grupet semantike - ato që kanë të
bëjnë me tipare fizike a morale të njeriut, me veprime a mosveprime të njeriut,
me veprime a punë të pamenduara të njeriut, me marrëdhëniet ndërmjet njerëzve
etj. Mjafton që përdoruesi i Fjalorit të shkojë te fjala bosht e frazeologjisë
(p.sh., te zemër, te dërrasë, te masat etj.) dhe do të gjejë thesarin - të
gjitha shprehjet - kryesisht sinonimike. Po t’i veçonim grupet semantike, do të
kishim disa minifjalorë frazeologjikë. Për dashatarët e fjalëve të urta e të
fjalëve fluturake Fjalori është udhërrëfyesi i duhur. Letërsia artistike është
zakonisht trualli ku gjejnë përdorim stilistik frazeologjitë a fjalët e urta,
sepse në të ka vend më shumë roli shprehës i gjuhës. Natyrisht, kjo varet nga
gjinia e veprës letrare, nga individualiteti i shkrimtarit, nga tipi i
frazeologjisë etj. Dhe shkrimtarët kanë një ndihmëtar shumë të vyer te Fjalori
frazeologjik i prof. Eshrefit. Po aq ndihmë ka edhe për publicistët.
Njësitë frazeologjike e
fjalët e urta janë të rëndësishme jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si
burim të dhënash shoqërore për kulturën materiale dhe shpirtërore të popullit.
Për këtë arsye pasqyrimi i tyre në fjalorë është i vlefshëm edhe për folkloristin,
etnografin e sociologun. Në Fjalor, përdoruesi do të gjejë mjaft frazeologji që
kanë të bëjnë me mjeshtëri e zeje popullore, me festa popullore, me
etnografizma (shih, p.sh., lulja e dasmës “degë lisi e zbukuruar me lule etj.
që vihet mbi çatinë e shtëpisë si shenjë gëzimi a gazmendi kur merret nusja”) e
festa popullore etj.
Në Fjalor përfshihen, siç
u tha, edhe fjalë të urta. Shih në Fjalor: burri s’matet me pëllëmbë, po me
zemër; vër zemrën atje ku jep fjalën! kush u martua e s’u gëzua, s’bëhet lundra
me dru marene. Edhe fjalët e urta konsiderohen mjet gjuhësor. Ato janë
karakteristikë e gjuhës së gjallë bisedore. Klasifikimi i tyre tipologjik bëhet
në gjuhësi e jo në folkloristikë, çka do të thotë se ato e kanë vendin në
fjalor. Ndryshe nga njësitë frazeologjike, fjalët e urta kanë strukturë më
konservative, domethënë, përgjithësisht ato funksionojnë në ligjërim me
kontekste të caktuara sintaksore, pothuajse të pandryshueshme e të
papërpunueshme. Stilistikisht, ato përdoren në mënyrë ballësore, domethënë, në
të gjitha stilet funksionale (në letërsinë artistike, në publicistikë, në
letërsinë shkencore-popullarizuese etj.).
Në Fjalor ka edhe fjalë
fluturake (shih, p.sh., koha është pará / flori). Fjalët fluturake janë
fakte ligjërimore me karakter përgjithësues - të drejtpërdrejtë ose të
figurshëm. Janë modele letrare. Prandaj, ashtu si fjalët e urta, edhe ato e
kanë vendin në fjalor.
Fjalori është filologjik.
Jepet fjala bosht (me shkronja të mëdha) dhe pastaj njësia (a njësitë)
frazeologjike me shpjegimin leksikografik. Tipologjikisht, Fjalori është
diferencor (krahasimi bëhet me një fjalor të përgjithshëm shpjegues). Ai nuk shpjegon
fjalët. Ai shpjegon frazeologjitë. Edhe brenda vetes, Fjalori është diferencor:
Ai përfshin njësi
frazeologjike aktive, domethënë, që janë të gjuhës së njësuar letrare shqipe.
Në një fjalor
frazeologjik, edhe renditja e njësive brenda vargut ka vlerën e vet. Ajo ka të
bëjë me vendosjen e lidhjeve të një njësie frazeologjike me njësi të tjera frazeologjike
brenda sistemit të gjuhës. Në një fjalor frazeologjik, edhe shtypshkrimi ka
vlera përdalluese. Prandaj Fjalori paraprihet nga një Hyrje, shkruar nga autori
me kulturë leksikore, e cila i tregon përdoruesit ç’është ky Fjalor e si është
ky Fjalor dhe si duhet përdorur ky Fjalor.
Njësia frazeologjike
është njësi semantike funksionalisht e afërt me fjalën, por më e ndërlikuar se
fjala. E ç’është atëherë njësia frazeologjike? Cili është vëllimi i saj? Deri
ku shkojnë kufijtë e njësisë frazeologjike? Cili është roli i tyre
komunikues-funksional? Cili është tipari i tyre stilistik? Si përdallohet
shprehësia e tyre emocionale? Si përdallohen vargjet frazeologjike sipas rolit
komunikues-funksional të njësive? Për këtë ka një koncept të ngushtë a shumë të
ngushtë. Ka edhe një koncept të gjerë a shumë të gjerë. Autori ka anuar nga
koncepti i gjerë. Shpjegimi i njësisë frazeologjike në Fjalor bëhet sipas
funksionit sintaksor.
Sinonimet frazeologjike
përdoren (në shpjegim) si plotësuese. Shih, p.sh. ta shet shkumën për ajkë dhe
pastaj ta shet sapunin për djathë. Njëherësh, ato janë me vlerën që ka sinonimi
si mjet gjuhësor. Sipas hierarkisë së tyre, sinonimi është edhe me vlerë
stilistike. Krahaso ta shet shkumën për ajkë dhe të hedh (të shtie) trutë e
gomarit. Kur njësia frazeologjike ka më shumë se një kuptim, përdoren numrat.
Veçoria stilistike e njësisë jepet me shënime stilistikore (shak - me shaka, përb
- me ngjyrim përbuzës etj.).
Veçoria ligjërimore është
dhënë me shënimet libr - librore, bis - bisedore, thjeshtligj - e ligjërimit të
thjeshtë etj. Në disa njësi frazeologjike që janë ndërkombëtarizma e lidhen me
histori, personalitete historike, mitologji etj., jepet edhe shpjegim plotësues
enciklopedik. Shih, p.sh., te ahur, Albion, ar etj. Për përdoruesin e Fjalorit
ky shpjegim është shumë i këndshëm.
Duam të përveçojmë tri
pasuri të mëdha të gjuhës shqipe që na vijnë në Fjalorin e prof. Eshref Ymerit.
Ato janë: sinonimia frazeologjike, variantësia frazeologjike (këtu vijnë edhe
fjalët e urta) dhe bashkë me to e brenda tyre - frazeologjia popullore dhe
fjalët e urta popullore. Autori ka qëmtuar e vjelë me kujdes e me dashuri të
veçantë dhe ka krijuar një kartotekë vetjake vigane. Dhe kjo lëndë na vjen e
përzgjedhur dhe e situr aq imët. Në Fjalor ka njësi frazeologjike me mbi 30
sinonime. Prandaj, siç u shprehëm më sipër, Fjalori mund të quhet mirëfilli
Fjalor frazeologjik sinonimik i gjuhës shqipe.
Sinonimia frazeologjike
është pasuri e pakufishme për zhvillimin e sistemit stilistik të shqipes,
sepse, sa më shumë njësi frazeologjike të ketë në përdorim, aq më shumë ato
mund të dallohen stilistikisht. Fjalori i prof. Eshrefit ia sjell shkrimtarit e
publicistit këtë pasuri të renditur alfabetikisht.
Variantet frazeologjike
janë po aq pasuri e pakufishme e shqipes. Në Fjalor ka dhjetëra e dhjetëra
variante frazeologjike. (Shih, p.sh., vetëm te fjala titull zavë / zavëz
- një fjalë jo dhe aq e njohur). Pasuria e tyre është te mënyra e ndërtimit dhe
e motivimit të njësisë frazeologjike, që vjen nëpërmjet ndryshimit të
përbërësve kuptimorë (krahaso: të shtie në lak dhe të shtie në kllapë; të fut
në ujë dhe të nxjerr pa lagur dhe të fut në lumë... dhe të fut në pus... dhe të
fut në det). Dhe variantësia frazeologjike e shpëton shkrimtarin e publicistin
nga monotonia ligjërimore. Siç dihet, pothuajse shumica e njësive frazeologjike
janë popullore. Pse? Sepse për nga burimi janë krijime të popullit; për nga
gjymtyrët përbërëse, janë fjalët e fondit themelor dhe fjalët më të zakonshme e
më të njohura. Gjuha letrare “i zgjedh” njësitë leksikore e semantike (fjalët
dhe kuptimet) krahinore popullore dhe merr e përvetëson ato që i sjellin vlera
pozitive. Me njësitë frazeologjike e fjalët e urta puna është ndryshe:
Gjuha letrare i merr këto
pa kufizime (sigurisht, pas një përpunimi drejtshqiptimor, drejtshkrimor e
gramatikor). Bie fjala, pse të mos e marrë gjuha letrare frazeologjinë (me
prejardhje krahinore) flet si miza në shytkë? Dhe sa më shumë njësi
frazeologjike të ketë, aq më shumë shtohet sinonimia frazeologjike ose
variantësia frazeologjike (ngaqë e njëjta frazeologji na vjen me gjymtyrë të
ndryshme përbërëse) e siç u tha, aq më shumë zhvillohet sistemi stilistik i
shqipes dhe aq më shumë mund të dallohen stilistikisht njësitë frazeologjike
(krahaso: i ra hunda dhe i ra lafsha). Këtej vjen edhe një nga vlerat e
frazeologjisë popullore e në këtë hulli, edhe e botimeve si ky Fjalor.
Profesor Eshrefi e njeh
aq mirë ligjërimin popullor dhe na e sjell po aq mirë në Fjalor. Shumica e
njësive frazeologjike, përveç kuptimit (leksikor) objektiv, kanë edhe ngjyrim
shprehës-emocional. Ai është ngjyrim kuptimor plotësues dhe e shoqëron gjithnjë
kuptimin (themelor) të njësisë frazeologjike. Madje, janë figurshmëria dhe shprehësia
e njësisë frazeologjike ato që e fuqizojnë përdorimin e saj në gjuhë (krahaso: të
ha me gjithë opinga). Fjalori na vë përpara tërë atë lëndë e gjithë ato
sinonime për të parë e studiuar si ndodh përtëritja e ngjyrimit
shprehës-emocional me përtëritjen e formës së brendshme të frazeologjisë.
Kemi përshtypjen që nuk
janë studiuar shumë veçoritë stilistike të njësive frazeologjike të shqipes.
Ekzistenca në gjuhën letrare shqipe e njësive frazeologjike, ku vargu sinonimik
shkon deri në dhjetë e më shumë njësi (në këtë Fjalor deri në 40), të cilat
kanë edhe variante, krijon mundësi për zhvillimin e sistemit stilistik, sepse stilistika
në fushën e togfjalëshave të qëndrueshëm nuk është gjë tjetër, veçse zgjedhje. Dhe
sa më shumë njësi frazeologjike e variante frazeologjike të ketë në qarkullim,
aq më shumë ato fitojnë dallime stilistike e aq më shumë ka vend për të
zgjedhur. Dhe ky Fjalor na vë përpara aq shumë frazeologji sinonime e variante,
tubuar leksikografikisht, të cilat me emocionalitetin, me shprehësinë dhe me
mënyrën e tyre të përdorimit, na japin mundësi t’i studiojmë më shumë veçoritë
stilistike të njësive frazeologjike të shqipes në ligjërimin bisedor, në
publicistikë etj.
Fjalori është i madh. Dhe
sa më i madh të jetë një fjalor frazeologjik, aq më i vështirë është shpjegimi,
përcaktimi e përveçimi a tubimi i sinonimeve dhe i varianteve frazeologjike.
Edhe t’i gjesh vend një njësie frazeologjike është e vështirë. Autori e ka bërë
shumë mirë këtë punë. Sinonimet janë në vendin e vet. Secili variant është në vendin
e vet. Renditja alfabetike është siç duhet. Prin fjala bosht e njësisë
frazeologjike.
Shpjegimet për kuptimin e
njësive frazeologjike janë të sakta e të qarta. Dhe frazeologët kanë në Fjalor
të gjithë tipat e frazeologjive. Leksikologët dhe leksikografët mund të shohin
në Fjalor modelet strukturore-semantike te variantet e njësive frazeologjike, domethënë,
siç u tha, te variantet që kanë semantikë të përbashkët dhe figurshmëri të njëjtë,
por që kanë të ndryshme gjymtyrë të veçanta (tipi u dogj nga qulli / qumështi e
i fryn kosit). Në këtë variantësi dhe, përgjithësisht, te frazeologjia e te ky
Fjalor frazeologjik, dialektologu mund të zbulojë edhe bashkëmarrëdhëniet
ndërkrahinore të njësive frazeologjike dhe të përcaktojë saktë arealet
frazeologjike; etnografi - sende e dukuri; etimologu - etimologji të
frazeologjive.
Fjalori është për të
gjithë - për shkrimtarët dhe publicistët, për mësuesit dhe studentët - për të
gjithë ata e ato që duan ta ngrenë më lart ligjërimin e tyre të folur e të
shkruar. Fjalori na nxit për ta njohur më thellë pasurinë frazeologjike të
gjuhës shqipe e sidomos të ligjërimit popullor. Ai na nxit fort ta gjurmojmë e
ta mbledhim frazeologjinë popullore. Ai na nxit ta përvetësojmë frazeologjinë e
ta rritim kulturën tonë gjuhësore, edhe duke e zbukuruar të folurit tonë me
përdorimin e frazeologjive.
Tiranë,
qershor 2022