Shkruan Flori Bruqi
Kosova është gjaku im që nuk falet...
Epika
Me shekuj kam shitur gjakun
E jam rritur me gjakun e shitur
-Me shekuj kam hëngër veten
E ditur s'kam të qesh me veten e tepruar...
Miq,
Kosova është gjaku im që nuk falet!
Unë Biri Yt
Unë biri yt, Kosovë, t'i njoh dëshirat e heshtura,
t'i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t'i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t'i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan,
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
Unë, biri yt.
Ali Podrimja i përket një brezi të ndritur shkrimtarësh dhe poetësh që jetën dhe veprën e tyre ia përkushtuan lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës. Dhe në këtë plejadë të shkëlqyer shkrimtarësh dhe artistësh veçohet poezia e Podrimjes, ndriçon arti i tij i rrallë poetik, vetëdija kombëtare prej rilindasi. Vepra e poetit Ali Podrimja është dhe do të jetë emblemë e shqiptarisë dhe për poetët e sotëm dhe të ardhshëm, model i një arti të lartë, i një poezie të ndershme.Për më shumë se gjysmë shekulli ishte zëri identitar i Kosovës, zëri që artikuloi dhembjen dhe shpresat e Kosovës , idealet dhe synimet e saj...Ali Podrimja, me të gjitha veprat e tij, por sidomos me kryeveprën “Lum Lumi”, arriti ta universalizojë dhimbjen dhe tragjedinë personale, arriti që vargun shqip ta skalisë përsosmërisht....
.....
Tim bir, Lumit
Erdhe në jetë
Nuk ka më nevojë për kuje, lutje
Kryesorja të jetosh
Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë
Prandaj:
Bukën ta pjekësh dy herë nën saç
Ujin ta ziesh deri në shkallën 99
Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër
në kohë kosmos.
Në ciklin e poezive të përfshira në vëllimin "Lum lumi", që me leximin e parë shquan dhimbjen në përmasa totale për sëmundjen e pashërueshme të të birit, por njëkohësisht është e pranishme edhe fryma e krenarisë dhe e qëndresës së fisit. Është e pranishme, gjithashtu edhe dhimbja për syrin e birit të sëmurë, për të cilin ka nevojë frëngjia e kullës në mbrojtjen e truallit dhe të dheut. Edhe tek poezia tjetër "Dhoma e vdekjes" janë të pranishme grimca dhe reflekse të legjendave autoktone: lufta nëpër shekuj e fisit ndaj të keqes në përgjithësi. Në drejtim të ligjërimit artistik, poezitë e vëllimit "Lum lumi" mund të emërtohen si lirikë e pikëllimit, me prirje elegjiake. Në këtë poetikë vërehet shqiptimi i drejtpërdrejtë i emocionit dhe i mesazhit, pa mbështjelljen e domosdoshme me petkun figurativ. Këtë derdhje të drejtpërdrejtë të botës së brendshme të pikëlluar, që vetëpërmbahet nga një tendosie e madhe shpirtërore dhe fizike, do ta hasim edhe më pas në atë pjesë të lirikës së Ali Podrimjes, të cilën mund ta emërtojmë dhe si lirikë politike. Si rrethi tematik, ashtu dhe frymëzimi poetik, vendosen në sfondin e tërësisë lirike me tematikë patriotike, sfond ky që shtrihet si qiell universal në tërë veprën krijuese të Ali Podrimjes.
Variacionet e frymëzimit tematik, si dhe perspektiva e soditjes dhe e detajit poetik, modelet dhe ngjyrimi i ngarkesës emocionale dhe filozofike të kësaj poezie apo strukturimi figurativ i vargut, mund të konsiderohen si një prirje bosht apo si prirje në tërësinë poetike shqiptare sot. Janë të shumtë emrat e poetëve të rinj që e pasojnë krijimtarinë e Ali Podrimjes, natyrisht ata që me forcën e talentit arrijnë ta asimilojnë brenda individualitetit të tyre krijues.....
Po të përqendrohemi në rrugën dhe ecurinë krijuese për këto dyzet vjet, mund të themi me plot bindje se Ali Podrimja e filloi rrugën e vet poetike nën ndikimin dhe frymëzimin gati magjepës nga e kaluara e kombit dhe e Kosovës. Në këtë hark kohor poetik, nën fuqinë e brishtë dhe të virgjër të lirikut, poeti ka arritur të njëjëzojë zërin e unit folës, me atë të unit kolektiv. Më pas, sidomos me vëllimin poetik "Torzo", që me të drejtë vlerësohet si kulmi artistik i Ali Podrimjes, uni lirik gradualisht tërhiqet, intimizohet, zhvishet nga patosi i unit kolektiv, personalizohet.
Në këtë fazë të rrugës krijuese (rrethi tematik është gjithnjë në valët e lirikës patriotike), uni përthyhet përmes filozofisë dhe botëkuptimit të poetit, tanimë të pjekur dhe të formuar apo gërshetohet me reflekset e përjetimeve intime nga përditshmëria e poetit. Në fazën e tretë, ku mund të radhiten dhe ciklet poetike "Mbi lumin", si lirikë poetike ka prirje për t'u zhveshur nga mbështjellja figurative e artikulimit poetik. Është faza kur poeti, jo domosdoshmërisht dhe jo përherë, botën e vet e shqipton përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (simbolit dhe metaforës).
Në vend të saj kemi një shqiptim të prerë, të drejtpërdrejt, që kryesisht artikulohet përmes shkallëzimit të ironisë dhe, në raste të rralla arrin në sarkazëm dhe anatemë....
Lirikat e frymëzimit tematik politik në krijimtarinë e Ali Podrimjes, (sidomos ato të viteve nëntëdhjetë), degëzohen brenda tri refleksioneve: refleksi i nxitur nga pushtuesi i tokës kosovare; refleksi tjetër, i nxitur nga "hipokrizia e Evropës", qëndrimi i së cilës ndaj fatit shqiptar në çaste të caktuara historike ka qenë fatal dhe tragjik për tërësinë e kombit dhe në fund, refleksi që nxitet nga pjesa e keqe e kombit të vet.
Përballë "hordhisë pushtuese" poeti vë kalanë e tij mbrojtëse, të veshur simbolikisht, si guri, kulla, muri, Rozafa, që përbëjnë korpusin e kështjellës shpirtërore të kombit me rrënjë dhe origjinë antike në këtë truall dhe në këtë hapësirë. Përmes kësaj lirike, edhe pse të frymëzuar nga ngjarjet e ditës, poeti arrin që ta asimilojë artistikisht lëndën nga e cila frymëzohet, të mos bjerë për asnjë çast në banalitet, dhe aq më pak në patriotizëm të rremë dhe folklorizëm shterpë.
Edhe indiferenca dhe dyfytyrësia e Evropës ndaj çështjes dhe fatit shqiptar, është njëra nga vatrat që e ka nxitur, sidomos gjatë viteve të fundit, frymëzimin poetik të Ali Podrimjes. Ai e shpreh
pezmin e vendimeve të padrejta të qendrave evropiane ndaj lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve, duke u bërë thirrje shqiptarëve se duhet t'i dalin vetë për zot çështjes së tyre. Në kuadër të kësaj lirike, që e emërtuam politike, poeti nuk lë pa fshikulluar sjelljen e atyre shqiptarëve që janë indiferentë ndaj dramës, të cilën e përjeton Kosova e aq më pak ndaj atyre që me sjellje a veprime e pengojnë këtë luftë, duke u vënë në shërbim të pushtuesit. Prirjet për grindje dhe përçarje, për vënie kufijsh rajonalë, krahinorë, fisnorë, dhe besimtarë, janë reflekse që i shkaktojnë shqetësim dhe dhimbje poetit. Si dukuri të ditës, në vargun poetik të Ali Podrimjes së talentuar, ato kanë mundur të shndërrohen në vlera poetike që shënojnë kulme të poezisë aktuale shqiptare....
Me të drejtë mund të thuhet, se Ali Podrimja është ndër poetët më të shquar të lirikës patriotike në poezinë aktuale shqiptare. Poemthi Híja e tokës është matricë e përbashkët frymëzimi poetik dhe e cikleve Guri, Kulla, Cungu, Poema e heshtjes, Kali i Trojës, Dëftore, Pylli, etj. Edhe tek vargjet intime, familiare të poetit, madje dhe tek vargjet e përfshira në vëllimin Lum Lumi, që janë vargje të dhimbjes dhe pikëllimit për vdekjen e të birit (Lumit), shqetësimi krijues për Kosovën dhe etninë është në sfond, prapavijë e përhershme, atmosfere nisëse dhe përmbyllëse.
Poetika e vargut të Ali Podrimies, e çliruar nga konvencionet tradizionale, shquhet për gjuhë ekspresive e të pasur figurative, për shqiptim të dendur, dramatik dhe komunikativ. Është një poetikë në kërkim të pandërprerë për mundësi të reja e originale të artikulimit të emocionit, të imagjinatës dhe filozofisë jetësore. Shtylla standarde të korpusit figurativ në këto poezi janë emërtimet: Guri, Kulla, Pylli, Cungu, Muri, Ura... Poetika e Ali Podrimjes është e dendur me dramacitet historik, origjinal, përmes të cilit arrihet unifikimi i plotë mes individit dhe kolektivit, mes vetëdijes individuale dhe asaj kolektive. Përmes simbolikës së tillë mitike dhe antike të fisit, Ali Podrimja arrin vlera universale të përgjithësimit artistik. Pikërisht në mbështetje të ngjyrimit emocional, shpirtëror të fisit të vet, vlera krijuese e kësaj gjuhe arrin të marrë vlerë gjithënjerëzore.
Pylli
Cikli Pylli është një faqe tjetër e udhëtimit nëpër botën e kombit, të fatit të tij. Pylli, simbol i bashkësisë së botës dhe të njerëzimit është shkelur, pushtuar nga dhëmbi i ujkut. Përtej pyllit është lumi që shuan etjet e truallit, tokës etnike, stërgjyshore, por për të ecur lirshëm nëpër pyll duhet të të prijë Ylli (ideali, besimi), i shqiptuar në frymën e një përralle popullore. i tërë cikli "Pylli" është një mikrohistori e rrëfyer poetikisht, me anë simbolesh dhe aluzionesh që sjellin mesazhin për trashëgiminë tonë etnike. Poezia "Dëftore" pak më e gjatë se Pylli është një tjetër perspektivë ligjërimi: ardhja dhe ikja e pushtuesve gjatë shekujve shprehet me gjuhë realiste. Ajo është ardhje pushtuesish si mbretër, sulltanë, kralë, përherë në përsëritje. Ndërsa, njësoj si tek cikli Pylli, edhe tek Dëftore, është i gjallë besimi i poetit, vizioni i hapur drejt të nesërmes, lirisë: një brez i ri, një frymë e re, por edhe një fyell (poetik) zgjon gjakun e arbërit dhe të Kosovës, njësoj si tek rilindasit....
Bukuria
Zgjata dorën në livadh lulen me këputë
"Mos - fqiu im i dashur më bërtiti-
-do të vyshket!
Qita hapin, kalin e bardhë me mbërri-
-vashën e ëndërruar kaherë.
"Mos! - përsëri m'u gjegj fqiu.
Unë qava me mall edhe atëherë.
Hodha dorën në gjithësi me pikëllim-
Çel e mshel sytë dritë m'u bë.
"I lumi ti!" - dikush më bërtiti në përqafim
e kurrgjë tjetër s'pashë as ndjeva.
Sot e atë ditë, kudo e kërkoj fqiun tim të mirë.
Këtë poezi Ali Podrimja e ka shkruar në vitin 1960, në moshën 18 vjeçare, kur ishte gjimnazist në Gjakovë. Kjo poezi tingëllon si një përrallë e rrëfyer nga ndonjë gjysh i lashtë. Bart me vete një fshehtësi të thellë të njeriut gjatë rrugës së tij të jetës. Mesazhi i saj është pothuaj i hapur; s'ka asgjë të fshehtë, për të cilën rrëfyesi lirik mundohet ta fshehë, përkundrazi. Ai e ka jetuar jetën me të gjitha gëzimet dhe mundimet dhe tani i takon roli i plakut të urtë, që me shumë urti nuk jep këshilla, por i sugjeron ato nëpërmjet përvojës së tij vetiake. Poeti jep mesazhin: po lakmove ta kesh, ta pushtosh "botën" me një hap, me një lëvizje, po lakmove ta zotërosh cakun e fundit me një të goditur, me një të këputur, do të jesh humbës i përjetshëm. Në fillim, mbase në rini mund ta këpusësh lulen ose vashën, por do vijë dita kur të ëndërrosh caqe përmasash të largëta, të pafundme, të përjetshme. Është koha kur të shuhet zjarri për të arritur diku, por të ndizet pendesa që s'ke arritur qëllimin. Dhe ky qëllim jepet si vizion i bukurisë që s'ka fund. Një trajtim filozofik ky, nga ana e poetit, që ndonëse është vetëm 18 - vjeç imagjinata e ndezur dhe talenti poetik e bëjnë të arrijë në mesazhe universale....
Ti dhe Uji
Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s'mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s'është simbol i kohës sate as i artit tënd
(Unë gjthmonë ia kam frikën edhe Lules edhe
Femrës)
Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë.
Kjo poezi është nga perlat e krijimtarisë poetike të Ali Podrimjës madje dhe në poezinë shqiptare. Ajo i përket vëllimit Lum Lumi botuar më 1982, dhe i kushtohet djalit të poetit, Lumit, tashmë të pajetë. Ndërsa poezia mban datën e krijimit në vitin 1979, kur Lumi ishte ende gjallë, por shumë i sëmurë. S'ka asgjë vajtuese, asnjë ankesë, asnjë mallkim në këtë poezi, përkundrazi poeti krijon atmosfere mjaft poetike, duke e pozicionuar veten në vend të prindit, i cili as që mund ta shkojë nëpër mend vdekjen e fëmijës së vet, pasi kjo është kundër vetë ligjeve të natyrës.
Ajo që është më e dhimbshme se vetë dhimbja në këtë poezi shfaqet në formën e këshillave të babait ndaj birit, sikur ai ka këtë jetë të gjatë përpara. Porositë, siç mund të shihet shtrihen në një rrafsh të gjerë të ekzistencës, e sidomos në planin e formimit etik dhe kombëtar të personalitetit. Cili duhet të jetë ideali, synimi kryesor i Lumit, Çfarë duhet të dojë dhe Çfarë të urrejë në jetë, prej kujt duhet të mbrohet dhe për kë duhet të kujdeset. Këto amanete të nxjerra nga përvoja shekullore e trollit, e Kullës tingëllojnë të përhershme e të çdokohshme. Ato përhapen si jehonë e hapësirës etnike dhe njerëzore njëkohësisht. Ai që ka ekzistuar para teje jam unë.
Dhe në këtë përhershmëri vdekja bëhet e papërfillshme....
Vrima e Parë Fyellit Tim
ç'gurron guri në gurinë
gur guri ndër gurë më i guri
gur i gurëzuar pranë gurit
gurth i nguruar rreth gurit
gurron guri në gurë gurësh
guro guroje gurin në gurinë
ç'guri pranë gurit gur guri
vrimë e parë e fyellit tim.
Kjo poezi është e shkëputur nga cikli Guri. Njëjëzimi ndërmjet subjektit poetik dhe gurit është aq sugjestiv, sa vetvetja e poetit shndërohet në metaforë për gurin. Me këtë rast guri, pra urtia, lashtësia, durimi… janë qenësi e tërësisë dhe e trollit të poetit, janë të gjithëpranishme njësoj si shpirti dhe kënga e zërit poetik. Latër distikët e kësaj poezie dallojnë nga të tjerat për efektin emocional që nxit përsëritja e shpeshtë e bashkëtingëlloreve dhe e zanoreve të caktuara (asonanca dhe aliteracioni), ku mbizotëron kombinimi ndërmjet r- së dhe u- së.
Po të lexohet disa herë me radhë, është e pamundur t'i shmangesh ndjenjës së përjetimit të një ritmi gurgullues, plot gjallëri dhe freski rinore, të një vargu jetësor të pakëputur, unik dhe këmbëngulës në shpërthimin dhe kapërcimin e pengesave gjatë rrjedhës. Dhe në vazhdimësi në poezitë e tjera të ciklit Guri, poeti vë veshin mbi gur dhe dëgjon impulsin epik të tij, që arrin deri në të tashmen dhe synon të ardhmen
Hija e Tokës
Ara e misrit është kallur
(nata si kalë hamshor vrapuar ka
jashtë e brenda shtëpisë sime
me mua vrapuar ka
e ara e misrit kallur është)
dhe livadhi rrëzë shtëpisë
dhe vreshta ime e vogël
dhe plepi.
gjithë natën e lume kallur janë
me sytë e mi të përgjakur
Ara e misrit është herrur
Plepi ka rënë
Dhe zogu im i mbramë.
Unë kam kafshuar etjen
Deri sa vdekja pikon
- O, si ta ndjell atë zog të bardhë,
si të bëhem dritë, o vëlla, mbi varrin tënd?
Medet, na i dogj krejt
Fushat e bukës
Dhe livadhet tona
Rënkimi
Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat,
E vatrat shkimbur deri në një.
Zogun në qiell, zogun ta kanë vrarë
Me duar të mia të çara
Me rrashtat tona të shpuara mbuluar të kanë;
Pragje thyer e konaqe mbyllur...
Për gjithkë e për askë vrarë jemi...
Qaj, rrafshi im i dashur, qaj.
Plepi im qiellin do ta shpojë,
Plepi im i kallur
Qiellin e humbur majë një shpate.
Guri
(Pres me ditë tres përditë)
hudh gurin në hapësi
sizifi plak me mund
prapë e hudh dhe e hudh
valë e më valë e i gjallë
pres me ditë tres përditë
hapësi e hapësi kërkon
rrënjë lëshon në mundësi
në pamundësi erna tremb
hudh gurin në hapësi
hapësi çpon e çpon
kohëra e kohëra përgjak
dhe mund Sizifin plak.
Metafora e Jetës Sime
nëse s'flas
jeta ime s'ka qetësi
fiala ime bëhu Unë
heshtja të të mos shtypë
në gurë
rnulliri
nëse s'flas
jeta ime s'ka qetësi
fjala ime bëhu Unë
plaga ime
le të marrë
frymë thellë
Shtat Lëshon një Lulëkuq
heshtja ime është më e vjetër
se unë e më e fortë
se vdekja ime
ajo është pamundësia ime
heshtja kur fle
numëroj yjet
luaj me hije luaj me thika
e një fushë të bardhë
shtat lëshon
një lulkuq
se heshtja ime
ka peshën e gurit të mallkuar
dhe gjuhën e njeriut të gozhduar në shkëmb
Një Ditë
një ditë heshtja
do të më gjuajë
me eshtra të mia
ose do çmendem duke rrënuar.
PAK BIOGRAFI
Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie.
Ali Podrimja /28 Gusht, 1942 - 21 Korrik, 2012 /lindi e u rrit në Gjakovë. Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jeton aktualisht. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën "Jeta e Re". Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më drámatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën.
Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:
Qaj rrafshi im i dashur, qaj! (fjala është për rrafshin e Dukagjinit,)
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
E vatrat shkimbur deri më një...
Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik ,Hija e tokës", të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.
Në vitet '80 e '90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).
Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut.
Synimi i poetit për t'u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t'i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë. Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë.
Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.....
MËRZIA E DHEUT
Shqipet fluturojnë nganjëherë
dhe ulët
Nuk ka kush u hap qiejt
Mbi krah u rëndon mërzia e dheut
(Ulqin, qershor 2004)
MUGËTI
Kur shndërrohesh në deponi
Pikën e bardhë kërkoje në Univers
Perënditë e vdekur zgjoi pastaj
Të shkunden lisat e gjatë
të Naimit
Dhe Majë Pashtrikut ngjitu
Plehu të mos ia shkojë rritës
(Ulpianë, maj 2004)
FUNDSHEKULLI
Kur dhuna
bëhet ligj
liria është afër
Njerëzit rrinë zgjuar
Natë as Ditë
s’tregon Ora
Rreth qafe me gishtërinj e vesh
e sy fëmijësh
hijet shndërrohen
në varr të gjallë
Liria s’është larg
kur ligji
bëhet dhunë
(Feldafing, qershkor 1992)
PËRFYTYRIMI
Dikund i kam parë këto fytyra
Dikund jam takuar me këta njerëz
Edhe këtë muzikë e kam dëgjuar
Vëllau im Aleksandër Moisiu ndoshta
Ma ka dërguar ndonjë kartpostale
Nga Salcburgu nga Vjena
Ose në ndonjë shirit filmi ka mbyllur
Tërë këtë madhështi shpirtërore
Të më trimërojë para Vdekjes
Këto fytyra i kam parë dikund…
(Salcburg, 1992)
MBYLLJA E LIBRIT TË TË VDEKURVE
E hëngrën tokën deri në varr
se erdhën të tjerët tevona
dhe i bënë
varr
(Feldafing, 5.5.1992)
CREDO
qeni leh
kur i bien dhëmbët
dhe thonë atëherë
se dreserët kohët e vështira i kujtojnë