Nga Flori Bruqi
Kulla e Tahir Mehës në Prekaz
Tahir Meha (lindur më 10 tetor 1943 në Prekaz, Drenicë – vdiq më 13 maj 1981) ishte shqiptar nga Kosova, aktivist politik dhe kundërshtarë i regjimit serb (jugosllavë) në Kosovë.
Tahiri vjen nga një familje e aktivistëve që kishin ndikim edhe jashtë rrethit ku banonin. Familja e tyre ishte e njohur për aktivitete politike kundër sistemit të regjimit, dukuri jo e rrallë në Prekaz të Drenicës.
Familja e tyre ishte e njohur për kullën e Mehajve, e të atit Nebihut.
Tahiri i është kundërvënë edhe me forcë sistemit pushtues jugosllav dhe më 13 maj 1981 si rezultat i kësaj kundërvënie, vritet nga forcat policore jugosllave.
Tahir Meha në këtë përleshje sipas mediave jugosllave vrau 9 dhe plagosi 2 policë serbë.
Për aktivitetet e tija kundër pushtuesit shpesh nga adhuruesit e rrugës së tij thirret me titullin popullorë "Burri i dheut"
Gjyshi i Tahirit, Emin Lati, ishte pjesëtar i Lëvizjes Kombëtare Kaçake të Kosovës, bashkëluftëtar i Azem Bejtës.
Nga bashkëluftëtaret shihej si burrë i vendit e i kuvendit, symprehti i Çetës.
Pas vrasjes së Azem Bejtes, më 14 qershor 1924, Emini e ruajti pushkën e Azemit me admirim e me krenari dhe më 1941, ia dorëzoi të birit, Nebihut, që ky ta nderonte shqiptarinë në Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës në Sanxhakun, pjesë historike të Shqipërisë.
Pushka e Azem Bejtes në dorën e Nebihut shkëlqeu edhe në Luftën e Drenicës nën udhëheqjen e Shaban Palluzhës dhe në Luftën e Tahir Mehës.
Tahir e Nebih Meha nga Prekazi i Drenicës më 13 maj të vitit 1981 kishin rënë heroikisht në përballje me forcat policore serbe, pikërisht në “Ditën e Milicisë”.
Në nderim të jetës dhe veprës së tyre patriotike e kombëtare ata janë përkujtuar sot në 38-vjetorin e rënies së tyre.
Në një akademi përkujtimore të organizuar nga kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, janë evokuar kujtime në lidhje me dëshmorët Meha.
Kryetari Jashari i cili është edhe djali i heroit Hamëz Jasharit, vëllait të komandantit legjendar, Adem Jashari, ka shpalosur një detaj se çfarë kishte ndodhur në ditën e varrimit të Tahir e Nebih Mehës.
Ai ka thënë se Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari, ishin betuar te varri i Tahir e Nebih Mehës se do ta çojnë deri në fund amanetin e tyre.
“Ata ranë në fushën e nderit, dhe askush nga bashkëfshatarët e tyre, madje as burrat e familjes Jashari nuk arritën t’u dalin në ndihmë nga rrethimi i çeliktë me tanke dhe autoblinda të shumta. Por, në ditën e varrimit të Tahir e Nebih Mehës u bë një betim. Shaban Jashari me dy djemtë e tij, Ademin e Hamzën, tashmë ishin zotuar se krismat e pushkës nuk do të ndalen deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës nga okupatori serb”, ka thënë kryetari Jashari gjatë akademisë përkujtimore kushtuar Tahir e Nebih Mehës.