“E vërteta për Dodonën dhe Epirin”
Rreth 100 akademikë, profesorë dhe njerëz publikë, janë të shqetësuar se në media, kryesisht në atë televizive, kanë zënë vend njerëz që janë të kundërt me mendimin shkencor që kanë prodhuar universitet dhe akademitë e trojeve shqiptare. Po një akademi është institucioni më i lartë shkencor që duhet të ndriçojë, jo vetëm mendjet e atyre që vijnë në kundërshtim me ta, por edhe publikun e gjerë që pret informacione për historinë e shqiptarëve, që deri më sot është e shtrembëruar deri në tjetërsim në favor të fqinjëve tanë lakmitarë. Më poshtë po sjell parathënien e librit, të sapo botuar “E vërteta për Dodonën dhe Epirin”
1-Pak histori derisa nisa të shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin”.
Aty pas vitit 2000, u njoha me tempullin dhe orakullin e Dodonës, me madhështinë e tyre në botën e antikitetit. Që nga fusha e betejës në Trojë, Akil Pelindi iu drejtua me lutje tempullit të Dodonës, kurse Odiseja do të vepronte sipas këshillave të orakullit, kur të kthehej në Itakë. Enea i Trojës, para se të hidhej në Itali, erdhi në Dodonë dhe u këshillua me orakullin. Duke u njohur me këtë madhështi të Dodonës, vendosa të shkruaj një libër. Rezultatet e kërkimeve të mia më çuan në përfundime të ndryshme nga ato që njiheshin dhe pranoheshin në botën akademike. Burimet e autorëve të antikitetit e vendosnin Dodonën në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, në kufijtë e Atintanisë ilire, që do të thotë se Dodona ndodhej në kufirin midis Ilirisë dhe Epirit. Dodona e Carakovistës, në jugperëndim të Janinës, ishte në mes të Epirit. Kërkimet e mia të disa viteve, më dhanë mundësinë që në dhjetor të vitit 2011 të botoj librin “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”. Libri ishte i ndërtuar në zbardhjen e tri të vërtetave historike:
E para: Dodona nuk ndodhet në jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës.
E dyta: Vendndodhja e Dodonës është në Dëshnicë të Përmetit: qyteti dhe tempulli në perëndim të qytetit të sotëm të Këlcyrës, në shpat të malit Trebeshinë, kurse orakulli përgjatë lumit Dëshnica.
E treta: Përkatësia etnike e Dodonës është pellazgo-ilire dhe nuk ka lidhje me helenët.
Libri u mirëprit dhe u dhanë vlerësime nga lexues dhe studiues. Prof. Neritan Ceka, e vlerësoi librin duke thënë se tani: “…ne e kemi një pasuri të madhe në gjuhën shqipe, një përmbledhje burimesh që me sa di unë, nuk ekziston as në gjuhët e tjera. Asnjeri nuk ka bërë një përpjekje për të mbledhur gjithçka, pothuajse gjithçka që ekziston për Dodonën në një libër të vetëm…”. (Teksti i plotë gjendet te ‘Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit II’ Tiranë 2016, faqe 10). Shkrimtari Bardhyl Londo, e vlerësoi vendndodhjen e Dodonës në Dëshnicë të Përmetit si të argumentuar mbi dëshmi dhe fakte: “Është për t’u përshëndetur edhe metoda shkencore të cilën ka ndjekur Kujtim Mateli. Pasi ka lexuar gjithë literaturën që është shkruar për Dodonën dhe vendndodhjen e saj, studiuesi hulumton dhe krahason edhe terrenin përkatës duke e ballafaquar atë me të dhënat që japin për Dodonën autorët e lashtësisë. Është pikërisht ky ballafaqim që i jep autorit të librit një nga argumentet më bindëse për të arritur në përfundimin se Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit, se përshkrimi i autorëve të lashtësisë përputhet plotësisht me Dëshnicën dhe nuk ka të bëjë fare as me Janinën, as me malin e Tomorit.” (Teksti i plotë gjendet te ‘Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit II’ Tiranë 2016, faqe 11). Por tezat që parashtroheshin në libër për vendndodhjen e Dodonës dhe përkatësinë e saj etnike, u kundërshtuan katër muaj më vonë, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nga nënkryetari i saj, prof. Muzafer Korkuti: “Siç përmenda më sipër rastin e tempullit të Dodonës, që disa thonë se është në mal të Tomorit apo në Këlcyrë. Jo. Dodona është atje ku thotë se e ka parë me sytë e tij Ismail Qemali, që është shënuar në albumin e Kristo Frashërit” (gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012). Pra, Dodona ndodhej në jugperëndim të Janinës, se e kishte parë me sytë e tij Ismail Qemali. Por Dodonës kishte 15 shekuj që nuk i dihej vendndodhja dhe autorët e shekullit të XIX e kanë kërkuar në çdo hapësirë të Epirit për ta gjetur dhe secili kërkues ka përcaktuar vendndodhje të ndryshme. Kur të gjithë këta arkeologë, historianë dhe dijetarë nuk e shihnin Dodonën, sepse ajo ndodhej diku nën rrënoja, si e paska parë Ismail Qemali?! Prof. Muzafer Korkuti duke e marrë të mirëqenë vendin ku e kishte parë Dodonën Ismail Qemali, në luginën e Carakovistës, me të njëjtin arsyetim kundërshton edhe vendndodhjen e Dodonës në Dëshnicë të Përmetit: “Këto që dëgjojmë e shohim sot se do të ngrihet një monument tjetër i pavarësisë në Tiranë më duken si ato diletantizmat e atyre që Dodonën antike 1500-vjeçare duan ta çojnë në kalanë e Këlcyrës.” (gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012). Akademik Korkuti nuk argumenton përse Dodona nuk ndodhet në Kalanë e Këlcyrës, ku poshtë kësaj kalaje, në shpat të malit ndodhen ende 600 rrënoja shtëpish. Kërkon të krahasojë dy gjëra që janë të pakrahasueshme: Monumentin e Pavarësisë në Vlorë që përjetëson një ngjarje historike të ndodhur 100 vjet më parë me Dodonën pellazge që ka 1500 që iu shkatërrua tempulli dhe orakulli nga perandorët e Romës. Monumenti i Pavarësisë do të qëndrojë në Vlorë, se atje është shpallur Pavarësia, kurse Dodona do të shkojë atje ku ka vendndodhjen e saj të vërtetë, që nuk është në rrethinat e Janinës, por në Dëshnicë të Përmetit. Nga përgjigjet që jep Akademia e Shkencave e Shqipërisë, shihet qartë se nuk ka argumente as për ta mbrojtur vendndodhjen e saj në Carakovistë të Janinës, as për të kundërshtuar vendndodhjen e saj të vërtetë. Megjithatë akademik Korkuti e plotëson deri në fund argumentin e tij dhe këtë radhë edhe për përkatësinë etnike të Dodonës: nuk kishte rëndësi se cilës etnie i përkiste Dodona. “Unë thashë që çdo ngjarje dhe çdo monument ka domethënien e vetë, ka kohën e vetë. Diletantizëm është që të lëvizësh një monument që i takon një fakti historik të njohur dhe ta çosh në një vend tjetër. Është me të vërtetë diletantizëm se shtrembërohet historia. Unë ju thashë një shembull që nuk mund të lëvizë tempulli i Dodonës pellazgjike. Është atje, tek popullsia që ishte, s’ka rëndësi kujt i takon në pikëpamje etnike” (gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012). Një institucion shkencor e ka për detyrë të zbardhë historinë e popullit të vet. Ky mosinteresim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka bërë që Dodona, e njohur historikisht nga të gjithë autorët e antikitetit si pellazge dhe pas pushtimit romak si ilire, të tjetërsohet si helene dhe si helene ta njohë dhe bota akademike evropiane e më gjerë. Përgjigjja e z. Korkurti ishte e qartë: Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nuk i interesonte as vendndodhja e Dodonës, as përkatësia e tij etnike. Në këtë kohë u vura para dilemës: ç`të bëj? M`u deshën dhe katër vite të tjera, gjersa në vitin 2016, botova librin e dytë për Dodonën. Që Dodona nuk ishte në luginën e Carakovistës, duhej të vinte e plotë, si nga burimet e autorëve të antikitetit, si nga gjetjet arkeologjike të luginës së Carakovistës. Duke i analizuar të gjitha gjetjet arkeologjike të zbuluara nga Karapanos, Evangjelides dhe Dakaris, asnjëra prej tyre nuk e shënonte qytetin. Në mungesë të emrit të qytetit, dëshmia tjetër që do ta vërtetonte Dodonën atje, do të ishte që ky qytet të nderonte Di Dodonen. Gjetjet arkeologjike vërtetojnë se atje nderohej Di Naio, që do të thotë se ky qytet nuk i përket Dodonës. Mungesa e burimeve historike që do ta vendosnin Dodonën në mes të Epirit, mospërputhja e topografisë që paraqet lugina e Carakovistës me dëshmitë e autorëve të antikitetit, si dhe mungesa e gjetjeve arkeologjike, janë provë e sigurt që Dodona nuk ndodhet në vendin e pretenduar deri më sot, por atje ku e kanë vendosur autorët e antikitetit: në veri të Epirit dhe në kufijtë e Ilirisë. Pas botimit të librit të dytë, kërkimet më çuan te burimet e perandorisë romake, që i përkasin shekullit të IV-t pas Krishtit, që e vendosnin Dodonën në rrjedhat e lumit Aos (Vjosa e sotme), një përputhje e plotë me autorët e antikitetit. Autorët e antikitetit thoshin se Dodona ishte në veri të Epirit, në kufijtë e Atintanisë dhe në tokën molose. Edhe burimet e Perandorisë Romake e vendosnin Malin Tomar të Dodonës si mali që ndante Molosinë me Atintaninë dhe njëkohësisht Ilirinë me Epirin, kurse Dodona ishte në pjesën lindore të këtij mali, në tokën molose. Para se ta botoja librin e tretë, ua dhashë për ta parë dy personaliteteve në fushë të shkencës, prof. dr. Alqi Naqellarit dhe prof. dr. akademik Flori Bruqit, recensat e të cilëve konfirmuan se Dodona nuk ndodhej në luginën e Carakovistës, por vendndodhja e saj ishte në Dëshnicë të Përmetit, në perëndim të qytetit të sotëm të Këlcyrës ku ndodhet kalaja antike dhe poshtë saj rreth 600 rrënoja të qytetit antik që i përkasin qytetit të Dodonës, kurse orakulli përgjatë lumit të sotëm të Dëshnicës, që në antikitet përmendet si lumi Dodon.
2- Pse e shkrova librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin”? Pas botimit të librit të tretë për Dodonën në vitin 2020, ku përcaktohej qartë vendndodhja e Dodonës në Dëshnicë të Përmetit dhe mungesa e saj në luginën e Carakovistës, duhej të përcaktoja qartë edhe dy çështje të tjera:
a) A mund t`i gjendej emri këtij qyteti të luginës së Carakovistës që pretendohej si Dodona dhe cilit qytetërimi i përkasin gjetjet arkeologjike të këtij qyteti?
b) Cila është etnia që ka banuar në Dodonë dhe në Epir duke e parë në të gjithë rrafshin historik, nga orakulli i parë që i përket periudhës së para Luftës së Trojës deri në shekullin e IV-t pas Krishtit, kur Dodonës iu shkatërrua orakulli dhe tempulli nga Perandoria Romake për t`i hapur rrugën Krishtërimit. Përcaktimi i qartë i kufijve të Epirit me Helladën dhe përfshirja e Epirit si pjesë e Ilirisë gjatë periudhës romake. Gjatë viteve 2020-2023 kam punuar për librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin”, të cilin mund ta konsideroj si librin e katër tezave, të cilat me burimet që kam sjellë mund t`i konsideroj si të vërtetuara nga ana ime, por edhe të pranuara nga recesentët e këtij libri dhe nga disa studiues të tjerë që kanë shkruar artikuj për librat e mi dhe të botuara në shtypin e shkruar. Po cila është arsyeja që tezat e mia kundërshtohen nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë? Nëqoftëse Dodona do të shkojë në vendndodhjen e saj të vërtetë, pra në Dëshnicë të Përmetit, ku shënjohej kufiri midis Ilirisë dhe Pellazgjisë, atëherë historia do të shikohet në një këndvështrim të ri: Dodona, kryeqyteti i pellazgëve ka qenë edhe kryeqytet i ilirëve.
-Kjo lidhje vërtetohet nga fakti që hyjnia Di e Dodonës mbante në kokë një kësulë si takija e myzeqarëve të sotëm.
-Mali i Tomorit si mal i Ilirisë adhurohej me të njëjtin status si Olimpi pellazg, pra, të dy si male të shenjtë.
-Emri Dodona sipas gjuhëtarit italian Bonfate, është një emër ilir si të gjithë emrat që mbaronin me -ona, që gjendeshin në të gjithë Ilirinë. Që do të thotë se gjuha që përdorej në Dodonë i përket etnisë pellazgo-ilire dhe që pellazgët dhe ilirët flisnin të njëjtën gjuhë
-Hyjnia Di e Dodonës nderohej nga Ambraqia (Arta e sotme) deri në Rizon (Risani i sotëm, në veriperëndim të Malit të Zi). Që do të thotë që i gjithë ky territor ku sundonte hyjnia e Dodonës i përkiste së njëjtës etnie që ishte ajo pellazgo-ilire. Në kushtet kur Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nuk e kundërshton përkatësinë helene të Dodonës, do të ishte fatale për këtë Akademi, vendndodhja reale e Dodonës në kufijtë e Ilirisë. Ky lëshim i bërë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, që nuk i ka kundërshtuar deri më sot pretendimet absurde të Akademisë së Athinës për përkatësinë helene të Epirit dhe të Dodonës, ka krijuar në botën akademike evropiane dhe më gjerë keqkuptimin se Epiri antik ka qenë pjesë e Helladës. Akademia e Shkencave e Shqipërisë me vështirësi (se ka edhe mendime që popullsia e Epirit nuk ka qenë as ilire dhe as helene) e pranon Epirin të banuar nga ilirët. Veç historia është e dokumentuar mirë. Që nga kohët e para ardhjes së helenëve, pra, disa mijëvjeçarë para Krishtit e deri në shekullin e lindjes së Krishtit, Epiri është njohur si Pellazgji dhe banorët pellazgë. Pas lindjes së Krishtit, kur panë se gjuha epirote dhe ajo ilire ishin të njëjta, atëherë Epiri u përfshi si pjesë e Ilirisë. Mirëpo Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk e njeh vazhdimësinë pellazgo-ilire të Epirit, duke e dëmtuar rëndë të vërtetën historike. Ashtu siç e paraqet historinë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, të krijon përshtypjen se ilirët janë vendosur në Epir si pushtues, duke ia lënë Akademisë së Athinës ta pretendojë Epirin si helen në mijëvjeçarët para Krishtit. Ky shovinizëm i Akademisë së Athinës dhe kjo paqartësi e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka bërë që padrejtësia të ngjitet edhe në rrafshin politik dhe të përcillet deri në nivelet e larta të Bashkimit Evropian. Që Akademisë së Athinës duhej që t`i jepej një përgjigje shkencore është kërkuar edhe nga prof. Kristo Frashëri, i cili në artikullin “Shtrembërime të historisë së Epirit nga Akademia e Athinës” botuar tek “Gazeta Shqiptare” datë 07/08/2011, vë në dukje se disa botime gjoja shkencore nuk janë gjë tjetër veçse lakmi nacionaliste të fqinjit tonë jugor ndaj viseve shqiptare. Prof. Kristo Frashëri: “Prej tyre meriton të veçohet botimi me pretendime shkencore që ka dalë nga shtypi në Athinë kohët e fundit. Fjala është për trajtesën që Akademia e Athinës botoi kohët e vona në anglisht në format të madh prej 480 faqesh, nën drejtimin e përgjithshëm (general editor) të M. B. Sakellariut, me titull “Epirus 4000 years of greek histori and civilization” (Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek), Athinë 1997. Botimi i përmendur, që tani kemi në tryezë, ndryshon nga moria e botimeve të mëparshme nga tri pikëpamje: trajton nga pikëpamja kohore në mënyrë integrale historinë e Epirit gjatë 4000 vjetëve; e dyta, në të kanë marrë pjesë autorë ndoshta më të shquarit e historiografisë greke të ditëve tona; e treta, nga pikëpamja e përgjegjësisë shkencore, politike, morale mban vulën e Akademisë së Athinës, e cila pavarësisht nga emri që mban, është Akademia e Shkencave jo e Athinës, por e Greqisë”. ( marrë nga “Gazeta Shqiptare” datë 07/08/2011). Megjithëse ky libër është botuar në vitin 1997, nuk e ka marrë ende një përgjigje. Të heshtësh do të thotë ta pranosh. Ky libër i botuar në anglisht është në tavolinat e punës së institucioneve akademike evropiane dhe të atyre botërore. Dhe të mendosh që institucionet politike të këtyre vendeve konsultohen me këto institucione shkencore, kuptohet se çfarë dëmi i vjen Shqipërisë, qoftë dhe me këtë libër. Lind një pyetje. A ka historianë shqiptarë që ta trajtojnë shkencërisht periudhën e antikitetit? Kësaj pyetjeje i jep përgjigje, po në atë artikull, prof. Kristo Frashëri: “Ne kemi pritur që me dobësitë e kësaj periudhe të merren historianët shqiptarë të specializuar në problemet e historisë së lashtë të Epirit. Arsyeja përse ata heshtin është puna e tyre”. Vërtet, përse heshtin dhe nuk flasin akademikët e Shqipërisë?! Që të flasësh duhet një produkt shkencor për historinë dhe qytetërimin e Epirit. Akademia e Shkencave të Shqipërisë as nuk e ka dhënë një përgjigje shkencore, as nuk e ka mundësinë për ta dhënë një përgjigje të tillë. Si mund të jap një përgjigje shkencore, kur ajo nuk e ka një studim, qoftë dhe disa faqesh, për Dodonën?! Shkenca ekziston si rezultat i lëvizjes së saj drejt së panjohurës, brenda së cilës ndodhet e vërteta. Nuk do të ketë kurrë histori të vërtetë për shqiptarët, për aq kohë sa Dodona, kryeqyteti i botës pellazgo-ilire të pretendohet në vendin e gabuar. Historia e Epirit, që është pjesë e rëndësishme e Historisë së Popullit Shqiptar, duhet të zgjidhet përfundimisht nga institucione të përgjegjshme të trojeve shqiptare, në një përballje shkencore me botën akademike evropiane dhe më gjerë. Katër tezat e mia, janë përfundim i një pune më shumë se 20-vjeçare, pas leximit të më shumë se 2 mijë librave dhe dokumenteve arkivore, të revistave shkencore dhe artikujve studimorë, pas një meditimi të gjatë mbi materialin e grumbulluar dhe i konsultimeve të vazhdueshme me miqtë e mi studiues, që më kanë mbështetur me shkrimet e tyre të botuara në gazeta dhe revista, të cilët dua t`i falënderoj për kontributin e dhënë. Një falënderim të veçantë dua të përcjell për recesentët e këtij libri: prof. dr. Eshref Ymeri, prof. dr. Murat Ajvazi, prof. dr. Afërdita Onuzi, prof. dr. Sejdi Gashi dhe prof. dr. Hakif Bajrami, të cilët i kanë vlerësuar si shkencore tezat e mia, të cilat e sjellin Epirin në një këndvështrim të ri, në dimensionin e vërtetë historik dhe popullsinë e saj pellazgo-ilire si krijuesit e vërtetë të Dodonës që është zanafilla e qytetërimit të gadishullit tone. Me dëshmitë arkeologjike që do të përfitohen nga vendndodhja e vërtetë e Dodonës, që është në Dëshnicë të Përmetit, do të dalë në dritë të diellit e vërteta historike që deri më sot ndodhet e manipuluar. Të gjithë bashkë të ndihmojmë në zbardhjen e kësaj të vërtete.
Përgatiti për" Floripress":Flori Bruqi