2012-08-19

Rreth vëllimit të ri poetik, “Qielli në qeli”


A, SI “GDHENDË” LUMTURI YMERI (BERSAVA), ME VARGJET E SAJ…

Nga: Prof. Murat Gecaj,publicist e studiues-Tiranë




Murat Gecaj
1.
E mbarova së lexuari tërë vëllimin poetik të Lumturi Ymerit ose Bersavës (emri i saj letrar), “Qielli në qeli” dhe e kalova përsëri nëpër duar. Doja të “zbuloja” më mirë domethënien e titullit të këtij libri. Ndërkaq, lexova në kopertinën e fundit, këto radhë, që ka shkruar ajo vetë, në jetëshkrimin e saj: “Aviatore,-mbeti ëndrra ime dhe dashira e tim ati, të parealizuara…Ndaj, nisa fluturimin poetik, në gjetjen e ëndrrave…Poezia rrjedh brenda medje, si vetë fryma…”. Ndërsa në poezinë “Adhurova qiellin” shkruan:“Sa e ndiej, të them sot,/ka një jetë, që qiellin adhuroj!/ Që fëmijë,/nën muzgun blu,/kur shtrihesha në barin e njomë…”. Këtë pohim e gjen kudo në këtë vëllim, me 110 faqe,  të kësaj autoreje, e cila paraqitet ditët e fundit para lexuesve, me këtë përmbledhje të re poetike.
Siç edhe pritej, që nga titulli, poetja sikur “noton e noton” nëpër ëndrrat dhe dëshirat e shumta të jetës së saj. Ajo na e shpalosë qartë  shpirtin e ndjeshëm poetik të saj, edhe duke thurur vargje për dashurinë, një ndjenjë mbarënjerëzore. Aty gjen ngrohtësi, ëmbëlsi, prehje  dhe kënaqësi shpirtërore, duke kaluar nëpër mend çaste të bukura, që ka përjetuar. E, në këto raste, ajo herë është zgjuar dhe herë e zhytur në ëndrra të bukura, ku i shfaqen me tërë ngjyrat e ylberit:  Dielli dritëplotë e Hëna rrezeartë. Na mbeten në kujtesë mjaft poezi, të cilat janë domethenëse, që nga titulli i tyre dhe nga e kërkon gëzimin e lumturinë e jetës magjike.
Kopertinat e librit
Vëllimi hapet me poezinë “Gdhenda veten”, ku autorja shkruan: “Gdhenda veten në mjegull,/në qiell të përhimë,/ në zbrazëtinë e boshit/ jehon: Mos më ik!” Dhe, më tej, janë poezi të tilla, si: “Klandestin i zemrës”, “Mbretëri qiellore”, “Dialog ndjenjash”, “Shkruaj”, “Dielli jam”, “Zemra rreh”, “I(magji)natë përveluese”, “Ti sot je i lumturuar”, “Nëse…”, “Alo…!”, por dhe “Konstelacion”: “Dëgjomë në fëshfërimën e fletës!/ Shikomë në shfaqjen e kometës!” etj.
Ndoshta, nuk i ka shkuar  ndërmend autores, se në një poezi po shkruan për veten e saj.  Duke kërkuar “mbretërinë” qiellore, ajo është e lumturuar  dhe  shprehet, se:“Sot,/ unë jam katër stinë,/siç edhe zemra katër dhomëza ka”. Ndërsa në poezinë e me emrin e saj, “Lumturi…!”, shpërthen: “Zgjomë, lumturia ime,/mos më lerë të pres!/Bëhu vllamë me diellin,/siç ndrit çdo mëngjes!”.
Por ndjenjën njerëzore të dashurisë, kjo autore, e “rezervon” edhe për jetën e njerëzit e dashur të zemrës: për nënën e babain, për fëmijët e të afërmit tjerë të gjakut: “Në maj lulesh vij tek ti, e mira ime,/vij me vesë të të freskoj,/përmbi mermer…”(Poezia “Si të shkoj, nënë?!”) Babain e krahason me një lis të fortë dhe të papërkulur: “Ti je një lis i lartë,/ lartësuar erërash e stuhishë;/ me trung të drejtë e të fortë,/ sa vraga rrufeshë ke pritë?”  Ndërsa për vajzën 13-vjeçare, “që po rritet, eh po rritet”, shprehet:  “Ajo, rritur para syve të mi pa u ndjer’;/e vogla, e brishta ime, je  fëmijë a ylber?” (Poezia “Mos më ik ëndrrash”). Po kështu, më tej është poezia “Pasqyra”(Me dashuri nëne: Evit, Rindit e Bersës), ku shkruan edhe këto vargje për  fëmijët e saj, “bimën e shpirtit”: “Ja, pasqyra e vërtetë,/Jet’ e Drit’ ëngëjt e mi,/ një si Zanë e dy viganë,/ kam një Botë me krenari!”
Në përgjithësi, poezitë e këtij vëllimi janë shkruar me gjuhë të rrjedhshme poetike, me figuracion e brendi të pasur dhe të kapshme nga lexuesi. Prandaj ato lexohen me ëndje dhe secili e ndjen veten bashkëshoqërues(e) të Lumturi Ymerit.
2.
Në mbyllje të këyre pak radhëve modeste, dëshiroj të tregoj diçka, shkurt, për jetën e autores së këtij libri. Ka lindur dhe është rritur në Tiranë, por origjinën  e ka nga zona e thellë malore e Moglicës së Korçës. Megjithatë, në natyrën e saj nuk është aq “e ashpër”, por me ndjenja të buta e të çiltëra, siç janë edhe poezitë, që ajo shkruan e publikon. Që në vitet e fëmijërisë i pëlqenin poezitë, prandaj i lexonte me ëndje. Kështu, në moshën 10-vjeçare meritoi çmimin e parë, si recituese, në një konkurs të organizuar në Radio-Tirana. Dy vjet më vonë, u nderua me çmimin e dytë, në Festivalin e  Këngës për Famijë.
Por Lumturia e kishte në shpirt edhe pasionin për sportin e fizkulturën.  Kështu, si pjesëtare e Klubit Sportiv “Dajti” të Tiranës, zuri dy vende të para, në Spartakiadën e organizuar në qytetin e Lezhës (1982). Më tej, ndoqi shkollën e mjeshtërisë sportive, në Tiranë (1963-1087) dhe Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” (1002-1995).
Ka shumë vite, që L.Ymeri është mësuese e pasionuar e edukimit fizik, në shkolla të Tiranës.  Me nostalgjinë dhe dashurinë, që ka për sportin, këto ditë ajo ka shkruar:“Nëqoftëse sportit shqiptar, në përgjithësi dhe atletikës, në veçanti, do t’i kushtohej rëndësia e duhur, sot do të kishim të reja “Pavlina Evro”, që do të merrnin pjesë në Garat Olimpike dhe, pse jo, të ktheheshin në Atdhe edhe me medalje, ari ose argjendi”.
Por  Lumturia nuk është shkëputur  asnjëherë as nga poezia, “dashuria e parë e saj”. Dëshmi për këtë fakt ishte edhe vëllimi i mëparshëm me poezi, i titulluar “Natë mbi gjysëmbotë”.  Ndërsa, nëë vazhdim të kësaj udhe të bukur të artit poetik, ajo doli tani së fundi me këtë vëllim të ri, për të cilin folëm më lart.
3.
Njoftimi për publikimin e librit me poezi “Qielli në qeli”, u dha para pak ditëve, në një faqe Interneti. Bazuar edhe në ato, që thamë më lart, më duken të përligjura fjalet përshëndetëse e vlerësuese, për poten Lumturi Ymeri. Ato janë shkruar aty, nga: Alma Vjero-Dedja, Albana Subashi, Alketa Stefania-Caca, Pozet Qose, Klubi Basketbollistik Fushë-Kosova, Suzana Selmani, Edlira Xhani-Velaj, Brunilda R.Frani, Vila Gold, Manjola Papa, Emma Al Rose, Samuela Neli-Mitraj, Laura Veshi, Evi Eni, Ervis Luma, Herman Cuka-Zeka, Sabit Rustemi, Regina Nicaj-Sterkaj, Alma Alpina-Begaj e tjerë. Të gjithë këtyre kolegëve e miqëve, ajo u është përgjigjur njës për  një, po aty, me fjalë falënderuese dhe dashamirëse.
Me këtë rast, edhe ne i urojmë nga zemra, arsimtares dhe poetes Lumturi Ymeri (Bersava): Shëndet të plotë, arritje sa më të mira, në punë e krijimtari dhe, ashtu si ka emrin, në jetën familjare!

Një libër që hedh dritë mbi kaosin politik shqiptar



Foto e Profilit

   Roland Lushi





ZHGENJIMI I AMBASADORIT AMERIKAN


Libri “Zhgënjimi i Ambasadorit Amerikan” i gazetarit Kolec Traboini përmban esè mbi zhvillimet bashkkohore në jetën politiko-shoqërore në Shqipëri dhe përpiqet të hedhë dritë mbi kaosin politik shqiptar. Libri ndahet në katër kapituj me trajtesa sipas problematikave që rrok këndvështrimi i autorit.
Vendin kryesor e zë shkrimi që i jep titullin librit e që ka të bëjë me përpjekjet e mëdha që ka bërë kohët e fundit Ambasadori Amerikan në Tiranë për sjelljen në një hulli të kahjeve të ndryshme të politikës, të cilët parapëlqejnë më shumë se mirëkuptimin e debatin e qetë, ndërtimin e marrëdhënieve konfliktuale deri në mosfunksionimin e parlamentit shqiptar në atë nivel që kërkon demokracia e vërtetë e jo ajo fallso. Një aspekt i veçantë i kësaj pasqyre të trishtueshme u pa në zgjedhjen e presidentit ku në parlamentin shqiptar u luajt si në teatrin e kukullave.


Mungesa e Ambasadorit Amerikan në momentin kur u zgjodh presidenti përbën një rast të paprecedent e megjithatë u kalua nga politika dhe mediat shqiptare si një çudi që zgjat tre ditë. Mirëpo rrënjët janë më të thella nga se shfaqen në dukje. Në shkrimin në fjalë që botohet shqip dhe anglisht analizohen tiparet e kësaj politike që më shumë të kujton mexhliset e kohës së pashallarëve sesa të një vendi në shekullin e 21 që pretendon të hyjë në bashkimin e shteteve më të civilizuara të botës.
Libri përbëhet edhe nga disa kapituj si “Histori me histeri nuk shkruhet” në të cilin mbartet shqetësimi qytetar për politika personale pozitat e pushtetit, herë-herë imponuese sa të krijojnë përshtypjen e reminishencave me të kaluarën e trishtë ku gjithçka në jetën e njeriut imponohej nga lart me dhunë. Trajtohen edhe probleme të figurave historike apo lajthitjeve të historianëve të cilët anipse jetojnë në një kohë tjetër nuk dalin dot prej skemave konceptuale atavike të së djeshmes.
“Brainwashing- trushplarja” është kapitulli tjetër me esè në të cilin trajtohen efektet e mbrapshta të politikës dhe medias mbi njerëzit, të cilët ndodhen nën një presion thuaj të përditshëm të propogandave partiake, sikur çdo ditë e vitit dhe çdo orë e ditës të jetë një fushatë demagogjike zgjedhjesh, apo paradokset e moskuptimeve të krahëve të politikës, ku e djathta del me parulla majtise dhe e kundërta, sepse asnjë krah i politikës nuk ka një program të qartë dhe ky kaos politik krijon efektet e veta edhe në popull ku me shumë se njerëz që përkrahin ide, shfaqen thjesht fansa liderësh partiakë. Në këtë kapitull trajtohet, pos të tjerash edhe problemi se çfarë në të vërtetë mishëron parlamenti shqiptar që të kujton më së shumti “muhaxhirët” e Faik Konicës.
Kapitulli i katërt “Rrënjët tona janë në Arbëri” përmban shkrime që kanë natyrën e kujtimeve, ku përkujtohet figura e arvanitasit më të madh të shekullit të kaluar, Aristidh Kola. Krahas të tjerave ka edhe një përshkrim mbi mitingun antikomunist të intelektualëve e krijuesve të kryeqytetit në fillimvitin e 1991 para stadiumit kombëtar, i organizuar nga vetë autori i librit që atëkohë ishte kineast e punonte në Kinostudio, si dhe shënimet e tij gjatë 15 vjetëve jetë në Boston me ngjarje e zhvillime nga jeta në komunitetin shqiptar në Amerikë.
Redaktore e librit është Diana Kasa, zgjidhja grafike dhe kopertina Besmir Toçila.
Libri ka rreth 200 faqe dhe është botuar nga shtëpia Botuese “Ada”.

Eja të fal përqafimin




Silva Ternava




EJA ...

Eja të fal përqafimin
Të dhuroj ëndrrat
Në varkën e detit t’ëmbël
Te lundrojmë drejt pikëpjekjes
Ku s’na gjen njeri
Të harrojmë gagarisjet e kohës
Siluetë në skaj të botës...

Të strehojmë në shtrojer
Stinë aromëgjelbër
Te fluturojmë reve të bardha
E yjet mbledh n’shuplakë
Marshojmë shtigjeve flakë

Të mundim akrepat e kohës
Mes gjallimit e vdekjes!


PËRFULIME

Me vargje u përfëlita
në dallgë deti u qulla,
Maleve zhagitem
fushave përpëlitem
Penda ime ngjyrë gjaku
Përfulima pa ndalë
gjer në Krujë të Skënderbeut
në Butrintin antik
Gjirokastrës gurët ia lava
Syri kaltër pafundësi
ëndrra (s’)më fle n’Çamëri
koha kafshon dhembjen
e lumi rrjedhë prajshëm

Gjarpëron për Manastir
me plagë nën sqetull
ofshan Kala antike me sy kah Skupi-a
mbledh shkronjat
një bujtinë n’Hanin e Luginës
një copë diell prej Prishtinës

Ibri përlotet n’ Mitrovicë
Trepçës flaka i del
tymon deri n’Ulqin
mbi Kullën e Oso Kukës
në msojtoren e Pukës

përfulime në vapor
njelmësisë t’Adriatikut
Në Shkodrën e urtisë
Në qytetin e fikut
Në ullishten e magjisë
janë ijet e Etnisë…


SY MË SY

Derisa percillja ylberin
ç’ më doli një re e zezë
eh...
Shpërndau ngjyrat,
apo më trembën ca shqetësime
Sy më sy me kristalet
Ngjyrëplot shkëliqme

Me afsh mallkova rezezën
Që shprish akordin mrekullis
Më magjepsë
më bën të harroj qoftë për një çast
anagaramet e tërthorta
Perpiqem t’i shërbej shpirtësis
e vetmuar
pikturë në murë
freski ylberi gurrë...

O sa më pëlqen kjo freski ylberi
Në dritaren time t’ vetmisë
Më mbështjell trupin e njom
Fare pa pikëpyetje,
Pa pikë të çudisë
E më valvitë
Në djepin e dashurisë ...


Aucklnd -Zelanda e Re

Intervistë e Presidentit Nishani dhënë gazetarit Marin Mema të Televizionit “Top Channel”

Fjalimi i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës

Gazetari: Zoti Nishani, do të doja ta nisja në fakt me një pyetje të drejtpërdrejtë. Çfarë do të bëni ndryshe nga Presidenti paraardhës, Bamir Topi, të cilin mazhoranca ku ju keni bërë pjesë, le të themi deri dy muaj më parë, e ka kritikuar jo pak gjatë mandatit të tij?

Presidenti Nishani: Nuk e kam parë dhe nuk do ta shoh asnjëherë ditën e punës dhe tërë aktivitetin tim në Presidencë, gjatë këtyre viteve të mandatit, si një periudhë krahasimore me paraardhësin tim, apo me gjithë presidentët, që kanë qenë në detyrë, për faktin se, së pari e konsideroj angazhimin e gjithsecilit dhe të Presidentit aktual si një profil të perceptimit, të gjykimit, të konsiderimit të përgjegjësisë, përgjegjshmërisë dhe angazhimit në këndvështrimin individual.

Familja Presidenciale
Së dyti, më pas, pritshmëria e qytetarëve në përmbushje të detyrave kushtetuese të Presidentit të Republikës. Natyrisht që, Presidenti i Republikës në Shqipëri nuk ka pushtete ekzekutive, por ka një profil të qartë, të reflektuar në Kushtetutën e vendit dhe në akte të tjera për një kontribut të qenësishëm, real dhe të prekshëm në atë, që është një nga sfidat më të mëdha sot të shoqërisë shqiptare dhe që është sistemi i drejtësisë. Presidenti i Republikës është dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili, në bashkëpunim më komunitetin e gjyqtarëve në veçanti, por edhe me anëtarët e tjerë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka të gjitha mundësitë për të treguar me vepra konkrete se, në radhë të parë, gjyqtarët në sistemin gjyqësor të Shkallës së Parë dhe të Apelit, të cilat janë fusha e veprimit mbi të cilën Këshilli i Lartë i Drejtësisë vepron, duhet të promovohen mbi bazën vetëm të meritave konkrete, profesionale dhe performancës dhe integritetit të tyre qytetar dhe moral. E rëndësishme është që subjektivizmi të shmanget maksimalisht për sa i takon karrierës, apo vlerësimit dhe promovimit të gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit. Dhe, për të qenë akoma më i drejtpërdrejtë me qytetarët, do të synohet që ne të kemi, brenda një periudhe jo të gjatë kohe, le të themi një vlerësim, një renditje të gjyqtarëve të këtyre niveleve, publike, në mënyrë të tillë që të identifikohen se cilët janë në sytë e publikut, se cilët janë vërtet ata gjyqtarë, të cilët duhet të promovohen dhe duhet të konsolidojnë sistemin tonë gjyqësor. Të gjithë gjyqtarët, nëse do ta ndiejnë veten të mbrojtur, do e ndiejnë veten të pavarur, do ta ndjejnë integritetin e tyre të ruajtur nga sistemi vet, por edhe nga institucionet, unë besoj që këto elemente, të këtij mekanizmi do të jenë pastaj shumë të rëndësishëm për të filluar e për të ndërtuar atë që qytetarët presin nga sistemi i drejtësisë. Pra, fola për sistemin e drejtësisë për t’iu përgjigjur pyetjes suaj që ku do të shkojë vëmendja kryesore e angazhimit të Presidentit të Republikës.
Fjala e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në Kuvendin e Shqipërisë
Gazetari: Zoti Nishani, a do të kemi një Prokuror të ri në vjeshtë dhe si e gjykoni punën e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama deri në tani? Në gjykimin tuaj?

Presidenti Nishani: Për sa i takon Institucionit të Prokurorisë, unë e kam shprehur dhe herë të tjera, personalisht mendoj dhe e shoh Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë si një institucion, i cili duhet të ketë shumë më tepër angazhim, shumë më tepër përfshirje, shumë më tepër kurajë, shumë më tepër profesionalizëm në përballje me problematikat e mëdha që ka krimi i organizuar, por, veçanërisht korrupsioni dhe krimi ekonomik. Natyrisht që nuk mund të hidhet poshtë puna e bërë, shembujt pozitivë, kontributet e prokurorëve, ashtu siç unë kam të identifikuar dhe kam një panoramë të qartë mbi mjaft gjyqtarë me integritet dhe profesionistë të mirë, që janë dhe veprojnë brenda sistemit të drejtësisë. Ashtu jam i bindur në ekzistencën e një numri të konsiderueshëm prokurorësh me dinjitet, me kurajë dhe profesionalizëm, që funksionojnë brenda sistemit të Prokurorisë. Edhe në këtë aspekt, puna e tyre duhet vlerësuar dhe duhet promovuar, por, synimi im, kërkesa ime është shumë e madhe në aspektin e rritjes së mëtejshme të performancës dhe angazhimit profesional të Prokurorisë.

Gazetari: Kjo rritje do të thoshte një emër tjetër në krye të Prokurorisë?

Presidenti Nishani: Edhe një herë, unë ende nuk e kam bërë një analizë dhe gjykim për një emër të ri. Ajo, thashë, do t’i takojë momentit kur nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore do të vijë çasti për të vendosur që do të kemi një Prokuror të ri. Por, gjithsesi, për mua është e rëndësishme ai gjykim që unë kam për institucionin. Pra, pritshmëria e Presidentit të Republikës dhe besoj se përputhet me atë pritshmëri të qytetarëve shqiptarë, është shumë e madhe, për një ngritje shumë më tepër të punës së këtij institucioni.

Gazetari: Për t’u rikthyer edhe një herë tek çështja e Shërbimit Informativ Shtetëror. Ju keni deklaruar se emërimi i Kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror është një kompetencë e Kryeministrit. Kjo do të thotë se ju do e mirëprisnit, do e miratonit një propozim të një emri të ri nga ana e Kryeministrit?

Presidenti Nishani: Kjo është një çështje hipotetike dhe, natyrisht, Presidenti i Republikës duhet të flasë me akte dhe vendime të qarta në momentin, kur akti i vjen përpara Presidentit të Republikës, sepse një akt vjen në rrethana të caktuara, në situata të caktuara dhe me arsye të caktuara. Kështu që, vendimi i Presidentit të Republikës do të jetë gjithmonë i bazuar në ata ç’ka do i vijë Presidentit të Republikës. Ajo së cilës unë i jam referuar është ajo ç’ka është sot e reflektuar në legjislacionin shqiptar. Shërbimi Informativ i Shtetit është një institucion, i cili është në varësinë e Kryeministrit dhe kreu i tij propozohet për t’u miratuar, për t’u shkarkuar nga Kryeministri, i cili gjykon mbi bazën e objektivave të tij si Kryeministër. Por, nëse do të më lejoni edhe një herë, në mënyrë shumë të hapur dhe, duke qenë se e kam bindjen time këtë, unë e ripërsëris: për sa kohë drejtues kaq të rëndësishëm, të institucioneve kaq të rëndësishme ne i kemi në detyrë, unë personalisht do të preferoja gjithmonë që, qoftë nga pozicioni i Presidentit të Republikës, qoftë nga pozicioni i çdo qytetari të thjeshtë të këtij vendi, ne të mos krijojmë situata të tilla dhe prononcime të tilla. Aq më tepër, nëse Presidenti i Republikës do ta bënte këtë, nuk do të ishte korrekte as nga pikëpamja kushtetuese, as nga pikëpamja qytetare dhe as nga pikëpamja etike.

Gazetari: Zoti Nishani, ju jeni zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës. Duke pasur, le te themi akuzat, skepticizmin e opozitës, e cila ju ka quajtur “noteri i Kryeministrit”, apo i mazhorancës në këtë post. Si do e shlyeni, si do ta ndryshoni këtë qëndrim të opozitës? Cilat do të jenë aksionet tuaja të mëtejshme për të thyer këtë mendim të tyre?

Presidenti Nishani: Unë kam një pakt të madh me veten që në momentin kur unë kam pranuar të jem kandidati për President të Republikës dhe, padyshim, i firmosur dhe i vulosur pastaj ky pakt pas votimit dhe pas betimit në Parlament për të qenë një respektues i madh i detyrimit kushtetues, por, për të qenë edhe një respektues i vetvetes, i integritetit qytetar. Kështu që, për mua parimet janë shumë të rëndësishme. Kam bindjen që gjithmonë parimet kanë vlerën më të madhe në virtytin e njeriut, në virtytin e një shoqërie të caktuar. E rëndësishme është që në përmbushjen, në mbrojtjen, apo në përmbushje të objektivave që rrjedhin nga këto parime, gjithnjë njeriu të adoptohet në atë që ka të bëjë me interesat e mëdha të vendit, me interesat e mëdha të shoqërisë. Duke e parë në këtë prizëm, besoj që puna e Presidentit të Republikës do të dijë të reflektojë atë, të cilën qytetarët shqiptarë presin nga Presidenti i Republikës dhe jo atë, për të cilën mund të joshet dëshira individuale e individit, që është President i Republikës në një mandat të caktuar.

Gazetari: Zoti President, ju uroj për detyrën e re dhe ju falënderoj për intervistën!

Presidenti Nishani: Edhe unë ju uroj suksese!

Gazetari: Falemnderit!

Greqia, kjo copë mesjetë në gjirin e Bashkimit Evropian

Prof.Dr.sci.Eshref Ymeri
Përmes faqes së internetit të zotit Feliks Taho, sot, më 19 gusht 2012, u njoha me një lajm me të vërtetë skandadaloz: policia greke paska ndaluar në kufi hyrjen në territorin grek të gazetarit të Kanalit TV “Top Channel”, zotit Marin Mema.

Madje jo vetëm që e paska ndaluar të hyjë në territorin grek, por edhe i paska deklaruar se hyrja iu ndaluaka përjetësisht, meqenëse përbëka, demek, rrezik kombëtar për shtetin grekoleckaman.

Ky qëndrim i shovinizmit sa grekokaragjoz, aq edhe grekoleckaman, ndaj një gazetari të talentuar shqiptar, vetëm e vetëm se ai paska bërë filmime për shqiptarët e Çamërisë dhe për shqiptarët në tërësi në Greqi, dëshmon pa asnjë mëdyshje se Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë në gjirin e vetë një shtet me emrin Greqi, e cila nuk përfaqëson gjë tjetër, përveçse një copë mesjetë të mykur.

Kjo copë mesjetë që quhet Greqi, për mendësinë e vet të ndryshkur, nuk mund të krahasohet as me ndonjë mjedis të populluar diku thellë në xhunglat e Afrikës apo të Brazilit.

Gazetari i talentuar dhe trim Marin Mema, ka bërë një punë të shkëlqyer për zbardhjen e së vërtetës rreth Çamërisë dhe shqiptarëve në Greqi.

Por Greqia mesjetare e shek. XXI i trembet së vërtetës si djalli vetëtimës. Se Greqia, në jetë të jetëve, e ka përkundur veten në detin e hipokrizisë, të mashtrimit, të pabesisë, të gënjeshtrës dhe të mitologjisë. Prandaj të vërtetën ajo e konsideron si armikun e saj më të betuar.

Por Greqia, megjithëse është pjellë e djallëzisë, nuk kupton një gjë fare elementare që e vërteta është si puna e luleve pranverore: sa më shumë të mundohesh ta ndalosh çeljen e tyre, ato aq më shumë shpërthejnë me furi.

Dostojevski ka thënë:“Kushdo që ka kërkuar të vërtetën, ai tashmë është tmerrësisht i fuqishëm”.

Sado të mundohet shovinizmi i rreckosur grek për t’i vënë një kapak të ndryshkur të vërtetës çame, aq më shumë ky kapak ka për t’iu përplasur në fytyrë.

Si shqiptar, e ndiej veten shumë krenar për qëndrimin e gazetarit të talentuar Marin Mema, i cili ka kryer një vepër sa atdhetare, aq edhe trimërore në shërbim të së vërtetës dhe e meriton plotësisht që shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare, ta falënderojnë publikisht. Falënderime publike meriton edhe ekipi drejtues i Kanalit TV “Top Channel” për misionin burrëror që i ka pas ngarkuar gazetarit Marin Mema.

E kam thënë edhe herë të tjera në faqet e internetit dhe po e them përsëri e përsëri: Athina trumykur po bëhet vetë sebep për zgjidhjen e çështjes çame dhe Zoti ia shtoftë inatin!

Santa Barbara, Kaliforni
19 gusht 2012

Hafize Gerxhaliu :O mik që jep mirësi



Hafize Gerxhaliu

Shpirti i brengosur

Po qetë tymin e cigares prej goje...???

Jeta qenka e vështirë,
jeta s'paska mëshirë...

Po mbanë sytë nga qielli,
por spo gjenë shokët e besnikërisë...

U bë kohë që
e mundonë...
e sotë donë të ta thetë.

Jeta ime

Se di a kamë forcë
të përshkruaj gjithë këtë
dhembje që kanë
kapluar shpirtin timë....

Se di a kamë forcë
të përmbahem e t'mos
më rrjedhinë pikët e lotit,
sepse shpirti imë për moment
dinë vetem fjalën "DHEMBJE"

Bie shi nga sytë e mi,
ata më janë bërë mëshirë
për sy, sepse
lotët me japin fuqi
lotët më japin shpresë...

Lutje për ty

Një poezi për juve, shëndet...
Lutem Zotit të të ndihmon
që dhimbjen e shpirtit ta qetson.

Jet e vështir për të gjithë.....

Bën durim, ti bën durim
sepse Zoti do të shpërblen
me ma të miren që ti
e meriton...

Je si një Engjull
me të vërtet
zemër i pastërt
dhe i sinçert,
do kesh krah dhe ti
të fluturosh,
si të gjithë me gëzim
dhe ti do jetosh.

Neve si miq,
gjithmon afër do na kesh,
që hallet e tua të na i rrëfesh,
gjithëmon besnik
do të qëndrojm
dhe për ty gjithëmon,
do të luftojm...

3 vjet KosovariMedia

Tri vjet rradhazi,
pranë valëve të
KosovariMedia
në shtëpi dhe shoqëri
ndëgjohet muzika e
miërfillltë shqipe
Anekend botës
Dhe në Shqipëri.

Mirësevini
thotë Muhameti
bukë e kripë dhe zemër
ta dëgjojmë
KosovariMedian
më i bukuri emër.

Në KosovariMedia lexoj,

lexoj dhe prapë lexoj
vargje brenge, dhembje,
proteste dashurie, mendime,
mençuri, dashuri, filozofi
kjo sofër e madhe
përplot dituri.

O mik që jep mirësi
e dashuri, përherë
jetofsh me ne n'miqësi
deri në përjetësi!

Në këtë botë ka
shumë varfëri, ka
të varfër të shumtë që
s’kanë bukë e as shtëpi,
por KosovariMedia
me mundësi
po ua realizon këtë mirësi...

Po të shprehi me zemër
respektin tim të thellë
miku ynë Muhamet,
për webfaqet e KosovariMedias
dhe RadioDrijonës
thesari i vlerave
dhe i shoqërisë për jetë...

Më lejoni miq të ftuar,
të shprehi dhe unë
se çfarë ndjej në zemër,
për një mik kaq të nderuar,
për një trim Shqipërie
me emër e zemër...


Diplomimi

- Kushtuar "Muhamet Hoxhaj"

Në mëngjes herët
u zgjova,
a thu diqka më zgjoi,
mu kujtua dëshira ime
diplomimin mikut
Muhamet t'ia urojë.

Sot me zemër
të urojë,
ty miku im Muhamet,
zoti ti plotësoftë
të gjitha dëshirat,
rrugën ta ndriqoftë
për jetë.

Urime me gjithë zemër,
të kam zili që paske
mbaruar studimet
e Logjistikës,
sepse e di vetë
sa e vështirë
është të diplomosh
në Gjermani.

Kështu si je ti i ëmbël,
i menqur dhe
shumë i këndshëm,
me të gjithë,
gëzoje jetën
ashtu si di ti.

Të uroj fat dhe suksese
në punë poashtu qdo të mirë
në përditshmëri,
shëndeti dhe familja
qdo herë qofshin me ty.

Oj Kosovë vendi djepi i
kulturës sonë,
Linde djem të menqur e krenar
na e rrite dhe edukove Muhametin
ashtu siq i takon djalit Shqipëtar.

.....


Radio Drijona të disponon

Nëse ju thyen jeta
e diqka nuk shkon,
hapni valet e "Radio Drijones"
se shpritin ta qetson.

Nëse dikush të zhgënjen
nëse dikush të lëndon,
mos e le zemren
që për të vajton.

Qite hapin me këmbët e tua
se t'papirtura ka kjo jetë,
po vetëm zemra
të trëgon vërtet,
se "Radio Drijona"
të knaqë për jetë ...


Befasia "Radio Drijona"


Radio Drijona emër
për mrekulli,
më 24 dhjetor
na erdhi befasi.

Jam shumë e lumtur
këtë e pranoj,
fjalën "Radio Drijona"
kur e shqiptoi.

Këshillat dhe fjalët e buta
që morëm nga "Radio Drijona"
më japin dituri,
muzika jote e mirfilltë shqiptare
më ofron ngrohtësi e knaqësi.


Befasia "Radio Drijona"
Radio Drijona emër
për mrekulli,
më 24 dhjetor
na erdhi befasi.

Jam shumë e lumtur
këtë e pranoj,
fjalën "Radio Drijona"
kur e shqiptoi.

Këshillat dhe fjalët e buta
që morëm nga "Radio Drijona"
më japin dituri,
muzika jote e mirfilltë shqiptare
më ofron ngrohtësi e knaqësi.


E duam shumë punën
e "Radio Drijonës" sonë,
me ne dhe me të krenohet
e gjithë shoqëria jonë.

Muhamet Hoxhaj
ndonëse jetonte larg vendit
Kosovën kurrë se harroi
erdhi momenti dhe hapi "Radio Drijonen"
dhe neve shumë na gëzoi.

Dielli që rreze na lëshon,
Hëna na shëndritë
je ti "Radio Drijona" jonë
që të ndëgjojmë qdo ditë...

Poeti Lazëri mbeti stërkalë mbi qytetin blu të Sarandës dhe në kujtimet tona si lexues të Tij


Kozeta Zylo.jpg

Nga Keze Kozeta Zylo

 
 
            Për çdo njeri që ikën nga kjo botë çdokush zemërnjeriu ndjen dhimbje, për më tepër nëse e ke njohur dhe komunikuar vazhdimisht gjatë jetës.  Këtë radhë është fjala për poetin lirik të mirënjohur nga qyteti i Sarandës Valter Lazëri, i cili u nda para disa ditësh nga kjo botë. 
Poezitë e tij i kënduan me tërë forcën e dashurisë dhe të shpirtit, Sarandës, Atdheut, gruas, detit...  Pena e tij dukej sikur ishte e ngjyer në stërkalat Blu të Jonit dhe pikturonte peizazhe të magjishme në kanavacën e qiellit, atje ku ai është ngjitur dhe kundron nga larg detin që s’ju nda gjithë jetës, qoftë dhe në imagjinatë. 
            Ai ishte djalë deti, kishte lindur atje, por koha e hodhi në vend tjetër që edhe pse i larguar s’rreshti kurrë së shkruari dhe menduari për të...sikur ta kishte të dashuren e tij reale që e miklonte çdo ditë, por me mistere krejt të panjohura që i dinte vetëm poeti, pa përplasje si Titaniku në Ajzberg.
            Poezitë e tij duken sikur kanë ndaluar në breg të Detit Jon dhe presin poetin e Stërkalës, e presin me mall të zjarrtë si vetë vargjet e prushta që shkruajti Ai.

Vargjet e tij janë të kthjellta si kaltërsia e Jonit me metaforën e mallit të ikjes larg nga Saranda e tij që s’e ndau deri në çastin e fundit të jetës. 
Poeti është mirëpritur nga lexuesit për lirizmin e tij të butë dhe të ngrohtë në vargjet e tij.  E dashuronte marrëzisht natyrën e bukur, nuk e duronte dot natën pa yje dhe kjo ndihet më së miri në poezinë “Eja LUCIERGANA”, që në spanjisht do të thotë “Eja Xixellonja”.  

Ai kërkon xixellonjat sepse Hëna është zhdukur fare dhe në natën pus duket si një thelë e zezë, ku sytë dhe zemra e poetit duket që nuk e shohin, nuk e kundronin nga larg bukurinë magjepsëse të Hënës.  E kush nuk ka kapur xixellonja kur ka qenë fëmijë, dhe nuk ka ndjerë aq pranë Diellin, Hënën, Dritën...Ja këtë ka ndjerë poeti kur Hëna nuk ka dalë dhe e kërkon Xixëllonjën: “Eja Luciergana”!
            Ndonëse poetet ikin fizikisht ata përjetësohen me librat e tyre, te cilat i ruaj si të çmuara ne biblioteken time dhuruar nga Ai.  Ato jane siç thote poeti Lazëri si një vapor mbi det me një kuvertë me halle, që mbush e zbraz dhimbje të madhe.
Poeti me bashkeshorten e tij


            Në të shumtën e poezive ndjejmë mallin përvëlues të poetit për vendlindjen, Sarandën e bukur, ai mezi e kishte pritur ditën kur do të vinte për herë të parë pas kaq vitesh ta vizitonte atë, të përulej dhe t’i puthte ballin fisnik me mall dhe ja si shprehet në një poezi:
Eh,ç’do bëjmë çastin e parë/ kur të shoh unë syt’ e tu! Do t’përpij me mall e lotë/do t’gënjej/:“Kam qenë këtu!”“Për tek ti tani jam nisur”
Kam pasur fatin të komunikojmë së bashku dhe si anëtare të Shoqates së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e cila me të drejtë e ka vlerësuar me çmimin “Pena e artë”. 

  Poeti ishte njëkohësisht dhe themelues i forumit “Stërkala”,  një forum që botonte më së shumti kulturën, artin... është interesant fakti, se ndonëse janë krijuar shumë forume, ku janë pjesëmarrës mijëra anëtarë, në forumin “Stërkala” kam ndjerë nga afër botimin e materialeve plot kulturë, mirësi dhe mospublikimin e materialeve të të tjerëve joprofesionale, mediokre, me mllefe, çka tregon dhe njëherë mirësinë që e kishte në thelbin e zemrës, po aq dhe kulturën.  Lirizmi në vargjet e tij për dashurinë është tejet i ndjerë, i bukur, mbresëlënës.  Këto i lexojmë më së miri në poezinë: “Evjeni”:
“Shumë fjalë të huaja qenë tonat/ ashtu trazuar/ Eh , Evjeni/ kësaj botë me ty jetuar/ Në zemër të Europës/ dhe më tutje/ me ty në dashuri/ Eh, Evjeni! Me ty dhe pa ty/ Shikoj sërisht valët e detit/ Dajtin më të lartin mal që jam ngjitur/ Dhimbjet shpërthejnë si vullkani/ Si vullkan/ Evjeni! Në llavën e tij/ me ty e pa ty, Evjeni”!
Poeti prane detit dhe Sarandes


Lajmi i ikjes së poetit marrë nga shkrimtari i mirënjohur qeparotas z.Petraq J.Pali ishte krejt papritur për këdo, ngase mosha e tij ishte e re për t’u ndarë nga kjo botë... 
Para një muaji kur hodha poezinë e mirëseardhjes në këtë jetë për mbesën time Saranda në rrjetin social f/b, poeti Lazëri më uroi njerëzisht, plot emocion dhe mall për Atdheun, poetikisht për pagëzimin e bebes të sapoardhur me emrin e bukur Saranda, dhe ja si më shkruante midis të tjerash:
“Personalisht dua t`ju falënderoj juve që e përcollët dhe në faqen time. 
Ndjej mall dhimbje për gjithë Shqipërinë.  Njëzet vite të ikura me siguri që ngarkon më shumë botën emocionale të çdo njeriu që ndjen diçka për të shkuarën e tij.  Veç dua të shpreh dhe atë që mund ta quajmë "lokalizëm"; për Sarandën ndjehem i dobët kur e kujtoj e që asnjëherë s’ka ikur jashtë meje.  Kjo më përlot dhe më shumë, kur një Amerikan vë emrin e qytetit tim tek bija e tij.
Çoi urimet tona Klodianës dhe Kurtit, Saranda e vogël të rrojë e të gezojë gjithë lumturitë e kësaj jete”.
Me lot e lexova kur jua ridërgova përsëri prindërve të Sarandës dhe i njoftova se poeti kishte ndërruar jetë...Ata të dy u prekën shumë dhe më thanë se këtë urim do ta mbanin si gjë të shenjtë për bijën e tyre Saranda dhe kur ajo të fillonte të kuptonte do t’i mësonin poezi nga poeti i qytetit Saranda, Valter Lazëri.
Poeti mbeti stërkalë mbi qytetin blu të Sarandës dhe në kujtimet tona si lexues të Tij.

17 Gusht, 2012
Staten Island, New York



Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...