Nga: Remzie Zeqiraj, MA, Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK) Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati prezantuan tema mbi themelimin, zhvillimin dhe të ardhmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kuadër të ditës së dytë të zhvillimit të punimeve të konferencës Programi Shtetëror i Bashkëpunimit ndërmjet Ajovës dhe Kosovës.
Ministri Çeku në paraqitjen e tij foli për aspektin politik të themelimit të FSK-së , zhvillimit të saj dhe objektivave të Ministrisë dhe Qeverisë për zhvillimin dhe modernizimin e Strukturës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ministri Agim Çeku me këtë rast përmendi edhe faktin se misioni i FSK-së është i përcaktuar me pakon e Ahtisarit dhe se më deklarimin e përmbushjes së Kapaciteteve për FSK-në, tha Çeku, do të krijohen mundësi për më shumë kompetenca, dhe hapje e mundësive për integrime rajonale si edhe integrime në NATO.
Në fjalimin e tij ministri i FSK-së Agim Çeku e vlerësoj shumë lartë angazhimin e Gardës Kombëtare të Ajovës në funksion të mbështetjes së ofruar për FSK-në.
Ai tha se që nga marsi i vitit 2011, kur FSK-ja dhe Garda Kombëtare e Ajovës kanë nënshkruar programin e Partneritetit, rezultatet janë të dukshme dhe shumë konkrete. Ministri Çeku nga ana e tij shpalosi idenë për zhvillimin e FSK-së në një Forcë moderne, efektive dhe profesionale. Në fund ministri Çeku, falënderoj posaçërisht gjeneral majorin Timoti Orr, për angazhimin e tij si komandant i Gardës Kombëtare të Ajovas për mbështetjen e gjithanshme që ka bërë deri më tani për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në këtë seminar u paraqit me prezantimin për FSK-në komandanti, gjenerallejtënant Kadri Kastrati i cili shpalosi të arriturat e FSK-së që nga viti 2009, vit kur edhe është themeluar FSK-ja. Po ashtu gjeneral Kastrati foli konkretisht për fushat e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare, për mbështetjen që Garda e Ajovas ka ofruar për FSK-në. Ai më tej shtoi se aktualisht në FSK janë duke instruktuar disa oficerë të Ajovas dhe sidomos në zhvillimin e Korit të Nënoficerëve si shtylla e çdo organizimi ushtarak. Gjeneral Kastrati u shpreh i përkushtuar për vazhdimin e bashkëpunimit duke ofruar edhe fusha konkrete të identifikuara të cilat janë të vendosura si synime të tij si komandant i saj.
Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi në ligjëratën e tij u fokusua mbi çështje të sigurisë dhe funksionimit të ligjit në Kosovë. Ai tha se Kosova ka instrumente të sigurisë shumë funksionale dhe se krahasuar me vendet e regjionit, Kosova ka shënuar progres të dukshëm.
Po ashtu me temën për Rishikimin e Sektorit Strategjik të Sigurisë u paraqit para të pranishmëve Besa Kabashi Ramaj, këshilltare e lartë e ministrit të FSK-së Agim Çeku.
Temat e ligjëruara nga udhëheqësit kryesor të institucioneve të sigurisë së Kosovës, zgjuan interesimin e të pranishmëve të cilët edhe paraqiten një varg pyetjesh, gjithsesi për të fituar një pasqyrë të qartë të gjendjes në Kosovë.
Në këtë seminar po marrin pjesë edhe ministra, qeveritarë dhe zyrtarë të disa ministrive të Qeverisë së Kosovës, sot në zhvillimin e punimeve të konferencës ishte prezent edhe ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural zotëri Blerand Stavileci, i cili do të mbajë një ligjëratë në ditën e tretë të punimeve të seminarit.
Seminari tre ditor për në mes të shtetit të Ajova-s dhe Kosovës, filloi punimet sot me 15 gusht 2012, në Kampin “Dodge” në Des Moines të shtetit Ajova, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Seminari tre-ditor është përqendruar në planet dhe synimet për të ardhmen në kuadër të Programit Shtetëror të Partneritetit Ajova-s-Kosova. Qeveria dhe udhëheqës të sektorit privat nga Kosova dhe Ajova gjithashtu janë të pranishëm për të diskutuar mënyrat për të nxitur bashkëpunim konkret dhe intensiv. Seminari përfundon punimet në ditën e tretë, pra me 17 gusht 2012.