2024-02-26

Një shtegtar serb në viset e Arbërit

 


Një shtegtar serb në viset e Arbërit

Nga Virgjil Muçi

Edhe pse një pjesë e mirë e studiuesve e konsiderojnë të parin përfaqësues të sentimentalizmit në letrat sllave, teksa shumëkush e vlerëson si themeluesin e pedagogjisë laike - jo më kot do të nderohej me postin e të parit ministër të Arsimit – Dimitrije (Dositej) Obradoviç (1739-1811) është një udhëtar i palodhur e një aventurier në llojin e vet, njeri që kuturis dhe shkon atje ku e shtyn kërshëria e panginjur për të njohur e mësuar. Ai ëndërron të themelojë shkolla e të jap mësim, të krijojë shtypshkronja e të shtyp libra, por përmbi gjithçka tjetër është një shkrimtar pjellor i shekullit të tetëmbëdhjetë i frymëzuar nga tradita e rilindjes europiane dhe mendjet më të ndritura të asaj kohe. Mjafton të kujtojmë këtu se janë vitet e botimit të kryeveprës së mendimit iluminist jo vetëm e thjesht për Francën, por për mbarë Europën, Enciklopedisë së famshme të Dideroit e D’Alamberit.

 Është pikërisht kjo frymë që e shtyn Dositej Obradoviçin të udhëtojë gjerë e gjatë e t’i bjerë kryq e tërthor Europës nga Vjena në Bratislavë, nga Lajpcigu në Paris e Londër e kështu me radhë deri sa një ditë niset nga Korfuzi dhe zbret në brigjet e Shqipërisë, në Sarandë. Sikundër shprehen biografët e tij, Obradoviçi do ta kalojë një pjesë të mirë të vitit 1768 në Shqipëri, asokohe nën Portën e Lartë, ashtu si dhe vendlindja e tij. Aty do të mësojë gjuhën shqipe dhe do të njoh nga afër doket e banorëve të këtij vendi “të varfër, por të mahnitshëm”, siç shprehet në shkrimet e tij.

 Në vitin 1783 Obradoviç boton pjesën e parë të romanit autobiografik “Jeta dhe lidhjet” (“Život i priključenija”). Libri është shkruar në formën e veprës epistolare aq në modë për shkrimtarët e kohës. Në hyrje teksa flet për udhëtimet e ndërmarra, ai përmend ndër të tjera Dalmacinë, Malin e Zi, Shqipërinë e Greqinë për të vazhduar më pas me ishujt e Mesdheut, Italinë, Moldavinë dhe Gjermaninë. E vijon me moton bajroniane: “Çfarë ka më zbavitëse se sa të mësosh sesi jetojnë njerëzit në vend të ndryshme dhe çfarë zakonesh kanë?”

 Në pjesën e dytë të veprës dhe, më konkretisht, në letrën V, e cila mban datën 3 gusht 1788 dhe qytetin prej nga është nisur, Riga, Obradoviçi flet gjer’e gjatë për udhëtimin në viset e Arbërit. Siç mësojmë prej penës së shkrimtarit bëhet fjalë për një udhëtim të vështirë me anije nëpër disa ishuj të Greqisë dhe mbërritjen përmes Korfuzit në Sarandë ku është i shtrënguar të ndalet ngase bashkudhëtari dhe miku i tij, Maksim, është mjaft i sëmurë. Në Sarandë Obradoviçi dhe Maksimi njihen me një grup hormovitësh, të cilët kur e shohin se në ç’gjendje është katandisur bashkudhëtari i tij prej lëngatës ofrohen ta shoqërojnë dhe i propozojnë të marrë udhën për të shkuar në Gjirokastër, prej nga, siç i bëjnë me dije hormovitët, Janina gjendet fare pranë. Hormovitët iu thonë gjithashtu se në shoqërinë e tyre mund të udhëtojnë pa frikë në mbarë Shqipërinë. Në këtë pikë Obradoviçi thotë se, në atë gjendje të ligësht të shokut të rrugës, ai nuk dëshiron ta lërë vetëm. E shton: “E kështu na gjejnë dy gomerë dhe unë shkoj me ta; së pari, për të shoqëruar shokun tim të dashur deri në Gjirokastër dhe, së dyti, për të parë Shqipërinë”.

   Ja çfarë shkruan më tej Obradiviçi: “Hormovitët ishin njëzetë djelmosha, të gjithë të armatosur dhe më këmbë si luanër, ndërsa ne të dy mbi gomarë. Nga Gjirokastra deri në Hormovë nuk bëhen më shumë se tri orë. Ditën tjetër mbërrijmë në qytetin në fjalë. Aty pa kurrfarë komplimenti, por me zemër të çiltër na ftojnë të shkojmë në varoshin e tyre, duke thënë: ‘More, jeni të marrë po nuk erdhët; more, vend si ai nuk keni parë në botë dhe as keni për të parë. Mu në skaj të varoshit kemi një manastir të Shën Nikollës; në të mund të jetojnë përbukuri dhjetë kallogjerë, por në të ka vetëm një se ne shqiptarët s’duam të vishemi kallogjerë. Aty do t’ju mbajmë dhe mund të rrini tri muaj ose tri vjetë, pa prishur as edhe një para. Në qoftë se ju pëlqen mund të rrini me ne gjithë jetën tuaj; neve qejfi na bëhet që Zoti atje lart në qiell ju dërgoj te ne. Ja shihni  si jemi ne të rinjtë (i pari i tyre kuvendon e na flet greqisht); lavdi Zotit kështu si ne këtu në Hormovë ka dy mijë të rinj pa zënë ngoje të moshuarit. Do të shihni këtu pleq tetëdhjetë vjeçarë që i ngjiten malit të armatosur e me këngë në gojë”.

Më tej Obradoviç flet për vizitën në një shkollë që gjendet pranë vendit ku janë ndalur për të kaluar natën. Prej tij mësojmë se mësuesi quhet Elefter dhe jeton tok me të shoqen e familjen. Dhe ja sesi ata të dy i hapin zemrën mësuesit dhe i kallëzojnë me kë kanë ardhur këtu me frikë në zemër në një vilajet të largët dhe me njerëz të panjohur. Por mësuesi i qetëson, duke iu konfirmuar ato që kanë dëgjuar tanimë për ata djem levendë.

E kështu fillon rrugëtimi i dy udhëtarëve serbë në shoqërinë djemve hormovitë. Ja si e përshkruan Obradoviç: “Të nesërmen ngjitemi në malet e larta të Hormovës. Gjejmë një varosh të madh e tejet të bukur me shtatëqind dyer. Të gjitha shtëpitë janë të ndërtuara me gur si kasteli. Vetëm në varosh ka pesëdhjetë burime, të cilët në fund të varoshit formojnë një lumë të vogël; bash te manastiri lumi lëshohet më të poshtë një rrëpire të frikshme me një rrapëllimë sa thashë me vete se njeriu e ka të pamundur të flejë në jetë të jetëve. Më pas mësova se nuk ka vend në botë ku flihet më mirë: kur fle të bëhet sikur je në qiell dhe dëgjon një muzikë aq të çuditshme e të ëmbël”.

Obradoviç flet edhe për takimet me disa kryepleq dhe mikpritjen e tyre. “Këta njerëz sikur na thirrën nga Smirna (Izmiri) enkas për të na nderuar… iu vjen ndoresh t’i bëjnë nderet”. Në përshkrimet e veta bën fjalë edhe për gatimet: mishin e pjekur dhe byrekun me ajkë e gjizë. Byreku i këtushëm ka diçka nga shija e pashtetës italiane dhe pudingut engles. Ai na kumton se gjithçka është pjekur dhe për hajet e zjera s’duan t’ia dinë. Gjellëve iu hedhin vaj ulliri me bollëk. Sipas tij gjithkush ka verë në bodrum sepse nuk ka se kujt t’ia shesë. Shqiptarët e këtyre viseve, sikundër thotë, hanë edhe peshkun, “por iu duhet të udhëtojnë orë në një vend mes maleve ku rrjedh një lumë i madh plot me trofta dhe peshq të tjerë të ujrave të ëmbla”. E më në fund, ka të ngjarë që autorit t’i ngjajë sikur po thurr lavde me të tepërta, ndaj shprehet: “Kush i merr këto për fjalë të mëdha gabohet rëndë, ngase ëndja, të cilën kaq fort e lëvdoj, nuk qëndron dhe aq te të gatuarit sesa në shijen natyrore të peshkut, perimeve dhe vajit”.

Pas dhjetë ditësh në shoqërinë e pleqve të Hormovës, Obradoviç na bën me dije se kryepleqtë kanë vendosur të dërgojnë një farë prifti që ia thonë emrin Gjika në Primet (lexo: Përmet) dhe në disa vende të tjera për punët e tyre; sikurse thotë: “hormovitët kanë marrëveshje dhe aleatë me shumë pashallarë dhe krerë në Epir dhe në Shqipëri”. Me këtë rast bujtësi serb iu kërkon leje burrave ta lejojnë të shoqërojë Gjikën gjatë këtij udhëtimi për të parë vendet nga do të kalojë. Dhimo Duka, i cili është ndër krerët e pleqësisë, sipas Obradoviçit i thotë: “More kallogjer të shkosh; e dhëntë Zoti të kesh çfarë të shohësh!” Këto fjalë të kryeplakut autori i riprodhon greqisht në origjinal.

Udhëtimi zgjat pesëmbëdhjetë ditë nëpër vende miq dhe aleatë të hormovitëve dhe e gjithë kjo kohë për nder të mikut që të shoh e njoh sa më shumë nga Shqipëria, ngase, sipas Obradoviçit, prifti në fjalë, Gjika, mund ta kish kryer punën për të cilën u nis për katër ose pesë ditë. Kjo përvojë e re i jep dorë udhëtarit serb të bëj disa zbulime që atij i ngjallin interes dhe nuk mënon t’i hedhë në letër: “Gjithandej [që kemi shkuar] u pritëm me ndere njëlloj si nga shqiptarët turq (lexo: muslimanë) ashtu edhe ata të krishterë; duke na shoqëruar sa nga njëri vend në tjetrin”. Obradoviçi përmend me konsideratë të thellë zakonin që iu bën nder shqiptarëve për ta shoqëruar e siguruar mikun me njerëz të armatosur kudo që shkel e shkon.

Pas pesëmbëdhjetë ditësh udhëtimesh Obradoviçi dhe njerëzit që e shoqërojnë kthehen në Hormovë. Aty e gjen shëndoshë e mirë si kokrra e mollës mikun e bashkudhtarin e tij, Maksimin, i cili e shpotit se është nxirë prej diellit. Vërejtjes së shokut ai ia kthen me fjalët: “Punë e madhe, kur pashë gjëra që s’ma merrte mendja që do t’i shihja në jetën time!” E shton në ditar: “E vërtet, mjaft kam ecur, por vende me bukuri kaq të rrallë e hyjnore kurrë s’kam parë”. Për të vijuar më tej me një arsyetim, të themi ekzistencialist: “Vetëm duke menduar për këto vende të mahnitshme, [njeriu] ndihet i bekuar. Si do të ishte të jetoje këtu sikur nga natyra këta njerëz të qenë më të butë dhe sikur ligjet, drejtësia e arsyeja e iluminuar të mbretëronte mes tyre e t’i qeveriste. Është [diçka] e pakonceptueshme dhe e tmerrshme të mendosh se edhe përsa kohë këta popuj të bukur, të shkathët e trima do të jetojnë në këtë gjendje vetëm për shkak të padijes e verbërisë së mendjes në barbarizëm dhe në egërsinë e natyrës e marrëzisht të qëllojnë njëri – tjetrin, siç qëllojnë lepurin me pushkë në ballë ose në zemër”. E këtu e mbyll këtë arsyetim të ndjerë që, në një mënyrë ose një tjetër, e kemi hasur dendur edhe te shtegtarë të tjerë të huaj të mrekulluar me bukuritë e këtij vendi dhe të tmerruar prej vrazhdësisë e egërsisë së banorëve të këtyre viseve.

Më poshtë kemi një dialog mes Maksimit dhe Obradoviçit rreth lidhjes që të dy këta të huaj kanë krijuar me vendin dhe banorët e tij. “Unë nuk do të isha kundër”, thotë shoku im, “ta kaloj një vit në këtë vend”. “Edhe unë do të rrija me ty”, i bëj me dije unë [Obradoviç]. “Në mënyrë që përmes teje të arrij e ta perfeksionoj edhe më shumë gjuhën helene”. “Më jep dorën”. “Na”. (Kjo e fundit në shqip).

 E thotë Obradoviç: “Kur ua kumtojmë këtë lajm hormovitëve tanë, ata na përgëzojnë me gjithë zemër. E veç kësaj kur iu themi se e çmojmë dashurinë dhe mirësinë e tyre, por nuk është e drejtë ta hamë mëkot bukën e tyre, ndaj duke qenë se nuk njohim punë tjetër veçse letrat e shkronjat, iu themi që të vijnë dhjetë ose njëzetë fëmijë që t’i mësojmë [shkrim e këndim]”. Kryeplaku Dhimo Duka, i cili me sa duket e ka të mprehtë sensin e humorit ua kthen e u thotë: “Mirë, kur është puna kështu dhe ne do të dimë t’ju pushojmë [nga puna] kur të largoheni prej nesh”.

 Dhe ja në parantezë autori fut një paragraf rreth asaj që ndodh në vendet fqinje me Shqipërinë, më konkretisht në Mal të Zi. “Në të njëjtën kohë dëgjohet në të gjithë Shqipërinë se Stefan Mali ka mposhtur turqit malazias [në Mal të Zi] që u ndeshën me të dhe shumë u fol e flitet për të”. Të bën përshtypje fjalia e fundit: “… dhe shumë u fol e flitet për të”. Me fjalë të tjera, shqiptarët jo vetëm që duken të ndjeshëm për atë çka ndodh brenda Perandorisë Osmane dhe në kufijtë e tyre, por rrëmbimi i armëve për të luftuar e shkëputur nga Porta e Lartë ngjan të jetë një opcion i prekshëm dhe i pranishëm në kuvendet e tyre.

“Tanimë e flisja mjaft mirë shqipen”. Me këto fjalë Obradoviçi nis të shtjellojë marrëdhënien e tij me shqipen, gjendjen në të cilën ndodhet gjuha jonë në shekullin e XVIII dhe shkallën e zhvillimit të saj në raport me gjuhët e tjera. Por le të ndjekim autorin se çfarë thotë, duke riprodhuar krejt paragrafin për gjuhën. “Gjuha e tyre është e thjeshtë, ndaj e kollajtë për t’u mësuar dhe shkronjat tona sikur të jenë bërë enkas për të. E kështu për çdo ditë shkruaja ndonjë bisedë dhe e mësoja përmendësh. Shqiptarët habiteshin e gëzoheshin kur më shihnin ta bëja këtë gjë, duke qenë se nuk iu kishin zënë sytë më parë se sa bukur shkruhej gjuha e tyre. Dy vjetë më pas do të njihja në Venedik një prift Teodor [Kavalioti][1], mësues nga Moskopolis, i cili kishte futur në shtyp një tekst shqip me shkronja greke; por me to [gjuha] nuk mund të shkruhet si me [shkronjat] sllavisht, ngase në greqisht nuk ka shkronja për ç, sh e q dhe këto [shkronja] janë të domosdoshme për shqipen ashtu siç janë të nevojshme edhe për sllavishten. E them këtu ngase sikur të ngjasë që dikush të profetizojë se një ditë populli shqiptar dhe ai vlleh të kenë libra në gjuhën e tyre me shkronja sllave, soji njerëzor s’ka pse të ketë frikë nga kjo profeci vullnetmirë, por t’i hap udhë e ta lërë të lirë për të mirën e përgjithshme. Kjo është një dhunti që mund e do të përmbushet natyrshëm, kur Zoti ta mëshirojë këtë komb trim dhe këto vende jashtëzakonisht të bukura”.

E vijon një frazë që, siç duket, i lajkon sedrën kombëtare udhëtarit serb, kur shprehet: “Sa m’u bë qejfi kur dëgjova nga këta shqiptarë: ‘Kushdo qeveris Serbinë ne do ta njohim edhe si qeveritarin tonë, ngase mbretërit serbë kanë qenë edhe [mbretërit] tanë”. E duke dashur të nxjerrë në pah rrënjë e të shkuar të përbashkët, udhëpërshkruesi serb zë ngoje një toponimi me prejardhje nga sllavishtja. Ja si e komenton: “Jo larg Hormovës ndodhet një fushë shumë e bukur që shqiptarët nuk e quajnë ndryshe, por ‘Lepazhita’ [Bukuroshe]. I pyes [nëse e dinë] se çfarë do të thotë [kjo fjalë]? ‘Nuk e dimë’, më thonë, ‘është emri i fushës’. E kur ua shpjegoj, duke iu thënë se është fjalë në serbisht, më përgjigjen: ‘More kallogjer, mos u habit nga kjo gjë; me serbët ne kemi pasë qenë një farë e fis në kohërat e moçme’”.

E kështu vijmë në fund të letrës, të cilën udhëtari serb e mbyll me këto fjalë: “Para muajit shtator pleqtë e Hormovës më kërkojnë t’iu kryej një punë jo larg Korfuzit për çka do të më duhet të merrem më e pakta katër muaj”. Në parantezë autori nuk e përmend se për çfarë pune bëhet e fjalë, e cila, hamendësojmë, nuk duhet të ketë qenë dhe aq e lehtë po t’i besojmë fjalëve të tij se do t’i duheshin, më e pakta, katër muaj për ta kryer. E vazhdon: “Nisem me gjithë dëshirë. Deri te Dyzet Shenjtorët [Sarandë] më shoqërojnë dy vetë; ata kthehen në shtëpi dhe unë vazhdoj në punën time mbasi kemi rënë në ujdi se kur t’iu shkruaj nga Korfuzi të vinë e të më marrin”. E përfundon: “Për një letër, të dashurit e mi, mendoj se mjaft shkruajta… etj., etj.”.

Sipas radhëve të fundletrës, i bie që Obradoviçi të jetë kthyer rishtazi në viset e Arbërit, po për këtë kthim të tijin nuk kemi ndonjë të dhënë në letrat ose në tekstet e mëtejshme.

Kjo pra është dëshmia e këtij udhëtari të pazakontë, po të kemi parasysh se pjesën më të madhe të tyre do ta përbëjnë udhëtarët europianë që shkelnin në këto vise të shtyrë nga ekzotika e shtegtimeve në lindje, dëshmitë e të cilëve, një pjesë, jo të gjitha, tanimë janë bërë të njohura për lexuesin.
Shënim: [1] Në punimin “Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan”, Tiranë 2018, studiuesi Aurel Plasari e përmend takimin mes Theodor Kavaliotit dhe Dositej Obradoviçit në Venedik.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...