2011-01-23

Ndre Mjeda

Nga Flori Bruqi

Ndre Mjeda u lindi në Shkodër më 20 nëntor 1866 në një familje të varfër, të ardhur nga fshati Mjedë. Mësimet e para i ndoqi në Shkodër, më pas u dërgua për studime të mesme dhe të larta teologjike në disa vende në Evropë. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci. I dëbuar nga urdhri i jezuit për mosbindje, Ndre Mjeda u kthye në atdhe, ku u emërua famullitar në fshatra të ndryshme, periudhë kur u lidh me lëvizjen patriotike.



Veprimtarinë poetike Ndre Mjeda e nisi që herët. Poema e njohur romantike "Vaji i bylbylit" u shkruajt më 1887. Në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martini, N. Bytyçi, etj. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917, kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha `Juvenilia", ai shkroi, por nuk botoi gati asgjë.

Krahas krijimeve të përshkuara nga notat elegjiake, Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike, në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake të Rilindjes, si "Liria" (1910-1911). Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911, qëndresa dhe dëshira e tyre e zjarrtë për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Grishja e poetit që fshatarët të ngriheshin për t`u çliruar nga zgjedha e rëndë shoqërore, ndërthuret me besimin se lufta e vegjëlisë do të sjellë lirinë. Në këtë vepër gjeti pasqyrim demokratizmi i Ndre Mjedës, që përbën bashkë me patriotizmin, anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Vjersha "Mustafa Pasha në Babunë" fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj. Në poemën e njohur "Andrra e jetës", nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të varfër, që rronin në skaj të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe, ku ata ishin zhytyr. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri.

Më 1901, bashkë me të vëllanë, themeloi shoqërinë "Agimi", e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti.

Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjedës, e cila nisi pas Luftës së Parë Botërore, i përkasin poemat në tingëllima "Scodra" dhe "Lissus", ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve, shprehet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve. Duke vijuar traditën e poezisë së Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjeda shprehu kështu mospajtimin e tij me regjimin që sundonte vendin. Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës zënë vendedhe vjershat për fëmijë. Ai la edhe disa shqipërime të goditura nga Gëtja, T. Grosi etj.

Romantik në thelb, Ndre Mjeda bëri një hap përpara drejt realizmit, ai kishte kërkesa të larta dhe tregoi mjeshtëri poetike.

Për veprimtarinë e tij patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924), Ndre Mjeda mori pjesë aktive në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-Borgjez, u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Vitet e fundit ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkodër dhe ndërroi jetë në këtë qytet.

Mjeda shkroi shumë krijime poetike, shkrime për fëmijë si dhe proza me karakter didaktik fetar. Por ai mbetet kryesisht poet. Veprat e tij kryesore janë "Juvenilja", "Liria", "Lisus", "Scodra".

Dy poemthat e para "Vaji i bylbylit" dhe “I tretuni" paraqesin interes jo vetëm si fillime të krijimtarisë letrare të Mjedës, por edhe për vlerën atdhetare dhe artistike, si edhe për mundësinë që na japin të ndjekim zhvillimin e personalitetit artistik të poetit. "Vaji i bylbylit" është krijim lirik dhe shtjellohet nëpërmjet një simboli: bilbili i mbyllur në kafaz është shqiptari nën zgjedhën osmane.

Ndonëse vepra mbështillet me tisin e hollë të melankonisë, i kuptueshëm për moshën dhe për gjendjen shpirtërore në të cilën u shkrua, përfundimi i saj është thellësisht optimist, pasqyron ligjin filozofik të përparimit të jetës, që frymëzon edhe besimin në të ardhmen e Shqipërisë.

"I tretuni" dëshmon për një pjekuri më të madhe ideoartistike. Melankonia e "Vajit të bylbylit" këtu është shndërruar në dhembje krenare, stoike, e cila shprehet më së miri nëpërmjet paralelizmit me natyrën në shtrëngatë, që e hap poemthin.

Ndryshe nga poemthi i parë, ky ka një subjekt të dhënë në forma lirike: fatin e një atdhetari shqiptar, të internuar nga pushtuesit. Poeti do të ketë menduar se ky mund të kishte qenë edhe fati i tij. Në këngën e parë që përshkruan ndarjen e të mërguarit me qytetin e lindjes, Shkodrën dhe me atdheun, duken qartë elementët autobiografikë. Po Mjeda nuk mbeti në shtjellimin e thjeshtë të një materiali jetësor; ai diti ta përgjithësojë e t`i japë vlerë aktuale. Heroi i poemthit është një fshatar i varfër. Dhe tek zgjedhja e një protagonisti të tillë, ndihet dashuria e Mjedës për masat fshatare, ndjenjë që do ta shtyjë gjatë tërë krijimtarisë së vet t`i zgjedhë heronjtë nga rradhët e fshatarësisë. Te "I tretuni" ndeshen figurat dhe mjetet e njohura romantike të pasqyrimit të realitetit si: ngjyrat e forta në përshkrimin e natyrës, stuhia në pjesën e parë, që ka edhe një kuptim simbolik, bregdeti i ashpër shkëmbor, ku ka qëndruar heroi duke kujtuar atdheun, ndonjë simbol, si lejleku që e lidh me vendlindjen. Këtu gjenden edhe elemente të riprodhimit besnik të mjedisit, nëpërmjet kujtimeve të protagonistit dhe sidomos vizatimi i figurës së nënës. Lirizmi dhe epizmi shkrihen në mënyrë të harmonishme. Variacioni në vargje e strofa pasqyron botën shpirtërore të trazuar të protagonistit. Poemthi mbyllet me një frymë të lartë burrërore dhe optimiste: heroi nuk pendohet për rrugën e zgjedhur, po është krenar se vuan për hir të atdheut. Nëpërmjet figurës së nënës "të treturit" që del në këngën e fundit, lartësohet figura e nënës shqiptare, e dhembshur dhe kreshnike, që rrit bij trima dhe atdhetarë. Që në këtë poemth të hershëm shohim atë që do të jetë një meritë e rëndësishme e veprës së Mjedës: pasqyrimin e denjë të figurës së gruas shqiptare, veçanërisht si nënë. Ndër lirikat e ndryshme të përfshira ose jo në veprën "Juvenilja" ka një varg vjershash me të cilat poeti ndjek traditën e Rilindjes ku himnizon bukuritë e atdheut ("Malli për atdhe", "Mikut tem Pal Moretti"), duke i kënduar gjuhës si mjet zgjimi të ndërgjegjjes kombëtare ("Gjuha shqipe"), ku i kushton një vëmendje të veçantë problemit themelor të luftës për pavarësi, që ishte bashkimi i shqiptarëve ("Bashkonju", "Shqypes arbnore").

Mjeda, gjithnjë në vazhdën e Rilindjes, ngre lart figurën e heroit kombëtar, si simbol bashkimi dhe burim besimi në fitore. ("Vorri i Skanderbeut", "Shqypes arbnore", "Bashkonju", "Për një shkollë shqype mbyllun prej qeverisë otomane", "Mikut tem Pal Moretti", "Mikut Pal Moretti", "Lisus", "Liria"), duke theksuar në këtë poemë të fundit lidhjen e thellë të Skënderbeut me popullin, me masat fshatare.

Në vjershën "Mikut Pal Moretti", Mjeda jep një gjykim të drejtë e të mprehtë jo vetëm për rëndësinë e Skënderbeut, si shpëtimtar i qytetërimit evropian, po edhe për politikën dredharake të fuqive të mëdha të Evropës së kohës së vet, që, për interesat e tyre, mbanin në këmbë perandorinë e kalbur osmane. Që në këtë vjershë romantike atdhetare vihen re nota shoqërore. Motive shoqërore janë vënë në bazë të dy vjershave të "Juvenilias": "I mbetuni" dhe "Shtegtari". Aty preken dy plagë të dhimbshme të Shqipërisë së kohës si: kurbeti dhe qëndrimi mospërfillës i klasave të pasura ndaj njerëzve të thjeshtë të popullit, bartës të luftës për çlirimin e vendit. Po trajtimi i këtyre problemeve nga pozitat e romantizmit me gjurmë sentimentalizmi dhe fryma e humanizmit kristian që i përshkon vjershat i ka zbehur deri diku dhe ka bërë që këto vjersha të mos kenë forcën e vjershave realiste të Çajupit dhe të Asdrenit, me të njëjtën tematikë.

"Lisus" (botuar më 1921) dhe "Scodra"(1940) janë vepra, ku thelbi romantik vishet me një formë klasiciste. Këta dy poemtha liriko-epike karakterizohen nga një stil i kërkuar dhe retorik. Poeti himnizon këtu të kaluarën e lashtë të popullit tonë (te "Lisus" përmes materialit historik, kurse te "Scodra" nëpërmjet legjendës). Interes ka te "Lisus" paraqitja e figurës së Skënderbeut, që poeti ka dashur ta bëjë sa më njerëzore.

Origjinaliteti dhe fuqia e vërtetë e talentit të Mjedës kanë gjetur shprehje në krijimet ku ai arrin në realizëm, si në vjershën "Mustafa Pasha në Babunë", në poemthin "Liria" dhe në kryeveprën e tij "Andrra e jetës".

Tek e para, duke u nisur nga një fakt historik, tradhtia e Mustafa Pashë Bushatlliut, poeti ka tipizuar me forcë, duke e përshkruar "mbi thasë të florinjve, ndër valle jevgash" figurën e feudalit të zvetënuar, anadollak, parazit, që është kurdoherë gati të bëjë flì interesat e atdheut për të vetat. Vjersha merr kështu një kuptim të gjerë përgjithësues, duke tingëlluar si akuzë e fuqishme kundër të ashtuquajturve atdhetarë, përfaqësues të shtresave të larta, që përfitonin nga sakrificat e popullit. Figurës së Mustafa Pashës poeti i kundërvë masën e fshatarësisë së ngritur në këmbë për mbrojtjen e atdheut, duke u bërë zëdhënës i urrejtjes së saj kundër feudalit tradhtar.

"Liria", poemthi epiko-lirik, i ndërtuar me tingëllima, me problematikë politiko-shoqërore, është, ndoshta, vepra e Mjedës që ka ide më të fuqishme. Në të ndihet jehona e kryengritjeve të malësorëve të Veriut më 1911, që tingëllon me forcë që në vargjet e para:

"Lirim, lirim bërtet gjithkah Malcia" dhe vjen duke u rritur nga një tingëllimë në tjetrën. Poeti frymëzohet nga lufta për pavarësi e amerikanëve kundër kolonizatorëve anglezë, që ishin edhe pronarë tokash, dhe ua tregon shqiptarëve si shembull. Në mbylljen e poemës, ku paralajmërohet shpërthimi i kryengritjes së përgjithshme shqiptare nëpërmjet një mjeti të dashur për rilindasit, paraqitjes së hijes së Skënderbeut, që ngrihet nga varri. Poeti thekson se heroi kombëtar shkon "Ksollë për ksollë". Në këtë poemth ka vargje që dëshmojnë për afrimin e Mjedës me idetë demokratike. Kështu, ai pohon se kryengritësit mundën "kështjellat atnore", gjejmë aluzione për shfrytëzimin e fshatarësisë (…s`ka me dalë ushtari me i grahë bulkut si kaut me sjeçe t`begut"). Këto mund të dëshmojnë se Mjeda e sheh lirinë të fituar prej amerikanëve jo vetëm në plan kombëtar, po edhe në plan shoqëror dhe shpreson se populli shqiptar do të shkundë shfrytëzimin e egër bashkë me zgjedhën feudale.

Në këtë poemë shkrihen konçiziteti dhe forca shprehëse. Krahasimet dhe antitezat janë tronditëse ("lirinë e keni ju/ ne hekra kemi…", "Posi berra që bleu mishtari vemi"). Romantizmi ia ka lënë vendin një realizmi ngjethës, një pasqyrim plot dramatizëm të gjendjes së atdheut.

Vargu është njëmbëdhjetërrokëshi, i cili krijon atmosferën e madhërishme, përdorimi i bartjeve i jep dinamizëm stilit dhe shoqëron alternimin e ndjenjave dhe të mendimeve. Lloji i zgjedhur i organizimit të vargut në tingëllima i disiplinon shpërthimet lirike. Gjuha është e pasur, megjithatë veçoritë krahinore e vështirësojnë leximin e lirshëm.

“Andrra e Jetës” 





Në këtë poemë shoqërore-psikologjike me elemente të poemës filozofike, që u shfaq si dukuri e veçantë në letërsinë shqiptare të kohës, janë sintetizuar tiparet më karakteristike të artit të Mjedës, si: fryma demokratike, lakonizmi dhe plasticiteti. Kjo poemë është vazhdim, shtjellim i përgjithshëm i atyre motiveve nga jeta e fshatarëve të varfër, që e shqetësonin Mjedën dhe njëkohësisht pasqyrë e mendimeve të tij për jetën njerëzore dhe lumturinë.

Në qendër të vëmendjes është një familje e varfër malësore që përbëhet nga nëna dhe nga dy vajzat. Poema ndahet në tri pjesë që i përgjigjet fatit të tre heroinave: Trinës, Zogës e Lokës.

"Andrra e jetës" hapet me një metaforë aq të thjeshtë sa edhe të hijshme, të gjallë e kuptimplotë:



Molla t`kputuna nji degët,

dy qershia lidhë n`nji rrfi

ku fillojnë kufijt e gegët

rrinë dy çika me nji nanë.



Kjo metaforë jep idenë e lidhjes së ngushtë të personazheve të veprës dhe, njëherësh të bën të parandjesh ndarjen e tyre. Me imtësi të zgjedhuara, poeti na e jep të gjallë mjedisin malësor:



U ndie një za te shtegu;

Cice, del se erdh murgjina

e mbrapa po vjen Trina

me i gjengj të sykës n`grykë!



Vajza e vogël vdes para kohe. Poeti përshkon thellë në mendimet dhe ndjenjat e nënës, e cila e jeton me dhembje fatkeqësinë, para se të ngjasë, në një natë të tmerrshme ankthi. S`ka gjë më tragjike dhe njëkohësisht më të lartë njerëzore, sesa skena midis Lokes dhe Zogës pas vdekjes së Trinës: habia fëminore e vogëlushes që se kupton dramën në shtëpinë e saj, dhe kujdesi i dhembshur i nënës, e cila, duke qenë vetë nën peshën e rëndë të dhembjes, nuk do që ajo të rëndojë, të bjerë në shpirtin e njomë të vajzës.

Në pjesën e dytë, që i kushtohet Zogës, poeti ka derdhur ngjyrat më të ndritshme, duke dashur të shprehë nëpërmjet këtij personazhi ëndrrat e veta për të ardhmen. Në fillim jepen ndjenjat dhe dëshirat karakteristike për moshën e vajzës me forcë të veçantë psikologjike, pa sentimentalizëm, me shumë vërtetësi dhe kthjelltësi. Ëndërrimet rinore të Zogës realizohen. Ajo dashurohet dhe martohet. Poeti e përcjell me këshilla plot dhembshuri për jetën e saj të re. Së fundi, me një këngë plot optimizëm, na lajmëron se Zoga u bë nënë.

Është për tu vënë re se bukuritë e natyrës parakalojnë njëra pas tjetrës, për t`ia lënë vendin buzëqeshjes së fëmijës. Epilogun e poemës e përbën fundi i jetës së vështirë, plot saktifica e stoike të Lokes që, e mbetur vetëm, thërret vdekjen ta marrë.

"Andrra e jetës", megjithëse trajton një rast të veçantë, pasqyron tragjedinë e fshatarësisë shqiptare dhe dëshirën e saj të zjarrtë për një jetë më të mirë. Titulli i veprës ka një kuptim të thellë. Me këtë poeti s`ka dashur aspak të thotë se jeta është një iluzion, veçse jeta për të varfërit mbetet një ëndërr e parealizuar. Poema pra, në thelb është realiste me një gjykim romantik. Poeti ka prekur plagë të rënda të shoqërisë së kohës: mjerimin që mbyste sa e sa jetë ende të paçelura (fati i Trinës), zakonin patriarkal që e ndante nënën nga e bija dhe e mbërthente të parën pas vatrës së shuar; mospërfilljen e shoqërisë ndaj individit (fati i Lokes). Mbarimi tragjik i kësaj të fundit është një protestë e heshtur. Por jo më pak i fortë është fakti që, kur heroi ka humbur çdo shpresë, poeti nuk e bën të kërkojë ngushëllim në iluzionet e jetës përtej varrit. Lokja vdes me ndjenjën e revoltës ndaj fatit të saj të padrejtë. Personazhet në poemë janë të gjalla e tipike dhe kanë një logjikë të brendshmenë përputhje me mjedisin ku jetojnë e veprojnë. Trina sapo është vizatuar, meqenëse edhe në jetë nuk arrin të zhvillohet si karakter. Ajo, sapo shfaqet, zhduket. Megjithatë e kryen rolin e vet. Me fati e saj është përgjithësuar fati i tërë atyre fëmijëve fshatarë që vdisnin para kohe nga puna e rëndë dhe nga kushtet e vështira të jetës.

Zogën e shohim në zhvillim: në fillim fëmijë naiv, që nuk kupton ç`ka ngjarë kur i vdes motra, pastaj vajzë me ëndërrimet karakteristike të moshës së saj. Siç zbulohet edhe nga ato ëndërrime ajo është vajzë malësore tipike, e thjeshtë, punëtore, po edhe e aftë për ndjenja të thella e të fuqishme, që shokun e jetës e përfytyron "me rrip rreth brezit, me një gjashtore e një kacatore", pra, para së gjithash, trim.

Lokja është tipi i gruas malësore, punëtore, vetëmohuese, nënë e dhembshur e stoike, mbi të cilën ka rënduar tërë barra e familjes, se burrat i shuante pushka e armikut, hakmarrja ose kurbeti. Ajo sakrifikon rininë që të rritë të bijat, dhe është e lumtur, nuk jepet përpara vështirësive të jetës (të kihet parasysh qëndrimi me të vërtetë burrëror me të cilin mposht vdekjen e Trinës, kur mundohet të ngushëllohet me mendimin e jetës së nënshtruar të gruas në familjen patriarkale).

Mesazhi që përmban kjo figurë, është lufta me jetën. Gjersa pati mundësi të luftonte, ajo jetoi. Vdiq kur nuk mundi më të japë asgjë. Dhe në fund të fundit ajo u largua nga jeta me një fitore përderisa e kreu detyrën e vet, e bëri të bijën të aftë për të jetuar dhe për t`ia përcjellë një qënieje tjetër flakën e jetës.

"Andrra e jetës" pasqyron dashurinë e poetit për fshatarësinë e varfër, admirimin e tij për tiparet e larta morale të njerëzve të thjeshtë, në veçanti të gruas shqiptare, si edhe dhembjen për fatin e hidhur të atyre njerëzve. Mjeda nuk depërton në shkaqet shoqërore të dramës së heronjve të vet, as nuk mendon për rrugën e ndryshimit të gjendjes. Po ai nuk pajtohet me këtë realitet të hidhur. Njëkohësisht poeti nuk bie në pesimizëm, ruan besimin në vlerat pozitive të jetës, në të ardhmen. Tek "Andrra e jetës" ka tragjizëm, po jo mohim të jetës. Së ardhmes poeti i këndon nëpërmjet Zogës, e cila arrin të realizojë ëndrrën e vet për lumturi, megjithëse brenda kuadrit të ngushtë familjar. Fati i saj merr kështu një kuptim simbolik.

Jo më kot linja e Zogës zë vendin kryesor të poemës. Tërë pjesa e dytë është himni më i zjarrtë dhe bukurinë e saj. Në mendjen e lexuesit dy tabllotë e dhimbshme të pjesës së parë e të fundit shkrihen në tablonë madhështore të nënës që mban në krahë fëmijën, simbolin e vazhdimësisë së jetës.

Merita më e rëndësishme e "Andrrës së jetës", e parë në kuadrin historik, qëndron në dhënien e tablosë realiste të mjerimit në malësinë shqiptare. Pasqyrimi realist i gjendjes së rëndë të malësorëve ishte në mënyrë të tërthortë një akuzë kundër shoqërisë së kohës.

Nga ana artistike "Andrra e jetës" është një nga veprat më të përsosura të poezisë sonë. Ajo shquhet për atë thjeshtësi të mrekullueshme të subjektit dhe të stilit që karakterizon kryeveprat. Thellësia e mendimit shkrihet këtu me njomësinë e ndjenjave, analiza e mprehtë psikologjike me forcën përshkruese. Lakonizmi është i pashembullt: në 296 vargje jepet drama e mjerimit dhe e paragjykimeve, himni i zjarrtë për jetën dhe për dashurinë, skaliten tre personazhe të paharrueshme, pikturohet me ngjyra të forta e të qarta mjedisi malësor. Figuracioni është sa i thjeshtë, aq i pasur dhe kuptimplotë. Gjuha e poemës (shkodranishtja e plotësuar me fjalë e shprehje të krahinave përreth), është e larme, shprehëse, e saktë, e begatë me fjalë të rralla.

Mjeda është një poet atdhetar me prirje të theksuara demokratike që i këndoi lëvizjes kombëtare nga pozitat e fshatarësisë së varfër, së cilës i përkiste me origjinë. Nga këto pozita ai pasqyroi edhe mjerimin e popullit. Në atë pjesë të veprës së tij që trajton motive shoqërore gjejmë pakënaqësi nga realiteti i kohës, dhembje për fatin e popullit. Bashkë me Çajupin ai dha një ndihmesë të rëndësishme në kalimin e letërsisë sonë nga romantizmi në realizëm.

Qe kryesisht poet lirik, i një lirizmi që pasurohet shpesh me momente epike; dallohet si për ndjenjën e masës, ashtu edhe për forcë përshkruese. Poeti është edhe mjeshtër i përsosur i vargut dhe i strofës. Në poezinë e tij gjejmë një larmi të veçantë vargjesh dhe një begati strofash. Mjeda parapëlqen tetërrokëshin dhe njëmbëdhjetërrokëshin. Tingëllimën e lëvron me mjeshtëri të veçantë.

Mjedën e karakterizon thellësia psikologjike në vizatimin e personazheve (Lokja dhe Zoga janë nga personazhet më të realizuara të poezisë sonë).

Në artin e tij shkrihen hovet e frymëzimit me punën këmbëngulëse për të lëmuar fjalën e për t`i dhënë shkëlqim.

Kasem Trebeshina (5 gusht 1926-jeton)





Nga Flori Bruqi

Kasëm Trebeshina u lind në Berat më 5 gusht 1926. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua gjallërisht në Luftën Nacionalçlirimtare, prej së cilës i kanë mbetur disa plagë. Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit "Ostrovski", të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare.
Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve.
Prozator, dramaturg dhe poet, Kasëm Trebeshina e kundërshtoi që në nismë metodën e realizmit socialist dëmet e së cilës ishin brenda parashikimeve të tij.
Që në vitet `50 ai filloi të shkruajë ndryshe nga veprat që botoheshin aso kohe.
Thellësia filozofike e veprave të tij dhe prekja e temave tabu lidhen me talentin e shkrimtarit që shkruan si i thotë shpirti pa pyetur për pasojat. Dhe ndonëse persekutimet e herëpashershme e bënë atë të vuajë fizikisht, vepra e Trebeshinës , ndonëse nuk u botua, si ajo vera e vjetër, e shfaqi vlerën e saj pas disa dekadash (në vitet `90).
Sipas kritikës serioze vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit.

Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20.
Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare.
Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve.
Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim, pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj.
Letra e tij "Promemorje" për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncon vendosjen e pushtetit "njëdorësh" në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realizmit socialist të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një censurë nga më të çuditshmet Në vitin 1961 arrin të botojë poemën "Artani dhe Min`ja ose hijet e fundit të maleve" dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës. Veprat e Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve `90 fillimisht në Prishtinë: “Stina e stinëve”, 1991; “Mekami, melodi turke”, 1994; “Histori e atyre që nuk janë”, 1995 dhe në Tiranë: “Legjenda e asaj që iku”, 1992; “Koha tani, vendi këtu”, 1992; “Qezari niset për në luftë”, 1993; “Rruga e Golgotës”, 1993; “Lirika dhe satira” 1994: “Hijet e shekujve”, 1996; “Ëndrra dhe hije drama”; 1996 etj.
Megjithatë "Stina e stinëve", është vepra më përfaqësuese (e atyre që janë botuar deri më sot) e Kasëm Trebeshinës, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studiuesve të letërsisë.
Në këtë vëllim janë përfshirë tri novela: "Stina e stinëve", e cila ka dhe një titull të dytë "Këngë fëmijërie", "Odin Mondvalsen" me titull të dytë "Një histori dashurie" dhe "Fshati mbi shtatë kodrina" apo "Kapriçio shqiptare".
Ndërsa novela e parë dhe e tretë bëjnë objekt fëmijërinë në një rrëfim jashtë tabuve që zakonisht identifikohen me këtë moshë (Stina e stinëve) dhe me ngarkesa historiko-filozofike që e tejkalojnë fëmijërinë (Fshati mbi shtatë kodra), novela tjetër, "Odin Mondvalsen" përbën një cilësi të veçantë sa i përket objektit të pasqyrimit, ashtu edhe për nga teknikat e rrëfimit.
Që në vitet `50 ai filloi të shkruajë ndryshe nga veprat që botoheshin aso kohe.
Thellësia filozofike e veprave të tij dhe prekja e temave tabu lidhen me talentin e shkrimtarit që shkruan si i thotë shpirti pa pyetur për pasojat.
Dhe ndonëse persekutimet e herëpashershme e bënë atë të vuajë fizikisht, vepra e Trebeshinës , ndonëse nuk u botua, si ajo vera e vjetër, e shfaqi vlerën e saj pas disa dekadash (në vitet `90).

Titujt e Veprave

Letra e tij "Promemorje" 5 tetor 1953

"Artani dhe Min`ja ose hijet e fundit të maleve", poemën 1961

“Stina e stinëve”, 1991, Prishtinë

Mekami, melodi turke, 1994, Prishtinë

“Histori e atyre që nuk janë”, 1995, Prishtinë

“Legjenda e asaj që iku”, 1992, Tiranë

“Koha tani, vendi këtu”, 1992, Tiranë

“Qezari niset për në luftë”, 1993, Tiranë

“Rruga e Golgotës”, 1993, Tiranë

“Lirika dhe satira” 1994, Tiranë

“Hijet e shekujve”, 1996, Tiranë

“Ëndrra dhe hije drama”; 1996, Tiranë

Novela "Fshati mbi shtatë kodrinat" dallohen për një teknikë të veçantë rrëfimi, ku rrëfimi i përket shkollës kuteliane të prozës, e tejkalon përshtypjen naive në shpjegim të historisë së përzier me legjendën dhe vlerësimin serioz e ndërthur me një ironi befasuese gjithëpërfshirëse, që e intrigon lexuesin. Tregimi i Rrapo Hardhisë për fshatin mbi shtatë kodrina të kujton legjendat e themelimit të Romës, ndërsa rrjedhën e ngjarjeve e pasuron me ngjyrime historike dhe etnografike që përbëjnë koloritin origjinal të narracionit. Autori ndonëse gjithnjë thotë se Rrapua thoshte, është shumë më i pranishëm se personazhi i vet në rrëfim. Fjalët e Rrapos përpunohen në gojën e autorit që rrëfen në kohën e tashme si dhe në kujtimet që nuk kanë mbetur vetëm me shijen e atëhershme, por janë përpunuar nga e tashmja: ... ku nis legienda e formimit të fshatit, ashtu siç e pat treguar Rrapo Hardhia në hijen e gorricës atë vit që ra ai shiu i hollë në arat tona, është ky nëntitulli i kapitullit të dytë.
-Në novelën "Fshati mbi shtatë kodrina", që ka si nëntitull "Kapriçio shqiptare", në kapitullin XV, përmes një dasme fshati ku në formën e kapriçios përzihet rakia dhe kënga, biseda dhe keqkuptimi, reflektohet bukuria dhe shëmtia, historia dhe legjenda, serioziteti dhe ironia e të gjitha moshave.
Përshkrimi i fshatit nëpërmjet kujtimeve të autorit nuk bëhet në një mënyrë tradicionale. Përkundrazi ai të mbërthen me mënyrën originale të të rrëfyerit, pasi autori kujtesën e tij e shfleton si një libër të vjetër, ku shumë fletë janë zverdhur, disa janë grisur përgjysëm e disa të tjera kanë humbur. Tamam si në jetë, ku njeriu nuk mund t`i mbajë mend të gjitha, pasi jo gjithçka lë mbresë në nënvetëdijën e tij. Futja e autorit në këto shtresa të turbullta të mendjes e të shpirtit të vet përbën edhe një nga risitë e të rrëfyerit të tij: Të shtatë kodrinat përbënin të shtatë mëhallët dhe qendra kishte vetëm një kullë të rrëzuar dhe një mekam të shenjtë. Kjo qendër dukej e çuditshme dhe sikur nuk ishte qendër. Mëhallët sikur mbaheshim dora-dore me njëra-tjetrën dbe quheshin...Dreq e gjysëm! ... Si mund të kujtoj emrat e mëhallëve kur nuk më kujtohet as emri i fshatit? Njeriu kur harrokërka, i harrokërka të gjitha! Të gjitha! ... I harrokërka të mirat dhe të ligat, të rëndësishmet dhe të parëndësishmet!
Por jo, kundërshton mendimin e parë të fillimit autori në fund të novelës. Asgjë nuk harrohet në këtë jetë dhe për të lehtësuar shpirtin në moshën e vonët bëj diçka për fëmijërinë tënde dhe kujtimet e saj, bëj diçka për të gjallët dhe të vdekurit e periudhës së jetës tënde. Secili nga ne e ka një vend dhe një kohë dhe s`duhet ta humbasim: Isha dhe unë atje! ... Pastaj ... a ka gjë më të mirë sesa të dalësh nga skena menjëher pas mbarimit të rolit tënd?! Këtu mbaron historia ime.
Mesazhi i autorit është i qartë. Përmbushe detyrën tënde në jetë; ke kohë derisa ke fuqi dhe shpirt.

KAPITULLI: I, II, III DHE IV
ku tregohet kush jam unë dhe kush nuk jam unë

Jo!... Unë isha tek ai vendi atje poshtë dhe kisha një emër! Tashti jam këtu dhe kam një emër tjetër... Ndofta atje nuk kisha asnjë emër, pasi më kishin thirrur me një emër . Dhe tashti jam...
Po, mua më quajnë...
Ata qeshin se mua më quajnë...
Ç`ka këtu për të qeshur?
Më parë kisha një emër, kurse tashti më quajnë... Më quajnë Odin Mondvalsen. Ç`punë u prish atyre se mua më quajnë kështu?... Nuk e keni dëgjuar ndonjëherë këtë emër? Shumë mirë: dëgjojeni tashti! Si?... Nuk doni ta dëgjoni? Pse?... Se nuk e keni dëgjuar? Dhe pastaj?... Nuk e ke dëgjuar më parë, dëgjoje tashti.
Njerëz me bluza të bardha vijnë vërdallë, më bëjnë injeksione dhe ikin. Vijnë ata pa bluza dhe nuk duan të dinë fare për emrin tim. Ata nuk duan të besojnë se unë isha në Hënë dhe pastaj, pasi varrosa katër shokët e mi, erdha këtu në Mars dhe u bëra Odin Mondvalsen!...
Jo!... Odin Mondvalsen unë isha edhe më parë se të zbrisnim në Hënë. Odin Mondvalsen unë isha atëherë kur nuk isha unë. Pastaj zbritëm në Hënë ku mblodhëm kunguj, domate dhe qiqra.
Bre! Sa u bënë qiqrat atë vit!... Ne hëngrëm sa u dendëm dhe pastaj unë dola përjashta tek nata dyjavëshe e Hënës që nga doja të vështroja Tokën në dritën e Hënës. Ose dreqi e di në dritën e kujt... Ishte një gjë e trishtuar të shikoje Tokën nga Hëna, kur e dije se atje ishte dikush që të kërkonte me sy, ngaqë kishte mall të të shihte dhe nuk të shihte dot.
Zot i Madh, si u ngatërruan punët!... Duket Harizit të Dajlanit i kishte humbur gomari dhe ne u nisëm për në Mars që ta gjenim. Pesë vetë për një gomar!... Dhe ne ishim që të pestë komisarë... Po ata të katër vdiqën në Hënë dhe unë i varrosa atje. Pastaj vetëm u nisa për në Mars për të gjetur gomarin e Harizit. Duket dikush më thërriste nga pas:
- More, kthehu!... Se gomari erdhi në shtëpi!...
Mirë e kishte ai, po ku dëgjoja unë?! Isha nisur për një gomar dhe duhej patjetër ta gjeja!... Duhej patjetër të gjeja një gomar me shalë ose me samar.
Djalli e mori atë punë!...
Sa zbrita në Mars më diktuan, më arrestuan, më pyetën, më shanë, më rrahën dhe pastaj erdhën këta njerëzit me bluza të bardha. Këta e kanë punën me injeksione dhe, kur heqin dorë nga ato, vinë ata të tjerët pa bluza dhe të gjitha fillojnë nga e para.
-----------------------------------------
Ashtu si në rrëfimin tradicional, kapitulli i parë na njeh me personazhin kryesor që quhet Odin Moldvalsen. Por që në këtë kapitull, që është dhe i dyti dhe i treti, autori na prezanton me një kod të ri leximi: raportet njerëzore deri në absurd, nga njëra anë dhe ruajtja e disa shenjave orientuese, nga ana tjetër. Këto "shenja orientuese", si p.sh., "Kisha një emër, kurse tani më quajnë", " Bre, sa u bënë qiqrat atë vit!", "Harizit të Dajlanit i kishte humbur gomari", "njerëzit me bluza të bardha vijnë vërdallë" etj., bëjnë që imazhet, qofshin edhe të përmbysura, janë realiste. Madje imazhet që krijon autori në këtë mënyrë fitojnë një ekspresivitet të fuqishëm.
----------------------------------------------------

KAPITULLI I KATËRT
që merret me zbritjen time në botën e re.

Më 37 Gusht më arrestuan ngaqë kisha zbritur në Mars.
Më rrethuan një numër i madh njerëzish me uniforma dhe më arrestuan në vend. Kur erdhën autoritetet e shtetit, më mbyllën në dhomë dhe filluan hetimet.
Bre, sa bukur!...
- Kur je nisur nga Zabotinlanda?
- Prej nga? - pyeta unë i çuditur.
- Ti mos më shiko si i çuditur! - tha rëndë Hetuesi. - Po e përsëris pyetjen: kur je nisur nga Zabotinlanda?
Ngrita supet.
- Qëllimi i udhëtimit?
- Të vij këtu në Mars.
- Ku?
- Në Mars.
- Ku?
- Të vij këtu ku jam dhe ku më mirë të mos isha...
- Shkruaj! - urdhëroi Hetuesi sekretarin e tij. - Erdha në Botën e Re për qëllime të dobëta spiunimi.
- Zotëri, unë nuk e thashë një të tillë!
- i pandehur, vetëm përgjigju! Cila ishte detyra juaj e veçantë?
Atë ditë nuk e di si vazhdoi puna më tej, por kur shfaqja filloi të përsëritej, m`u kujtua puna e gomarit dhe thashë:
- Ne u nisëm që të gjenim gomarin e Harizit të Dajlanit...
Sekretari nisi të shkruante, por Hetuesi i bërtiti me të madhe:
- Mos e shkruaj!
Dhe i urdhëroi rojet të më shtrojnë në dru.
Nuk e di sa herë u përsërit kjo gjë dhe sa herë më përcollën hetuesit tek mjekët dhe mjekët tek hetuesit, se injeksionet dhe fjalët u ngatërruan aq keq, sa edhe djalli vetë nuk i ndante dot si u bënë.


KAPITULLI I PESËMBËDHJETË
Ku tregohet se Gjergj Mullaga me thënien e tij të famshme "fundi daltë hair" kishte të drejtë. Dasma!
Këngë, valle, raki... Gëzim!...
Dasma!... Gëzim për ata që martohen, gëzim edhe për ata që shikojnë!... Më e madhja nga të tri ngjarjet kryesore të jetës. Sikur të mundja, do të merresha vetëm me përshkrimin e dasmave... Ashtu gjersa të vdisja!... Kur lindim nuk mund ta shijojmë gëzimin e të lindurit dhe më mirë që nuk e shijojmë. Veç të tjerave, kush e di se sa vështirësi gjejnë mushkëritë kur mundohemi të marrim frymë!... Nuk mund t`i hamë as petullat dhe as bukëvalen që bëhet për nderin tonë. Edhe kur vdesim nuk mund të hamë gjë dhe nuk mund të hidhërohemi për vdekjen tonë... Po martesën e mbajmë mend mirë për gjithë jetën që mundim të jetojmë. Atë e kemi ëndërruar, menduar, përgatitur... Pa çka në mos daltë ashtu si e kemi ëndërruar në ëndjet e moshës sonë të kaltëruar!... Martesa përfaqëson të vetmin gëzim tek i cili vemi me vetëdije, ndaj dhe në dasmë të gjithë dehen pa pirë. Moshataret e pamartuara ia kanë zili nuses, moshatarët e pamartuar dhëndrit. Të vegjlit dhe të voglat duan të rriten sa më parë... Pse?!... As ata s`e dinë, po nxitojnë që të jetojnë. Duan të rriten që duan të rriten, se dasma i magjeps me magjinë e saj të fortë sa vetë jeta, të bukur sa vetë jeta, të pa kuptuar sa vetë jeta me madhërinë e saj!...
Si e bashkon jeta gjithë këtë mrekulli?!...
Asnjë nuk mund t`i përgjigjet kësaj pyetjeje për këtë zjarr të ndezur te shkretëtirat e panjohura kozmike. Asnjë...
Aty më lart e krahasova dasmën me një premierë të bukur, të madhe, të mrekullueshme... Mund që krahasimi është i drejtë. Kuptohet, fjala ishte për një premierë që nuk është parë në skenë dhe nuk do të shihet, se në mrekullinë e saj ia kalon edhe vetë mrekullisë!... Këtu është fjala për një shfaqje që jetohet vetëm një herë, që ti e shikon në gjatësinë e një mbrëmjeje dhe pastaj të mbetet në mendje për të gjithë jetën si ëndrra e një ëndrre që as ti vetë nuk je i sigurt në e ke parë ose jo. Kush nuk ua ka zili atyre që lozin rolet e para në një kryevepër? Kur për një shfaqje lindin dëshira të tilla, atëherë çfarë dëshirash mund të lindin kur jemi të pranishëm në një martesë?... Në ato çaste dhe vetëm në ato çaste djem dhe vajza, pa e kuptuar as vetë si dhe pa qenë të vetëdijshëm për kufijtë e forcës së njeriut, arrijnë dhe shkrijnë në hapësirat kozmike që nuk kanë fund, anë dhe fillim!... Në ato çaste dhe vetëm në ato çaste gjithë hapësirat dhe njeriu përbëjnë një të tërë të vetme, ndaj shpirti i ri, që kërkon të çelë, rrëmbehet nga një ndjenjë e perëndishme, hapet së bashku me pafundësitë...
Dhe pastaj?!...
Ai fluturim nuk mund të përsëritet më!... Dhe ne të shtytur nga një ndjenjë hyjnore mundohemi të arratisemi përsëri qiejve për t`u sjellë rrotull vezullimeve të yjeve.
Më duket i ngatërrova të gjitha! S`ka dyshim që i ngatërrova E qullosa keq dhe mos më keq!... S`ka dyshim, për derisa lashë fshatin mbi shtatë kodrinat dhe fillova të merrem me dasma, kështu do të ndodhte!... Megjithatë, kam dhe s`kam faj. Kam faj se dola nga fjala që dhashë në fillim dhe s`kam faj se në dasmë shkova i mbushur me historitë e Rrapo Hardhisë dhe m`i mori pakëz mendtë atmosfera e dasmës.
Ç`t`i bësh! Kujtimet...
Prapa malit… Bile prapa tri malesh... Ose më mirë, "prapa malit në një fushë"... Dhe pa e kuptuar erdhën kujtimet... Puna është se në dasmë e kaluam si në dasmë. Rrapua këndoi dhe piu si nuk kishte kënduar dhe pirë ndonjëherë me parë. Dajua ia mbante këngët si nuk ia kishte mbajtur ndonjëherë më parë. Me një fjalë, e nderuam fshatin dhe gjithë anët e tyre. Kush e di sa u rrokullisë -kur e ktheu Rrapua dollinë me tasin e çorbës! Kur e panë keq, njëri nga ata miqtë thirri:
- A shkon bedeli, o vëllezër?
Rrapua ishte zemërgjerë: kur e pa se ata donin të mbro-nin një mik të largët, tha:
- Bedeli pranohet!
Dhe ai burri që foli piu për mikun një tas çorbe me raki. Do të thoni, zotëria juaj, pse e ktheu Rrapua me tasin e çorbës? Po Rrapua ashtu e kishte. Ishte i përpjekur në raki. Pastaj ata edhe e rënduan një çikëz atë mbrëmje, e rënduan për ato dyfeqisjet që ishin bërë në kohën e Luftës së Parë Botërore, të asaj luftës që nuk merrej vesh si bëhej në këto anë...
Ja si kishte qenë puna. Rrapua, fshatarët e tij dhe gjithë ajo anë, duke qenë zonë e Italisë, ishin regjistruar komitë me Italinë. Ai miku përkarshi Rrapos, duke qenë në zonë të Austrisë, kishte qenë regjistruar komit me Austrinë. Në raki e sipër, ai tjetri ia hodhi një herë fjalën Rrapos për një sulm që kishin bërë ata të Austrisë tek Tenda e Lisave, duke i vënë përpara ata te Italisë.
Rrapua e pa një herë atë mikun dhe iu drodh maja e mustaqes së majtë. Dukej që ishte zemëruar. Pastaj, duke shkuar dorën faqes si për të rregulluar mustaqen, foli rëndë-rëndë.
- Ashtu është, si thua zotrote. Tek Tenda e Lisave na vutë përpara, se nja tri ditë më parë ju kishim ndjekur ne gjer në malet përtej. Ti ke hak që nuk i di këto gjëra, se duket sikur s`kishe lindur akoma në atë kohë!...
Të gjithë mbetën në heshtje. Ai komiti i Austrisë kishte parë të tjerët dhe kishte pyetur i çuditur:
-Si nuk kisha lindur?!... Kaq i vogël të dukem?!...
Rrapua tha:
- Kam frikë se ti edhe tashti nuk ke lindur mirë... Gjynah që nuk erdhi yt atë në dasmë!...
- Babai, dritë pastë, më ka vdekur!...
- Paska nxituar pa të lindur mirë!...
Te tjerët, kur e panë se fjalët po shkonin larg, hynë në mes për ta mbyllur këtë të plasur sa pa u bërë e madhe.
- Dale, Rrapushka!...
- Prit, o Malo, dhe ti i uruar!...
- E morët me valë, o burra!...
Dajua qe ngrysur, po nuk foli. E kuptova se qe zemëruar shumë dhe mund të merrte flakë nga çasti në çast. Por në kohën e duhur, një plak i moçëm, ai që rrinte në krye të vendit, bëri shenjë dhe, kur të gjithë heshtën, foli kështu:
- Ti, Rrapo, kishe të drejtë. Po Malua i ka nganjëherë ato. E nis shakanë pa e menduar si del shakaja. Një pjesë nga ne këtu kemi qenë burra dhe me armë në dorë në Luftën e Parë Botërore. Siç qe koha bëmë edhe ne. Mbaj mend, ne me Kapedan Sefën u shkruam me Austrinë... jo për të luftuar, xhanëm, se nuk na hante malli për Austrinë... Po ashtu qe koha!... ju andej u shkruat me Italinë. U bë tre vjet luftë dhe nuk u vra asnjë njeri. Nuk u vra asnjë njeri, as nga ne dhe as nga ju!... Si bëhet kjo punë?!... "Pse nuk u vranë?" - do thoni ju. Po neve, more vëllezër,, nuk na kishte marrë Perëndia mendtë që të vriteshim për Austrinë, për Italinë, apo për Francën !... Nga halli kishim marrë nga një dyfek, po me njeri-tjetrin ishim marrë vesh si do të bënim se vëllezër kemi qenë dhe vëllezër do të jemi. Kur jepte Austria urdhër për sulm, ne e lajmëronim anën tuaj: "Thyhuni sonte, se do të sulmojmë ne!" Kur urdhëronte Italia për sulm, na vinte lajmi: "Sonte duhet të thyheni, se do të sulmojmë ne me urdhër të Italisë." Kështu ishin punët, prandaj dhe në ato luftëra nuk u vra njeri. Po ty, o Malo të bredh gjuha para mendjes!
Me kaq e mbylli ai plaku, pa Malua tha:
- Amani, more vëllezër, po unë bëra shaka!...
- Koka e falur s`pritet - thirrën të tjerët dhe me kaq u mbyll kjo punë.
Po Rrapos i hipën dhe e lidhi në gisht këtë. Sa gjeti rastin si dollibash, kërkoi tasin e çorbës. Atëherë të shihje të pirë!... Rrapua sokëllinte dhe thërriste:
- Derrat në misër!... Bjerini matarasë!...
Pastaj ia merrte një kënge më të bukur nga të gjithë të tjerat që kishte kënduar. Këngë , o këngë!... Kush do t`u këndojë juve tashti që ka vdekur Rrapo Hardhia?!...
Eh, Rrapo, Rrapo! Ti këndoje mbarë e prapë, ashtu si të vinin në gojë, këndoje ato lashtësira të shtrenjta për ne që kemi lindur në këtë vend... Këndoje ato gëzime të tërbuara, ato dhimbje të heshtura, ato trimëri të flakura me dorë të lëshuar dhe pa kujdes, të mbjella poshtë e lart dhe ku mund!...
Tashti kanë dalë disa këngë më të bukura dhe rinia i këndon ato si jo më mirë. Nuk ke ç`u thua, Rrapo!... Na i kaluan. Po prapë, ato këngët e tua monotone mbeten çuditërisht të mrekullueshme në eter... Madhështore si malet tona, me melodi të njëllojtë si gurrat tona, si ujërat që çajnë shkëmbinjve dhe zallishteve. Me një aromë të thjeshtë si ajo e trëndelinës në livadhet malore... Të trishtuara, të ëmbla, të përmallshme si varret e humbura të trimave, si pirgjet e gurëve në vendet ku ranë të parët tanë. Të shtrenjta sa vetë Shqipëria.
Hej!... Përsëri zuri të flasë përçart... Edhe një herë më rrëmbyen kujtimet. Duket se sevdaja për këtë vend se, kur i thonë fjalës, sevda dhe dashuri është e njëjta gjë dhe të gjithë e dinë se sevdaja është më e rëndë... Edhe nga plëndësi, edhe nga plumbi! Si të doni zotëria juaj, qoftë nga plënci, qoftë nga plumbi...
Eh, pleqëri, pleqëri! Duket dashurinë po na e kthen në zakon dhe zakonin në ligj më të fortë se vdekja. Megjithatë, do t`ia lidh grykën thesit të mbushur me kujtime dhe, më vonë, do ta vazhdoj këtë histori ashtu siç kam dhënë fjalën në fillim.

-Promemorie për Enver Hoxhën, Komitetit Qendror të P.P.Sh., Tiranë-

Ngjarjet e fundit më kanë bërë të mendohem seriozisht, sa për faktin që ndodhën, aq edhe për shkaqet që bënë të ndodhnin. Mendoj se edhe ju duhet të mendoheni për këto gjëra dhe, më shumë akoma, se ato nuk duhet të ndodhin në një shoqëri socialiste.
Këtu nuk është fjala se u bënë veprime të shëmtuara kundër meje, kundër një shkrimtari, nga një Lidhje Shkrimtarësh dhe në mënyrë të organizuar. E keqja është se këto sulme të këtyre shkrimtarëve u bënë të drejtuar nga ju dhe në emër të një shoqërie të ndërtuar idologjikisht dhe politikisht nga ju, në mënyrë që nuk mund të pranohet që është socialiste.
Kështu sa më sipër, del se problemi konkret na paraqitet në dy pamje të përcaktuara mirë. Njëra nga pamjet na paraqitet përmes atyre rrjedhimeve që vijnë drejtpërsëdrejti nga qëndrimi juaj teorik në lidhje me letërsinë, qëndrim që ju e keni paraqitur në formën e një ligji, që nuk mund të diskutohet; kurse pamja tjetër paraqet, gjithashtu, në formën e diçkaje absolute pikëpamjen tuaj politike për ndërtimin e shtetit dhe të shoqërisë. Duhet të pranojmë sinqerisht se në të dyja rastet ndeshim në mënyrë të pagabueshme me absolutizmin e Luigjit të Katërmbëdhjetë.

Në këtë fillim tetori dhe duke u nisur nga dëshira e mirë që ju të mos shkelni në rrugë të gabuara, që do të kishin pasoja tragjike si për vendin tonë, ashtu edhe për ju personalisht, vendosa që ta shkruaj këtë "promemorje" dhe ta nis pa humbur kohë.
Tashti le të shikojmë veças secilën nga pikëpamjet tuaja kryesore, atë lidhur me artin dhe atë që ka të bëjë me këtë realitet të ndërtuar prej jush. Kam bindjen se ju nuk e keni vetëdijen e rreziqeve që vijnë prej këtij realiteti të ndërtuar në mënyrë të tillë.

I:
Problemi në shfaqjen e tij ideologjike. Të gjithë këtu në Lidhje, në harmoni edhe me ata përfaqësues tuaj, që sollën këtu porosinë tuaj, këndojnë në mënyrë të përsëritur një himn për një realizëm të quajtur "socialist". Pa qenë nevoja të jesh shumë i zgjuar, këtu arrin në përfundimin e pashmangshëm se, ose ekziston një "realizëm" ose, që prej momentit që ai ka nevojë t` vihet një bisht, ai pushon së ekzistuari. Realizmi ose është realizëm, ose nuk është fare i tillë! Që këtej del se kjo rrymë letrare, që në fillim të saj, niset shtrembër dhe kuptohet se çfarë gjëje e përbindshme do të dalë më tej.

Vetë emri realizëm socialist bëhet garanci për shtrembërime të përbindshme që edhe tashti kanë nisur të duken me tërë qartësinë e formës dhe të përmbajtjes së tyre.
Le të shikojmë konkretisht ç`përmbajnë veprat letrare të realizmit socialist, qoftë edhe ato më të mirat. Një inxhinier i mirë, një inxhinier i keq dhe një i gabuar që ndreqet!… Një fshatar i mirë, një i keq dhe një që ndreqet!… e kështu me radhë. Një i mirë, një i keq dhe një që ndreqet!…
Komunistët janë gjithmonë heronj të situatave, ata vijnë në faqet vetëm për të na recituar monologë me përmbajtje heroike!…
Le të kthehemi prapa në histori dhe le të shohim se si qëndronin punët në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë. Aty ishin ndarë punët në mënyrën më të qartë . Mbretërit dhe Princat e kishin siguruar pjesëmarrjen e tyre në veprat më serioze. Ata lëviznin vetëm nëpër tragjeditë, kurse populli, të gjithë ata që ishin më poshtë se mbretërit dhe princat, e kishin vendin e tyre në veprat qesharake. Ata ishin objekt gazi, përqeshjeje dhe fyerjesh të të gjitha llojeve.
Tani a mund të pranohet si e drejtë që një gjë e tillë të zbatohet në shekullin e njëzetë dhe në një shoqëri që pretendon se është socialiste?
Mesa më sipër, del qartë se realizmi socialist ka lidhje të drejtpërdrejtë me idetë e absolutizmit francez, qoftë si teori, qoftë si praktikë. Megjithatë gjëja më e keqe nuk na shfaqet në praktikën e shkarravitjeve letrare, se ato si vepra të dobëta do të zverdheshin në vitrinat e librarive dhe shumë shpejt do të harroheshin edhe nga vetë autorët e tyre. Gjëja më e keqe, sipas mendimit tim, vjen nga fakti se e gjithë puna letrare po organizohet sipas modeleve mesjetare të urdhrave fetare të murgjve.
Kështu Lidhja e Shkrimtarëve është e organizuar si një urdhër murgjish mesjetarë. Në krye të Lidhjes është një Mjeshtër i Madh dhe të gjithë janë të detyruar ta dëgjojnë, përderisa vazhdon funksionin e Mjeshtrit të Madh.
A nuk e kuptoni se është një koncept dhe veprim mesjetar të ndash në këtë mënyrë "funksione" dhe "privilegje"
Le ta shikojmë si keni vepruar ju gjatë këtyre viteve.
Ju vendosni në Komitetin Qendror që Kolë Jakova të jetë një shkrimtar i madh dhe të gjithë përposh aprovojnë mendimin tuaj. Kritika thërret e çirret që "Halili dhe Hajrija" e Kolë Jakovës është një vepër e madhe!… Pastaj vëmendjen tuaj, së bashku me favoret i fiton Dhimitër Shuteriqi, si kryetar i Lidhjes dhe si…
Më mirë le ta lëmë këtë pikë!…
Shkrimtarët janë qytetarë me të drejta të barabarta me gjithë të tjerët dhe nuk është e drejtë që në mënyrën më të paligjshme t`i përgjigjen një censure nga më të çuditshmet. Në qoftë se për një arsye ose për një tjetër ju ngulni këmbë që të ketë censurë, atëherë ajo të krijohet si një institucion dhe t`i ushtrojë hapur funksionet e saj. Këtu nuk është fjala për një ose dy shkrimtarë, për mua ose për ndonjë tjetër, këtu del në shesh fakti se, pa u kuptuar , po ndërtoni një letërsi mesjetare, me koncepte mesjetare të trashëguara nëpërmjet absolutizmit francez. Ka ardhur koha që të kuptohet se një letërsi si ajo që po kërkoni ju, na kthen mbrapa në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë. Prandaj ka ardhur koha të hiqet dorë nga praktikat si këto që po vihen në jetë në shoqërinë tonë dhe të kuptohet një herë e mirë se arti, duke qenë i një natyre specifike nuk mund të përfshihet në format organizative të partisë. Ai, arti, megjithëse është superstrukturë dhe lind në një dhe nga një strukturë e caktuar, nga vetë forma e paraqitjes merr vlera dhe forca të tilla që e bëjnë të jetojë në mënyrë të habitshme edhe pasi të ketë vdekur struktura që e lindi!… Shoqëria e vjetër greke ka vdekur me kohë, por përjetësisht të gjalla janë veprat e Homerit, Eskilit, Sofokliut e të tjerëve. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Danten që nuk pësoi ndonjë gjë me vdekjen e Mesjetës.
Që këtej del se nuk janë të pranueshme ndërhyrjet brutale në punët e artit, sidomos nga njerëz që nuk kanë asnjë kuptim më të vogël rreth natyrës së tij të veçantë. Formave monarkike të ndërhy-rjeve të ndryshme duhet t`u jepet fund dhe të lihen të qetë shkrim-tarët që kërkojnë nëpër shtigje të vështira rrugët e vërteta të artit. Nuk është mirë që të ndërhyni, duke u shtuar vështirësive reale në art vështirësi të tjera artificiale me anë të funksionarëve të huaj, që njohin vetëm, praktikën e përditshme burokratike, se arti nuk mund të jetë një ushtrim zyrtar i disa veprimeve të planifikuara nga një qendër e plotfuqishme. Prandaj ju nuk duhet ta trajtoni Li-dhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë si një zgjatje organizative të hallkave të ndryshme që ka organizuar PPSH.

Lidhja e Shkrimtarëve është një organizatë njerëzish të lirë, por jo një hallkë në një shoqëri feudale, ku ushtrohen në mënyrën më të çuditshme të drejta dhe detyra feudale. Lidhur me këto të drejta dhe detyra do t`ju jap më poshtë një, shembull që nuk duhej të kishte vend në shoqërinë tonë.

Dihet se romani im "Rinia e kohës sonë" është shkruar që më 1948, kurse romani tjetër "Mbarimi i një mbretërie" është shkruar më 1951. Por nuk duhet harruar se romani "Harbutët" i Sterjo Spasses është shkruar që më 1946!... Atëherë pse Partia vë këmbën dhe i ndal këto shkrime më të hershme dhe i jep kohë Dhimitër Shuteriqit që të shkruajë në 1952 romanin e tij pa asnjë vlerë "Çlirimtarët"?…

Pse Partia ia boton me një zhurmë shurdhuese këtë roman? Pse mobilizon gjithë kalorësit feudalë të kritikës për t`a trumbetuar si ro-manin e parë në gjuhën shqipe?... Dhe jo vetëm si romanin e parë, por si një roman të letërsisë shqipe.... Dhe dihet se në Shqi-përi janë shkruar edhe më parë, edhe shumë më parë romane... Edhe në gjuhën shqipe!… A është e denjë që të merrej një, parti e tërë në-përmjet funksionarëve të saj kryesorë me gjëra të tilla?

Historia ka ligjet e saj të pashkruara dhe nuk i ka dhënë ndonjë njeriu të drejtën që të sillet si të dojë me artin. Edhe Luigji i Katërmbëdhjetë nuk e gëzoi ndonjë të drejtë të tillë. Prandaj veprimet e bazuara në një strukturë feudale nuk mund të kenë vend në shoqërinë tonë dhe ju duhet t`i braktisni. Duhet t`i varrosni kohët e errëta dhe të ktheheni në shekullin e njëzetë, për idealet e të cilit u bë një luftë e madhe dhe u sakrifikuan gjërat më të. shtrenjta.

II:
Problemi në shfaqjen e tij politike. Është pranuar nga të gjithë se, sado i mençur dhe i zoti që të jetë një njeri, ai kurrë nuk mund t`i dijë të gjitha. Shoqëria është një grumbullim individësh me mendime të ndryshme, që plotësojnë një të tërë në lëvizje. Po qe se një njeri i vetëm kërkon t`i zhvendosë të gjithë të tjerët, atëherë rruga të çon në mënyra të pashmangshme tek pushteti një-dorësh. Besoj se ju nuk keni për qëllim që të arrini një gjë të tillë, prandaj duhet të merrni të gjitha masat, duke ndërprerë të gjitha ato veprime organizative që çojnë në drejtimin që thamë më sipër.
Së pari, një parti që merr urdhra të prera dhe të padiskutueshme nga lart nuk është më një parti, por një repart kazerme. Në parti është një gjë e pamohueshme e drejta për të diskutuar gjerësisht për të gjitha problemet që ka shoqëria. Vetëm kur t`a kemi diskutuar çështjen gjer në fund, ajo mund të vihet në votë dhe pas votimit do të vihet në jetë vendimi i shumicës.
Po si veprohet praktikisht tek ne?
Le të kapim rastin e fundit lidhur me luftën kundër meje ve-tëm gjatë këtij viti. Të gjithë të deleguarit që nga prokurori Njazi Shehu, që erdhi në fillim, dhe gjer te sekretari i KQ. Manush Myftiu, ishin njerëz që nuk merrnin vesh fare nga arti dhe letërsia, Atë-herë si erdhën këta njerëz të diskutonin çështje, për të cilat nuk ishin fare të përgatitur?
Në një numër shumë të madh anëtarësh partie ekziston mendimi pa bazë se nuk ka kala që nuk e marrin komunistët, por këta njerëz harrojnë faktin e thjeshtë se ata nuk mund të bëjnë , bie fjala, një filxhan të thjeshtë kafeje!… Megjithatë duke u nisur nga bindja se mund të marrin çdo kala, vijnë në Lidhje të Shkrimtarëve si "nënoficerë" dhe "oficerë" dhe na kujtojnë se jemi "ushtarë të partisë".
Në këtë qëndron një gabim shumë i rëndë. Në qoftë se ne do të pranonim se jemi ushtarë të partisë, siç bëjnë me mburrje shumë njerëz, pa u thelluar në një gjë që shkon shumë larg, atëherë do të na duhej të pranonim se ka oficerë… Pastaj do të shkonim më larg, ne do të pranonim se ka edhe gjeneralë dhe, mbi të gjitha, një kryegjeneral!…Dhe ç`do të bënin të gjithë këta njerëz të mbyllur në këtë piramidë të çuditshme?
Kuptohet!… Do të asgjësonin njëri-tjetrin!… Dhe për këtë duhet të mendoheni ju, që jeni në krye të piramidës!
Duke qenë se e njëjta gjë ndodh edhe me ndërtimin e pushtetit, që nga qendra e gjer në bazë, do të kërkohet gjithnjë e më shumë shtypja e çdo mendimi, gjer sa të arrihet që të mos ketë më asnjë mendim, përveç mendimit tuaj. Kjo do të ishte një gjë shumë e rrezikshme për ju personalisht dhe për të gjithë popullin.
Thuhet se financat e Francës i ngriti sistematikisht kardinali Risheljë dhe i shkatërroi me luftërat e jashtme Luigji i Katërmbëdhjetë. Shqipëria nuk është në gjendje që të luftojë me ndonjë shtet, rrjedhimisht do të luftojë në mënyrë të çuditshme me veten e saj dhe në këtë mënyrë financat e saj do të shkatërrohen plotësisht.
Megjithatë, unë mendoj se shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtërore shqiptare. Njerëzit do të humbasin besimin te shteti dhe te udhëheqja, do të mbyllen në veten e tyre dhe, që të bëhet i mundshëm sundimi mbi ta, do të lindë nevoja për të krijuar një shtet të ashpër policor.
Dhe ky nuk do të jetë veçse fillimi. Prandaj duhet hequr dorë, dhe sa më parë, nga rruga e Luigjit të Katërmbëdhjetë, nga Versaja dhe shtypja e mendimit, edhe brenda radhëve të partisë.
Nuk është çështja për fëmijët e varfër që ne i shohim nëpër rrugë, por për atë shtypje të mendimit që po bëhet sistem dhe që do të sjellë si përfundim lindjen e një monarkie të re. Kur të arrijë puna aty, varfëria do të bëhet e tmerrshme dhe vetëm regjimi i një terrori të pashembullt mund të bëjë që të qëndroni në pushtet. Por ai regjim do të jetë shumë më i rrezikshëm për atë vetë. Ftohja dhe largimi i popullit do të sjellë një lëkundje edhe brenda radhëve të udhëheqjes, që do të transformohet dalëngadalë në një kastë të mbyllur në kornizën e një monarkie pa kuptim në realitetin historik të shekullit të njëzetë.
Në përfundim të këtij procesi historik ju do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak.
Mendoj se jemi plotësisht në kohë që ta shmangim një të keqe kaq të madhe dhe kjo është arsyeja që po ua dërgoj këtë "Promemorie" të shkruar në mënyrë të ngutshme.
Duke shpresuar se ju do të më kuptoni drejt dhe nuk do t`i keqinterpretoni mendimet e mia.

Mbetem me respekt
Kasëm Trebeshina

Tiranë, 5 tetor 1953

Mendimi

Bie mendimi në mendjet e njerëzve dhe duket nuk ndalet,
s`e merr dot era s`e lag shiu që bie rrëmbimthi.
N`er` dhe në shi, as në mendjet e njerëzve nuk mbetet mendimi…
Ne nuk do vemi më pas , kur vdekja vdekje të bëhet?!…
1953

Fillimet e letërsisë shqiptare

Nga Flori Bruqi

Libri i parë shqip që njihet deri më sot është “Meshari”* i Gjon Buzukut, i vitit 1555. Por ka të dhëna të drejtpërdrejta dhe të tërthorta që flasin se fillimet e shkrimit shqip e të letërsisë shqiptare duhet të jenë më të hershme se shek. XVI. Vetë trajta e ngulitur e shkrimit dhe e gjuhës në veprën e Gjon Buzukut dëshmon se ajo duhet të ketë trashëguar një traditë para saj. Një dëshmi tjetër e tërthortë vjen prej klerikut frëng Gulielmi i Adës (1270-1341), i cili shërbeu për shumë kohë (1324-1341) si kryepeshkop i Tivarit dhe e njohu nga afër jetën e banorëve të këtyre trojeve. Në një relacion me titull “Directorium ad passagium faciendum ad terram sanctam”, dërguar mbretit të Francës, Filipi VI Valua, në vitin 1332, Guljelmi ndër të tjera shkruan: “Sado që arbrit kanë gjuhë të ndryshme nga latinishtja, prapëseprapë, ata kanë në përdorim dhe në tërë librat e tyre shkronjën latine”.


Faksimile e tekstit te studimit per "Formulen e Pagezimit"


Po ashtu Marin Barleci në veprën e tij “Rrethimi i Shkodrës” (De obsi-dione Scodrensi), botuar në Venedik.. më 1505, thotë se ka pasur në dorë kronika që flasin për rindërtimin e atij qyteti të shkruara, sipas tij, in vernacula lingua, d.m.th në gjuhën e vendit. Kurse historiani kalabrez Xhakomo Marafioti njofton më 1601 se në Kalabri arbëreshët i kanë arbërisht shërbesat fetare dhe as latinisht, as greqisht. Kuptohet se këtë traditë ata duhet ta kenë marrë me vete nga Shqipëria, sepse nuk mund ta krijonin vetë aq shpejt në kushtet e mërgimit të tyre të rëndë.
Marinbarleci.gif

Marin Barleti
Deri më sot njihen vetëm tri dokumente të shqipes së shkruar në shek. XV ose diçka më herët.

I pari dokument i shkruar në gjuhën shqipe është “Formula e pagëzimit” dhe i takon vitit 1462. Është një formulë e shkurtër fetare e shkruar shqip, brenda një teksti latinisht, të hartuar prej kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut. Në qarkoren që u dërgon vartësve të tij të klerit katolik, ai lejon që prindërit shqiptarë, në rast nevoje, kur nuk mund t`i pagëzonin fëmijët në kishë, mund t`i pagëzonin vetë duke përdorur këtë formulë: Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit. (Unë të pagëzoj në emër të Atit e të birit e të shpirtit shenjtë). Kjo frazë është shkruar në alfabetin latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht).


Dokumenti i dytë i shkruar në gjuhën shqipe është “Fjalorthi” i Arnold Von Harfit, i vitit 1496. Ky udhëtar gjerman, gjatë një udhëtimi në viset shqiptare, për nevoja praktike të rrugës shënoi 26 fjalë shqipe, 8 shprehje dhe numërorët 1 deri 10, dhe 100 e 1000, duke i shoqëruar me përkthimin gjermanisht.

I treti dokument i shqipes së shkruar që njihet me emrin “Perikopeja e ungjillit të pashkëve”, është gjetur në Bibliotekën Ambroziane të Milanos brenda një mbishkrimi greqisht të shek. XIV. Fragmentet shqip s`kanë lidhje me dorëshkrimin greqisht dhe dijetarët mendojnë se ky dorëshkrim mund të jetë i fundit të shek. XV ose i fillimit të shek. XVI. Ai është shkruar në dialektin e jugut dhe me alfabetin grek.

Shqipja dokumentohet kështu e shkruar që në shek. XV në dy dialektet e saj kryesore dhe me dy alfabete, me alfabetin latin dhe me alfabetin grek. Kjo është një dëshmi se kultura shqiptare dhe jeta shpirtërore konfesionale në Shqipëri zhvillohej nën ndikimin e kulturës latine-katolike, dhe të kulturës bizantine-ortodokse.


********************

*

Në 545 vjetorin e dokumentit më të hershëm të gjuhës shqipe, që daton vitin 1462






Më i hershmi dokument i gjuhës shqipe i gjetur deri më sot, është "Formula e Pagëzimit" e vitit 1462. Ajo është një frazë e shkurtër shqipe, përfshirë në tekstin e një qarkoreje latinisht, që kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, këshilltari i Skënderbeut i dërgonte nga Mati vartësve të tij. Ky dokument i parë i njohur i gjuhës sonë jo vetëm që u lexua apo u formulua në një kishë në Mat, por edhe është formuluar në dialektin vendor, në dialektin që përdoret sot në Mat: "Unë të pagëzoj për emër t`atit e t`birit e t'shpirtit shenjtë".

Gjuhëtari ynë i shquar, Eqerem Çabej, duke analizuar dialektin e origjinalit të kësaj formule siç është paraqitur në vitin 1462, ku fjala "shpirt" është shkruar " shpert" ashtu siç shqiptohet në krahinën tonë, arrin në përfundimin se "Formula e Pagëzimit" është shkruar e lexuar në Mat. Ai jep këtë shpjegim: "Të shpertit, më fort se një shkrim gabim një lapsus kalemi në "shpirtit" do menduar se kemi të bëjmë me një trajtë reale, një trajtë e shqiptimit krahinor, sikundër flitet edhe sot në anët e Matit e të Lumës. Atje përdoret fjala "shpert" si në shprehjen "më dulë shperti". Prandaj, do të mendohet që shkruesi i parë i këtij dokumenti ka qenë prifti i atyre anëve.

" I pari dokument, -thuhet në një gazetë të kohës,- i datueshëm i gjuhës shqipe, "Formula e Pagëzimit" e vitit 1462, pra e epokës së Skënderbeut, në pajtim me rrethanat e kohës, rinon një tipar dialektor të dallueshëm "shpertit" për "shpirtit" të ligjërimit të Matit. Fshatarët e zonës së Prellit, Shëlliut, Macukullit e Derjani edhe sot thonë "shpert", tamam si shkruhet në formulë, komplet fjalia është shkruar në formën dialektore të Pullit dhe nga dora e ndonjë prifti lokal po të kësaj zone. Edhe sot, matjanë të zonave të tjera nuk i shkruajnë fjalët me aq korrektesë ashtu siç thuhet gojarisht në zonën e Pullit. E folmja e kësaj krahine ka disa veçori: lidhëzat i merr ngjitur me fjalën pasardhëse pa e theksuar mirë, për shembull: "...këta ishin parot e Sulës e t`Aliut e t`Shabanit e t'Hysenit..."."Formula e pagëzimit" përfshihet në dokumentet e të parit Kuvend Kishtar shqiptar që u mbajt në Mat në vitin 1462. Çabej na thotë se formula që përdoret në pagëzim, ka qenë lashtësisht në përdorim të kishës e në gojë të popullit dhe shkruesi i Kuvendit të Matit nuk bëri gjë tjetër veçse nguliti me shkrim një traditë të trashëguar brez pas brezi, e me një trajtë pothuaj të ndryshuar". Çfarë ishte ky Kuvend i Matit, i pari Kuvend Kishtar mbarëkombëtar? I filloi punimet më 8 nëntor 1462, në një fazë relativisht të qetë të luftërave shqiptaro-turke, me nismën e prelatit Pal Engjëlli.

Përcaktimi: "Në Kishën e Trinisë së Shenjtë të Matit, Ecelesia Sancte Trinitatis de Emathia", të bën të mendosh se kemi të bëjmë me një kishë të njohur të kësaj krahine, dhe pikërisht pranë fshatit Shëlli, ku zakonisht mblidheshin deri vonë edhe kuvendet e malësorëve matjanë.

***

Eqerem Çabej thotë se ky sinod i kishës u mbajt pranë Manastirit të Shëndertaut, në Mat, në një vend të kësaj treve që sot për sot nuk mund të lokalizohet më saktë. Në këtë mbledhje, përveç ipeshkvit Andrea (me seli në Kishën e Trinisë së Shenjtë të Matit, në vitin e zotit 1462, indiktin e dhjetë, ditën e hënë, me tetë të muajit nëndor" (Paulus Angelus Miseratiane divina Archiepiscopus Dirrachiensis et Illirica e Regionis... in Eclesia sancte Trinitatis de Emathia Anno Dni M.çce. Lxij, Indictione Decima Die Vero Lune actava mensis novembris.)

Një shumicë klerikësh të Shqipërisë së Mesme e veriore morën pjesë në Kuvend. Gjithashtu morën pjesë edhe paria e vendit dhe një pjesë fshatarësh vendorë. Kuvendi mblidhet në periudhën e vështirë të historisë shqiptare. Jemi në vjetët e fundit të jetës së heroit kombëtar, dhe jemi në pragun e pushtimit të plotë nga ana e osmanëve... Kuvendi i Matit mbahet në një kohë kur sapo kishte nisur të depërtonte ndikimi turk dhe mishëron përpjekjet për t'i bërë ballë sadopak vërshimit të kësaj vale. Këto nuk janë vetëm sinade kishtare. Janë mbledhje fetaro-politike ku krerët e kishës, bashkë me parësinë e vendit, bisedojnë e marrin vendime për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet nga visari etik "fe` e Atdhe", koncept që për atë kohë përbëjnë një njësi të pandarë. Mbi këto koncepte synonin në thelb edhe shkrimtarët, siç janë: Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani e të tjerë, e në një farë mase edhe ato të kolonive, siç është Lekë Matringa i Sicilisë.

Në këto rrethana, nuk është çudi të mendohet që prapa Kuvendit të Matit të ketë qëndruar vetë Skënderbeu, ashtu sikurse për Kuvendin e Mirditës dha shtysë Papa Klementi i XI-të, i cili kishte gjak shqiptarësh në dejet e tij. Dhe pikërisht zgjedhja e Matit, si vend mbledhjeje, një krahinë relativisht e lirë në atë kohë dhe vatra e derës së Kastriotëve, mbase nuk është gjë e rastit në këtë mes: Prandaj cilësohet si "Locum ad celebradum idoncum". Shën Trinitatis de Emanthia, ku mbahet ky kuvend. Natyrisht që kuvendi mori disa vendime që kishin të bënin me përmirësimin e gjendjes nëpër famullitë e Matit.

***

Dokumentet e Kuvendit u studiuan nga shumë shkencëtarë të Evropës. Njëri prej tyre, Nikolla Jorga, botuesi i shumë vëllimeve me dokumente historike, bashkë me nxjerrjen në dritë të fondeve dhe vendimeve të këtij kuvendi në bibliotekën Laurentina në Firence të Italisë, nxori në dritë dhe "Formulën e Pagëzimit" në shqip, që u gjet në këtë fond.Për Kuvendin Kishtar të Matit jepet data e saktë, madje dhe dita e hënë. Thuhet se u mbajt në Kishën e Trinisë së Shenjtë të Matit. Po në cilin vend pikërisht ishte kisha nuk thuhet, se është lënë si e ditur. Mirëpo, në atë kohë në Mat kishte shumë kisha. Prandaj, na mbetet të gjykojmë duke u nisur nga ato të dhëna që kanë arritur të dalin në dritë deri më sot. Në Mesjetë krahina e Matit, nga pikëpamja administrative kishtare organizohej në një dioqezë më vete, në shkallë Peshkopate, me seli në Lis (sot fshat në Mat) dhe varej nga Kryepeshkopata e Durrësit. Nga Kisha e Lisit vareshin të gjitha famullitë e rektorët e manastireve të krahinës. Duke parë edhe sot vendet ku kanë qenë kishat, mund të kuptohet lehtë se për çdo kishë, kishte një ose dy manastire. Kisha e madhe e Lisit ka qenë vendosur pikërisht aty ku sot është Xhamia. Më në veri të Kishës së Lizës ishin edhe dy kisha të mëdha: ajo e Stefanisë, në fshatin Shqefën të sotëm; dhe një kishëmë emadhe në vendin e quajtur sot Qafa e Shën Kollit, në mes të fshatrave Dukagjin, Macukull e Urxallë, ku në vitin 1602 u mbajt Kuvendi i madh i Matit. Përcaktimi në Kishën e Trinisë së Shenjtë të Matit (In Ecelesia Sancte Trinitatis de Emathia), të bën të mendosh se kemi të bëjmë me një kishë të njohur të kësaj krahine, siç ishte Shën Trinia e Shëlliut. Disa studiues vendin e kësaj kishe e caktojnë në mes të fshatrave Shëlli dhe Macukull, në vendin e quajtur Tresat e Ballës, dhe kjo kishë kishte një manastir në vendin e quajtur kisha e Daznjanëve edhe sot shkëmbi i stërzgjatur në fshatin Shëlli, quhet shkëmbi i Shëndërtaut, nga ku ka marrë emrin edhe manastiri me këtë emër. Në dokumentet e kuvendit, në një nga vendimet përcaktohej se si prifti të pagëzojë fëmijën, duke thënë vetëm një herë në latinisht "ego te baptizo, in nomine, patris et filjet spiritus sancti", jo tri herë, si bënim më parë. Në rast... me qëllim që foshnjat të mos vdisnin pa marrë pagëzimin para se t'i binin në kishë, të urdhëroheshin banorët besimtarë që ta thonin në gjuhën popullore në shqip (in vulgari albania). "Unte paghezant premenit Atit, Birit et Shpertit senit". Kjo është formula e famshme e pagëzimit, e cila duhet lexuar "Për emër të Atit, të Birit e të shpirtit të shenjtë"

Të shpertit (të shpirtit) do menduar se kemi të bëjmë me një trajtë reale të shqiptimit krahinor, sikundër flitet sot në anët e Matit e të Lurës, ku thonë pikërisht "Shpert" për "Shpirt"; "Më duel shperti", prandaj thotë Çabej, do menduar se i pari i këtij dokumenti ka qenë ndonjë prift i atyre anëve. Formula e Pagëzimit që nepërkujtojmë sot e 545 vjet të shkuara, ka një rëndësi të jashtëzakonshme monumentale. Jo vetëm për arsyen se na tregon se gjuha shqipe ka qenë shkruar që në kohën e Skënderbeut e më parë, por se ajo ka pak ndryshim me gjuhën tonë të sotme. Gjithashtu rëndësi ka se formula është shkruar nga prelati Pal Engjëlli, Kryepeshkop i të gjithave dioqezave arbërore dhe në prezencën e Heroit tonë Kombëtar, bashkëluftëtarit Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Mesjeta shqiptare, sipas dorëshkrimeve e dokumenteve në arkivat kroate

Debatet e shumta të mirëfillta me bazë shkencore, botimet e korpuseve të dokumenteve, analizat studimore dhe librat e shumtë, të botuar që nga zbulimi i shtypshkronjës së Gutenbergut e deri sot, janë një nga dëshmitë më të forta për interesin e veçantë që kishin të huajt për popullin shqiptar, fatin dhe rolin e tij gjatë furtunës shekullore mesjetare, por edhe gjate zhvillimeve të vrullshme të rilindjes dhe iluminizmit evropian dhe atij shqiptar.


                                           
Krahas botimeve të shumta dhe voluminoze, janë për t‘u pasur në konsideratë edhe dorëshkrimet e vjetra të pabotuara akoma, që herë me autorë ose edhe pa autorë, kanë për temë bosht popullin shqiptar dhe trojet etnike të tij. Zbulimet e këtyre dorëshkrimeve, janë një thesar i vërtetë, sepse jo vetëm pasurojnë shumë herë zbrazësinë në informacione që është krijuar në epoka të caktuara kohore, duke na ndihmuar që të plotësojmë e saktësojmë njohuritë që kemi deri tani për ngjarje, personalitete dhe data të rëndësishme historike, por edhe na tregojnë për imazhin që kishin shqiptarët në sytë e bashkëkohësve, apo jehonën që kishin veprat e tyre tek brezat e mëvonshëm. Studimet sistematike nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme, anekënd Evropës, pasurojnë fondet e albanologjisë dhe historisë kombëtare shqiptare në përgjithësi. Çdo dokument, dorëshkrim apo libër i rrallë, i zbuluar rishtas, i panjohur deri tani për studiuesin dhe lexuesin e gjerë, ka një rëndësi të veçantë. Thesare të tilla, kanë vlerë të dyfishtë: e para sepse me anë të tyre plotësohet ose argumentohet e kaluara jonë kulturore dhe së dyti, njihemi me krijime të reja, të zhanreve e gjinive të ndryshme, gjë që na mundëson të kuptojmë rezonancën që kanë gjetur periudha të caktuara historike apo personalitete të caktuara historike në fushat e ndryshme të krijimtarisë.

Është theksuar tashmë disa herë, se qytetet bregdetare dalmate, ruajnë në arkivat e bibliotekat e tyre të shumta, qofshin ato publike, shtetërore, kishtare apo private një lëndë jashtëzakonisht të pasur dhe të vlefshme për shqiptarët dhe Shqipërinë. Është më se e vërtetë se një pjesë e kësaj lënde është vjelë, fillimisht nga studiues të huaj, e më vonë edhe nga disa studiues shqiptarë. Është e domosdoshme që në mënyrë sistematike, me një përgatitje serioze të bëhen hulumtime dhe kërkime, në gjithë qytetet bregdetare të Adriatikut, sepse ekzistojnë të dhëna të shumta dhe të sakta për burime shumë të vlefshme, të cilat presin studiuesit dhe hulumtuesit seriozë e të përgatitur profesionalisht, si në aspektin gjuhësor, paleografik, diplomatik dhe epigrafie, kur bëhet fjalë për dorëshkrime, dokumente dhe burime të tjera.

Dorëshkrimi nga Shibeniku

Në Shibenik, në famullinë e Shën Lovrit, ruhet një dorëshkrim i at Mate Zoriçiqit, me titull: Ogledalo prisvitloga i ponosnoga vojevagna vlastelina Jure Castriochianina, recenoga Scanderbeg, në signaturën: R.K – 17/I. II. Dorëshkrimi ka 92 faqe, format të madh, me dimensione 26.3 x 49.5 cm dhe ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përbëhet nga nëntë kapituj; ndërsa pjesë e dytë ka 13 kapituj, gjithsej, 22 kapituj. Çdo kapitulli i paraprin një nëntitull i shkurtër, i cili në mënyrë përmbledhëse, tregon se për çfarë bëhet fjalë, në tekstin në vazhdim! I tërë teksti është i mbushur me data dhe vite të sakta, gjë që e rrit vlerën dhe rëndësinë e tekstit, pastaj me një korrektësi të jashtëzakonshme, janë shënuar emrat e bashkëluftëtarëve të Skënderbeut dhe të kundërshtarëve të tij. Në disa raste, vërehet një njëanshmëri e lehtë në favor të Venedikut, që autori me mjeshtëri të veçantë e arsyeton duke treguar madhështinë, forcën dhe diplomacinë e përkryer që kishte Republika e Shën Markut në atë kohë. Dorëshkrimi është shumë i dëmtuar, sidomos në faqet e para dhe ato të fundit. Edhe në brendi, në disa vende vështirë lexohet. Lagështira, e në disa vende edhe ngjyra, e kanë gërryer letrën, e cila është e cilësisë së dobët. Teksti lexohet lehtë; është i shkruar në gjuhën kroate, në dialektin e ikavicës. Është i përfunduar më 29 shkurt të vitit 1752. Këtë të dhënë na e ofron vetë autori, në faqen e fundit, /f. 92/. Kjo datë na bën të pohojmë, se ky është njëri ndër krijimet më të vjetra, deri sot të njohura, të një autori kroat, në gjuhën kroate, për Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Ky dorëshkrim është edhe më i vjetër se libri i Andrija Kaçiq-Mioshiqit për Skënderbeun.

Dorëshkrimet nga Arkivi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Kroate në Zagreb


Në Arkivin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë, /HAZU-t/, në Zagreb, ruhen disa dorëshkrime të shpërndara nëpër fonde të ndryshme personale të krijuesve të shquar kroatë. Këto dorëshkrime, për nga volumi, janë më të shumtat. Është i njohur vetëm dorëshkrimi I. K. Sakcinskit, ndërsa të tjerat deri me sot kanë qenë të panjohura fare! Në fondin e dorëshkrimeve të Ivan Kukuljeviq-Sakcinskit, njërit prej historianëve, arkivistëve dhe bilbiografëve më të njohur kroatë, dhe njërit prej ideologëve të Rilindjes kroate, ruhet një dorëshkrim i një drame, që i kushtohet heroit kombëtar shqiptar të shekullit të XV-të, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Dorëshkrimi ndodhet në signaturën: XV. 23/ C. II. – 7. Daton nga viti 1840. Këtë të dhënë e gjejmë në faqen e fundit, të shkruar nga vetë dora e Ivan Kukuljeviq-Sakcinskit. I. Kukuljeviq-Sakcinski është njëri nga studiuesit e shumtë kroatë, i cili u mor me hulumtimin e historisë, kulturës dhe traditës shqiptare. Përveç dorëshkrimit të dramës për Skënderbeun, ai herë pas herë është marrë, edhe me çështjen shqiptare deri në gjysmën e dytë të shek. XIX-të, përmes shkrimeve me karakter letrar, historiko-informativ, studimor, dhe botimeve të shumta në shtypin periodik të kohës, si dhe mbledhjes së dorëshkrimeve dhe librave të ndryshme, të botuar gjatë shekujve. Dorëshkrimi i dramës në gjendjen e tanishme është i shkruar në 58 fletë të formatit të madh, me dimensione: 27,5 x 51. 8cm. Tetë faqet e para kanë një format më të vogël, 22,5 x 35cm, në të cilat jepen shënimet paraprake për jetën dhe veprën e Skënderbeut sipas burimeve dhe autoreve të cilët ka konsultuar Sakcinski. Në vazhdim kemi 48 fletë të shkruara dhe 2 fletë të zbrazëta. Të gjitha këto fletë janë të palosura në dyshe dhe autori ka shkruar vetëm në njërën anë, në faqen “recto”. Dorëshkrimi, përgjithësisht, është i ruajtur mirë. Disa fletë, ato të aktit të tretë dhe dy të fundit janë të përlyera me baltë. Si duket kjo është pasojë e transportit të dorëshkrimeve dhe tekstit në to lexohet me vështirësi.

Sipas të gjitha gjasave, autorit i është kthyer disa herë ky dorëshkrim, ndoshta për përpunim dhe plotësim, sepse anash, me ngjyrë dalluese, ka shënime dhe përmirësime të mëvonshme, qofshin ato të natyrës ortografike-drejtshkrimore, qofshin plotësime teksti me fraza të reja, apo edhe ndryshime komplete paragrafësh. Njëri ndër problemet më të ndjeshme dhe të rëndësishme është çështja e burimeve historike, në të cilat është mbështetur Sakcinski, burime këto që duhet të sqarohen. Në shënimet paraprake autori shënon tre autorë: Georg Marnaviqin, Andrija Kaçiq-Mioçiqin dhe J. B. Hamerin, por, është evidente se Sakcinski ka shfrytëzuar edhe burime e autorë të tjerë të cilët nuk i përmend, por nga leximi i vëmendshëm, mund të vërejmë se cilat janë ato vepra e burime. Është interesant fakti se Ivan Kukuljeviq-Sakcinski nuk i shënon titujt e veprave të tyre në dorëshkrimin e tij të dramës për Skënderbeun, por vetëm numrin e faqeve që ka konsultuar. Dorëshkrimi përmban disa momente të rëndësishme. Shkruhet nga penda e njohur e një historiani të shquar, i cili zbërthen anën faktografike në një tregim tërheqës dhe mjaft të lehtë për lexim. Gjuha e përdorur është e thjeshtë, e qartë dhe shumë melodike. Por më e rëndësishmja është se autori ka ruajtur paanshmërinë duke qenë i kujdesshëm që personazhet kryesore të na i paraqesë në dritë pozitive, por asnjëherë më shumë se sa e meritojnë.

“Tre gjermanët”, në Londër

Shfaqja “Tre Gjermanët e Trashë”, pas suksesit me pjesën e parë, u rikthyen prapë.

Ndërsa pas premierës në Teatrin Oda, shfaqja ka pasur tetë repriza, me shikueshmërinë e të cilave ekipi "Tre Gjermanët e Trashë II" është i kënaqur, ngaqë salla gjithherë ka qenë e mbushur.


Gjithashtu është bërë e ditur se pas reprizave, të kësaj jave, dhe dy reprizave gjatë javës tjetër, shfaqja do të udhëtojë drejt Londrës.

Shfaqja atje do të jepet një javë dhe "Tre Gjermanët e Trashë" do të paraqiten për publikun londinez edhe në Ditën e Pavarësisë.

Galeria e prof. Agim Çavdarbashës ende nuk renovohet

Ende nuk ka filluar si duhet renovimi i objektit në të cilin gjenden shumica e veprave të skulptorit të njohur, Agim Çavdarbasha.


Puna e vetme që është bërë deri tani nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sporteve është rindërtimi i një kulmi të improvizuar.

“Punëtorët janë angazhuar me qëllim të ruajtjes së funksionit. Kemi bërë ndërhyrje preventive sa për ta mbrojtur koleksionin nga dëmtimet”, ka thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS.

Megjithëse projektin për rinovimin e galerisë së Agim Çavdarbashës e ka cilësuar prioritar, Aliu nuk thotë se kur do të mund të nisë rindërtimi.

“Nuk e dimë saktë. Pritet konsolidimi i Qeverisë pasi pa u konsoliduar Qeveria nuk mund të marrim vendime. Për procedura të reja nuk mund të flasim tani”, ka thënë ajo.

“Përjetësia” e Anagnostit në kinemanë e Arkivit të Filmit



Vazhdojnë aktivitetet me rastin e 75-vjetorit të lindjes së regjisorit Dhimitër Anagnosti. Dokumentari “Përjetësia” i realizuar në vitin 1974 i kushtohet dëshmorëve të luftës, e po ashtu planifikohej t’i dhurohej për ditëlindje Enver Hoxhës. Megjithatë, dokumentari u fut në arkiva dhe nuk është shfaq më kurrë.

Ditë më parë u shfaq dokumentari “Motive nga dita e diel” e po të njëjtin regjisor, ndërsa nesër është planifikuar të prezantohet filmi “Lulëkuqet mbi mur”.

I pranishëm, përpos regjisorit Dhimitër Anagnosti, do të jetë edhe aktori Strazimir Zajmi, të cilët do të realizojnë biseda me të pranishmit dhe studentët e regjisë.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...