Kush jane agjentet me influence ne Kosove
-Kush janë agjentët me influencë në Kosovë... -Aktivitetet kriminale të shtyra nga shërbimet sekrete armiqësore në Kosovë dhe - Spiunazhi - të dish që më parë se ç'do të ndodhë...
Shkruan analisti ushtarak dhe autor i librit “Armët dhe Lufta” FADIL KAJTAZI
Aktualisht, në Kosovë veprojnë agjenturat influente të shteteve që ia duan të mirën Kosovës dhe të atyre shteteve që kanë qëllim armiqësor ndaj Kosovës. Ndër këto agjentura më e rrezikshmja është ajo serbe. Gjatë historisë së njerëzimit përmes logjikës së shërbimeve sekrete, janë realizuar veprime të cilat nuk kanë mundur që t’i realizojnë ushtri të tëra. Sinonim i kësaj është i ashtuquajturi Kali i Trojës (Ilionit), përmes të cilit grekët mbërritën ta pushtojnë qytetin e fortifikuar, të cilën me luftë nuk arritën ta pushtonin dot, edhe pse dhjetë vjet me radhë e kishin mbajtur të rrethuar. Edhe sot, historianë të shumtë kanë dilema se si trojanët ranë në karremin e servuar nga grekët (Odiseu)? Në Iliadë, Homeri përshkruan kohë pas kohe veprime zbuluese të ndërmarra nga ushtria greke, por nuk flet për asnjë moment për një shërbim të centralizuar, i cili merret me këtë punë. Vet akti i sajimit të mashtrimit mund ta vërtetojë ekzistencën e një shërbimi zbulues, i cili me kalimin e viteve me sa duket ka arritur te ngjitet shumë lartë në strukturat komanduese të ushtrisë së Priamit. Pushtimi i Trojës nuk ka ndodhur për faktin se grekët e ndërtuan një kalë të drunjtë dhe atë e lanë jashtë mureve të qytetit. Grekët edhe më parë kanë mundur të ndërtojnë turma kuajsh të drunjtë, por ata do të kishin mbetur jashtë mureve të qytetit sikur dikush me influencë nga radhët e strukturave udhëheqëse trojane të mos kishte urdhëruar futjen e tyre brenda. Kështu, vetëm futja e dhjetëra ushtarëve sa ka zënë brendia e kalit të drunjtë nuk do të kishte paraqitur ndonjë problem për sigurinë e qytetit, sikur dikush me influencë nga udhëheqja trojane të mos e sabotonte shërbimin e zbulimit, i cili e kishte për detyrë që t’i përcjellë aktivitetet e ushtrisë greke gjatë tërheqjes. Siç duket pas vdekjes së Hektorit, Priamit plak i kishin dalë nga dora shumë gjëra dhe në hierarkinë e tij shtetërore grekët kishin rekrutuar njerëz me influencë dhe e kishte bërë atë që të marr vendime të gabuara. Agjentura influente është në veprim Termi “agjenturë influente” bëhet i njohur së pari nga një fjalim i shefit të KGB-së, Vladimir Kluçkov i mbajtur para deputetëve të Sovjetit Suprem më 17 qershor të vitit 1991. Kluçkov, duke iu referuar një dokumenti të cilin KGB-ja ia dërgonte Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të BRSS-së më 24 qershor të vitit 1977, para deputetëve sovjetikë i prezanton përmasat e rrezikut të shkatërrimit të shtetit sovjetik nga “Plani i CIA-s për rekrutimin e agjenturës influente nga radhët e qytetarëve sovjetikë”.Në kuadër të debateve se si u shkatërrua perandoria sovjetike, shumë analistë këtë ia atribuojnë aksioneve sekrete të CIA-s, në radhë të parë e potencojnë veprimtarinë e agjenturës influente, e cila duke qenë në vendet kyçe e ka sabotuar funksionimin e sistemit shtetëror në të gjitha segmentet e veçanërisht në atë ekonomik dhe politik. Në këtë kuadër, sot e kësaj dite “perestrojka” e Gorbaçovit, e cila merret si paraprijëse e shkatërrimit të shtetit sovjetik, shikohet si projekt i prodhuar nga agjentura influente e rekrutuar nga CIA. Kush janë agjentët influentë? Agjenti influent nuk do të thotë të jetë njeriu i parë i një shteti. Janë raste të rralla në histori kur njeriu i parë i një shteti ka arritur që të rekrutohet nga shërbimi armik. Agjentët me influencë, zakonisht i përkasin nivelit të dytë ose të tretë në institucione drejtuese, ku shërbimi armik e bën lojën e vet në mënyrë të heshtur dhe pa u hetuar. Kjo do të thotë se ata janë persona, të cilët me autoritetin e tyre politik (nganjëherë edhe ekonomik) ndikojnë te personat vendimmarrës në marrjen e vendimeve të gabuara, të cilët shkojnë në dobi të armikut. Zhvillimi i kësaj veprimtarie nuk mund të ndodhë i veçuar. Ajo do një përfshirje të gjithanshme, e cila gjithsesi duhet të ketë mbështetje mediale. Veprimi i gjithanshëm në fushata të këtilla të sofistikuara, mbërrin që me vete të marrë edhe shumë persona, të cilët pa vetëdije futen në këtë lojë, por që janë influentë në rrethin ku jetojnë dhe veprojnë. Nëse vetëm pak shikojmë nga e kaluara jonë jo e largët, sigurisht se do të na kujtohen veprimet e agjenturës influente serbe, e cila ne gjysmën e dytë të viteve nëntëdhjeta provonte që shqiptarët e Kosovës t’i fuste në kuadër të sistemit jugosllav të administrimit. Aktualisht, në Kosovë veprojnë agjenturat influente të shteteve që ia duan të mirën Kosovës dhe të atyre shteteve që kanë qëllim armiqësor ndaj Kosovës. Ndër këto agjentura më e rrezikshmja është ajo serbe, e cila është instaluar gjithandej dhe herë pas here nga mbështetja e paqëllimtë e disa mediave, Kosovës i shkakton dëme të papara. Le ta marrim vetëm një segment, atë të Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK). Sipas publikimeve të bëra, personi i cili ishte i autorizuar për rekrutim, sistematizim dhe gradim në kuadër të SHPK-së, ka kërkuar azil politik në Angli dhe ka pranuar se ka qenë agjent i shërbimit serb (BIA). Deri sot, nuk është bërë publike asnjëherë nga organet e specializuara të SHPK-së, se cili është dëmi që ky person i ka shkaktuar këtij shërbimi. Nga dëmet më të mëdha që mund të ketë shkaktuar ky person është mënjanimi i personave intelektualë nga strukturat komanduese të SHPK-së dhe instalimi i rrjetit të tij në këto struktura, ku për pasojë kemi një zbulueshmëri shumë të ulët të krimeve nga SHPK. Është e pakuptueshme se si në kuadër të SHPK-së gradohen pjesëtarë, të cilët e kanë të dyshimtë diplomën e shkollës së mesme, ndërsa mbeten pa grada inxhinierët, ekonomistët, juristët… Kjo më së miri e vërteton praninë e agjenturës influente në këtë institucion, por edhe në institucionet tjera. Secili që ia do të mirën Kosovës, le të shikojë se kë ka afër tij! Aktivitetet kriminale të shtyra nga shërbimet sekrete armiqësore në Kosovë Për momentin veprimtaria agjenturore e Serbisë në drejtim të Kosovës bëhet përmes dy agjencive të cilat janë riorganizuar pas vitit 2002. E para është BIA (Agjencia Informative dhe e Sigurisë e cila është resor qeveritar që kontrollohet nga qeveria dhe parlamenti. E dytë është VBA (Agjencia Ushtarake e Sigurisë) e cila është në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Bashkësisë Shtetërore Serbi – Mali i Zi. Aktiviteti kriminal është fenomen i cili shoqërinë njerëzore e përcjell që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Molla e ndaluar e Ademit është tregimi fetar i cili përcakton më së miri tre dimensionet që e karakterizojnë krimin si fenomen shoqëror. Së pari, pra kemi dimensionin historik të lindjes së krimit. Përmes këtij tregimi përcaktohet se krimi lindi njëkohësisht me njeriun dhe se është brenda natyrës së tij. Së dyti dimensioni i natyrës njerëzore si qenie kureshtare, lakmitare dhe e prirur që për kënaqjen e orekseve të tij, pa zgjedh mjetet dhe kohën, të shkojë deri në ekstrem. Dhe dimensioni i tretë i këtij tregimi, më së miri përcakton definicionin e krimit, d.m.th. atë se krim është çdo gjë që është e ndaluar pavarësisht se ajo nganjëherë mund të jetë edhe mollë. Lufta e organizuar kundër krimit ka gjenezën e vet që kur shoqëria njerëzore filloi të organizohet, pra, thënë më thjesht që kur lindi shteti si institucion administrativ i popujve apo kombeve. Në kuadër të kësaj, të gjithë pajtohen me atë se: krim është çdo gjë që është e ndaluar me ligj (pas lindjes së shtetit ), mirëpo gjatë zhvillimit të shoqërisë njerëzore kriteret për atë se çka duhet të konsiderohet krim, kanë qenë të pa standardizuara dhe kanë ndryshuar varësisht prej epokës historike, natyrës së regjimeve shoqërore faktorëve ekonomikë, socialë etj. Për ilustrim po përmend faktin se: në mesjetë krim është konsideruar argumentimi shkencor i fenomeneve natyrore dhe shoqërore kurse sanksionet kanë qenë të tmerrshme. Ose në hapësirat tona dhe përreth nesh (gjatë kohës së komunizmit), shumë aktivitete shoqërore që sot zhvillohen janë konsideruar krim. Manifestim i krimit në hapësirat kosovare shfaqet në dy forma Në formë të krimit të organizuar Në formë të krimeve ordinere Këto aktivitete kriminale të manifestuara në format e më sipër përmendura janë karakteristike nga fakti se bazohen në disa aktivitete të cilat falë rrethanave të cilat mbretërojnë në hapësirat tona (gjendja ekonomike infrastruktura ligjore, joefikasiteti i duhur i organeve të ndjekjes dhe gjyqësore), kanë teren të përshtatshëm të zhvillimit të tyre dhe janë burim permanent i destabilizimit të gjendjes së sigurisë. Motivimi kryesor i veprimit kriminal i manifestuar në format e sipërpërmendura bazohet në; 1. Aktivitetet e motivuara me arsyetim politik, ku si pretekst zakonisht merren ngjarjet historike, përkatësitë ideologjike, fetare dhe etnike; 2. Aktivitetet e motivuara nga shërbimet sekrete të vendeve të treta të cilat kanë qëllim armiqësor ndaj Kosovës; 3. Aktivitetet e motivuara me arsyetim të përfitimit material; Në këtë shkrim do të përqendrohem në aktivitetet kriminale të motivuara nga shërbimet sekrete të vendeve të cilat kanë qëllim armiqësor ndaj Kosovës dhe konsideroj se që nga viti 1999, ato kanë pasur ndikim dhe do të vazhdojnë të kenë edhe në të ardhmen në sigurinë e përgjithshme në hapësirat tona. Vlen të theksohet fakti se në Kosovë, veprimtaria kriminale e shërbimeve të huaja sekrete nuk është e ndaluar me ligj dhe de-jure, nga ne, kjo veprimtari nuk mundet të quhet krim apo anti ligjore, mirëpo besoj që de-fakto të gjithë pajtohemi se kjo veprimtari është anti Kosovare dhe e kriminalizuar dhe se meriton qasje nga ky pikëvështrim. Siguria në Kosovën e tanishme dhe në atë të pas pavarësisë në njëfarë mase do të varët nga qasja që do të ketë Serbia ndaj saj. Kjo kryesisht do të lidhet me atë se cila klasë politike do të qeverisë Serbinë në të ardhmen dhe se, sa ajo do të jetë e integruar në organizmat euro-atlantikë. Një Serbi me një kalasë politike ekstreme dhe të lënë jashtë strukturave euro-atlantike do të jetë burim permanent i rrezikimit të gjendjes së sigurisë në Kosovë dhe rajon. Klasa politike e cila qeveris Serbinë, aktualisht është e impenjuar thellë në zgjidhjen në favor të saj të statusit përfundimtar të Kosovës. Ky impenjim edhe pse nuk ka rezultuar pozitivisht, deri sot është permanent dhe shtrihet në shumë fusha ku më e ndjeshmja është ajo e veprimtarisë agjenturore në drejtim të Kosovës. Veprimtaria e shërbimeve sekrete serbe në drejtim të vendeve të Ballkanit ka një parahistori. Ajo fillon në vitin 1908 kur në Prokuple (në jug të Serbisë) dhe nën drejtimin e kolonelit Dragutin Dimitrieviq Apisit dhe kapitenit Tankosiq, formohet kampi për stërvitjen e çetnikëve. Po nga ky kamp(Nga kuadrot që kanë udhëhequr këtë kamp është përgatitur edhe Atentati i Sarajevës i 28 qershorit 1914 i cili çoi në fillimin e Luftës së Parë Botërore) kanë filluar të bëhet planifikimi dhe zhvillimin i veprimtarisë agjenturore në drejtim të tokave shqiptare të cilat atë kohë ishin nën Perandorinë Osmane. Që nga kjo kohë e deri më sot nuk ka pushuar së vepruari veprimtaria agjenturore e shërbimeve serbe në drejtim të Kosovës e cila veprimtari fatkeqësisht ka qenë ofensive, çka do të thotë se është shoqëruar me akte të mprehta të cilat përpos se kanë ndikuar keq në zhvillimin e jetës sonë shoqërore, kanë lënduar shumë familje kosovare. Për momentin veprimtaria agjenturore e Serbisë në drejtim të Kosovës bëhet përmes dy agjencive të cilat janë riorganizuar pas vitit 2002. E para është BIA (Agjencia Informative dhe e Sigurisë) e cila është resor qeveritar që kontrollohet nga qeveria dhe parlamenti. E dyta është VBA (Agjencia Ushtarake e Sigurisë) e cila është në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Bashkësisë Shtetërore Serbi – Mali i Zi. Që te dyja këto agjenci, edhe pas reformimit kanë në dispozicion të gjithë infrastrukturën agjenturore të paraardhësve të tyre RDB-së, KOS-it dhe Drejtorisë së Dytë të Shtabit të Përgjithshëm të APJ.Kjo ju mundëson atyre që për momentin të jenë ndër agjencitë që disponojnë infrastrukturë të mjaftueshme për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. Rrethanat të cilat kanë mbretëruar në Kosovën e para vitit 1999 kanë mundësuar që në fillim OZNA, pastaj UDB më vonë SDB dhe KOS e së fundit RDB, të rekrutojnë agjentë përmes të cilëve bukur shumë është kontrolluar jeta shoqërore te ne. Pa dashur të spekulojmë me të dhënën e përfolur shumë se serbet disponojnë rreth 25 mijë bashkëpunëtorë në Kosovë, por duke analizuar të dhënat e bëra publike, prapë na del një shifër e lartë e pranisë së agjenturës serbe këtu te ne e cila për qytetarët dhe institucionet e Kosovës, mendoj se duhet të jetë shqetësuese. Nëse merret e saktë e dhëna e bërë publike në vitin 1988 nga Sekretariati i Punëve të Brendshme të Kosovës se: “Deri në vitin 1985 nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror (SDB) janë trajtuar rreth 500 mijë qytetarë të Kosovës” kjo nuk do koment. Nëse nga ky trajtim, SDB ka arrit të rekrutojë vetëm një përqind, ne na del që çdo i katërqindi banor i Kosovës është bashkëpunëtor i shërbimeve serbe. Këtu nuk duhet harruar mundësinë e rekrutimit të bashkëpunëtorëve nga shërbimi i armatës jugosllave (KOS-i dhe Drejtoria e Dytë pranë SHP të APJ) si dhe bashkëpunëtorët vullnetarë. Për vrojtuesin e kujdesshëm, prania e agjenturës serbe në radhët tona ka qenë mëse e dukshme. Pa hyrë në atë se si janë zbuluar grupet ilegale para vitit 1981, zbulimi i veprimtarisë ilegale pas viteve të nëntëdhjeta flet shumë. Duke filluar që nga grupi i Gjakovës, pastaj Ministria e Mbrojtjes dhe e Brendshme e Republikës së Kosovës, zbulimi i grupit të Nait Hasanit, vrasja në pritë e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Akif Zejnullahut flasin për prezencën e shërbimit serb në vendet më të ndieshme të aktiviteteve tona të rezistencës ilegale të cilat pa dyshim nuk kanë përfshirë vetëm Kosovën por të gjithë hapësirën ku shqiptarët kanë zhvilluar aktivitet politik. Mendoj që, vetëm këto ngjarje dëshmojnë: nëse jo për praninë e agjenturës masive serbe në radhët tona, për një kualitative po se po. Vrasjet enigmatike të figurave politike të Kosovës dhe veprimet e tjera të mprehta të cilat kohë pas kohe skajshmërisht kanë rrezikuar gjendjen e sigurisë, tej mase kanë reflektuar në stabilitetin politik dhe në prishjen e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Mendoj se në një pjesë të tyre është e involvuar agjentura serbe pasi që Qeveria e Serbisë është e bindur se e vetmja rrugë për rimarrjen e sërishme të Kosovës është nëse ajo destabilizohet (vjetnamizohet – futja e shqiptarëve në konflikt me bashkësinë ndërkombëtare), dhe në fazën gjatë bisedimeve për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, duhet pritur një intensifikim i këtyre aksioneve. Të paktë janë politikanët, gazetarët, dhe analistët të cilët këtë fenomen e kanë analizuar nga ky prizëm. Menjëherë pas çdo akti, në të dyja kampet rivale politike, në media, dhe nga gazetarë “të pa varur” janë gjetur persona të cilët me apo pa vetëdije, kanë mjegulluar edhe më shumë gjendjen dhe rrallë herë analizat shkuan deri në fund. Zakonisht ato janë mbetur në nivelin i cili do të shtonte edhe më tej hendekun e ndarjes mes forcave politike dhe në rastin e volitshëm do të inicionte një përshkallëzim të gjendjes në shkallë më të gjerë. Aksionet e lagura Të gjitha aktet e ndodhura deri tani, e që kanë rrezikuar stabilitetin e Kosovës, janë kryer sipas formulës së “aksioneve të lagura” në të cilat gjithmonë kryesi i aksionit dhe porositësi mbetën të pa zbuluar. Vetë literatura e bërë publike nga veteranë të shërbimeve serbe flet se si këto shërbime kanë pasur sektorë të specializuara për planifikim dhe kryerje të këtyre aksioneve ku gjatë Luftës së ftohtë, ato janë kryer në vendet perëndimore dhe nuk është arritur asnjëherë të dokumentohet prania e shërbimeve serbe në këto ngjarje. Gjëja më e rëndësishme në këto aksione është që ai të kryhet në mënyrë që mos të lihet as edhe dyshim më i vogël për atë se kush është organizatori. Gjatë Luftë së ftohët, shërbimi jugosllav (SDB) ka arritur që përmes këtyre aksioneve të eliminojë disidentët në vendet perëndimore (kryesisht të emigracionit shqiptar dhe kroat). Këtyre aksioneve në radhë të parë i paraprinte taktika e krijimit të fraksioneve brenda organizatave politike të cilat krijoheshin përmes agjenturës influente, pastaj kur ndodhnin eliminimet, ato përmes agjentëve influentë prapë mjegulloheshin dhe mbeteshin si qërim hesapesh përbrenda organizatës. Teknikisht kryerja e këtyre aksioneve bëhet në dy mënyra: Së pari, përmes agjenturës shërbimi grumbullon të dhëna për gjendjen në terren dhe pas analizës piketon viktimën. Në aksion angazhohet një ekip e specializuar i cili përmes rrugëve të ndryshme nga baza (në këtë rast Serbia) dërgohet në vendin e ngjarjes dhe realizon aksionin. Këto aksione ndërmerren ndaj objektivave ku garantohet tërheqja pa problem i ekipit. Së dyti, kryerja e aksionit bëhet përmes agjentit rezident. Kjo është mënyra më e mirë për kryerjen e aksioneve “të lagura”. Agjenti rezident (në këtë rast i shërbimit serb, me përkatësi etnike shqiptare i cili mund të jetë me gradë shkencore ose pa të, i dëshmuar në “çështjen kombëtare”, “gazetar i varur apo i pa varur” i futur në ndonjë organizatë politike ose jashtë saj), rreth vetes grumbullon zakonisht pjesën më revolucionare të kombit e cila pa vetëdije i vihet atij në shërbim dhe është e gatshme për sakrificë sublime. Në njërën anë, ai përmes këtyre personave kontrollon të gjitha aktivitetet që bëhen në dëm të padronit për kë punon, kurse në anën tjetër organizon aksione të mprehta (vrasje, sabotime, vendosje të bombave etj) të cilat i porosit në emër të patriotizmit. Edhe po u zbuluan kryesit e drejtpërdrejtë, ata do të dalin se janë persona pa formim të mjaftueshëm intelektual, do t’i përkasin kësaj apo asaj vije politike por që kanë dashur të kryejnë një shërbim në “dobi” të kombit. Për momentin se kush janë ata nuk dihet. Në një fazë të caktuar ata do të zbulohen dhe natyrisht, kur për këtë do të ketë nevojë Serbia. Kjo do të ndodhë kur shërbimi serb mendon se ne jemi në një pikë kritike ku mjafton një shkëndijë e vogël për të degraduar gjërat këtu. Pa pasur ndonjë fakt të veprimeve operative të bëra nga organet legjitime të sigurisë në Kosovë (SHPK, policia e UNMIK-ut, KFOR-i) por vetëm nga pozita e vrojtuesit të thjeshtë, përpos atyre që u thanë më lart, mund të nxirren edhe argumente të tjera të cilat e vërtetojnë pranin e shërbimit serb në aktet e pa ndriçuara në Kosovë. Së pari po të shikohet gjeografia ku ndodhin më së shumti aktet e mprehta, ajo i përket territorit i cili nuk është i banuar me serbë (rrafshi i Dukagjinit). Kjo bëhet për të eliminuar ço dyshim të pranisë së tyre në këto akte. Së dyti po të shikohet koha kur ndodhin, ato zakonisht lidhen me ndonjë mbledhje në nivel ndërkombëtar për Kosovën apo me ndonjë vizitë të ndonjë personaliteti ndërkombëtar në Kosovë. Ndër rastet e tilla po veçojmë: vendosja e eksplozivit në një kishë ortodokse në Burim gjatë konferencës së KS të OKB ku debatohej për Kosovën; atentati ndaj Presidentit Ibrahim Rugova gjatë vizitës së Solanës; rasti i fundit i sulmit të autobusit në Shar gjatë vizitës së ministrit të mbrojtjes së Gjermanisë në Prizren etj. Edhe pas pavarësisë së Kosovës, për një kohë të gjatë gjendja e sigurisë do të vazhdojë të jetë e brishtë për shkak të aktiviteteve të shërbimeve serbe këtu. Se për sa kohë do të vazhdojë kjo gjendje kjo lidhet me shumë gjëra që do të zhvillohen në Kosovë dhe përreth saj, mirëpo mënyra më e mirë për t’i parandaluar ato është kur ne arrimë të konsolidohemi dhe krijojmë institucione të mirëfillta të sigurisë, puna e të cilave përcaktohet me ligj Spiunazhi - të dish që më parë se ç'do të ndodhë Udhëheqësit e zotë dhe strategët e mençur veprojnë dhe fitojnë, kryejnë heroizma që ua kalojnë të tjerëve, sepse gjithçka e kanë ditur që më parë. Të diturit që më parë, nuk merret nga zotët dhe demonët, nuk merret as me hamendje, as me të përngjarë e as me çfarëdo llogaritje. Njohja e gjendjes së kundërshtarit mund të merret vetëm me anë të njerëzve. Nevoja e njeriut për t’i parashikuar ngjarjet që do të ndodhin është e vjetër sa vet njeriu. Qysh në parahistori, te bashkësitë njerëzore primitive kanë ekzistuar parashikues të kohës ndodhive shoqërore dhe fatit individual, kurse në kohërat e më vonshme të antikitetit, personat të cilët merreshin me parashikimin e gjërave fituan një rëndësi të veçantë. Ata i hasim pran çdo oborri mbretëror me emërtime të ndryshëm si orakull, magjistarë, astrolog etj. Gjatë gjithë antikitetit dhe mesjetës, parashikuesit e ngjarjeve apo fatit i hasim që nga Mikena, në Maqedoni te Leka i Madh, mbreti Pirro i Epirit, në Bizant, në Perandorinë Osmane etj. Mbretërit, personalitetet politike dhe ushtarake, para çdo veprimi të tyre, konsultoheshin me parashikuesit e tyre dhe shpesh ndodhte që vendimi për të ndërmarrë ndonjë veprim qoftë ushtarak apo tjetër, ndikohej nga këshilla e orakullit, magjistarit apo astrologut. Këto këshilla dhe parashikime kishin të bënin vetëm me parashikimin e fatit dhe kurrsesi me ndonjë informacion paraprak mbi fenomenet apo ngjarjet. Përkundër faktit se gjatë gjithë antikitetit dhe mesjetës prania e parashikuesve të fatit apo ngjarjeve ishte prezente, tendencat për të krijuar shërbime të specializuara të cilat merreshin me grumbullimin dhe përpunimin e informacioneve me karakter politik dhe ushtarak vërehet shumë herët. Të gjitha ndërmarrjet dhe fushatat e mëdha ushtarake të antikitetit bazoheshin kryesisht mbi informacionet grumbulluara në rrugë të ndryshme operative. Njëra ndër doktrinat më të vjetra ushtarake e cila ka mbetur e shkruar deri në ditët e sotme është ajo e kinezit Sun Xu, për të cilën mendohet se i takon periudhës së shekullit të IV-III, para erës së re. Kjo doktrinë ushtarake e cila për nga aktualiteti i mendimit ushtarak është e aplikueshme edhe sot, përbëhet prej 13 kapitujsh. Kapitulli i fundit bën fjalë për organizimin e shërbimeve të zbulimin dhe mban titullin “Disa mënyra të përdorimit të agjentëve sekretë”. Ky kapitull, është njëri prej dokumenteve më të vjetra që njeh njerëzimi deri më sot dhe që bën fjalë për organizimin e shërbimeve zbuluese. Në këtë kapitull, fillimisht bëhet fjalë për rëndësinë që kanë shërbimet e zbulimit për një shtet apo popull. Sun Xu, organizimin e shërbimit të zbulimit e justifikon në versët 3 dhe 4 ku thotë: “Udhëheqësit e zotë dhe strategët e mençur veprojnë dhe fitojnë, kryejnë heroizma që ua kalojnë të tjerëve, sepse gjithçka e kanë ditur që më parë. Të diturit që më parë, nuk merret nga zotët dhe demonët, nuk merret as me hamendje, as me të përngjarë e as me çfarëdo llogaritje. Njohja e gjendjes së kundërshtarit mund të merret vetëm me anë të njerëzve.” Sipas Sun Xusë, shërbimi i zbulimit duhet organizuar mbi bazën e strukturës së më poshtme: informimin e jashtëm të bazuar kryesisht nga personat e rekrutuar nga radhët e kundërshtarit, të cilët janë: spiunët e vendit të rekrutuar nga banorë të rëndomtë, spiunë të brendshëm të rekrutuar nga radhët e zyrtarëve të shtetit, kundërspiunët të rekrutuar nga radhët e spiunëve kundërshtarë. Si dhe kundër informimin të përbërë prej njerëzve nga radhët vetjake të cilët ai i quan spiunë të humbur dhe spiunë që kthehen. Duke e vlerësuar lartë rolin e njeriut (spiunit) që ka ai në zbulim, në versin e 8 ai thotë: “Prandaj, për ushtrinë (shtetin, kombin) nuk ka gjë më të vlefshme se sa spiunët, nuk ka shpërblim më të madh se sa spiunët, nuk ka punë më sekrete se sa spiunazhi. Pa zotëruar dituri të përkryera nuk mund të përdorësh spiunët; pa pasur humanizëm dhe drejtësi nuk mund të përdorësh spiunët; pa pasur mprehtësi dhe aftësi depërtuese nuk mund të marrësh nga spiunët rezultat të vërtetë. Mprehtësi! Mprehtësi! Nuk ka asgjë për të cilën të mos përdorën spiunët”. Ajo që e bën këtë kapitull shumë aktual është fakti se kinezi i vjetër vëren se shërbimi i zbulimit duhet organizuar në mënyrë të centralizuar dhe të ketë karakter inteligjent. Me pak nuanca të gjitha shërbimet e zbulimit që nga antikiteti e deri në ditët e sotme janë të organizuara mbi modelin e Sun Xusë. Agjencia Qendrore e Zbulimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, CIA, është krijuar pas Luftës së Dytë Botërore më vitin 1946 me urdhër të presidentit Truman. CIA, është pasardhëse e OSS e krijuar para Luftës së Dytë Botërore. Rolin e shërbimit kundërinformativ në SHBA, e ka FBI, e cila është e organizuar brenda kufijve të SH.B.A-së. Në SH.B.A, ka të organizuara edhe disa agjenci të cilat merren me grumbullimin dhe përpunimin e informacionit me karakter të ndryshëm e i cili, vlerësohet i rëndësishëm për sigurinë e SH.B.A-ve. Ndër më të njohurat janë: DIA, agjencia informative ushtarake dhe NSA, Agjencia e Sigurisë Nacionale. Prej themelimit e deri në fillim të viteve të nëntëdhjeta, CIA së bashku me shërbimet e tjera aleate, ishin njëra nga shtyllat kryesore në luftë kundër ekspansionit komunist drejt perëndimit. Qëllimi i themelimit të saj ishte që të zbulojë dhe parandalojë veprimtarinë anti SHBA, kudo që zhvillohet ajo në rruzullin tokësorë. Qëllimin e krijimit të CIA-së më së miri e justifikon njëri ndër oficerët më të vjetër të saj Rishars Helms, i cili thotë se : “CIA u projektua për të parandaluar një Pearl Harbor tjetër” Në fakt qëllimi i kongresit të SHBA-ve ishte që të ketë një institucion ku i gjithë informacioni i fituar përmes rrugëve të ndryshme, të përqendrohet me një vend, në mënyrë që ai të përpunohet dhe analizohet dhe të bëhej informimi i organeve shtetërore, në mënyrë që ato me kohë të ndërmarrin masa. Pearl Harbor është një pjesë e errët e historisë së SHBA-ve, për arsye se edhe pse segmente të caktuara të qeverisë amerikane dispononin informacionin për sulmin japonez në këtë bazë amerikane në Paqësor, ato nuk ditën ta administrojnë këtë informacion dhe ndodhi ajo që ndodhi. Gjatë punës së vet për gjithë kohën sa zgjati lufta e ftohët, CIA, me dështime të kohëpaskohshme, arriti që t’i bëjë ballë veprimtarisë ofensive të KGB dhe shërbimeve satelite të saj. Ndonëse tani bëhen spekulime se gjatë luftës së ftohët KGB ishte më e suksesshme, kjo nuk mund të merret si e saktë nga shkaku se gjatë tërë luftës së ftohët numri i agjentëve të zbuluar ka qenë po thuaj i barabartë në të dyja anët ndërkohë, që ai i atyre të pa zbuluar dhe të cilët sot janë plakur nuk dihet. Nga vetë fakti se gjatë luftës së ftohët SHBA-të, kanë pasur informacion të bollshëm për atë se ç’ka po ndodh në kampin komunist, flet mjaft për efikasitetin e këtij shërbimi. Suksesi i CIA-s gjatë luftës së ftohët mundë t’i atribuohet një parimi bazë i cili është kryesori në punën e shërbimeve të zbulimit dhe të cilit CIA i është përmbajtur. Ky parim është: të qenit prezent në vendin ku projektohen të gjitha aktivitetet kundër teje. Se CIA ju ka përmbajtur këtij parimi më së miri e shpjegon Villiam Colby, udhëheqës i CIA-së gjatë viteve 1973 – 76, i cili thotë se: “ gjithnjë mendoja se objektivi kryesor i CIA-së ka qenë të futej në Kremlin dhe jo të bëjë lojëra më KGB-në.” Të arriturat teknologjike, gjatë kësaj kohe janë përdorur më tepër si mjete ndihmëse apo si mjete fiksuese. Kurse përpunimi dhe vërtetimi i materialeve është bërë në rrugë operative përmes agjentëve të infiltruar në radhët e kundërshtarit. Këtë më së miri e ilustron shembulli i krizës së raketave kubane. Në qoftë se amerikanet nuk do të dispononin informacion të grumbulluar paraprakisht në rrugë operative (nga agjenti O.Penkovski) për raketat SS-4, me siguri se nuk do të arrinin të bënin deshifrimin e tyre nga fotografitë e marra nga aeroplanët U-2. Pas luftës së ftohët, krerët e CIA-së, filluan t’i kushtojnë një vëmendje të shtuar aktiviteteve terroriste. Ndonëse edhe gjatë luftës së ftohët aktivitetet terroriste kanë qenë të pranishme, ato më të theksuara ishin në vendet evropiane. Për shkak se në masën më të madhe ato kanë qenë të sponsorizuara nga BRSS, dhe të organizuara nga KGB, efikasiteti i tyre nuk ka qenë i madh nga shkaku se këto dy segmente monitoroheshin nga afër prej CIA-s dhe shërbimeve perëndimore. Bile aktivitetet terroriste në ShBA thuaj se kanë qenë të pa pranishme. Ekzistojnë dyshime se kreun e terrorizmit botëror e ka kontrolluar CIA, përmes terroristit të njohur Iliç Sanqez Ramirez, i cili në fillim të viteve të nëntëdhjeta është arrestuar nga francezët dhe ende mbahet në burg pa u gjykuar. Aktivitetet terroriste të grupeve ekstreme islamike nuk kanë qenë në masë të madhe të përcjellura nga CIA, nga shkaku se gjatë luftës së ftohët këto grupe nuk kishin potencial organizativ për të bërë akte terroriste të përmasave të mëdha. Këto grupe në këtë kohë ishin në fazën e konsolidimit organizativ, shpirtërorë dhe material. Aktivitetet e tyre gjatë kësaj kohe ishin shumë transparente dhe hetoheshin shpejt. Pas rënies së BRSS, ShBA-të sikur u liruan nga një barrë e rëndë dhe aktivitetin e shërbimeve të zbulimit e reduktuan dukshëm. Reduktimet më të mëdha janë bërë në pakësimin e njerëzve apo agjentëve në teren. Gjatë kësaj periudhe, CIA, filloi të mbështetet kryesisht në grumbullimin e informacionit në mënyrë elektronike nga satelitët përgjues në hapësirë dhe në formën analitike të studiuarit të fenomeneve. Rasti i 11 shatorit më së miri flet se si ka dështuar teknologjia karshi organizimeve klasike që ka bërë Osama bin Ladeni. Edhe pse CIA me kohë e kishte fiksuar aktivitetin terrorist në rritje të bin Ladenit, ata ose i kanë besuar së tepërmi teknologjisë dhe kanë injoruar tej mase faktin se duhet të kenë njeriun e tyre në mes të Alkaidës, ose për shkak të organizimit të përsosur të kundërzbulimit të Alkaidës CIA nuk ka mundur te infiltrohet.