Del nga Shtypi romani "Arta" i shkrimtares Bukurie Bushati. Botimi i Shtepise Botuese "ADA" me redaktor Demir Gjergjin
FATE TË FSHEHUR TE FJALA
Letërsia e shkrimtareve është më e paktë në botë, se sa ajo e shkrimtarëve, po jo më pak e lashtë, po jo më pak e lexueshme, po jo më pak e rëndësishme, madje mund të themi të kundërt, ndërsa na vjen ndërmend Safo e antikiteti apo Virxhina Vulf e modernitetit: Po t’i bënim vetes pyetjen se çdo të ishte letërsia pa autoret, përgjigja do të ishte e përafërt me përgjigjen e pyetjeve: “Çdo të ishte vetë letërsia pa personazhin femër?” apo “Çdo të ishte bota pa femrën?” Gjëja e parë që të vjen ndërmend, se, pa këtë letërsi, mungesa më e madhe do të ishte klima e butë, ndjenjat fine, marrëdhëniet plot hire, komunikimi “mondan”.
Kjo mund të thuhet natyrisht edhe për letërsinë shqipe. Vërtet autoret në të janë më të pakta, vërtet ato shfaqen më së shumti në letërsinë e re shqipe, por prania e tyre e ka rëndësinë te risitë që kanë sjellë me penat e tyre. Mjafton të përmendim një Dora D’istria, Një Margaritë Tutulani, një Drita Çomo, apo një Elenena Kadare, një Mysyne Kokalari, apo një Natasha Lako dhe pastaj menjëherë të vijnë ndërmend një kurorë e madhe dhe e ndritshme autoresh, pa të cilat letërsia shqipe do të murgëronte, në mos e vetme, e trishtuar dhe hijerëndë.
Dhe këto autore vazhdojnë të shtohen përditë duke sjellë, emocione leximi dhe befasi vlerash. Antologjia e tyre do te ishte e shumëvëllimshme dhe në të do të zinte vend me dinjitet emri dhe botimet e Bukurie Bushatit. E ikur prej vendlindjes, prej atdheut dhe Ballkanit dhe e detyruar të rrojë në mërgim në një tokë kontinentale, përveçse se është trishtuar nga malli, përveçse është gëzuar nga ato që i ka falur jeta, përveçse është ndjerë zonjë brenda familjes së vet, ajo e ka të domosdoshme të kërkojë ndihmën e fjalës së shkruar për te zbuluar fatin e fshehur. Jo vetëm fatin e saj, por edhe të shumë “shqiptarkave” të tjera, siç thoshin rilindësit. Dhe kështu ajo ka hyrë ne letërsi jo “për t’u bërë shkrimtare”, por për te gjetur fatet e fshehura te fjala.
Dhe për t’ia arritur kësaj ajo ka zgjedhur përmasat e romanit. Me ngulmin, vullnetin dhe durimin e nënës dhe gruas Penelopë, ajo është ulur në avlëmendin e letërsisë për të endur jetë dhe fate personazhesh. Dhe kësaj ia ka arritur më së miri. Këtë gjykim e nxjerrim duke lexuar edhe librat e saj të mëparshëm, por sidomos pas kemi përfunduar se lexuari këtë roman të saj të radhës.
Ajo që të bie në sy, më së pari, në letërsinë e Bukuries është thjeshtësia, tipar i cili asnjëherë nuk duhet marrë si nivel mesatar apo nën të, kur kemi të bëjmë me një prozë të këtyre përmasave siç është romani që kemi në vëmendjen tonë. Sot është shumë lehtë të ulesh para kompjuterit dhe të mbushe faqe e faqe Wordi duke gënjyer të tjerët dhe veten se po bën letërsi. Këtë e di mirë edhe Bukuria, ndaj ajo është matur mirë para se të fillojë të kërkojë fatet e fshehur te fjala, pra, para se të fillojë të bëjë letërsi. Bukuria e di mire se vjen ne letërsi pas atyre emrave që përmendëm më lart dhe se do të ndodhet në vëmendjen e një lexuesi modern, me pretendime për nivel artistik. Ajo e di mire se duhet ta detyrojë këtë lexues që të lërë internetin, televizorin, celularin për t’ia dhënë kohën e tyre prozës së saj. Për pasojë, proza e Bukuries vjen e rrjedhshme dhe të rrëmben fjali pas fjalie, duke të detyruar t’i shkosh romanit deri në fund duke u bërë bashkudhëtar i Artës dhe personazheve te tjetër. Thjeshtësia e stilit të saj, të cilën e përmendëm pak më parë, e bën atë të lexueshme për nivele dhe shtresa të ndryshme lexuesish, duke filluar nga ai i zakonshmi e deri tek ai i niveleve të larta. Në stilin e Bukuries nuk gjen figuracion të drejtpërdrejtë dhe të atypëratyshëm, nuk gjen mjete ekzibicioniste te formës, por falë frazës së saktë, plotë ritëm dhe ngjyresa emocionale, fale një dialogu te besueshëm, të cilin ndërsa e lexon, të duket se po e dëgjon, falë përshkrimit të natyrshëm të situatave, ai krijon atë gjendje emocionale që ta krijon vete jeta e jetuar, vetë bota reale. Mjetet e formës, sidomos figuracioni në këtë vepër kanë shtrirje dhe përmasa që i kërkon vete kjo gjini.
Për këtë arsye Bukurie Bushati, me botime të këtij niveli, mendoj se e ka vendin me dinjitet me letërsinë bashkëkohore të autoreve shqiptare.
Demir GJERGJI