2011-06-17

Kronikë lufte e gazetarëve Ilire Zajmi e Filippo Landi



Guglielmo Minervini
Në këto faqe, të shkruara nga katër duar, ata nuk shkruajnë kronikë lufte por rrëfejnë historinë e tyre.Kësisoj, tragjedia e Kosovës hyri në jetët e tyre, duke u bërë pjesë e zgjidhjeve individuale, raporteve dhe vlerave të tyre
Se historia e rrëfyer nga masmediat është e pjesshme dhe e gjeneralizuar në të gjitha vendet, është një konstatim shumë i përhapur.
Por gjithnjë e më shumë po shtohet nevoja nga po të njëjtit sajues të informacionit për t’i ikur modeleve të ngurta dhe shterpe të kronikave, duke mërguar në hapësira të tjera të lirisë jo vetëm të ndërgjegjës por edhe të arsyes.
Filippo Landi dhe Ilire Zajmi, janë dy gazetarë, Filippo italian që vjen nga bota e televizionit, Ilirja gazetare shqiptare që vjen nga mediat e shkruara. Rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë e kanë parë drejtpërdrejt me sytë e tyre. Gjithçka është përshkruar në rrëfimin në libër. Filippo e ka parë luftën duke qëndruar andej kufirit të Kosovës, Ilirja e ka parë nga brenda. Shumëkush arriti të njohë vullnetin e tyre dhe të familjarizohet me rrëfimin e tyre. Në këto faqe, të shkruara nga katër duar, ata nuk shkruajnë kronikë lufte por rrëfejnë historinë e tyre.Kësisoj, tragjedia e Kosovës hyri në jetët e tyre, duke u bërë pjesë e zgjidhjeve individuale, raporteve dhe vlerave të tyre. Përmes rrëfimit sesi një histori e katastrofës mund të bëhet një qark i shkurtër për jetën e një individi, të një bashkësie, të një populli. Sesi mund të ndryshojë fatet, por edhe të gërshetohet me ngjarjet që pasojnë. Në realitet, shikimet e tyre, ndodhitë e tyre, që takohen jorastësisht në pikën kufitare, transformohen në lenta narrative, deri në ndjenjën drithëruese që zhvesh deri në intimitet tmerret e kësaj lufte. Rrëfimi i Ilires përshkruan ankthin e luftës, atë zhvendosje të ngadalshme të vetëdijes që fillon nga një skepticizëm i largët ” lufta është një fenomen i çuditshëm, gjithnjë kujton që vdesin vetëm të tjerët” dhe zhytjen në një fatalizëm duke vazhduar me ndjenjën e pashmangshme të impotencës fataliste “ kush mund t’a parandalojë një luftë të dimensioneve tragjike në Kosovë? Më duket askush”. E në rrugëtimin psikologjik që fillon nga e pabesueshmja e deri te e mundshmja pikërisht vie deri te pika kur lufta bëhet e pashmangshme dhe e domosdoshme. Ritmi dinamik, parodizimi i dëlirë, dëshira e shtypur e Ilires për të kuptuar, lejojnë ndërtimin e një zingjiri të reagimeve që shkakton shpërthimin e paevitueshëm të dhunës, duke shpërfaqur me saktësi momentin kur të kuptuarit e rrugës pakthim tejkalohet si ndjenjë, dhe raporti i të pakthyeshmes copëtohet. Rrëfimi i Ilires shpesh përdor metaforën e dashurisë e të fatit. Idea e bashkëjetesës ndërmjet kulturave e popujve si shprehje e një marrdhënie të dashurisë është një figurë shumë e çmuar e paqes apo “bashkëjetesë e diferencave”. Idea e luftës e trajtuar si një fat dashurie që ndërpritet shkatërrueshëm, përbën politikën mbizotëruese të një etje të pafundme për dominim “ bashkëjetesa ndërmjet dy popujve, më duket e pamundur. Kanë shkuar shumë larg kësaj radhe. E si çdo bashkëjetesë, edhe çdo dashuri ka fatin e vet. Dhe fundin”. Është i ndryshëm, ndërkaq, shtegtimi i Filippos. Shikimi i tij ndjek një shteg tjetër, që fillon nga zbërthimi i një ”katastrofe humanitare” dhe vazhdon me një konstatim të pabesueshëm të “një deportimi masiv” të planifikuar në mënyrë shumë racionale. Edhe në rrëfimin e Filippos ka një përshkrim të një zingjiri reagimesh, që zgjasin shumë në tokën e Ballkanit, që fillon nga ikja e të përndjekurve e deri te gjenocidi sistematik : ”Unë që kam vizituar Dakaun, nuk mund të besoj se pas pesëdhjetë vjetësh, në Europë, do të mund të organizohej një deportim i ri masiv”. Në këtë sekuencë, rrëfimi i Filippos kap pikën në të cilën lufta ka arritur të programojë ekzilin e një populli të tërë, për ta zhdukur edhe fizikisht ekzistencën e tij. Është ky momenti kur lufta në Kosovë zhvillohet në dy fronte, atë të teknologjisë së sofistikuar të aeroplanëve bombardues perëndimor, dhe në dënimin me deportim të një populli të tërë :”tragjedia duhet të ketë numrin e mjaftueshëm të viktimave, para se të prek ndërgjegjën njerëzore”. Ky hibrid është një kaptinë e re që lufta ka ndjekur për të afirmuar sovranitetin e saj shkatërrimtar. Vitaliteti i Ilires dhe rrëfimi autentik i Filippos, përbëjnë të kundërtën e asaj që duket: “gjithçka që thuhet e deklarohet s ‘është gjë tjetër përveçse trijumf i dhunës, në një territor që numëron 146 grupe etnike”. Karakteri brutal që merr lufta, gjithnjë e pamëshirshme ndaj civilëve, është fryt i dallimeve që bashkëjetuan përgjatë tragjedive ballkanike, dhe ato shprehin nevojën urgjente të një politike të paqes për të cilën bombardimet nga ajri paraqesin vetëm një hipokrizi të konfrontimit.
Një politikë që ia del të lansojë horizonte të reja të bashkëjetesës, duke u nisur pikërisht nga Europa, njëri nga modelet më pozitive të suksesit të politikës në shekullin që po e lëmë pas.

Një vepër e rëndësishme për Vranocin me rrethinë



Prof. dr. Lush Culaj
Monografia “Vranoci në përthyerje historike” ( etno-monografi), i autorit Sherif Daut Krasniqi- është një vepër e rëndësishmë për këtë lokaliet. Kujtimet, si lloj i shkrimeve, janë më rëndësi të posaçme për ta njohur dhe për ta transmetuar përvojën historike, politike, shoqërore etj. të brezave të së kaluarës. Përgjithësisht në to pasqyrohen veprimtaritë e ndryshme si globale, rajonale, kombëtare, familjare e deri te kujtimet individuale. Kujtimet kanë vlerë të posaçme, në mënyrë të veçantë kur shkruhet për gjëra të pathëna deri atëherë, e në veçanti kujtimet për të kaluarën familjare, që në shumicën e rasteve, janë të panjohura, madje edhe për një pjesë të konsiderueshme të rrethit në të cilin jeton dhe vepron, qoftë për shkak të distancës kohore, qoftë për shkak të rrethanave të tjera. Në këtë kontest dorëshkrimi i Sherif Krasniqit për Vranocin në përthyerje historike përgatitur me kujdes nga një Vranocas përbën një tribunë të mendimit dhe të vlerësimit të bashkëkohësve për jetën dhe veprimtarinë e Vranocit nëpër etapa historike. Ashtu siç është historia globale, rajonale dhe nacionale edhe çdo fshat e rreth më i gjerë e ka historinë e saj, historinë e vuajtjeve dhe të sakrificave të përballimit të vështirësive dhe të katrahurave të jetës, të ruajtjes së traditës, trashëgimisë identitetit të vet kombëtar. Shtruarja në letër dhe kujdesi për trashëgiminë historike nga brezi në brez, nga gjenerata në gjeneratë, duhet ruajtur dhe respektuar si virtytin më të lartë, sepse tërësia e historive individuale, familjare, fshatit, bajrakut dhe rrethit më të gjerë përbën tërësinë historike të një mjedisi të caktuar e në vijimësi përbën tërësinë e historiografisë së përgjithshme kombëtare.Fisi sipas Sherif Krasniqit ishte bazament i sistemit tradicional gegë.Duke e pasur këtë qëllim të trajtimit, autori Sherif Krasniqi ia kushtoi një kujdes të veçantë ndriçimit të aspekteve të panjohura e të errëta të etapave historike të Vranocit e më gjerë.
Autori konstaton se bajraku përfshinte një grup katundesh. Si i tillë bajraku mund të ishte njesi e vogël apo e madhe gjeografike në kufi të përcaktuar në të shumtën e rasteve në rrjedha lumenjsh, lugjesh, maje bjeshkësh, kodrash, burime , rrugë etj. Përmes kësaj monografie, të shtjelluar me vullnet e dije, në të cilën janë përpunuar dhe plotësuar zbrazëtitë në një periudhë shumë të gjatë, autori hedh vështrimin mbi Bajrakun e Vranocit në mënyrë të gjithanshme, si nga pikëpamja e zhvillimit ekonomiko-shoqëror, ashtu edhe kontributi që Vranoci me rrethinë ka dhënë në historinë kombëtare të shqiptarëve.
Fshati Vranoc më rrethinë radhitet ndër fshatrat më të shquara që kanë dhënë shumë trima dhe dëshmorë për çështjen kombëtare gjatë gjithë etapave historike e në veçanti në dy shekujtë e fundit. Veçmas qe nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit emri i Vranocit u bë tmerr për armiqtë nga njëra anë dhe simbol i guximit dhe heroizmit ndër shqiptarë në luftërat për liri. Në rrafshin metodologjiko-hulumtues, më qëllim që lexuesi të ketë para vetës një pasqyrë sa më komplete të ngjarjeve, duke mos i shkëputur ngjarjët nga konteksti i gjerë historik autori brumin e lëndës të këti studimi e e ndan në tri pjesë të cilat janë të lidhura organikisht në mes vete dhe përbëjnë boshtin e këti studimi monografik. Pjesa e parë e titulluar “shënime të përgjithshme”, pjesa e dytë “Vranoci në histori” dhe pjesa e tretë “Vranoci sot”.Autori Krasniqi në krahasim me burimët e mjegullta gojore na ofron dokumente të shkruara e të gjetura të pakontestueshme. Me mjaftë interes janë edhe skemat familjare të familjëve të Vranocit si pasqyrë kronologjike dhe e trungut familjar.
Autori Sherif Krasniqi na pasqyron shumë mirë rezistencën shekullore të Vranocasve, mbrojtjën e Bajram Currit, rezistencën e Bajrakut të Vranocit kundër Malit të Zi më 1912-1913, luftën kundër konvertimit të dhunshëm, qëndrimin e Hasan Prishtinës në Vranoc etj. Autori na jep një pasqyrë të çartë edhe për rethanat nën pushtimin italian dhe ripushtimin e Kosovës ku shqiptarët gjithsesi frymuan më lirshëm dhe gjëndjen e mjerueshme të shqiptarëve në dekadat në vijim në Jugosllavinë Avnojane. Gjithsesi pjesë e patjetërsueshme e trajtimit te Sherif Krasniqit në ketë monografi do të jenë edhe rezistenca paqësore e shqiptarëve e periudhës të Presidentit Rugova dhe lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Poezia joshëse e një femre



Vita Guhelli është poetja më e re nga Prizreni. Ajo gjer tani ka botuar dy përmbledhje me poezi:”E bukura e shpirtit” dhe “Këngë që do të këndohet.
Ajo e ka filluar “jetën” e saj me vargje poetike. Sikur është dashuruar në vargje, ritëm, rreshta, rima, strofa e tituj të poezive etj. Kjo rrugë e saj në artin letrar po dëshmon qartë se, poezia është vokacin i saj i parë i artikulimit poetik. Për te është një lloj “ushqimi”shpirtëror dhe frymëzimet i ka nga jeta e përditshmërisë sonë. Ajo si tetëmbëdhjetë vjeçare, e ka kuptuar se ç’është poezia, ç’është arti i shkrimit. Andaj, bota e saj është magjepsur nga kjo fuqi arti. Çdo gjë tek bota e saj krijuese “rrëfen” koha e jetës së njeriut. Kjo e bën lexuesin ta duan poezinë e saj për mënyrën e trajtimit të temave, të cilat janë joshëse dhe adhurohen nga të gjithë lexuesit. Është poezi që secili njeri e gjen vetën e tij rinore apo njomake. Pra, poezia e Vitës është më e ndryshme prej krijuesve tjerë, për fatin se shprehet me një gjuhë të qartë e pëlqehet për figuracionin e qëlluar e të rrallë të shprehjes artistike. Ajo është një “freski” e shpirtit. Vita i ka vargjet për udhët e zgjimit, për buzëqeshjen e fatit, sekretetin e jetës, për të bukurën e shpirtit, labirinthet e jetës, horizontin, portretin e njeriut, valët gjarpërore, pendimin, sprovat e jetës, fëmijërinë, pritjen, urat, kohën mortore, heshtjen, iluzionet apo realitetin, jeta që ka kthesa, për kujtimet e të shkuarës, për njeriun e lirë në jetë, por ka edhe vargje të shkruara me tema të tjera për miqësinë, për figurën e madhe shqiptare, Gonxhe Bojazhiun, Emin Durakun, 28 nëntorin, për qytetin, Prizrenin e të tjera. Janë këto krijime të frymëzimeve të “para”, të saj, të cilat dalin nga thellësia e shpirtit, por që tingëllojnë bukur me atë gjuhë të ëmbël e me shije të hollë krijuese. Dhe, secili fillestar që krijon vargje të këtilla, padyshim “rrëfehet” për vetën e tij, e cila “botë” është magjike, për faktin se janë shpërthime e dallgë zemrash plot vrull. E tillë është poezia Vita Guhellit, e cila na del e artikuluar si loti me ato shprehje të bukura e fort të qëlluara astistikisht e temtikisht. Në një vend, ajo shprehet “Jeta e njeriut/ është e vështirë/ por nuk thonë kot/ “çdo e ligë - ka të mirë”. E populli e thotë se pas të keqes, vjen e mira, pas rrebeshit të shiut, kthjellet moti etj. Këto vargje të autores në fjalë të përkujtojnë më tepër letërsinë gojore, e cila nuk hiqet dot nga zemra e këngëtarit e shprehur në atë mënyrën filozofike të njeriut për jetën, fatin e tij të pritur. Nuk ka poet që nuk ka shkruar për të bukurën apo të madhërishmen. E bukura gjithmonë i ka frymëzuar krijuesit e artit. E, kjo e bukur ka qenë e është edhe sot temë e frymëzimeve të krijuesve tanë. Edhe Vita, duke “prekur” këtë temë, ajo hyn aty ku është burimi i të bukurës, ajo që adhurohet dhe ka magji jete, e cila fshihet në zemër të krijuesve dhe ka madhështi arti, por ka edhe emër që nuk hiqet nga mendja. Në poezinë e Vitës me titull “E bukura e shpirtit”, ajo për të bukurën, shton: “Bukuria e shpirtit/ asnjëherë nuk venitet/ vetëm atë shenjtëri/ nuk e rëndojnë vitet/ (f.8). Apo, kur e mendon se të gjithë jemi pasardhës të dikujt, ajo një poezi ia kushton njeriut të zemrës, Nënës, me titull “Asaj”. Ja si shton autorja: “Asaj që m’u bë engjëll i përjetshëm/ në momentin kur fillova të jem pjesë e kësaj bote/ Falë asaj, krijesës më të dashur njerëzore - Nënës, / Njeriut të zemrës!” (f.12). Vita Guhelli e ka përjetuar luftën e fundit (1999), e cila (luftë) la pas vete pasoja të mëdha në njerëz. Në Krushë të Madhe, vend afër Prizrenit, mbetën shumë fëmijë pa prindër. Ajo në poezinë “Kohë mortore”, shton: “Kush do i ndalë lotët e syve jetimë/ Vajet për prindërit e vrarë/, Tmerr lufte ndër sy fëmijës/ Skenari prapë i luajtur/ Vdekja mbi jetë errësira mbi dritë/ Pasqyrë e thyer kosovare” (f.26). Pas kësaj “ngjarjeje”, Vita Guhelli i kthehet jetës së ecjes përpara. Ajo nuk e lë pa e përkujtuar të kaluarën, luftën, por së shpejti i kthehet me plot optimizëm të ardhmës, të cilën e sheh si një mozaik të spërkatur me dritë. Ja, si shton ajo: “Të jetojmë të tashmen/ si të priturën ditë/ Të pimë nga gjiri i saj/ Mozaikun spërkatur me dritë” (f.34). Pse jo? Ajo e sheh të ardhmen se do të agojë me të pritura më të mira për të gjithë njerëzit, kur sërish nis jeta pas asaj kohe të rëndë dhe, poetja i “këndon” kësaj “jete” me këto vargje: “Fitorja i takon atyre që kanë guxim”. Por, edhe si poete e re, nuk e largon fajësinë e dikujt, sidomos të njeriut të fjalës, për të cilin ajo shton: “Ti njeri jo i fjalës/ një ditë do të jesh mëkatar/ për muret e shembura/ të tabanit kombëtar” .

Eklipsi i plotë i Hënës



Në Europë, Afrikë, Azinë Qendrore dhe Australi ka nisur të shihet eklipsi i Hënës.
Edhe në Tiranë, fenomeni është shfaqur rreth orës 21:30 të së mërkurës.
Ekspertët thonë se është eklipsi i parë i plotë i këtij viti dhe më i gjati në këto 11 vitet e fundit. Ky lloj eklipsi ndodh kur hija e Tokës së ndricuar i bie hënës, e cila merr një ngjyrë të kuqe të fortë.
Një ekspert i NASA tha se tonaliteti i së kuqes varet shumë nga karakteristikat e atmosferës, si ato që vijnë nga ndotja apo ato të liruara nga fenomenet vullkanike.
Fenomeni natyror nisi në oren 19:24 minuta dhe do të përfundojë në orën 01:00 të mëngjesit të ditës së enjte.
Vëzhguesit në shumë vende të Europës nuk munden të shohin pjesën e parë të eklipsit sepse ndodhi pak para shfaqjes së hënës.

Soren Jesen-Petersen shpallet qytetar nderi i Pejës



Me moton “12 Vjet Liri” me aktivitete të shumta është festuar Dita e Çlirimit të qytetit të Pejës, që ka nisur me homazhe tek lapidarët e dëshmorëve të kësaj komune.
Një ndër ngjarjet më të rëndësishme që bëri qytetarët e Pejës të krenohen për këtë është shpallja qytetar nderi i ish-kryeadministratorit të Kosovës Soren Jesen Petersen, me ç’rast atij iu dhurua edhe çelësi i qytetit.
Kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha, ka thënë se populli i Kosovës nuk do të harrojë asnjëherë sakrificën e madhe të dëshmorëve për lirinë që ne sot gëzojmë.
“Pikërisht me këtë datë të 1999 Peja kishte pamjen e tmerrit, territ e të ferrit, pasojë kjo e një lufte të pabarabartë me okupatorin i cili vrau, masakroi, dogji çdo gjë që kishte adresë dhe frymë autoktone. Peja ishte më e shkatërruara në Kosovë me qindra të vrarë e të plagosur po aq edhe të zhdukur por asnjëherë nuk u zhduk fryma e lirisë për atdhe”, tha Berisha.
Ai gjithashtu ka çmuar edhe rolin e ish-shefit të UNMIK-ut Soren Jesen Petersen gjatë kohës sa ishte shef i këtij misioni në Kosovë. “Me ardhjen e Petersenit gjërat filluan të marrin drejtimin e duhur dhe ai fillojë të mishërohet me hallet dhe problemet e popullit tonë të shumëvuajtur, për dallim nga paraardhësit e tij. Ishte pikërisht Petersen i cili në vitin 2005 paralajmëroi se Kosova është e përgatitur të jetë shtet i pavarur. Nuk e kemi harruar as deklaratën e tij në vitin 2005, kur ai doli haptas në mbështetje të Ramush Haradinajt, i cili padrejtësisht po shkëputej nga puna për Kosovën”, ka thënë Berisha.
Ndërkaq, Soren Jesen-Petersen tha se ndihet shumë i nderuar që gjendet sot në Pejë në këtë ditë të veçantë dhe shumë të rëndësishme.
“Ju falënderoj shumë në këtë ditë të festimit të ditës së çlirimit të Pejës që më nderuat, duke më shpallur qytetarë nderi. Pas atdheut tim Danimarkës, Kosova është vendi që e kam më së afërmi zemrës. Kam kaluar dy vite të karrierës sime në Kosovë dhe kanë qenë vite që kanë kërkuar shumë punë, por kanë qenë edhe vite të arritjeve”, ka thënë Jesen-Petersen.
Ai ndërkaq ka shprehur bindjen se ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, do të shpallet i pafajshëm dhe do të kthehet edhe një herë fitimtar në Kosovë.
“Unë jam po aq i pikëlluar sa edhe ju që Ramushit iu desh të sakrifikojë aq shumë për të dëshmuar pafajësinë e tij. Por jam absolutisht i bindur se siç ka ndodhur herën e parë edhe tash drejtësia do të fitojë dhe Ramushi do të kthehet i pafajshëm në Kosovë”, ka thënë Jesen-Petersen.

Geoffrey Nice e Denis MacShane: Tentativë për ta njollosë Thaçin


Publikimi i raportit të ri mbi Kosovën nga prestigjiozja angleze, “Sunday Times”, ku përsëriten akuzat kundër Kryeministrit Hashim Thaçi, ka nxitur edhe reagimin e parë ndërkombëtar. Ish-ministri britanik për Ballkanin gjatë viteve 2001-2005, Denis MacShane, dhe ish-prokurori në Tribunalin e Hagës gjatë gjykimit të Slobodan Milosheviqit, Geoffrey Nice, në një letër dërguar redaksisë së “Sunday Times”, kanë thënë se këtë raport e lexojnë me interesim të madh.
“Si ministër për Ballkanin gjatë viteve 2001-2005, dhe si prokuror në gjykimin ndaj Slobodan Milosheviqit në Tribunalin e Hagës, ne e lexojmë me interesim raportin rreth Kosovës i cili përsërit akuzat ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjë për të cilën shumë mendojnë se është propagandë serbe”, thuhet në letrën e të tyre dërguar redaksisë së “Sunday Times”.
Më tej, në letër theksohet se gjatë kësaj jave, Sekretari i Jashtëm Britanik, William Hague, ka stimuluar Serbinë dhe Kosovën që të nisin një dialog që do t’i “çonte të dyja shtetet drejt pranimit në BE”.
“Edhe më tutje përpjekjet vazhdojnë, përmes përsëritjes së këtyre akuzave, për ta njollosur Thaçin si person të përfshirë në vrasjen e të burgosurve serbë në fund të luftës në Kosovë, për t’iu nxjerrë dhe për t’i tregtuar organet e tyre. Këto njollosje asnjëherë nuk janë mbështetur nga dëshmi të besueshme”, thuhet më tej në letër.
Akuzuesi kryesor, sipas tyre, është – apo ka qenë – senatori zviceran në Këshillin e Evropës, Dick Marty. “Ai nuk ka ofruar asnjë dëshmi të besueshme për ta mbështetur pretendimin e tij. Një ekip i OKB-së, në vitin 2002, për ekzaminime forenzike në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”, e përshkruar si “famëkeqe” në raportin e juaj, theksoi se atje nuk kishte asnjë dëshmi se gjurmët e gjakut – çofshin ato të kafshëve apo të njerëzve – ishin ‘rezultat i akteve kriminale’. Z. Thaçi ka kërkuar nisjen e një hetimi të pavarur ndaj akuzave ndaj tij gjë e cila tani po ndërmerret nga misioni i BE-së, EULEX”, thuhet ndër të tjera në letër.
Më tej, Nice dhe MacShane shkruajnë se askush nuk e mohon faktin se gjëra të tmerrshme kanë ndodhur në të dyja palët e konfliktit që i dha fund dekadës së shtypjes serbe në Kosovë.
“Por sot, Kosova është në paqe. Liderët e saj politikë dhe ushtarakë (për dallim nga Miloseviq, Karaxhiq e Mladiq), me tu akuzuar, janë dorëzuar në Hagë për tu gjykuar; disa prej tyre janë dënuar, disa janë liruar. Zgjedhjet janë mbajtur në Kosovë dhe liderët politikë janë zëvendësuar nga kundërshtarët e tyre pa derdhje gjaku”, shkruajnë Nice e MacShane në letrën e tyre, si reagim ndaj shkrimit të datës 12 qershor në “Sunday Times”.
“Ne nuk e përkrahim Thaçin personalisht, por kërkojmë me ngulm që ju ta pranoni se përsëritja e njollosjeve të pavërtetuara nuk do t’u ndihmojë 1 milionë qytetarëve të Kosovës e as dialogut mes Serbisë e Kosovës i stimuluar nga Sekretari i Jashtëm. Benefitet për ata qytetarë për të hyrë në Evropë – dhe benefitet e mundshme të Evropës për t’i patur ata përbrenda familjes së saj të kombeve – nuk duhet të vihet në rrezik kaq rastësisht”, përfundon letra e ish-ministrit për Ballkanin, Denis MacShane, dhe e ish-prokurorit në Tribunalin e Hagës, Geoffrey Nice.

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi ,Filip H. Gordon: Ndarja do të kishte pasoja negative për rajonin


Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi, Filip H. Gordon, ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e SHBA-ve se ndarja e Kosovës nuk është në interes të askujt dhe se ajo do të sillte pasoja negative për gjithë rajonin.
Në kuadër të turneut diplomatik që po i bën rajonit, ndihmës sekretari amerikan, Gordon, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku është takuar me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Duke folur rreth deklaratave të zyrtarëve serb për mundësinë e ndarjes së Kosovës, Gordon ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e SHBA-së se ndarja do të sillte pasoja negative për rajonin.
“Ne në SHBA kemi qenë shumë të qartë lidhur me çështjen e ndarjes. Nuk e marrim këtë parasysh. Ne mendoj se nuk do të jetë praktike, apo në interes të dikujt. Ndarja do të kishte pasoja rajonale, do të ishte negative për gjithë rajonin. Kemi qenë shumë të qartë për vendosmërinë tonë, përkushtimin tonë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Për të mundësuar që gjithë qytetarët e një vendi pa marrë parasysh etninë, të kenë të drejtat e tyre, të mbrohen, të kenë siguri, të kenë sundim të ligjit. Çdo vend në botë ka minoritete, pa marrë parasysh cilat janë ato apo numrin e tyre dhe shumica e tyre demokracive, interesat dhe shqetësimet e tyre merren parasysh ose integrohen pa u bërë ridizajnimi i kufijve”, ka thënë Gordon.
Për më tepër ai ka shtuar se nuk i përket atij të thotë se çka duhet të bëjë në lidhje me këtë çështje. Ai ka thënë se ndihet i inkurajuar që janë identifikuar disa çështje për të cilat bisedojnë, duke besuar që do të arrihet sukses.
“Nuk mendoj se SHBA-të janë ato që i shtyjnë që të bisedojnë dy shtete, por vetëm i inkurajojnë, sepse fundja vetë këtu shtete duhet t’i zgjidhin këto probleme”, ka thënë ai.
Ndërsa në lidhje me krijimin e Task Forcës për hetimin e akuzave të Dik Martit, Gordon ka theksuar se ato duhet të hetohen në mënyrë të plotë, ndërsa ka shtuar se EULEX-i është i përshtatshëm për këto hetime.
“Ne kemi qartësuar që marrim këto pohime shumë serioze, sepse duhet të hetohen, ne i mbështesim hetime të plota. Roli i SHBA-së në ndonjë hetim nuk është përcaktuar ende, sepse kjo Task Force tek tash duhet të nisë. Por mendojmë se EULEX është i përshtatshëm për të kryer këto hetime. Dhe mendojmë që këto pohime për krimet e luftës janë çështje serioze, pa marrë parasysh kush është viktimë, drejtësia duhet të arrihet, për këtë arsye ne mbështesim këtë dhe inkurajojmë të gjithë vendet në rajon që bashkëpunojnë me hetimet”, ka thënë ai.
Për më tepër ai ka shtuar se për të bërë ndonjë hetim në mënyrë serioze duhet kohë dhe këto pohime duhet të hetohen në mënyrë të duhur.
Gordon ka theksuar se në këto vjet që ka vizituar Kosovën, ka parë një progres të madh, një demokraci stabile, sundim të ligjit dhe çështjet tjera.
Nga ana tjetër kryeministri Thaçi ka theksuar se në bisedimet me Serbinë janë duke u bërë përpjekje që të arrihet marrëveshje që janë në interes të dy vendeve, ndërsa duke mohuar që këto bisedimet ndërlidhen edhe me statuse politike.
“Çështjet teknike që lidhen me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë janë në interesin e dy vendeve dhe popujve tanë, për një jetë më të mirë të qytetarëve. Sa i përket lëvizjes së lirë dhe mallrave, sa i përket çështjeve energjetike, komunikacionit dhe gjithashtu edhe personave të pagjetur. Këto janë çështje praktike që janë në interesin e dy vendeve më të mirë, por që nuk ndërlidhen me statuse politike”, ka theksuar kryeministri Thaçi.
Ndërkaq për pretendimet e ngritura, i pari i qeverisë vendit ka thënë se janë duke u shikuar me seriozitetin më të lartë, duke shprehur besimin tek drejtësia ndërkombëtare.
“Pretendimet e ngritura ne jemi duke i shikuar me seriozitetin më të lartë, me përgjegjësin më të lartë shtetërore. Institucionet e Kosovës dhe unë personalisht kemi besim të plotë tek autoritete e drejtësisë ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës do të bashkëpunoj shumë ngushtë dhe do t’i mbështet plotësisht angazhimet për zbardhjen apo mbylljen sa më të shpejt të këtij procesi. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe është në interesin e Kosovës që ky proces të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Thaçi.
Për më tepër ai ka thënë se Republika e Kosovës dhe SHBA-ja do të vazhdojnë miqësinë e tyre të përjetshme. Sipas tij një dëshmi tjetër e gjithë kësaj është edhe memorandumi i mirëkuptimit që u nënshkrua sot, ku edhe njëherë Qeveria e SHBA-së përmes USAID ndihmon Kosovën me 9.7 milionë dollarë, për rregullimin e fushës së arsimit primar.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...