Kapen "urdhër-lëshuesit" për arrestimin e kryeministrit
Policia e Kosovës bënë të ditur se sot në orët e hershme të mëngjesit, në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë, njësit policore nga stacioni policor Qendra kanë ndaluar tre persona të dyshuar aktivist të “Lëvizjes Vetëvendosje”.
Ndalimi i këtyre personave të dyshuar është bërë për shkak se të njëjtit kanë bërë shpërndarjen e afisheve me përmbajtje “urdhër arrest për Kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe tre ministrave të tjerë”.
Afishet të cilat janë shpërndarë nga këta aktivistë kanë logon e Republikës së Kosovës dhe logon e Policisë së Kosovës.
Kjo afishe në formë të memos së policisë është e falsifikuar nga ana e aktivistëve të “Vetëvendosjes” e cila njëherit përmban edhe numrin e rastit i cili po ashtu është i falsifikuar.
Prokurori kujdestar i rastit ka urdhëruar që të njëjtit të lirohen dhe rasti të shkojë në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës, është e shqetësuar lidhur me veprimet e aktivistëve të “Lëvizjes Vetëvendosje” të cilët kanë falsifikuar dokumentin policor dhe te njëjtin e kane shpërndarë në lokacione të ndryshme të kryeqytetit.
PK-ja, me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve dhe opinionit të gjerë sqaron se aktivistët e “Lëvizjes Vetëvendosje” kanë bërë falsifikimin e dokumentit (afishet) të cilat kanë pas logo dhe përmbajtje policore, dhe se të njëjtin dokument kjo lëvizje e ka shfrytëzuar për aktivitete dhe qëllime politike.
Me këtë rast informojmë opinionin publik dhe njëherit konfirmojmë se dokumentet e tilla të shpërndara nuk janë dokumente zyrtare të PK-së dhe si të tilla nuk mund të konsiderohen si dokumente zyrtare.
“Urdhër arrest” për kryeministrin Thaçi
Dikush e kishte shfrytëzuar natën për të lëshuar një “urdhër arrest” nëpër Prishtinë për Kryeministrin Hashim Thaçi, zv/kryeministren Mimoza Kusari-Lila dhe ministrat Besim Beqaj dhe Bedri Hamza. Prishtina sot është mbushur me “urdhër arreste”, mirëpo deri tani askush nuk e ka marr përsipër ketë aksion.
Mijëra letra janë vendosur nëpër vende të dukshme në të cilat shkruan: Stacioni Policor Qendër pas marrjes së autorizimit nga Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se kanë vepruar kundër interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke e shkatërruar ekonominë e vendit përmes shitjes së ndërmarrjeve publike si: Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) dhe Distribucionit të KEK-ut si dhe dyshimit të bazuar qe të njëjtin kanë shprehur gatishmëri edhe për likuidimin e ndërmarrjes Trepça, lëshon Urdhër Arrest për personat e poshtëshënuar:
1. Hashim Thaçi
2. Besim Beqaj
3. Bedri Hamza
4. Mimoza Kusari- Lila
Në “Urdhër Arrest” thuhet se, të njëjtit, të motivuar nga interesat e tyre personale dhe klanore, e kanë dëmtuar rënë funksionimin e ndërmarrjeve me profitabile të vendit, në mënyrë që kështu ta arsyetojnë privatizimin me çmim sa më të lirë duke e rrezikuar seriozisht ekonominë e vendit. Këta persona dyshohet se janë vënë në shërbim të kompanive të huaja në mënyrë që duke ua shitur lirë ndërmarrjet e Republikës së Kosovës të përfitojnë shuma të majme parash.
“Të pandehurit edhe në raste të mëhershme kanë kryer vepra kriminale jashtëzakonisht të dëmshme për Republikën e Kosovës, dhe të njëjtit paraqesin rrezik të vazhdueshëm për shoqërinë, në rast se lihen të lirë. Policia e Kosovës i fton qytetarët që për çdo informatë në lidhje me vendndodhjen e personave të lartcekur të kontaktojnë në numrin e telefonit 112 apo në stacionin më të afërt të Policisë”, shkruan në urdhër-arrest./Indeksonline/
|
|