Interviste me Dr Fatmir Terziun; pedagogun, krijuesin, gazetarin, regjisorin, editorin dhe kritikun letrar.
Intervistoi Raimonda Moisiu
Fatmir Terziu është bërë një nga intelektualët me në zë të diasporës shqiptare gjatë këtyre viteve të fundit. I pranishëm në media, si publicist i talentuar, krijues, kritik letrar, studiues, editor, si dhe rregjizor i sukseshëm në kinematografinë që lëvrohet në Britani të Madhe, pa dyshim që ai ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve, duke u bërë kësisoj, një model për të gjithë të vendosurit në Perëndim.
Mbas studimeve për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, ai ka punuar si mësues dhe drejtues në disa shkolla, në rrethin e Dibrës dhe atë të Elbasanit. Pas viteve 90-të, ka qenë kryeredaktor i gazetës “Fjala e Lirë”, gazetar i “Rilindja Demokratike”, drejtues emisionesh, gazetar dhe drejtor i televizionit “Dardan”, korrespodent i mjaft mediave të tjera, në Shqipëri e jashtë vendit. Në vitin 1996 është shpallur reporteri më i mirë i vitit nga gazeta “RD”. Ndërkohë, në shtypin shqiptar ka botuar analiza dhe kritika në fushën e letërsisë, duke qenë i sukseshëm për figurat e njohura të asaj periudhe, si Ismail Kadare, Dhimitër Xhuvani, Fatos Kongoli, Bardhyl Londo, Zija Çela, Teodor Laço, Astrit Bishqemi, Vath Koreshi, Beatriçe Balliçi, Flutura Açka, Ramiz Gjini, Visar Zhiti etj. Ndërsa si autor, është në librat “Mos Hesht”, “Ecje në Qelq”, “Grykës”, “Misteriozja” “Djalli i Argadasit”, ku me këtë të fundit është edhe fitues i çmimit “Kadmus”, “Bunari”, “Lumenjtë e ëndërrave”, “Kohëbota”; “Në vend të lotit”; “Joni Poetik”, monografia studimore kushtuar poetes Iliriana Sulkuqi, studimi për letërsinë për fëmijë etj. Është fitues i çmimit të parë nga BBC për tregimin “Ghost Diamond” (Hija Diamant). Është autor edhe i disa librave të tjerë: Dy vëllime me kritika dhe analiza bashkëkohore letrare, studime në fushën e medias dhe letërsisë shqiptare për fëmijë, dy vëllime me poezi e tregime, si dhe një roman, janë librat e tjerë të vlerësuar nga kritika e huaj dhe ajo shqiptare. Është autor i studimit në gjuhën angleze dhe shqipe me temë krijimtarinë e Ismail Kadaresë, si sprovë për kulturën e memorjes dhe identitetit shqiptar. Të tjerë libra presin dritën e botimeve së shpejti, në gjuhën shqipe dhe angleze. Librat e tij, plot tetëmbëdhjetë tituj ndodhen në Bibliotekën Kombëtare Tiranë, disa biblioteka të qyteteve shqiptare, Londër, Shkup dhe Prishtinë. Me qindra ese dhe analiza studimore janë botuar nga media, gazeta dhe revista shkencore britanike dhe shqiptare.
Që nga viti 2001 jeton, studion, dhe punon në Mbretërinë e Bashkuar. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Eshtë nga të paktët intelektualë shqiptarë, që në kohëqëndrimin e tij si emigrant larg atdheut, ka zgjedhur të pajiset dhe të plotësoj formimin e tij në Britani, ku ka studiuar për media, komunikim, dhe më tej për film, televizion dhe kulturë, politikë dhe filozofi, kritikë letrare dhe gjini. Në fushën e kritikës dhe analizës letrare është vlerësuar si një nga më të mirët e kësaj fushe sot në krijimtarinë shqiptare. Në publicistikë e gazetari ka botuar “Trokamat në Jetën e Një Pene” dhe ka gati një sërë materialesh të tjera letrare për botim. Në gjuhën angleze ka botuar “Parametric Narration in Norman Wisdom Movies”, “Tearing Up the Past”, “Writing the Documentary with Student’s Experience”, “The script: Simple and Complicate” dhe dhjetra ese të ndryshme në fushën e medias të vlerësuara nga akademikët anglezë. Studimin e autorit “Parametric Narration in Norman Wisdom Movies” e ka vlerësuar edhe akademiku Richard Dacre me një artikull të publikuar në mediat profesionale britanike ku shprehet: “studim befasues i Fatmir Terziut”, ndërsa studimi tjetër “Reprezantimi i Personales për Publikun” është vlerësuar nga Dr Heather Nunn dhe nga Profesor Dr Michael Channan dhe Prof Dr Anita Biressi. Në vazhdim të edukimit të tij të mëtejshëm ka studiuar në High Melton College, South Thames College për gjuhën angleze dhe për HNC, Certificatë e Lartë Nacionale në Britaninë e Madhe për Media Production (media prodhimtari). Ka marrë nivelin e lartë (Gradën-nivel A) për Communication Media (media komunikim) pranë Universitetit London South Bank University (2004). Më tej kreu studimet në London South Bank University, pranë Faculty of Arts and Human Sciences për Digital Film dhe Video Production (2004-2007) ku dhe punoi po në këtë universitet në “Widening Participation Unit”, që është pjesë e departamentit të edukimit në këtë institucion. Doktoratura e tij dhe puna në fushën kërkimore akademike dhe lekturimi i kanë dhënë autoritetin e profesionalistit që konkurron mes modestisë së tij. Për kë të mjafton të citojmë dekorimin që iu bë kohët e fundit nga “Albanian Life Quality Union” në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Ambasadori shqiptar në Britani Mal Berisha do të shprehej se ‘Fatmiri është poetik’ në të gjitha komunikimet. Autori pas përfundimit të studimeve në fushën e artit, medias dhe filmit ka krijuar këto filma dhe dokumentarë me metrazh të shkurtër dhe të gjatë: “Trokamat në Jetën e një Pene” (2003), “Rivermusic” (2004), “Windy Corner” (2006), “Clouds of Smoke” (2007) etj. “Windy Corner” dhe “Clouds of Smoke” janë përzgjedhur nga Britfilms dhe janë renditur në historinë e filmave britanikë. Vlen të theksohet se filmi i tij i fundit “Clouds of Smoke” (Retë e Tymit) ka qenë filmi i parë i krijuar nga një shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar të ketë fatin të seleksionohet dhe të shfaqet më 5 Qershor 2007 në Curzon Soho, aty ku shfaqen filmat e mëdhenj Hollyvudianë. Filmi është prezantuar edhe në disa festivale (Nju Jork Film Festival), pasi është një bashkëpunim i autorit me DEFRA-n, Departamenti i Mjedisit Ushqimit dhe Aferave Bujqësore në BM, ku është edhe protagonisti kryesor z. Alex Palman, pasuar edhe nga gazetari i mirënjohur i BBC-së Mike Sergant. Shumica e filmave dhe pjesë nga krijimtaria e autorit mund të shikohen në internet në faqen e BBC-së dhe në faqen e tij: www.fjalaelire.com. Krijimet e autorit janë publikuar në UK nga BBC, ku autori ka fituar dhe një kompeticion me tregimin “Hija Diamant” (Ghost Diamond), i cili mund të lexohet në faqet e BBC-së dhe nga mjaft organe të shtypit dhe medias. Pas fitimit të titullit Master në Media, Kulturë dhe Poltikë nga Universiteti i Roehamptonit, z. Terziu është duke vazhduar punën e tij kërkimore ne fushën e medias pranë London South Bank University. Doktoratura ka provuar aftësi dhe profesionalizëm në fushën akademike.
Që prej gjashtë vitesh, boton në internet revistën intelektuale kulturore-letrare, “Fjala e Lirë”, dhe është që nga maji i vitit 2008, kryeredaktor i gazetës “Albanian Mail”, dhe “Albanian News”, të cilat botohen në Londër”. Ishte edhe mik e studiues i aktorit më popullor në Britani, Norman Wisdom ( Pitkini) i njohur edhe tek ne me filmat e tij komik. Me botimin e revistes internetike “Fjala e Lirë”, ka mundur të mbledhë e të njohë më tej krijimtarinë e autorëve shqiptarë, sidomos të atyre në diasporë, ku nuk mungojne edhe analiza e kritika, të cilat vlerësohen si shumë profesionale e bashkohore. Emra si Murat Gecaj, Viron Kona, Agim Mato, Timo Mërkuri, Sejdi Berisha, Xheladin Mjeku, Agim Shehu, Vilhelme Vranari Haxhiraj “Mjeshtër i Madh”, Pëllumb Kulla, Faruk Myrtaj, Iliriana Sulkuqi, Raimonda Moisiu, Roland Gjoza, Kolec Traboini, Mëhill Velaj, Vaid Hyzoti, Sami Milloshi, Lazër Stani, Nase Jani, Aleko Likaj, Andi Meçaj, Kostaq Duka, Andrea Zarballa, John Hodgson, (përkthyesi i parë i Kadaresë në anglisht) etj., janë bërë pjesë, jo vetëm e stafit, por edhe “bërthama” rreth së cilës janë afruar plot intelektuale dhe krijues në disa kontinente, deri në Australinë e largët.
Fatmir Terziu është bërë tashmë tepër i njohur, jo vetëm në diasporën shqiptare, në fushën mediatike, por edhe në atë të kritikës letrare, po si mendon ai, konkretisht?
Është në fakt e rrëndësishme një gjë. Ajo lidhet me modestinë. Shpeshherë ne e flakim rëndësinë e saj dhe, disa herë e mbysim atë. Për mua njohja vjen nga puna. Kur puna vlerësohet, atëherë edhe njohja vjen në kohën dhe vendin e duhur. Në këtë kohë të zhvillimit teknologjik, në të cilën ne jetojmë, natyrshëm, edhe njohja është më e lehtë. Njihesh si për mirë, ashtu edhe për keq, në disa minuta. Interneti e përcjedh këtë mesazh gjithandej. Dhe në këtë aspekt, unë mendoj se sot shumë intelektualë, janë bërë njohje dhe model për të gjithë. Ata punojnë me ngulm që t’i ndryshojnë emrin e keq shqiptarisë nëpër botë. Në këtë mes është edhe veprimtaria ime, që unë mendoj se, është vetëm një grimë, nga ajo që bëjnë dhe promovojnë intelektualët dhe shqiptarët në botë.
Cilat kanë qenë fillimet në fushën e medias?
Një poezi dhe një tregim më kanë bërë të fluturoj, kur i kam parë në gazetë. Isha nxënës i shkollës së mesme, kur i pashë ato të botuara në shtypin lokal të asaj kohe. Ato i përkasin vitit 1978. Më pas, kam punuar e bashkëpunuar me gazeta të ndryshme si “Sporti Popullor”, “Luftëtari”, “Puna”, “Tirana”, “Shkumbini”, “Ushtima e Maleve”, “Bashkimi”, “Tirana” etj. Më vonë pas viteve 90-të, kam bashkëpunuar me gazeta të ndryshme, dhe kam drejtuar “Fjala e Lirë” për disa vjet. Kam shkruar vazhdimisht, por dritën e botimit, e gjeti vëllimi im i parë poetik, “Mos Hesht”, botuar nga shtëpia botuese “Sejko”, ku më pas u botua “Djalli i Argadasit”, “Ecje në Qelq”, “Krokamat”, “Mot i Qashtër”, “Kritika Ndryshe: pjesa e parë dhe e dytë” etj. Librat e tjerë janë botuar nga “Lulu”. Romanet “Grykës” dhe “Bunari” janë vlerësuar mjaft. Libri i fundit “Rrëfenjat e xha Avramit” u botua së fundi nga SHB “Filara”.
Në librin “Mot i Qashtër” kemi lexuar edhe shënime, ose më saktë, e thënë, “Nga blloku i gazetarit…”, cilën do të veçoje si përjetimin më të keq në detyrën e atyre viteve?
Janë shumë, por do të përmendja këtu vitin 1997, kur unë isha ngarkuar atëherë nga “RD”-ja, të ndiqja Presidentin e asaj kohe, Sali Berisha, në vizitat e tij. Ishte vizita në Gjirokastër, që për pak, desh më kushtoi me jetën. Pasi mbaroi mitingu në Pallatin e Sportit të qytetit, dhe më pas mes studentëve, thuajse u bë natë. Në të hyrë të Tepelenës ishin ngritur postblloqe. U detyruam të ktheheshim. Në rrugën për në Ersekë, andej nga Përmeti, një rrugë ushtarake, na i shpuan gomat e makinës. Makina ngeci. Desh Zoti, që në makinën e gazetares së Radio Tiranës, Zamira Koleci, kishte vend dhe ne shpëtuam… Të tjerët janë raste që duhen harruar, e për të mos i kujtuar kurrë.
Po ngjarja që ju ka emocionuar më shumë dhe që e keni përcjellë pastaj tek lexuesit?
Ishte koha e Luftës në Kosovë. Unë duhej të raportoja nga Kampi i Stankofcit në Maqedoni. Kur mbërrita, pashë atë skenë mizore, mes policësh dhe njerëzish në nevojë. Njërëz me e pa uniformë më rrethuan, dhe më rrëmbyen kamerën, ishin gati të më mbërthenin mirë, për fat, erdhën disa vëzhgues të huaj, dhe nuk e kuptova as vetë si më liruan. Atë ditë kam raportuar nga telefonat e Universitetit të Tetovës, për të cilin kisha realizuar pak kohë më parë një dokumentar. Ndjeva emocione, dhimbje dhe gëzim njëherësh, që arrita të jap lajmin i pari për mediat shqiptare, mbi atë kamp, që edhe sot më ngjeth mornica në trup. Njerëz të pafajshëm të përzënë nga vatrat e tyre, thaheshin për një pikë ujë, nën një rregjim policor të pakuptueshëm…
A e ka përkëdhel fati Fatmir Terziun pas largimit nga Atdheu? Jeta e emigrantit në Londër?
Askënd në emigracion, nuk e mendoj se është në një aspekt të lehtë njerëzor, në procesin e integrimit. Askënd nuk e mendoj, se është i përkëdhelur nga fati. Por edhe nëse ka ecur paksa, do të thoja se, është mundi dhe përkushtimi i tij profesional. Në Perëndim, askush nuk të thotë ‘bujrum’, dhe hajde se je njeri i mirë. I mirë është ai që punon, dhe me punë realizon ‘përkëdheljen’, që në fakt, gjithkujt në emigrim i mungon. Integrimi është i thjeshtë për t’u shqiptuar, por shumë i rëndë për t’u arritur. Gjithësesi, tani është pak më ndryshe, pas disa vitesh.
Shkelët për të parën herë, në një fushë krejt të re për ju, në botën e kinemasë. Cilat kanë qenë impresionet tuaja për të? Po krijimtaria?
Në fakt, siç e përmenda edhe më parë, kisha tentuar të realizojë diçka vizive, por thjesht televizive. Puna ime në televizion, më ndikoi disi në këtë vendim. Por filmi sot ka emër tjetër. Filmi i shkurtër është si të thuash, një dhunti e re në rritje. Krijimi i një filmi të tillë kërkon muaj, edhe pse shikimi i tij përfundon për disa minuta. Të thuash një ide në pak minuta, do shumë talent. Këtu duhet folur shumë, por unë preferoj që t’ja lë kohës fjalët. Vlerësimi i filmave të mi të shkurtër, dhe çmimet për to, më kanë shtuar së tepërmi etjen për më tej. Planet janë gati, dhe pres vetëm financimin nga British Council. Kam një kërkesë nga filmkrijuesi anglez, Derek Smith, por le të shohim se ç’do të ndodhë pas bisedimeve.
Si keni punuar në filmat tuaj, dhe mënyra se si i keni gjetur aktorët. Raportet me sponsorët, por edhe organizuesit e filmit?
Në Britaninë e Madhe, ka ligje të shkruara dhe të pashkruara për këtë. Aktorët, mjetet, sponsorët etj., duhet ti gjesh vetë. Këtë e kam bërë me angazhim, dhe padyshim me sukses. Të përfshish Grainne Gillis në filmin tënd, duhet të jesh me fat. Ajo tashmë ka oferta të mëdha, dhe unë ndjehem krenar. Apo edhe britanike aktore si Tara Jones. Filmi “Clouds of Smoke”, ka konkuruar në Courson, dhe ka marë çmimin “Best Mention”. Kështu raportet janë në nivel, dhe puna e rezultatet flasin qartë. Në Londër, puna me ekip flet më shumë, se sa një arritje personale. Kjo është alfa e një pune me organizuesit, ose më saktë me ekipin.
Cilat kanë qenë vlerësimet nga kritika angleze në këtë fushë?
Do të preferoja të thoja paksa, diçka për të qartësuar. Këtu nuk është thjesht kritika, por fjala e specialistit, siç është e mirënjohura Ann Ross Muir, drejtoreshë e një prej dramave tipike angleze, “Eastenders”, apo Dr. Charlotte Crofts, Dr Anna Reading dhe Dr Jenny Owen, që ishin edhe drejtuese të temës sime të doktoraturës e akademikët Chris Elliott, Richard Dacre, Profesor Dr. Andrew Deudney etj. Fjalët e tyre nuk janë vetëm inkurajuese, por edhe shtytëse në krijimtarinë time. E tillë është edhe fjala e regjisores së BBC-së, Lucy More, për skenarin tim “Red Devil”.
Keni tashmë një projekt të ri në realizimin e një filmi. Cili është subjekti i tij?
Ky është një film, që ka të bëjë, me një lidhje britanike me Shqipërinë. Filmkrijuesi anglez Derek Smith, ka marë shkas nga një essè timen për filmin shqiptar, dhe tematika është disi e larmishme. Ashtu siç thashë edhe më lart, puna është në procedurat e bisedimeve, dhe këtë rradhë, nuk mund të flas më tepër.
A do të konkurojnë filmat e Terziut në festivale të mëdha ndërkombetare?
Filmi “Clouds of Smoke” është zgjedhur nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Green Unplugged”, që konkuron në muajin Qershor 2011, zhvillohet në Delhi të Indisë dhe është shansi të fitojë çmim. Por, për një krijues, festivalet nuk janë ëndërra, është një angazhim. Por sot, marja pjesë në festivale, është punë kohe. Po të dërgosh filmin, dhe të mos kesh kohë ta ndjekësh, siç ndodh puna ime, që jam i angazhuar, është paksa e vështirë. Le të shpresojmë, se e ardhmja do të flasë më qartë.
Ç’mendon sot për gjendjen dhe pozicionin e kinematografisë shqiptare e konkurimet e saj?
Dua ta nis nga pozitivja, dhe jo nga debatet, që shpesh e përfshijnë këtë fushë të medias. Është një rast i mirë, që një film i regjizorit Milkani, ka marë dritën për në “Oscar”. Është mirë të themi, se filmi shqiptar do të marë fytyrën e tij. Disa filma që janë realizuar, si bashkëpunim me të tjerët, janë një sinjal i mirë.
Të bëjmë sikur «harrojmë» për një moment filmin, dhe ta lëmë pas atë për t’ju kthyer medias, ku ju jeni diplomuar në Universitetin e South Bank të Londrës.
London South Bank University, ku kancelar është i mirënjohuri i gazetarisë televizive, Trevor MacDonald, është tashmë një universitet me emër në Londër. Por Universiteti i Roehampton në Londër, ku unë mbarova masterin me rezultate të larta, më dha më shumë hapësirë të vazhdoj e mbaroj doktoraturën, dhe më duket se po më ‘forcon’ dijet e mara, që tashmë duhet ti ndaj edhe me të tjerët.
Me kritikën letrare, ju keni patur kontakte të hershme, madje që pas vitit 90-të, ku keni bërë disa analiza për figura të njohura të letrave shqipe. Në ç’dimension ndodhet ajo sot brenda vetes suaj?
Sot është një fakt. Arkiva e Bibliotekës Kombëtare flet hapur. Dhe kur shikoj online analizat, dhe kritikat e mia letrare të viteve më parë, shpeshherë them në heshtje, diçka më shumë për atë që duhet të bëj sot. Kritika letrare dhe analiza, gjithashtu vijnë nga njohuritë për të, nga leximet e shumta, dhe nga bagazhi i fjalëve bindëse për krijuesin. Unë lexoj shumë dhe shkruaj gjithmonë. Kjo më bën të jem sot në këtë stad. Por kultura britanike e analizës dhe kritikës letrare, më ka dhënë garancinë dhe sigurinë e përzgjedhjes, dhe dhënies së inkurajimit atij që i takon. Shumë krijues të sotëm, tashmë kanë krijuar besim në fjalën time, dhe unë shpresoj të mos e shpërdoroj atë. Po dikush, padashje ose me dashje, sot po e vret krijimtarinë shqiptare.
Kush po e vret krijimtarinë shqiptare?
Le ta nisim më hapur. Një shkrim i Luan Canajt, “Dritat e Italisë” të botuar në mediat shqiptare mbi prozën e Faruk Myrtajt, më bëri të shoh paralelet e këtij shkrimi, me tre derivate të shtruara me kohë në hulumtimin e autorit, me titullin “Vështrim të Uliksit në veprën “Injoranca” të Milan Kunderës”, në një artikull të Agron Tufës me titull “Pilulat e ëmbla e të hidhura të emigrimit” dhe në një mesazh të Fatbardh Boçit. Tre këto hapje më sollën në temë. Tre këto kapje, më saktë, më diktuan hapësirën, kohën dhe vendin, tërë këtë derivat filozofik, me të cilin quket një element historik, tashmë për letrat shqipe. Jashtë gërshetit të thurrur metaforik, jashtë asaj që njihet e stërnjihet në këndin e temave të tilla, kjo situatë e tërhequr dhe e tendosur e trajtesës, duket se puqet paksa në tematikë, por jo në kohë me një studim model të Francës së viteve 80-të, në të cilin studiuesi John Ardagh, sheh e shpjegon “Artin dhe intelektualët si një rënie krijuese?”, duke vënë një pikëpyetje të madhe në fund të kësaj pjese studimore. Por, duke mos e lënë këtë pyetje kaq të thatë, studiuesi e shigjeton më tej retorikën e tij: “A e vranë romanin francez filozofët Bartez dhe Robbe-Grillet?”. Në këtë mjedis edhe tre citimet e ndërrmajes së tematikës sime, Canaj, Tufa dhe Boçi, kanë një arsye retorikë, kanë disi një pikëtakim. I pari, Canaj, shkruan: “përmbledhja me tregime “Dritat e Italisë” e shkrimtarit Faruk Myrtaj, botuar nga “Ideart”, … ende pak e përmendur si një prurje në prozë e denjë për t’u veçuar.” Përpos normës eseistike i dyti, Agron Tufaj citon: “Është krejt një gjë tjetër që në veprat letrare të shkrimtarëve me origjinë shqiptare kumbojnë temat, ndjeshmëria, bota dhe realiteti shqiptar, por kjo nuk është e mjaftueshme për ta bërë letërsinë e tyre letërsi shqipe.” Dhe i fundit, jo për nga pakrëndësia e fjalës së tij, por nga koha kur u dërgua, Boçi, thekson se ‘ka edhe mjaft shkrimtarë që duhen parë me sy më të thellë…”. me sashihet, ndryshe nga shigjeta e drejtëpërdrejtë e studiuesit francez, këto tre shigjeta individuale shqiptare, kanë në thelb një pikëtakim: “Atëherë a e vret krijimtarinë shqiptare një mjedis i pashtruar qartë për krijuesit shqiptarë?” Kur themi ‘një mjedis i pashtruar qartë’, në këtë sens, kemi parasysh jo thjesht ato gjysmat e mollës si “Simbolika alegorike …, që vuajnë mungesën e njëra-tjetrës” me të cilën trajton idenë e tij Tufa, por atë pikë të ndjeshme të filozofisë aktuale shqiptare ndaj këtyre dy gjysmave të mollës, pra shkrimtarë dhe krijues shqiptarë në Diasporë dhe krijues e shkrimtarë shqiptarë në Atdhe.
Kur të parët, pra ‘gjysma e mollës’ që krijojnë e botohen në mjedise të tjera, pra joshqiptare, dhe natyrshëm vlerësohen atje, natyrshëm quhen ‘ambasadorët më të mirë të kulturës dhe krijimtarisë shqiptare’ ndërsa kur vjen koha për çmime apo edhe për një fjalë të merituar në inskenimet konkursore shqiptare, ata ‘janë gjysma e mollës’, natyrshëm që nuk i ngjizet gjysmës së konkurseve dhe trukeve, jo se nuk i ngjitet nga vlerat apo nga rëndësia. Atëherë, nëse “Dritat e Italisë” e shkrimtarit Faruk Myrtaj, botuar nga “Ideart”, mbetet ashtu siç shkruan Luan Canaj, ende pak i përmendur si një prurje në prozë, e denjë për t’u veçuar, pyetjes sonë, të huazuar nga Ardagh, mund t’i vihen mjaft alibi. Së pari, mendoj unë është vetë ajo kastë shkrimtarësh, të vetërenditur shqiptarë, që vetërrotullohen andej-këndej, me shoqata, kafene, stile e mjete nga më absurdet të diktojnë e diktohen, … dhe pastaj të ‘harrojnë’ me dashje se edhe ‘gjysma tjetër e mollës’ është ajo që ka qenë me kohë midis pjesë më të arrirë shqiptare me kohë. Kur Tufa sjell se ka emra, dhe pjesa më e madhe e këtyre shkrimtarëve shkruan me një vetëdije e mjeshtëri të lartë, ndoshta shqipen më dinamike e më të rafinuar, ndërsa një pjesë fare e vogël ka kaluar në krijimtarinë biliguale. (Tufa, Agron: 2010)
Dhe natyrshëm emra të tillë që cek vetë Tufa, si Elvira Dones, Gëzim Hajdari, Ornela Vorpsi, Anilda Ibrahimi, Ron Kurbati, Artur Spanjolli etj, por edhe të tjerë të mëvonshëm që krijojnë në Itali, apo edhe penat elegante, elitare e të talentuara si Ilirjana Stringa, Arben Dedja, Ardian Kyçyku, Lindita Arapi, Idlir e Orgest Azizi, Ardian Vehbiu, Romeo Çollaku, Ramiz Gjini, Flurans Ilia, Faruk Myrtaj, Luan Canaj, Urim Nerguti, Luan Topçiu (shoh se lista mund të shkoj shumë më e gjatë dhe se përmasa e letërsisë shqipe, në pjesën e saj bukur serioze mund të vazhdojë në emigrim).
Emra të tjerë shqiptarë, të cilët me dashamirësinë e madhe edhe të mesazhit të Boçit, kuptohen në fate mes dy pjesëve të mollës, kanë krijuar e kanë qenë vlerësuar edhe në Atdhe, krijojnë e vlerësohen edhe jashtë vendit. Emra të shumtë. Emra që do të duhej një kohë e gjatë të përmendeshin. Emra që vijnë të plotëformuar mes kualifikimeve, mes stileve e metodave më bashkëkohore. Dhe nëse ndodh kështu, kjo dëshmon se koha e viteve tetëdhjetë, që vrau krijimtarinë franceze, ishte një kohë politike e dështuar në këtë fushë, ku duhej mbetur me në një apo dy emra si një shkollë e vazhdimësisë së Prustit, ku sipas Ardagh, ishte kjo që vinte nga mentaliteti i majtë, i disa mendimtarëve të djathtë, apo edhe nga bankat e filozofisë së panjohur që e shpinte krijimtarinë në këndë të majta e të dëmshme.
Në rastin shqiptar, arsyeja pse lihen në harrësë krijues, vepra dhe krijimtari, lidhen me vetë hapësirën, vendin dhe kohën. Nga popullorja shqipe, ndoshta pak jashtë ironisë së faktit, ‘i zoti e nxjerr vetë gomarin nga balta’, ajo që duhet kuptuar qartë nuk është se vetë autori duhet të marrë daullen e madhe apo të vogël të promovimeve ‘si dasmat në kohën e socializmit: sekretari i PPSH-së në ballë tek tavolina e nuses e të tjerët pas, por vetë krijuesit shqiptarë, kritikët, analistët, grupet, shoqatat dhe natyrshëm edhe mediat të krijjnë më shumë hapësirë për vlerat dhe krijuesit me vlera.
Shkrime si të Canaj, Tufës apo edhe mesazhe si të Boçit, janë pak, ose aspak në familjen e tyre fjalëngritur. Të tjerat janë aspekte shoqërore që herë kërkohen të shkruhet, e herë diktojnë rrethana për të shkruar. Tema në trajtim ka një metafizikë të prekshme, një gjerësi logjike në trajtesën e saj, por debati, natyrshëm ai konstruktiv lë pas një dritë të vogël, jo ndoshta si ‘Drita e Italisë”, por si një dritëz që ndriçon rrugën e hyrjes në këtë derë të madhe e të tejmbushur shqiptare.
Cilat janë temat që përbëjnë sot gazetën «Albanian News» që ju drejtoni në Britani? Si trajtohen hallet dhe shqetësimet e emigrantëve, dhe si i përcjell tashmë ajo?
Gazeta botohet me dashamirësinë e një biznesmeni hebre, natyrshëm të sukseshëm në Londër. Joel, është një njeri që i ka afruar komunitetit shqiptar, mundësinë e një gazete, por edhe ndihmën ndaj shoqatës shqiptare “Ardhmëria” që drejtohet nga Lutfi Vata. Dhe kjo mundësi tashmë është në baza profesionaliste, ku trajtohen rubrikat e komunitetit, emigracionit, arritjeve rinore, dhe më tej me problematikën e jetës.
Krijimtaria dhe planet krijuese për të ardhmen?
Krijimtaria ime është komplekse. Si e tillë ajo lëvrohet në çdo minutë, në çdo hapësirë. Unë kam në proces, një roman me tematikë nga viti 1997-të, dy vëllime me tregime, dhe një me poezi. Dy vëllimet me analiza dhe kritika letrare, pjesa e tretë dhe e katërt, shpresoj që të shohin dritën e botimit shumë shpejt.
Njohja me Sir Norman Wisdom dhe studimi juaj?
Kur mora përsipër të realizoja studimin tim mbi Parametrat Narrativë të Filmave të Sir Norman Wisdomit, i njohur si Pitkini në Shqipëri, dy supervizorët e mi, Dr Philip Hammond dhe Dr Anna Reading ishin në dilemë. Ata nuk besonin në mundësinë për të krjijuar një vepër të tillë. Kur unë u fola se vija nga Shqipëria dhe njihja diçka nga krijimtaria e tij, ata heshtën. Më pas mbi 60 mijë fjalë për këtë temë habitën akademikun Richard Dacre, një nga biografierët e hershëm të tij. Ai pasi pa studimin tim e quajti “Punë tërheqëse e Fatmir Terziut”, dhe shkruajti në disa revista online. Kështu dhe rezultatet folën qartë. Këto rezultate më afruan mundësinë që të ftohesha nga organizatorët e festimit të 91 vjetorit të ditëlindjes së Wisdom. Dhe aty pata rastin që ta takoj për së dyti aktorin me famë në Britaninë e viteve 60-të, dhe heroin shqiptar të asaj kohe, falë roleve të tij që ne shqiptarë e konsideronim si sinonimin e komedise së ekranit të madh. Në takimin disaminutësh me të i kujtova pyetjet që i pata bërë kur ai erdhi për ndeshjen e futbollit Shqipëri – Angli. Ai vetëm bënte shaka, kërcente dhe tentonte të dëfrente të tjerët. Më tha vetëm kaq “Albania, I love you…”. U bëmë dhe mbetëm miq.
Para disa muajsh i sëmurë nga sëmundja Alzhemir ndërroi jetë në izolim nga të tjerët. Por në mëndjen time, mbetet një kujtim i mirë dhe i ndjeshëm nëpër vite. Ai mbetet gjithmonë një shkollë më vete filmi, një art më vete në gjininë “slapstick”.
Unë e adhuroj atë.
Të vijmë tashmë tek jeta familjare e Terziut.
Shumë vetë e kanë thënë hapur: “Familja është mbi çdo gjë”. Dhe për mua, gruaja ime e përkushtuar ndaj meje dhe tre fëmijëve të mi, si dhe arritjet e saj në fushën e matematikës dhe edukimit në shkollat londineze, janë një hapësirë e madhe për të më dhënë më shumë kurajo krijuese. Familja ime është mbështetja kryesore, pastaj edhe hapësirat që të jep Britania e Madhe.
A ndjehet krenar Fatmiri për sukseset e fëmijëve të tij?
Natyrshëm po. Emocionet shtohen kur sheh djalin e madh Andin me rezultate yje në GCSE, dhe ndjekja e studimeve universitare për Jurisprudencë në Brunel University, vajzën në mesin e krijuesve të rinj britanikë, dhe binjakun e saj të shkëlqejë në shkollë me bursë në fushën e sportit të bukur të notit. Këtu modestia flaket, dhe krenaria bëhet plotësisht publike. Edhe po të bëhesh modest, nuk të lënë gazetat e këtij vendi, se ata e gjuajnë, njësoj si të keqen dhe të mirën. Dhe kështu për fëmijët e mi kanë shkruar mjaft gazeta, sidomos “Wandsworth Borough News”, “Yorkshire Times”, etj.
Në jetën e përditshme aty në Londër, ju jeni në kontakte me personalitete të kulturës dhe të politikës angleze, sa është prezent Atdheu ynë Shqipëria në marëdhëniet me ta?
Para ca kohësh, po bisedoja me përkthyesin e parë të Kadaresë, John Hodgson. Ai më tha kështu: “a e di Fatmir, se tashmë Shqipëria, nuk ka ndonjë ndryshim nga Perëndimi?…”
Le ta zbërthejmë këtë pyetje. Në Londër të paktën emri shqiptar tani tingëllon më ndryshe. Personalitetet e këtij vendi kanë kuptuar tashmë sensin shqiptar, dhe me këtë po ndërtohet respekti për Shqipërinë. Nga Atdheu i dytë ku jemi, ne ndjejmë krenari për Atdheun tonë, për Shqipërinë.
Si ndjehesh në komunitetin shqiptar të Londrës dhe atë mediatik? Cilat janë marëdhëniet me kolegët?
Shumica tashmë besojnë se Shqipëria do të bëhet edhe më e mirë. Dhe një pjesë mendojnë investimin në Atdhe. Ndërsa marrëdhëniet me kolegët, janë marrëdhënie pune dhe interesash në fushën mediatike.
A beson Fatmir Terziu në një të ardhme të shpejtë dhe më të mirë të vendit të tij, dhe a do të mund të kthehet për të kontribuar aty?
Edhe unë jam e mbetem optimist. Në muajin Nëntor, në vitin akademik 2010-2011, ndërmora një inisiativë për t’iu përgjigjur kërkesës së Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës në Shqipëri, Myqerem Tafaj, dhe mora modulin “Shkrim në Media” për studentët e vitit të tretë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Dhe kjo sprovë dhe sakrificë mbetet në dëshira intelektuale. Por intelektuali si i tillë, shpeshherë e shuan optimizmin për arsye të ndryshme. Kontributi është edhe ky që ne japim. Një kontribut i tillë, kurrë nuk është as larg, as afër. Të tjerat le t’ia lëmë kohës.
Intervistoi Raimonda MOISIU