2012-08-19

Rreth vëllimit të ri poetik, “Qielli në qeli”


A, SI “GDHENDË” LUMTURI YMERI (BERSAVA), ME VARGJET E SAJ…

Nga: Prof. Murat Gecaj,publicist e studiues-Tiranë




Murat Gecaj
1.
E mbarova së lexuari tërë vëllimin poetik të Lumturi Ymerit ose Bersavës (emri i saj letrar), “Qielli në qeli” dhe e kalova përsëri nëpër duar. Doja të “zbuloja” më mirë domethënien e titullit të këtij libri. Ndërkaq, lexova në kopertinën e fundit, këto radhë, që ka shkruar ajo vetë, në jetëshkrimin e saj: “Aviatore,-mbeti ëndrra ime dhe dashira e tim ati, të parealizuara…Ndaj, nisa fluturimin poetik, në gjetjen e ëndrrave…Poezia rrjedh brenda medje, si vetë fryma…”. Ndërsa në poezinë “Adhurova qiellin” shkruan:“Sa e ndiej, të them sot,/ka një jetë, që qiellin adhuroj!/ Që fëmijë,/nën muzgun blu,/kur shtrihesha në barin e njomë…”. Këtë pohim e gjen kudo në këtë vëllim, me 110 faqe,  të kësaj autoreje, e cila paraqitet ditët e fundit para lexuesve, me këtë përmbledhje të re poetike.
Siç edhe pritej, që nga titulli, poetja sikur “noton e noton” nëpër ëndrrat dhe dëshirat e shumta të jetës së saj. Ajo na e shpalosë qartë  shpirtin e ndjeshëm poetik të saj, edhe duke thurur vargje për dashurinë, një ndjenjë mbarënjerëzore. Aty gjen ngrohtësi, ëmbëlsi, prehje  dhe kënaqësi shpirtërore, duke kaluar nëpër mend çaste të bukura, që ka përjetuar. E, në këto raste, ajo herë është zgjuar dhe herë e zhytur në ëndrra të bukura, ku i shfaqen me tërë ngjyrat e ylberit:  Dielli dritëplotë e Hëna rrezeartë. Na mbeten në kujtesë mjaft poezi, të cilat janë domethenëse, që nga titulli i tyre dhe nga e kërkon gëzimin e lumturinë e jetës magjike.
Kopertinat e librit
Vëllimi hapet me poezinë “Gdhenda veten”, ku autorja shkruan: “Gdhenda veten në mjegull,/në qiell të përhimë,/ në zbrazëtinë e boshit/ jehon: Mos më ik!” Dhe, më tej, janë poezi të tilla, si: “Klandestin i zemrës”, “Mbretëri qiellore”, “Dialog ndjenjash”, “Shkruaj”, “Dielli jam”, “Zemra rreh”, “I(magji)natë përveluese”, “Ti sot je i lumturuar”, “Nëse…”, “Alo…!”, por dhe “Konstelacion”: “Dëgjomë në fëshfërimën e fletës!/ Shikomë në shfaqjen e kometës!” etj.
Ndoshta, nuk i ka shkuar  ndërmend autores, se në një poezi po shkruan për veten e saj.  Duke kërkuar “mbretërinë” qiellore, ajo është e lumturuar  dhe  shprehet, se:“Sot,/ unë jam katër stinë,/siç edhe zemra katër dhomëza ka”. Ndërsa në poezinë e me emrin e saj, “Lumturi…!”, shpërthen: “Zgjomë, lumturia ime,/mos më lerë të pres!/Bëhu vllamë me diellin,/siç ndrit çdo mëngjes!”.
Por ndjenjën njerëzore të dashurisë, kjo autore, e “rezervon” edhe për jetën e njerëzit e dashur të zemrës: për nënën e babain, për fëmijët e të afërmit tjerë të gjakut: “Në maj lulesh vij tek ti, e mira ime,/vij me vesë të të freskoj,/përmbi mermer…”(Poezia “Si të shkoj, nënë?!”) Babain e krahason me një lis të fortë dhe të papërkulur: “Ti je një lis i lartë,/ lartësuar erërash e stuhishë;/ me trung të drejtë e të fortë,/ sa vraga rrufeshë ke pritë?”  Ndërsa për vajzën 13-vjeçare, “që po rritet, eh po rritet”, shprehet:  “Ajo, rritur para syve të mi pa u ndjer’;/e vogla, e brishta ime, je  fëmijë a ylber?” (Poezia “Mos më ik ëndrrash”). Po kështu, më tej është poezia “Pasqyra”(Me dashuri nëne: Evit, Rindit e Bersës), ku shkruan edhe këto vargje për  fëmijët e saj, “bimën e shpirtit”: “Ja, pasqyra e vërtetë,/Jet’ e Drit’ ëngëjt e mi,/ një si Zanë e dy viganë,/ kam një Botë me krenari!”
Në përgjithësi, poezitë e këtij vëllimi janë shkruar me gjuhë të rrjedhshme poetike, me figuracion e brendi të pasur dhe të kapshme nga lexuesi. Prandaj ato lexohen me ëndje dhe secili e ndjen veten bashkëshoqërues(e) të Lumturi Ymerit.
2.
Në mbyllje të këyre pak radhëve modeste, dëshiroj të tregoj diçka, shkurt, për jetën e autores së këtij libri. Ka lindur dhe është rritur në Tiranë, por origjinën  e ka nga zona e thellë malore e Moglicës së Korçës. Megjithatë, në natyrën e saj nuk është aq “e ashpër”, por me ndjenja të buta e të çiltëra, siç janë edhe poezitë, që ajo shkruan e publikon. Që në vitet e fëmijërisë i pëlqenin poezitë, prandaj i lexonte me ëndje. Kështu, në moshën 10-vjeçare meritoi çmimin e parë, si recituese, në një konkurs të organizuar në Radio-Tirana. Dy vjet më vonë, u nderua me çmimin e dytë, në Festivalin e  Këngës për Famijë.
Por Lumturia e kishte në shpirt edhe pasionin për sportin e fizkulturën.  Kështu, si pjesëtare e Klubit Sportiv “Dajti” të Tiranës, zuri dy vende të para, në Spartakiadën e organizuar në qytetin e Lezhës (1982). Më tej, ndoqi shkollën e mjeshtërisë sportive, në Tiranë (1963-1087) dhe Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” (1002-1995).
Ka shumë vite, që L.Ymeri është mësuese e pasionuar e edukimit fizik, në shkolla të Tiranës.  Me nostalgjinë dhe dashurinë, që ka për sportin, këto ditë ajo ka shkruar:“Nëqoftëse sportit shqiptar, në përgjithësi dhe atletikës, në veçanti, do t’i kushtohej rëndësia e duhur, sot do të kishim të reja “Pavlina Evro”, që do të merrnin pjesë në Garat Olimpike dhe, pse jo, të ktheheshin në Atdhe edhe me medalje, ari ose argjendi”.
Por  Lumturia nuk është shkëputur  asnjëherë as nga poezia, “dashuria e parë e saj”. Dëshmi për këtë fakt ishte edhe vëllimi i mëparshëm me poezi, i titulluar “Natë mbi gjysëmbotë”.  Ndërsa, nëë vazhdim të kësaj udhe të bukur të artit poetik, ajo doli tani së fundi me këtë vëllim të ri, për të cilin folëm më lart.
3.
Njoftimi për publikimin e librit me poezi “Qielli në qeli”, u dha para pak ditëve, në një faqe Interneti. Bazuar edhe në ato, që thamë më lart, më duken të përligjura fjalet përshëndetëse e vlerësuese, për poten Lumturi Ymeri. Ato janë shkruar aty, nga: Alma Vjero-Dedja, Albana Subashi, Alketa Stefania-Caca, Pozet Qose, Klubi Basketbollistik Fushë-Kosova, Suzana Selmani, Edlira Xhani-Velaj, Brunilda R.Frani, Vila Gold, Manjola Papa, Emma Al Rose, Samuela Neli-Mitraj, Laura Veshi, Evi Eni, Ervis Luma, Herman Cuka-Zeka, Sabit Rustemi, Regina Nicaj-Sterkaj, Alma Alpina-Begaj e tjerë. Të gjithë këtyre kolegëve e miqëve, ajo u është përgjigjur njës për  një, po aty, me fjalë falënderuese dhe dashamirëse.
Me këtë rast, edhe ne i urojmë nga zemra, arsimtares dhe poetes Lumturi Ymeri (Bersava): Shëndet të plotë, arritje sa më të mira, në punë e krijimtari dhe, ashtu si ka emrin, në jetën familjare!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...