Interviste me shkrimtarin Robert MARTIKO
Bisedoi:Raimonda Moisiu
Lindi në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1948. U diplomua inxhinier mekanik në Universitetin e Tiranës në vitin 1977. Në shpirtin e tij la një vragë të madhe realiteti diktatorial në Shqipëri, dy burgosjet e të atit prej regjimit komunist dhe veçanërisht vdekja e tij në burg, në vitin 1985.
Veprat e para letrare të Robertit janë dy romanet ”Dritëhije Shpirtrash të Humbura” dhe ”Flijime të Skajëshme”, në të cilat pasqyrohet jo vetëm shoku i fortë shpirtëror prej regjimit por njëkohësisht edhe admirimi i madh për prindërit e tij. Në qytetin e persekutimit të tyre, në Vlorë prej njerëzve të ndershëm të këtij qyteti, ata gëzonin me të vërtetë një respekt të madh.
I ati i tij Dino Martiko, një nga protagonistët e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, ishte personi që trajtoi marrëveshjen e dorëzimit të Sarandës prej italjanëve. Pa gjakderdhje. Ndërsa ajo që e ngrë atë në pidestalin e njerëzve të rrallë dhe më të ndershëm të botës, qe fakti që në vitin 1946 refuzoi një mision agjenturor në Greqi, i cili do ti hapte rrugën familjes për të dalë nga ferri komunist. I njihte qysh më parë pasojat e refuzimit. Gjatë torturave në hetuesi në vitin 1954 dhe 1979 ku përfshihet edhe një inskenim i gënjeshtërt vrasjeje pa gjyq, ai tregoi përsëri një karakter të çeliktë, duke iu bërë shpesh thirrje hetuesve të mos mundoheshin… ”Të varnin para syve të tij edhe djalin e tij të vetëm.” Edhe nëna e Robertit, Sofia Martiko, me origjinë nga Korfuzi, në hetuesi tregoi një karakter të fortë. Në të njëjtën mënyrë edhe vetë shkrimtari, ndonëse për një kohë të gjatë i u bë presion nga sigurimi shqiptar, për tu futur në radhët e tij, nuk u dorëzua… Të gjithë, familjarisht mbetën besnik të parimit: ”Mos ndërto lumturinë me fatkeqësinë e tjetrit.”
Pikërisht ky bëhet edhe ideal i romaneve. Konsiderohet prej shkrimtarit si parimi më hyjnor dhe më i lartë njerëzor. Duke i konsideruar ngjarjet politike të përshkruara në libra si fakte të papërsëritëshme më në historinë e njerëzimit, Roberti përpiqet të japë një dimension psikologjik dhe shpirtëror në tregimet e tij. Sipas tij, ajo që lidh të djeshmen me të kaluarën janë njerëzit, të cilët shkrimtari i gjykon si një vijimësi drejt peripecish të reja, pa përjashtuar të ashtuquajturën botë moderne, perëndimore ku njeriu është nën presionin e vijueshëm të fitimit dhe parasë. Sipas tij problem i përhershëm i botës nuk janë vetëm sistemet por edhe edukata e kufizuar e njerëzve në përgjithësi…
Sëbashku me pjesën e tij të dytë, romani në thellësi është i karakterit filozofik. Eshtë një tentativë për të kufizuar ekzistencializmin dhe pikërisht në pikën e tij më delikate: në atë të zgjedhjeve të modeleve. Zhan Pol Sartri si krijuesi më në zë i tij dihet: përballonte problem në këtë pikë, përderisa iu drejtohej njerëzve në lidhje me detyrat që atyre iu delnin për të formuar thelbin e tyre. Mirëpo ky filozof duke mohuar ekzistencën e modeleve qiellore nuk përfundon veç në ato njerëzore… Sipas shkrimtarit, ilustrimi më i mirë i tezës time të mësipërme, nuk mund të jetë veç vetë vëndi i sprovës më poshtëruese të njeriut: LINDJA KOMUNISTE. Heronjtë e tij ja dalin në krye për të vërtetuar të dy ekstremet. Eshtë për të shënuar se Roberti nuk shkroi në vitet e para të rinisë së tij: kur burgjet gjëmonin, porsa ndjeu vokacionin e tij të parë për letërsinë, ngaqë nuk donte të ndjehej i përzier me sistemet. Të njëjtin parim vijon të ndjekë edhe sot. U edukua prej prindërve dhe veçanërisht prej të atit me ndjenjën e vlerësimit të lartë për idealen, të pastrën, të bukurën dhe madhështoren.
Sot Roberti banon familjarisht në Korfuz, duke gëzuar në radhë të parë lirinë për të cilën ëndërroi aq shumë.
Z.Robert, cilat janë rrënjët e origjinës Tuaj.
Babai tim është me origjinë nga një vend me tradita të lashta trimërie dhe heroizmi, fshati Shën Vasil, i rrethit Sarandës: në të kaluarën, pesë herë më i madh nga ç’është sot. Dikur sëbashku me Nivicën përbënin portat e krahinës së lavdishme të Bregdetit, nga ku pengoheshin për të kaluar në brendësi të zonës, ushtritë turke apo ato të Ali Pashë Tepelenës. Nëna ime është nga ishulli i Korfuzit.
Si ka qënë fëmijëria Tuaj?
Për fëmijërinë time, mund të them se qe behar brënda familjes dhe dimër jashtë saj. Veçanërisht, kur bëhej diçka më e dallueshme, shija e hidhur e burgjeve të babait tim apo privimet e vijueshme politike. Megjithatë njerëzit e ndershëm në qytetin e Vlorës familjarisht, na donin dhe respektonin. Respektin e kam ndier edhe tek shokët e mij të punës, ku megjithëse problemet politike më ndiqnin nga pas, më shumë gjëndesha në krah të punwtorëve se sa në atë të drejtuesve kryesorë të ndërmarrjes. Ndërsa për ngrohtësi të përkryer mund të bëj fjalë, vetëm kur gjëndesha në gjirin e bashkëfshatarët e mij në Shën Vasil, kur shkoja për pushime verore. Isha fëmijë, kur kaloja sokakëve… Do të dëgjoja fjalë të ëmbla, që më drejtoheshin prej grave apo plakave të fshatit.
Keni kryer studimet e jeni diplomuar si inxhinier mekanik. Ç’farë ju shtyu për të studiuar në këtë degë?
Ndonëse gjimnazin e mbarova me nota të shkëlqyera, e drejta e studimit mu dha pas pesë vjetësh. Dhe kjo falë disa miqve tanë familjarë, një pjesë e të cilëve njiheshin prej tim eti nga koha e luftës e më vonë. Për mua, tani që i shqyrtoj gjërat me sy më të qetë, e konsideroj gabim që zgjodha degën e inxhinierisë mekanike për të studiuar, ndonëse përfitova mjaft nga studimi në këtë degë të bukur, si fjala vjen mendimin matematik, metodizmin, programatizmin etj. Për të thënë të vërtetën, letërsinë apo tendencën për të filozofuar dhe ëndërruar e kisha në gjak, pavarësisht që nuk shkruaja në kohën e diktaturës. Dhe kjo për arësyen e thjeshtë se nëse do të merrje penën në dorë, për të shkruar, personazhet që kishin nevojë absolute, për ta bërë një gjë të tillë, qenë pikërisht: të vrarët, të munduarit apo të burgosurit… Qe koha kur Krimi dhe Burgjet gjëmonin në gjithë vendin.
Kush ka ndikuar në formimin Tuaj?
Të dy prindërit e mij, veçanërisht im atë, ka influencuar më shumë. Kur ndonjëherë binte fjala në shtëpi dhe ai merrte një pozë lavdëruese para bashkshortes së tij, nënës time (një grua veçanërisht e duruar e pa gojë, për shkak të tragjedisë politike që përjetonim gjithë jetën) thoshte: “Ngaqë e kam këshilluar vazhdimisht, jam bërë për tim bir si Kambanat e Jerusalemit. Po ti?…” Ajo i përgjigjej se edhe ajo kishte influencuar në formimin tim… Kryesisht nëpërmjet shëmbullit të saj të mirë. Natyrisht edhe prej saj nuk më munguan këshillat.
Cila është gjëja më e rëndësishme që ju keni mësuar, që kur kini filluar të kuptoni se ç’farë është jeta?
Për mua kryesorja në jetë mbetet kjo, madje e nënvizoj: “Mos formo lumturinë tënde me fatkeqësinë e tjetrit!” Në kushtet e egra të diktaturës mu dha mundësia, të provoja vetvehten. Pasditen e Korrikut 1990, kur udhëtonim familjarisht drejt Korfuzit, më dukej sikur një anije pirate, do të na kthente sërishmi pas, andej nga ishim nisur. E kisha ëndërruar këtë ishull një jetë të tërë, nga koha e nanurimës së ëmbël të nënës time. I pari mendim që më lindi në kokë, porsa u futëm në ujrat greke, qe ky: Sistemi komunist na shkatërroi jetën, një njeri e lamë të vdekur në burg, por të paktën, nuk kam njeri në ndërgjegje. Ndjehesha diçka si i mpirë, edhe pse qeshë duke fituar lirinë, të cilën e kisha ëndërruar pa pushim… Çudi! Jo mjaft entusiast për momentin. Sidoqoftë, porsa mendova për ndërgjegjen time të pastër, ndjeva të përfshihesha prej një lumturie të vakët.
Sot e kam ballin lart. Më lind e drejta për ti parë shqiptarët në sy. Mund të mburrem madje, që rezistova rreth dy vjet rresht, në një moshë relativisht të re, të mos futesha në rrjetin e sigurimit, megjithë presionet e shumta që më bëheshin. Këtë qëndrim mbajta deri në fundin e diktaturës.
Babai Tuaj, Z. Dino Martiko, ka qënë një nga protagonistët e luftës Nac.- Çl. Në një moment historik për fatin e atdheut tonë, ai ka luajtur një rol po aq historik. A ju ka treguar ai, për këtë ngjarje që hyri në Historinë e Shqipërisë ?
Im atë, prej tre qeverish të ndryshme, u burgos nga dy herë secila. Gjithsej gjashtë herë. Enver Hoxha i dha fundin duke e vdekur në burg. Rezistencën antifashiste familja ime, e Martikojve, e pagoi me mjaft dëshmorë, një prej tyre qe vëllai i tim eti.
Dino Martiko është personi që ka marrë në dorëzim qytetin e Sarandës, në kohën e kapitullimit të Italisë fashiste. Bile, ndryshe nga ç’ndodhi në Gjirokastër, ja doli në krye, ta merrte Sarandën në dorëzim, pa gjakderdhje. Dhe kjo, ngaqë duke komunikuar në gjuhën italiane me komandantin e garnizonit të qytetit, arriti ta kërcënojë atë me vendosmëri, duke i kujtuar se trupat partizane dhe çetat territoriale kishin rrethuar qytetin… Veç të gjitha aspiratat për të ndryshuar botën, sipas konceptit leninist, u përmbysën për babanë tim, porsa mori fuqinë i ashtuquajturi Pushtet Popullor. Dy vjet e mbajtën në parti. Qe nga të parët që u përjashtua, me motivacionin: “Nuk ke urrejtjen e duhur për klasat e pasura!” Kjo qe e vërtetë, pasi gjaku i shqiptarit derdhej si lum, veçanërisht në atë kohë… Karakteri shpërthyes i tim eti u bë pengesë për arrestimet në fshatrat e Bregdetit të Sarandës. Në celulën e partisë, ku merrte pjesë sekretari i parë, n/kryetari i Kom. Ekz. dhe kryetari i degës së P. B., Dino Martikua jo pak herë e kishte cilësuar këtë të fundit si spiun të ialianëve. Arrestimet e para në fshatrat Shën Vasil, Nivicë, Lukovë etj filluan në një kohë kur tim atë e kishin përjashtuar nga partia. Vetë përjashtimin e tij nga celula, ai e konsideroi si shpëtim prej një vendi spiunllëqesh, paditurie e ligësie. Dhe natyrisht, një fitore të madhe për parimet e tij njerëzore e morale, të cilat e shoqëruan deri sa i doli shpirti. Në burg.
Më pas sistemi komunist u përpoq me të gjitha mënyrat për të shfrytëzuar, ndershmërinë, kredibilitetin, inteligjencën , përkushtimin e babai Tuaj të nderuar ndaj idealit për komb e atdhe, duke dashur ta rekrutonte atë në misionet agjenturore? Si e sfidoi, si i mbijetoi babai Tuaj kesaj demagogjie? Pse e burgosën Atin Tuaj? Cili qe kërcënimi,që i nderuari Z.Dino Martiko, i sillte shoqërise dhe sistemit në fuqi?
Kontradikta e parë dhe më kryesore me sistemin lindi ngaqë im atë refuzoi një mision agjenturor në Greqi, pothuajse menjëherë pas luftës. Propozimi iu bë nga dy të deleguar të ardhur posaçërisht në Sarandë, nga Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit. (Pararendësja e Min. P. B.) Im atë u përgjigj prerë, me dy fjalë të thjeshta… “Unë jam ekonomist. Nuk e njoh këtë zanat.” Nëse do ta kishte pranuar, do të na nxirrte familjarisht jashtë shtetit, madje edhe motrën time që gjëndej e sëmurë nga poliomeliti dhe kishte nevojë urgjente për tu kuruar. Veç, do ti duhej të spiunonte shqiptarët e arratisur, minoritarët grekë apo vetë grekët që ndodheshin në Greqi. Për ç’do fjalë të tyre, do ta paguanin shtrenjtë familjet e tyre në Shqipëri me burgje, internime apo edhe me marrjen e jetës… Ky pikërisht qe misioni i agjentëve shqiptarë jashtë shtetit, që shpesh paraqiteshin si të mbuluar me një aureolë martiri… Nuk bëhej aspak fjalë për dhënie informatash, për zbulimin e sekretit të bombës atomike. Kuptohet: me këtë lloj karakteri të rrallë, im atë nuk mund të bënte prokopi në sistemin komunist. Edhe pse si drejtues banke ai konsiderohej si një nga ekonomistët më të zotë të asaj kohe. Erdhi gradualisht duke rënë në pozitë. Në vitin 1954 u arrestua me motivacionin për agjenturë dhe agjitacion e propagandë. Arriti të mos thyhej nga hetuesia e Degës P.B. të Vlorës vetëm në saj të karakterit të tij papërkulur. Paraburgimi zgjati gjashtë muaj. U dënua me shtatë vjet burg, në bazë të kodit sovjetik, në fuqi. Në vitin 1979, në moshën gjashtëdhjetë vjeç u arrestua përsëri. Hetuesia e tij zgjati nëntë muaj. Por përsëri nuk u dorëzua. Në burgun e parë, iu drejtohej hetuesve me fjalët : “Mos u mundoni kot. Shkoni në shtëpi dhe merrni djalin tim të vetëm. Më thoni që do ta varim këtu para teje. Nga unë nuk keni për të nxjerrë asgjë.” Nga hetuesia e dytë nuk morëm vesh asgjë. Sipas Kodit Kinez: më i egër nga i pari, u dënua me njëzetë e tre vjet burg, ku edhe vdiq, pa arritur të kthehet në familje.
Të njëjtin karakter heroik tregoi edhe nëna ime Sofia Martiko. Nuk u thye nga hetuesia e Vlorës. Mbasi edhe tek ajo mbizotëronte motua tonë familjare: “Më e ëmbël është vdekja se sa të pranoj të dal dëshmitare nëpër gjyqe, duke marrë jetë njerëzish në qafë!” Qe një grua e cila, për shkak të natyrës së saj të thjeshtë, gëzonte simpati madje edhe nga familjet e privilegjuara të regjimit. Ç’do urrejte si greke dhe e deklasuar, zhdukej ndaj saj si me magji, porsa njerëzve iu binte rasti të njiheshin nga afër.
Ju jeni shumë i njohur në Forumet dhe Portalet virtuale në internet, për mendimin Tuaj, inteligjent, paqësor, filozofik dhe shpirtëror. Ku qëndron forca dhe morali i karakterit Tuaj universal?
Unë mendoj se për njeriun ka shumë rëndësi ajo që Sokrati, filozofi më i madh i lashtësisë greke, thoshte se për fëmijën merr një rëndësi të veçantë Lindja e Shpirtit. E ëma e tij rastiste të qe mami dhe si e tillë asistonte në lindjen e foshnjeve… Sokrati thoshte se pas lindjes natyrale, fëmija duhet ti nënështrohet lindjes së shpirtit. Me pak fjalë, nëpërmjet edukatës së dhënë, ta drejtosh atë drejt të bukurës, të ndershmes, ideales, madhështores, shpirtmadhësisë, edukatës, heroikes etj… Nuk mund të them se unë personalisht, jam një korife në këtë pikë. Thjesht, kam ruajtur edukatën në jetë dhe ndërgjegjen e qetë, të mos kem njeri në ndërgjegje. Asgjë më shumë. Dhe kjo, kryesisht në saj të tim eti, i cili që ditën e tretë të daljes së tij nga burgu i parë, filloi të më mësonte elemente të një bote e cila qe fshirë pa nam e nishan nga sistemi i edukatës komuniste, ku në plan të parë qe vendosur vëllavrasja e spiunllëku. Kur u tregonte për shkollën e fshehtë miqve të tij të ngushtë, ata habiteshin për guximin dhe patjetër, ndershmërinë e tij…
Ju jeni autor i romaneve” Dritë hije shpirtrash të humbur” dhe “Flijime të skajëshme “, si ju lindi ideja për të shkruar këto romane dhe cili është mesazhi qe ju transmetoni nëpërmjet tyre. Nga e kini marrë inspirimin për të shkruar keto romane?
Romanet e mia në thelbin e tyre kanë karakter filozofik. Ideja për të shkruar këto, filloi si një kundërvënie filozofike ndaj Zhan Pol Sartrit. Këto dy romane, përbëjnë një orvajtje për të kufizuar ekzistencializmin dhe pikërisht në pikën e tij më delikate: në atë të zgjedhjes së modeleve. Zhan Pol Sartri si krijuesi më në zë i tij dihet: përballonte problem në këtë pikë, përderisa iu drejtohej njerëzve në lidhje me detyrat që atyre iu dalin për të formuar ndërgjegjen e tyre. Mirëpo ky filozof, duke mohuar ekzistencën e modeleve qiellore, nuk përfundon veç në ato njerëzore… Sipas meje, ilustrimi më i mirë i tezës sime të mësipërme, nuk mund të jetë veç vetë vendi i sprovës më poshtëruese të njeriut: LINDJA KOMUNISTE. Heronjtë e mi ia dalin në krye për të vërtetuar të dy ekstremet. Madje edhe në Perëndim: matanë ish Perdes së Hekurt, ku edhe aty gjen ekstreme ultranegative. Natyrisht, Sartri ka meritën humane, të jashtëzakonshme, se nëpërmjet ekzistencializmit të tij, tenton ta nxjerrë Njeriun nga primitivizmi apo gjëndja e kopesë… Por sipas meje, kjo nuk mjafton për shoqërinë ku jetojmë, nëse asaj i mungojnë modelet e heronjve, trimave, altruizmit dhe vetsakrifikimit ekstrem. Njërin prej këtyre heronjve e gjeta të mishëruar tek babai im Dino Martiko, i cili sakrifikoi familjen dhe vetë jetën e tij për të mos pasur në ndërgjegje mikun, fqinjin, të njohurin por edhe TE PANJOHURIN, i cili mund të jetë i bardhë, i kuq, i verdhë apo i zi. Thjesht: edhe sikur njeriu më i fundit në botë të jetë… Ndonëse nuk mund të quash asnjë të fundit. Secili prej tyre është NJERI.
Prandaj edhe vetë vepra ime letrare, tenton të marrë një karakter të përgjithshëm dhe universal.
Jeni një krijues i mirëfilltë, ç’mund të na thoni për botimet Tuaja në të ardhmen?
Patjetër sistemi komunist ka lënë në shpirtin tim gjurmë të pashlyeshme. Do të vijoj të shkruaj për mizeralibilitetin dhe tmerret e tij. Veç do të dëshëroja ti jepja prozës time një hapësirë më të madhe shoqërore, aktuale… Fjala vjen të tregoj për vragët e thella që lë në shpirtin e një fëmije, braktisja që i bëhet prej prindërve të tij dhe të tjera tema të kësaj natyre…
Çfarë ka sjellë në krijimtarinë Tuaj , ndryshimi gjeografik midis atdheut e mërgimit?
Ishulli i Korfuzit ku banoj, nuk ndodhet veç një hap larg Sarandës. Duket sandejmi madje, edhe bregdeti i Shën Vasilit e Nivicës, mali i Kakomesë apo Krorëzës… Kur shiu pushon së rëni, të duket sikur po të shtrish dorën, mund të prekësh Ksamilin apo Butrintin. Sikur merr frymë brënda në Shqipëri… Veç nuk mund ta konceptoj dot se si një njeri i ndershëm si Zoti Sali Berisha, lejon që të mbahen ende të robëruara këto vende. Nuk mund të marrim tokat që denbababaden qenë pronë e fshatrave tona. Mirë tokat dhe ullinjtë brenda në fshat, që u ndanë në bazë ligjesh komuniste pas rënies së sistemit dhe ne qytetarët nuk përfituam asgjë. Nuk e kuptoj se ç’farë mafje ekonomike e mban ende të bllokuar Bregdetin? Përse duhet ta konsiderojmë vehten të dëbuar e grabitur prej vend-lindjeve tona, madje edhe prej atyre forcash politike, të cilat i aspiruam dhe i përkrahëm shpirtërisht, moralisht e politikisht?…
Sidoqoftë, jam një nga ata, që besoj tek Zoti Sali Berisha, kryeministri aktual i Shqipërisë. Se do të bëjë diçka për gjithë Bregdetin. Pikërisht aty konsiston zemra e turizmit të ardhshëm, masiv shqiptar. Prandaj pyes: kur do të hiqen sandejmi përfundimisht, zbarat e tij të hekurta?
Diçka rreth aktivitetit e krijimtarisë Tuaj në Korfuz?
Në ishullin e Korfuzit kam një ndërmarrje të vogël, që merret me ndërtimin tabelave e materialit figurativ e propagandistik për magazina e aktivitete të ndryshme turistiko - ekonomike.
Veprat Tuaja janë vlerësuar nga kritikët, çfarë mendoni tu ofroni krijuesve në përgjithësi nga përvoja e përftuar?
Kur arrij diçka, sado të vogël, ndjehem i përmbytur nga dëshira për ta ndarë atë me këdo që më kërkon ndihmë. Do të doja të mësoja se kusht i domosdoshëm për të shkruar, është kultura. Gjithashtu, sipas meje, të kesh drejtuar shpirtin rreth gjërave të pastra në jetë. Mbi të gjitha, të mësohesh të bësh një jetë të ndershme. Mjaft shkrimtarë të cilët konsiderohen të mëdhenj, po ti vrojtosh diçka më thellë, matanë dritave dhe vitrinave të tyre verbuese në Shqipëri, dallon me keqardhje se nuk kanë brumin e duhur moral, për të ofruar diçka reale, konkrete për NJERIUN. Sado i madh të jetë talenti i tyre. Në shumicën e rasteve jeta e tyre ka qënë një Qëndër e Institucionalizuar Krimi. Për mua ka më shumë rëndësi, që nëpërmjet artit të fjalës të mund të hap sytë e njerëzve. Të bëhen më të ndershëm e më të dobishëm për shoqërinë. Veçanërisht më preokupojnë fëmijët… Pikërisht ata janë baballarët e njerëzimit.
Profesioni Tuaj është inxhinier mekanik, kur filloi të trokasë krijimtaria letrare, artistike në shpirtin Tuaj?
Kur isha në gjimnaz bëja hartime të bukura. Pikërisht atëhere, tentoja të shkruaja diçka. Edhe pse nuk ndjehesha i lirë, pasi banesa tonë rrezikonte të bastisej. Siç ndodhi kur arrestuan babanë tim, për herë të dytë. Ruaja disa shkrime të thjeshta, në një bllok… Arrita ti mashtroj atë ditë, oficerët e degës. Nga dy bibliotekat e librave, shumica në gjuhë të huaj, (nuk kishim asnjë vepër të E, Hoxhës) më vunë të nxirrja një nga një librat. E kuptova se këtë e bënë, për të provuar se si do të reagoja unë ndaj ndonjë libri të caktuar. Kur iu afrova ditarit tim, e hodha atë, i shkujdesur në tufën e librave, në drejtim të një ose dy oficerave civilë që ndodheshin të ulur në krevat, duke më përgjuar lëvizjet. Pikërisht, kështu shpëtova nga burgu i sigurt. Ndofta edhe më keq.
Cila është gjinia Tuaj e preferuar?
Kryesisht romani dhe tregimet.
Nga e merr muzën për të krijuar?
Për të bërë shaka, shpesh Muza mund të imagjinohet si Santa Klaus, që vjen nga jashtë me dhurata të bukura, por unë më tepër e imagjinoj si një skllave të bukur, diçka si Haideja me Kontin e Montekristos… Kjo të drejtohet përherë me fjalët imzot…
Kanë thënë për krijimtarinë Tuaj…
Më shumë më ka bërë përshtypje një thënie e eruditit e shkrimtarit Jozef Radi, i cili më shkruan: “Sigurisht, një moral i tillë është për t’u ngritur në piedestal, por problemi qëndron pikërisht tek fakti se një moral i tillë, nuk i nevojitet më shoqërisë që i përkasim dhe është krejt tjetër etaloni i vlerave morale të kësaj shoqërie.” Eshtë një thënie me perkursion universal.
Cilën ëndërr nuk kini realizuar?
Po të mbyllësh sytë, ëndërrat mund të të shfaqen si një pafundësi diejsh, konstelacionesh, yjesh… Veç njeriun duhet ta karakterizojë përherë mënçuria. Të mos ëndërrojë shumë në jetë, por të përpiqet shumë, për të arritur diçka.
Ç’mendim keni për hapjen e dosjeve?
Edhe sikur dosjet të hapeshin, unë nuk do të prisja asgjë të jashtzakonëshme e sensacionale prej tyre. Të paktë janë ata që ndjehen të vrarë shpirtërisht nga e kaluara e tyre e errët. Kjo është kryesorja. Akoma më të paktë janë ata që kanë shkuar tu kërkojnë falje viktimave. Dikur një shkrimtar i madh i kërkonte diktatorit, për bashkatdhetarët e tij, shqiptarë. të ngrinte trekëmbëshin. Ç’farë dosje të hapen? Mjaft prej tyre të hapura janë. Reagimi i shoqërisë ka më shumë rëndësi. Kur një gazetë kryesore në Sh. B. A. dha një lajm të pasaktë se gjoja kishte vdekur Hrushovi, lexuesit e saj e bojkotuan atë për gjashtë muaj rresht.
Sigurisht unë marr shëmbuj të pakrahasueshëm…
Si i shikoni përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare, kosovare dhe shqiptare, për çështjen e Pavarësisë së Kosovës?
E drejta për të qënë sovran, i lirë dhe i pamvarur është një e drejtë e shënjtë dhe hyjnore për çdo popull në botë.
A urren Roberti?
Jo.
Dashuria me e madhe e Juaja?
Gruaja dhe fëmijët e mij.
A keni armiq?
Nuk besoj.
A fal Roberti?
Patjetër. Veç, dhjetë herë më shumë fal, kur thuhet fjala e shënjtë: “Më fal!”
Cilët janë miqtë Tuaj më të mirë?
Kam mjaft miq të mij, të mirë, të ngushtë këtu në Korfuz, si dhe mjaft të tjerë në Shqipëri apo në vende të tjera të botës. Një prej tyre, konsideroj Vasil Qesarin të cilin e ndiej mjaft afër shpirtërisht. Eshtë shoku im i fëmijërisë. Prej tij ndjehem veçanërisht i mrekulluar, kur më dërgon mesazhe rreth aktivitetit të tij ditor, si gazetar, në një nga qendrat më të mëdha televizive në Francë. I kam bërë koleksion materialet e tij, të mbushura me gjithë ato impresione e mrekulli të jashtzakonshme, që i përkasin një vendi të jashtzakonshëm si Franca.
Kush janë shkrimtarët Tuaj të preferuar, brenda dhe jashtë atdheut?
Jashtë Shqipërisë më kanë pëlqyer mjaft veprat shkrimtarëve të mëdhenj si Lion Fojhtvanger, Stefan Cvaig, Franc Kafka, Ernest Heminguej… Ndërsa në Shqipëri më ka pëlqyer Lasgush Pogradeci, Jakov Xoxa dhe nga më të rinjtë Faruk Myrtaj. E konsideroj si të ardhme të letrave shqiptare. Gjithashtu poetët Primo Shllaku, Kolec Traboini, Evis-Maria Xhajanka, Albana Mëlyshi, etj.
Cilët janë politikanët Tuaj të preferuar, në botë dhe Shqipëri?
Mbaj si idhull Mahatma Gandin, Mandelën, De Gasperin, Zhyskar Destenin, Pertinin, Les Valesën, Boris Jelsin… Pa harruar shpëtimtarin tonë: Gorbaçovin. Në Shqipëri më ka pëlqyer mjaft karakteri i fortë i Azem Hajdarit.
Zotëron disa gjuhë të huaja. Sa ka ndihmuar kjo në formimin Tuaj?
Gjuhët e huaja janë dritare të vërteta kulture, për këdo, veçanërisht sot në kohën e Internetit dhe Shoqërive të Hapura.
Keni vizituar disa vende, në botë, me një demokraci të mirëfilltë. Çfarë do të dëshironit të kishte Shqipëria jonë nga këto vende?
Në Shqipëri do të doja të mbizotëronte në radhë të parë edukata, ndershmëria dhe karakteri. Sa për gjërat e rralla, tradicionale, siç është fjala vjen edukata, besnikëria apo ndershmëria e gruas shqiptare i konsideroj si gjëra kulmore, të cilat shpesh qëndrojnë shumë më lart edhe nga civilizimet e sotëshme perëndimore.
A ka pasur momente që jeni ndjerë i dyzuar për të marrë një vendim?
Nuk mbaj mend të më ketë ndodhur një diçka e tillë. Njeriu duhet të jetë i parapregatitur për gjërat kryesore, që kërkon dhe aspiron në jetë, në mënyrë që, nëse vjen çasti i duhur, të dijë të zgjedhë atë që do.
A ke bërë ndonjë gabim që ja sheh gjurmët edhe sot?
Në gjërat kryesore jo.
Çfarë ju lidh me Vlorën?
Më lidh një numër veçanërisht i madh shokësh miqsh dhe familjesh të ndershme vlonjate. Imazhi i të persekutuarve të dikurshëm, është diçka që më prek edhe sot. Prandaj shkruaj tek libri im “Dritë hije shpirtrash të humbur” që njeriu prej vuajtjeve të hequra në jetë, shënjtërohet. Po padashur ish të vuajturit dhe të persekutuarit u shndërruan në fizionomi të tilla: të shenjta.
Nëse do të kishit mundësi të ktheheshit edhe njëherë pas në kohë, çfarë do të ndryshonit?
Nuk do të doja të ndryshoja asgjë. Mbi të gjitha është çështje bese dhe karakteri.
A do të kthehet Roberti ne atdhe?
Siç shkruaj edhe më lart, unë ndodhem fare pranë atdheut tim. Mund të shkoj aty kur të dua. Ndodhem një hap larg fshatit të bukur të Shën Vasilit, ku prehen kockat e prindërve të mij të dashur…
Diçka të fundit që doni të shtoni?…
Më bën përshtypje puna e mrekullueshme që bën Vitore Leka, Agim Bacelli, Merita Bajraktari, Luigj Shkodrani, , Albert Zholi, Dalip Greca, Pierre - Simsia, Nase Jani, Petraq Pali, Ylli Polovina apo edhe ju Zonja Raimonda e shumë të tjerë, fjala vjen Alida Hisku… Të gjithë janë hedhur në përpjekje për të riformuar copat e thyera të një kombi të shpërndarë në gjithë botën nga kanibalizmi i politikanëve… Sikur të bëhet fjalë për të riformuar e shënjtëruar copat e një mozaiku të shënjtë. Jo vetëm tek personat e mësipërm, por tek të gjithë intelektualët shqiptarë, vërehen përpjekje titanike, për të riformuar një Shqipëri shpirtërisht të brishtë e të ndershme, për të cilën shkruaj te libri im i parë tek tregimi “Kukulla të Ngrira” . Pikërisht, këta lloj njerëzish përbëjnë për mua një nga idealet e mia të shenjta…
Me këtë rast, dua të theksoj se Rilindja e Vërtetë e Shqipërisë do të vijë vetëm nga NDERGJEGJIA e PERKRYER dhe EDUKATA e çdo shqiptari në veçanti… Gjithë thelbi i ndershmërisë dhe edukatës njerëzore nuk përmblidhet veç në këto fjalë të thjeshta.
Ju faleminderit dhe Suksese!
Intervistoi: Raimonda Moisiu, SHBA