2012-08-19

Intervistë e Presidentit Nishani dhënë gazetarit Marin Mema të Televizionit “Top Channel”

Fjalimi i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës

Gazetari: Zoti Nishani, do të doja ta nisja në fakt me një pyetje të drejtpërdrejtë. Çfarë do të bëni ndryshe nga Presidenti paraardhës, Bamir Topi, të cilin mazhoranca ku ju keni bërë pjesë, le të themi deri dy muaj më parë, e ka kritikuar jo pak gjatë mandatit të tij?

Presidenti Nishani: Nuk e kam parë dhe nuk do ta shoh asnjëherë ditën e punës dhe tërë aktivitetin tim në Presidencë, gjatë këtyre viteve të mandatit, si një periudhë krahasimore me paraardhësin tim, apo me gjithë presidentët, që kanë qenë në detyrë, për faktin se, së pari e konsideroj angazhimin e gjithsecilit dhe të Presidentit aktual si një profil të perceptimit, të gjykimit, të konsiderimit të përgjegjësisë, përgjegjshmërisë dhe angazhimit në këndvështrimin individual.

Familja Presidenciale
Së dyti, më pas, pritshmëria e qytetarëve në përmbushje të detyrave kushtetuese të Presidentit të Republikës. Natyrisht që, Presidenti i Republikës në Shqipëri nuk ka pushtete ekzekutive, por ka një profil të qartë, të reflektuar në Kushtetutën e vendit dhe në akte të tjera për një kontribut të qenësishëm, real dhe të prekshëm në atë, që është një nga sfidat më të mëdha sot të shoqërisë shqiptare dhe që është sistemi i drejtësisë. Presidenti i Republikës është dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili, në bashkëpunim më komunitetin e gjyqtarëve në veçanti, por edhe me anëtarët e tjerë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka të gjitha mundësitë për të treguar me vepra konkrete se, në radhë të parë, gjyqtarët në sistemin gjyqësor të Shkallës së Parë dhe të Apelit, të cilat janë fusha e veprimit mbi të cilën Këshilli i Lartë i Drejtësisë vepron, duhet të promovohen mbi bazën vetëm të meritave konkrete, profesionale dhe performancës dhe integritetit të tyre qytetar dhe moral. E rëndësishme është që subjektivizmi të shmanget maksimalisht për sa i takon karrierës, apo vlerësimit dhe promovimit të gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit. Dhe, për të qenë akoma më i drejtpërdrejtë me qytetarët, do të synohet që ne të kemi, brenda një periudhe jo të gjatë kohe, le të themi një vlerësim, një renditje të gjyqtarëve të këtyre niveleve, publike, në mënyrë të tillë që të identifikohen se cilët janë në sytë e publikut, se cilët janë vërtet ata gjyqtarë, të cilët duhet të promovohen dhe duhet të konsolidojnë sistemin tonë gjyqësor. Të gjithë gjyqtarët, nëse do ta ndiejnë veten të mbrojtur, do e ndiejnë veten të pavarur, do ta ndjejnë integritetin e tyre të ruajtur nga sistemi vet, por edhe nga institucionet, unë besoj që këto elemente, të këtij mekanizmi do të jenë pastaj shumë të rëndësishëm për të filluar e për të ndërtuar atë që qytetarët presin nga sistemi i drejtësisë. Pra, fola për sistemin e drejtësisë për t’iu përgjigjur pyetjes suaj që ku do të shkojë vëmendja kryesore e angazhimit të Presidentit të Republikës.
Fjala e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në Kuvendin e Shqipërisë
Gazetari: Zoti Nishani, a do të kemi një Prokuror të ri në vjeshtë dhe si e gjykoni punën e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama deri në tani? Në gjykimin tuaj?

Presidenti Nishani: Për sa i takon Institucionit të Prokurorisë, unë e kam shprehur dhe herë të tjera, personalisht mendoj dhe e shoh Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë si një institucion, i cili duhet të ketë shumë më tepër angazhim, shumë më tepër përfshirje, shumë më tepër kurajë, shumë më tepër profesionalizëm në përballje me problematikat e mëdha që ka krimi i organizuar, por, veçanërisht korrupsioni dhe krimi ekonomik. Natyrisht që nuk mund të hidhet poshtë puna e bërë, shembujt pozitivë, kontributet e prokurorëve, ashtu siç unë kam të identifikuar dhe kam një panoramë të qartë mbi mjaft gjyqtarë me integritet dhe profesionistë të mirë, që janë dhe veprojnë brenda sistemit të drejtësisë. Ashtu jam i bindur në ekzistencën e një numri të konsiderueshëm prokurorësh me dinjitet, me kurajë dhe profesionalizëm, që funksionojnë brenda sistemit të Prokurorisë. Edhe në këtë aspekt, puna e tyre duhet vlerësuar dhe duhet promovuar, por, synimi im, kërkesa ime është shumë e madhe në aspektin e rritjes së mëtejshme të performancës dhe angazhimit profesional të Prokurorisë.

Gazetari: Kjo rritje do të thoshte një emër tjetër në krye të Prokurorisë?

Presidenti Nishani: Edhe një herë, unë ende nuk e kam bërë një analizë dhe gjykim për një emër të ri. Ajo, thashë, do t’i takojë momentit kur nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore do të vijë çasti për të vendosur që do të kemi një Prokuror të ri. Por, gjithsesi, për mua është e rëndësishme ai gjykim që unë kam për institucionin. Pra, pritshmëria e Presidentit të Republikës dhe besoj se përputhet me atë pritshmëri të qytetarëve shqiptarë, është shumë e madhe, për një ngritje shumë më tepër të punës së këtij institucioni.

Gazetari: Për t’u rikthyer edhe një herë tek çështja e Shërbimit Informativ Shtetëror. Ju keni deklaruar se emërimi i Kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror është një kompetencë e Kryeministrit. Kjo do të thotë se ju do e mirëprisnit, do e miratonit një propozim të një emri të ri nga ana e Kryeministrit?

Presidenti Nishani: Kjo është një çështje hipotetike dhe, natyrisht, Presidenti i Republikës duhet të flasë me akte dhe vendime të qarta në momentin, kur akti i vjen përpara Presidentit të Republikës, sepse një akt vjen në rrethana të caktuara, në situata të caktuara dhe me arsye të caktuara. Kështu që, vendimi i Presidentit të Republikës do të jetë gjithmonë i bazuar në ata ç’ka do i vijë Presidentit të Republikës. Ajo së cilës unë i jam referuar është ajo ç’ka është sot e reflektuar në legjislacionin shqiptar. Shërbimi Informativ i Shtetit është një institucion, i cili është në varësinë e Kryeministrit dhe kreu i tij propozohet për t’u miratuar, për t’u shkarkuar nga Kryeministri, i cili gjykon mbi bazën e objektivave të tij si Kryeministër. Por, nëse do të më lejoni edhe një herë, në mënyrë shumë të hapur dhe, duke qenë se e kam bindjen time këtë, unë e ripërsëris: për sa kohë drejtues kaq të rëndësishëm, të institucioneve kaq të rëndësishme ne i kemi në detyrë, unë personalisht do të preferoja gjithmonë që, qoftë nga pozicioni i Presidentit të Republikës, qoftë nga pozicioni i çdo qytetari të thjeshtë të këtij vendi, ne të mos krijojmë situata të tilla dhe prononcime të tilla. Aq më tepër, nëse Presidenti i Republikës do ta bënte këtë, nuk do të ishte korrekte as nga pikëpamja kushtetuese, as nga pikëpamja qytetare dhe as nga pikëpamja etike.

Gazetari: Zoti Nishani, ju jeni zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës. Duke pasur, le te themi akuzat, skepticizmin e opozitës, e cila ju ka quajtur “noteri i Kryeministrit”, apo i mazhorancës në këtë post. Si do e shlyeni, si do ta ndryshoni këtë qëndrim të opozitës? Cilat do të jenë aksionet tuaja të mëtejshme për të thyer këtë mendim të tyre?

Presidenti Nishani: Unë kam një pakt të madh me veten që në momentin kur unë kam pranuar të jem kandidati për President të Republikës dhe, padyshim, i firmosur dhe i vulosur pastaj ky pakt pas votimit dhe pas betimit në Parlament për të qenë një respektues i madh i detyrimit kushtetues, por, për të qenë edhe një respektues i vetvetes, i integritetit qytetar. Kështu që, për mua parimet janë shumë të rëndësishme. Kam bindjen që gjithmonë parimet kanë vlerën më të madhe në virtytin e njeriut, në virtytin e një shoqërie të caktuar. E rëndësishme është që në përmbushjen, në mbrojtjen, apo në përmbushje të objektivave që rrjedhin nga këto parime, gjithnjë njeriu të adoptohet në atë që ka të bëjë me interesat e mëdha të vendit, me interesat e mëdha të shoqërisë. Duke e parë në këtë prizëm, besoj që puna e Presidentit të Republikës do të dijë të reflektojë atë, të cilën qytetarët shqiptarë presin nga Presidenti i Republikës dhe jo atë, për të cilën mund të joshet dëshira individuale e individit, që është President i Republikës në një mandat të caktuar.

Gazetari: Zoti President, ju uroj për detyrën e re dhe ju falënderoj për intervistën!

Presidenti Nishani: Edhe unë ju uroj suksese!

Gazetari: Falemnderit!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...