Mehdi Krasniqi
Krijimtaria artistike e autores Silva Tërnava, ( një
poete e zgjuar ), është e ndërtuar nga mendimi i kompletuar dhe pa imponim për
lexuesit.
Silva Tërnava
Poezitë e kësaj autoreje, kanë ndjenjën-
karakteristikën themelore të lirikës. Pasqyrimi
aq ideor i ngjarjeve, në të cilat sigurisht, autorja rrëfen nga pika e fatit,
si referim i saj i besueshëm, akte të përballjes normale, pika synimesh, kohë
dhe shtrirje, emocione, kujtesë, gëzim, pak hidhërim që më pak zë e thotë
hera-herës, mirëpo, si element më kyq, është durimi. Këmbëngulja e autorës për
të duruar, sjellë notë proteste te lexuesi, sjellë brengë emocionale te
lexuesi, pritje deri te durimi, pra, ashtu si autorja konfirmon durimin që e
lidhë me pritjen, të njëjtën domosdo do ta bëjë dhe lexuesi- tash, këtu autorja
paksa tenton imponim të mendimit të vetë, mirëpo nuk i referohet dhënies së
elementeve, por marrjes së tyre, andaj edhe lexuesi këtu duhet t’i referohet
secilit element të dojë vetë, ose marrjes, ose dhënies. E cilën do që e merr
ai, kuptimi është i formësuar në atë mënyrë që te ketë alternativë!
Shtrirja në kohë, pikëpamje
logjike
Poezia e Silvës, nuk është e lehtë të kuptohet,
sepse ka elemente të bashkëkohores, ka gërshetim të elementeve që kthejnë vëmëndje
kah e kaluara, shndërrohet herë pas herë në subjekt- kur komunikon me të tjerët
përmes vetës, e në rrethana tjera, përpiqet të paraqes ngjarje të organizuar në
poezi, gjë që e hasim rrallë edhe tek autorët, poetë që kanë renome. ( mirëpo
nuk është renomea- vulë e dijenisë poetike, ngase rrallë bëhet tek ne kritikë e
mirëfilltë, sepse filanokritika është berë degë e re e dhënies së mendimit
sipas afërsisë dhe simpatisë )
Pikëpamjet logjike, të
cilat i hasim në tekstin e kësaj poeteshe, tregojnë pjekurinë e saj në mendimin
poetik, tregojnë ballafaqimin e saj, por herë pas here, autorja lë në gjysmë
paksa shpjegimin duke vënë trepikëshin, që i ndëpretë rrugën lexuesit.
Silva ka përkushtim serioz, sidomos kur trajton
ato tema, për të cilat lexuesi kujton se autorja është personazhi, ndërsa ana
tjetër e kuptimit logjik të poezive të saj, jep të kuptojmë se autorja ka
rrethana tjera të fatit të saj. Prandaj, kjo autore, është problematike të
kuptohet në herën e parë të leximit. Megjithëse është i thjeshtë në dukje ndërtimi
i poezisë së saj, kuptimi është jo aq i thjeshtë, do kujdes për të nxjerrë në
masë elemente të pikës së reales.
Pse autorja nuk tenton të krijojë dyanshmëri në stilin
e saj, teksa bën atë farë shtrirjen dhe zbërthimin e elementeve, të cilat i
mbledhë gjatë kohës. Sigurisht, ajo, nuk kërkon të dalë jashtë vetvetës, as të
imitojë të tjerët. Këtë gjë, sa duket e sheh tashmë si fazë të kaluar...
Autorja niset nga mendimi strikt, nuk heziton të
jetë vetë zgjidhja, prandaj, nëse e analizojmë në tërësi poezinë “ Durimi “,
hasim në një farë forme, një pjesë të fatit të jetës, të shprehur përmes
poezisë lirike. Ta lëmë anash pjesën tjetër, dhe ta marrim shtruar vetëm strofën
e fundit të poezisë në fjalë :
e varfër do isha pa ty
duet veç duet
thurim simfoni...?!
Simfonia është një lloj vepre muzikore, që autorja e përsonifikon me lidhje
jete, prandaj, e vëtdijshme pranon një hise tjetër me të cilën bashkon fatin e
vetë, për të krijuar një jetë tjetër… për të cilën ajo ka pritur durueshëm! Por,
pak më tej, në një poezi tjetër “ Gjurmë dashurie “, gjëjmë një skenë aktrimi
mjaftë profesionale. Prapë elementi është
durimi dhe pritja, të cilat si duket janë formë e ndërtimit të shpirtit të saj.
Përkujdesja për të krijuar ballafaqim me fatin, duket qartë si një sprovë
interesante që nuk e mposhtë autoren assesi. Pse autorja zgjedh pritjen si armë
të fitores së saj? Është pyetje që duhet të ketë pritje në kohë nga lexuesi.
Dhe, a e shtyejnë lexuesin elementi PRITJE dhe Durim, që të hulumtojë biografinë
e autorës? Them se po, ama nëse lexuesi nuk i referohet tash, atij elemenit që
e kam cekë më lartë ( marrje-dhënie).
Krijimi i peizazhit
Loja me fugura stilistike, e ndihmon mjaftë shumë
Silvën, të krijoj peizazhin. Kjo është gjë shumë e pëlqyer për lexuesin. Dhe
thjeshtë, kjo është një lloj dije artitike, pa të cilën s’ka poetizëm. Por te
kjo autore ne kemi të bëjmë edhe me shprehjen poetike, p.sh., “Në harkun e
kohës, vallja e lotit vazhdon, unë fshij faqen “, tash pa i trajtuar ato
pyetjet : pse po derdh lot njeriu këtu?
Pse pret autorja?, etj., Ajo, në rast se është vetë personazhi
këtu, haset e vetmuar duke dëgjuar
melodinë e padëshiruar të Hutit ( shpend ),
melodi të cilës ajo i fletë me vargje heshtur, dhe këto vargje i bëhen
si strofa këngësh, e madje edhe refren ngjarjeje..! Loti në dritare dhe loti në faqe, janë dy
elemente karakteristike, që ndjejnë thellë peshën e dhembjes kur shpirti nuk
ndihet i qetë, trazuar tenton të fle...
Autorja, kur krijon atë që unë e quaj pikturë
poetike, kujdesshëm formëson qëllimin e saj, për të bërë një pamje reale, me
pikë referimi “ fiksim objektiv të syrit gjatë një intervali kohor “. Pamje të
tilla, është vështirë të arrihen edhe nëse je poet, sepse ngjyrat duhet të
shprehin emocion, duhet të flasin me ndjenja ato figura, prandaj, Silva, ka këto
elemente, e për këtë gjë, arrinë të komunikojë fare lehtë me cilindo lexues,
sepse ajo ka tashmë një stil gjuhësor.
Pesimizmi artistik dhe
Egoja e autorës
Në disa poezi të Silva Tërnavës, hasim në një pësimizem
jo dhe aq që sheh kah shpresa, por karshi kësaj, ajo e vë si element fortese të
unit të saj, durimin. Ndërsa, te lexuesi, ngjallet interesimi për të kuptuar
rrethanat e shtyrjes kah shkaku e situata, që autorja me përkushtim të
madh e krijon, duke e harruar kujdesin
ndaj besnikërisë që e ka te poezitë tjera. Vetmia, si burim jete, i gërshetuar
nga rrethana fati, personazhin e saj të pështjellur me elemente të vetës së
autores, arrin paksa ta dërmojë, mirëpo autorja tregon kogja mjeshtërisht
durimin e saj dhe pritjen si rrugë të daljes nga situata, gjithësesi pa e
anashkaluar tash vuajtjen ( shih poezinë “ Vetmi “ ).
Nëse i lexojmë tash, poezitë e Silvës në aspektin
kronologjik të kalendarit shkrimor, gjithherë në bazë të publikimeve të saja,
atëherë gjëjmë edhe Egon. Te Ego, autorja ka harruar të tregojë durimin e saj
dhe ato elementet tjera shtesë që i kam përmendur më lartë. Por a nisë ego
bashkë me poezitë që autorja shfaq durimin si pritë, jo, në bazë të paraqitjeve
letrare ( poezive ), ego, fillon më herët. Pikërisht në ato poezi që kjo përpiqet
të bëjë përshkrime artistike, pa i vënë theks jetëshkrimeve poetike. Ego është
vështirë të kapet te kjo autore, por nëse bashkojmë elemente nga rrënja e
kuptimit logjik, nga teoria letrare e saj, atëherë, me një gjurmim profesional,
jo të thjeshtë prej lexuesi, gjindet ( ego ). E në fund të fundit, edhe kur
gjindet nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë, sepse vetëm kalohet nëpër veta gjuhësore.
Rezistencë e autores ndaj
rebelimit të vargut
Autorja, me gjithëse herë pas here tregon shenja
rebelimi në varg, arrinë ta ruaj komunikimin gjuhësor, duke mos pranuar të dalë
jashtë vetvetës. E tash, kur kjo, nuk del jashtë vetvetës, edhe kur është rebeluar
vargu i saj, atëherë nuk ka ndonjë gjasë që ta ndryshojë qëndrimin e saj zyrtar
as poezia e saj. Kjo është bindeje e thellë, se Silva, e krijon poezinë dhe nuk
pranon diktatin e rrethanës që personazhi e lyp. Kjo shihet më shumë si stil i
saj.
Rebelimi në varg, paraqet qëllim, pavarësisht se
autorja pak duket se është e përfshirë në atë krijim të situatës. Jeta, nuk t’i
jep të gjitha gjërat, aq më pak, jo në një kohë. Ndodhë kur nevoja për pasje është
e jashtëzakonshme, prandaj në rrethana të tilla, mund të jemi rebelues edhe
ndaj krijuesit e krijimit, mund të jemi rebelues edhe ndaj shkakut, deri te një
interval kur bindja tregon se ka gjëra që nuk mund të ndryshohen pavarësisht
pretendimit. Silva është treguar e vetëdijshme në aspektin e tillë, prandaj, ka
mbështetur ndjenjën e lënë peng për fatin.
Përfundim
Duke lexuar disa nga poezitë e Silvës, arrijmë në
përfundimin se kemi të bëjmë me një pjekuri artistike, me një autore që krijon
paanshëm.
Secila poezi e Silvës, ka një ngjarje, prandaj mund të thuhet, se poezia e
saj, është një roman në vete.
Silva, e përkujdesur që të shtrojë para lexuesit
risi të mendimit poetik, tregon forcën e shprehjes së saj, të mendimit të saj,
krijimin e situatave të lloj-llojshme; e vetëdijshme se jeta ka vuajtje, ka ndarje,
dhe këtë ajo e përcjellë te lexuesi si formë të porosisë ( mesazh ) artistike.
Poezitë e Silva Tërnavës, janë të arrira artistikisht, kanë vlerë dhe janë të
qendrushme në raport me kohën.
Ajo ka arritur të krijojë një përfytyrim objektiv,
një përfytyrim subjektiv, duke bashkuar elemente dhe ngjarje, për t’i dhënë kështu
lexuesit një botë të saj.
LITERATURA
* Poezi të Silva Tërnavës
Gusht 2012