2011-01-23

“Falja e gjakut” në Berlinale

Është konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrja e filmit “Falja e gjakut” në Berlinale. Historia shqiptare, e regjisorit Joshua Marston është bërë pjesë e filmave konkurrentë në edicionin e 61 të kësaj ngjarjeje artistike.

Bashkëskenaristi i filmit, Andamion Murataj ka treguar se “Falja e gjakut” (“The forgiveness of blood”), garon si film amerikan, meqenëse nuk është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.


Filmi trajton gjakmarrjen dhe përfshin një kast aktorësh si Çun Lajçi, Ilire Vinca, Luan Jaha, Veton Osmani, Selman Lokaj etj.

Filmi do ta ketë premierën botërore në Festivalin e Berlinit, që nis me 10 shkurt.

Arta Dobroshi në “Sundance Film Festival”

Aktorja e mirënjohur Arta Dobroshi do të jetë pjesë e festivalit “Sundance Film Festival”. Filmi “Baby” i regjisorit Daniel Mulloi, është propozuar në kategorinë e filmit të shkurtër, bashkë me 14 filma të tjerë nga mbarë bota.


Dobroshi ka thënë se ndjehet e entuziazmuar për pjesëmarrjen e saj në “Sundance”, meqë është fitore e madhe përzgjedhja e filmit ku ajo luan, në mesin e më të mirëve. “Për mua është çmim që e kam xhiruar filmin, i cili e ka jetën në festivale. E çmoj shumë që filmi ka arritur të pranohet në Sundance. Jam gëzuar sikur të kisha fituar, se në njëfarë mënyrë është çmim, nëse pranohet, ngase merr titullin ‘i nominuar’”, ka thënë Dobroshi .

Në filmin “Baby” që zgjat 25 minuta, Arta Dobroshi portretizon Sarën dhe përjetimet e saj në udhëtimin për në Londër.

Festivali “Sundance Film Festival” është themeluar dhe udhëhiqet nga aktori, regjisori dhe producenti amerikan, Robert Redford.

“Peneli i Flakës”, ndan çmime

Në natën e parë të “Flakës së Janarit 2011”, kuadër të mbrëmjes të titulluar “Flaka për flakën”, është sjellë koncerti muzikës klasike.

Së pari publikut me një pikë baleti nga Trupa e Baletit të Kosovës janë paraqitur balerinët Sinan Kajtazi dhe Vjollca Llugiqi. Pastaj solistët Rexhep Jashari e Burim Demiri në “Flakë...” të përcjellë nga kori, sollën këngën e jugut të Shqipërisë, nën dirigjimin e Adhurim Rasimit e prezantues Adem Muji.

Ndërsa pjesa e pashmangshme e “Flakës së janarit 2011” tash e njëzet vite është “Peneli i Flakës”, në kuadër të të cilit jepen çmimet në artet pamore dhe hapet ekspozita e përbashkët e artistëve nga të gjitha trevat shqiptare.

Juria në përbërje Qamil Llapashtica, Selvete Maliqi dhe Filloreta Maliqi, ka ndarë çmimet për më të dalluarit. çmimi për pikturë: Juksele Xhinolli “Rezistenca”, vaj në pëlhurë. çmimi për pikturë: Isa Alimusaj “Profile dardane”, vaj në pëlhurë. Çmimi për grafikë: Basri Mekolli “Creation of a neë life”, grafikë, ndërsa çmimi blerës i takoi Luan Shahiqi “Hyjnesha në fron”, vaj në pëlhurë.

Dëshmi tjetër e vetëdijes mbifetare etnike të Skënderbeut

Gjergj Kastrioti, jo vetëm i të krishterëve, edhe i myslimanëve

Gazmend SHPUZA


Skënderbeu, në kushtet e hapjes së Shqipërisë, i përditësuar si emblemë, si garanci e përfshirjes sonë në Evropë, përfaqëson një dukuri historike madhore të përmasave jo vetëm kombëtare, por dhe në shkallë evropiane dhe më gjerë. Ai ndihmon fuqishëm për krijimin e hapësirave të mëdha të komunikimit të bartësve të tij me botën moderne. Politizimi dhe ideologjizimi i kësaj figure madhore në të kaluarën dhe, jo më pak, sot nuk ka arritur dhe nuk do të arrijë dhe në të ardhmen ta zhveshë atë nga tiparet e tij, sa reale po aq dhe universale.
Epoka e Skënderbeut përfaqëson një nga elementët kyç që përbën boshtin e vetidentifikimit kolektiv të shqiptarëve, që i kanë bërë ata të ndjehen një komb i vetëm. Fakti që kujtimi i Skënderbeut si hero kombëtar u ruajt prej më se pesë shekujsh në kujtesën kolektive të shqiptarëve, në shumicë mbizotëruese myslimanë, është tepër domethënës. Si të tillë, ata, përfshi dhe të krishterët, e zhveshën nga aureola fetare me të cilën u përpoqën dhe përpiqen ta paraqesin klerikët si ata të krishterë dhe ata myslimanë. Prandaj jeta dhe vepra e Skënderbeut ruan një rëndësi të madhe aktuale
Nëse në mendjet e shqiptarëve nuk do të kishte zënë vend përfytyrimi si hero kombëtar, i vënë në diskutim nga shumë anë, miti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut do të ishte krejtësisht jashtë funksionit të vet të pretenduar dhe teorikisht. Ai nuk do të kishte mbijetuar po të mos qëndronte mbi ndarjet fetare të bartësve të këtij miti pa dallim besimi.
Vlerësimin e Skënderbeut si hero kombëtar dhe jo si hero fetar në mënyrë lapidare dhe bindëse e ka dhënë një prift si Patër Gjergj Fishta. Me rastin e 450-vjetorit ai shkruante: “Kangët e poetëve e legjendat e rapsoditë e populllit e shfaqin Skënderbeun vetëm si një fatos feje; por para synit të historiakut e të vrojtarit të paanshëm Skëndebeu asht fatosi i lirisë dhe i pavarësisë së kombeve, tue qenë që dëshira e lirisë qe ajo që ma së pari e shtyni atë burrë të përmendun me rrokë armët për Shqipninë. Skënderbeu me atë trimni e rreptësi, me të cilën luftoi kundër turqve, që ishin myslimanë, luftoi edhe kundër venedikasve që ishin të krishtenë. Prandaj të gjithë shqiptarët e vërtetë, pa ndërlikim partie a besimi, do ta nderojnë Skënderbeun si një fatos të kombit e do t’u bahet nam me kremtue emnin e punën e tij. Skënderbeu asht ideali i lirisë e i pavarësisë së Shqipërisë.”
Karakterizimi fishtian u kundërvihet përpjekjeve që bëhen dhe sot e kësaj dite për ta minimizuar dhe reduktuar rëndësinë, madhështinë e figurës legjendare të Skënderbeut në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar. Trajtimi tërësisht në rrafsh fetar dhe, për rrjedhim, mohimi i karakterit kombëtar dhe humanist i luftrave të Skënderbeut nuk ka të bëjë vetëm me debatin shkencor. Nuk mund të përligjen përpjekjet që bëhen për ta parcelizuar fetarisht Skënderbeun me pretendimin se gjithë kjo do të lehtësonte integrimin e Shqipërisë në Europë. Të gjitha këto mendime që qarkullojnë sot tek ne, poshtë e përpjetë edhe në rrethe akademike, nuk bëjnë gjë tjetër veçse të dëshmojnë katërcipërisht, se platforma e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe qëndrimi jo vetëm atdhetar, por dhe shkencor i saj ndaj epokës së Skënderbeut mbeten aktuale dhe sot e kësaj dite. I rritur midis feve, u bë për rilindasit simbol i karkaterit mbifetar e afetar që duhej të kishte kultura shqiptare. “Patriotizmi fetar” që po shfaqet sot, nuk është gjë tjetër, veçse rikthim te një mendësi parakombëtare, e papërshtatshme e, madje e dëmshme për njësimin kombëtar të shqiptarëve. Ai kontraston haptazi me vlerësimet objektive të një pater Gjergj Fishte.
“Fetarizimi”, “krishterizimi”, “antiislamizimi” i luftës kundërosmane të popullit shqiptar në shek. XV nën udhëheqjen e Skënderbeut, përbën, pavarësisht nga përdorimi i fesë në të dy kampet ndërluftuese të kohës, një shtrembërim të së vërtetës historike. Për të vënë në pah këtë të vërtetë kemi dhe dëshmi të cilat në të kaluarën u amplifikuan për arsyet politike dhe ideologjike që dihen. Porse, gjithësesi, sot ato nuk mund të lihen më një anë.
Nga përvoja e gjatë e përpjekjeve për të siguruar ndihmat e domosdoshme nga shtetet italiane dhe sidomos nga Papati për luftën e përbashkët, heroi ynë kombëtar, duke qenë vetë i ritit ortodoks, që njihte për të parë feje Papën (sepse Patriku i Stambollit qe vënë në shërbim të sulltan Memetit të Dytë) dhe i rritur pranë oborrit të sulltanit, në një mjedis mysliman, (ai u kthye dhe në bektashi), kishte arritur, sipas dokumenteve të kohës, në disa përfundime që dëshmonin se ai nuk ishte një i krishterë dhe aq i devotshëm sa ta justifikonte titullin “atlet i Krishtit”.
Më 14 shkurt 1467, dokumenton studiuesi i përkushtuar i biografit të Skënderbeut, Marin Barlecit, historiani rumun Francisk Pall, çka kumtohet për herë të parë në shqip më 1967, Heroi i Krujës “i dëshpëruar” i deklaronte një kardinali, se “s’ka marrë nga Papa asnjë grosh”. Nga ana tjetër, Ambasadori i Milanos në Vatikan raportonte se Skënderbeu me përqeshje deklaronte se “tani e tutje ai donte të bënte luftë kundër kishës e jo kundër turkut”. Në përfundim të vizitës së tij te Papa, Skënderbeu do të deklaronte se “nuk besonte që mund të gjendej mizori më e madhe në botë sesa te këta priftërinj”. Pohime si ato, që u rreshtuan më sipër, sado që të merren me rezervë, dëshmojnë bindshëm që motivet fetare në luftën e Skënderbeut qenë në rrafsh të fundit. Edhe aq sa mund të vijnë në shprehje, ato qenë diktuar jo nga karakteri i luftës që ai udhëhoqi, por nga besmi që kishin armiqtë kryesor të vendit tonë dhe nga nevoja e sigurimit të aleatëve. Këta, pas rënies së Stambollit në duart e turqve nuk mund të kërkoheshin te krerët e Kishës Lindore e cila i qe nënshtruar sulltanëve.
Dëshmi tjetër e vetëdijes mbifetare etnike të Skënderbeut dhe të bashkëluftëtarëve të tij është dhe historicizmi të cilit i drejtohej ai, epirotizmi i tij. Skënderbeu, nga sa na dëshmon Papa Piu II në kujtimet e tij, dhe, siç dihet tashmë nga të gjithë, në një letër drejtuar princit të Tarantos, Jan Antonit, pranon me shumë krenari prejardhjen epirote të popullit të vet. Me këtë deklaratë ai, me sa dimë, është i pari që shpreh pa mëdyshje dhe përkatësinë e tij etnike, duke lënë më një anë etnonimin arbëresh. Asokohe ky emërtim kishte marrë karakter sektar sepse me të identifikoheshin vetëm arbëreshët katolikë. Skënderbeu dhe të tjerë më pas e patën të qartë se ky përcaktim si i tillë, tashmë përjashtonte prej tij jo vetëm arbëreshët ortodoksë por dhe arbëreshët që kishin nisur të islamizoheshin, prandaj duhej braktisur. Megjithëse fama që kishte fituar në ballë të luftës së popullit të vet për liri ishte shumë më e madhe se sa ajo që kishte fituar në radhët e ushtrisë së sulltanit, Gjergj Kastrioti e ruajti emrin e turqizuar Skënder. Ai ishte i vetëdijshëm për ndryshimet në pikëpamje fetare që kishin filluar dhe po thelloheshin në gjirin e popullit të tij. Prandaj, megjithë vlerësimin e lartë që i bënte Evropa e krishterë, duke e shpallur si “atlet të Krishtit”, ai nuk mendoi dhe as nuk mori mundimin deri sa vdiq ta kristianizonte apo ta evropianizonte emrin që kishte marrë në mesin e turqve e të nënshkruante Aleksandër. Neoarbëreshët nën shembullin e Skënderbeut, me vetpërcaktimin epirot u ngritën mbi konceptet fetare të përcaktimeve etnike të Mesjetës dhe përqafuan koncepte moderne mbifetare. Kjo ishte shprehje e një vetëdije të lartë etnike, e një ndërgjegjeje të spikatur historike. Ishte vetë realiteti pasarbëresh, me larminë e tij fetare, i cili kërkonte në kushtet e mbizotërimit të politikave teokratike një zgjidhje pozitive në përputhje me të. Kishat ortodokse dhe perandoritë ballkanike, duke vënë shenjën e barazimit midis besimit dhe kombësisë i konsideronin paraardhësit tanë turq, grek, latinë dhe sllavë. Në këto rrethana, të cilat i vunë neoarbëreshët përballë rrezikut që të humbisnin njësinë e tyre etnike, iu drejtuan trashëgimisë historike që nga kohët e lashta. Ajo ofronte mundësi zgjidhjeje të larmishme dhe zgjidhjen më të përshtatshme e bëri Skënderbeu.
Roli i traditës skënderbeiane në përballimin e politikave kishtare dhe shtetërore teokratike ballkanike për kapërcimin e një krize plotësisht të mundshme të identitetit etnik kombëtar nga paraardhësit tanë shprehet qartë dhe bindshëm në të gjithë këtë proces.
Paraardhësit tanë, që nga Skënderbeu dhe humanistët më pas, duke u ngritur mbi kritere teokratike i kapërcyen me sukses të plotë rrjedhimet që sillte mungesa e një kishe nacionale. Shqiptarët u bashkuan për rreth Skënderbeut pa dallim besimi, e përsërisim, në se ishin të krishterë latinë, të krishterë bizantinë, pravosllavë dhe unitë apo edhe të sapokthyer në islamë. Konsekuent në qëndrimet e veta Gjergj Kastrioti qe i gatshëm që për hir të interesave të atdheut të luftonte dhe luftoi kundër vëllezërve të një feje. Prandaj, për të gjitha sa u tha më sipër dhe përkundrejt epitetit “atlet i Krishtit”, të dhënë nga autoritetet më të larta të kishës katolike, për motive të caktuara, Princi i Epirit, Kryezoti i Shqipërisë është përjetësuar, si Hero Kombëtar në një popullsi me shumicë mbizotëruese myslimane dhe ndryshe nuk mund të ndodhte.
Përballë këtij realiteti historik madhor para kryesive të bashkësive fetare të shqiptarëve në shtetin amë, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Diasporë del detyra që të reflektojnë thellë dhe të bëhen interpretë autentikë të ndërgjegjes kombëtare të besimtarëve që udhëheqin në lutjet e tyre përpara Zotit.
Më së parit, qëndrimi i deritanishëm i krerëve të bashkësive islame, i cili pranon, pa diskutim Gjergj Kastriotin si Hero Kombëtar është i pamjaftueshëm. Ai duhet të pajtohet plotësisht me ndjenjat e besimtarëve myslimanë ndaj Heroit të vet Kombëtar, çka vlen të shprehet qartë dhe hapur. Edhe përpjekjet për “privatizimin” e Skënderbeut, fetarisht, nga përfaqësues të bashkësive të krishtera, katolike dhe ortodokse, kudo që ndodhen, duke iu kundërvënë hapur karakterizimit të Patër Gjergjit, e vënë në pikëpyetje figurën e tij si hero kombëtar, e cënojnë rendë imazhin e vërtetë të tij si të tillë.
I pakuptueshëm në këtë drejtim mbetet, për mendimin tonë, qëndrimi i heshtur i komunitetit bektashian ndaj Skënderbeut. Ai është shumë larg mësimeve të shenjtorit të bektashizmit shqiptar, Naim Frashërit. Qerbelaja e Naimit nuk mund të kuptohet pa Historinë e tij të Skënderbeut.
Memoriali i ngritur me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, pikërisht sepse qëndron mbi themelet e një kishe të kthyer në xhami dhe, nuk e teprojmë të themi, se qëndron edhe mbi themelet e një tempulli pagan pranë mureve të lashtë të Lisit të ilirëve, zotave të të cilëve u ka kënduar aq bukur Dom Ndre Mjeda, është dhe do të mbetet një faltore e shenjtë kombëtare për të gjithë shqiptarët pa dallim besimi. Ai memorial mbetet faltore e fesë së shqiptarëve, shqiptarisë, të cilën e hyjnizoi dhe e hymnizoi Pashko Vasa në vitet e lavdishme të Lidhjes së Prizrenit. Ceremonitë fetare të kryera deri më tani te ky monument i atdhetarizmit të mbarë shqiptarëve kërkojnë ta privatizojnë tempullin e përbashkët të të gjithë shqiptarëve dhe të tëhuajsojnë prej tij shumicën e tyre. Veprime të këtij lloji për parcelizimin fetar të heroit kombëtar i shërbejnë përçarjes kombëtare të shqiptarëve.
Ceremonitë fetare, lutje, mesha, dua, mevlude dhe të tjera në nderim të heroit kombëtar të shqiptarëve, epirotit Gjergj Kastrioti Skënderbeut, e kanë vendin e vet në të gjitha faltoret e shqiptarëve, në të gjitha tempujt fetar, në xhami, kisha e teqe, pa dallim, dhe pse jo dhe në të gjitha tempujt e kulturës.
Vendimi i ministrit të Kulturës të disa viteve më parë, zotit Teodor Laço për të ndaluar ceremoni të tilla separatiste në vendvarrimin e heroit të Krujës në Lezhë nuk kishte pse të anullohej. Ai mbetet një vendim plotësisht i drejtë, në radhë të pare, për të gjitha arsyet që u përpoqëm të parashtronim më sipër dhe jo sepse u bë nën trysninë e rivaliteteve midis krerëve të kishave për të kryer ceremonitë e tyre në të, për ta privatizuar këtë pronë të përbashkët të kombit shqiptar.
Krerët e bashkësive fetare shqiptare mund të vijnë të gjithë në këtë faltore të përbashkët përkrah njëri-tjetrit dhe të hyjnizojnë në gjuhën shqipe Atin e kombit shqiptar, shenjtin e shqiptarisë, jo vetëm të të krishterëve, por dhe të myslimanëve. Ata mund t’i drejtohen për këtë qëllim jo vetëm Naimit, jo vetëm pater Gjergjit, por të gjithë poetëve tanë rilindas dhe pasrilindas. Si thirrjet për ta konsideruar Skënderbeun thjesht si një “atlet të Krishtit”, si trajtesat “shkencore” të nivelit pasuniversitar për shkurorëzimin e vijës politike të “skënderbegasve” përballë vijës, të pretenduar, “nacionaliste” të “vasalistëve”, apo dhe kërkesat për destruktimin e mitit të tij, çojnë në një pikë. Ata, pa dashur e ndoshta më shumë me dashje, mëtojnë, në fund të fundit, ta privojnë popullin shqiptar nga heroi i vet kombëtar. Ne e kemi realisht një hero të tillë të përmasave evropiane, pa pasur nevojë ta mitologjizojmë atë, dhe nuk mund të lejohet t’i bihet mohit apo edhe të përbaltet me një mënyrë apo me një tjetër. Sulmet ndaj mitit të Skënderbeut për destruktimin e tij, me pretendimin për një të ashtuquajtur rishikim kritik të thelbit të tij nuk mund të shërbejnë tjetër veçse për mohimin e tij, për përçarjen e shqiptarëve. Skënderbeu mbetet mishërim i idealit patriotik, i idealit të unitetit kombëtar, i virtyteve të popullit të vet. Prandaj në vitin jubilar të lindjes së tij, siç na mëson dhe Fishta i madh, është në nderin e të gjithë “shqiptarëvet të vërtetë”, “pa ndërlikim partie a besimi” ta nderojnë Skënderbeun “si një fatos të kombit” si “ideali i lirisë e i pavarësisë së Shqipërisë.” Thirrja e Fishtës u drejtohet më së pari krerëve fetarë të të gjitha besimeve. Skënderbeu objektivisht, i shërben fuqimisht përfshirjes së popullit tonë në rrjedhat demokratizuese moderne evropiane, të cilave ai u përkiste tërësisht qysh në fillimet e tyre, që para afro 600 vjetëve, jo vetëm me luftën e tij por dhe me pikëpamjet moderne për kombin. Përvoja skënderbegiane na mëson që përfshirja, integrimi i shqiptarëve si komb në Europë nuk mund të arrihet mbi baza fetare.

Një gjuhë pa drejtshqiptim

Dr. Ardian Klosi

Shumica e nxënësve shqiptarë, por jo vetëm e nxënësve, e dinë se gjuha shqipe lexohet në bazë të parimit fonetik. Kështu edhe lexojnë nxënësit te ne, sidomos në shkollë fillore, kur ende nuk janë bërë (instinktivisht) të vetëdijshëm se tjetër është gjuha e shkruar dhe tjetër gjuha e folur. Prandaj këta fëmijë, të drejtuar kësisoj nga mësuesit e tyre, lexojnë si më poshtë:
Liria

Mbi të gjithë për lirinë kanë nevojë njerëzit. Fëmijët shpesh kujtojnë se liri do të thotë të plotësosh të gjitha tekat, të bësh çfarë të duash, të kesh të drejtë të dëmtosh edhe të tjerët.. (nga “Liria”, Leximi i klasës I, f. 106)
Në të vërtetë ky tekst shqiptohet pa gjithë ë-të të cilat i kam shënuar me shkronja të zeza, pra:
Mbi të gjith për lirin kan nevoj njerzit. Fëmijt shpesh kujtojn se liri do të thot (ose: tthot) të plotësosh (ose tplotsosh etj.) të gjitha tekat, të bësh çfar të duash, të kesh të drejt të dëmtosh edhe të tjerët (ose ttjert) etj…
Mosshqiptimin e ë-ve jotheksore e kompenson te shqiptuesi në njëfarë mënyre zgjatja e zanores paraprijëse, pra diçka si kaan për “kanë” etj.
Edhe nga ky shembull, kuptohet se drejtshkrimi i gjuhës shqipe, ashtu siç u vendos në vitin 1972, ashtu siç është pohuar edhe nga vetë autorët e tij Kostallari, Çabej, Domi etj. (shih “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Tiranë 1973, f.7-8), nuk mbështetet vetëm mbi parimin fonetik, dmth. një shkronjë = një fonemë, por edhe mbi parimin morfologjik (p.sh.: t’i ruajmë mbaresat e rregullta gjatë një zgjedhimi, edhe kur –ë nuk shqiptohet) ose mbi parimin historik (p.sh. shkruajmë dhëndëri, edhe pse te fjalët e tjera më –ër kjo –ë bie kur r pasohet nga një zanore).
Për të pasur parasysh se ç’ndodh me një gjuhë kur ruhet parimi historik dhe ai morfologjik në drejtshkrim, kujtojmë frëngjishten ose anglishten, në të cilat drejtshqiptimi ndryshon bukur shumë nga drejtshkrimi; sjellim këtu për frëngjishten edhe vetëm shembullin e Ferdinand de Saussure-it që vëren se te një fjalë si oiseau “zog” asnjëra nga shkronjat nuk pasqyron asnjërën nga fonemat, pasi kjo fjalë shqiptohet “uazo”.
Është krejt e qartë pra, se parimi një shkronjë = një fonemë nuk na mjafton për ta shqiptuar drejt edhe vetëm shqipen standarde, atë që mësohet në shkolla dhe përdoret në shtyp, administratë etj., pale për të lexuar tekstet tona letrare, sidomos ato të traditës. Dhe është krejt e qartë që nxënësit shqiptarë do ta kishin merituar prej vitesh një “Drejtshqiptim të gjuhës shqipe”, sikundër u premtua në vitet ’70-’80 të shekullit të kaluar nga akademia jonë, por që nuk u realizua asnjëherë deri më sot.
Pasoja e kësaj mosdijeje, për një dije që në thelb mjaft të thjeshtë, është leximi i keq te fëmijët tanë, humbja e tingëllimit origjinal në poezi e pjesë shumë të bukura në prozë, tek e fundit ftohja dhe tëhuajëzimi i brezit më të ri prej pjesëve letrare që ofrohen në tekstet shkollore. Kjo sjell ftohjen e përgjithshme ndaj bukurisë tingëllore të shqipes, humbjen e pasionit për lexim... dhe gjithë të tjerat që mund të merren me mend.
Por problemi nuk mbetet vetëm tek fëmijët, pasi kam vënë re se vështirësi të mëdha, në mungesë të vetëdijes së drejtshqiptimit, kanë gjithë shqiptarët, gjuha e të cilëve është pak a shumë larg nga standardi i vendosur më 1972, pra në radhë të parë ata që përdorin në familje e në shoqërinë e ngushtë dialektet gege. Kam vënë re kështu shumë kosovarë, të cilët në përpjekje për të folur një gjuhë standarde “të pastër” i shqiptojnë “ë”-të në mënyrë të tepërt e të panevojshme, pikërisht si nxënësit e shkollave që përmenda më lart. Po kjo gjë ndodh me diftongjet ua dhe ie e me një numër fonemash a togfonemash për të cilat drejtshkrimi ka dhënë zgjidhjen “toske”.
Sikur të ekzistonte një udhëzues i tillë që do të ishte “Drejtshqiptimi i gjuhës shqipe”, në të cilin të theksohej, përveç rasteve më të rëndësishme të shmangies së shqiptimit nga shkrimi, edhe fakti i thjeshtë se drejtshkrimi ynë është mbështetur kryesisht mbi një toskërishte të moderuar, le të themi siç e ka zona e Korçës ose e Fierit (ashtu sikurse e di çdo gjermanishtfolës se ndër gjithë dialektet gjermanishtja e zonës së Hanoverit i afrohet më shumë standardit letrar), atëherë nuk do të kishin vështirësi në shqiptim as nxënës e mësues bashkë, as shqiptaroveriorët që do të mundoheshin ta shkërbenin sa më mirë këtë toskërishte të moderuar.

Kusuret e ë-së drejtshkrimore
Aspekti tjetër i rëndësishëm, kur flasim për mundësinë e përmirësimit të standardit tonë, është reformimi i vetë drejtshkrimit të shqipes. Janë një numër zgjidhjesh, mendoj (por që kam vërejtur se kështu mendojnë edhe një numër kolegësh), të cilat ose nuk kanë qenë të mira që në krye të herës, ose kanë dalë të tilla me zhvillimin e gjuhës në tre e më shumë dhjetëvjeçarët e fundit.
Le të qëndrojmë tek ë-ja e patheksuar, drejtshkrimi i së cilës i shkakton dhimbje koke çdo shqiptari që ulet të shkruajë. Shkruhet amtar apo amëtar, gjithçka apo gjithëçka, vetëvetor apo vetvetor, malësor apo malsor e kështu me radhë? Nuk njoh asnjë njeri, përveç redaktorëve profesionistë ose disa mësuesve të gjuhës, që t’i shkruajnë siç i do drejtshkrimi rastet e vështira dhe të shumta të ë-ve të patheksuara.
Të gjitha vështirësitë vijnë nga fakti se autorët e drejtshkrimit të 1972-shit këtu më njërën anë nuk e ndoqën parimin fonetik (dhe praktikisht nuk mund ta ndiqnin në mënyrë konsekuente), por më anë tjetër edhe përzierjen e tij me parimin morfologjik ose historik shpesh e bënë në mënyrë alogjike, me përjashtime e me kundërthënie të shumta.
Kështu, në fjalët e përngjitura me gjithë e me kurrë do ta lëmë në shkrim -ë-në kur fjala është emër, por do ta heqim kur kemi ndajfolje, lidhëz, përemër të pakufishëm etj., pra do shkruajmë gjithkush, kurrfarë etj. Si ta mbajë mend përdoruesi normal që nuk është profesionist gjuhe një rregull të tillë? Nga ta dijë që duhet shkruar gjithfarë, por i gjithëfarshëm?
Ose shkruajmë tëharr, tëholl por shkruajmë arsye, shkruajmë pastrim por duhet të shkruajmë motërim, shkruajmë përgënjeshtrohem por duhet shkruar gjendërohem, dhëndërohem etj. etj.
Te fjalët e përbëra me vetë nuk shkruhet ë-ja vetëm kur vetë përsëritet dy herë (! pse rregull është ky?), pra duhet të shkruajmë vetëvendos dhe vetvetor...
Sikur të mos mjaftonin ë-të e shumta që kanë fjalët e parme, të cilat i ruajnë ato edhe kur kthehen në fjalë të prejardhura, hartuesit e drejtshkrimit të 1972 kanë shtuar edhe ë të tjera aty ku bashkohen fjalë të parme, që këtë ë nuk e kanë, me fjalë a prapashtesa të tjera. Prandaj duhet të shkruajmë armiqësi, mjekësi, ndërkombëtar, zdrukthëtari etj. etj., por nuk mund të shkruajmë oborrëtar ose shkakëtar sepse këto duhen pa -ë.
Nga gjithë kjo ngatërresë, askush nuk e kupton pse p.sh. duhet të shkruajmë nevojëshumë ose nevojëmadh dhe më anë tjetër nevojtar dhe nevojtore.
Me plot të drejtë Martin Camaj, Arshi Pipa e të tjerë, standardin e krijuar më 1972 e quajtën gjuha “të-të-të”, cok për shkak të arsenalit të stërmadh në ë që kërkon kjo gjuhë në të shkruar.
U ndala këtu vetëm në problemet që sjell zanorja (ose gjysmë a çerekzanorja) ë në drejtshqiptim dhe në drejtshkrimin ekzistues. Por natyrisht problemet shtrihen edhe në zgjidhje që janë gjetur për fonema a kombinime të tjera.
Shoqëria jonë i ka të gjitha kushtet që të përmirësojë kodin e shkrimit të saj, bashkë me krijimin e një kodi të përgjithshëm të drejtshqiptimit. Edhe gjuhë me histori shkrimi dhe drejtshkrimi shumë më të gjatë se tonat, bie fjala gjermanishtja, guxojnë në ditët tona të vendosin norma të reja, përderisa ato ndihmojnë në thjeshtimin dhe lehtësimin e komunikimit.
Vetëm se këto zgjidhje duhet të bëhen me një konsensus të përgjithshëm, ku të pjesëmarrin njerëz të kulturës, shkrimtarë, gjuhëtarë, pedagogë etj., qoftë edhe pas një rilevimi të kujdesshëm të gjendjes së sotme të folur të shqipes. Askush nuk mund të ketë më sot monopol në zgjidhje kaq të rëndësishme për të gjithë pjesëtarët e kombit, më pak nga të gjithë zyrat shtetërore që i patën në të kaluarën.

PROF.DR.XHEVAT LLOSHI : MËSIMI I SHQIPES NË RRETHANAT E REJA


Prof.Dr. Xhevat Lloshi


Dhjetë vjetët e fundit në Shqipëri kanë ndodhur shumë ndryshime të thella politike, ekonomike e shoqërore. Në rrethanat e reja të krijuara si pasojë e tyre, ka ndryshuar edhe problematika e gjuhës shqipe. Dëshiroj të trajtoj disa nga zhvillimet e fundit, që kanë rrjedhime të drejtpërdrejta për mësimin e shqipes në shkollë, madje ndërthuren edhe me fushat e tjera të historisë, të kulturës, të letërsisë e deri te identiteti kombëtar shqiptar në mijëvjeçarin e ri.

Siç dihet, me Kongresin e Drejtshkrimit më 1972 u vendos që shqipja do të ketë një normë drejtshkrimore të vetme dhe kështu u përcaktua që do të kemi një gjuhë standarde, ose të quajtur ndryshe, gjuhën letrare kombëtare apo edhe gjuhën letrare të njësuar. Norma u bë e detyrueshme në të gjitha fushat e jetës publike dhe u pranua nga shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi dhe te arbëreshët.

Mirëpo me shembjen e regjimit njëpartiak u shfaq një rrymë, e cila e ka quajtur gjuhën standarde si një zgjidhje të dhunshme, që prandaj duhet flakur tej. Një rrymë tjetër ka kërkuar që të kemi dy gjuhë standard: njërën mbi bazën e gegërishtes dhe tjetrën mbi bazën e toskërishtes, ndërkaq kjo gjendje të mbetet përgjithmonë për shqiptarët me dy gjuhë standarde. Një rrymë e tretë mëton se shqipja e Kongresit të Drejtshkrimit ka dështuar, prandaj do të presim të shohim se çfarë do të bëhet dhe puna do të gjejë zgjidhje në të ardhmen.

Cila është gjendja reale, pavarësisht nga parapëlqimet e rrymave ose të individëve të veçantë?
Shqipja standarde vijon të kryejë rolin e saj për jetën politike, ekonomike, shoqërore e kulturore dhe është varianti i vetëm që mësohet në shkollë. Nga ana tjetër, askush nuk pengohet të shkruajë e të botojë në variantin e gegërishtes që pëlqen. Po ashtu, në shkollë jepet mësim lënda e letërsisë, e cila përfshin edhe tekste të shkruara në variantet e gegërishtes.

Përfundimisht, gjendja nuk është aq e thjeshtë dhe jemi përballë një problemi, për të cilin mund të diskutohet gjatë, edhe pse tashmë është trajtuar mjaft shpesh gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit. Të më lejohet të tregoj se çfarë po ndodh dhe cili është mendimi im kundrejt dukurive të sotme. Kështu do të kishim një truall për të bërë pyetje më konkrete dhe një diskutim më të rregullt.

Në jetën e përditshme njerëzit përdorin një trajtë ligjërimi, që përcaktohet nga shumë rrethana të familjes e të formimit të tyre. Për këtë arsye fëmijët që pastaj bëhen nxënës mëkohen me gjuhën e nënës, e cila nuk është gjithnjë sipas standardit. Prandaj nevojitet lënda e gjuhës në shkollë. Trajta standarde e gjuhës mësohet në shkollë. Kjo është e vërtetë për cilëndo gjuhë të vendeve të tjera rreth nesh. Me gjuhën standarde zhvillohen të gjitha veprimtaritë shtetërore e publike.

Gjuha standarde jepet mësim në shkollë, domethënë norma e saj drejtshkrimore, e mbështetur me gramatikën dhe fjalorin. Mendoj se kjo duhet të vijojë të jetë rruga e shkollës shqipe edhe në të ardhmen. Shqipja letrare që kemi shërben sot si shenja kryesore e identitetit kombëtar dhe me të do të përfaqësohemi si zë me peshë në familjen europiane, që do të jetë e përbashkët edhe për ne. Përndryshe do të ndodhemi përballë ndërlikimeve të mëdha. Në vend të teorizimeve, po shtroj fare thjesht këtë pyetje: nëse nuk i përmbahemi kësaj zgjidhjeje, si do t’u përgjigjemi autoriteteve arsimore suedeze, që na ndihmojnë për të bërë fjalorët dygjuhësh? Do t’u themi se duhen bërë disa fjalorë të ndryshëm suedisht-shqip, sepse ne kemi disa gjuhë të ndryshme shqipe? Pastaj do t’u kërkojmë klasa të ndryshme, me tekste të ndryshme, me mësues të ndryshëm, duke i ndarë nxënësit në grupe të ndryshme, sepse nuk kemi gjuhë të përbashkët? Besoj se përgjigjja për këto pyetje është e qartë.

Ndërkaq, ne nuk do t’i mbyllim sytë përpara faktit, që jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në botimet nxënësit tanë ndeshen me variante, të cilat ndryshojnë nga norma. Përballë kësaj gjendjeje, ka mënyra të ndryshme për ta ndihmuar nxënësin. Po përmend dy prej tyre.

E para, gjatë punës me tekstet, të cilat nuk janë plotësisht sipas normës, t’u shpjegohet qysh në fillim nxënësve, se aksh vjershë ose aksh copë në prozë ndryshon nga norma, por është përsëri gjuha shqipe me disa veçori dalluese. Për shembull, fare thjesht mund t’u tregojmë, se sipas normës kemi fjalën zëri, porse shqipe është edhe trajta zani. Kjo e fundit nuk është gabim, por bën pjesë në një të folme ose variant të shkruar, që ndeshet edhe në të folur, vetëm se nuk mundemi me shkrim të përdorim shumë trajta për të njëjtën gjë dhe do t’u përmbahemi zgjidhjeve sipas një sistemi.

E dyta, në klasat më të larta, u jepen nxënësve njohuri më të përgjithshme për gjuhën shqipe, duke përmendur edhe dialektet e stilet. Natyrisht, kjo bëhet në mënyrën e përshtatshme për nxënësit dhe praktikisht njohuri të tilla janë përfshirë në librin e klasës së tetë.

Ndërsa mësuesit tashmë i kanë përgatitur nxënësit që ta ndiejnë veten të familjarizuar me këtë dukuri. Është e nevojshme që fëmijët tanë të njohin diçka nga historia e gjuhës, nga ndarjet dialektore, duke i sistemuar hap pas hapi dallimet kryesore, jo vetëm për të përvetësuar mirë normat e gjuhës dhe përdorimin e saj në mjediset e ndryshme të komunikimit, por edhe si pjesë të kulturës kombëtare, për t’u rrënjosur idenë, se pavarësisht nga disa dallime, ne i përkasim në thelb të njëjtit identitet kombëtar. Kurse këto dallime janë pasuri e brendshme e këtij identiteti, siç janë kostumet e krahinave të ndryshme, këngët e vallet popullore sipas krahinave, e kështu më tej.

Qëllimi kryesor do të jetë kurdoherë një: t’i bëjmë të vetëdijshëm nxënësit se ka një normë standarde për nevojat publike, se pa zotëruar atë na mungon themeli e do të kishim vështirësi të padobishme komunikimi ndërmjet nesh. Por ta dinë se ka edhe variante, që nuk përbëjnë as gabime, as gjynahe, përkundrazi, duke pasur njohuri për to, do të na lehtësohet komunikimi me të gjithë bashkëkombasit kudo në botë dhe do të kemi një çelës për të shfrytëzuar gjithçka është shkruar në gjuhën shqipe gjatë shekujve. Ne duam që asnjë shqiptar të mos thotë se nuk e lexon dot Fishtën ose, anasjelltas, se i duket i pakuptueshëm Fan Noli.

Një problem, që po diskutohet vitet e fundit, është vendi i gjuhës shqipe si lëndë mësimore në sistemin shkollor.

Një çerek shekulli më parë gjuha shqipe u hoq nga shkollat e mesme si lëndë më vete. Ka vijuar vetëm në shkollat pedagogjike, që përgatisin mësues. Heqja e lëndës u argumentua me forcimin e lëndës së letërsisë shqipe, duke e quajtur se aty është shqipja e gjallë, e zbatuar konkretisht, dhe nuk ka nevojë për teori gramatikore. Mirëpo praktika ka dëshmuar se përgatitja gjuhësore e nxënësve që përfundojnë shkollat e mesme është mjaft e dobët dhe, si rrjedhim, ata që përfundojnë universitetet, paraqiten shumë keq në komunikimin publik dhe në fushën e punës së tyre me shkrim e me gojë. Përvoja e disa shteteve europiane është krejt e kundërt. Madje edhe në konkurset për pranime në degët e shkencave natyrore e teknike u bëhet provim për gjuhën amëtare. Përfytyroni sikur të ishte e njëjta gjendje e pakënaqshme për zotërimin e anglishtes, çfarë do të bëhej atëherë me gjuhën angleze në internet dhe në të gjitha fushat e tjera në botën e sotme, çfarë vështirësish do të përftoheshin e madje edhe çfarë dëmesh të mëdha ekonomike e financiare do të shkaktoheshin.

Në këto rrethana, prej kohësh është ngritur zëri që gjuha shqipe të rikthehet si lëndë në shkollën e mesme. Përkrahësit e tezës se mjafton të forcohet mësimdhënia e letërsisë nuk gjejnë më mbështetje. Por ka një kundërshtim të fortë lidhur me metodën e mësimit të shqipes në shkollën e mesme.

Shumica e quajnë krejt të pafrytshme përsëritjen pedante të rregullave të morfologjisë e të sintaksës. Kështu kanë nisur përpjekjet për një konceptim të ri të shqipes në shkollën e mesme. Është e kuptueshme, që do të vijë dita për një harmonizim tjetër të kësaj lënde si në tetëvjeçare, edhe në të mesmen.

Për ta dëshmuar këtë, po tregoj një rast. Në të vërtetë, disa elementë në tekstet që përdoren sot për shkollën tetëvjeçare e kanë ngarkuar shumë lëndën për nxënësit. Ata janë marrë nga problematika, që do të ishte e përshtatshme vetëm për shkollën e mesme. Konkretisht, libri i gjuhës për klasën e pestë ka përmbajtjen e një libri gjuhe për italishten në shkollën e mesme italiane. Prandaj është shumë i vështirë si për nxënësit, edhe për vetë mësuesit që punojnë me të në klasë. Kjo gjë duhet të ndryshojë.

Janë duke u bërë disa eksperimente me tekstet për shkollat pedagogjike dhe për shkollat e mesme të gjuhëve të huaja. Më 1994 u botua teksti Njohuri nga teoria e letërsisë dhe stilistika gjuhësore. Pjesa për stilistikën gjuhësore ishte hartuar prej meje. Pesë vjet më vonë stilistika gjuhësore u shkëput më vete dhe u botua e plotësuar me titullin Gjuha dhe jeta për vitin e parë të shkollës së mesme të përgjithshme të profilizuar. Më pas u ngrit një grup i gjerë autorësh dhe u hartua programi i gjuhës shqipe për shkollat e mesme pedagogjike dhe të gjuhëve të huaja, i mbështetur në konceptime më të reja gjuhësore e të didaktikës për mësimin e gjuhës, ku përparësi merr aspekti komunikativ.

Struktura e këtij programi e orienton mësuesin në tre boshte kryesore:


1. Shprehi komunikative, duke synuar të folurit, leximin dhe shkrimin.
Për shembull, nxënësit të mësojnë se si të hartojnë një recension, koment, referat,
përshkrim, tregim, përmbledhje, apo si të komunikojnë në treg, në hotel, në
aeroport, si të flasin për një film, të bëjnë debat, të flasin para kamerës, të
përgatisin llojet e ndryshme të letrave e të dokumenteve, të shkruajnë fjalime,
kumtesa, udhëzues për përdorim pajisjesh, biografi, të mbajnë shënime etj.
2. Njohuri rreth gjuhës e dukurive të saj, duke përfshirë: historinë e gjuhës,
fonetikë, drejtshkrim, drejtshqiptim, leksikologji, stilistikë, sintaksë e morfologji.
3. Shprehi informative, duke ndihmuar nxënësit si të gjejnë e të përvetësojnë
informacionet, madje edhe të punojnë në kompjuter, të përdorin e-mailin dhe
internetin, të shfrytëzojnë fjalorët, enciklopeditë, bibliotekën.

Nga mësuesit kërkohet që të mos kufizohen vetëm me tekstin, por edhe të gjejnë vetë modelet më të mira të shqipes së shkruar e të folur, sidomos të ndjekin botimet e reja. Pjesa për stilistikën gjuhësore përsëri është përgatitur prej meje. Lënda është dërguar për shtyp dhe më vjen keq që ende nuk ka dalë libri, i cili do të ishte i dobishëm edhe për mësuesit e shkollës tetëvjeçare, për të zgjeruar horizontin e tyre. Besoj se një tekst i tillë u përgjigjet më mirë edhe nevojave të nxënësve shqiptarë kudo që ndodhen në vendet e tjera.

Pas luftës në Kosovë e në Maqedoni është krijuar një hapësirë e re politike shqiptare. E gjithashtu kanë lindur çështje të reja për shqipen, për të cilat nuk është fjala thjesht të trajtohen në nivelin e teorisë, por edhe të ndiqen zbatime konkrete për të sotmen e për të ardhmen. Disa njerëz, e vërteta është se përbëjnë një grup të vogël, kanë shfaqur mendimin se me krijimin e shtetit të pavarur në Kosovë, bashkë me simbolet e veçanta mund të vihet në përdorim edhe një gjuhë standarde e mëvetësishme, e ndryshme nga gjuha standarde në Shqipëri. Përsëri kemi të bëjmë me një problem të ndërlikuar, për të cilin mund të diskutojmë gjatë, por e quaj të panevojshme të zgjatem tashti për këtë pikë, duke mbetur i hapur për të gjitha llojet e pyetjeve.
Lidhur me shkollën na shfaqet atëherë kjo mëdyshje: a do të jetë e ndryshme shkolla shqipe në Shqipëri e në Kosovë, Maqedoni e diasporë, apo do të shkojmë drejt njësimit? Për mendimin tim, zgjidhja më e pranueshme do të ishte të shkojmë drejt njësimit, por duke zbatuar konceptet bashkëkohore për mësimin. Sipas këtyre koncepteve, kemi kurdoherë një program mësimor; në bazë të tij ndërtohen disa tekste, prej të cilëve njëri quhet i përbashkët, duke synuar plotësimin e programit, që përbën themelin e përbashkët të njohurive. Por kjo nuk përjashton që mësuesit të kenë mundësinë të zgjedhin ndërmjet teksteve alternative, ashtu siç mendojnë ata se mund të arrihen më mirë synimet didaktike. Shkurt, ky është njësimi i shoqëruar me alternativa. Përpjekjet në këtë drejtim kanë nisur që me librin fillestar e themelin e gjithçkaje, pra, me abetaren. Qëllimi përfundimtar mbetet që nxënësit shqiptarë, pavarësisht se ku ndodhen, ta përvetësojnë mirë gjuhën amëtare dhe thelbin e kulturës kombëtare shqiptare.

Ndryshimet e këtij dhjetëvjeçari kanë prekur thellë jo vetëm jetën e brendshme në hapësirën politike shqiptare, por edhe marrëdhëniet me botën. Nga ky këndvështrim, dy ngjarjet më të mëdha janë hapja e Shqipërisë ndaj botës dhe largimi i pushtuesve serbë nga Kosova. Pasojat gjuhësore prej këtej janë shumë të gjera e të ndërlikuara. Mjafton të përmend se lufta e zhvilluar në Maqedoni për të drejtat e shqiptarëve u përqendrua kryesisht në problemin gjuhësor dhe marrëveshjet e Ohrit. me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara e të Bashkimit Europian pjesën më të gjerë e kanë për gjuhën. Për më tepër, siç e dini, edhe sot vështirësitë për zbatimin e marrëveshjeve të Ohrit janë të mëdha pikërisht në zbatimin e përdorimit të shqipes. Po shtoj vetëm kaq, se në janar të këtij viti kryesuesja e Parlamentit Europian, Doris Pack, gjatë dy ditëve në Maqedoni u ka sugjeruar politikanëve dhe autoriteteve shtetërore maqedonase të ndjekin modelin belg, sipas të cilit në institucione përdoren gjuhët pa kufizim. Besoj se është vërtet fakt historik, që kryesuesja e Parlamentit Europian interesohet për gjuhën shqipe!
Pasojat gjuhësore që përmenda prej hapjes së Shqipërisë dhe të ndryshimeve të statusit të shqiptarëve në Ballkan lidhen edhe me faktorë të tjerë, që ndërthuren në këto procese. Popullsia e Shqipërisë gjatë dhjetë vjetëve të fundit jo vetëm nuk ka shkuar duke u shtuar, por madje edhe është pakësuar. Edhe nga viset e tjera shqiptare të Ballkanit është larguar një numër i madh banorësh, që janë vendosur kryesisht në Europë e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Numri i shqiptarëve jashtë Shqipërisë, me sa duket, do të jetë më i madh sesa brenda vendit. Problemi i ri që shtrohet me mprehtësi është dygjuhësia për shqiptarët.
Një e pesta e shqiptarëve të Shqipërisë tashmë si emigrantë jetojnë rregullisht me një gjuhë tjetër të dytë. Një pjesë tjetër dalin jashtë vendit dhe kthehen përsëri në atdhe në mënyrë të përsëritur. Brenda vendit jo vetëm nëpërmjet arsimit të rregullt, por edhe me shumë rrugë të tjera mjaft njerëz kanë përvetësuar mirë një gjuhë tjetër të dytë. Konstatimi i përgjithshëm është se tashmë 30 për qind e shqiptarëve të Shqipërisë është dygjuhëshe. Duke u shtuar trysnia e globalizimit dhe prirja për integrimin në Europë, na del se tashmë gjysma e shqiptarëve janë dygjuhësh.
Në Kosovë ka pushuar dygjuhësia e imponuar me serbishten nga sundimi i gjatë, por tashmë anglishtja është zyrtarisht gjuha e dytë në Kosovë. Në Maqedoni, siç e përmenda, po luftohet që të arrihet në praktikë statusi zyrtar i shqipes, deri edhe te kërkesa që në pasaportë të jenë të dyja gjuhët.
Çfarë do të bëhet me shqiptarët, që jetojnë larg trojeve të tyre dhe e kanë të domosdoshme të njohin një gjuhë të huaj si gjuhë kryesore për të jetuar e punuar? Sociolinguistika madje na mëson se në këto raste gjuha e vendit të huaj bëhet gjuha me prestigj, mjeti i komunikimit publik i domosdoshëm për të jetuar, për të punuar dhe për të marrë pjesë në shoqërinë e në kulturën përkatëse. Teorikisht këto gjëra studiohen nga shkenca, por neve na intereson sidomos fati i fëmijëve shqiptarë, që rriten sot në kushtet e dygjuhësisë, duke u shndërruar gjuha shqipe në mjetin e përdorur vetëm për jetën familjare. Ne nuk kemi arritur të krijojmë bashkësitë me të gjithë elementët e kulturës e të mjedisit komunikativ, siç ndodh, për shembull, me bashkësitë e mëdha të popujve të tjerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ato raste ka një mjedis të plotë, ku gjuha amëtare nuk rrëgjohet vetëm në vatrën e familjes, si një vlerë e dorës së dytë. Për fëmijët tanë ka një rrezik të vërtetë, që ta humbasin gjuhën amëtare. Nuk e vlen të citoj këtu fakte e shifra konkrete, që tashmë i kemi për këtë gjendje.
Kërkesa jonë duhet të jetë dhe të gjitha përpjekjet tona duhet të bëhen që të mos ndodhë kështu. Këtu nuk është fjala për nacionalizëm ose për romantizëm, të cilat edhe pse kritikohen nga disa, nuk flaken dot pa pasoja madje deri në psikologjinë e individit, në problematikën e identifikimit vetjak dhe të rrënjëve të tij. Jo rastësisht Europa e Bashkuar e ka pranuar shumësinë e gjuhëve si pasuri të kulturës europiane. Dhe prandaj, duke punuar në këtë drejtim, ne nuk jemi në kundërshtim me prirjet e kohës së sotme. Por njëkohësisht nuk duhet të mos e shohim të vërtetën drejt në sy. Jo të gjitha shtetet i përmbahen këtij orientimi europian.
Në Turqi ka një numër të madh shqiptarësh, ndoshta më shumë se një milion, duke nënkuptuar njerëzit që e kanë këtë vetëdije dhe jo thjesht nga prejardhja. Shteti turk nuk e ka shtruar për diskutim fatin e kulturës së tyre gjuhësore dhe vetë ata nuk kanë ndërmarrë ndonjë nismë të organizuar me peshë. Në këto rrethana as nuk flitet për shkolla shqipe, për gazeta e për programe televizive e kështu më tej.
Shteti grek nuk e ka nënshkruar Kartën Europiane për mbrojtjen e gjuhëve rajonale dhe të pakicave, të përgatitur më 1992 e të miratuar përfundimisht më 1998. U nënshkrua një marrëveshje më 1998, sipas së cilës kundrejt shkollave në Shqipëri të hapeshin edhe shkolla shqipe në Greqi, por zbatimi i saj është penguar me gjithfarë mënyrash.
Natyrisht, nuk është kudo kështu. Ka vende europiane, që po krijojnë rrethana të përshtatshme për kulturën në gjuhën shqipe. Në Zvicër, për shembull, ka një Lidhje të arsimtarëve Shqiptarë dhe punon një Universitet Shqiptar. Në Itali në nëntor 1999 Senati italian miratoi ligjin “Për pakicat gjuhësore”, i cili u jep mundësi komunave me një të tretën e votave të këshilltarëve ose me 15 për qind të qytetarëve ta fusin në përdorim shqipen nga kopshtet e deri në shkollën e mesme, madje gjuha e pakicës mund të përdoret edhe në gjyqe.
Megjithatë niveli më i përparuar është arritur në Suedi, ku qeveria financon arsimin e pakicave dhe hartimin e fjalorëve dygjuhësh, plotëson shkollat me mësues të shqipes, pasuron bibliotekat me libra shqip, shoqatat dhe shtypi shqip nuk ndeshin asnjë pengesë. Ju këto gjëra i jetoni praktikisht dhe i dini më mirë se unë. Mua më lejoni, në emër të kulturës shqiptare, të falënderoj me gjithë zemër shtetin suedez, i cili me këtë mënyrë tregon respektin më të thellë për popullin tonë, për historinë e tij, për vlerat e tij europiane.
Çfarë po bëhet në këtë drejtim?
Nga njëra anë, kemi përpjekjet e vetë bashkësive shqiptare në shumë vende të botës. Shumë familje shqiptare janë të shqetësuara për fëmijët e tyre, që po e braktisin shqipen. Në gazetën “Shekulli” në Tiranë janë botuar mjaft letra të lexuesve nga vende të ndryshme për këtë shqetësim. Duke i njohur mundësitë reale, arsyeja e kësaj gjendjeje është se nuk mund të gjendet një zgjidhje për këtë problem vetëm me shkolla private, as dhe me shoqata e me nisma vetjake dashamirëse. Është e domosdoshme mbështetja e shtetit të vendit përkatës. Shqipërisë i bie detyra të luftojë në nivelin e Bashkimit Europian për ta përmirësuar mësimin e shqipes në vendet përkatëse. Ministri i jashtëm, Ilir Meta, ka premtuar këtë vit se do të kërkohen marrëveshje me Italinë e Greqinë për krijimin e shkollave plotësuese, ku të mësohet shqipja, dhe për hartimin e teksteve, si dhe do të ngrihen dy qendra kulturore: në Athinë e në Romë. Nga ana tjetër, është detyrë e të gjitha institucioneve kombëtare shqiptare, që të interesohen për veprimtaritë mbështetëse të identitetit kombëtar për shqiptarët kudo në botë. Puna e parë është përgatitja e teksteve dhe e materialeve të tjera shkollore në sasi të mjaftueshme, si dhe dërgimi i tyre në qendrat e ndryshme, duke u interesuar deri në fund që të bien në duart e fëmijëve shqiptarë.
Përveç kësaj ane të bazës materiale, këtu ka edhe çështje pedagogjike të posaçme. Krahas botimeve mësimore që përdoren për shkollat e Shqipërisë, del e nevojshme të hartohen edhe materiale, në të cilat të mbahet para sysh gjendja reale e fëmijëve në mjedisin e huaj dhe dygjuhësh. Është botuar një libër me titullin Gjuha shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut, por me gjithë këtë titull, autorët nuk kanë njohuritë e nevojshme, dhe as përvojën e mësimit të shqipes në këto kushte. Teorikisht problemi shtrohet kështu: një fëmijë është shqiptar dhe duhet të mësojë një gjuhë të huaj, domethënë nuk mund ta mësojë shqipen sipas një metode për të huajt; është e kundërta. Mund të duket e papritur, por na del se përvetësimi i shqipes në kohën tonë është i lidhur drejtpërdrejt me mësimin e gjuhëve të huaja.
Njëra nga metodat më të njohura për të përvetësuar një gjuhë të huaj është ajo që quhet metoda e drejtpërdrejtë. Krijohet sa më shumë mjedisi, që fëmija të gjendet në situatën e gjuhës së huaj dhe mendohet se kjo jep sukses më të shpejtë e më të sigurtë. Nuk do ta mohojmë se metoda e drejtpërdrejtë ka përparësitë e veta, por ajo e përjashton ballafaqimin me shqipen dhe vendosjen e lidhjeve të qëndrueshme midis të dyja gjuhëve, prandaj ajo del në dobi të gjuhës së huaj dhe kundër interesave të kulturës kombëtare.
Mbrojtja dhe përpunimi i shqipes përgjithësisht sot varen nga zotërimi sa më i mirë i gjuhëve të huaja. Rrjedhimet praktike prej këndej janë disa. Së pari, vetë prindët duhet ta dinë gjuhën e huaj sa më mirë, ta njohin me gramatikë e të punojnë për ta zotëruar edhe në nivelin kulturor, jo vetëm për në punë e për në pazar. Duke e ditur vetë mirë, do të jenë në gjendje të ndihmojnë edhe fëmijët, madje anasjelltas, të përfitojnë nga mësimet e fëmijëve në shkollën e gjuhës së vendit. Në këtë mënyrë do të kenë mundësinë që t’u shpjegojnë fëmijëve ose të bashkëbisedojnë me ta sesi dukuritë e ndryshme të gjuhës së huaj kanë mundësi të gjejnë barasvlerëset e shqipes. Fare shkurt do të theksoja, se na nevojitet për çdo rast kjo fjali: suedisht thuhet kështu, kurse shqip e themi kështu, dhe po ashtu anasjelltas: shqip thuhet kështu, kurse suedisht e shprehin kështu. Ju siguroj se kjo fjali jo vetëm do të ndihmonte fëmijët e prindërit bashkarisht, por edhe do të krijonte një marrëdhënie më të ngrohtë në familje, do ta ndihmonte familjen të ecte përpara në integrimin brenda shoqërisë së huaj, pa lejuar që të krijohet shkëputje gjuhësore ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, madje duke mundësuar daljen nga izolimi kulturor të familjes në mjedisin e huaj, i cili mbetet sidomos i huaj, kur nuk thith pak nga pak kulturën e tij përmes gjuhës.
Ndërkaq, del e domosdoshme të përpunohen materiale të mirëfillta gjuhësore për ballafaqimin ndërmjet dy gjuhëve. Duke i pasur këto materiale, mësuesit e shqipes në mjedisin dygjuhësh do ta kenë shumë më të lehtë të japin mësimin e lëndës së shqipes. Në fakultetet tona pedagogët e gjuhëve të huaja prej vitesh punojnë në këtë fushë të studimit të ballafaquar midis shqipes dhe një gjuhe të huaj. Është koha që kjo punë të shkojë më tej dhe sidomos të marrë trajtën e librave për përdorim të përgjithshëm, veçanërisht për ballafaqimin ndërmjet shqipes dhe anglishtes, pasi kjo është gjuha e globalizimit dhe përbën probleme të mëdha të ndikimeve të huaja për shqipen. Shqetësimin për këtë tip ndikimi e kanë edhe kulturat e gjuhëve të tjera të Europës së sotme. Duke qenë se nuk e njoh suedishten si gjuhë, nuk jamë në gjendje t’ju parashtroj asgjë konkrete. Por e shoh të dobishme t’ju propozoj kështu një fushë pune për ju, që jetoni në Suedi e që keni në duar edhe gramatikat e fjalorët e suedishtes. Merruni me studimin ballafaques të shqipes me suedishten, gjeni rregullat e kalimit të një dukurie nga njëra gjuhë në tjetrën dhe pastaj nuk është e vështirë të përpunohen mënyrat pedagogjike për të punuar në klasë me nxënësit shqiptarë.
Së fundi, do të përmend edhe një rrethanë tjetër, që e ndihmon nga jashtë shkollimin shqip. Është e nevojshnme të ketë sa më shumë materiale shqip në shtëpitë e shqiptarëve jashtë vendit të tyre. Natyrisht, gjëja e parë janë librat. Çfarëdo libri shqip në shtëpi është një dritëz e shqipes. Le të jetë edhe fjalorë dygjuhësh e të gjuhës shqipe, po edhe libra të shumëllojshëm e sidomos me ilustrime. Po këtu përfshihen gazetat e revistat shqip. Në kohën tonë rëndësi gjithnjë e më të madhe po marrin mjetet elektronike. Janë tepër të dobishme videokasetat me filma, shfaqje e deri te skenat familjare, të marra për kënaqësi e për kujtime nga jeta në atdhe apo me fëmijët, duke folur shqip. Me ndikim të madh janë këngët shqipe e deri thjesht këmbimi i letrave shqip. Gjuha shqipe jeton e gjallë në mjedisin e vërtetë shqiptar. I shërbejnë gjuhës shqipe takimet në qendrat e shqiptarëve, puna në shoqatat e deri tubimet për festa ose dhe për veprimtari politike. Sot bota është bërë e ndërlikuar, por edhe ka krijuar mundësi për të cilat as mund të mendohej pak vjet më parë. Udhëtimet bëhen brenda pak orësh nga pikat më të largëta, nuk është më e vështirë të vish në Shqipëri a në Kosovë e Maqedoni, të kalosh disa ditë pushimesh ose të jetosh disa ditë të tjera me miqtë.
Në botën e sotme globale ka vërtet rreziqe të reja, por ka edhe më tepër mundësi ta ruash identitetin tënd kombëtar, pavarësisht nga largësitë. Për këtë duhet dëshirë, duhet vullnet, por duhen edhe njerëz, të cilët të punojnë me program të qartë e të përkushtuar. Prandaj më lejoni ta mbyll, duke përshëndetur përzemërsisht të gjithë mësuesit e shqipes jashtë vendit dhe të gjithë dashamirësit e tjerë, që shtypin libra e gazeta shqipe, që bëjnë emisione në radio e në televizion, që punojnë në shoqata e që mbajnë klube shqiptarësh, që ftojnë grupe artistike nga atdheu, që ndihmojnë për ekspozita, për festat kombëtare e për veprimtari të tjera, që reklamojnë mallra të prodhuara nga shqiptarët. Edhe pa qenë të vetëdijshëm me fjalë të mëdha, të gjithë janë veprimtarët e kulturës shqiptare dhe frymëzues të shpirtit kombëtar.

Nuhi Gashi:Poliglosia ose bilinguizmi te fëmijët-nxënësit e Shkollës së mësimit plotësues në gjuhën amtare në diasporë

1. Objekti i interesimit
 Nuhi Gashi
Fëmijët –nxënësit shqiptarë, si gjithë fëmijët tjerë të origjinës tjetër, të gjendur nga arsye të ndryshme, kryesisht ekonomike, jashtë Atdheut, janë shembull origjinal i bashkëjetesës në rrethana të ndikimeve dhe reflektimeve bi ose multikulturale, në rastet më të mira dhe pozitive në rrethana të ndikimeve interkulturale. Ndërkaq këta fëmijë, si nxënës të shkollës së rregullt në gjuhën e vendit pritës dhe shkollës së mësimit plotësues në gjuhën shqipe, ndjekja e së cilës mjerisht ende është në përmasa minimale dhe shumë larg të qenit gjithëpërfshirëse apo edhe “e obligueshme”, njëkohësisht prezentojnë shembullin e fëmijëve zakonisht bilinugual, por në disa raste edhe polilingual / fëmijët e martesave jo të pakta të shqiptarëve me qytetarë të gjuhës jo të vendit pritës/.

Eshte provuar që problemi të shikohet nga aspekti i ndërveprimit gjuhë-konjicion /të kuptuarit e mendimit dhe kumtimi/ , ku siç është e njohur, gjuha e mësuar ose në këtë rast gjuhët e mësuara kanë një ndikim do thosha skajshmërisht të fuqishëm në aftësitë konjitive të fëmijës a njeriut në përgjithësi.

Përveç vrojtimeve të mia gjatë punës praktike profesionale si mësues i shkollës së MP në Berlin /1985-1989/ dhe kontakteve të kohëve të fundit poashtu me këto shkolla dhe fëmijë, njëkohesisht kam shftytëzuar edhe përvojat dhe opinionet e mësuesve aktualë të SHMP në gjuhën shqipe kryesisht të hapësirës gjermanofone, opinionet dhe vlerësimet e shprehura dhe të mbledhura me anën e një PYETESORI, të shpërndarë nga MASHT e Kosovës / ku aktualisht punoj dhe ku është duke u ngritur një shërbim i veçantë profesional për SHMP në diasporë dhe ku aktualisht zyrtar i vetëm i këtij shërbimi jam unë / për problemet e MP, i hartuar për mësueset e kësaj shkolle. Ky pyetësor shtron shumë probleme nga fusha e interkulturalizmit, integrimit si dhe e gjuhës edhe nga aspekti psikolinguistik. Prandaj, jo rrallë, do t´iu referohem vlerësimeve dhe të dhënave të vjela në të dhe përmes tij për çështje edhe të interkulturalizmit, bilinguizmit, që reprezentojnë opinionet, deri më tash të 60 mësuesve aktivë, shumica në Gjermani. Përndryshe një hulumtim i mirëfilltë empirik i fëmijëve bilingualë, me një bazë të mirëfilltë shkencore dhe me një modelim solid teorik do të duhej të ishte rezultat i qasjes interdiciplinare nga aspekti psikologjik, gjuhësor, padagogjik , medicinal etj. dhe pret të bëhet.



2. Ç´do të thotë të qenit e fëmijës bilingual ose poliglot

Të qenit e fëmijës poli ose bilingual nënkupton aftësinë e tij mendore për të folur dy ose më shumë gjuhë, përkundër dallimeve esenciale që ato gjuhë manifestojnë mes veti në fushë të leksikut, sintaksës , shprehjes etj. Pra, megjithë morinë e dukurive diverse, fjalëve, strukturave sintaksore, rregullave, trajtave morfologjike të ndryshme, fëmijët ia dalin që t’ i përvetësojnë dy e më rrallë edhe disa gjuhë dhe të quhen poli ose bilingual. Këto gjuhë mund të mësohen në periudha të ndryshme të moshës dhe në mënyra të ndryshme. Pastaj ato mund të mësohen ndaras dhe mund të mësohen paralelisht. Mund të mësohen në shkollë sipas kurrikulave të verifkuara më parë, në kopshte fëmijësh, në familje, në ambiente tjera të jetës, respektivisht në format e lira të komunikimit të përditshëm.

Zakonisht, në kushte normale dhe në moshë normale e me kohë, këto gjuhë mësohen natyrshëm dhe pa ndonjë vështirësi të veçantë dhe natyrisht përbëjnë një pasuri të çmuar kulturale të fëmijës. Procesin e mësimit të gjuhës e bën edhe më kompleks prania dhe ndikimi e ndërveprimi i faktorëve të shumtë psikosocialë e kulturalë të ambientit të vendit mikpritës si dhe të vendit të origjinës bashkë me diversitetet përkatëse. Në mënyrë të veçantë ndikon prania e ndikimeve të të folmeve lokale-regjionale, respektivisht trajtave dialektore të gjuhës, të cilat, mjerisht, në gjuhën shqipe janë mjaft të shprehura dhe me mjaft ndikim dhe bartin karakteristikat gjuhësore të hapësirave prej nga vijnë prindërit, pastaj shkalla e sensiblizimit dhe motivimit të prindërve dhe fëmijëve, niveli kultural-arsimor i prindërve etj. Të gjitha këto situata apo kategori janë fusha potenciale të studimit dhe kërkojnë çasje të ndryshme.

Në anën tjetër, vetë procesi i përvetësimit të gjuhës amtare është jo i njëjtë me atë të përvetësimit të gjuhës së vendit pritës, në këtë rast të gjuhës gjermane. Ka këtu shumë faktorë psiko-socialë, ekonomikë, kulturalë etj që ndikojnë në këto procese. Mundësia dhe kushtet për mësimin me kohë të gjuhës së vendit pritës janë më të mëdha dhe bëhen nën përkujdesjen profesionale-institucionale, duke e poseduar edhe elementin e obligueshmërisë /shkollimi i obligueshëm formal/ dhe fillojnë zakonisht nga çerdhet e fëmijëve për të vazhduar pastaj në shkollën e rregullt fillore e më tej sipas dëshirës. Paralelisht kësaj, në mbështetje të këtij procesi janë edhe rrethi shoqëror, mediat etj. Ndërsa, sa i përket mësimit të gjuhës amtare ndodh një „diskriminim“, respektivisht një disfavor, i cili është i shprehur posaçërisht në ambientet familjare me shkallë të ultë të arsimit dhe mospërdorim të mjaftueshëm të gjuhës amtare as brenda familjes. Posaçërisht vështirësi do të kenë fëmijët që nuk ndjekin shkollën plotësuese në gjuhën amtare dhe ata të martesave mikste. Shikuar nga këndi i interferencës gjuhësore në këto raste epërsia dhe ndikimi i gjuhës së vendit pritës është e madhe dhe në asnjë mënyrë nuk është pasojë e paaftësisë së fëmijës për të mësuar dy gjuhë, por është pasojë e shumë faktorëve më parë të përmendur.

Është mëse evidente se, përkundër shumësisë së informacioneve të cilat duhet t´i përpunojë fëmija në kuadrin e mësimit-përvetësimit të dy gjuhëve, rreziku, respektivisht mundësia e tejkalimit të kapacitetit marrës apo mbingarkesës së trurit nuk ekziston, sepse, siç është konstatuar tashmë nga studimet komparative psikolinguistike, fëmija në njëfarë mënyre lind me një aparat për përvetësimin e gjuhës /Chomsky/, që i krjon atij lehtësi në përvetësimin e, posaçërisht , rregullave gramatikore. Këto rregulla mësohen jo vetëm vetëm përmes mësimit në shkollë, por edhe përmes imitimit të të rriturëve apo edhe përforcimit. Pra, flitet për aftësi të veçanta të fëmijës në përvetësimin e gjuhës.

Eshtë me interes të hulumtohet edhe një dallueshmëri gjinore jo vetëm në fushë të mësimit të gjuhëve, ku fëmijët e gjinisë femërore po shenojnë rezultate më të mira dhe kjo në përmasa ndërkombëtare /raportet e PISA-së/. Fenomenin e epërsisë te fëmijët shqiptarë të gjinisë femërore në mësimin e jo vetëm gjuhës amtare disa mësues e arsyetojnë me lidhjen më të fuqishme emocionale të vajzave me prindërit, familjen, gjuhën dhe Atdheun si dhe me përkujdesjen më te madhe që ato gëzojnë nga prindërit e tyre për t’u shkolluar, si një profilaksë /duke qenë të shkolluara do të jenë edhe sovrane/ për t’i shpëtuar asimilimit ose martesave me të huajt, që për shqiptarët ende nuk parapëlqehen dhe s’ shikohen me sy të mirë, derisa djemtë, rreziku i asimilimit të të cilëve është më i vogël, janë të prirur kah sportet masive dhe, posaçërisht, luftarake.

Të gjitha këto do të duhej të ishin në funskion të sensibilizmit të opinionit, prindërve dhe institucioneve për nevojën e përfshirjes sa më të madhe të fëmijëve shqiptarë në mësimin e gjuhës amtare prej moshave më të reja, posaçërisht duke filluar-prekur në fazën-moshën sensitive të përvetësimit të gjuhës /deri në moshën 7 vjeç/, si periudha më optimale për përvetësimin, do thoja solid, paralel të dy e më shumë gjuhëve, sepse mësimi në moshat e mëvonshme bart edhe rrezikun e harresës së shpejt, sado që deri në moshën 18 vjeç njohja e gjuhës mund të ripërtrihet shumë shpejt përmes përsëritjes. Është e njohur që nëse fëmija deri në moshën 7 vjeç, për arsye të ndryshme s´ka arritur ta përvetësojë asnjë gjuhë, atëherë mundësia e përvetësimit të saj të përkryer më vonë do të humbet për gjithnjë. Pra e ashtuquajtura mosha-faza sensitive e përvetësimit të gjuhës është shumë me rëndësi dhe arsyetohet edhe nga aspekti i përgatitjes dhe aftësisë biologjike të trurit për mësimin e gjuhës apo edhe gjuhëve dhe të qenët bilingual të fëmijëve natyrshëm dhe pa sakrifica të mëdha. Pra, vetë kapaciteti i trurit e mundëson këtë dhe në aspektin e aftësisë receptive premisa për përvetësimin e gjuhëve është e lindur.

Më pastaj, me kalimin e kohës mundësitë për përvetësimin e gjuhëve do të jenë gjithnjë më të vogëla dhe procesi do të rrjedhë me më shumë vështirësi , sado që vëtëdija dhe etja personale për më shumë kultura dhe më shumë gjuhë do të rritet, aq më tepër në kushtet e jetës moderne dhe nevojës për ndërkomunikim kultural dinamik edhe në përmasa globale dhe në kuadër të globalizmit.. Në këtë kontekst eksistenca e SHMP /shkolla e mësimit plotësues/ në gjuhën amtare dhe nevoja e shtrirjes së rrjetës së saj edhe aty ku për arsye të ndryshme nuk ekziston, përkrah shkollës së rregullt në gjuhën e vendit pritës, fiton edhe më shumë në peshë dhe bëhet edhe më shumë e nevojshme.



3. Favoret kulturale dhe intelektuale të fëmijëve bilingualë

Është konstatuar se fëmija është në gjendje që paralelisht t´i mësojë dy gjuhë, pa pasur ndonjë problem në intelegjencën e tij apo stabilitetin psiqik. Poashtu, bilinguizmi nuk ndikon negativisht në suksesin e fëmijës në shkollë, por, përkundrazi, të dhënat tregojnë se ai e rrit atë. Nga përvoja ime pedagogjike dhe raportet e mësuesve del se fëmijët që ndjekin mësimin edhe në gjuhën amtare kanë treguar sukses më të mirë edhe në gjuhën e vendit pritës dhe anasjelltas; ata që janë të shkëlqyeshëm në gjuhën e vendit pritës, janë të treguar të suksesshëm edhe në gjuhën amtare. Nga një hulumtim që është bërë me nxënësit e origjinës jo suedeze në Suedi para disa ditesh, rezultatet e të cilës janë prezentuar poashtu në një seminar profesional për mësimin e gjuhës amtare, ka rezultuar se nxënësit që kanë ndjekur mësimet në shkollën e mësimit plotësues në gjuhën amtare kanë pasur sukses më të mirë edhe në shkollën dhe gjuhën suedeze apo kanë pasur sukses të njëjtë me ata që gjuhë amtare kanë suedishten. Është interesant, thuhet në raportin e mësueses shqiptare nga Suedia, e cila i referohet rezultatit të hulumtimit, se nxënësit që kanë treguar sukses jo të mjaftueshëm në gjuhën amtare dhe ata që nuk e kanë ndjekur mësimin në gjuhën amtare janë ndjerë më tepër suedezë.Pra, te ata ekziston shprehimisht tendenca e vetasimilimit, kushtëzuar nga faktorë të shumtë dhe të ndryshëm, e jo e integrimit përmes formave të interkulturalizmit dinamik. Në këtë rast nuk duhet të na shpëtojë pa u theksuar e vërteta se procesi i integrimit është mjaft kompleks dhe premisa e tij për një sukses të bindshëm do të duhej t’ i kishte rrënjet edhe në njohjen e mjaftueshme të gjuhës dhe kulturës nacionale me kohë dhe në moshë të duhur dhe në lirinë e të drejtën, respektivisht krijimin e kushteve përkatëse, për vënien e kësaj kulture e gjuhe në raporte ndërvepruese me kulturën e gjuhën vendore /interaksioni kultural dhe gjuhësor mes njerëzve/

Aftësia e fëmijëve bilingualë për të gjykuar drejt në kushtet normale është më e madhe se e fëmijëve monolingualë. Poashtu fëmijët bilingualë fitojnë një epërsi intelektuale dhe janë të prirur që më shpejt se monoligualët t´ia dalin në mësimin e rregullave të matematikës, që do të thotë se ata i shquan fuqia e tyre e të menduarit edhe pa folur.

Të qenët bilingual është me rëndësi edhe në aspektin e krijimit të një ekuilibri emocional ndaj përkatësisë kulturale-gjuhësore, respektivisht identitetit. Fëmija bilingual jo vetëm që do “t’ i përmbushë obligimet ndaj origjinës së tij” /Atdheu, prindi, kujtesa nacionale, rrethi shoqëror e familjar në Atdhe e familje/, por, në të njëjtën kohë , do t’ i posedojë edhe premisat themelore të bashkëjetimit i lirë, emocionalisht dhe intelektualisht stabil dhe i integruar në “Atdheun e dytë.”



4. Fëmijët bilingualë dhe personaliteti

Në qarqe të caktuara, kryesisht të nivelit jo të kënaqshëm kultural dhe arsimor, është hetuar droja që kinse synimi i të qenit të fëmijës bilingual mund të ndikojë negativisht në zhvillimin normal të personalitetit të tij. Ky jonormalitet shfaqet gjoja si një ndarje a çarje në dysh e personalitetit të fëmijës. Natyrisht droja është e paarsyeshme dhe naivisht e motivuar dhe, nëse diku mund të flitet për një personalitet të dyzuar nga përkatësia e tij bikulturale, në asnjë mënyrë s´mund të flitet për një dyzim personaliteti për shkak të bilingualitetit të tij. Pra, rritja dhe shkollimi i fëmijës në rrethana bilinguale në asnjë mënyrë nuk shkakton prishje të baraspeshës së personalitetit, por përkundrazi ambienti i mirëfilltë bilingual dhe komunikimi dinamik interkultural paraqet favor dhe mundësi për ndërtimin e një personaliteti më komplet, më fleksibil, më krijues, te i cili natyrisht është normale që do të ndodhë një lloj transferi pozitiv i personalitetit sipas gjuhës. Gjithsesi ambienti bilingual, poashtu, do t´i rrisë kompetencat gjuhësore të fëmijës dhe ndërveprimin dinamik të dy botëve, dy kulturave, dy kodeve, dy gjuhëve etj. Personaliteti i krijuar në rrethana të tilla do të jetë më human, më tolerant, më i dijshëm, më shumjë njohës, më shumë kërkues, më pak konfliktual, më patriot, më hulumtues, më lojal, më parimor etj.

Fëmijët bilingualë do ta kenë më lehtë në ndërtimin e identitetit personal dhe nacional, sepse përparësia bilinguale u mundëson qasje bikulturale, repektivisht “thithje të dy nënave”, pastaj evitim apo preventivë ndaj identifikimit me kompleksin e përkatësisë “kulturës dhe gjuhës minore”, respektivisht kulturës dhe gjuhës më pak të njohur.

Poashtu, prirja , tashmë e konstatuar, natyrore e fëmijëve shqiptarë për mësimin e gjuhës së vendit pritës, që arsyetohet edhe me përparësitë që krijon vete thesari fonologjik i gjuhës shqipe dhe qasja e shqiptarëve-fëmijëve pa asnjë paragjykim negativ apo refuzues, zvogëlon dukshëm shansat e shfaqjeve dhe krijimit të skemave të ndryshme të patologjive të vendorëve ndaj të huajve, të shfaqura zakonisht si refuzim, shpërfillje apo edhe deri përbuzje e hapur dhe ksenofobi. Sigurisht se kjo prirje a “dhunti” i ka edhe arsyet e saj psiko-sociale e historike-kulturale. Sido që të jetë, tashmë është bërë disa herë e njohur se shqiptarët janë të njohur me lehtësinë e tyre në përvetësimin e gjuhëve tjera dhe ky fakt , historikisht përveç se si nevojë dhe kusht për hyrje a depërtim në botën e madhe, tashmë merret edhe si favor, thesar dhe virtyt kultural dhe nacional. Te ata nuk vërejmë as më të voglën dozë të shovinizmit a racizmit gjuhësor apo ndonjë aspiratë megalomane të tipit se “gjuhën tënde duhet ta dijë gjithë bota”. Në këtë kontekst po iu përmend një situatë , besoj, me interes për të ilustruar ekzistencën e tendencës së hegjemonisë a shovenizmit gjuhësor: Në vitin 1989, kur lëvizja social-shoviniste serbe ishte në kulmin e promovimit të saj publik dhe medial dhe mistifikohej si lëvizje unitariste e shpëtimit të Jugosllavisë, në një takim-festë fëmijësh për 8 Marsin në Berlin, ku kishte nxënës të shkollës së MP, atëbotë nga të gjitha gjuhët e popujve të ish YU-së, e edhe shqiptarë dhe ku unë isha mësues, një kolege nga Beogradi, në një rast, më ankohet shumë nervoze se si nxënësit shqiptarë s’ po e kuptojnë fare dhe kjo s‘po din se si të merret vesh me ta. I qetë, ia ktheva se fëmijët shqiptarë dijnë shkëqyeshëm gjuhën gjermane / të cilën kolegia ime nuk e dinte fare/ si dhe gjuhën e tyre amtare, gjuhë e cila në shtetin e quajtuar Jugosllavi flitej nga jo më pak se 3 milionë banorë, ndërsa kjo si mësuese nuk e din asnjë fjalë të kësaj gjuhe dhe as të gjuhës gjermane, sado që në Gjermani ka tashmë 3 vjet që jeton, por me megalomaninë e saj mendon se gjithë bota duhet ta dijë serbishten e saj. Thënia “Govori jezik u koji te razume celi svet i bog” (Fol gjuhën në të cilën të merr vesh gjithë bota dhe zoti) ishte një nga marrëzitë serbe, e njohur në ish Jugosllavi, prapa të cilës s’ ka dyshim fshihej edhe aspirata serbe hegjemone, e cila më vonë rezultoi me vdekjen e afro qindra-mijëra njerëzve dhe zhvendosjen e milionave.



5. Disa faktorë socio-psikologjikë me ndikim në përvetësimin e gjuhëve dhe roli i tyre motivues

Rritja dhe shkollimi në mjedis social bilingual nënkupton edhe lehtësi në të qenët bilingual të fëmijës. Sigurisht që pozita e fëmijëve tanë në diasporë është tipike bilinguale /jo në pak raste edhe trilinguale/. Mund të flasim për grupe-kategori të ndryshme fëmijësh sipas moshave dhe kohës së ardhjes a qendrimit në vendin nikoqir. Aktualisht grupin më të madh e përbëjnë fëmijët e lindur në vendin nikoqir. Ata realisht kalojnë nëpër të gjitha shkallët e sistemit të arsimit, respektivisht të kontaktit me gjuhën e vendit pritës në jetën publike /çerdhja, kopshti i fëmijëve, shkolla, shoqëria, mediat, koha e lirë dhe loja /, kështu që përvetësimi i gjuhës së vendit pritës është pothuajse i natyrshëm. Megjithatë, ngecja në të shumtën e rasteve manifestohet në gjuhën amtare, sepse prezenca dhe ndikimi i faktorëve që i përmendëm më parë ose mungon ose është fare formal dhe pa efekte të mjaftueshëm. Natyrisht shkolla e MP provon ta përmirësojë gjendjen dhe aty ku ajo është profesionalisht e organizuar, monitorohet nga autoritetet vendore ose shoqata profesionale mësuesish apo institucione profesionale përkatëse nga Atdheu /ka filluar procesi-iniciativa e MASHT-it/ dhe ku ekziston mbështetja e prindërve sukseset janë më se të dukshme dhe të pritshme.

Në qoftë se përvetësimi i përkryer i gjuhës së vendit pritës është i motivuar nga faktorë normalë të krijimit të premisave normale të jetës dhe punës sa më të favorizuar në vendin pritës dhe integrimin e plotë në shoqërinë vendore / në njëfarë mënyre në atdheun e dytë/, kur është fjala për gjuhët e “mëdha” edhe nga prestigji që gëzojnë këto dhe nga mundësitë që krijojnë për interkomunikim sa më të gjërë dhe global, në rastin e gjuhës amtare problemi i motivimit për mësimin e saj është më kompleks dhe zakonisht lidhet me faktorë të ruajtjes dhe kultivimit të identitetit kultural dhe gjuhësor të origjinës ose të kujtesës nacionale. Sigurisht që ky identitet në ambientet ku mungon mirëkuptimi i duhur i autoriteteve vendore për krijimin e kushteve të duhura për shkollë në gjuhën amtare si

dhe nga mangësitë e faktorit prind të shprehura si indolencë dhe shkallë e ultë e arsimit, mosinteresim apo motivim i pamjaftueshem për shkak të vetëdijës së ultë kombëtare dhe nivelit të ulët kultural, bartje të një kompleksi të vogëlsisë së përkatësisë dhe „rreziqet“ hipotetike të zbulimit dhe afirmimit të përkatësisë dhe identitetit /të gjitha derivate të kompleksit të vogëlsisë/ , arsyetimi naiv gjoja se shkolla me mësim plotësues në gjuhën amtare ndikon negativisht në mbarëvajtjen e suksesit të nxënësit në shkollën e rregullt në gjuhën e vendit nikoqir, jo rrallëherë kërcnohet të jetë i zbehtë dhe fare rutinor, që mos të themi thjeshtë folklorik. Është gjuha dhe sigurisht varianti i saj letrar shtylla vertebrale e këtij identiteti. Këtë gjuhë, në variantin e saj standard dhe larg trajtave dhe të folmeve dialektore a regjionale prej nga vijnë prindërit, mund t´ua ofrojë vetëm shkolla. Sigurisht që shkolla, përmes mësimit të gjuhës amtare me mbikëqyrje profesionale, shton premisat e ruajtjes dhe kultivimit të identitetit, ndjenjen e krenarisë së përkatësisë, zhvillimin e nevojshëm dhe te vazhdueshëm të kompetencave gjuhësore, evitimin ose profilaksën ndaj komplekseve të shfaqura dhe të shkaktuara nga ndjenja e mundshme e vogëlsisë dhe në këtë mënyrë mundëson krijimin e një baraspeshe të nevojshme me interferencë normale , transfer kultural-gjuhësor, të nevojshëm edhe në procesin e integrimit të mirëfilltë dhe pa frustracione dhe jo hipotetik, në shoqërinë e “atdheut të ri”.

Në rastet kur këto procese ngecin në gjysmë, kur për arsye të ndryshme pushon edhe zhvillimi dhe thellimi i kompetencave gjuhësore mund të ndodh edhe „fosilizimi i hershëm“, që nënkupton stagnim në dije dhe përvetësim të gjuhës dhe i cili, zakonisht, bart konseguenca të pastajme.

Shihet që, për të qenë fëmija bilingual, varet edhe nga mosha e tij, mosha e ardhjes a hyrjes së tij në vendin pritës, shkalla e integrimit të tij në shoqërinë vendore dhe format e kontakteve dhe komunikimit, parafytyrimet e krijuara ose në disa raste të bartura për vendin pritës dhe Atdheun, parafytyrimet pozitive për gjuhën e vendit ku jeton dhe vendin dhe gjuhën amtare, parafytyrimet dhe koncepti i perspektivës, vizioni i tij dhe i prindit për integrimin, “ideali” i hapur ose latent për kthim dhe riintegrim në Atdhe etj.

Në shumësinë e faktorëve me ndikim për krijimin e klimës dhe bazës funksionale motivuese për mësimin e gjuhëve, në këtë rast posaçërisht të gjuhës amtare, shquhet edhe definimi i qartë i rolit të faktorëve mbështetës-motivues dhe ekzekutues, ku posacërisht rol të madh ka shkolla e MP dhe synimi e obligimi i saj permanent për zhvillimin dhe përmirësimin e bazës profesionale të mësuesve për punë në rrethanat bi ose shumë kulturale-gjuhësore dhe mbështetja që kjo shkollë duhet të posedojë nga institucionet përkatëse jo vetëm të atdheut, por edhe ato të vendit pritës, në vecanti mbështetja shkencore dhe vënia e problemit nën një “kontrollë” profesionale, ku bilinguizmi trajtohet si favor kultural e mental, ku interferenca ndodhë në përmasa normale, ku krijohen kushte për zhvillimin e kompetencave gjuhësore dhe transferit kultural dhe gjuhësor, ku gjuhët do të jenë faktorë dhe mjet integrues e afrues e jo asimilues ose refuzues. Për këto ka nevojë edhe për identifikimin dhe angazhimin e përvojës së mësuesve që punojnë në diasporë dhe të dijës e afinitetit hulumtues jo vetem të linguistëve, por edhe të psikologëve, kulturologëve, pedagogëve, mjekëve etj, me qëllim të kyçjes së tyre në projektin shumë të nevojshëm të ribërjes së kurrikulave, metodologjisë së veçantë të punës, teksteve, përgatitjes dhe aftësimit profesional të mësuesve etj.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...