Nebih BUNJAKU është nga Poliçka e Dardanës. Ciklin e ulët të fillores e kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në Malishevë, të mesmen në Gjilan, kurse studimet në Prishtinë.
Si student ka filluar karrierën e tij pedagogjike. Fillimisht punoi në shkollën fillore në Banjën e Sjarinës, pastaj në gjimnazin e Dardanës, në shkollën teknike të Gjilanit, në shkollën fillore të Banullës - Gllogofcit, në gjimnazin e Lypjanit, në shkollën teknike të Kastriotit.
Që nga viti 1993 punon në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Prishtinë. Një mandat ishte drejtor i këtij gjimnazi.
Ka botuar këto vëllime me poezi: “Dalje nga balada” 1994, “Gramatikë zemre” 2004, “Terapia e dashurisë” 2005, “Një samit për një simit” (poemë satirike) 2007 dhe “Prushimë buzësh” 2008. Ky është libri i shtashtë.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i “Pegasit” të Gjirokastrës, Dega në Kosovë.
Jeton dhe vepron në Prishtinë.
NEBIH BUNJAKU : TESTAMENTI I LOTIT
SHTËPIA E LIDHJES
Në Prizren n'zemër Shqipërie
Besa dha Besën n'Kuvend
n'sofër t'madhe historie
do të vdesim për këtë vend
në Prizren u lidhen zemrat
u mboll fara e Pavarësisë
n'histori u gdhenden emrat
në ngjizje gjaku të lirisë
Sylejman Vokshi Ymer Prizreni
Abdyl Frashëri e Mic Sokoli
Krenaria e mbarë këtij populli
në Kuvend me një gojë foli
ligjërojnë fjalë Perëndie
ky atdhe gjithmonë ka Zot
Besa e Besës lidhet nyje
n'vend të bukës - hamë barot
gurthemeli u vu besa
armaturë e ardhmërisë
n'Shtëpi të Lidhjes u bë fejesa
midis vdekjes dhe Lirisë
në Prizren perëndoi hëna
lindi dielli në Prizren
në Prizren na bekoi Nëna
kurdoherë ta mbrojmë këtë vend
LISI I MOÇËM
Midis bjeshke Lisi i Moçëm
shumë i vjetër qindvjeçar
hija e Tij mbulon një fshat
gjer në re Plisin e bardhë
rrënjët thellë në tokë të vet
degë e pipa shtrirë kurorë
deri n'qiell trupin qiri
s'mund ta prekë njeri me dorë
lisat tjerë i bëjnë shoqëri
shpesh nën hije bëjnë Kuvend
rrënjët e tyre deri në det
zemërlidhur për këtë vend
pleq e t'rinj e mbajnë mend
çdo vetetimë e çdo stuhi
e goditnin hiç pa mëshirë
s'tundej dot nga vendi i Tij
TESTAMENTI I LOTIT
Të pagjeturve
Në natën bizantine pa hënë
ne jemi plaga më e re
e Gjergj Elez Alisë
kur hienat korb të zeza
na rrëmbyen me dhunë
në prag të Shtëpisë
na ka mbetur vetëm shpirti
midis robërisë dhe Lirisë
midis Jetës dhe vdekjes
sot imazhi ynë
varur në grilat e Kuvendit
është odiseja jonë
në ritualin e Pritjes
testament i lotit
lëbyrur nga dielli
lagur nga shiu
le të ndizen qirinjtë
që të ngrohet shpirti
në dritën e Lirisë
kur zemra ka dhimbje
për eshtrat e humbur
ëndrrave të trishta
në pentagramin e mallit
në ritualin e Pritjes
nuk duam të jemi
mjet kusuritjesh
në sofrën e djallit
liria nuk bën tregti
as me robërinë
as me vetveten
as me hijen tonë
Ne nuk jemi të humbur
jemi në themelet e Lirisë
të humbur janë ata
që ende jetojnë
në iluzionin e imazhit
të vdekjes sonë
KY ATDHE GJITHMONË KA ZOT
Kur Kosovën e kaploi zjarri
që ia vuri serb barbari
yll mëngjesi doli i pari
Zemërmadh Adem Jashari
ky atdhe gjithmonë ka Zot
për liri – zemrën barot
UÇK-ja vetë rrufeja
nëpër luftëra ndër beteja
me zana mali
dhe petritë
shtrigës plakë i vuri pritë
Ushtrisë sonë për liri
iu bashkua plak e i ri
ndër beteja bëri emër
se lirinë e kishte n’zemër
Sherif Jonuzi me 20 pranvera
kur i shkeli shkau te
dera
la studimet armët ngjeshi
uniformë trimërie veshi
bashkë me trimat e Breznicës
shqipe malesh mësyjnë Drenicës
krah të djathtë Enver Bajramin
cep më cep e mbrojnë vatanin
Për t’i pasur armët gati
nga Brigada “Isa Kastrati”
morën udhën për Shqipëri
sollën armë në Dardani
Kur Kosovën e çliruan
para Flamurit u betuan:
“Pa lirinë e Kosovës Lindore
nuk i lëshojmë armët prej dore”
Më 21 prill t’vitit dy mijë
po bëjnë luftë me një ushtri
në Gjergjefc ranë në pritë
dy dragonj tanë petritë
në betejën e paparë
këta trimat çlirimtarë
me zemër luani e bomba dore
ranë për t’mbetur n’përmendore
Përkundem dhe unë
LOTI I SHPIRTIT ÇAMËRI
Loti i shpirtit Çamëri
lumë i dëbuar nga shtrati
kush t’i ngatërroi ëndrrat
djalli a lugati
Çamëri moj plaga ime
kur do më shërohesh
je në kujtimet tona
kurrë nuk do harrohesh
Çamëri Ti lot i lotit
mërguar n’atdhe
n’mallin tënd do kthehesh
në Çamërinë e Re
KUR ZEMRA PIKON DHIMBJE
Bekim Fehmiut
“Ai vinte si nga qielli, si simbol i
madhështisë dhe i lirisë njëherësh”.
Timo Flloko
Një termet i llojit të vet
midis qershori me bubullimë
dridhi botën anembanë
trandi zemra dhe n’Prishtinë
shiu lagu çdo qepallë
krenaria s’i bëri ballë
rreptë ndajfoljet protestuan
ato t’vendit n’vend ndaluan
të sasisë kur u zymtuan
edhe të mënyrës u trishtuan
me Kardinale Gardner Papas
kurrë në jetë Uliks s’aktrove
si Moisiu – gjeniu i skenës
rolet e jetës i përjetësove
shkëlqimi i Plisit n’Amerikë
për Ne jetë për dikënd thikë
pallat zemre ngrite n’ Kanë
Hollivudin kopsht shtëpie
si Zeusi majë Olimpi
ligjëroje art magjie
asnjë germë më pak n’mbiemër
por të verbrit s’të panë dot
me Ty Shqipja bëri emër
nga lartësia s’të shquajnë dot
Itaka Jote noton n’mjerim
i ka ëndrrat pa dritare
se vetveten ka harruar
në këtë botë të pistë zagare
sofër zemre nuk të shtroi
pa shpirtësia të harroi
u dhuron veç çelësa nderi
ca Bregoviçërve
dhe ca hiçërve
kur dhe ëndrra humbi shpresat
peng në shpirt roli i Skënderbeut
Ti ikonë e artit të mallit
Je stolia e Mëmëdheut
kur ia grise tisin botës
u trishtove nga ligësia
tragjedisë një akt tragjik
ia shtove nga lashtësia
kur Lumëbardhi s’përpin Det
për udhëtim u bëre Hi
gjithë Prizreni i
Besës së Madhe
t’u përkul në gjunjë n’Zi
Odise – Yll në gjithësi
nuk të them dot lamtumirë
lamtumirë të thotë veç loti
i bekuar nga vetë Zoti
EMIGRANT
N'pikë të ditës je si hije
rrezet diellit nuk ia njeh
cung udhëkryqeve fatin nyje
as vetvetja nuk të njeh
rrezet e diellit kur ndriçojnë
n'atdhe vendi pa ty bosh
nuk të ngrohin të mashtrojnë
për ca shpresa e ca grosh
prej një ëndrre n'ëndrrën tjetër
mund t'kalosh veç në tunel
iluzione qëndis në letër
për ty vera kurrë nuk del
valixhja e vjetër me ëndrra plot
dhembja e botës emigrant
n'zemër gjak në sy lot
varrin bosh shpirtin vakant
KU JETON LIRIA
Njerëzit kurreshtarë
pyesin pa ngurrim
ku jeton liria
e atdheut tim
kush ia shëron plagët
ku e pat marrë pushka
udhëton me mercedes
apo e bart mushka
ku ha dhe ku pi
kush e mbath e vesh
vallë ku e bën gjumin
ku fle kur borë kur resh
a bën dashuriçka
a veç uzurpime
e mbulon vallë f'tyrën
thellë në korruptime
a jeton në shtëpi
a banon n’pallate
a i merren mendtë
lart mbi disa kate
a ka kryer shkollë
a veç kurse nate
a mori tenderë
a tituj doktorate
a ka kompjuter
a flet n’internet
sa herë i bie lëkura
kur lahet në det
a sheh halle
n’tokë
n’parlament kur flet
a punon për botën
a për vend të vet
a e harroi betimin
e luftës çlirimtare
gjakun e dëshmorëve
mos jeton me marre
UJKU I MOÇËM
Ujku i moçëm asht e lëkurë
i zgjebosur trurin plak
zemra e gjorë i
digjet furrë
n'Dardani ai kërkon gjak
ëndrra e tij krejt lakuriq
me çdo kusht kërkon dhe det
për krime t' veta s'mërzitet hiç
bën orgji ai vjet për vjet
gjurmë shputash në Karpate
origjinën e vet e mohon fare
gjerë e gjatë në toka t' huaja
për askënd s'i jep pesë pare
por një ditë i erdhi fundi
se kudo bëri kërdi
n'vend të gishtave - thembrat
me kokë nën shalë iku n'Lubi
po ta mbjellësh plot një shekull
fara e huaj nuk bën n'këtë tokë
është pjellore për
farë të vet
ujku i huaj e paguan me kokë
NË KRYEQYTETIN E ZEMRËS
Në kryeqytetin e zemrës
në Prizrenin heroik
na bashkojnë kujtimet
dhe Drini Poetik
hapen pasaportat
buzëqeshjet poetike
gjithë mallëngjimet tona
me fjalët artistike
përqafohen lotët
që s'shkruhen në letër
këmbëkryq shlodhet malli
nën Rrapin e Vjetër
fotografohen ndjenjat
e brezave njerëzore
lavdia dhe heroizmi
hyjnë në Përmendore
në ballë Abdyl Frashëri
me Fjalën e Burrit
jehon vetë L I R I A
në Kështjellën e Gurit
MINIERA E SHPIRTIT
Miniera e shpirtit
plot argjend dhe ar
më e pasura n' botë
trup e zemër zjarr
n'arkivin e mallit
të ruaj shpirti im
nëpër flatra ëndrrash
relikt për kujtim
moj pranverë e jetës
shpirtin ma bleron
me buzëqeshje zemre
syrin ma lulëzon
aromë trëndafili
gonxhe buzët tua
moj minier' e shpirtit
vetëm ty të dua
shpirtin oqean
ata sy ngjyrëdeti
zemrën time xhan
ma more me veti
EJA DELLËNDYSHE
Ndonëse shpirtin vjeshtë
zemrën borë acar
për ty dallëndyshe
digjem porsi zjarr
eja lozonjare
botës mos shtegto
midis shpirtit tim
çerdhen ti ndërto
aty fillo jetën
me zogjtë tu të mirë
mësoji t’fluturojnë
të jetojnë të lirë
mos t’i ngatërrojnë stinët
mos të shkojnë n’kurbet
parajsë ta bëjnë çerdhen
n’fushë në mal në det
n’ parajsën e zemrës
ta rilindin jetën
ta mësojnë historinë
ta duan të vërte
RREZJA E DIELLIT
Rrezja e diellit tim
natën ma bën dritë
me hiret mgjike
shpirtin seç ma ndrit
rrezja e shpresës sime
hije jam pa ty
ma shkrin zemrën akull
me ata dy sy
borën e gjithë dimrit
e shkrin dalëngadalë
ti ma rinon shpirtin
me puthjet valë-valë
lindu je n' agime
harroje perëndimin
ngrohe zemrën time
ma dëbo trishtimin
nata të perëndojë
nga kalendari im
mos të kthehet kurrë
në varg dhe n'vegim
N'SYRIN TËND
KËRKOJ AZIL
Gjithë langonjtë e rrugës
armiqtë janë çuar peshë
pse duhemi moj zemër
shi dhe breshër resh
n’syrin tënd kërkoj azil
se ti je atdheu im
na bekon veç perëndia
unë të dua pa pushim
rrezaton veç dashuri
natë e ditë për ty bëj meshë
kur lulëzojë dy zemra
dhe dielli buzëqesh
Ç’TË BËJ NË PA TY
Ç’të bëj unë pa ty
kur ti më mungon
si i verbëri pa sy
zemra gjak loton
ç’të bëj unë pa ty
kur ty larg të kam
gojë e zemër dry
mbret vetmie jam
ç’të bëj unë pa ty
si goja pa fjalë
shpresat e venitura
si nëna pa djalë
ç’të bëj unë pa ty
jam gjysma pa emër
nuk kam gjumë në sy
pa ty jam pa zemër
ç’të bëj unë pa ty
si nata pa hënë
si malet pa lisa
si fëmija pa nënë
ç’të bëj unë pa ty
si toka pa qiell
si qielli pa yje
si dita pa diell
ç’të bëj unë pa ty...
BUSULLA IME
Ngado që të kthehesh
moj busulla ime
shigjeta të shpie
vetëm n'zemrën time
ZJARRI I BUZËVE
Faleminderit Promethe
gjithë zjarrin e buzëve
solle veç për n
VALËT E JETËS
Valët e jetës tërbuar fare
po më sjellin drejt tek ti
s'kundërshtohen zemra ime
sepse vetë dua të vij
më tërheq ti me rrëmbim
shpirt e zemër - gravitet
nuk ka forcë të na pengojë
ti mbretëresh'e unë mbret
N'EKRANIN E ZEMRËS
N’ekranin e zemrës
çdo herë të shikoj
buzët e kuqe mjaltë
veç unë t'i shijoj
VULA E SHPIRTIT
Vula e shpirtit tim
nëpër dallgë të jetës
pa ty jeta s’ka kuptim
o diell i t 'vërtetës
pa ty s' agon dita
lulja nuk çel dot
vula e shpirtit tim
zemër n'jetë e mot
je simbol dashurie
urë që bashkon zemra
vula e shpirtit tim
që vulos dy emra
e pastër si loti
n'vazot' shpirtit tim
të dua me gjithë zemër
je agimi im
gjithmonë e përjetshme
ylber me shumë ngjyra
vula e shpirtit tim
në kopsht më e mira
ANTOLOGJIA E MALLIT
N’kopshtin e shpirtit
kam vetëm një emër
antologjinë e mallit
e kam shpirt e zemër
për të pa dyshim
vdes me plot dëshirë
zemrën time peng
e mban pa zinxhirë
ajo nuk ndrron vend
rritet n’ledhatime
lulëzon art dashurie
veç në zemrën time
ajo s’vyshket kurrë
ylber në kurorë
syrin ma freskon
me një luleborë
AKADEMIA E JETËS
N’ shkollë n’ fakultet
mësova dhe studiova
abetaren e dashurisë
n' sytë e tu e mësova
nëna e çdo mësimi
është veç dashuria
akademia e jetës
dhe vetë Perëndia
dashurinë ma mësove
akademinë e jetës
dhe rrahjet e zemrës
shpirtin e së vërtetës
kur pranvera befas
gjelbëron n’sytë e mi
lulja e shpirtit tim
çel veç dashuri
tani n’ pikë të natës
shoh botën me ngjyra
kur ta lexoj zemrën
më buzëqesh fytyra
je stoli e shpirtit
iks n' matematikë
gjeometri e zemrës
yll në galaktikë
PRANVERA IME
Pranvera m'erdhi disindryshe
plot me lule dhe gjelbërim
shqipe malli a dallëndyshe
ndërtoi çerdhe n' shpirtin tim
je pranvera je vetë jeta
moj dhuratë e perëndisë
ti je stina e zemrës sim
engjëlli im i dashurisë
zemrën akull ti ma shkrive
m' gjete thellë në perëndim
njomza ime sa shumë të dua
lule shpirti t'kam n'kujtim
MAGJIA E BUZËVE
Nga puthja magjike
në timen makinë
zjarri i buzëve tua
m'djeg dhe n'Prishtinë
t' kuqin e buzëve tua
morën buzët e mia
all u bë gjithë fshati
u deh vetë dashuria
u skuq dhe vetura
nga puthjet veç zjarr
humbi orientimin
si t' mos kishte far
dora n'dorën time
zemrën ledhaton
gishtat ndizen flakë
kur m'i gërsheton
prushi i buzëve tua
më i fortë se magjia
m'i dogji moj zemër
gjithë ndjenjat e mia
ma mbushi veturën
aroma e buzëve tua
shpirtin ma rinove
kur erdhe me mua
tri orë shpejt kaluan
si t'mos ishin dot
n'vazon e zemrës sime
t' ruaj për jetë e mot
YLLI IM
Sa herë që vjen nata
prej muzgut n’agim
me teleskopin e zemrës
kërkoj yllin tim
ndonëse larg n'gjithësi
prore n'zemër t' kam
gjithë orbita jote
pa dyshim unë jam
retë e zeza netëve
me shkopin magjik
i trazon gjithmonë
shpirti im fisnik
kur shquhesh mes yjesh
perlë e shpirtit tim
zemrën ma ndriçon
ti mor ylli im
yll mbi të gjithë yjet
gjithmonë je hyjnor
ëndrra ime n'ëndërr
nuk prekesh me dorë
SI BIZELE
Plot me lajka si bizele
më pushtove deri n'kokë
tok me rrezet e agimit
sikur bryma re përtokë
LULJA E BREGUT TË DIELLIT
Lulja e Bregut të Diellit
lulëzon çdo mëngjes
në petale prilli
vetëm ty të pres
rrënjët n’shpirtin tim
zemrën ma freskojnë
moj vesë e mëngjesit
ëndrrat t’i bashkojmë
sa të jetë kjo jetë
lulëzo n’mallin tim
t’i dua buzëqeshjet
plot me mallëngjim
sytë më janë verbuar
për ty më djeg malli
gjysma e jetës sime
s’të harroj për s'gjalli
DIELLI I JETËS
Dielli i jetës sime
lind e s’perëndon
me rreze t’praruara
shpirtin ma mëkon
rrezet margaritar
n’zemër depërtojnë
shikimet magjike
dehin kur shikojnë
dielli i jetës sime
pse fshihesh pas resh
kur më shfaqesh hapur
zemra vetë buzëqesh
dielli i ëndrrës sime
shpirtin ma ndriçon
me rreze t' praruara
zemrën ma shëron
midis resh të zeza
si ari shkëlqen
me rreze t'mendafshta
shpirtin ma rrëmben
SHPIRTI OAZË
Dy trupa një shpirt
dashurinë oazë
ne duhemi moj zemër
edhe pa unazë
KUSHTETUTA E SHPIRTIT
Kushtetuta e shpirtit
nen për nen të dua
ma mbush zemrën gëzim
me ato ligjet tua
midis rreshtash të lexoj
t' i shpreh ëndrrat n'aline
qukat n'faqe kur buzëqesh
zemrat rrahin veç për ne
kushtetutë e shenjta ime
paragrafet krejt hyjnore
midis fletësh puthjet tua
edhe n'ëndërr t'i dua prore
kushtetutë e zemrës sime
ylber shpirti me shumë ngjyra
diell me rreze dashurie
dit' e natë të buzëqesh f' tyra
nëpër ëndrra të kërkoja
në çdo varg t' poezive t' mia
ti më gjete pas furtunash
engjëll vetë je Dashuria
LOTI I LULES
A di vallë kush në këtë botë
zemra e lules pse ka lot
pse buzëqeshja e saj ngrirë
vallë pse mallin peng n'zinxhirë
ëndrrën e bukur kush i prishi
kush i ndau ashtin nga mishi
princi pse iku n’kurbet
pse la lulen kalli vetë
pse i rrjedh loti për faqe
edhe n’luftë edhe në paqë
e fshin lotin me shami
por nga zemra s’ka mundësi
a është lot apo veç vesë
kurrë s’buron për interes
për dashuri malli i thahet
plaga e zemrës me ujë s’lahet
N'QIELLIN E DASHNISË
N'qiellin e dashnisë
dielli s'perëndon
me rreze t'praruara
zemrën ma rinon
hëna n'pikë të natës
në mister mbështjellë
harlisjen e yjeve
duke e përcjellë
rrezet lozonjare
rrugën e ndriçojnë
dy zemra të ndara
ato i bashkojnë
RE DASHURIE
Unë e ti – re dashurie
midis qiellit blu
kur ndeshemi zemër
ndezim gur e dru
shikimet veç zjarr
si dy vetëtima
rrahja e zemrave tona
si dy bubullima
ME DY ZEMRA
Me dy zemra shpirtja ime
njërën falë nga Perëndia
tjetrën ta dhurova
shpirte
unë t’i dua që të
dyja
Zemrën e zemrës falma mua
mbaje tjetrën prej
floriri
unë t’i dua që të
dyja
ti më deh me aromë
bliri
Me dy zemra shpirtja ime
ti je vetë si xhevahiri
atë të shpirtit falma mua
tjetrën mbaje kujtim fakiri
Unë ta ruaj si sytë e ballit
mbështjell me mjaltë e vaj
ulliri
tjetrën ruaje n’fund zinxhiri
të puthitur midis gjiri
NË ISHULLIN E MALLIT
Në ishullin e mallit
vetëm ty të kam
perla ime e shenjtë
të kam shpirt e xhan
n'oazën e shpirtit
lulëzon dashuria
me ty zemra ime
nuk plaket rinia
n'oazë dashurie
digjet edhe malli
unë jam flakë qiriu
digjem për së gjalli
n'oazë ekzaltimesh
harliset zjarrmia
buzët tua shkrumb
nga buzët e mia
STINA E HARRIMIT
Pas stinës së nxehtë
fresku vjen ngadalë
stina e harrimit
me damkën në ballë
sjell adoleshencë
dhuratë për pleqëri
palos rrudha motesh
në mendjen fëmijë
stina e bardhësisë
akull plot acar
njërën këmbë në jetë
tjetrën mu në varr
borën në kokën time
e zë dhe pranvera
s’është borë e një viti
nuk e shkrin as vera
NË DRITAREN E ËNDRRËS
Mu në pikë të natës
kur gjumi ëndërron
në dritaren e ëndrrës
hëna na ndriçon
MUZA E SHPIRTIT
Që sa ditë me ethe
muza ime e sëmurë
me buzëqeshje false
n’shpirt temperaturë
plot halle
dhe brenga
natën s’e merr gjumi
n’ëndrra erotike
seç më mori lumi
jetoj n’fole shpresash
muza më tradhton
natën ma vjedh gjumin
ditën më sfidon
muzën t’ma shërojë
vallë a ka spital
se ma prishi jetën
shpirtin sentimental
ARNIM ËNDRRASH
Të gjitha ëndrrat e grisura
stinëve me llavë ujqish
gjithë natën i arnoj
veç me arna dhimbjesh
atëherë miq të çmuar
lirinë tonë të mallit
ilegalisht e matnim
me gurin e varrit
BARNATORJA
Barnatore kur kam pranë
sëmundja vdes nga frika
si ta kam çdoherë moj xhan
sëmundjes t'i bie pika
KAMELEON
Sot është modë të kritikosh
n' pazar t'shtiresh demokrat
ujërave të turbullt të notosh
ta pshtysh t'djeshmën në surrat
dje i vogël puthadorë
n'temenara të shkoi jeta
midis grurit gjithnjë egjër
kameleon ty t'u fiktë jeta
s'dije fjalën disident
trup e shpirt gjithnjë servil
n'trazicion ti mësove not
tash mohon se je kopil
si harrove more i mjerë
n'duartrokitje ishe i pari
sot të mori koka erë
ta ka frikën edhe varri
ti rrënon çdo rrugë e urë
një ulli s'e le për farë
meqë linde n'diktaturë
vrit vetveten mor i marr
ARNIM KUJTIMESH
I arnoj kujtimet
me ëndrra dëshira
befas vjen harresa
pa trajtë e pa ngjyra
ajo zë në thua
vajton me ngashërim
kush ma vrau ëndrrën
m’ zhyti në pikëllim
për kujtesën time
zemra derdh veç lot
kortezhi i kujtimit
mban zi dje dhe sot
flamurin n’gjysmështizë
për kujtesën time
me karrigen n’derë
zemra s'pret ngushëllime
MARTESË ME DHEMBJEN
U martova me dhembjen
më të trishtën në botë
lulen e rinisë
ma kalbi me lot
dhembja lulëzoi n’mua
me petale pikëllimi
midis muajit të mjaltit
ç’ më zuri trishtimi
rrënjët e saj të thella
deri në fund të detit
spirancën e pikëllimit
n’ molon e kurbetit
tani n’fund të dimrit
shpirti n’borë n’acar
shpresat nga kristali
s’i shkrin asnjë zjarr
n’ klinikën e dhembjes
shpirti im rënkon
n’terapinë e shpresave
shpëtimin kërkon
ZEMRËN SAHARË
Shpirtin oazë Nili
por zemrën Saharë
pa ty shpirtja ime
syri im ujëvarë
OQEANI I BRENGAVE
Në qelinë e burgut
errësira verbon
nata nuk ka fund
shpirtin ta trishton
nata edhe dita
kanë lidhur miqësi
jetën të ma nxijnë
si zogut n’kuvli
si ta mashtroj natën
n’ankth e në trishtim
shpresën ta mbaj gjallë
n’mall e në përqafim
brigjet e errësirës
s’tejkalohen dot
oqeani i brengave
s’kalohet me not
LËNGU I MAGJISË
Midis lëngjesh më i miri
n'sitë të zemrës i kulluar
lëng magjik që bën magjira
nga gjithë bota i bekuar
shpirt e mendje t'i tundon
nuk e ke shokun askund
t'gjitha brengat t'i shëron
kur e ngre dollinë me fund
kush t'krijoi njeriu a zoti
të pi lypsi të pi dhe mbreti
më i pastër se vetë loti
t'gjitha hallet i merr me veti
nga ekstaza buzëqesh gota
të mashtron të vë në gjumë
rreth e qark të sillet bota
sidomos kur ke gradë shumë
pihesh me edhe pa meze
dalëngadalë të bie në kokë
t'gjitha ëndrrat t'i plotëson
mbret mbi mbret të bën në tokë
U DORËZOVA SI BURRAT
Për shumë muaj e vjet
fshehur nga dashuria
nuk ia njihja nazet
trembesha nga magjia
ditë e natë m’kërkonte
më merrte me t’mirë
kur më gjeti strukur
bënte veç sehir
dikur vetë u binda
i mbështetur për muri
se dashuria e vërtetë
është e fortë se guri
u dorëzova si burrat
në robërinë e saj
shfajësimet e mia
i lau në vaj
gabimin s’ma fali
m’qiti derë më derë
me shkopin e lypësit
ta kërkoj çdo herë
kur më mposhti mirë
ma dha terapinë
në shpirtin e saj
gjeta lumturinë
UJËVARË
Kur malli përcëllon
si dielli n’Saharë
për ty loti i shpirtit
bëhem hije rrapi
oazë dashurie
bëhem dhe ujëvarë
GJARPRI I ZI
Gjarpri i zi me dy lëkura
ditën vesh lëkurën tjetër
ha e pi n'fole Shqiponjash
natën lëshon helmin e
vjetër
shpirtin e tij të zi
katran
drita e diellit e tërbon
bishtin këtu kokën gjetiu
pa gjak Shqipesh nuk jeton
Shqipja e malit mjaft duroi
si të mbajë kobra nën sqetull
gjatë një shekulli i bëri benë
për t'i marrë gjak
ia zuri helmin e ri në gojë
kot nepërka bën me bisht
me Skfterin Shqipja n'rojë
n'çdo helmim gjarpri ka gisht
ndërton Shqipja folenë e re
plot dritare për rreze dielli
s'do lejojë më helm nepërkash
sikur të trandej toka e qielli
PËRRALLË E ËRTETË
Nëpër fushata
parazgjedhore
plot me gënjeshtra e
premtime
piqet rrena si bukë nore
shtrohet në sofër me betime
me flamuj ngjyra-ngjyra
sa kombëtarë sa partiakë
para botës nxihet f'tyra
plot me sharje me dajak
xhepat plot poshtë -përpjetë
blihen njerëz e blihen vota
u bëmë përrallë e vërtetë
lojë arushash tallet bota
në çdo qytet në çdo shesh
në çdo gazetë në televizor
marrja del
përmbi përshesh
s'mbahen zgjedhjet veç me zor
n'fund t'fushatës vjen qetësia
atmosferë shumë serioze
kështu e paska demokracia
s' dashka zgjedhje skandaloze
2
pas një dite fillojnë zgjedhjet
çdo gjë duket n'vend të vet
me stolisje me dekore
luhet loja me marifet
dikush voton pesë-gjashtë herë
për familjen tjetri voton
dikush s'voton asnjëherë
mirë e di se kush fiton
aty n'mbëmje kur bjen terri
bjen sistemi fiken dritat
n'vendvotime mbretëron ferri
pas numërimit dalin "meritat"
Katologimi në Botim – (CIP)
Biblioteka Kombëtare dhe
Universitare e Kosovës
821.
18 – 1
Bunjaku,
Nebih
Testamenti
i lotit/Nebih Bunjaku. Prishtinë: Zef Serembe, 2012. – 112f.; 15cm. –
(Biblioteka
Metafor)
[Shënime
për autorin]: f.109 – 110
ISBN 978-9951-547-25-3
|