2012-08-23

Morali i njëanshëm i një pornostari



Në një nga emisionet e tij më të fundit në Piero Chiambretti Night (Italia 1), ideatori dhe drejtuesi i emisionit Piero Chiambretti kish ftuar aktorin e kinemasë porno, italianin Rocco Siffredi. Për ata që s’e dinë, Chiambretti është një surrogat i Lettermanit, veçse më i shkurtër e më burlesque nga kolegu i tij amerikan. E pra, Chiambretti fton Siffredin në një nga transmetimet e tij të orëve të vona dhe studioja është plot, dhe me siguri edhe publiku që e ndjek nga shtëpia është i madh, dhe të gjithë, përfshirë Chiambrettin, duket sikur varen nga goja e këtij burri që në jetën e vet thuhet se ka bërë seks me disa mijëra partnere.

Siffredi është tashmë rreth 46 vjeç, ende në formë, humori s’i mungon, e natyrisht edhe Chiambretti bën të vetën, e cyt, kërkon të dijë “si?”, “sa?”, “në ç’mënyrë?”, dhe kurrëndonjëherë pyetjet s’kanë patur kuptim kaq të drejtpërdrejtë dhe asnjëherë gjuha s’ka njohur një të tillë spontaneitet… Pas një karriere të pasur si aktor, por edhe si regjizor e producent, ish-pornostari jeton tashmë në Hungari, është martuar me një ish-kolegen e tij dhe kanë dy fëmijë. Rrëfimi shoqërohet natyrisht nga duartrokitjet në sallë, kanë ftuar madje edhe të shoqen, e cila flet për problemet martesore të çiftit. Problemet në kësi rastesh s’mund të jenë ato të zakonshmet, domethënë s’mund të jenë zënka e radhës për ndarjen e punëve në shtëpi, rritjen e fëmijëve apo paratë. Të shastisur, spektatorët e studios (por dhe ne në shtëpi) mësojnë se problemet e çiftit Siffredi qenkëshin të natyrës seksuale. Burri e kishte të pamundur “ta linte punën jashtë derës së shtëpisë”, çka me fjalë të tjera do të thotë që, edhe në intimitetin e shtratit bashkëshortor, Siffredi e ndiente veten dhe sillej me të shoqen si të qe para kamerave.
Mund të them me plot gojën që s’e kisha vrarë ndonjëherë mendjen për jetën seksuale të pornostarëve dhe historia gati-gati ngjallte keqardhje. Kujt ia merrte mendja që një pornostar mund të kishte probleme në shtrat? Kultura jonë anekdotike, bashkë me klinikat që premtojnë mrekullinë e 2 centimetrave më shumë, na kanë mësuar të mendojmë se problemet seksuale, kur nuk janë probleme moshe, janë probleme gjeometrie. Gjithsesi, pas rreth një ore bisede ku argumenti “seks” ishte shqyrtuar, stërholluar, psikoanalizuar (në studio kishin ftuar edhe një psikoanaliste), ishin hedhur kunjat e rastit dhe ishte shkelur syri i rastit – Hë qerrata, qerrata! do të kishte thënë Chiambretti sikur të dinte shqip – , s’dihet se kush përmend emrin e Moana Pozzit.
Moana Pozzi ka qenë një pornostare italiane e viteve ’80, e cila është bërë e njohur sidomos pas vdekjes tragjike në moshën 33-vjeçare. Rreth figurës së saj thuren ende legjenda në Itali, në këtë vend të habitshëm ku, nga njëra anë, dikutohet ende e drejta e përdorimit të pilulës së abortit dhe, nga ana tjetër, vlojnë skandalet seksuale në rangje politikanësh lokalë, ministrash e kryeministrash.
Në një atmosferë që trishtohet papritmas, Rocco lëvdon Moanën, thotë që ajo “s’ishte si të tjerat”, që Moanës “s’i pëlqente seksi”, që Moana “s’ishte si koleget e saj” daneze, franceze, amerikane…, me të cilat ka punuar ai. Këto ishin “ninfomane” (sipas fjalorëve shpjegues “ninfomania” është një anomali e sjelljes seksuale të grave dhe të femrave të gjitarëve në përgjithësi, e cila manifestohet me dëshirë seksuale të vazhdueshme dhe asnjëherë të përmbushur plotësisht), thotë Rocco, kurse Moana ishte ndryshe, “s’ishte bërë për atë botë”! Të gjithë tundin kokën me keqardhje: Ah, Moana, Moana, si të humbëm kështu Moana!, ndërsa unë pres më kot që drejtuesi i emisionit të habitet, të pyesë, të kërkojë të kuptojë se si ka mundësi që një pornostar në pension të gjykojë me një të tillë etalon koleget e veta, dhe indirekt edhe të gjitha femrat e species.
P. S. : “Edhe pornostarët moralizojnë!” iu ankova të nesërmen një miku që rastësisht kishte ndjekur edhe ai Chiambrettin. "Mikeshë e dashur,", m'u gjegj ky, "siç thosh profesori im Umberto E., 'Edhe gjinekologët bien në dashuri'".

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...