2012-08-21

Tregim nga Robert Martiko


DEDALI DHE IKARUSI




Porsa u futëm në oborrin e psikiatrisë së qytetit polak, dy tre të sëmurë psikikë, nga ata që të japin përshtypjen e gjysmë të shëruarit, na u drejtuan për t’u falur ndonjë cingare. Nuk jam amator i duhanit, mund t’u falja atyre gjithë mini purot e markës Villiger. Më intereson vetëm ambalazhi i tyre prej llamarine: për të vënë në të vidha të vogla dhe paisje orash të vjetra, të ndaluara prej kohësh...

Ndërkohë e dëgjoja shoferin e taksisë të më këshillonte se nëse doja të kisha përfitime materiale, të mos nxitohesha. T’i jepja Dedalit vetëm nje cigare dhe në vijim të dëgjoja prej tij dy histori falas. Sipas tij, kështu zbatohej më mirë në praktikë Adam Smithi. Me sa dukej, shoferit nuk i mungonin aspak njohuritë. Dikur kishte qënë student në fakultetin e ekonomisë, të cilin nuk e kishte përfunduar, më pas furnitor në një fabrikë gozhdësh, bulonash dhe zinxhirash. Sa për Dedalin, ky duhej të ishte një i çmendur krejt i padëmshëm: jo agresiv, i ngjashëm me ata që kishim takuar në oborrin e ngushtë të çmendinës.

Shoferi vijoi:

- Do të kesh rastin të dëgjosh dikë të cilin e thërrasin Dedal. Thotë se dikur ka qenë inxhiner mekanik. Tani nuk është veçse një i çmendur me dhëmbë të thyera dhe nofulla të shformuara keqas.

Gjatë gjithë rrugës për në spital shoferi m’u shfaq një përrua i vërtetë... Fjalët, gjestet dhe të qeshurat e tij nuk kishin të shterruar. Disa çaste më parë më ishte lutur të mos hidhja poshtë ambalazhin e kruasanit që kisha ngrënë atë mëngjes në praninë e tij, ngaqë letrën e saj të shkëlqyer donte ta ngjiste për zbukurim diku në tapicerinë e taksisë. Unë deri diku vuaj nga mizofobia: ushqimin e udhëtimit kisha vendosur ta mbaja me vehte, sëbashku me një shishe të vogël mbushur me miell gruri, aq të vlefshme në rastet kur të heq barku. Mbasi qe koha kur në gjithë Europën Lindore nuk njihej ende teknika e ambalazhimit me vakuum, madje, as parfumet apo rrobat e jashtme dhe të brendshme aq të kushtueshme të grave… Në psikiatri shkoja ngaqë doja të takoja atje të dashurën time, rreth të dyzetave. Punonte në atë kohë si infermiere. Isha njohur me të kur ajo kishte ardhur për shkëmbim përvoje profesionale në çmendinën e qytetit tim, ku punoj prej disa vitesh si elektriçist, hidraulik, furnitor dhe mirëmbajtës asensori .

Shoferi i taksisë duhej të ishte ngrohur deri në palcë nga purbuari im. Kjo duhej të ishte arsyeja që ai shfaqi dëshirën të parkonte veturën në oborrin e psikiatrisë. M’u ofrua vetë për të më shërbyer më tej. Madje, duke më çuar deri tek pavioni i Stefanisë. Kuptohet, në fillim doja t’i bëja surprizë së dashurës sime. Më mungonte prej një kohe të gjatë: dy-tri javë… Vetëm më pas u gjenda tek Dedali i sëmurë.

Si i infektuar prej mënyrave të shoferit, në fillim iu drejtova të çmendurit krejt pa takt:

- Eshtë e vërtetë se jeni inxhiner mekanik?…

Me parë i kisha zgjatur atij një grusht të mbushur plot me puro, të cilat ai më tha t’ia shtija në xhepin e këmishës së tij - uniformë me vija, ngaqë duart i kishte të lagura me ujë.

Tepër i gatshëm të bashkëpunojë me këdo që bënte një ofertë të tillë, i sëmuri m’u përgjigj fare thjesht:

- Po.

- Përse nuk punoni më?

- Ende punoj. Nuk e shikoni? - Më tregoi një çesmë të shkëlqyer prej bronzi, që atë çast e lante me sapun. Më parë e kishte fërkuar me rrjetë teli të mbështjellë në një leckë të qelbur, ku dalloheshin copa të imta duhani të grirë.

- Më parë ku punonit?

- Dikur babai tim kishte një fabrikë të madhe me më tepër se pesëdhjetë punëtorë. Prodhonim makarona të gjata deri dy-tre kilometra. Këto i shkurtonim pa pushim me hanxharë dhe shpata të shkurtra prej çeliku të zgjedhur: instrumental. Deri sa erdhi dita që fabrika u shtetëzua. Mua më mbajtën në punë si inxhinier, ndërsa babanë e futën në burgun - grody të Kara-Teteit. Një ditë vura re dy-tre punëtorë që delnin nga banja e përbashkët ku kishin kryer nevoja fizike. Në të vërtetë, njësoj siç bënin të tjerët me mua, veprova edhe unë me ta: i përgjova. Kurrë nuk i lanin duart me ujë. Edhe atë ditë iu drejtuan reparteve të brumit të makaronave pa i hapur aspak çezmat. U bëra vërejtje për duart e tyre të palara. Pas dy ditësh më dëbuan nga puna. Më pas më futën edhe mua në burgun kështjellë të Dukës së Lituanisë, ku gjeta aty babanë dhe djalin tim të vetëm.

-E pastaj?… Na trego historinë! Mos na vono! Ta hajë dreqi, kam lënë taksinë të ndezur, ngaqë nuk i punon motorinoja. Babai më pret për ta çuar për të parë një magazinë të re buzë rrugës kryesore, që duam të zemë me qira…

Shoferi filloi të ankohej. Ndërkohë, në lidhje me ndryshimin e tij të papritur dhe njëkohësisht për të shfajësuar atë dhe për të qetesuar vehten, mua më ra ndër mend Adam Smithi.

Porsa filloi tregimin, i sëmuri u duk sikur recitonte. Humbi gjithë natyrshmërinë e disa çasteve më parë, aq sa mua m’u duk, sikur për një çast, dikush ma kishte sjellë më afër…

- Im bir atëhere ishte 19 vjeç, kur e sollën në burgun kështjellë. Për të mos u ndodhur sëbashku me të, më transferuan diku në një burg tjetër. Ngandonjëherë e shikoja tim bir në ëndërr. Ndodhej në katin më të lartë të kështjellës, përbri një plaku të moshuar, për të cilin askush nuk dinte me siguri se sa kohë gjendej atje. Ndoshta prej kohës së Kazimirit të Parë. Prej familjes së tij të madhe kishte shumë kohë që nuk interesohej askush. Vetëm im bir iu ndodh pranë në çastet e fundit të jetës. Pothuajse nuk flisnin kurrë me njeri - tjetrin. Dhe kjo ngaqë plaku duhej ta ndiente vehten tepër të mërzitur, kur mendonte se si kishte përfunduar familja e tij e dikurshme. Ata të dy ishin nip dhe gjysh. Ky i fundit ishte im atë.

Një herë në njerën prej ditëve të lejuara për takim, në burgun e mësipërm u shfaq një familje izraelitësh. Thoshin se ishin të dërguar të Aaronit, vëllait të madh të Moisiut të Madh. Qysh në fillim rojave të burgut u deklaruan se kishin ardhur për t’u takuar me burrin e moshuar për të cilin tregoj më lart. Se përbënte për ta një njohje mjaft të vjetër. Gjatë kohës së takimit të shkurtër me të moshuarin, u habitën veçanrisht kur matanë hekurave të burgut dalluan edhe tim bir.

Pa humbur kohë i thanë:

- Çudi e madhe! Nuk dinim që ndodhesh ende këtu. Nuk na mban mend, por të njohim qysh prej kohës kur ishe i vogël. Të ndjerën nënën tënde, Ruthin e dashur, e kemi dashur aq shumë... Kujtonim se prej kohësh do të ishe arratisur nga burgu.

Ç’njerëz të çuditshëm janë izraelitët! Familja jonë gjithmonë ka pasur miqësi me ta. Gruaja ime ishte izraelite. Mjaftuan këto fjalë që tim bir ta godisnin deri në palcë, duke i futur përsëri në kokë idenë e rrezikshme të arratisjes nga Polonia. Përsëri u ndie njeri. Ngaqë ishte tepër i fuqishëm fizikisht, rrëzoi në tokë një kalorës shërbimi truplartë, në vijim një tjetër, më pas dy-tre këmbësorë... Edhe ata trupmëdhenj. Dikujt i rrëmbeu një kamion të madh, rrangallë e vërtetë. E tërhiqnin tri deve të fuqishme… Shtatlarta. Këto i qëlluan me kokë dërrasat e derës së jashtme të burgut. Edhe pse të perçinuara mbi shufra të trasha hekuri, dyert, nga goditjet e forta, u bënë copë - copë. Ranë përtokë. Kështu im bir mundi të dalë nga ai vend. Por nga ana e tij kjo nuk ishte veç çmenduri... Pasi gjithë ata njerëz, në këtë mënyrë të sulmuar prej tij, menjëhere do të rrëmbenin shpatat dhe automatikët. Do të lajmërohej Qendra e Kozakëve të Ukrainës dhe Dukati i Moskovit. Më pas si miza e lisit, njëzetekatërmijë fshatarë, anë e mbanë kështjellës do të ngriheshin në këmbë. Do të kontrollonin të gjitha shtigjet. Midis tyre do të merreshin vesh me parullat: “Gjahu i dhelprës”, “Briri i kaut”, “Trumpeta e ndryshkur”, “Çizmja e shqyer” apo “Makiaveli pa dhëmbë”… Do të organizoheshin kudo patrulla. Kështu nuk do të lejonin të fluturonte në ajër asnjë mizë cece e kryqëzuar. Me pak fjalë, do të përforcohej gjithë kufiri. Kështu, tim bir do ta kapnin me lehtësi. Por në të vërtetë, izraelitët e kishin lehtësuar shumë atë arratisje. Kishin arritur madje, të asgjësonin edhe disa nga fshatarët dhe rojtarët e tjerë të burgut. Kështu im bir, duke vazhduar rrugën drejt kufirit perëndimor të vendit, vazhdonte ta gjente ate të lirë. Ndërkohë ndiente një frikë të paprerë. Nuk ishte shaka kur mendonte se gjahtarët e tij të tmerrshëm, me agjentët e tyre specialë: Rozenkranc dhe Gildenstern, mund ta ndiqnin e përndiqnin edhe matanë atij vendi. Pas gjithë asaj rruge të gjatë me kamion, më në fund, shikonte vendin fqinj të përmatanë kufirit. Një grup turistësh të huaj: danezë ose finlandezë, në majën e një kodre të formuar prej pllakash shkëmbore, vrojtonin ato çaste ujin e një liqeni apo deti të kulluar të futur në tokë në formën e një fjordi të bukur. Ndonëse i arratisuri e ndiente se pas disa çastesh do të gjendej në botën e bukur të atyre turistave, frika e madhe prej ndjekësve të tij e shtrëngonte të mendonte se do ta ndiqnin edhe matanë kufirit. Kjo qe aresyeja që vendosi të bënte një lloj vetëvrasje të gënjeshtërt me makinë, duke u hedhur nga maja e kodrës ku ndodhej drejt e në ujin e kulluar të Geirangefiordit... Këtë e bëri ngaqë donte të humbiste gjurmët me çdo kusht. Në mënyrë që të shqyrtohej si i vrarë apo i asgjësuar. Plotësisht. Në botën e re ku shkonte të merrte një identitet të ri. Prandaj, edhe kur sëbashku me qerren me buaj zhytej gjithnjë e më thellë në thellësitë e ujrave të kaltra, ai vetëm mendonte se si të bënte më të përkryer humbjen e gjurmëve. I kamufluar, notonte papushim nën ujë. E mbajti gjatë frymën deri sa arriti tek bregu tjetër. Nëpërmjet një kallami të gjatë, gjithmonë duke qëndruar nën sipërfaqe, pa u shfaqur asnjëherë mbi ujë, vazhdonte të thithte me etje të pashuar ajrin e pastër të lirisë... Derisa u fry e u fry si tollumbace. Nuk plasi vetëm ngaqë turistat, për t’i dhënë zemër, i bërtisnin papushim: firth, firth, firth!… Dhe aber, aber, aber!…

-Tani na trego historinë e dytë: Dedalin dhe Ikarusin! Ç’është kështu!... Ky i pasuron gjithnjë e më shumë tregimet. Më parë i tregonte të shkurtra.

Shoferi i taksisë dukej qartë që nxitohej. Duhet të qe bërë pishman, që humbiste kohën e tij të çmuar, duke u marrë me shoqërimin tim.

Sa për të sëmurin, e ndryshoi krejt tonin e zërit. Erdh’ e u bë diçka i menduar. U gëzova akoma më shumë. Në këtë mënyrë, e ndieja më shumë pranë vehtes.

-Të dy: babë e bir notonim në një det të thellë. Kokën nuk e nxirrnim kurrë në sipërfaqe. Dhe ndonse nga thellësia nuk ndieja veç bezdi, krejt ndryshe vështroja tim bir të zhytej herë herë akoma më thellë… Duke e humbur krejt nga sytë. Lëvizjet i bënte tepër të shkathta, me shumë vendosmëri. Si për të më treguar se oksigjenin e sipërfaqes qe në gjendje ta merrte edhe nga ana e tejme, matanë fundit të detit. E dija që në atë krah gjendej Egjeu. Madje, edhe vetë mbretin e Athinës e dalluam të mbytur në rrënjët e një kallami të ndryshkur, me sy të zgurdulluar nga tmerri. Ekzistonte me të vërtetë një sipërfaqe e tillë. Edhe pse unë gabimisht kujtoja se në fund të detit nuk kishte sipërfaqe tjetër. Dukej se tim biri i mungonte ndjenja e lodhjes, frikës apo ankthit.. Ndërkohë që trupi im paraqitej i lodhur dhe i drobitur. Veçanrisht kur mendoja se, po të pësoja diçka, nuk do të arrija të mësoja dot kurrë në se pjella ime kishte arritur me të vërtetë të dilte në anën tjetër... Më dukej se shikoja brigjet e një ishulli të bukur, të rrethuar prej anijesh të vogla, si dhe dy - tri nëndetse egjiptiane apo angleze të tërhequra prej elefantësh deti veshur me skafandra bronzi. Im bir ende vazhdonte të zhytej edhe më thellë në ujë. Dhe këtë duhet ta bënte thjesht për të më treguar se unë nuk duhej të frikësohesha aspak nga thellësia. Diku në zhytjen e tij të fundit m’u duk se po shikoja ujë të turbulluar në ngjyrën e gjakut. Mund të shkaktohej nga rëra e Nilit. Dallova në vijim ca elika të shkëlqyera të përngjashme me ato të një grirëse mishi gjigande. Në të vërtetë, ishte motoskaf. Porsa ngrita kokën për të marrë frymë në sipërfaqe, ushtarët e Ivanit të Tmerrshëm më hipën në të, duke më goditur pa pushim me copat e elikës të thyera e coptuara nga kockat e forta të balenës Mobi Dik. Më godisnin pa mëshirë në kokë dhe fytyrë. Për të më kthyer përsëri në brigjet e vendit nga ku kishim tentuar të largoheshim... Pa djalin tim të vetëm, të cilin ndërkohë e kishin vrarë. Dergjej në kuvertë dy-tre metra larg meje.

Ndërkohë shoferi i taksisë porsa kishte dëgjuar për elefantët e nëndetses egjiptiane, skafandrat e bronzit dhe grirësen gjigande të mishit, kishte filluar të gajasej së qeshuri… Padashur e pyeta ç’profesion ushtronte babai i tij. Mu përgjigj duke më shkelur syrin me dashamirësi.

-Në fillim ishte oficer kufiri e më pas gardian burgu. Nëqoftëse do ta dish, babai im ia ka shtrëmbëruar nofullat në këtë farë feje. Të largohemi sa më parë! Më pret im atë. Kam lënë takim. Koha është flori!

Nuk iu përgjigja, ngaqë papritur vendosa të bëhem antipatik. Fytyra m’u vrejt. Pa egërsinë e duhur, mund të shfaqej qesharake. Eshtë diçka që e di qysh më parë. Parapëlqeva të marr qëndrimin tim më klasik: të mbylljes në vetvehte. I thashë shoferit se dëshiroja të prisja më mirë të dashurën time derisa të përfundonte turnin. Ndërkohë e mora me mend që babë e bir, të dy së bashku, nxitonin për të vënë në zbatim Adam Smithin.

Porsa qeshë larguar disa hapa nga i çmenduri, ky m’u drejtua me hapa të ngadalta. Ndërkohë, nuk e shikoja. Më arriti. Duke më rrahur lehtë shpatullat, më pëshpëriti në vesh ca fjalë që më bënë të rrënqethem nga koka deri në majat e këmbëve.

-I huaj i dashur, unë mendoj se ju duhet ta dini tashmë për bukuri që cikli i gjakut tejshoqërohet prej ciklit të plehrave. Sa për mua, nuk duhet të bëhet askush merak. Jam mjaft i kënaqur me jetën time të bukur. Këtu në çmendinë…


Frament nga Romani "NJE ÇMIM PER SHKRIMTARIN E VDEKJES " i autorit Robert Martiko

Mbi të gjitha, filluan të mungonin dhëmbët e arta. Qe koha kur timonieri im filloi të kalonte kriza të forta. Çdo mëngjes, porsa ngrihej nga gjumi, u bërtiste si i tërbuar qafir - malçikëve apo bojave të policisë sekrete, për të mbledhur me çdo kusht flori ose valutë të huaj. Jepte urdhër për të vrarë e burgosur sa më shumë njerëz, që kishin farefis qoftë edhe të largët, në Egjipt, Madagaskar, Ugandë, Mozambik a Tanzani, në vijim për t’u plaçkitur dollarët. Për të thënë të vërtetën, vrau shumë edhe nga xhanxhavitët apo jeniçerët e tij të dashur.

Gëzohesha edhe unë jashtë mase, në lidhje me këto spastrime, kryesisht për plaçkitjen e valutës apo grumbullimin e dhëmbëve të të vrarëve… Pasi Gbong Gongu im, ma kishte bërë të qartë, hapur. Nëpërmjet dollarëve të konfiskuar dhe dhëmbëve të artë të viktimave, poezitë apo shkrimet e mia, të dlira, do t’i bënte të njohura në gjithë botën. Siç shkruaj edhe më lart, timonieri nuk trashëgonte asnjë pasuri nga e ëma, përveç çοrapes së saj blu, koloniale, të mbushur deri në një të gjashtën me qindarka që paraqisnin koka mbretërish e mbretëreshash nga Madagaskari. Nuk mund të mos shqyrtohej si një koleksion me vlerë, mjaft i çuditshëm!…

Kur nëna e Gbong Gongut qe me qejf, zbrazte çorapen mbi një xham të trashë tavoline të rëndë, të ndërtuar me dru suedez. Bënin gjithë atë zhurmë qindarkat e saj të imta... Qe koha kur sahanlëpirësit lëshonin britma të forta habie e admirimi. Sipas rastit, përpiqesha të dallohesha ose jo. Varej kryekëput nga cilësia e admiruesve. Me bishtin e syrit, kurrë nuk mungoja të përgjoja, në çdo hap, humorin paranojak të timonierit.

Gbong Gongu më theksonte se i jepte rëndësi të jashtëzakonëshme librit të tij autobiografik, të cilin ia kisha propozuar unë.

E kullandrisa brenda një viti.



Ditën që i dhashë dorën e fundit ishte e enjte. Mesditë... Te shefi im u paraqita të premten. Në mbremje u kujdesa të bëja një banjë me ujë të vakët: marrë nga përroi Simba, i turbulluar, që rrjedh përbri kasolles sonë. U krodha deri në grykë në një fuçi të zbrazur rumi “Ylli i Kuq”. Ia kisha lipur Gbong Gongut. Ky u dha urdhër ndërtuesve të tribunave dhe këta ma dhuruan. Gruaja ime, Furaha, më lau kokën e shplau supet me kujdes. Ujin ma hodhi nëpërmjet një gavete të shpuar, kolonizatorësh gjermanë... Kur më ndihmonte të fshihesha, nëna ime Sanaa, Arti apo Lufta e Klasave, u ngrit çalë - çalë nga rrogozi e m’u hodh në qafë. Më puthi e lumtur në ballë.

Kur ditën tjetër u paraqita para komandantit tonë të nderuar, ky nuk u besonte syve. Në jo më shumë se tri - katër minuta, mblodhi rreth vehtes gjithë këshilltarët e tij të zgjedhur: të Politbyrosë. Përbënin kokat më të mençura të tribusë. Pas një muaji dhanë mendim. Meqënëse rastiste të organizohej Kongresi i Katërt i Partisë së Lupit, (Punës), Gbong Gongu ua fali vonesën. Gjetën vetëm disa gabime të vogla, ideologjike... të parëndësishme, sipas shefit. Më kot u merrte mendimin. Qe personi që i vinte vulën gjithçkaje vetë. Qeshë në gjëndje t’i koregjoja menjëherë gabimet. Nënkuptoj, kaluan edhe tre muaj e gjashtë ditë të tjera.

Kur pa të mbaruar veprën, Gbong Gongu, nuk mund ta merrni me mend çfarë gëzimi të madh ndjeu në shpirt ai njeri i dlirë...

I pari ai dhe unë pas tij, të dy, filluam të hidheshim përpjetë nga gëzimi. Gjithë furi iu vërsulëm njeri - tjetrit në qafë. Putheshim e përqafoheshim si majmunë të dashuruar. Kërcenim e hidheshim mbi divanë si një lloj antilope me brirë të gjata e quajtur impala. Kujdesesha se mos padashur e godisnin brirët e mia. Brohorisnim me gjithë fuqinë e mushkërive tona për Marksin, Engelsin, Leninin, Stalinin, Maon, Ho Shi Minin, Kim Ir Senin, Fidelin... disa minuta rresht, njësoj si nëpër mitingje me zezakët.

Prisja Gbong Gongun të zgjidhte i pari emrat e timonierëve të mësipërm... Vetëm në një rast u nxitova, duke shtuar në listë Pol Potin. Për dy - tre sekonda më ngriu gjaku, por me sa u duk në vijim, nuk pata asnjë problem. Madje, një vit më vonë, shefi im urdhëroi t’ia sillnin të pikturuar portretin e tij, për ta shtuar në koleksionin e madh të sallonit. Ishte një vepër e denjë e portretistit të famshëm të tribusë me emrin Maçkukambu. Nuk di çfarë të them, ndoshta unë u bëra shkak. Pas një viti bëra një poemë, ku kërkoja ngritjen e gijotinës së Robespierit francez në qëndrën e kryevendin tonë të quajtur Tarána. Në përngjashmëri me Pol Potin, kërkoja shfarosjen në masë të vëllezërve e bashkatdhetarëve të mi.

Meqënëse në kohën e dorëzimit të biografisë së timonierit, filloi të binte një shi i ngrohtë, tropikal, të dy vërshuam me një frymë, nga bangalóu-i ku gjendeshim, drejt e në shi. E kuptova menjëherë, që timonieri i kuq nuk përmbahej dot nga dëshira e flaktë të luante e qeshte me mua në ato çaste të lumtura. Kjo qe arsyeja që e lashë vehten të më rrëzonte në një parcelë me ca lule të bukura, të importuara nga Afrika e Jugut, të quajtura Maui ose Protea Mbretërore, kokëmëdha, të kultivuara me kujdes nga kryekopshtari i Bllokut të Udhëheqjes, marksisti Kidiebubi me origjinë nga Senegali. Pastaj timonieri filloi të më qëllonte me baltë e pleh të freskët nga parcela. Nga respekti i pakufishëm që ndieja, kuptohet, nuk mund të guxoja kurrësesi, ta godisja dhe unë. Sytë i mbaja të mbyllur fort. Qeshja papushim, me gjithë zemër, gojëhapur...

Derisa ndjeva papritur një shije të keqe.

Ndërkohë Gbobg Gongu nuk pushonte së bërtituri, duke përsëritur se ne të dy do të ngjallnim interes të jashtëzakonshëm nëpërmjet librave tanë të botuar në Europë. Përsëriste me mburrje se edhe ai qe shkrimtar, madje, i madh, shumë i madh. - “Patjetër!”... - përpiqesha të shtoja unë, edhe pse me gojën plot. Nejse, shkrimtar i thënçin... Bërtiste me sa kishte në kokë, duke theksuar se jeta e lumtur në tribu, në radhë të parë duhej propaganduar për të frymëzuar gjithë grupet marksiste - leniniste, gjithnjë e më shumë triumfatore e fitimtare të pandalshme, të shpërndara në gjithë botën!... Duke filluar nga Franca, ku dikur shefit tim i qe dhënë rasti për të filluar të studjonte.

Sipas tij, nuk qe e mundur të mos gjendej në çdo qytet kapitalist të Europës Plakë, të paktën një librari nostalgjike me lexues të etur për të mësuar hyneret apo mambo - xhambot e Stalinit, Maos, Fidel Kastros, Pol Potit apo vetë Gbong Gongut.

Ndërkohë, unë kisha ndaluar plotësisht të qeshja. Herë herë vetëm tentoja të ngërdhishesha. Villja papushim mbi orkidetë apo Proteat Reale, për shkak të një jashtëqitje me origjinë të panjohur, e cila, siç shkruaj më lart, papritur më kishte mbushur gojën.

Plot.

Ç’të bëja! Dihet, fauna e zhunglës është e shumëllojshme... Në të tilla raste është krejt e pamundur të përcaktohet kafsha fajtore, fjala vjen, për ta kapur, robëruar e në vijim, shpallur armike të betuar të idealeve të shenjta të marksizëm - leninzmit apo tribusë…

Kur më pa në atë gjendje të vajtueshme Gbong Gongu, nuk mund ta merrni dot me mend se çfarë të qeshura të forta e mbërthyen. Zakonisht, i ngadaltë në mendim, me sa u duk atë radhë, e mori me mend arsyen, jashtëqitjen në fjalë... brenda në gojën time. (Siç shkruaj edhe më lart, për mua edhe sot, kafsha fajtore e zhunglës është me origjinë krejt të panjohur). Timonieri i kuq filloi të buçiste e të jepte shenja vetëshpartallimi nga të qeshurit. Për një çast ndjeva frikë për të. Gjëmonte më fort nga bubullimat e shtërngatës tropikale. Edhe ato të uruara kishin disa minuta që godisnin si topat e komandantit gjerman, të mirënjohur në anët tona, fon Letou-Vorbek pa pushim e nuk dëgjonin të pushonin. Në të vërtetë, kishin kaluar dhjetë ditë plot pa rënë shi. Kishin të drejtë të trondisnin dheun, sëbashku me të qeshurat shtazarake të Gbong Gongut.

Sa për jashtëqitjen, duhej të qe taze. Tepër e freskët...

Edhe vetë kryekuzhinieri i nderuar, Vekesa, për t’u gjendur sa më parë pranë nesh, braktisi atë ditë gjithë kazanët e tenxheret me blozë. Pata përshtypjen sikur u dëgjuan të rrοkulliseshin me zhurmë menjëherë, pas daljes së tij nga kuzhina... Shërbëtorët, zezakët dhe gjithë banorët e bllokut, sa hap e mbyll sytë, edhe ata lanë punët. Na u gjendën afër, pa përjashtim, me kuç e me maç. Qeshnin edhe ata me lotë. I dalloja të na rrethonin plot dashuri, sëbashku me xhanxhavitët, bojat e qafir - malçikët, që nuk na ndaheshin kurrë. Asistonin në shfaqje, madje, edhe byroistët. Zgërdhiheshin edhe ata sëbashku me bubullimat e vetëtimat. Ndërkohë, edhe pse në atë gjendje të mjeruar, e parashikoja për bukuri që një ditë prej ditësh, këtyre të fundit do t’u binin prapa kokës...

Aq shumë u gajas nga të qeshurit Gbong Gongu, saqë ra përmbys në një shez - long të blerë në Antananarivo. Me sa u duk, harroi të ulej përsëmbari. U rrëzuan të dy sëbashku me zhurmë. Sa të hapje e të mbyllje sytë, rendën si shigjeta zulush ta ndihmonin gorrillat e tij të parë, si dhe dy doktorë personalë, që në tribu i thërrasim doktorë - magjistarë. Për fat, rezultoi që nuk kishte pësur asgjë nga rënia. Si ateist i betuar, lavdërova pa humbur kohë Perëndinë - Merimangë apo ndryshe Ananansin.

Ky më ra ndër mend i pari...

Kur timonieri im u ul e mori frymë thellë në një kolltuk të gjerë plastik, filloi të qeshte akoma më me tërbim. Porsa ndjeu të përqendrohej... Pak. Sigurisht, nuk mund të krahasohej kurrësesi ky lloj shpërthimi gjigant me të qeshurën lilipute, që lidhej me nënën e tij: kur shtrembëronte padashur emrin e Patris Lumumbës, në Lununda. Nëse e mbani mend...

Për të thënë të vërtetën, unë u përpoqa shumë të mos villja. Gabimisht mendova në fillim, për politesë, të mos i prishja qejfin, duke ripërcjellur të vjellat në stomak... Më mirë që organizmi nuk ma pranoi një gjë të tillë. U tregua më i ndershëm nga unë. Me timonierin tim u lidhëm shumë më tepër shpirtërisht nga ajo ditë... Budalla, me plot kuptimin e fjalës, u tregova nja dy herë, kur ushqimin dhe sekrecionet, sëbashku me jashtëqitjen në fjalë, tentova t’i rikapërdija. Të tretën nuk munda. Sinqerisht, nuk mundesha kurrësesi të përmbahesha.

Pa do të kisha bërë ç’është e mundur.

Nga ajo ditë Gbong Gongu, për shkak të kësaj ngarje të jashtëzakonshme, e harroi pothuajse krejt të ëmën e tij nëpër biseda. Kur qe në qejf, me anëtarët e rinj të Politbyrosë, ngaqë të vjetrit i vriste me copëzim gjymtyrësh, nuk kishin tjetër bisedë. Një e dy përmendnin mua. Të gjithë, pa përjashtim, binin përmbys nga të qeshurit. Kujt i shkonte ndër mend të provonte të bënte të kundërtën! Të guxonte të devijonte, sado pak…

Politikisht!...

Ndërkohë që unë, si një lloj harabeli i vogël, i njohur në tribu me emrin sqep - papagalli, me zemrën mal, fluturoja i lumtur në qiellin e shtatë... Nuk mund ta merrni me mend se sa herë në ditë e falënderoja fatin që timonieri im nuk u dëmtua ditën kur u përplas pas shez - longut të blerë në Madagaskari. Po të kishte vdekur a mbetur i paralizuar, qafir - malçikët do të më kishin vrarë patjetër me gurë. Ose mund të më varnin në qafë ndonjë kamerdare xhipsi kinez, tip Xing Fu, të mbushur me naftë. E në vijim, të më vinin zjarrin si agjent i fshehtë: anglo - amerikan, ndoshta persian, nuk di ç’të them. Deri më sot, në saje të karakterit tim të rrallë, në vija të përgjithshme, nuk më ka dalë pothuajse asgjë keq në jetë...

Në këtë mënyrë, të bashkuar me një miqësi të sinqertë, Gbong Gongu, sa herë binte fjala rreth ditës së jashtëqitjes së panjohur, nuk pushonte së përsërituri se ne kishim miq të shumtë, të cilët interesoheshin natë e ditë për mbarëvajtejet dhe sukseset tona. Pikërisht në këtë mënyrë, prej librit tim, të mbushur me gënjeshtra rreth heroizmit të rrallë të Gbong Gongut, filloi lindja ime si shkrimtar ose ndryshe, perëndimi i Zarathustrës… siç shkruan Niçja i Madh, në mënyrë figurative, në lidhje me supermenin e tij të famshëm, të ofruar për imitim masiv:..

Diçka dinte edhe ky.

………………………………………………………………………………...



Ndieja aq shumë nevojë, në fazën e parë, të mosnjohjes me Gbong Gongun... Mendoja se do të më duheshin të bëja përpjekje titanike, për t’u afruar e në vijim, të bëja pjesë plotësisht në rrethin e tij. Kjo do të thotë të jesh njeri me vullnet. T’i vësh vehtes një qëllim të caktuar në jetë. Dhe ta arrish atë me çdo kusht! Krenohem në këtë pikë… Madje, kur e mendoj thellë, nuk më vjen keq as për Ditën e të Vjellave, të lidhur me jashtëqitjen e kafshës së panjohur, e cila u bë për karierën time një lloj mane e vërtetë, mistike e hedhur me bujari nga vetë Djalli…

Artistit i duhet të sakrifikohet në emër të artit!...

Sa për dijeni: ende pa rënë Muri i Berlinit, Ditën e të Vjellave e kisha shënuar në bllokun tim, personal. E kremtoja çdo vit si festë përkujtimore. Binte në prill, dy javë pas ekuinoksit pranveror... Për drekët e jubileve, madje, i lejoja vehtes të haja banane të lyer pak në majë me një lloj sheqeri të trashë e pak esmer, si rëra e një shpelle të njohur në tribu me emrin Kava e Milingonave të Kuqe. Kalemxhinjtë e shkathët të Gbong Gongut qenë përkujdesur ta importonin nga Kuba. E blinim me racion, një kilogram në muaj për një familje të përbërë prej dhjetë - pesëmbëdhjetë vetësh...



Krishtlindje me kukulla të ngrira


Nga Robert MARTIKO

Zoti Olaf Swedberg, pronar i një kombinati të madh druri, është një burrë shtatlartë me një pamje përherë të gëzuar. Sëbashku me të shoqen, zonjën Xhein, një suedeze edhe ajo shtatlartë, gjejnë kënaqësi tepër të madhe sidomos në të papriturat, që u shkaktojnë të tjerëve. Janë disa lloje surprizash që i bëjnë jo vetëm për të dëfryer çupat e tyre të vogla, Keti, Mari, Helen dhe Greis, por edhe për njerëzit e tyre të afërm apo të ftuarit e shumtë, që disa herë në vit mbushin sallonin e madh të shtëpisë së tyre të bukur diku në periferinë e qytetit të Goteborgut. Të mos harroj se zoti Swedberg është personi që, rishtar, më vuri të punoja në ndërmarrjen e tij të shitjes së drurit, ku qendrova disa vjet, derisa u sëmura. Më pas provoi të më bënte kopshtar, derisa u sëmura përsëri. Ndërkohë, nuk harronte të më ftonte në çdo festë që bënte familja e tij. Aq sa tani unë ndihem në gjirin e saj si njeri i tyre…
Por këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, qysh në vigjiljen e festës së Krishtlindjes u duk se sekreti i çiftit Swedberg do të merrej vesh qysh më parë. Në rrethin e tyre, nën zë, bëhej fjalë për kukulla të ngrira. Thuhej se do të vinin prej vendesh të largëta. Dëgjoja të përmendej Tahiti, Hawai, Japonia, mbasi për europianët joshja prej këtyre femrave ekzotike ka qenë përherë e madhe. Jo më kot ato kanë përbërë gjithnjë një simbol të veçantë. Por çuditërisht, këtyre emrave dëgjoja t’u shtoheshin edhe ato të disa vendeve, që dikur gjendeshin pas Perdes së Hekurt: Kaukazi, Ukraina, Hungaria, Çeçenia, Mali i Zi… Për femrat e këtyre vendeve, disa gazeta e revista europiane, sidomos me rënien e Murit, kishin shkruar se e kishin humbur prej kohësh atë joshjen e magjinë e dikurëshme. Për ketë mund të kishte luajtur rol edhe mungesa për një kohë mjaft të gjatë e kozmetikës, e qumështit apo e vitaminave, që ndihmojnë aq shumë në bilancin e lëngjeve të fytyrës. Sa për produktet e stilit Camay, Garnier, Maybelline, Gemey, L’Oreal, Reckit & Colman apo Fresh Line, nuk mund të bëhej fjalë në Lindje.
E megjithatë, rreth këtij trilli të ri të zotit dhe zonjës Swedberg, të cilët gjatë gjithë kësaj kohe, ndaj çdo thashethemi që dëgjonin, nuk bënin tjetër veçse e përcillnin me një buzëqeshje të thellë, askush nuk mund të dinte gjë me saktësi. Në vigjiljen e festës, një mëngjes të ftohtë plot brymë, kukullat mbërritën nëpërmjet një kamioni frigorifer të vogël. Bashkë me shoferin, i shkarkuam në hyrjen e ndërtesës trekatshe. Më pas më ndihmoi që arkat të futeshin në një nga dhomat e banesës, pranë sallonit në katin e dytë. Ndërkaq Lusi, një qen i vogël i racës New York, me leshin që i zinte sytë, me një këmbë të thyer gjatë lindjes, nuk pushonte së lehuri në drejtim të mallrave të porsaardhura. Ishin katër kuti të mëdha prej druri të lustruar, me ngjyrë të kuqërreme, në të cilat disa etiketa prej letre të plastifikuar ngjyrë rozë thoshnin se në secilën prej tyre gjendej e mbyllur një vajzë e re. Duhej të ndodheshin aty në një gjendje të veçantë letargjie ose ngrirje…Të pakën, ky ishte mendimi qe më vinte atypëraty. Një tjetër etiketë porosiste të ndiqeshin rigorozisht udhëzimet e riprurjes në jetë. Kjo gjendej e ngjitur në anën e djathtë të kutisë. Në njerën nga faqet nuk mungonte as shënja e thyeshmërisë, nëpërmjet skicimit të një gote elegante brandy, shenja e të moskthyerit përmbys të kutisë, nëpërmjet një shigjetë të trashë me kahun lart, shenja e mbrojtjes nga shiu e lagështia, etj.
Dhe kur, më në fund, erdhi çasti i shumëpritur prej të gjithëve, magjia e asaj nate që bëhej hapja e kutive të rralla, unë së bashku me kukullat e ngrira u ndodha pranë bredhit të madh të Krishtlindjes. Vezullonte i ndriçuar prej dritash, pranë një oxhaku të bukur me mermer të kuqërremtë të skalitur, ku flakët e një zjarri ardent, Ave Maria e Shubertit apo Gunosë, zëri i Diana Ross, që delnin prej një sistemi të harmonizuar altoparlantësh, nuk mund të mos të të preknin thellësisht. Pianoja në sallën tjetër kishte pushuar së lojturi prej disa minutash, kur zoti dhe zonja Swedberg u gjendën mes të pranishmëve, ulur të gjithë mbi disa kolltuqe, poltrona apo karrige antike të zbukuruara me relieve amorësh, harqesh, shigjetash me majën të lyer me ar. Ishte një motiv që e vëreje edhe në pjesën e sipërme të mureve apo në tavanin e sallonit. Të mbërthyer nga padurimi, fëmijtë e vegjël të të ftuarve ndodheshin më këmbë pranë meje. Atë çast të gjithë i mbanin sytë ngulur tek unë, ngaqë prej çiftit Swedberg pikërisht mua më ishte ngarkuar të merresha me riprurjen në jetë të atyre vajzave të ngrira. Falë mirësjelljes dhe edukatës së veçantë të njerëzve të asaj shtëpie, e thuajse gjithë suedezëve, prej kohësh kisha filluar të ndihesha diçka më i shpenguar. Vetëm prania e ftohtë dhe e ngrirë e një inxhinieri arkitekt, disi të pakomunikueshëm e snob, më turbullonte lehtë. U ngroha diçka në vijim vetëm kur mendova se, në fund të fundit, qëndrimi i tij ishte diçka që i bezdiste edhe të tjerët.

* * *
Gjithë atë paradite kisha lexuar e stërlexuar me kujdes udhëzimet që gjëndeshin nëpër arka. Këto ishin shkruar pothuajse në të gjitha gjuhët kryesore europiane, përfshirë edhe turqishten. Dhe ja, nuk më mbetej tjetër veç të kryeja përfundimisht ringjalljen e kukullave. Habitesha dhe njëkohësisht i admiroja pa masë të pasurit - termin klasë borgjeze prej kohësh e kisha fshirë nga fjalori - për atë fantazi e shije të hollë në të zgjedhurit e gjërave. Ishin në gjendje të gjenin e të shkulnin edhe prej fundit të botës objekte të tilla kaq të rralla! Vajza të ngrira! Kukulla të ngrira! Bukuri të rralla! Të ngrira!.. Ishte diçka që më bënte të ndihesha i emocionuar. Me pak fjalë, të mos ndjehesha tepër i sigurt nëse do t’ia dilja mbanë kësaj pune të vështirë që po filloja. Isha pikërisht unë personi që i binte barra për të ringjallur patjetër kukullat e jashtzakonshme.
Në fillim prej ankthit, nisa të veproj diçka i nxituar. Nëpërmjet një çelsi të verdhë, të lyer në ar, hapa arkën e parë, ku pashë, para meje, shtrirë në mëndafsh të kuq një figurë të bukur vajze koreane, vietnameze, ndoshta kineze, mbasi dallimet e pakta ndërmjet tyre më ngatërrojnë. Ndërkohë që udhëzimet e përcaktonin qartë se kukullave duhej t’u fryje lehtas në fytyrë, njëlloj siç bëjmë kur duam të provokojmë të qeshurit te një foshnje Pastaj të prisje disa çaste, në mënyrë që më pas të mund të vëreje tek to shenjat e para të jetës. Pikërisht në këtë mënyrë veprova me të parën…
Në vijim, duke hapur arkën e dytë, gjeta aty një pamje edhe më të bukur. Asaj çupe i lëshova një frymë të lehtë mbi qerpikë, si për të mos e bezdisur. Pastaj, duke iu rikthyer arkës së parë, vura re se kukulla e saj ndodhej nën shenjat e para të ringjalljes. Kështu, i gëzuar, vijova me kutinë e tretë, duke kryer të njëjtin veprim, atë të frymës së lehtë mbi fytyrë.
Por sapo iu kthyeva arkës së dytë, kukulla çuditërisht m’u duk tepër e zbehtë. I alarmuar vura re se shenjat e jetës në fytyrën e saj engjëllore mungonin. Duhet ta pranoj se qysh në fillim më pati lenë një përshtypje të çuditshme. Nën një lloj bukurie me tipare klasike, dallohej diçka fëminore, tretur në një pamje serioze, diçka si një vel trishtimi, shkaktuar si prej një gabimi që edhe në gjumë shpërndan qetësisht helmin e tij. Por, ngaqë nuk dija se ç’të bëja, iu afrova edhe më tepër se herën e parë, duke i fryrë fort në buzë, flokë e qerpikë. Si i dehur, fillova të tërhiqesha thellësisht prej pamjes së saj aq të veçantë. Ishte një bukuri delikate, prekëse e njëkohësisht tragjike. Ndjeva fatalitetin, gjithnjë në formën e një dore të pamëshirshme të shkëputur nga pjesët e tjera të trupit, të më shtrëngonte mizorisht në fyt. Ndonëse udhëzimi në raste të tilla e përcaktonte qartë: reanimatorit të kukullave i duhej të priste… Prandaj, me zëmër të dridhur, iu afrova kukullës së tretë. Vura re se atë çast, nën një palë qerpikë të gjatë, ajo ishte duke lëvizur ca sy të bukur bojëqielli. Po më dukej se të tillë i kisha imagjinuar edhe para hapjes së arkës - kushedi nëse thjesht për hir të faktit se përmbajtjen e arkës me gërmat e saj cirilike e njihja qysh më parë. Tregonin se vinte prej një Rusie apo Ukraine të largët, të cilën gjithmonë e përfytyroja të kredhur midis stepash pa fund, arinjsh, balalajkash, kozakësh, kuajsh, shpatash, komitash, trenash me tym të bardhë, gulagësh, pyjesh të mjegulluar, mështeknash, akujsh e brymash. Por edhe më çuditshëm po më rrënjosej mendimi se këtë kukull e njihja qysh më parë. Edhe pse në femini, kur kishim marrëdhënie të mira me sovjetikët, mbaj mend se, fare për pak çaste, kisha luajtur vjedhurazi vetëm me një matrioshkë të vogël prej druri, si dhe me derivatet e saj të dala nga barku i njëra-tjetrës, të zvogëluara në mënyrë të njëpasnjshme, të gjitha me sy bojëqielli e shami lloj-lloj ngjyrash në kokë…

* * *
Fillova të hap kutinë e katërt. Te vajza e saj dërgova vetëm një regëtimë. Dhe këtë e bëra thjesht nga padurimi për të marrë vesh ç’ndodhte me kukullën e dytë. Ndërkaq, e para dhe e treta kishin nisur të çoheshin më këmbë, nën mrekullimin e të pranishmëve, që duartrokisnin e duartrokisnin. Por, për fatin tim të keq, kur vajta tek arka e dytë dallova se vajza e saj përsëri vijonte të mbetej e zbehtë. Kështu, një dyshim ogurzi më bëri të mendoja se ndoshta kjo kukull nuk do të arrinte të zgjohej… Në atë çast, edhe vajza e katërt kishte arritur të ngrihej më këmbë, pasi duartrokitjet e njerëzve që mbushnin sallonin vijuan të forcoheshin. Por si të veproja me kukullën e dytë? Nuk ndieja në zemër të njëjtin ankth të fillimit, në ato çaste të jashtëzakonshme për mua e ndieja ankthin të shumëfishuar. Vendosa të bëja me kukullën një hap më tepër, matanë udhëzimeve të parashikuara nëpër arka. Pa dashur, në mënyrë krejt poetike, fillova të mendoja se fryma që dërgohej në fytyrën e kukullave duhej të përbënte patjetër një veprim dashurie, sepse kjo, nëpërmjet forcës së saj të mbinatyrshme, i bënte ato të riktheheshin në jetë. Përse të mos e përforcoja më tej atë lidhje të brishtë të kukullës me jetën? Përveç kësaj, a nuk parakuptonte kjo se në eterin e një nate të magjishme, si ajo e Krishtlindjes, vetë njeriu sikur provon një lloj ringjallje shpirtërore? Ai sikur arrin të ndiejë notat më sublime të vetë misterit të amëshuar. Kjo natë rrezaton në shpirtrat e njerëzve gjithë atë qetësi, paqe, mirëkuptim. Pavarësisht se të nesërmen gjithçka, pa e kuptuar, përsëri tërhiqet verbërisht drejt monotonisë, rutinës, banalitetit, thashethemeve, nxjerrjes së syve.. Ε njerëzit me njëri-tjetrin mbeten përjetësisht të huaj. Me pak fjalë, gjithçka vezulluese prej kësaj nate të magjishme zbehet, tretet, harrohet... M’u desh pothuajse një jetë e tërë për ta kuptuar këtë. E megjithatë, përsëri nuk mund të mos besoj se njerëzit nuk arrijnë të zbuten diçka në natën e kësaj magjie misterioze që quhet Krishtlindje.
Më duhej veç ta puthja në buzë kukullën e bukur. Në vijim u binda, kisha pasur të drejtë. Ajo filloi të gjallërohej disi. Dhe dukej sheshit se ato vajza të reja, së bashku me ëndrrat e largëta që sillnin, kishin nevojë për dashuri, veç për një dashuri të pastër, të vërtetë dhe jo të endeshin e lëngonin të plagosura në errësirën e dyshimtë të rrugës. Çuditërisht, po ndjeja se ndaj tyre kisha marrë një qëndrim brojtës! Prandaj, duke marrë guximin të shtrihesha përbri kukullës së dytë, fillova të dërgoj drejt fytyrës së saj edhe më tepër frymë. Atë çast, unë duhej ta kisha harruar krejtësisht inxhinierin arkitekt me natyrë meskine. Kukulla filloi të gjallërohej më tepër, duke më hedhur më pas duart mbi flokë dhe fytyrë, sikur të thoshje se ne të dyve na lidhte e njësonte një fatkeqësi e përbashkët. Por e vërteta është se, me ta hapur kutinë, nëpërmjet asaj vajze të re kisha ndier të më përforcohej era misterioze e një fëmjërie të largët, kënga e mistershme e bulkthit netëve të vakta të verës, apo muzika e shqetësuar e Gustav Malerit, bashkë me kujtime të turbullta njerëzish pothuaj të harruar, dashuri të vjetra të mjegulluara, më tepër platonike, të parealizuara kurrë. Çudi! Ndiej të mos më ndahet nga thellësitë e shpirtit edhe ajo pjesa e bukur, e ëmbël e ca njerëzve të ndershëm, të brishtë, të lëne pas dore, që kam patur fatin të njoh në Shqipëri. Dikur, kur isha pesë vjeç, isha dashuruar me një çupë të vogël, e cila më pas vdiq në internim. E quanin Arieta. Kur u rrita, pothuajse nuk u dashurova më kurrë. Me përjashtim të një rasti, kur m’u duk se pashë të kalonte në rrugë një vajzë që i përngjante asaj... Ishte një dashuri e çmendur në vetmi! Në krye të dy-tri javëve, kuptova se Arjeta apo ajo dashuria e madhe që lidhej me dritëhijen e saj, nuk mund të më shfaqej më kurrë.

* * *
Sidoqoftë, këtu, në spitalin Sahlgrenska të Goteborgut, unë shpesh herë ndihem mjaft i mallëngjyer. Patjetër, për hir të ëndrrave të bukura që shikoj. Mbi të gjitha, më duhet të falënderoj barnat, më përjashtim të rastit kur m’u shkaktua epilepsi me shkumë nga goja. Ndërkohë, e kam kuptuar: kjo mund të më jetë shkaktuar nga mërzitja e madhe. Më bie për herë të dytë në jetën time. E para më ka rënë rreth moshës gjashtë vjeç.
E vërteta ështe se këtë natë Krishtlindjesh unë nuk ndodhem aspak në shtëpinë e bukur të çiftit Swedberg dhe vajzave të tij të vogla, Keti, Mari, Helen dhe Greis. Me ata unë jam ndarë para disa orësh. Erdhën të gjithë familjarisht të më vizitojnë.
Sa për kukullat e ngrira apo për festën që bëhet sonte në shtëpinë e tyre, atë thjesht e ëndërroj... Me interesimin e zotit Olaf, tani ndodhem i shtruar këtu në Sahlgrenska, ku mjekët përpiqen të më shërojnë prej një sëmundje të vjetër në mëlçi. Do të më mbajnë edhe nja dy-tri ditë. Për shërimin tim thuhet se nuk kanë më shpresë.



Robert Martiko: Unë, do të përbetohesha më shumë për hundën e gjatë të pinokut.
(Rreth novelës “Një çmim për shkrimtarin e vdekjes”- historia e një sahanlëpirësi të zgjedhur.)

Nga Robert Martiko

Të them të vërtetën, nuk u mundova shumë për të shkruar novelën time prej afër 250 faqesh “Një çmim për shkrimtarin e vdekjes” - Historia e një sahanlëpirësi të zgjedhur. Për besë, nuk e di se çfarë pësova gjatë atyre dy muajsh dimri, të vitit të kaluar, ku ndjeva dorën të më rrëshqiste në letër njësoj si yacht-i i famshëm Dënkan në valët e mbuluara me një cipë të hollë vaji, drejt brigjeve të Australisë Veriore... (Të paktën sipas feministit Zhyl Vern!!!)

Çudi, gjatë kësaj periudhe dymujore më shfaqeshin në ëndërr valë - valë, turma hijesh njerëzish të çuditshëm të mbuluar me lloj - lloj leckash... Vetëm aty nga çereku i parë i novelës e kuptova se kisha të bëja me pothuajse gjithë viktimat e diktaturës komuniste në Shqipëri. Jo pak herë i dalloja të më qëndronin përbri. Të më luteshin. Të bëja për ta diçka.... në kuptimin moral, kuptohet, pasi nuk do të mundja kurrsesi të kryeja Ringjalljen: ti ngrija ata nga varret e tyre të njohura e të panjohura...

Nuk janë pak, për të thënë të vërtetën, të asgjësuar: 5.037 burra dhe 450 gra, të burgosur: 16.788 burra dhe 7.367 gra, të internuar: 48.217 burra dhe 10.792 gra, të dëbuar nga qytetet kryesore dhe nga zonat kufitare: 11.536 familje... të pushkatuar apo të vdekur në burgjet shqiptare 64 shtetas të huaj, të burgosur 1.215 burra dhe 38 gra te huaja... 95 kosovarë të pushkatuar. Të mos harroj, më dilnin në ëndërr edhe metodat e torturimit të aplikuara nga organet e MPB-së... (jo të gjitha për të qënë i sinqertë) si fjala vjen: jeleku i torturës, dëmtimi i organeve gjenitale, kamxhiku dhe druri, lënia pa ushqim e lënia në këmbë për ditë të tëra, përdorimi i rrymës elektrike deri në humbjen e ndjenjave, varja në qafë e zinxhirëve me pesha të rënda, varje prej krahësh dhe mbushja e gojës me kripë, terrori e paniku me dërgimin gjoja për pushkatim ose varje, shuarja e cigareve në trup, futje me kokë poshtë në fuçi me ujë, thyeje kockash dhe shkulje të mishit me darë, futja në ujë të ftohtë dhe lënia të lagur në dimër, pakësimi hap pas hapi i ushqimit, përdorimi i lëndëve kimike për dëmtimin e sistemit nervor, lidhja me pranga duar e këmbë për një kohë të gjatë, përdorimi i zgjoit të bletëve, shurja e cingareve në beben e syrit etj.

Eh, të nderuar miq, kur zbatoheshin këto menu tepër shijëshme, kanibaleske, tmerresh, që buronin prej mëndjesh të zgjedhura, infernale, të sëmura e paranojake në Shqipërinë Socialiste të asaj kohe, kishte mjaft mëndjellinj, sahanlëpirës e aventurierë të rrallë që i drejtoheshin diktatorit të vendit me poezi të tilla:

Bjeri ditë e natë burokratizmit,

Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj.

Në se s'do që nesër skuadër e pushkatimit

Të të vejë në mur

tek Bulevardi i Madh.

Shqiptarë e patriotë të nderuar në mos gaboj, nuk bëhet fjalë në këtë rast, që shqiptari të pushkatonte shqiptarin?... Nëpërmjet luftës së klasave ti hapte varrin Agroni Simonit e Vangjeli Muratit? Cili njeri i ndershëm e me parime fisnike, mund të jetë në gjëndje të pranojë këtë lloj kanibalizmi letrar me efekte praktike për çizmet e kamat e xhahilëve dhe inkuizitorëve?... Çfarë kodi moral pranon, mercenarizmin, sahanlëpirjen, kriminalitetin e vllavrasjen? Që të mos zgjatem e lodhem, pasi drita morale e sejcilit buron brenda vehtes së tij dhe vetëm në raste tepër të rralla, për individë të veçantë, thuhet se vjen nga jashtë, në vija të trasha, kjo është ideja ime kryesore në novelën “Një çmim për shkrimtarin e vdekjes” - Historia e një sahanlëpirësi të zgjedhur. Me pak fjalë, nuk më intereson aspak talenti i shpifur e i pëgërë, i shkëputur nga morali! Nuk bëhet fjalë në këtë rast për talentin e një pijaneci, eksentriku, tradhtari bashkëshortor, feministi (Si Zhyl Verni), egoisti apo perversi seksual por për atë të një aventurieri, bashibozuku, mercenari e mbi të gjitha krimineli të cilin, në novelën e mësipërme, unë e vendos të zhvillohet e përparojë si poet e romancier në një tribu afrikano - qendrore të udhëhequr drejt majave më të larta të socializmit nga diktori i vendit Gbong Gong.

Çudi, edhe izraelitët e mbijetuar nga Lufta e Dytë Botërore nuk duan të dëgjojnë në erë e bina një talent, që me të vërtetë të rrëmben e bën për vehte, (dhe jo plehra) me të vërtetë të rrallë e prej shkëmbi si Vagneri, ndonëse jetoi gjashtëdhjetë vjet para Holokaustit, ngaqë Hitleri e përdori muzikën e tij për të hymnizuar krimin. Vetëm të jem një i çmendur e të më kenë rrjedhur trutë, të çmoj në radhë të parë talentin e pastaj jetën, nderin, emrin e mirë që të lënë të parët e tu... Apo të dua tu përngjaj skërminjve të skuqura e përvëluara në tigan, të Ezopit që fabulisti i famshëm u drejtohet me fjalët e famëshme të njohura në gjithë botën: “O kafshë budallaçka, nga njera anë ju digjet shtëpia e nga ana tjetër këndoni!” ( A nuk u shpërndanë e u bënë kashtë e **** shqiptarët në katër anët e botës? Braktisën në Shqipëri fëmijë, gra e prindër të moshuar e të sëmurë, këta të fundit vdiqën me adhap, të mjeruar e abandonuar. Përse?... Nga erdhi vallë shkatërrimi?... I harruat skenat rrënqethëse me emigrantët e mjeruar, të kacavjerrur deri në majat më të larta të direkëve të anijeve, që bota i mban mend nën aspektin e çuditshëm: hije, verdhacakë e fytyrë nxirë nga të pangrënët, të njohur me emrin boat - people?... Nuk qenë vallë shkaktarë diktatori dhe elita e tij e famëshme intelektuale përherë prezente, për këtë lloj tragjedie e katandie mbarë kombëtare?)

E vërteta është se më tepër se sa talenti i pëgërë e i pështirë, apo pena e lerosur, e ngjyer në gjakun e vllait, mikut e shokut, jam mësuar të vlerësoj ndershmërinë... Më bie barrë mbi të gjitha, të dua dhe respektoj kultin e shenjtë të jetës së njeriut. Të kujtdo qoftë!... Edhe kur bëhet fjalë për të panjohurin!. Diçka më shumë për të vrarin e të munduarin. Më duhet në këtë rast, të mos tradhëtoj mikun, qoftë edhe kur ndjehem ngushtë dhe rrezikohet vetë jeta ime. Përsëri, që të mos zgjatem, pasi e di për bukuri që nuk arrij të emocionoj gjithë auditorin, edhe në këtë pikë tregova gjatë diktaturës komuniste se më mirë do të qe për mua të dëmtohesha, se sa të bëhesha spiun i sigurimit shqiptar. Se sa të tradhtoja jo vetëm shqiptarin por edhe çdo qënie tjetër njerëzore në botë.

Eh, kjo dreq fjalë e profesion masiv, i ndyrë i së kaluarës: spiun... “Mbani vesh” - thonë lebërit në Vlorë e gjetkë. Pikërisht te fjala e mësipërme qëndron gjithë çelësi apo sekreti i botëkuptimit të njeriut të ri socialist dhe i derivateve të mendimit të tij... Ky fakt ka qënë dhe vijon të mbetet gjithë esenca e qënies së tij madje edhe në ditët e sotshme. Për besë, është mjaft e shpartalluar, e ndyrë dhe e shkarpatinuar në këtë pikë, kjo lloj specje e transformuar thellë në DNA. Kjo është arësyeja që nuk mund të kuptohet kurrsesi vetëdekadenca morale e individit socialist ende në ditët e sotëshme. Kjo është arësyeja që nuk mund të kuptojë kushdo frymën e heronjve në romanet të mia apo ndryshe kategorinë tonë... të njerëzve që admirojmë heronjë të tillë të rrallë të mbijetuar moralisht nga torturat e sigurimit si Pjetër Meshkalla, Dilaver Premti, Simon Jubani im atë, Dino Martiko, që pranonin më mirë tu prisje mishin me gërshërë se sa të tradhëtonin, mikun, shokun, shqiptarin apo edhe vetë të panjohurin... Ky është pikërisht misioni i letërsisë time të vonuar. Ngaqë, nuk aspiroja të bëhesha shkrimtar apo ndryshe një mercenar i rëndomtë, sahanlëpirës i sistemit në një kohë kur burgjet dhe shpirtrat e të vrarëve dhe zemrat e nënave të tyre tragjike gjëmonin e ulërinin deri në kupën e qiellit. Ç’farë vlerë mund të kenë në këtë rast, sytë e bukur të elitës sahanlëpirëse, borizanëve të vdekjes, penmbajtësve, bashibozukëve, merecenarëve të ndërgjegjes, spiunëve të mjeruar të Europes Lindore para lumit te gjakut te derdhur nga lufta e klasave?” Gjashtedhjete miljonë qenë. Jo pak!... Në të gjithë botën!

(I asgjësoni të gjitha këto sa shkruaj: nuk vlejnë për sytë e mbyllura të shpirtrave me dyllë të tharë kuvendesh e manastiresh. Vlejnë vetëm për ata që disponojnë zemra me të vërtetë të dashura, trime e fisnike. Jo për hjenat, sahanlëpirësit e hipokritët e njohur profesionistë!)

Të them të vërtetën, kur qeshë duke hedhur fragmentet e para të novelës time në internet, si fjala vjen “Festa e jashtëqitjes”, (e mbani mend: heroit kryesor i mbushet goja cep më cep me një copë jashqitje kafshe xhungle, të hedhur drejt e në grykë nga vetë dora e diktatorit Gbong Gong, e megjithatë ai vijon të qeshë gjithë servilizëm), “Në Francë”, “Gjak e vllavrasje”, “Akademia franceze”, “Rafaeli e Bashibozuku”, “Bisedë me Katjushën” etj qeshë mjaft ambicioz në lidhje me novelën “NJE CMIM PER SHKRIMTARIN E VDEKJES” - historia e një sahanlëpirësi të zgjedhur. Thoshja me vehte se kam prekur pikërisht aty ku duhet, në DNA e gjakut të heronjve më të mëdhenj e karaktereve prej çeliku shqiptarësh të zgjedhur si Skënderbeu, Mujo Ulqinaku, Nënë Tereza, Azem Hajdari etj. Thashë me vehte se ky libër do të përkrahet jo vetëm prej njerëzve seriozë, me parime të larta morale e të ndershëm. Bluajta për një kohë të gjatë iluzionin se gjithë të penduarit e çalamanët ndërgjegjes së tharë e bërë pastërma prej kohësh, për të ngjitur për muri, do të mund ti ngrija sërishmi moralisht në këmbë. E kam fjalë për Njeriun e ri Socialist që edhe sot e gjen prezent kudo.

Ngaqë, ç’është e vërteta, shfaqen shumë persona në ditët e sotëshme, që gjoja u digjet shpirti për viktimat e komunizmit. Gjoja dënojnë inkuizitorët e të djeshmes. Janë gati të futen brenda në lëkurën e dhimbjeve tona, të së kaluarës së dhimbëshme e të pashlyeshme... Por nuk mund të ekzistojnë kurrsesi për njeriun normal e me integritet të pacenueshëm, moral, dy metra dhe dy stacione. Nuk mund të jesh edhe me policin edhe me milicin... Një nga të dy!... Zgjidh e merr!. Përbetimet e këtyre lloj hipokritësh për gjoja dënimin moral, që ata i bëjnë diktaturës nuk janë veç gjepura qesharake, të vrara e sakatuara apo siç thonë në Vlorë, kodra pas bregut! Padashur tradhëtojnë vetvehten njësoj si nëna e gënjeshtërt me foshnjen e grabitur nga gjiri i nënës së vërtetë në gjyqin e Solomonit, mbretit të famshëm izraelit. Nuk arrij të ma nxerë kurrsesi mendja: si mund të duash edhe krimin edhe viktimën, edhe hienat pjesmarrëse në shfarosjet më masive të shekullit të XX edhe të vrarët e asgjësuarit për hir të çmendurisë e paranojës së diktatorëve dhe bashkëpuntorëve të tyre aventurierë.

Novelën “Një çmim për shkrimtarin e vdekjes” - Historia e një sahanlëpirësi të zgjedhur nuk e kam shkruar për këdo, por vetëm për një elitë lexuesish të ndershëm, në edukatën e të cilëve gjen të rrënjosur thellë idealet e ndershmërisë dhe fisnikërisë. Duke lënë mënjanë mburrjet vanitoze e duke zgjedhur ato që ndihmojnë direkt njeriun, si dhe duke gjetur forcën e duhur, në librat e mia gjen një kulturë me të vërtetë të admirueshme e cila është mjalt nga mjalti i bukurive shpirtërore të heronjve të hetuesive shqiptare dhe jo vetëm. Gjen trajtime letraro - filozofike rreth ekzistencializmit dhe modeleve qiellorë si elemente të kulturës europjane klasike, iluministe apo romantike... Robert Olsi duhet konsideruar një fat i madh në rrugën drejt pasqyrimit e studimit të historisë së letërsisë shqiptare. Një person i tillë të ndihmon qoftë edhe me heshtjen e tij, jo vetëm për të mësuar konkretisht tonalitetet e civilizimit shpirtëror të botës kontemporane por edhe shumë më gjerë... Dhe natyrisht, një individi të tillë tepër të edukuar e me kapacitet, nuk mund ti shitet mend për mendimin e tij të ndershëm, të matur e shprehur me unitete e njësi të pastra matematike... Dhe jo me lluburdira që nuk kanë asgjë të përbashkët me shkollat ballkanike të akraballëqeve e miqësive, lutjeve, për të fituar diçka që të paktën moralisht nuk mund të meritohet...

Duke u kthyer sërishmi te supermenët e hetuesive të sigurimit famëkeq shqiptar, dua të theksoj se gjatë një periudhe të zgjatur, gjysëm shekulli nënështrimi, skllavërie dhe eklipsi total, vetëm këta lloj burrash të dalë gojëdhanat dhe kreshnikët e prrallave, mundën të grumbullojnë, të ngrijnë, mishërojnë e sublimojnë drejt absolutes së vërtetë vlerat dhe shpirtin madhështor të botës heroike, prej krijimit i saj. Eshtë fakt se në mjaft prej tyre, nuk gjen kulturën gjysmake, egoiste, mburravece, të shpifur, të vuajtur e të athët si gorrica e tharë në shkëmbinj prej stralli. Pikërisht këta lloj heronjsh nënkuptonte në të vërtetë Niçja, pavarësisht që u drejtohej edhe llozhurave e bizhdileve të zakonëshme njerëzore të mohonin perëndinë e të bëheshin edhe ata supermenë.

Imagjinoni të doja të vendosja në plan të parë në librat e mia, ca brrashnjarë e mizerabël të ndërgjegjes para idealeve më të larta për një Shqipëri të bukur, heroike e ideale... Ambicja ime më e madhe në letërsi do të qe, që të paktën intelektualët e saj të drejtonin shpirtin drejt të bukurës, të ndershmes, heroikes, pikërisht drejt atyre mendimeve qe te bëjnë të mbash ballin lartë në jetë, mbasi intelektual do të thotë dritë dhe jo tutukathe, tumore malinjë e simbioza perverse me më të fuqishmit e kësaj bote... Në jetë nuk bën të mësohesh të zvarritesh si hienë apo gjarpër i fshehur, kutullaç në bar. Të mos harrojmë se çdo veprim tonin, të mirë ose të keq të parët që e kopjojnë pa e kuptuar, në heshtje të plotë, janë fëmijët tanë. Duhet menduar thellë për ta. Në radhë të parë, për emrin që u lemë trashëgim!... Në këtë rast nuk mbetet veç, që tepricat e historisë, karakteret e pështira, furbot e papenduar dhe sahanlëpirësit mendjelehtë të historisë të hidhen aty ku meritojnë në koshin e plehrave.

Eshtë e vërtetë, që kam shkruar një libër të vërtetë, stacion, në lidhje me historinë e letërsisë shqiptare, ku si Meduzë Ferri shfaqet kampioni i pjesës më të ndyrë dhe më makabre, të nxjerrë nga ujrat e zeza dhe llagëmet e realizmit socialist. Kush të dojë e lexon. Kush nuk dëshiron e merr dhe e përplas për muri. Mbetem partizan i idesë se vetëm nderi i vërtetë i ushqen artet. E ndiej që në një farë mënyre kam mundur të kontribuoj në diçka… Dhe ndofta do të vijoj të preokupohem edhe në të ardhmen, lidhur me historinë e mendimit shqiptar. Që ky të shkojë përpara. Të mos mbetet në konturet e mëndjengushtësisë ballkanike. Nëse nuk do të arrij të gjej mjaft lexues të shumtë e të përshtatshëm sot, ngushëllohem nga një tjetër mendim. Librat e mij le ti lexojnë pasardhësit tanë pas dyqind - treqind vjetësh, në një kohë kur metastazat e Njeriut të Ri Socialist do të jenë pakësuar apo, ndofta zhdukur plotësisht nga faqja e dheut sëbashku me frymën e tij të helmuar si Hidra e Lernës. Sa për talentin pa moral ua fal skërminjve të Ezopit për diskutim e duartrokitje. Eshtë plotësisht i tyre… Ta gëzojnë, ta duan, ta mbajnë ngrohtë në gji, ta dashurojnë, adhurojnë, njësoj si viçin e artë izraelitët në malin Sinai që Moisiu e theu dhe e bëri shtatëqind copa. Siç shkruaj edhe më lart, mbi të gjitha më interesojnë më tepër brezat e ardhshëm, të cilët një ditë do të marrin në dorë rilindjen e vërtetë të kombit. Ngaqë fëmijët pikërisht, janë baballarët e vërtetë të njerëzimit. Mjafton të edukohen për së mbari… Ku në thelb të qëndrojë ligji i artë: “Mos ndërto lumturinë tënde me fatkeqësinë e tjetrit!” që është boshti kryesor, zemra e civilizimit perëndimor… Pikërisht këtu bazohet edhe krahëhapja e treguar ndaj emigrantëve, të mbritur në Europë e gjetkë nga gjithë vendet e botës.

E megjithatë, për të demonstruar integritetin tim moral, nuk është aspak e vërtetë që nuk e dua heroin tim të papenduar, zezak, të novelës “Një çmim për shkrimtarin e vdekjes” - Historia e një sahanlëpirësi të zgjedhur. Jo prej urrejtjes, por prej dashurisë së vërtetë, me sa kam mundur, jam përpjekur ta kthej atë në transparent. (Dy muaj të tëra u përpoqa ta laj me sapun.) Sikur të kishte jetë të vërtetë e të më dëgjonte, do të më falënderonte për një gjë të tillë… Që një shkrimtar të mos dojë të japë llogari para popullit të tij, është një e drejtë e tij, hyjnore, e shenjtë. Por kjo nuk mund të vlejë kurrsesi për artin e fëlliqur e të përlyer me gjak. Është e vërtetë që jam treguar tepër radikal në novelë… Në mënyrë poetike, kjo do të thotë se jam përplasur në rrënjë e në baltë ku kam zbuluar natyrën e brishtë njerrëzore. Mbaj mend, mu kujtua aty në terren, një thënie e Niçes që thotë se një gjarpër që nuk ndryshon lëkurën, ngordh. Sa për mua, kur njeriu dëshëron të ndryshojë mund të mësojë edhe nga qentë, fjala vjen kur u duhet të lëvizin një peshë të tëndë në borë, të fillojnë duke u përderdhur këmbët, e vithet majtas - djathtas në fillim. Vetëm e zeza nuk ndryshon…

Thotë filozofi francez Blez Paskali: “Sikur hunda e Kleopatrës, të qe më e shkurtër, gjithë faqja e tokës do të ndryshonte.” Unë nga ana ime, do të përbetohesha për hundën e gjatë të elitës famëkeqe komuniste apo Pinokut, buratinit të famshëm të Karlo Kolodit, që i zmadhohej sa herë gënjente. Sikur të qe ca më e shkurtër, sigurisht fati i shqiptarëve, do të kishte qënë shumë më i mirë nga sa është sot. Kjo pikërisht është më kryesorja, respekti dhe edukata për lartësimin e kultit të shënjtë të individit dhe jo gjepurat e kodrat pas bregut…

Primum vivere, deinde philosophari!... (Më parë jeto, pastaj filozofo!) Dhe kur them të jetosh, nënkuptoj tu japësh mundësinë të jetojnë edhe të tjerët… E kam fjalën për shqiptarët më të dobët apo të vuajturit e të munduarit e kësaj bote.




Robert Martiko: Fragmente nga libri: Shën Maria e Parisit
Fragmente nga libri: "Shën Maria e Parisit"

Nga Robert Martiko

Skuqem dhe djersij kur dua të sqaroj diçka në politikë apo sociologji, ngaqë e marr atë me shumë pasion. Natyrisht, pa humbur kurrë edukatën, edhe pse kjo praktikisht, do të thotë: të hash vetvehten. Sipas meje, në ngulmimin tim fshihet gjithmonë e mira dhe e keqja. Por medet, pikërisht këtu qëndron burimi i gjithë të këqiave... Madje, edhe më e mërzitshme për mua është...kur në vetmi rikujtoj faktin se në çdo batutë gjatë bisedës kam përdorur simbole historike apo letrare...

Një herë fjala vjen, gjatë një dreke buzë detit, ditën e diel, diku në Saint Tropez, me një maketë në dorë, të vizatuar me laps, tregoja Katedralen e Shën Marisë së Parisit në një letër të milimetruar. Ju duhet ta dini: të skicoj nuk është aspak e vështirë për mua. Para rreth njëzetë vjetësh jam diplomuar inxhinier arkitekt në Universitetin e Budapestit, madje, me nota të shkëlqyera…Sa për bisedat e natyrës së mësipërme, me duhet ta pranoj qysh më parë se ato gjithmonë më kanë tërhequr fort, madje, shumë më tepër se sa bota e magjishme e arkitekturës.

Siç shkruaj më lart, atë të dielë unë iu drejtova bashkëfolësve të mij: “Ja, një katedrale e tillë duhet ndërtuar në shkretëtirën e Saharës!”…Në atë rast unë vijova menjëherë, pa humbur kohë, duke shtuar se qeshë gati të shpegoja të gjitha arësyet dhe argumentet e nevojshme për ndërtimin. Ngulmoja aq shumë për një gjë të tillë...Isha gati të hidhesha në qiell...Edhe pse hija e katedrales në fjalë në ditët e sotme nuk mallëngjen më pothuajse askënd.

Pikërisht këtë më thanë gadi të gjithë bashkëfolësit : “Katedralja e ka humbur prej kohësh atë cilësinë e saj të rrallë, gadi hyjnore për të shkëlqyer si dikur, në vitet 1177 apo 1200. Duket se ju nuk keni aspak njohuritë e duhura rreth dëmtimeve të mëdha që ajo pësoi pas rënies së Bastijës. Disa pjesë të saj u meremetuan…disa të tjera jo! Kot e ke, mos u mundo të na sqarosh!...Përse të ndërtohet një katedrale e dytë, qoftë dhe e ngjashme me të parën, përderisa sot kjo e ka humbur pothuajse gjithë magjinë dhe freskinë e dikurshme?…Madje, krejt pa e kuptuar!…Mos vallë kërkon që katedralja në shkretëtirë të ruhet edhe prej regjimentesh të shumta zuavësh me uniforma ngjyrë kaki si dhe prej rojesh koloniale!?”...Por ndërkohë, unë e kuptoj që vërejtja e fundit bëhet thjesht për të ngatërruar bisedën...për diversion. Atë bashkëfolës tendencioz unë e shikoj thjesht pa folur, sikur të dua atë çast, për aftësinë e tij prej politikani, ta admiroj...Fare bukur, po të donte ai mund të referonte simbolikisht rojet mbretërore të një kohe të kaluar, që lidhen me katedralen në fjalë...Mbasi në atë rast do të kuptohej për bukuri që donte të bënte thjesht shaka. Do të ishte diçka që do të më çlironte edhe mua nga ideja e përshtypjes së keqe, dhënë padashur ndonjë personi që e vijon atë bisedë pa ia kuptuar aspak thelbin. Në atë rast mua patjetër nuk do të më merrnin për të djathtë...kolonizator, të pashpirt, nostalgjik apo fetar fanatik.

Në të vërtetë, unë vetëm andej nga fundi i bisedës u binda disi se bashkëfolësit e mi kishin plotësisht të drejtë...Sot për sot askush nuk e çan kokën për katedralen në fjalë. Kështu, i mundur iu drejtova vehtes: “Më mirë është që Notre Dame të qëndrojë aty ku është: e lartë, e akullt dhe e ftohtë...sëbashku me syrin e dehur të Kuazimodos, që duket sikur të shikon ende prej Kullës Jugore, nga maja e kambanores Emanuel...i gatshëm të hidhet një orë e më parë në gjirin e ngrohtë të Esmeraldës.

Ndërkohë do të parapëlqeja që dikush të tregohej më i mençur...Të më thoshte: “Më falni, zoti Ferenc, ju nuk jeni aspak në rregull nga trutë!…Keni një kohë të gjatë që llomotisni e llomotisni... T’ju them të drejtën, më duket se keni lajthitur krejt!...Si mund të ndërtohet në shkretëtirë nje katedrale e tillë?...Në vizatimet tuaja paraqitet vetëm fasada e katedrales. Sa për infrastrukturën aq të domosdoshme dhe tepër të nevojshme për funksionimin e saj, ju nuk e keni paraqitur aspak në projekt!”. E, edhe po të ndërtohet ajo, kujt do t’i hyjë në punë atje?

Në të vërtetë, porsa biseda filloi të ftohet pak, unë iu drejtova vehtes të pushonte një orë e më parë dërdëllitjet...Në fund të fundit, gjithshka e kisha shkaktuar vetë thjesht ngaqë nuk jam në gjendje të duroj snobimin me sy të Madamë Sharlotës, mikesha e gruas së pronarit tim, sa herë më vështron. Ajo e bën këtë pothuajse çdo javë, kur tok me të shoqin vijnë për të kaluar aty, në breg të detit, ditën e dielë...Porsa fillon një bisedë dhe unë vendos të marr pjesë në të, do ta gjej atë përpara...Edhe kur temat nuk janë të thjeshta për të, ajo gjen rastin të më kundërshtojë. Veçanrisht snobimi i saj me sy është diçka që më ngre nervat aq shumë... E pranoj, për katedralen “time” fola pa u menduar thellë...Mendoj kështu edhe pse e di për bukuri se Sharlota nuk ka mbaruar as shkollën fillore…Për pasojë, ajo është mjaft e paaftë për të marrë pjesë në muhabete akademike...Por në praktikë, më besoni, ajo është një skifter i vërtetë, une femme terrible... veçanërisht e hedhur. Sa për snobimin me sy, këtë e bën thjesht që unë të mos të tregohem i barabartë me të tjerët, ndoshta me djemtë apo të shoqin e saj...me profesion avokat. Me pak fjalë, kërkon të më zbrazë plotësisht para të gjithëve…Sa për të dielën në fjalë, ajo më habiti: kishte arritur të kuptonte se me katedralen unë nuk doja të simbolizoja aspak madhështinë e stilit gotik, por idetë më të larta të njerëzimit…

Në vijim, kur erdhi çasti të ndante ushqimin, Sharlota më hodhi në pjatë ca zhapa mishi pule, të cilat unë për edukatë…për të mos e ofenduar atë, ia hodha fshehtas një këlyshi, që, sa herë hamë bukë, qëndron në pritje tek këmbët e mia...Vjen ashtu i panjohur, me një sy të drojtur, të mbuluar prej leshi të shumtë, të ngjitur dhe të pakrehur...diku nga plazhi i Tahitit. Ky zakonisht nuk leh, veç më ngul sytë e tij të vegjël, pa dashur të m’i heqë ato, derisa unë vendos t’i hedh për të ngrënë diçka nga pjata ime.

Por në të vërtetë, mua atë ditë Madamë Sharlota më tepër më mërziti, kur më tha se të gjithë njerëzit janë gjynahqarë. Se unë nuk qenkam aspak më i mirë nga të tjerët… Kur më bëjnë vërejtje të tilla, unë si zakonisht vihem menjëherë në mendim. Bindem se, natyrisht, përsosmëria shpirtërore nuk mund të gjejë në asnjë mënyrë zbatim tek unë. Mbasi edhe sikur të jem në gjendje të arrij një shkallë përsosmërie, do të pasojë menjëherë e dyta. Ku, nëse të parën e kam arritur me mundim, si do t’ia bëja për të arritur në shkallën tjetër?...Dhe kështu deri në infinit... Ky i fundit si gjithmonë më tremb.

Atë ditë, disa çaste më pas, pa mbaruar ende të ngrënët, shikoj të afrohet në tryezë si hije Madamë Sharlota. Mjaft serioze, më drejtohet në sytë e të tjerëve, për të më thënë me zë të lartë: “Zoti Ferenc!...Ju lutem, merrni çelsat! Duhet të shkoni urgjentisht në apartamentin Nr. 14, ku ju duhet të zhvulosni patjetër tualetën. Më pas edhe ta pastroni, ngaqë sot është e dielë dhe Babeta me Zhanën kanë marrë pushim. Të keni kujdes që deri në orën katër gjithshka të jetë gati...Vjen me elikopter një çift nga Parisi”…

Përgatiti Flori Bruqi

Amaneti i Dino Martikos: ”Mos Formo Lumturinë Tënde me Fatkeqësinë e Tjetrit!”






Interviste me shkrimtarin Robert MARTIKO


Bisedoi:Raimonda Moisiu


Lindi në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1948. U diplomua inxhinier mekanik në Universitetin e Tiranës në vitin 1977. Në shpirtin e tij la një vragë të madhe realiteti diktatorial në Shqipëri, dy burgosjet e të atit prej regjimit komunist dhe veçanërisht vdekja e tij në burg, në vitin 1985.
Veprat e para letrare të Robertit janë dy romanet ”Dritëhije Shpirtrash të Humbura” dhe ”Flijime të Skajëshme”, në të cilat pasqyrohet jo vetëm shoku i fortë shpirtëror prej regjimit por njëkohësisht edhe admirimi i madh për prindërit e tij. Në qytetin e persekutimit të tyre, në Vlorë prej njerëzve të ndershëm të këtij qyteti, ata gëzonin me të vërtetë një respekt të madh.

I ati i tij Dino Martiko, një nga protagonistët e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, ishte personi që trajtoi marrëveshjen e dorëzimit të Sarandës prej italjanëve. Pa gjakderdhje. Ndërsa ajo që e ngrë atë në pidestalin e njerëzve të rrallë dhe më të ndershëm të botës, qe fakti që në vitin 1946 refuzoi një mision agjenturor në Greqi, i cili do ti hapte rrugën familjes për të dalë nga ferri komunist. I njihte qysh më parë pasojat e refuzimit. Gjatë torturave në hetuesi në vitin 1954 dhe 1979 ku përfshihet edhe një inskenim i gënjeshtërt vrasjeje pa gjyq, ai tregoi përsëri një karakter të çeliktë, duke iu bërë shpesh thirrje hetuesve të mos mundoheshin… ”Të varnin para syve të tij edhe djalin e tij të vetëm.” Edhe nëna e Robertit, Sofia Martiko, me origjinë nga Korfuzi, në hetuesi tregoi një karakter të fortë. Në të njëjtën mënyrë edhe vetë shkrimtari, ndonëse për një kohë të gjatë i u bë presion nga sigurimi shqiptar, për tu futur në radhët e tij, nuk u dorëzua… Të gjithë, familjarisht mbetën besnik të parimit: ”Mos ndërto lumturinë me fatkeqësinë e tjetrit.”

Pikërisht ky bëhet edhe ideal i romaneve. Konsiderohet prej shkrimtarit si parimi më hyjnor dhe më i lartë njerëzor. Duke i konsideruar ngjarjet politike të përshkruara në libra si fakte të papërsëritëshme më në historinë e njerëzimit, Roberti përpiqet të japë një dimension psikologjik dhe shpirtëror në tregimet e tij. Sipas tij, ajo që lidh të djeshmen me të kaluarën janë njerëzit, të cilët shkrimtari i gjykon si një vijimësi drejt peripecish të reja, pa përjashtuar të ashtuquajturën botë moderne, perëndimore ku njeriu është nën presionin e vijueshëm të fitimit dhe parasë. Sipas tij problem i përhershëm i botës nuk janë vetëm sistemet por edhe edukata e kufizuar e njerëzve në përgjithësi…

Sëbashku me pjesën e tij të dytë, romani në thellësi është i karakterit filozofik. Eshtë një tentativë për të kufizuar ekzistencializmin dhe pikërisht në pikën e tij më delikate: në atë të zgjedhjeve të modeleve. Zhan Pol Sartri si krijuesi më në zë i tij dihet: përballonte problem në këtë pikë, përderisa iu drejtohej njerëzve në lidhje me detyrat që atyre iu delnin për të formuar thelbin e tyre. Mirëpo ky filozof duke mohuar ekzistencën e modeleve qiellore nuk përfundon veç në ato njerëzore… Sipas shkrimtarit, ilustrimi më i mirë i tezës time të mësipërme, nuk mund të jetë veç vetë vëndi i sprovës më poshtëruese të njeriut: LINDJA KOMUNISTE. Heronjtë e tij ja dalin në krye për të vërtetuar të dy ekstremet. Eshtë për të shënuar se Roberti nuk shkroi në vitet e para të rinisë së tij: kur burgjet gjëmonin, porsa ndjeu vokacionin e tij të parë për letërsinë, ngaqë nuk donte të ndjehej i përzier me sistemet. Të njëjtin parim vijon të ndjekë edhe sot. U edukua prej prindërve dhe veçanërisht prej të atit me ndjenjën e vlerësimit të lartë për idealen, të pastrën, të bukurën dhe madhështoren.

Sot Roberti banon familjarisht në Korfuz, duke gëzuar në radhë të parë lirinë për të cilën ëndërroi aq shumë.

Z.Robert, cilat janë rrënjët e origjinës Tuaj.

Babai tim është me origjinë nga një vend me tradita të lashta trimërie dhe heroizmi, fshati Shën Vasil, i rrethit Sarandës: në të kaluarën, pesë herë më i madh nga ç’është sot. Dikur sëbashku me Nivicën përbënin portat e krahinës së lavdishme të Bregdetit, nga ku pengoheshin për të kaluar në brendësi të zonës, ushtritë turke apo ato të Ali Pashë Tepelenës. Nëna ime është nga ishulli i Korfuzit.

Si ka qënë fëmijëria Tuaj?

Për fëmijërinë time, mund të them se qe behar brënda familjes dhe dimër jashtë saj. Veçanërisht, kur bëhej diçka më e dallueshme, shija e hidhur e burgjeve të babait tim apo privimet e vijueshme politike. Megjithatë njerëzit e ndershëm në qytetin e Vlorës familjarisht, na donin dhe respektonin. Respektin e kam ndier edhe tek shokët e mij të punës, ku megjithëse problemet politike më ndiqnin nga pas, më shumë gjëndesha në krah të punwtorëve se sa në atë të drejtuesve kryesorë të ndërmarrjes. Ndërsa për ngrohtësi të përkryer mund të bëj fjalë, vetëm kur gjëndesha në gjirin e bashkëfshatarët e mij në Shën Vasil, kur shkoja për pushime verore. Isha fëmijë, kur kaloja sokakëve… Do të dëgjoja fjalë të ëmbla, që më drejtoheshin prej grave apo plakave të fshatit.

Keni kryer studimet e jeni diplomuar si inxhinier mekanik. Ç’farë ju shtyu për të studiuar në këtë degë?

Ndonëse gjimnazin e mbarova me nota të shkëlqyera, e drejta e studimit mu dha pas pesë vjetësh. Dhe kjo falë disa miqve tanë familjarë, një pjesë e të cilëve njiheshin prej tim eti nga koha e luftës e më vonë. Për mua, tani që i shqyrtoj gjërat me sy më të qetë, e konsideroj gabim që zgjodha degën e inxhinierisë mekanike për të studiuar, ndonëse përfitova mjaft nga studimi në këtë degë të bukur, si fjala vjen mendimin matematik, metodizmin, programatizmin etj. Për të thënë të vërtetën, letërsinë apo tendencën për të filozofuar dhe ëndërruar e kisha në gjak, pavarësisht që nuk shkruaja në kohën e diktaturës. Dhe kjo për arësyen e thjeshtë se nëse do të merrje penën në dorë, për të shkruar, personazhet që kishin nevojë absolute, për ta bërë një gjë të tillë, qenë pikërisht: të vrarët, të munduarit apo të burgosurit… Qe koha kur Krimi dhe Burgjet gjëmonin në gjithë vendin.

Kush ka ndikuar në formimin Tuaj?

Të dy prindërit e mij, veçanërisht im atë, ka influencuar më shumë. Kur ndonjëherë binte fjala në shtëpi dhe ai merrte një pozë lavdëruese para bashkshortes së tij, nënës time (një grua veçanërisht e duruar e pa gojë, për shkak të tragjedisë politike që përjetonim gjithë jetën) thoshte: “Ngaqë e kam këshilluar vazhdimisht, jam bërë për tim bir si Kambanat e Jerusalemit. Po ti?…” Ajo i përgjigjej se edhe ajo kishte influencuar në formimin tim… Kryesisht nëpërmjet shëmbullit të saj të mirë. Natyrisht edhe prej saj nuk më munguan këshillat.

Cila është gjëja më e rëndësishme që ju keni mësuar, që kur kini filluar të kuptoni se ç’farë është jeta?

Për mua kryesorja në jetë mbetet kjo, madje e nënvizoj: “Mos formo lumturinë tënde me fatkeqësinë e tjetrit!” Në kushtet e egra të diktaturës mu dha mundësia, të provoja vetvehten. Pasditen e Korrikut 1990, kur udhëtonim familjarisht drejt Korfuzit, më dukej sikur një anije pirate, do të na kthente sërishmi pas, andej nga ishim nisur. E kisha ëndërruar këtë ishull një jetë të tërë, nga koha e nanurimës së ëmbël të nënës time. I pari mendim që më lindi në kokë, porsa u futëm në ujrat greke, qe ky: Sistemi komunist na shkatërroi jetën, një njeri e lamë të vdekur në burg, por të paktën, nuk kam njeri në ndërgjegje. Ndjehesha diçka si i mpirë, edhe pse qeshë duke fituar lirinë, të cilën e kisha ëndërruar pa pushim… Çudi! Jo mjaft entusiast për momentin. Sidoqoftë, porsa mendova për ndërgjegjen time të pastër, ndjeva të përfshihesha prej një lumturie të vakët.

Sot e kam ballin lart. Më lind e drejta për ti parë shqiptarët në sy. Mund të mburrem madje, që rezistova rreth dy vjet rresht, në një moshë relativisht të re, të mos futesha në rrjetin e sigurimit, megjithë presionet e shumta që më bëheshin. Këtë qëndrim mbajta deri në fundin e diktaturës.

Babai Tuaj, Z. Dino Martiko, ka qënë një nga protagonistët e luftës Nac.- Çl. Në një moment historik për fatin e atdheut tonë, ai ka luajtur një rol po aq historik. A ju ka treguar ai, për këtë ngjarje që hyri në Historinë e Shqipërisë ?

Im atë, prej tre qeverish të ndryshme, u burgos nga dy herë secila. Gjithsej gjashtë herë. Enver Hoxha i dha fundin duke e vdekur në burg. Rezistencën antifashiste familja ime, e Martikojve, e pagoi me mjaft dëshmorë, një prej tyre qe vëllai i tim eti.

Dino Martiko është personi që ka marrë në dorëzim qytetin e Sarandës, në kohën e kapitullimit të Italisë fashiste. Bile, ndryshe nga ç’ndodhi në Gjirokastër, ja doli në krye, ta merrte Sarandën në dorëzim, pa gjakderdhje. Dhe kjo, ngaqë duke komunikuar në gjuhën italiane me komandantin e garnizonit të qytetit, arriti ta kërcënojë atë me vendosmëri, duke i kujtuar se trupat partizane dhe çetat territoriale kishin rrethuar qytetin… Veç të gjitha aspiratat për të ndryshuar botën, sipas konceptit leninist, u përmbysën për babanë tim, porsa mori fuqinë i ashtuquajturi Pushtet Popullor. Dy vjet e mbajtën në parti. Qe nga të parët që u përjashtua, me motivacionin: “Nuk ke urrejtjen e duhur për klasat e pasura!” Kjo qe e vërtetë, pasi gjaku i shqiptarit derdhej si lum, veçanërisht në atë kohë… Karakteri shpërthyes i tim eti u bë pengesë për arrestimet në fshatrat e Bregdetit të Sarandës. Në celulën e partisë, ku merrte pjesë sekretari i parë, n/kryetari i Kom. Ekz. dhe kryetari i degës së P. B., Dino Martikua jo pak herë e kishte cilësuar këtë të fundit si spiun të ialianëve. Arrestimet e para në fshatrat Shën Vasil, Nivicë, Lukovë etj filluan në një kohë kur tim atë e kishin përjashtuar nga partia. Vetë përjashtimin e tij nga celula, ai e konsideroi si shpëtim prej një vendi spiunllëqesh, paditurie e ligësie. Dhe natyrisht, një fitore të madhe për parimet e tij njerëzore e morale, të cilat e shoqëruan deri sa i doli shpirti. Në burg.

Më pas sistemi komunist u përpoq me të gjitha mënyrat për të shfrytëzuar, ndershmërinë, kredibilitetin, inteligjencën , përkushtimin e babai Tuaj të nderuar ndaj idealit për komb e atdhe, duke dashur ta rekrutonte atë në misionet agjenturore? Si e sfidoi, si i mbijetoi babai Tuaj kesaj demagogjie? Pse e burgosën Atin Tuaj? Cili qe kërcënimi,që i nderuari Z.Dino Martiko, i sillte shoqërise dhe sistemit në fuqi?

Kontradikta e parë dhe më kryesore me sistemin lindi ngaqë im atë refuzoi një mision agjenturor në Greqi, pothuajse menjëherë pas luftës. Propozimi iu bë nga dy të deleguar të ardhur posaçërisht në Sarandë, nga Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit. (Pararendësja e Min. P. B.) Im atë u përgjigj prerë, me dy fjalë të thjeshta… “Unë jam ekonomist. Nuk e njoh këtë zanat.” Nëse do ta kishte pranuar, do të na nxirrte familjarisht jashtë shtetit, madje edhe motrën time që gjëndej e sëmurë nga poliomeliti dhe kishte nevojë urgjente për tu kuruar. Veç, do ti duhej të spiunonte shqiptarët e arratisur, minoritarët grekë apo vetë grekët që ndodheshin në Greqi. Për ç’do fjalë të tyre, do ta paguanin shtrenjtë familjet e tyre në Shqipëri me burgje, internime apo edhe me marrjen e jetës… Ky pikërisht qe misioni i agjentëve shqiptarë jashtë shtetit, që shpesh paraqiteshin si të mbuluar me një aureolë martiri… Nuk bëhej aspak fjalë për dhënie informatash, për zbulimin e sekretit të bombës atomike. Kuptohet: me këtë lloj karakteri të rrallë, im atë nuk mund të bënte prokopi në sistemin komunist. Edhe pse si drejtues banke ai konsiderohej si një nga ekonomistët më të zotë të asaj kohe. Erdhi gradualisht duke rënë në pozitë. Në vitin 1954 u arrestua me motivacionin për agjenturë dhe agjitacion e propagandë. Arriti të mos thyhej nga hetuesia e Degës P.B. të Vlorës vetëm në saj të karakterit të tij papërkulur. Paraburgimi zgjati gjashtë muaj. U dënua me shtatë vjet burg, në bazë të kodit sovjetik, në fuqi. Në vitin 1979, në moshën gjashtëdhjetë vjeç u arrestua përsëri. Hetuesia e tij zgjati nëntë muaj. Por përsëri nuk u dorëzua. Në burgun e parë, iu drejtohej hetuesve me fjalët : “Mos u mundoni kot. Shkoni në shtëpi dhe merrni djalin tim të vetëm. Më thoni që do ta varim këtu para teje. Nga unë nuk keni për të nxjerrë asgjë.” Nga hetuesia e dytë nuk morëm vesh asgjë. Sipas Kodit Kinez: më i egër nga i pari, u dënua me njëzetë e tre vjet burg, ku edhe vdiq, pa arritur të kthehet në familje.

Të njëjtin karakter heroik tregoi edhe nëna ime Sofia Martiko. Nuk u thye nga hetuesia e Vlorës. Mbasi edhe tek ajo mbizotëronte motua tonë familjare: “Më e ëmbël është vdekja se sa të pranoj të dal dëshmitare nëpër gjyqe, duke marrë jetë njerëzish në qafë!” Qe një grua e cila, për shkak të natyrës së saj të thjeshtë, gëzonte simpati madje edhe nga familjet e privilegjuara të regjimit. Ç’do urrejte si greke dhe e deklasuar, zhdukej ndaj saj si me magji, porsa njerëzve iu binte rasti të njiheshin nga afër.

Ju jeni shumë i njohur në Forumet dhe Portalet virtuale në internet, për mendimin Tuaj, inteligjent, paqësor, filozofik dhe shpirtëror. Ku qëndron forca dhe morali i karakterit Tuaj universal?

Unë mendoj se për njeriun ka shumë rëndësi ajo që Sokrati, filozofi më i madh i lashtësisë greke, thoshte se për fëmijën merr një rëndësi të veçantë Lindja e Shpirtit. E ëma e tij rastiste të qe mami dhe si e tillë asistonte në lindjen e foshnjeve… Sokrati thoshte se pas lindjes natyrale, fëmija duhet ti nënështrohet lindjes së shpirtit. Me pak fjalë, nëpërmjet edukatës së dhënë, ta drejtosh atë drejt të bukurës, të ndershmes, ideales, madhështores, shpirtmadhësisë, edukatës, heroikes etj… Nuk mund të them se unë personalisht, jam një korife në këtë pikë. Thjesht, kam ruajtur edukatën në jetë dhe ndërgjegjen e qetë, të mos kem njeri në ndërgjegje. Asgjë më shumë. Dhe kjo, kryesisht në saj të tim eti, i cili që ditën e tretë të daljes së tij nga burgu i parë, filloi të më mësonte elemente të një bote e cila qe fshirë pa nam e nishan nga sistemi i edukatës komuniste, ku në plan të parë qe vendosur vëllavrasja e spiunllëku. Kur u tregonte për shkollën e fshehtë miqve të tij të ngushtë, ata habiteshin për guximin dhe patjetër, ndershmërinë e tij…

Ju jeni autor i romaneve” Dritë hije shpirtrash të humbur” dhe “Flijime të skajëshme “, si ju lindi ideja për të shkruar këto romane dhe cili është mesazhi qe ju transmetoni nëpërmjet tyre. Nga e kini marrë inspirimin për të shkruar keto romane?

Romanet e mia në thelbin e tyre kanë karakter filozofik. Ideja për të shkruar këto, filloi si një kundërvënie filozofike ndaj Zhan Pol Sartrit. Këto dy romane, përbëjnë një orvajtje për të kufizuar ekzistencializmin dhe pikërisht në pikën e tij më delikate: në atë të zgjedhjes së modeleve. Zhan Pol Sartri si krijuesi më në zë i tij dihet: përballonte problem në këtë pikë, përderisa iu drejtohej njerëzve në lidhje me detyrat që atyre iu dalin për të formuar ndërgjegjen e tyre. Mirëpo ky filozof, duke mohuar ekzistencën e modeleve qiellore, nuk përfundon veç në ato njerëzore… Sipas meje, ilustrimi më i mirë i tezës sime të mësipërme, nuk mund të jetë veç vetë vendi i sprovës më poshtëruese të njeriut: LINDJA KOMUNISTE. Heronjtë e mi ia dalin në krye për të vërtetuar të dy ekstremet. Madje edhe në Perëndim: matanë ish Perdes së Hekurt, ku edhe aty gjen ekstreme ultranegative. Natyrisht, Sartri ka meritën humane, të jashtëzakonshme, se nëpërmjet ekzistencializmit të tij, tenton ta nxjerrë Njeriun nga primitivizmi apo gjëndja e kopesë… Por sipas meje, kjo nuk mjafton për shoqërinë ku jetojmë, nëse asaj i mungojnë modelet e heronjve, trimave, altruizmit dhe vetsakrifikimit ekstrem. Njërin prej këtyre heronjve e gjeta të mishëruar tek babai im Dino Martiko, i cili sakrifikoi familjen dhe vetë jetën e tij për të mos pasur në ndërgjegje mikun, fqinjin, të njohurin por edhe TE PANJOHURIN, i cili mund të jetë i bardhë, i kuq, i verdhë apo i zi. Thjesht: edhe sikur njeriu më i fundit në botë të jetë… Ndonëse nuk mund të quash asnjë të fundit. Secili prej tyre është NJERI.

Prandaj edhe vetë vepra ime letrare, tenton të marrë një karakter të përgjithshëm dhe universal.

Jeni një krijues i mirëfilltë, ç’mund të na thoni për botimet Tuaja në të ardhmen?

Patjetër sistemi komunist ka lënë në shpirtin tim gjurmë të pashlyeshme. Do të vijoj të shkruaj për mizeralibilitetin dhe tmerret e tij. Veç do të dëshëroja ti jepja prozës time një hapësirë më të madhe shoqërore, aktuale… Fjala vjen të tregoj për vragët e thella që lë në shpirtin e një fëmije, braktisja që i bëhet prej prindërve të tij dhe të tjera tema të kësaj natyre…

Çfarë ka sjellë në krijimtarinë Tuaj , ndryshimi gjeografik midis atdheut e mërgimit?

Ishulli i Korfuzit ku banoj, nuk ndodhet veç një hap larg Sarandës. Duket sandejmi madje, edhe bregdeti i Shën Vasilit e Nivicës, mali i Kakomesë apo Krorëzës… Kur shiu pushon së rëni, të duket sikur po të shtrish dorën, mund të prekësh Ksamilin apo Butrintin. Sikur merr frymë brënda në Shqipëri… Veç nuk mund ta konceptoj dot se si një njeri i ndershëm si Zoti Sali Berisha, lejon që të mbahen ende të robëruara këto vende. Nuk mund të marrim tokat që denbababaden qenë pronë e fshatrave tona. Mirë tokat dhe ullinjtë brenda në fshat, që u ndanë në bazë ligjesh komuniste pas rënies së sistemit dhe ne qytetarët nuk përfituam asgjë. Nuk e kuptoj se ç’farë mafje ekonomike e mban ende të bllokuar Bregdetin? Përse duhet ta konsiderojmë vehten të dëbuar e grabitur prej vend-lindjeve tona, madje edhe prej atyre forcash politike, të cilat i aspiruam dhe i përkrahëm shpirtërisht, moralisht e politikisht?…

Sidoqoftë, jam një nga ata, që besoj tek Zoti Sali Berisha, kryeministri aktual i Shqipërisë. Se do të bëjë diçka për gjithë Bregdetin. Pikërisht aty konsiston zemra e turizmit të ardhshëm, masiv shqiptar. Prandaj pyes: kur do të hiqen sandejmi përfundimisht, zbarat e tij të hekurta?

Diçka rreth aktivitetit e krijimtarisë Tuaj në Korfuz?

Në ishullin e Korfuzit kam një ndërmarrje të vogël, që merret me ndërtimin tabelave e materialit figurativ e propagandistik për magazina e aktivitete të ndryshme turistiko - ekonomike.

Veprat Tuaja janë vlerësuar nga kritikët, çfarë mendoni tu ofroni krijuesve në përgjithësi nga përvoja e përftuar?

Kur arrij diçka, sado të vogël, ndjehem i përmbytur nga dëshira për ta ndarë atë me këdo që më kërkon ndihmë. Do të doja të mësoja se kusht i domosdoshëm për të shkruar, është kultura. Gjithashtu, sipas meje, të kesh drejtuar shpirtin rreth gjërave të pastra në jetë. Mbi të gjitha, të mësohesh të bësh një jetë të ndershme. Mjaft shkrimtarë të cilët konsiderohen të mëdhenj, po ti vrojtosh diçka më thellë, matanë dritave dhe vitrinave të tyre verbuese në Shqipëri, dallon me keqardhje se nuk kanë brumin e duhur moral, për të ofruar diçka reale, konkrete për NJERIUN. Sado i madh të jetë talenti i tyre. Në shumicën e rasteve jeta e tyre ka qënë një Qëndër e Institucionalizuar Krimi. Për mua ka më shumë rëndësi, që nëpërmjet artit të fjalës të mund të hap sytë e njerëzve. Të bëhen më të ndershëm e më të dobishëm për shoqërinë. Veçanërisht më preokupojnë fëmijët… Pikërisht ata janë baballarët e njerëzimit.

Profesioni Tuaj është inxhinier mekanik, kur filloi të trokasë krijimtaria letrare, artistike në shpirtin Tuaj?

Kur isha në gjimnaz bëja hartime të bukura. Pikërisht atëhere, tentoja të shkruaja diçka. Edhe pse nuk ndjehesha i lirë, pasi banesa tonë rrezikonte të bastisej. Siç ndodhi kur arrestuan babanë tim, për herë të dytë. Ruaja disa shkrime të thjeshta, në një bllok… Arrita ti mashtroj atë ditë, oficerët e degës. Nga dy bibliotekat e librave, shumica në gjuhë të huaj, (nuk kishim asnjë vepër të E, Hoxhës) më vunë të nxirrja një nga një librat. E kuptova se këtë e bënë, për të provuar se si do të reagoja unë ndaj ndonjë libri të caktuar. Kur iu afrova ditarit tim, e hodha atë, i shkujdesur në tufën e librave, në drejtim të një ose dy oficerave civilë që ndodheshin të ulur në krevat, duke më përgjuar lëvizjet. Pikërisht, kështu shpëtova nga burgu i sigurt. Ndofta edhe më keq.

Cila është gjinia Tuaj e preferuar?

Kryesisht romani dhe tregimet.

Nga e merr muzën për të krijuar?

Për të bërë shaka, shpesh Muza mund të imagjinohet si Santa Klaus, që vjen nga jashtë me dhurata të bukura, por unë më tepër e imagjinoj si një skllave të bukur, diçka si Haideja me Kontin e Montekristos… Kjo të drejtohet përherë me fjalët imzot…

Kanë thënë për krijimtarinë Tuaj…

Më shumë më ka bërë përshtypje një thënie e eruditit e shkrimtarit Jozef Radi, i cili më shkruan: “Sigurisht, një moral i tillë është për t’u ngritur në piedestal, por problemi qëndron pikërisht tek fakti se një moral i tillë, nuk i nevojitet më shoqërisë që i përkasim dhe është krejt tjetër etaloni i vlerave morale të kësaj shoqërie.” Eshtë një thënie me perkursion universal.

Cilën ëndërr nuk kini realizuar?

Po të mbyllësh sytë, ëndërrat mund të të shfaqen si një pafundësi diejsh, konstelacionesh, yjesh… Veç njeriun duhet ta karakterizojë përherë mënçuria. Të mos ëndërrojë shumë në jetë, por të përpiqet shumë, për të arritur diçka.

Ç’mendim keni për hapjen e dosjeve?

Edhe sikur dosjet të hapeshin, unë nuk do të prisja asgjë të jashtzakonëshme e sensacionale prej tyre. Të paktë janë ata që ndjehen të vrarë shpirtërisht nga e kaluara e tyre e errët. Kjo është kryesorja. Akoma më të paktë janë ata që kanë shkuar tu kërkojnë falje viktimave. Dikur një shkrimtar i madh i kërkonte diktatorit, për bashkatdhetarët e tij, shqiptarë. të ngrinte trekëmbëshin. Ç’farë dosje të hapen? Mjaft prej tyre të hapura janë. Reagimi i shoqërisë ka më shumë rëndësi. Kur një gazetë kryesore në Sh. B. A. dha një lajm të pasaktë se gjoja kishte vdekur Hrushovi, lexuesit e saj e bojkotuan atë për gjashtë muaj rresht.

Sigurisht unë marr shëmbuj të pakrahasueshëm…

Si i shikoni përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare, kosovare dhe shqiptare, për çështjen e Pavarësisë së Kosovës?

E drejta për të qënë sovran, i lirë dhe i pamvarur është një e drejtë e shënjtë dhe hyjnore për çdo popull në botë.

A urren Roberti?

Jo.

Dashuria me e madhe e Juaja?

Gruaja dhe fëmijët e mij.

A keni armiq?

Nuk besoj.

A fal Roberti?

Patjetër. Veç, dhjetë herë më shumë fal, kur thuhet fjala e shënjtë: “Më fal!”

Cilët janë miqtë Tuaj më të mirë?

Kam mjaft miq të mij, të mirë, të ngushtë këtu në Korfuz, si dhe mjaft të tjerë në Shqipëri apo në vende të tjera të botës. Një prej tyre, konsideroj Vasil Qesarin të cilin e ndiej mjaft afër shpirtërisht. Eshtë shoku im i fëmijërisë. Prej tij ndjehem veçanërisht i mrekulluar, kur më dërgon mesazhe rreth aktivitetit të tij ditor, si gazetar, në një nga qendrat më të mëdha televizive në Francë. I kam bërë koleksion materialet e tij, të mbushura me gjithë ato impresione e mrekulli të jashtzakonshme, që i përkasin një vendi të jashtzakonshëm si Franca.

Kush janë shkrimtarët Tuaj të preferuar, brenda dhe jashtë atdheut?

Jashtë Shqipërisë më kanë pëlqyer mjaft veprat shkrimtarëve të mëdhenj si Lion Fojhtvanger, Stefan Cvaig, Franc Kafka, Ernest Heminguej… Ndërsa në Shqipëri më ka pëlqyer Lasgush Pogradeci, Jakov Xoxa dhe nga më të rinjtë Faruk Myrtaj. E konsideroj si të ardhme të letrave shqiptare. Gjithashtu poetët Primo Shllaku, Kolec Traboini, Evis-Maria Xhajanka, Albana Mëlyshi, etj.

Cilët janë politikanët Tuaj të preferuar, në botë dhe Shqipëri?

Mbaj si idhull Mahatma Gandin, Mandelën, De Gasperin, Zhyskar Destenin, Pertinin, Les Valesën, Boris Jelsin… Pa harruar shpëtimtarin tonë: Gorbaçovin. Në Shqipëri më ka pëlqyer mjaft karakteri i fortë i Azem Hajdarit.

Zotëron disa gjuhë të huaja. Sa ka ndihmuar kjo në formimin Tuaj?

Gjuhët e huaja janë dritare të vërteta kulture, për këdo, veçanërisht sot në kohën e Internetit dhe Shoqërive të Hapura.

Keni vizituar disa vende, në botë, me një demokraci të mirëfilltë. Çfarë do të dëshironit të kishte Shqipëria jonë nga këto vende?

Në Shqipëri do të doja të mbizotëronte në radhë të parë edukata, ndershmëria dhe karakteri. Sa për gjërat e rralla, tradicionale, siç është fjala vjen edukata, besnikëria apo ndershmëria e gruas shqiptare i konsideroj si gjëra kulmore, të cilat shpesh qëndrojnë shumë më lart edhe nga civilizimet e sotëshme perëndimore.

A ka pasur momente që jeni ndjerë i dyzuar për të marrë një vendim?

Nuk mbaj mend të më ketë ndodhur një diçka e tillë. Njeriu duhet të jetë i parapregatitur për gjërat kryesore, që kërkon dhe aspiron në jetë, në mënyrë që, nëse vjen çasti i duhur, të dijë të zgjedhë atë që do.

A ke bërë ndonjë gabim që ja sheh gjurmët edhe sot?

Në gjërat kryesore jo.

Çfarë ju lidh me Vlorën?

Më lidh një numër veçanërisht i madh shokësh miqsh dhe familjesh të ndershme vlonjate. Imazhi i të persekutuarve të dikurshëm, është diçka që më prek edhe sot. Prandaj shkruaj tek libri im “Dritë hije shpirtrash të humbur” që njeriu prej vuajtjeve të hequra në jetë, shënjtërohet. Po padashur ish të vuajturit dhe të persekutuarit u shndërruan në fizionomi të tilla: të shenjta.

Nëse do të kishit mundësi të ktheheshit edhe njëherë pas në kohë, çfarë do të ndryshonit?

Nuk do të doja të ndryshoja asgjë. Mbi të gjitha është çështje bese dhe karakteri.

A do të kthehet Roberti ne atdhe?

Siç shkruaj edhe më lart, unë ndodhem fare pranë atdheut tim. Mund të shkoj aty kur të dua. Ndodhem një hap larg fshatit të bukur të Shën Vasilit, ku prehen kockat e prindërve të mij të dashur…

Diçka të fundit që doni të shtoni?…

Më bën përshtypje puna e mrekullueshme që bën Vitore Leka, Agim Bacelli, Merita Bajraktari, Luigj Shkodrani, , Albert Zholi, Dalip Greca, Pierre - Simsia, Nase Jani, Petraq Pali, Ylli Polovina apo edhe ju Zonja Raimonda e shumë të tjerë, fjala vjen Alida Hisku… Të gjithë janë hedhur në përpjekje për të riformuar copat e thyera të një kombi të shpërndarë në gjithë botën nga kanibalizmi i politikanëve… Sikur të bëhet fjalë për të riformuar e shënjtëruar copat e një mozaiku të shënjtë. Jo vetëm tek personat e mësipërm, por tek të gjithë intelektualët shqiptarë, vërehen përpjekje titanike, për të riformuar një Shqipëri shpirtërisht të brishtë e të ndershme, për të cilën shkruaj te libri im i parë tek tregimi “Kukulla të Ngrira” . Pikërisht, këta lloj njerëzish përbëjnë për mua një nga idealet e mia të shenjta…

Me këtë rast, dua të theksoj se Rilindja e Vërtetë e Shqipërisë do të vijë vetëm nga NDERGJEGJIA e PERKRYER dhe EDUKATA e çdo shqiptari në veçanti… Gjithë thelbi i ndershmërisë dhe edukatës njerëzore nuk përmblidhet veç në këto fjalë të thjeshta.

Ju faleminderit dhe Suksese!

Intervistoi: Raimonda Moisiu, SHBA

Aleksandër Meksi : Kuvendi i Vlorës, pjesëmarrësit në të dhe firmëtarët e Aktit të Pavarësisë







Kuvendi i Vlorës dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë kanë tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve por edhe të publikut të gjerë, për rëndësinë dhe përmbajtjen historike, si mbledhja që hodhi themelet e krijimit të shtetit shqiptar, të Shqipërisë së “mosvarme”, siç e thotë vetë Akti Shpalljes së Pavarësisë.
dokumenti-i-pavarsise-kel-marubi.jpg

Jashtë çdo dyshimi; janë kryer studime dhe publikime të shumta për këto ditë historike, Kuvendi i mbajtur nga 28 nëntori deri në 7 dhjetor 1912 njihet nga botimi i proces-verbaleve të shtatë ditëve të tij në gazetën “Përlindja e Shqipërisë” (numrat 6-11, janar-shkurt 1914) drejtuar nga Dhimitër Beratti dhe ribotimin pas tij nga Lef Nosi në fletoret e tij “Dokumenta Historike” nr. 1(1924)-nr. 12(1925). Të dy këta burra të shquar kanë qenë pjesëmarrës të Kuvendit qysh nga dita e parë dhe njëherazi dhe firmëtarë të Aktit të Pavarësisë. Më vonë, janë të shumtë studiuesit që u muarrën me Shpalljen e Pavarësisë dhe aspektet e shumta të asaj ngjarje madhore për historinë e popullit shqiptar. Ndër ta do të veçonim punimin monografik të Bardhosh Gaçes “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare” në vitin 2002, ku jepen procesverbalet e Kuvendit, jetëshkrimet e pjesëmarrësve si dhe kujtimet e shumë prej figurave të shquara të kohës. Kuptohet që ajo ngjarje ka zënë vend përherë në studimet me temë historinë e asaj periudhe, Po kështu, duhet përmendur nisma për hulumtimin dhe botimin e dokumentacionit historik që ndodhet në arkivat e huaja. Kjo do të ndihmojë për të kuptuar më mirë dhe me saktësi ato ndodhi, në aspektet e tyre politike e sociale.
dokumenti_i_pavarsise_pas.jpg
Ka pasur vazhdimisht në dhjetëvjeçarët fundit vërejtje, mospranime të pranisë së personave të veçantë në atë Kuvend si firmëtarë apo pjesëmarrës, me mjaft gjasë, si pasojë e paragjykimeve politike. Po kështu, ka dhe botime të plota të listave të firmëtarëve me foto dhe jetëshkrime të shkurtra nga Niko Kotherja dhe Admirina Peçi, si dhe shpjegime për ngjarjen.

I përfshirë në një punim kolektiv, që lidhet dhe me këtë ndodhi, menduam ta shohim me vëmendje gjithë dokumentacionin e ruajtur për Kuvendin, punimet e tij, pjesëmarrësit, Aktin e Shpalljes së Pavarësisë dhe firmëtarët e tij si dhe vendimet e marra, të nisur nga dëshira për të qenë të saktë. Ishte e nevojshme që mbi materialin dokumentar dhe kujtimet e pjesëmarrësve e bashkëkohësve, të studiohet në mënyrë të plotë ky akt historik, tepër i rëndësishëm për këdo që është krenar se është shqiptar, dhe 100 vjetori është një rast i tillë.

Nëntori i viti 1912 i gjeti trojet e shqiptarëve si fushë lufte; nga Veriu sulmuan trupat serbo-malazeze dhe rezistenca e ushtrisë së rregullt turke, rezervistëve e bashkë me ta dhe vullnetarët shqiptarë, nuk arritën t’u bënin ballë. Në Jug në territoret e prefekturës së Janinës po luftohej me ushtrinë greke, ndërsa në lindje trupat bullgare. Në kurriz të shqiptarëve të gjithë përpiqeshin të copëtonin atë që kishte mbetur nga Turqia e xhonturqve.

Në të tilla rrethana atdhetarët nuk qëndruan duar kryq e të bënin sehir por u lidhën me njeri-tjetrin, kudo që ishin dhe vendosën t’i dilnin zot atdheut të tyre. Në kujtimet e tij Ismail Qemali jep një tablo të shkurtër të veprimtarive të atdhetarëve për mbrojtjen e atdheut. Ai tregon, se duke parë veprimet e “Turqve të Rinj” shqiptarët u ngritën në këmbë në Kryengritjen e përgjithësime që triumfoi me hyrjen e tyre në Shkup. Por fillimi Luftës Ballkanike i bindi shqiptarët, siç vëren Ismail Qemali, “që të marrin masa të rrepta për shpëtimin tonë”. Ai nuk pranoi propozimin që të bënte pjesë në qeverinë e re turke dhe u nis nga Stambolli për në Bukuresht ku u takua me shqiptarët e shquar të kolonisë dhe së bashku vendosën të kthehen hë Shqipëri për të mbajtur një mbledhje të përgjithshme e të shpallnin Pavarësinë. Prej andej Ismail Qemali me shokë shkuan në Vienë e Budapest ku pati takime në nivel të lartë me ministrin e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë Berthtold dhe siguroi përkrahje për Shqipërinë e pavarur.

Ismail Qemali nga Viena më datë 9 nëntor njofton me telegram se është nisur për në Shqipëri “me të parin vapor”. Ai bën të qartë se “E ardhmja e Shqipërisë është e sigurt”.

Më datë 18 nëntor Paria e Vlorës merr një telegram nga Ismail Qemali i cili ju thotë se ”përpara së premtes jam atje. E mbledhmja e përfaqësuesve në Durrës apo në Vlonë është krejt e nevojshme. I thirni të gjithë. Gjer sa të mbërrijë un, mbani qetësien e bashkimin. Çashtja jonë politike u sigurua fare.” Ky njoftim, me një telegram të firmosur “ N’emër të gjithëve” nga Xhemil Bej Vlora, Elmas Kanina e Leonidha Bezhani, ju dërgohet : Kryetarëve të bashkive e të Klubeve, Parësisë dhe Popullit të ndershëm të Janinës, Gjirokastrës, Filatit, Reshadies, Tepelenës, Delvinës, Përmetit, Margëlliçit, Leskovikut, Kolonjës, Korçës, Dibrës, Manastirit, Resnies, Kosturit, Strugës, Ohrit, Beratit, Pogonit, Skraparit, Lushnjës, Elbasanit, Kavajës, Durrësit, Tiranës, Kruës, Matit, Shkodrës, Peqinit, Fierit.

Në atë njoftim ata ju thonë ”.…Lutemi për shpëtim të atdheut, që përfaqësuesit në fjalë tyke e bamë natën ditë të gjinden në mbledhjet të Përgjithshme Kombëtare që do të bahet këtu në Vlonë….”.

Në botimin e Lef Nosit jepen shkëmbimet e shumta telegrafike për përgatitjet, dërgesën e mjeteve të transportit në Durrës, njoftimet për emrat e përfaqësuesve nga gjithë viset shqiptare, ku veç atyre të krahinave që u përmendën më lartë, nga një telegram i firmosur prej Midhat Frashërit mësojmë për delegatë që do vijnë nga Kosova. Thuhet se do vinin dhe të tjerë, por, për shkak të pushtimit serb, angazhimit në luftime dhe arrestimeve të krerëve nuk mundën të vinin.

Në vëllimin me dokumente historike ka telegrame të shumtë që paraqesin luftimet e pushtimet nga të huajt, gjendjen e trazuar e të pasigurt të vendit, peripecitë e udhëtimeve të delegatëve për në Vlorë, zëvendësimin në rast pamundësie me të tjerë, por në çdo rast, ishte parësia që me letra apo telegrame e vërtetonte këtë.

Më 21 nëntor Ismail Qemali dhe pasuesit e tij zbarkuan në Durrës, pasi ju nënshtruan kontrollit të personelit të dy anijeve luftarake greke që kishin bllokuar portin. Në Durrës ndenjën një ditë për të biseduar me popullsinë e atyshme për shpëtimin e Atdheut, por pasi nuk pati një pritjen e duhut u dërguan telegrame Parisë së Beratit dhe Elbasanit, që të bëhej Vlora qendër e mbledhjes. Këtë e mësojmë edhe nga një telegram me datën 25 nëntor 1912 (12 vjeshtë e tretë 1328 H), që Prefekti i Durrësit Mahir i dërgon Komandës së Trupit Ushtarak në Janinë dhe Portës së Lartë, ku thuhet se Ismail Qemali ka zbritur në Durrës ditën e parë të Bajramit. Prej andej erdhi urdhri që ta arrestonin dhe Ismail Qemali me shoqëruesit e vazhduan udhëtimin në brendësi të vendit. Siç dihet ata mbrrijtën në Vlorë më datë 25 nëntor dhe caktuan të mblidhen më datë 28, ditë e enjte, siç na kumton Qemal Bej Karaosmani, që të mund të mblidheshin gjithë delegatët. Letërkëmbimi tregon se Pavarësia tashmë ishte e vendosur dhe dy ditët e fundit atë e shpallën, duke ngritur flamurin kuqe zi ma shkabën dy krenare, qytetarët e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Kavajës, Peqinit e Lushnjës.

Mbledhja e parë e Kuvendit u hap më 28 nëntor 1912 në ora 4 pasdreke në shtëpinë e Xhemil Beut, kushëririt të Ismail Qemalit.

Mbledhjen e hapi Ismail Qemali si “nisjator “ i saj duke treguar rëndësinë e Kuvendit.

Më tej “siç e kërkon rregulla e zakoni” u bë kontrolli i përfaqësimit për secilin delegat. Ne po i japim më poshtë emrat duke shtuar në kllapa mbiemrat ose emrat me të cilat edhe njihen.

Berati: Iljas Be’ Vrioni, Hajredin Be’ Cakrani, Xhelal Be’ Skrapari (Koprencka), Dud (Jorgji) Karbunara, Taq (Dhimitër) Tutulani, Sami Bej Vrioni, që mungonte.

Dibra: Myfti Vehbi Efendiu (Agolli),

Durrësi: Abas Efendiu (Çelkupa), Mustafa Agai (Hanxhiu). Jahja Efendiu (Ballhysa) që pritej të vinte, si dhe Dom Nikoll Kaçorri si “i dërguar i Arqipeshkopit për gjithë shqiptarët katolik që ndodhen nën urdhrin e tij”.

Elbasani: Shefqet Be’ Daiu, Lef Nosi, Qemal Beu (Karaosmani dhe Midhat Be’ Frashëri.

Gjirokastra: Aziz Efendiu (Gjirokastra). Veli Efendiu (Harçi) , Elmas Efendiu (Boce).

Ipeku (Peja): Rexhep Beu (Mitrovica), Bedri Beu (Pejani), Salih Xhuka (Gjuka), Midhat Frashëri, këta delegatë janë dhe të Gjakovës, Plavës e Gusinjës.

Kruja: Abdi Be’ Toptani, Mustafa Asim Efendiu (Kruja).

Lushnja: Kemal Beu (Mullaj), Ferid Be’ Vokopola, Nebi Efendi Sefa.

Ohri dhe Struga: Zyhdi Beu (Ohri), Dr Myrtezai (Ali Struga), Nuri Efendi Sojliu.

Sh’jaku (Shijaku): Xhemal Beu (Deliallisi), Ymer Beu (Delallisi), Ibrahim Efendiu (Ali Shahini).

Tirana: Abdi Be’ Toptani, Murad Be’ Toptani.

Vlona: Ismail Kemal Beu, Zyhni Efendiu (Kanina,Mustafarai), Aristidh Ruci, Kjazim Kokoshi, Jani Minga, , Ekrem beu (Vlora).

Shqiptarët e Bukureshtit: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja (Emanuil),Dhimitër Beratti, Dhimitër Ilua që pritet të vij. Më tej Salih Xhuka kërkon që të quhen delegat të Korçës së rrethuar: Pandeli Cale, Athanas Floqi, Spiro Ilua që u pranua. Po kështu, Mustafa Asim Efendiu kërkoj për të njëjtën arsye, që Luis Gurakuqi të njihet si delegat i Shkodrës çka u pranua.

Një telegram nga Përmeti thotë se në se nuk ka ardhur aty Veli Bej Këlcyra ta zërë vendin e tij Surja bej Vlora e Midhat Bej Frashëri. Po kështu njoftohet se nga Ohri e Struga vijnë Mustafa Barotçiu e Hamdi Beu (Ohri).

Me përfundim të kësaj procedure Rexhep Mitrovica kërkoi që Kryetar i Kuvendit të jetë Ismail Kemal Beu e si shkronjës i parë Luis Gurakuqi e shkronjës i dytë Shefqet Daiu, çka u pranua me duartrokitje.

Pas këtyre procedurave Ismail Qemali mbajti një fjalë për gjendjen e Shqipërisë dhe çka duhej bërë. Kuvendi “…pasi pëlqeu fjalët e Z. Së Tij Ismail Kemal Beut vendosi që : Shqipëria të bëhet që sot më vethe e lirë dhe e mosvarme nën një qeveri të përkohëshme”.

Delegatët pastaj zgjodhën Kryetar të Qeverisë së përkohëshme Ismail Kemal Beun dhe nënkryetar Dom Nikoll Kaçorrin.

Pas kësaj delegatët “dualën jashtë të përshëndesin flamurin që u ngrit në orën 5 e gjysëm pasdreke”.

Mbledhja e dytë u bë më datë 30 nëntor. Delegatët dëgjuan procesverbalin që e miratuan. Luis Gurakuqi tha se ata që do vinë më vonë do t’i firmosin në fund këto shkresa përkujtimore, gjë që nuk ndodhi.

Këtë ditë erdhën si delegatë të rinj nga Kosova Mehmet Pashë Dëralla (Tetova), Isa Beg Buletini, Ajdin Be’ Draga, Dervish Be’ Ipeku, Sami Be’ Vrioni, Dervish Be’ Elbasani (Biçakçiu) e Mahmut Efendi Kaziu nga Peqini.

Me propozim të Aziz Efendi Gjirokastrës u njoh si delegat i Tepelenës Kristo Meksi, ndërsa me kërkesë të Lef Nosit, Sherif Efendi (Langu) si delegat i Dibrës. Pasi Ismail Qemali ishte zgjedh Kryetar i Qeverisë ai u tërhoq nga detyra e Kryetarit të Kuvendit dhe me propozim të Luis Gurakuqit u zgjodh në këtë post Myfti Vehbi Efendiu si dhe Lef Nosi nënkryetar.

Mbledhja e tretë u mbajt më datë 1 dhjetor nën kryesinë e Myfti Vehbi Efendiut. U caktuan dhe dy shkronjës të tjerë Mustafa Kruja dhe Dhimitër Beratti. U bë mbi bazën e propozimeve një votim për numrin e anëtarëve të Pleqësisë dhe pati debate për këtë votim dmth të votonte nga një për çdo kaza apo gjithsecili. Për sa i përket zgjedhjes së Qeverisë dhe Pleqnisë u la kur të vinë dhe delegatët e tjerë.

Mbledhja e katërt u thirr në datë 3 dhjetor. Nga Gjirokastra me telegram u caktuan delegatë Myfit Bej Gjirokastra (Libohova) dhe Fehmi Efendiu (Mezhgorani) e Kristo Meksi me Aristidh Rucin. Edhe Kavaja kërkon të përfaqësohet nga Abdi Bej Toptani. Delegatë të tjerë që erdhën ishin nga Gjirokastra Petro Poga, Jan Papadhopullo, Hysen Efendi Gjirokastra (Hoxha) si dhe Veli Bej Klisura. Me propozim të Myfit Bej Gjirokastrës (Libohova), u quajtën delegatë të Çamërisë Veli Gërra Reshadija, Vesel (Jakup Vesel) Margëlliçi, Aziz Tahir Ajdonati (Tahir Mete) dhe Rexhep Demi nga Filati. Si delegat i Ipekut u pranua Qerim beg (Begolli).

Në këtë mbledhje Ismail Qemali foli për konditat që duhet të plotësojë një ministër që të kënaqet dhe Evropa dhe Stambolli: duhet të jenë emra të njohura brenda e jashtë Shqipërisë. Ai propozoi këtë listë: Mehmet Pashë Tetovën, Myfit Bej Gjirokastrën (Libohova), Aziz Pashën Vehbi Efendiun, Abdi Be’ Toptanin dhe Midhat Frashërin. Këtë e kundërshtoi Dud Karbunara me pretendimin se nuk ishte asnjë i krishterë në listë, mendim që e mbështetën Pandeli Cale, Dhimitër Beratti e Qemal Be’ Elbasani (Karaosmani). Kështu votimi u la për të nesërmen.

Mbledhja e pestë u bë më datë 4 dhjetor në prani të 57 delegatëve (mungonin 6). Në të Ismail Qemali ja la të drejtën e zgjedhjes së 8 ministrave, Kuvendit, me propozimin,që të jenë 4 të krishterë dhe 4 musulmanë. Ky propozim u kundërshtua dhe përzgjedhja ju la votimit. Me votat që u morrin fituan fillimisht 5 veta:Luis Gurakuqi me 54vota, Mufit Be’ Gjirokastra (Libohova) 52, Mehmet Pashë Tetova 42, Abdi Be’ Toptani 34, Midhat Bej Frashëri 35. Këta u zgjodhën sepse fituan më shumë se gjysmën e votave. Prandaj u bë dhe një votim i dytë, me një listë ku ishin 12 emrat që kishim marrë vota, nga e cila u zgjodhën fitues Petraq Poga me 40 vota, Pandeli Cale me 39 dhe Lef Nosi me 37.



Pas kësaj u bë zgjedhja e Pleqësisë, ku sipas propozimit të Dhimitër Berattit u bë vetëm një votim. U zgjodhën: Iljas Be’ Vrioni me 55vota, Sami Be’ Vrioni 54,Dud Karbunara 48, Mustafa Asim Kruja 42, Murat Be’ Toptani 42, Eqrem Be’ Vlora 40, Myfti Vehbi Efendi 39, Kristo Meksi 39, Dhimitër Berati 38, Dhimitër Zografi 35, Bedri Be’ Ipeku 35, Sali Gjuka 35, Veli Be’ Klisura 32, Hajredin Be’ Cakrani 32, Xhelal Be’ Skrapari (Koprencka) 30, Shefqet Daiu 30, Dervish Be Elbasani 29 dhe Ajdin Be’ Draga 27. Shënojmë se procesverbali jep edhe si u ndanë votat e tjera për ministrat, ndërsa për Pleqësinë për të gjithë ata që morën mbi 10 vota.

Mbledhja e gjashtë u mbajt më 6 dhjetor. Në këtë mbledhje vendoset që Qeveria ka si barrë të saj mbrojtjen e çështjes shqiptare përpara Evropës. Ismail beu thotë se qeveria ka ndërmend të jap një falje. U fol për çështje të tjera procedurale dhe u tha se me qenë se tashti Qeveria filloi punën Kuvendi të zgjas dhe dy ditë.

Mbledhja e shtatë u mbajt më 7 dhjetor. Në fillim të saj u lajmërua se nga Mati kanë ardhur delegatët zotërinjtë Ahmet Muhtar Beu (Zogolli), Riza Beu dhe Kurt Agai si dhe Mustafa Efendiu (Barotçiu) nga Starova dhe Hamdi Beu (Ohri) nga Ohri, ndërsa priten të vinë edhe Dervish Hima i Ohrit dhe Hajdar Blloshmi i Starovës, të cilët me sa duket nuk arritën të paraqiten. Mbledhja diskutoi disa çështje procedurale të marrëdhënieve të Pleqësisë me Qeverinë.

Mbas kësaj Kuvendi i mbylli punimet.

Qeveria e formuar në Vlorë kishte këtë përbërje:

Kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme Ismail Kemal Beu;

Nënkryetar i Qeverisë Dom Nikollë Kaçorri;

Ministër i Arsimit Luis Gurakuqi;

Ministër i Punëve të Brendshme Myfit Bej Gjirokastra (Libohova);

Ministër i Financave Abdi Bej Toptani;

Ministër i Luftës Mehmet Pashë Dëralla (Tetova);

Ministër i Drejtësisë Petraq Poga;

Ministër i Punëve Botore Midhat Frashëri;

Ministër i Bujqësisë Pandeli Cale;

Ministër i Postë-Telegrafëve Lef Nosi



Qysh nga ato ditë historike ka kaluar një shekull dhe ne, të gjithë shqiptarët që jetojmë sot në trojet tona e kudo në botë, kemi fatin ta festojmë këtë përvjetor, duke kujtuar të gjithë ata burra që në shekuj u përpoqën për një Shqipëri të lirë e të shqiptarëve dhe që më në fund ja arritën edhe pse kjo pavarësi qe e mangët. Para 13 vitesh fitoi pavarësinë edhe Kosova ndërsa vitet e ardhshme sigurisht do ketë ndodhi të tjera që varen jo vetëm prej nesh por dhe prej nesh.

*

* *

Lista e pjesëmarrësve në Kuvendin e Vlorës nga 28 nëntor më 7 dhjetor 1912.

Ne po i rendisim sipas ardhjes në punimet e Kuvendit, por , duke bërë dy sqarime : ditën e parë ishin të pranishëm dhe dy delegatë që nuk kanë firmosur Aktin, me sa duket janë larguar ndërkohë që të tjerët firmosnin; gjithashtu na rezultojnë katër delegatë të shpallur gjatë mbledhjeve të Kuvendit si të tillë nuk kanë mundur të mbërrijnë para se punimet të mbyllen më datë 7 dhjetor, shtojmë se ka dhe raste që ka delegatë (dy), që përmenden me emër kur ata mungojnë ose kur ata kanë marrë vota si në rastin Pleqësisë, por, që nuk është shpallur ardhja e tyre. Pra, mund të ketë ndonjë rezervë par saktësinë e procesverbaleve. Ne nga ana jonë e quajmë të rregullt atë procesverbal.

Firmëtarët :

Ismail Kemal Beu, Ilias Be’ Vrioni, Hajredin Be’ Cakrani, Xhelal Be’ Skrapari (Koprencka), Dud (Jorgji) Karbunara, Taq (Dhimitër) Tutulani, Myfti Vehbi Efendiu (Agolli), Abas Efendi (Çelkupa), Mustafa Agai (Hanxhiu), Dom Nikoll Kaçorri, Shefqet Be’ Daiu, Lef Nosi, Qemal Beu (Karaosmani), Midhat Be’ Frashëri, , Veli Efendiu (Harçi), Elmas Efendiu (Boce), Rexhep Beu (Mitrovica), Bedri Beu (Pejani), Salih Xhuka (Gjuka), Abdi Be’Toptani, Mustafa Asim Efendiu (Kruja), Kemal Beu (Mullaj), Ferid Be’ Vokopola, Nebi Efendi Sefa(Lushja), Zyhdi Beu (Ohri), Dr. Myrtezai (Ali Struga), Nuri Efendi Sojli, Xhemal Beu (Deliallisi), Ymer Beu (Deliallisi), Zyhni Efendiu (Kanina, Mustafaraj), Aristidh Ruci, Kjazim Kokoshi, Jani Minga, Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja (Emanuil), Dhimitër Beratti, Pandeli Cale, Athanas Floqi, Spiro Ilua, Luis Gurakuqi.

Pjesëmarrësit e tjerë, sipas datës së paraqitjes në Kuvend:

Aziz Efendiu (Gjirokastra), Ibrahim Efendiu (Ali Shahini), këta të dy ishin të pranishëm qysh më datë 28 por nuk firmosën; Mustafa Agai (Hanxhiu), Jahja Efendiu (Ballhysa), Mehmet Pashë Dëralla (Tetova), Isa Beg Buletini, Ajdin Be’ Draga, Dervish Be’ Ipeku (Begolli), Surrja Be’ Vlora, Sami Be Vrioni, Dervish Be’ Elbasani (Biçakçiu), Mahmut Efendi Kaziu, Kristo Meksi, Sherif Efendiu (Langu), Myfit Bej Gjirokastra (Libohova), Petro Poga, Jan Papadhopullo, Hysen Efendi Gjirokastra (Hoxha), Veli Bej Klisura, Veli Gërra Reshadia, Vesel (Jakup Vesel) Margëlliçi, Aziz Tahir Ajdonati (Tahir Mete), Rexhep Demi, Qerim Beg (Begolli),Avni Bej Delvina, Hamdi Be’ Ohri, Mustafa Efendiu (Barotçiu), Ahmet Muftar Beu (Zogolli), Riza Beu, Kurt Agai, Zenel Be Ipeku (Begolli), Riza Beg Gjakova.

Delegatë që nuk mbërritën në kohë :

Ekrem Be’ Vlora, Dervish Hima, Hajdar Blloshmi dhe Dhimitër Ilo.

Nga të dhënat që na japin proces verbalet, duke plotësuar emrat me të dhënat e Bardhosh Gaçes dhe studiuesve të tjerë, e sidomos kujtimeve të bashkëkohësve mendojmë se kemi një tablo të plotë të punimeve dhe pjesëmarrësve të Kuvendit Historik të Vlorës që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Kemi pra 40 firmëtarë të Aktit, 42 pjesëmarrës të tjerë dhe 4 delegatë që nuk erdhën në kohë, gjithsej 76 emra burrash, që historia duhet t’i përmendi e nderojë. Siç tha në një nga seancat Luigj Gurakuqi procesverbali dhe akti do të firmoheshin në fund duket kjo nuk u bë, mbase ata nuk i jepnin atë rëndësi që ka për ne sot. Mendimi ynë është se të gjithë këta burra të shquar janë të barabartë përpara Kombit për Shpalljen e Pavarësisë, e ngritjen e Flamurit Kuq e Zi dhe njësoj duhen nderuar. Ata erdhën për të bërë Aktin zyrtar në emër të popullit që i zgjodhi ta përfaqësojë, se vendimin e kishin marrë me kohë, madje disa nga qytetet e lira e kishin ngritur flamurin e festuar pavarësinë.

*

* *

Së fundi duam të trajtojmë dhe pamjen e vërtetë që kishte Akti i Shpalljes së Pavarësisë. Ne e njihnin deri pak kohe sipas fotos tradicionale të botuar nga Lef Nosi ku shihen të gjitha firmat. Para do kohe studiuesi i pasionuar i historisë dhe i fotografive të vjetra Niko Kotherja botoi atë Akt në pamjen në të cilën qe ekspozuar në vitin 1937 në 25 vjetët e Pavarësisë. Ajo foto i takon mjeshtrit të shquar Kel Marubi, i cili e pat fotografuar me atë rast. Fotografia ka një rëndësi të veçantë për të krijuar pamjen e vërtetë deri sa një ditë të dali në shesh origjinali.

Sipas saj është e qartë se në anën e përparme të fletës ishin vetëm Deklarata e Pavarësisë dhe 34 firma, ndërsa në anën e prapme të fletës 6 firmat e fundit. Këtë na e tregon vetë fotografia e fletës së ekspozuar në shpjegimin e së cilës thuhet se “Në faqen e tjetër ndodhen dhe këto nënshkrime: Mustafa Asim Kruja- Ferid Vokopola - Ymer (Deliallisi) - Xhemal Bej (Deliallisi) - Nebi Sefa Lushja – Zuhdi Ohria”.

Falënderojmë Fototekën Kombëtare “Marubi” në Shkodër që na mundësoi ta kemi këtë fotografi. Duke pasur atë si bazë, rindërtuam pamjen e faqes së prapme, duke e kthyer atë, pra kemi ruajtur dëmtimet e palosjet në vendet e tyre, kemi vendosur ashtu siç janë bashkërisht të gjashtë firmat e fundit, ato për të cilat diçitura dhe foto tregojnë se janë në anën e prapme të fletës së ekspozuar. Në një shikim të vëmendshëm të fotos duken dhe vizat që ka fleta si në fletoret shkollore. Me sa duket Lef Nosi ka montuar në një foto të vetme të gjitha firmat, duke shtuar poshtë ato që ishin në anën e prapme, për të pasur një vizion të plotë të dokumentit. Mendojmë se ai duhet të zëvendësohet nga ky rindërtim i tij, që është më pranë të vërtetës.


Shkëputur nga vellimi me Intervista “Letrat shqip ketej e pertej Atlantikut”

Krijuesit shqiptarë jashtë tokës amë nuk janë ‘gjysma e mollës’





Interviste me Dr Fatmir Terziun; pedagogun, krijuesin, gazetarin, regjisorin, editorin dhe kritikun letrar.





Intervistoi Raimonda Moisiu


Fatmir Terziu është bërë një nga intelektualët me në zë të diasporës shqiptare gjatë këtyre viteve të fundit. I pranishëm në media, si publicist i talentuar, krijues, kritik letrar, studiues, editor, si dhe rregjizor i sukseshëm në kinematografinë që lëvrohet në Britani të Madhe, pa dyshim që ai ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve, duke u bërë kësisoj, një model për të gjithë të vendosurit në Perëndim.


Mbas studimeve për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, ai ka punuar si mësues dhe drejtues në disa shkolla, në rrethin e Dibrës dhe atë të Elbasanit. Pas viteve 90-të, ka qenë kryeredaktor i gazetës “Fjala e Lirë”, gazetar i “Rilindja Demokratike”, drejtues emisionesh, gazetar dhe drejtor i televizionit “Dardan”, korrespodent i mjaft mediave të tjera, në Shqipëri e jashtë vendit. Në vitin 1996 është shpallur reporteri më i mirë i vitit nga gazeta “RD”. Ndërkohë, në shtypin shqiptar ka botuar analiza dhe kritika në fushën e letërsisë, duke qenë i sukseshëm për figurat e njohura të asaj periudhe, si Ismail Kadare, Dhimitër Xhuvani, Fatos Kongoli, Bardhyl Londo, Zija Çela, Teodor Laço, Astrit Bishqemi, Vath Koreshi, Beatriçe Balliçi, Flutura Açka, Ramiz Gjini, Visar Zhiti etj. Ndërsa si autor, është në librat “Mos Hesht”, “Ecje në Qelq”, “Grykës”, “Misteriozja” “Djalli i Argadasit”, ku me këtë të fundit është edhe fitues i çmimit “Kadmus”, “Bunari”, “Lumenjtë e ëndërrave”, “Kohëbota”; “Në vend të lotit”; “Joni Poetik”, monografia studimore kushtuar poetes Iliriana Sulkuqi, studimi për letërsinë për fëmijë etj. Është fitues i çmimit të parë nga BBC për tregimin “Ghost Diamond” (Hija Diamant). Është autor edhe i disa librave të tjerë: Dy vëllime me kritika dhe analiza bashkëkohore letrare, studime në fushën e medias dhe letërsisë shqiptare për fëmijë, dy vëllime me poezi e tregime, si dhe një roman, janë librat e tjerë të vlerësuar nga kritika e huaj dhe ajo shqiptare. Është autor i studimit në gjuhën angleze dhe shqipe me temë krijimtarinë e Ismail Kadaresë, si sprovë për kulturën e memorjes dhe identitetit shqiptar. Të tjerë libra presin dritën e botimeve së shpejti, në gjuhën shqipe dhe angleze. Librat e tij, plot tetëmbëdhjetë tituj ndodhen në Bibliotekën Kombëtare Tiranë, disa biblioteka të qyteteve shqiptare, Londër, Shkup dhe Prishtinë. Me qindra ese dhe analiza studimore janë botuar nga media, gazeta dhe revista shkencore britanike dhe shqiptare.
Që nga viti 2001 jeton, studion, dhe punon në Mbretërinë e Bashkuar. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Eshtë nga të paktët intelektualë shqiptarë, që në kohëqëndrimin e tij si emigrant larg atdheut, ka zgjedhur të pajiset dhe të plotësoj formimin e tij në Britani, ku ka studiuar për media, komunikim, dhe më tej për film, televizion dhe kulturë, politikë dhe filozofi, kritikë letrare dhe gjini. Në fushën e kritikës dhe analizës letrare është vlerësuar si një nga më të mirët e kësaj fushe sot në krijimtarinë shqiptare. Në publicistikë e gazetari ka botuar “Trokamat në Jetën e Një Pene” dhe ka gati një sërë materialesh të tjera letrare për botim. Në gjuhën angleze ka botuar “Parametric Narration in Norman Wisdom Movies”, “Tearing Up the Past”, “Writing the Documentary with Student’s Experience”, “The script: Simple and Complicate” dhe dhjetra ese të ndryshme në fushën e medias të vlerësuara nga akademikët anglezë. Studimin e autorit “Parametric Narration in Norman Wisdom Movies” e ka vlerësuar edhe akademiku Richard Dacre me një artikull të publikuar në mediat profesionale britanike ku shprehet: “studim befasues i Fatmir Terziut”, ndërsa studimi tjetër “Reprezantimi i Personales për Publikun” është vlerësuar nga Dr Heather Nunn dhe nga Profesor Dr Michael Channan dhe Prof Dr Anita Biressi. Në vazhdim të edukimit të tij të mëtejshëm ka studiuar në High Melton College, South Thames College për gjuhën angleze dhe për HNC, Certificatë e Lartë Nacionale në Britaninë e Madhe për Media Production (media prodhimtari). Ka marrë nivelin e lartë (Gradën-nivel A) për Communication Media (media komunikim) pranë Universitetit London South Bank University (2004). Më tej kreu studimet në London South Bank University, pranë Faculty of Arts and Human Sciences për Digital Film dhe Video Production (2004-2007) ku dhe punoi po në këtë universitet në “Widening Participation Unit”, që është pjesë e departamentit të edukimit në këtë institucion. Doktoratura e tij dhe puna në fushën kërkimore akademike dhe lekturimi i kanë dhënë autoritetin e profesionalistit që konkurron mes modestisë së tij. Për kë të mjafton të citojmë dekorimin që iu bë kohët e fundit nga “Albanian Life Quality Union” në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Ambasadori shqiptar në Britani Mal Berisha do të shprehej se ‘Fatmiri është poetik’ në të gjitha komunikimet. Autori pas përfundimit të studimeve në fushën e artit, medias dhe filmit ka krijuar këto filma dhe dokumentarë me metrazh të shkurtër dhe të gjatë: “Trokamat në Jetën e një Pene” (2003), “Rivermusic” (2004), “Windy Corner” (2006), “Clouds of Smoke” (2007) etj. “Windy Corner” dhe “Clouds of Smoke” janë përzgjedhur nga Britfilms dhe janë renditur në historinë e filmave britanikë. Vlen të theksohet se filmi i tij i fundit “Clouds of Smoke” (Retë e Tymit) ka qenë filmi i parë i krijuar nga një shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar të ketë fatin të seleksionohet dhe të shfaqet më 5 Qershor 2007 në Curzon Soho, aty ku shfaqen filmat e mëdhenj Hollyvudianë. Filmi është prezantuar edhe në disa festivale (Nju Jork Film Festival), pasi është një bashkëpunim i autorit me DEFRA-n, Departamenti i Mjedisit Ushqimit dhe Aferave Bujqësore në BM, ku është edhe protagonisti kryesor z. Alex Palman, pasuar edhe nga gazetari i mirënjohur i BBC-së Mike Sergant. Shumica e filmave dhe pjesë nga krijimtaria e autorit mund të shikohen në internet në faqen e BBC-së dhe në faqen e tij: www.fjalaelire.com. Krijimet e autorit janë publikuar në UK nga BBC, ku autori ka fituar dhe një kompeticion me tregimin “Hija Diamant” (Ghost Diamond), i cili mund të lexohet në faqet e BBC-së dhe nga mjaft organe të shtypit dhe medias. Pas fitimit të titullit Master në Media, Kulturë dhe Poltikë nga Universiteti i Roehamptonit, z. Terziu është duke vazhduar punën e tij kërkimore ne fushën e medias pranë London South Bank University. Doktoratura ka provuar aftësi dhe profesionalizëm në fushën akademike.
Që prej gjashtë vitesh, boton në internet revistën intelektuale kulturore-letrare, “Fjala e Lirë”, dhe është që nga maji i vitit 2008, kryeredaktor i gazetës “Albanian Mail”, dhe “Albanian News”, të cilat botohen në Londër”. Ishte edhe mik e studiues i aktorit më popullor në Britani, Norman Wisdom ( Pitkini) i njohur edhe tek ne me filmat e tij komik. Me botimin e revistes internetike “Fjala e Lirë”, ka mundur të mbledhë e të njohë më tej krijimtarinë e autorëve shqiptarë, sidomos të atyre në diasporë, ku nuk mungojne edhe analiza e kritika, të cilat vlerësohen si shumë profesionale e bashkohore. Emra si Murat Gecaj, Viron Kona, Agim Mato, Timo Mërkuri, Sejdi Berisha, Xheladin Mjeku, Agim Shehu, Vilhelme Vranari Haxhiraj “Mjeshtër i Madh”, Pëllumb Kulla, Faruk Myrtaj, Iliriana Sulkuqi, Raimonda Moisiu, Roland Gjoza, Kolec Traboini, Mëhill Velaj, Vaid Hyzoti, Sami Milloshi, Lazër Stani, Nase Jani, Aleko Likaj, Andi Meçaj, Kostaq Duka, Andrea Zarballa, John Hodgson, (përkthyesi i parë i Kadaresë në anglisht) etj., janë bërë pjesë, jo vetëm e stafit, por edhe “bërthama” rreth së cilës janë afruar plot intelektuale dhe krijues në disa kontinente, deri në Australinë e largët.
Fatmir Terziu është bërë tashmë tepër i njohur, jo vetëm në diasporën shqiptare, në fushën mediatike, por edhe në atë të kritikës letrare, po si mendon ai, konkretisht?
Është në fakt e rrëndësishme një gjë. Ajo lidhet me modestinë. Shpeshherë ne e flakim rëndësinë e saj dhe, disa herë e mbysim atë. Për mua njohja vjen nga puna. Kur puna vlerësohet, atëherë edhe njohja vjen në kohën dhe vendin e duhur. Në këtë kohë të zhvillimit teknologjik, në të cilën ne jetojmë, natyrshëm, edhe njohja është më e lehtë. Njihesh si për mirë, ashtu edhe për keq, në disa minuta. Interneti e përcjedh këtë mesazh gjithandej. Dhe në këtë aspekt, unë mendoj se sot shumë intelektualë, janë bërë njohje dhe model për të gjithë. Ata punojnë me ngulm që t’i ndryshojnë emrin e keq shqiptarisë nëpër botë. Në këtë mes është edhe veprimtaria ime, që unë mendoj se, është vetëm një grimë, nga ajo që bëjnë dhe promovojnë intelektualët dhe shqiptarët në botë.
Cilat kanë qenë fillimet në fushën e medias?
Një poezi dhe një tregim më kanë bërë të fluturoj, kur i kam parë në gazetë. Isha nxënës i shkollës së mesme, kur i pashë ato të botuara në shtypin lokal të asaj kohe. Ato i përkasin vitit 1978. Më pas, kam punuar e bashkëpunuar me gazeta të ndryshme si “Sporti Popullor”, “Luftëtari”, “Puna”, “Tirana”, “Shkumbini”, “Ushtima e Maleve”, “Bashkimi”, “Tirana” etj. Më vonë pas viteve 90-të, kam bashkëpunuar me gazeta të ndryshme, dhe kam drejtuar “Fjala e Lirë” për disa vjet. Kam shkruar vazhdimisht, por dritën e botimit, e gjeti vëllimi im i parë poetik, “Mos Hesht”, botuar nga shtëpia botuese “Sejko”, ku më pas u botua “Djalli i Argadasit”, “Ecje në Qelq”, “Krokamat”, “Mot i Qashtër”, “Kritika Ndryshe: pjesa e parë dhe e dytë” etj. Librat e tjerë janë botuar nga “Lulu”. Romanet “Grykës” dhe “Bunari” janë vlerësuar mjaft. Libri i fundit “Rrëfenjat e xha Avramit” u botua së fundi nga SHB “Filara”.
Në librin “Mot i Qashtër” kemi lexuar edhe shënime, ose më saktë, e thënë, “Nga blloku i gazetarit…”, cilën do të veçoje si përjetimin më të keq në detyrën e atyre viteve?
Janë shumë, por do të përmendja këtu vitin 1997, kur unë isha ngarkuar atëherë nga “RD”-ja, të ndiqja Presidentin e asaj kohe, Sali Berisha, në vizitat e tij. Ishte vizita në Gjirokastër, që për pak, desh më kushtoi me jetën. Pasi mbaroi mitingu në Pallatin e Sportit të qytetit, dhe më pas mes studentëve, thuajse u bë natë. Në të hyrë të Tepelenës ishin ngritur postblloqe. U detyruam të ktheheshim. Në rrugën për në Ersekë, andej nga Përmeti, një rrugë ushtarake, na i shpuan gomat e makinës. Makina ngeci. Desh Zoti, që në makinën e gazetares së Radio Tiranës, Zamira Koleci, kishte vend dhe ne shpëtuam… Të tjerët janë raste që duhen harruar, e për të mos i kujtuar kurrë.
Po ngjarja që ju ka emocionuar më shumë dhe që e keni përcjellë pastaj tek lexuesit?
Ishte koha e Luftës në Kosovë. Unë duhej të raportoja nga Kampi i Stankofcit në Maqedoni. Kur mbërrita, pashë atë skenë mizore, mes policësh dhe njerëzish në nevojë. Njërëz me e pa uniformë më rrethuan, dhe më rrëmbyen kamerën, ishin gati të më mbërthenin mirë, për fat, erdhën disa vëzhgues të huaj, dhe nuk e kuptova as vetë si më liruan. Atë ditë kam raportuar nga telefonat e Universitetit të Tetovës, për të cilin kisha realizuar pak kohë më parë një dokumentar. Ndjeva emocione, dhimbje dhe gëzim njëherësh, që arrita të jap lajmin i pari për mediat shqiptare, mbi atë kamp, që edhe sot më ngjeth mornica në trup. Njerëz të pafajshëm të përzënë nga vatrat e tyre, thaheshin për një pikë ujë, nën një rregjim policor të pakuptueshëm…
A e ka përkëdhel fati Fatmir Terziun pas largimit nga Atdheu? Jeta e emigrantit në Londër?
Askënd në emigracion, nuk e mendoj se është në një aspekt të lehtë njerëzor, në procesin e integrimit. Askënd nuk e mendoj, se është i përkëdhelur nga fati. Por edhe nëse ka ecur paksa, do të thoja se, është mundi dhe përkushtimi i tij profesional. Në Perëndim, askush nuk të thotë ‘bujrum’, dhe hajde se je njeri i mirë. I mirë është ai që punon, dhe me punë realizon ‘përkëdheljen’, që në fakt, gjithkujt në emigrim i mungon. Integrimi është i thjeshtë për t’u shqiptuar, por shumë i rëndë për t’u arritur. Gjithësesi, tani është pak më ndryshe, pas disa vitesh.
Shkelët për të parën herë, në një fushë krejt të re për ju, në botën e kinemasë. Cilat kanë qenë impresionet tuaja për të? Po krijimtaria?
Në fakt, siç e përmenda edhe më parë, kisha tentuar të realizojë diçka vizive, por thjesht televizive. Puna ime në televizion, më ndikoi disi në këtë vendim. Por filmi sot ka emër tjetër. Filmi i shkurtër është si të thuash, një dhunti e re në rritje. Krijimi i një filmi të tillë kërkon muaj, edhe pse shikimi i tij përfundon për disa minuta. Të thuash një ide në pak minuta, do shumë talent. Këtu duhet folur shumë, por unë preferoj që t’ja lë kohës fjalët. Vlerësimi i filmave të mi të shkurtër, dhe çmimet për to, më kanë shtuar së tepërmi etjen për më tej. Planet janë gati, dhe pres vetëm financimin nga British Council. Kam një kërkesë nga filmkrijuesi anglez, Derek Smith, por le të shohim se ç’do të ndodhë pas bisedimeve.
Si keni punuar në filmat tuaj, dhe mënyra se si i keni gjetur aktorët. Raportet me sponsorët, por edhe organizuesit e filmit?
Në Britaninë e Madhe, ka ligje të shkruara dhe të pashkruara për këtë. Aktorët, mjetet, sponsorët etj., duhet ti gjesh vetë. Këtë e kam bërë me angazhim, dhe padyshim me sukses. Të përfshish Grainne Gillis në filmin tënd, duhet të jesh me fat. Ajo tashmë ka oferta të mëdha, dhe unë ndjehem krenar. Apo edhe britanike aktore si Tara Jones. Filmi “Clouds of Smoke”, ka konkuruar në Courson, dhe ka marë çmimin “Best Mention”. Kështu raportet janë në nivel, dhe puna e rezultatet flasin qartë. Në Londër, puna me ekip flet më shumë, se sa një arritje personale. Kjo është alfa e një pune me organizuesit, ose më saktë me ekipin.

Cilat kanë qenë vlerësimet nga kritika angleze në këtë fushë?
Do të preferoja të thoja paksa, diçka për të qartësuar. Këtu nuk është thjesht kritika, por fjala e specialistit, siç është e mirënjohura Ann Ross Muir, drejtoreshë e një prej dramave tipike angleze, “Eastenders”, apo Dr. Charlotte Crofts, Dr Anna Reading dhe Dr Jenny Owen, që ishin edhe drejtuese të temës sime të doktoraturës e akademikët Chris Elliott, Richard Dacre, Profesor Dr. Andrew Deudney etj. Fjalët e tyre nuk janë vetëm inkurajuese, por edhe shtytëse në krijimtarinë time. E tillë është edhe fjala e regjisores së BBC-së, Lucy More, për skenarin tim “Red Devil”.
Keni tashmë një projekt të ri në realizimin e një filmi. Cili është subjekti i tij?
Ky është një film, që ka të bëjë, me një lidhje britanike me Shqipërinë. Filmkrijuesi anglez Derek Smith, ka marë shkas nga një essè timen për filmin shqiptar, dhe tematika është disi e larmishme. Ashtu siç thashë edhe më lart, puna është në procedurat e bisedimeve, dhe këtë rradhë, nuk mund të flas më tepër.
A do të konkurojnë filmat e Terziut në festivale të mëdha ndërkombetare?
Filmi “Clouds of Smoke” është zgjedhur nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Green Unplugged”, që konkuron në muajin Qershor 2011, zhvillohet në Delhi të Indisë dhe është shansi të fitojë çmim. Por, për një krijues, festivalet nuk janë ëndërra, është një angazhim. Por sot, marja pjesë në festivale, është punë kohe. Po të dërgosh filmin, dhe të mos kesh kohë ta ndjekësh, siç ndodh puna ime, që jam i angazhuar, është paksa e vështirë. Le të shpresojmë, se e ardhmja do të flasë më qartë.
Ç’mendon sot për gjendjen dhe pozicionin e kinematografisë shqiptare e konkurimet e saj?
Dua ta nis nga pozitivja, dhe jo nga debatet, që shpesh e përfshijnë këtë fushë të medias. Është një rast i mirë, që një film i regjizorit Milkani, ka marë dritën për në “Oscar”. Është mirë të themi, se filmi shqiptar do të marë fytyrën e tij. Disa filma që janë realizuar, si bashkëpunim me të tjerët, janë një sinjal i mirë.
Të bëjmë sikur «harrojmë» për një moment filmin, dhe ta lëmë pas atë për t’ju kthyer medias, ku ju jeni diplomuar në Universitetin e South Bank të Londrës.
London South Bank University, ku kancelar është i mirënjohuri i gazetarisë televizive, Trevor MacDonald, është tashmë një universitet me emër në Londër. Por Universiteti i Roehampton në Londër, ku unë mbarova masterin me rezultate të larta, më dha më shumë hapësirë të vazhdoj e mbaroj doktoraturën, dhe më duket se po më ‘forcon’ dijet e mara, që tashmë duhet ti ndaj edhe me të tjerët.
Me kritikën letrare, ju keni patur kontakte të hershme, madje që pas vitit 90-të, ku keni bërë disa analiza për figura të njohura të letrave shqipe. Në ç’dimension ndodhet ajo sot brenda vetes suaj?
Sot është një fakt. Arkiva e Bibliotekës Kombëtare flet hapur. Dhe kur shikoj online analizat, dhe kritikat e mia letrare të viteve më parë, shpeshherë them në heshtje, diçka më shumë për atë që duhet të bëj sot. Kritika letrare dhe analiza, gjithashtu vijnë nga njohuritë për të, nga leximet e shumta, dhe nga bagazhi i fjalëve bindëse për krijuesin. Unë lexoj shumë dhe shkruaj gjithmonë. Kjo më bën të jem sot në këtë stad. Por kultura britanike e analizës dhe kritikës letrare, më ka dhënë garancinë dhe sigurinë e përzgjedhjes, dhe dhënies së inkurajimit atij që i takon. Shumë krijues të sotëm, tashmë kanë krijuar besim në fjalën time, dhe unë shpresoj të mos e shpërdoroj atë. Po dikush, padashje ose me dashje, sot po e vret krijimtarinë shqiptare.
Kush po e vret krijimtarinë shqiptare?
Le ta nisim më hapur. Një shkrim i Luan Canajt, “Dritat e Italisë” të botuar në mediat shqiptare mbi prozën e Faruk Myrtajt, më bëri të shoh paralelet e këtij shkrimi, me tre derivate të shtruara me kohë në hulumtimin e autorit, me titullin “Vështrim të Uliksit në veprën “Injoranca” të Milan Kunderës”, në një artikull të Agron Tufës me titull “Pilulat e ëmbla e të hidhura të emigrimit” dhe në një mesazh të Fatbardh Boçit. Tre këto hapje më sollën në temë. Tre këto kapje, më saktë, më diktuan hapësirën, kohën dhe vendin, tërë këtë derivat filozofik, me të cilin quket një element historik, tashmë për letrat shqipe. Jashtë gërshetit të thurrur metaforik, jashtë asaj që njihet e stërnjihet në këndin e temave të tilla, kjo situatë e tërhequr dhe e tendosur e trajtesës, duket se puqet paksa në tematikë, por jo në kohë me një studim model të Francës së viteve 80-të, në të cilin studiuesi John Ardagh, sheh e shpjegon “Artin dhe intelektualët si një rënie krijuese?”, duke vënë një pikëpyetje të madhe në fund të kësaj pjese studimore. Por, duke mos e lënë këtë pyetje kaq të thatë, studiuesi e shigjeton më tej retorikën e tij: “A e vranë romanin francez filozofët Bartez dhe Robbe-Grillet?”. Në këtë mjedis edhe tre citimet e ndërrmajes së tematikës sime, Canaj, Tufa dhe Boçi, kanë një arsye retorikë, kanë disi një pikëtakim. I pari, Canaj, shkruan: “përmbledhja me tregime “Dritat e Italisë” e shkrimtarit Faruk Myrtaj, botuar nga “Ideart”, … ende pak e përmendur si një prurje në prozë e denjë për t’u veçuar.” Përpos normës eseistike i dyti, Agron Tufaj citon: “Është krejt një gjë tjetër që në veprat letrare të shkrimtarëve me origjinë shqiptare kumbojnë temat, ndjeshmëria, bota dhe realiteti shqiptar, por kjo nuk është e mjaftueshme për ta bërë letërsinë e tyre letërsi shqipe.” Dhe i fundit, jo për nga pakrëndësia e fjalës së tij, por nga koha kur u dërgua, Boçi, thekson se ‘ka edhe mjaft shkrimtarë që duhen parë me sy më të thellë…”. me sashihet, ndryshe nga shigjeta e drejtëpërdrejtë e studiuesit francez, këto tre shigjeta individuale shqiptare, kanë në thelb një pikëtakim: “Atëherë a e vret krijimtarinë shqiptare një mjedis i pashtruar qartë për krijuesit shqiptarë?” Kur themi ‘një mjedis i pashtruar qartë’, në këtë sens, kemi parasysh jo thjesht ato gjysmat e mollës si “Simbolika alegorike …, që vuajnë mungesën e njëra-tjetrës” me të cilën trajton idenë e tij Tufa, por atë pikë të ndjeshme të filozofisë aktuale shqiptare ndaj këtyre dy gjysmave të mollës, pra shkrimtarë dhe krijues shqiptarë në Diasporë dhe krijues e shkrimtarë shqiptarë në Atdhe.
Kur të parët, pra ‘gjysma e mollës’ që krijojnë e botohen në mjedise të tjera, pra joshqiptare, dhe natyrshëm vlerësohen atje, natyrshëm quhen ‘ambasadorët më të mirë të kulturës dhe krijimtarisë shqiptare’ ndërsa kur vjen koha për çmime apo edhe për një fjalë të merituar në inskenimet konkursore shqiptare, ata ‘janë gjysma e mollës’, natyrshëm që nuk i ngjizet gjysmës së konkurseve dhe trukeve, jo se nuk i ngjitet nga vlerat apo nga rëndësia. Atëherë, nëse “Dritat e Italisë” e shkrimtarit Faruk Myrtaj, botuar nga “Ideart”, mbetet ashtu siç shkruan Luan Canaj, ende pak i përmendur si një prurje në prozë, e denjë për t’u veçuar, pyetjes sonë, të huazuar nga Ardagh, mund t’i vihen mjaft alibi. Së pari, mendoj unë është vetë ajo kastë shkrimtarësh, të vetërenditur shqiptarë, që vetërrotullohen andej-këndej, me shoqata, kafene, stile e mjete nga më absurdet të diktojnë e diktohen, … dhe pastaj të ‘harrojnë’ me dashje se edhe ‘gjysma tjetër e mollës’ është ajo që ka qenë me kohë midis pjesë më të arrirë shqiptare me kohë. Kur Tufa sjell se ka emra, dhe pjesa më e madhe e këtyre shkrimtarëve shkruan me një vetëdije e mjeshtëri të lartë, ndoshta shqipen më dinamike e më të rafinuar, ndërsa një pjesë fare e vogël ka kaluar në krijimtarinë biliguale. (Tufa, Agron: 2010)
Dhe natyrshëm emra të tillë që cek vetë Tufa, si Elvira Dones, Gëzim Hajdari, Ornela Vorpsi, Anilda Ibrahimi, Ron Kurbati, Artur Spanjolli etj, por edhe të tjerë të mëvonshëm që krijojnë në Itali, apo edhe penat elegante, elitare e të talentuara si Ilirjana Stringa, Arben Dedja, Ardian Kyçyku, Lindita Arapi, Idlir e Orgest Azizi, Ardian Vehbiu, Romeo Çollaku, Ramiz Gjini, Flurans Ilia, Faruk Myrtaj, Luan Canaj, Urim Nerguti, Luan Topçiu (shoh se lista mund të shkoj shumë më e gjatë dhe se përmasa e letërsisë shqipe, në pjesën e saj bukur serioze mund të vazhdojë në emigrim).
Emra të tjerë shqiptarë, të cilët me dashamirësinë e madhe edhe të mesazhit të Boçit, kuptohen në fate mes dy pjesëve të mollës, kanë krijuar e kanë qenë vlerësuar edhe në Atdhe, krijojnë e vlerësohen edhe jashtë vendit. Emra të shumtë. Emra që do të duhej një kohë e gjatë të përmendeshin. Emra që vijnë të plotëformuar mes kualifikimeve, mes stileve e metodave më bashkëkohore. Dhe nëse ndodh kështu, kjo dëshmon se koha e viteve tetëdhjetë, që vrau krijimtarinë franceze, ishte një kohë politike e dështuar në këtë fushë, ku duhej mbetur me në një apo dy emra si një shkollë e vazhdimësisë së Prustit, ku sipas Ardagh, ishte kjo që vinte nga mentaliteti i majtë, i disa mendimtarëve të djathtë, apo edhe nga bankat e filozofisë së panjohur që e shpinte krijimtarinë në këndë të majta e të dëmshme.
Në rastin shqiptar, arsyeja pse lihen në harrësë krijues, vepra dhe krijimtari, lidhen me vetë hapësirën, vendin dhe kohën. Nga popullorja shqipe, ndoshta pak jashtë ironisë së faktit, ‘i zoti e nxjerr vetë gomarin nga balta’, ajo që duhet kuptuar qartë nuk është se vetë autori duhet të marrë daullen e madhe apo të vogël të promovimeve ‘si dasmat në kohën e socializmit: sekretari i PPSH-së në ballë tek tavolina e nuses e të tjerët pas, por vetë krijuesit shqiptarë, kritikët, analistët, grupet, shoqatat dhe natyrshëm edhe mediat të krijjnë më shumë hapësirë për vlerat dhe krijuesit me vlera.
Shkrime si të Canaj, Tufës apo edhe mesazhe si të Boçit, janë pak, ose aspak në familjen e tyre fjalëngritur. Të tjerat janë aspekte shoqërore që herë kërkohen të shkruhet, e herë diktojnë rrethana për të shkruar. Tema në trajtim ka një metafizikë të prekshme, një gjerësi logjike në trajtesën e saj, por debati, natyrshëm ai konstruktiv lë pas një dritë të vogël, jo ndoshta si ‘Drita e Italisë”, por si një dritëz që ndriçon rrugën e hyrjes në këtë derë të madhe e të tejmbushur shqiptare.
Cilat janë temat që përbëjnë sot gazetën «Albanian News» që ju drejtoni në Britani? Si trajtohen hallet dhe shqetësimet e emigrantëve, dhe si i përcjell tashmë ajo?
Gazeta botohet me dashamirësinë e një biznesmeni hebre, natyrshëm të sukseshëm në Londër. Joel, është një njeri që i ka afruar komunitetit shqiptar, mundësinë e një gazete, por edhe ndihmën ndaj shoqatës shqiptare “Ardhmëria” që drejtohet nga Lutfi Vata. Dhe kjo mundësi tashmë është në baza profesionaliste, ku trajtohen rubrikat e komunitetit, emigracionit, arritjeve rinore, dhe më tej me problematikën e jetës.
Krijimtaria dhe planet krijuese për të ardhmen?
Krijimtaria ime është komplekse. Si e tillë ajo lëvrohet në çdo minutë, në çdo hapësirë. Unë kam në proces, një roman me tematikë nga viti 1997-të, dy vëllime me tregime, dhe një me poezi. Dy vëllimet me analiza dhe kritika letrare, pjesa e tretë dhe e katërt, shpresoj që të shohin dritën e botimit shumë shpejt.
Njohja me Sir Norman Wisdom dhe studimi juaj?
Kur mora përsipër të realizoja studimin tim mbi Parametrat Narrativë të Filmave të Sir Norman Wisdomit, i njohur si Pitkini në Shqipëri, dy supervizorët e mi, Dr Philip Hammond dhe Dr Anna Reading ishin në dilemë. Ata nuk besonin në mundësinë për të krjijuar një vepër të tillë. Kur unë u fola se vija nga Shqipëria dhe njihja diçka nga krijimtaria e tij, ata heshtën. Më pas mbi 60 mijë fjalë për këtë temë habitën akademikun Richard Dacre, një nga biografierët e hershëm të tij. Ai pasi pa studimin tim e quajti “Punë tërheqëse e Fatmir Terziut”, dhe shkruajti në disa revista online. Kështu dhe rezultatet folën qartë. Këto rezultate më afruan mundësinë që të ftohesha nga organizatorët e festimit të 91 vjetorit të ditëlindjes së Wisdom. Dhe aty pata rastin që ta takoj për së dyti aktorin me famë në Britaninë e viteve 60-të, dhe heroin shqiptar të asaj kohe, falë roleve të tij që ne shqiptarë e konsideronim si sinonimin e komedise së ekranit të madh. Në takimin disaminutësh me të i kujtova pyetjet që i pata bërë kur ai erdhi për ndeshjen e futbollit Shqipëri – Angli. Ai vetëm bënte shaka, kërcente dhe tentonte të dëfrente të tjerët. Më tha vetëm kaq “Albania, I love you…”. U bëmë dhe mbetëm miq.
Para disa muajsh i sëmurë nga sëmundja Alzhemir ndërroi jetë në izolim nga të tjerët. Por në mëndjen time, mbetet një kujtim i mirë dhe i ndjeshëm nëpër vite. Ai mbetet gjithmonë një shkollë më vete filmi, një art më vete në gjininë “slapstick”.
Unë e adhuroj atë.
Të vijmë tashmë tek jeta familjare e Terziut.
Shumë vetë e kanë thënë hapur: “Familja është mbi çdo gjë”. Dhe për mua, gruaja ime e përkushtuar ndaj meje dhe tre fëmijëve të mi, si dhe arritjet e saj në fushën e matematikës dhe edukimit në shkollat londineze, janë një hapësirë e madhe për të më dhënë më shumë kurajo krijuese. Familja ime është mbështetja kryesore, pastaj edhe hapësirat që të jep Britania e Madhe.
A ndjehet krenar Fatmiri për sukseset e fëmijëve të tij?
Natyrshëm po. Emocionet shtohen kur sheh djalin e madh Andin me rezultate yje në GCSE, dhe ndjekja e studimeve universitare për Jurisprudencë në Brunel University, vajzën në mesin e krijuesve të rinj britanikë, dhe binjakun e saj të shkëlqejë në shkollë me bursë në fushën e sportit të bukur të notit. Këtu modestia flaket, dhe krenaria bëhet plotësisht publike. Edhe po të bëhesh modest, nuk të lënë gazetat e këtij vendi, se ata e gjuajnë, njësoj si të keqen dhe të mirën. Dhe kështu për fëmijët e mi kanë shkruar mjaft gazeta, sidomos “Wandsworth Borough News”, “Yorkshire Times”, etj.
Në jetën e përditshme aty në Londër, ju jeni në kontakte me personalitete të kulturës dhe të politikës angleze, sa është prezent Atdheu ynë Shqipëria në marëdhëniet me ta?
Para ca kohësh, po bisedoja me përkthyesin e parë të Kadaresë, John Hodgson. Ai më tha kështu: “a e di Fatmir, se tashmë Shqipëria, nuk ka ndonjë ndryshim nga Perëndimi?…”
Le ta zbërthejmë këtë pyetje. Në Londër të paktën emri shqiptar tani tingëllon më ndryshe. Personalitetet e këtij vendi kanë kuptuar tashmë sensin shqiptar, dhe me këtë po ndërtohet respekti për Shqipërinë. Nga Atdheu i dytë ku jemi, ne ndjejmë krenari për Atdheun tonë, për Shqipërinë.
Si ndjehesh në komunitetin shqiptar të Londrës dhe atë mediatik? Cilat janë marëdhëniet me kolegët?
Shumica tashmë besojnë se Shqipëria do të bëhet edhe më e mirë. Dhe një pjesë mendojnë investimin në Atdhe. Ndërsa marrëdhëniet me kolegët, janë marrëdhënie pune dhe interesash në fushën mediatike.
A beson Fatmir Terziu në një të ardhme të shpejtë dhe më të mirë të vendit të tij, dhe a do të mund të kthehet për të kontribuar aty?
Edhe unë jam e mbetem optimist. Në muajin Nëntor, në vitin akademik 2010-2011, ndërmora një inisiativë për t’iu përgjigjur kërkesës së Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës në Shqipëri, Myqerem Tafaj, dhe mora modulin “Shkrim në Media” për studentët e vitit të tretë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Dhe kjo sprovë dhe sakrificë mbetet në dëshira intelektuale. Por intelektuali si i tillë, shpeshherë e shuan optimizmin për arsye të ndryshme. Kontributi është edhe ky që ne japim. Një kontribut i tillë, kurrë nuk është as larg, as afër. Të tjerat le t’ia lëmë kohës.

Intervistoi Raimonda MOISIU

SIKUR PASHË SKENDËRBENË!…


Dr. Leonidha PEPPO



1.

Në datat 16 - 20 maj 2012, u zhvillua në Vjenë të Austrisë një Konferencë shkencore mjekësore, e veçantë për në Shqipëri, flas për shkallën e zhvillimit të rezonancës magnetike të zemrës. Eshtë specialitet i veçantë , që kërkon përgatitje speciale në një fushë pak te zhvilliar dhe përhapje të paktë në fushën imaxheri- kardiologji, në vëndin tonë.

Në rastin tonë, Konferenca në fjalë u zhvillua në një sallë të madhe, në katin e 2-të, e qarkuar nga një oborr drejtëkëndor dhe e rrethuar , gjithashtu, nga ndërtesa me një portë hyrëse shumë të bukur, që mbyllet me kanata të larta prej druri. Salla ishte shumë e bukur, me piktura të stampuara, mundet afreske, me muret dhe tavanet me zbukurime mozaike në vënde të ndryshme të sallës, që të jepte kënaqësi dhe entuziazëm, përtej përfitimit nga lektorët e mirëpërgatitur .

Adresa: A. 1010 Wien Kolumarkt 16 ( Austria), do të bëhej objektivi ynë, gjatë 3 ditëve që u zhvillua konferenca, nga grupi shqipëtar i përbërë nga mjekët kardiologë Dr. Leonidha Peppo e Dr. Gëzim Hakrama dhe mjekët e tjerë, Dr. Matjon Kapaj, Dr. Sokol Myftiu, Dr. Osman Hidi, Dr. Adrian Ballaca, Fiqiri Rrapi, të shoqëruar nga bashkëshortet mjeke ose dhe fëmijët e tyre, tashmë të rritur.

Pjesëmarrja e familjarëve të të ftuarëve është bërë tashmë e zakonshme, në të tilla ngjarje, konferenca ose kongrese shkencore të shoqëruar me vizita të shumta në parqe ose muzetë e shumtë, që janë të pranishëm kudo në botën e qytetërur, me histori të lashtë, me stade të zhvillimeve shoqerore të ndryshme .

Sigurisht, këto konferenca ua rrisin personalitetin prindërve, por sidomos dhe fëmijëve, duke i mbushur plot me culture, që sjell jetën e vërtetë cilësore dhe mjaft të papritura në vitet e ardhshme, duke i përgatitur si qytetarë të ndershëm dhe shumë të përgatitur, për të shërbyer natë e ditë, në radhë të parë vetes, e pastaj vendit të tij.

2.

Kryeqëndra e qytetit ishte muzeu historik, që dëshirohet nga të gjithë. Nqs dëshiron të takohesh me shqipëtarë, shko te muzeu i armëve, ku menjëherë, që në kthesën e parë të shkallëve, përballesh me stendën e xhamave me armët e përkrenaren e Skëndërbeut. Shpata me myllin e saj rreth një 1 metër e gjatë dhe pak më sipër përkrenarja me kokën e dhisë sipër. Menjëherë të kujtohen fjalët e të madhit Naim Frashëri, kur në qytetin e Vjenës pa të njëjtën skenë e u shpreh në vargjet e tij: “ Sikur pashë Skëndërbenë!…”. Më kujtohet një pikturë e shumë viteve më parë, në imagjinatën e piktorit që nuk ia mbaj mend emrin, paraqiste Naim Frashërin në muzeun e Vjenës, para pajisjeve të Skëndërbeut dhe pikturës ia kishte vënë titullin pikërisht me vargun: “ Sikur pashë Skëndërbenë”.

Në muze u takuam me shumë kënaqësi me disa emigrantë shqipëtarë, nga Kosova dhe Amerika. Sigurisht, të gjitha takimet i fiksuam në foto, pra edhe Heroit tonë legjendar, Skëndërbeut. E mirënjohura” SISI”, mbretëresha Elizabeta II, më saktë gruaja e mbretit, për të cilën janë bërë tre filma artistikë, kishte muze të veçantë për të gjithe jetën e saj. Idhulli i gjithë austriakëve dhe jo vetëm, fundi i trishtë i jetës së saj, pra vrasja e pakuptimptë, i habit të gjithë vizitorët.

Na ranë në sy parqe pa mbarim, “ Shën Brauni” i famshëm me statuja dhe oborre shumë të bukura, me koreografi lulesh dhe ujërash, që përfundonte me një kodër, që kulmonte me një kafe restorant mjaft të praruar. Aty, pa pritur, u takuam me grupin tjetër te mjekëve shqiptarë, pjesëmarrës në Konferencë. Në qendrën muzeore të Vienës, ndodhet muzeu naturor, ku flora dhe fauna në shekuj tregojnë evolucionin e tyre. Diku më prapa tyre janë bashkia e qytetit dhe kisha shumë e bukur, e ngjashme me kishën “Sagrada Famiglia” të të famshit Gaudi, në Barcelonë të Spanjës. Pak më tutje, në perëndim të bashkisë gjëndet Parlamenti, i rrethuar me rrugë dhe parqe shumë të bukur, plot me trëndafila dhe pemë. Midis tyre, një të diele, ishte një grup lesbikesh që tentuan të ngacmonin një nga mjekët tone. Në një cep të Vienës ishte muzeu “Madam Tousseau”, i përhapur në gjithë botën, ku njerëzit më të famshëm të botës janë ekspozuar në dhoma të ndryshme . Të pranishëm ishin: Obama, Frojdi e Krauke,futbollist austriak, femrat e bukura të Hollivudit, Sisi, Elisabeta e dytë, që e përshkruam më lart dhe shumë të tjerë, deri te Karl Marksi. Sigurisht, nuk do humbisnim rastin të bënim foto me ta.

Fëmijët tanë u kënaqën shumë: Etloni djali im e Radiani i Dr. Matjanit dhe Ina e Dr. Gëzimit, duke krijuar miqësi dhe njohje të reja, duke u bërë më shoqërorë, gjë që u shërben për zhvillimin dhe personalitetin e tyre në të ardhmen.

Në kemi shkuar në disa vende të Europës dhe kemi parë e provuar gjithë llojet e transportit, por në stacionet e metrove të Vjenës, që ishin gjithësej 4 linja (Parisi ka 14 të tilla), nuk kishte pengesa për të hyrë në tren ose tranvaj. Por më pas mund të përballesh me kontrollorët dhe nqs nuk je në rregull me biletrën, provom gjobë të mirë. Vjena, me 1 milion e 700 mijë banorë kishte shumë pak qarkullim edhe në zonat turistike, ku Danubi i madh me dy degë të tij e pershkon perms, si në festa dhe ditëtë e pushimit.

3.

Le të kthehemi te detyra kryesore, për të cilëm shkuam në Vjenë, për të ndjekur Konferencën shkencore “Rezonanca magnetike e zemrës”. Lektorë të njohur në fushën e imazhersë dhe kardiologjisë paraqiten talentet e tyre, duke qënë të zotë të shpjegonin përfitimet diagnostike të sëmundjeve të zemrës, duke ua lehtësuar shumë punën mjekëve kardiologë klinistikë, në shërbim të të sëmurit. Mjekët ishin nga Hollanda, SHBA, Suedia, Zvicër, Polonia e Italia. Disa nga temat, që i ndoqëm me shumë interes, ishte ajo e një grupi mjekësh nga Kraska-Poloni, me temën “Rezonanca magnetike e zemrës, në infaritin e ventrikelit të djathtë, me ngritje të segmentit “ST”. Ndërsa një tjetër ishte ajo e Bernard Gerberrit, nga Belgjika, “Parimet bazë në artefaktit e CMR”. Raste të paraqitura në sëmundjet e lindura të zemrës trajtoi me aftësi profesionale Dr. Alad Ciabolaru, nga Nima-Francë dhe shumë të tjerë, në gjuhën angleze.

Sapo del nga salla e ndërtesës së Kongresit, në lagjen e vjetër të Vjenës së bukur, përballesh me “Café Central”, më e famshmja në Austri dhe nga më të njohurat në Europë. Ajo është bërë shumë e njohur nga personazhe mjaft të njohur të politikave botërore, gjatë Luftës së Parë Botërore, si Lenini e Stalini, psikologu i famshmi Frojdi dhe shumë të tjerë. Sa hapej dita e deri në mbyllje të kafenesë, qëndronin aty duke diskutuar me pasion për politikat e ditës. Shumë të tjerë luanin kumar.

Këto qenë të shkruara në muret e kafenesë . Por mundimin e morën edhe ne, për faktin se nuk kishte vende dhe duhej të prisje kohë të gjatë, ku radhën e mbante një kamarier. Kështu, që për famën e madhe që kishte kjo kafene, u detyruam të vinim të nesërmene që në mëngjes, duke priturt orarin e hapjes së saj. Sigurisht, na tërhiqnin struktura dhe mozaiku interesant, i rujatur qyshkur ishte ndërtuar kafeneja. Aty, sigurisht, bëmë edhe kujtimet e përshkruara e të përhershme, siç janë fotografitë, duke fiksuar kështu përshtypje të jashtëzakonshme.Austria ka edhe një piktor shumë të famshëm e të njohur, që është Gustav Klimt, më pikturën e njohur abstrakte, “Puthja”, e shpërndarë dhe e vendosur kudo. Po kështu, ajo ishte e pëlqyer në sheshe e rrugë kryesore, në dhomat e hoteleve e në kafene.

Më datën 20 maj 2012 u kthyem në Atdheun tonë të dashur, që e duam edhe kështu siç është, duke u përpjekur të gjithë së bashku për ta bërë më të mirë dhe të bukur, në të ardhmen. Për këtë gjë shpresojmë shumë. Sigurisht, përvojat profesionale në fushën e kardilolgjisë, që morëm gjatë ditëve të Konferencës në Vjenë, na shërbejnë ne mjekëve shqiptarë që ta rritim më tej shkallën e njohurive tona, në shërbim të njerëzve në nevojë.

Tiranë, 5 korrik 2012

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...