2024-02-15

Oruelli rikthen vëmendjen e lexuesve.

 


Një garë e fortë mes librave të zhvillimit personal, biznesit dhe romanit në zhanre të ndryshme. Tre autorë shqiptarë përfshihen në top-12-shen më të lexuar. Oruelli rikthen vëmendjen e lexuesve. Shtohen lexuesit në zhanrin mister & thriller. Ja titujt më të kërkuar të vitit tek Bukinist.al

Viti 2022 ishte plot sfida në tregun e librit. Pikërisht, për këtë arsye, lexuesit e përdorën librin për të kapërcyer pengesat e momentit, gjë që reflektohet qartë edhe në titujt më të shitur të vitit tek platforma më e madhe online e librit, Bukinist.al. Alarmi për një krizë të fortë financiare shtoi interesin për librat e financave personale; – këtu gjendet edhe interesi në rritje për librin “Babai i pasur, babai i varfër” i Robert Kiyosakit, mentorit të financave personale dhe investimeve, të cilit shtëpia botuese “Argeta LMG” i ka sjellë edhe 4 tituj të tjerë në gjuhën shqipe:

Nisja e luftës dhe vazhdimi i pandemisë rriti vëmendjen për filozofinë stoike; Libri i Mark Aurelit, “Meditime” por edhe librat e tjerë të Epictetusit apo Senekës, përfshirë edhe neo-stoikët u pëlqyen nga lexuesit tanë duke ndikuar në një mënyrë të menduari stoike në rrethana të pazakonta:

Shfaqja e autoritarizmit në disa vende të botës riktheu vëmendjen për letërsinë distopike, dhe veçanërisht për romanin kult të këtij zhanri “1984”, sjellë në shqip nga Sokol Çunga.  Realiteti oruellian vazhdon të jetë gozhdues që prej fillimit të pandemisë, dhe me konfliktin në Rusi, prandaj ky roman, përtej vështirësve të kuptueshme në receptim, ka pasur një sukses të pazakontë tek lexuesit shqiptarë.

Duke iu referuar të dhënave që kanë dalë tashmë nga platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al, tashmë tregu i librit në Shqipëri po përafrohet gjithnjë e më shumë me shijet dhe kërkesat që ka edhe tregu global. Mbretëresha e bestsellerit në botë, Colleen Hoover-i është e tillë edhe në Shqipëri. Romani “Mbaron me ne” kryeson listat për më shumë se 12 muaj. Me një ritëm të shpejtë po lëviz edhe romani i sapohedhur në qarkullim “Fillon me ne” dhe romanet e tjera të kësaj autoreje, si “Verity”, “Dashuri e shëmtuar”, “9 nëntori”, etj.

Top-lista e këtij viti ka shënuar rezultate pozitive edhe për letërsinë shqipe. Lea Ypi me librin autobiografik “Të lirë”, pas suksesit që pati në tregjet globale, ngjalli interesin e jashtëzakonshëm edhe tek lexuesit në Shqipëri. Kjo ndodhi për faktin se riktheu debatet për sistemin komunist dhe mungesën e botës së ideve në mjedisin shqiptar gjatë tri dekadave post-komunizëm të tranzicionit. “Pallati i ëndrrave” mbetet një librat më të mirë të shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare dhe si i tillë u vlerësua edhe gjatë vitit.

Rritje të madhe të interesit ka pasur për Tom Kukën me romanin “Flama”, me të cilin fitoi edhe çmimin europian të letërsisë. Tashmë, ky autor me librat e tij ka fituar interesin e lexuesit tonë.

Bestseller-at e dy dekadave të fundit vazhdojnë të mbajnë pezull interesin e lexuesve: Khaled Hosseini me “Gjuetari i balonave”, “Harry Potter dhe guri filozofal” i J. K. Rowling, por edhe Delia Owens me “Atje ku këndojnë karavidhet” vazhdojnë të jenë mes titujve më të kërkuar.

Tek lexuesi shqiptar ka një rritje të vëmendjes për romanet e zhanrit “mister & thriller” dhe mes tyre, viti 2022 do të mbahet për romanin “Gjëja e fundit që më tha ai” i autores Laura Dave, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Bota Shqiptare.

Mes historianëve dhe mendimtarëve të kohës tonë, Yuval Noah Harari vazhdon të ketë pëlqimin e lexuesit shqiptar për mënyrën sesi rrëfen të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e qenies njerëzore. Me librin “Sapiens”, i botuar nga Botart, Harari ka sfiduar të gjithë histori-shkruesit e njerëzimit dhe vazhdon të kryesojë listat edhe në Shqipëri.

“Përtej vështirësive që pati tregu i librit gjatë vitit 2022, platforma Bukinist vazhdoi të ketë rritje domethënëse krahasuar edhe me vitet e kaluara”, – thotë menaxheri Albert Gjoka. Sipas tij, “rritja e konkurencës po ndikon në përmirësimin e shërbimit për lexuesin, rritjen e standardeve në menaxhim dhe marketing, si dhe shtimin e kategorisë së librave”.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...