Shkruan:Flori BRUQI | |
MODERNITETI NË LETRAT SHQIPE
Librin e autorit Flori Bruqi "Moderniteti në letrat shqipe" mund ta shkarkoni falas në sektorin
(E falënderojmë përzemërsisht autorin)
| |
Cikel poetik - Arshi Pipa
NEMESIS (MALLKIM)
Ndër gropa burgjesh shkrye për gur e baltë, mbërthye qelash ndër pranga, nga gjoksi i shtypun sungullon mâ e naltë kur del prej s’thelli kanga. Na shajnë e na poshtnojnë, na plasin gjamën: anmiq t’adheut! Tradhtarë! pse duem Shqipnin e plotë, pse urrejmë na namën e huej, pse jem, shqiptarë. E ata qi e shitën tue ja lidhun qerit t’anmikut për trofe, ata qi flamurin, heu, i’Iskanderit e zhyen me tjetër fè, ata qi deri dje mbajshin kapistra, teneqexhinj, shollarë, gjysmakë, t’falimentuem, e sot ministra: ata janë atdhetarë! Na zhgulin thonjt me danë, ndër plagët krypë na këllasin, na e shtyjnë n’gërmaz me grushta, e uj kur bâjmë me lypë qeshin e na pështyjnë. Na lagin dimnit qelat, elektrikun na e venë ndër veshë e n’gojë e ndër trupa… E qeshin tue fikun cigaret n’sy për lojë. Na vene jelekun sa me u thye kërbishtnash, na lanë me ditë e netë varun për shpatullash mbi maje gishtash, pa ngrënë, pa pi, pa fjetë. Mandej po ngelëm prapseprap na gjallë me shkelma na mbarojnë, na hjedhin prej dritores, e veç rrallë me nji plumb na nderojnë. Pa gur, pa shenj, ndër gropa plehu hjedhun si coftina na kallin, ku grat e foshnjet tona s’vinë me rrjedhun lotët që zbusin mallin. Po e fortë asht zemra jonë, ma e fortë, o vllazën, se tortura qi e sosë. E zjarrmi i anmikut veç mâ keq na ndezën urrejtjen qi rroposë. Heu e tmerrshme ajo ditë tri herë fatore kur shokët qi nuk ranë, me shpirtin dalldisur për fitore, do t’thrrasin gjakun tonë. Dridhnju tiranë mbi frona e ju xhelatë qi vegla u bâh’ ni qorre. E zezë asht nata, por s’ashtë veç një natë. Dielli i liris, ti shporre! E n’se lypet durim e besë qi s’vdaret. aq sa më dhambë me bre hekurin që kryqzon dyert e dritaret, qoftë ajo ligjë për né. Nga gropa burgjesh me njeni-tjetrin rrokë me besën e dëshmorit, nga shpirti i bamë thëngjill qyshkur, o shokë, pa shfrim mbrenda kraharorit, ushton kanga e kushtrimit. Then çelikun, shpartallon ledh e strehë, dhe si shqiponja e flamurit vërtikun ndër qiellna t’lira zhgrehë. Përpëlitet Shqipnija nën mizoren thundër si krymb n’handrak. Heu, deri kur ma do puthim dorën qi syt na i plasi gjak? Kushtrim, o male, o fusha! Qitni bén ksaj zgjedhe fund me i dhanë! Ta zhbijmë krajtën qi na e bani atdhen veç burg e kasaphanë.
Pjesë nga libri "Moderniteti në letrat shqipe"
|