2013-03-16

Përkushtim madhor për një pasqyrë historike të artit skenik dhe të vlerave kulturore


Studim libri



(Sejdi BERISHA: “Teatri i Pejës”-Monografi, botues Club Kultura Pejë, 2012)


Prof Dr Hivzi Muharremi


Monografia e “Teatrit të Pejës” e autorit Sejdi BERISHA, e cila kohë më parë është botuar, për mua është një ngjarje e veçantë kulturore, një ngjarje e cila për shumë dashamirë të artit skenik deri me sot ka mundur të jetë vetëm iluzion, por me këmbëngulësin dhe me punën intensive e të palodhshme të autorit, kjo vepër monografike kushtuar institucionit më të rëndësishëm të kulturës Teatrit të Pejës, sot “rilind”, rrezaton dhe ndodhet para nesh, vepër kjo madhore e shkrimtarit dhe publicistit Sejdi Berisha kushtuar këtij tempulli të kulturës, ku kanë aktruar dhe defiluar me qindra emra të njohur të arteve skenike dhe jo vetëm të kësaj fushe.
Përkushtim madhor për një pasqyrë historike të artit skenik dhe të vlerave kulturore


Më shumë se dy dekada, S. Berisha me përkushtim i është qasur një projekti të tillë. Për punën sizifiane të këtij projekti më së miri shprehet autori, ku në mes të tjerash thotë: “Kjo “përallë” për këtë monografi është e kahmotshme dhe se pjesa dërmuese e materialit të cilin e kam pas grumbulluar, ka rrugëtuar dhe ka udhëtuar së bashku me mua, veçmas në kohën e luftës në Kosovë.” Pra, siç shihet, autori jo vetëm që një kohë të gjatë është preokupuar me një studim, ta quaj antologjik për institucionin kulturor të arteve skenike në Pejë, nga i cili rrodhën emrat më të spikatur të vokacioneve të ndryshme skenike-artistike. Pra, nuk është për tu quditur se me aq këmbngulësi dhe përkushtim të madh i është qasur përpilimit të materialit studimor, i cili me një gjuhë të lehtë, të pastër dhe të rrjedhshme, me metodologji shkencore i zbaton metodat komporative, analitike dhe sintetike. Sejdi Berisha dëshmon për përkushtimin e madh dhe mishërimin që e kishte gjatë dekadave me Teatrin e Pejës, përkatësisht për botim të një monografie gjithëpërfshirëse.

Para se të shpalosim materialin e tërësishëm të shkruar nga pena e autorit, i cili më së katër dekada është prezent me shkrime në shumë revista periodike dhe në ato të përditshme e shohim të udhës që në pika të shkurtëra, para auditorit të respektuar në mënyrë koncize ta paraqesim jetëshkrimin e krijuesit.

Që nga shkolla fillore, fillon të shkruaj poezi, të cilat së pari i botohen në gazetën “Flaka e Vëllëzrimit” të Shkupit, e pastaj, në “Pionieri” dhe në “Rilindja për fëmijë”. Nga këtu zë fill edhe zhvillimi i talentit të tij edhe si shkrimtar edhe si gazetar. Në vitin 1972 punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës, përkatësisht në Radio-Prishtina si korrespondent nga Peja. Në këtë detyrë qëndroi deri në vitin 1990, kur policia serbe me dhunë i dëbon nga vendet e punës.

Sejdi Berisha, gjatë punës në Radio-Prishtina ka arriturr titullin e Redaktorit të Kategorisë së Parë. Në vitin 1982 nxori numrin e parë të gazetës “Peja” dhe ishte themelues i Radio Pejës (1981). Në vitin 1982 ishte edhe drejtor i këtij institucioni me rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore.

Është njëri prej punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës në Pejë dhe më gjerë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës.

Ka botuar tridhjet libra, nga fushat e ndryshme artistike dhe me qindra vështrime kritike, ese, studime etj. Që nga mosha fëmijërore kur është kyqur në teatër e deri me sot është aktiv me punën e tij të paloshshme dhe frytdhënëse drejt avancimit e afirmimit të teatrit.

Në aspektin metodologjik monografia “Teatri i Pejës” është e konceptuar përmes kapitujve duke filluar nga : 1.hyrja, 2. Nga rrjedhat zhvillimore historike të Pejës, 3. Fillet e artit skenik në Pejë, 4. Peja çerdhe nga dolën artistët më të njohur të Kosovës. 5. Periudha e viteve të 60-ta të shekullit kaluar, 6. Periudha e rezultateve të mëdha, 7. Vitet e 70-ta Aktivitetin e teatrit e karakterizojnë përgaditjet e dramave kombëtare dhe cilësia e lojës në skenë, 8. Numri i atyre që u kyçën dhe kontribuan në zhvillimin e artit skenik është i madh, 9. Angazhimi dhe kontributi i femrave në zhvillimin e artit skenik në Pejë, 10. Situata politike në Kosovë reflektohet edhe në punën e teatrit, 11. Drejtorët e deritashëm të teatrit, 12. Gazetarët të cilët e kanë përcjellë punën dhe rezultatet në fushën e artit skenik në Kosovë. 13. Arti skenik edhe pas Luftës në Kosovë vazhdon rrugëtimin dhe me kapitullin 14. Në vend të fjalës përmbyllëse “Kështjellë shpirtërore nga e cila nuk mund të dilet pa e hulumtuar kohën, pa e kërkuar vetvetën…” Kuptohet në fund 15. Bibliografia dhe 16. Shënim për autorin.

Do thënë që nga trajtimi i gjenezës së historikut të teatrit të Pejës, autori jo vetëm që e ka konsultuar materialin por anën tekstuale të kapitujve e ka ilustruar me riprodhime të shumta duke filluar nga posterët e shfaqjeve, fotografive si nga ato të imazheve të periudhave të ndryshme historike, ku Peja ka kaluar e deri të fotot e shfaqjeve dhe portreteve të krijuesve, numri i të cilëve goxha i madh është trajtuar në monografinë e autorit. E tëra e kësaj reflektohet në vlerat ideo estetike të monografisë.

Kronologjia zhvillimore e Pejës, vlerat kulturore dhe arti skenik

Në kapitullin e parë, në mënyrë kronologjike trajtohet ecuria zhvillimore e qytetit të Pejës. Një nga qendrat më të rëndësishme të Kosovës e cila që nga viti 1912 është veçuar me aktivitete të ndryshme kulturore. Në gjirin e saj kanë vepruar orkestrina të ndryshme, si ajo e mandolinave dhe Orkestra frymore, që ishin raste të rralla apo nuk ekszistonin në qendrat tjera. Në vazhdën e këtyre grupeve filloi funksionimi i teatrit të qytetit, i cili për një kohë të shkurtër i tejkaloi të gjitha përmasat komunale dhe u bë një ndër teatrot më të njohur dhe më të afirmuar jo vetëm në Kosovë por edhe në ish vendet e Jugosllavisë së atëhershme. Gjithashtu, autori na japë një pasqyrë zhvillimore të shumë aktiviteteve apo manifestimeve që janë zhvilluar në Pejën e atëhershme siç janë: “Netët e Dukagjinit”, Mitingu i Poezisë Revolucionare” dhe Festivali i Teatrove Amatore . Veprimin e më së dhjetë klubeve futbollistike, disa prej të cilave garonin në rangun më të lartë të futbollit si dhe shumë shoqëri e klube të tjera të hendbollit, basketbollit, atletikës dhe boksit.



Të gjitha këto aktivitete të ndërmara në atë kohë dëshmojnë se jeta kulturore dhe sportive ka qenë në nivel, dhe potenciali i këtyre fushave ka poseduar emra të mirëfillt që kanë ndikuar në zhvillimin dhe masovizimin si të kulturës skenike po ashtu edhe të asaj sportive. Në kushte dhe rrethana të tilla ka filluar rrugëtimin e vet arti skenik, i cili gjatë dekadave të ardhshme akoma e më shumë do të arrijë t’i dëshmojë vlerat e veta dhe gradualisht do të jetë në hap në ngritjen e kuadrove skenike. Dhe, për një kohë të shkurtër, permes përfaqësimit në festivale të ndryshme do t’i dëshmojnë vlerat e veta dhe do të bëhen laureat të mirënjohjeve dhe shpërblimeve të ndryshme artistike.

Aktiviteteve kulturore të organizuara në atë kohë, padyshim një ndihmesë të madhe iu kanë dhënë edhe zejtarët pejan si në aspektin material po ashtu edhe moral e artistik. Pra, zejtarët, sipas autorit Berisha, u angazhuan në shoqëri të ndryshme qysh në kohën e sundimit turk e posaçërisht që nga viti 1914 e tutje. Sipas të gjitha gjasave, shfaqja e parë në këtë periudhë, shikuesve u prezantohet nga Shoqëria Antoniane, me titull “Zefi i vogël”, në të cilën një ndër rolet kryesore e interpretoi edhe Mark Gashi, argjendar i njohur e me traditë të gjatë në Pejë.

Këtij aktiviteti që në haperimet e para drejtë tempullit skenik i bashkangjiten edhe shumë zejtarë së bashku me plejadën e aktorëve në teatrin sapo të formuar, si: Ramiz Loxha, Kadrush Bala, Malo Gami, Ahmet Spahiu, Muharrem Dina, Kristë Berisha, Nuredin Loxha, Rrok Gega, Emine Shabi, Lejtore Krajku, Nazmie Thaqi e të tjerë, që do ta fillojnë punën e tyre në teatrin sapo të formuar. Një pjesë e këtyre aktorve janë marrë me zeje të ndryshme. Gjurmët e artit skenik në Pejë, sipas autorit datojnë që nga viti 1900.

Në kapitullin “Fillet e artit skenik në Pejë” datojnë vedçmas që nga viti 1939, kur fillojnë themelet e para në organizim të mbrëmjeve humoristike, me prezantime të shkurtëra aktrimi nëpër oda dhe shtëpi”. Këto ishin xixillonjat e para teatrale që filluan gradualisht të joshin një numër të konsiderueshëm të qytetarëve.

Në vitet e 50-60 teatri i Pejës, jo vetëm që ishte më i kompletuar në aspektin aktoresk, por edhe niveli i shfaqjeve ishte shumë më cilësor e më atraktiv. Për dashamirët e artit skenik, në atë kohë, pjesët teatrale ishin pjesë e pandashme e jetës së tyre. Shfaqjet më joshëse atëbotë ishin “Dredhitë e Shaptukut” dhe komedia e Kristo Floqit “Burri burrë” me rolet e interpretuara nga Kristë Berisha, Ilijaz Nushi, Sytkie Turjaka, Nazmije Thaqi etj.

Gjithashtu duhet përmendur edhe dramën e Jusuf Kelmendit “Hakmarrja’, e cila jashtëzakonisht mirë është pritur nga dashamirët e teatrit, për shkak të temës aktuale që trajtonte për atë kohë.

Aktorët që i dhanë shpirt artit skenik dhe vlerave shpirtërore e kulturore

Në kapitullin “Peja çerdhe prej nga dolën artistët më të njohur të Kosovës”, autori Sejdi Berisha, fillon me një hyrje të shkurtër duke na prezentuar emrat më të njohur të artistëve nga fushat e ndryshme të arteve skenike, e që padyshim një numër nga ky grup i prezentuar janë bërë ëmblemë e teatrit shqiptarë. Në mesin e emrave më të njohur spikasin: Melihate Ajeti-Qena, Abdurrahman Shala, Malo Gami, Kristë Berisha, Ragip Loxha, Nuredin Loxha, Istref Begolli, Faruk Begolli, Ahmet Spahiu, Ekrem Kryeziu, Igballe Gjurkaj-Qena, Asllan Hasaj, Afrim Kasapolli, Ahmet Jakupi, Selami Taraku etj.

Shtegtimin e vet drejt arritjës së cakut në aspektin profesional, padyshim që me këtë brez, Teatri i Pejës është dashur ta arrijë, apo siç thotë autori: “ Këta dhe shumë tjerë, jetës skenike, teatrit, filmit, televizionit, akademisë së arteve dhe përgjithësisht kulturës i dhanë shpirt për të ecur më pastaj drejtë të të arriturave të vlerave shpirtërore dhe kulturore.

Bekim Fehnmiu i veçantë në jetë, i veçantë në aktrim…

Në këtë kapitull në mënyrë analitike është përfshir portreti i Faruk Begollit, Bekim Fehmiut, Muharrem Qenës, Istref Begollit etj. Veçanërisht me një theks të veçantë është ndal në studimin: Bekim Fehmiu në skenën e teatrit të Pejës.

Për aktorin e përmasave botërore, i cili padyshim famën e vet më të madhe e ka arritur me “Mbledhësin e puplave” dhe “Odiseun”.

Në vitin 1955/56 me trupe ne Teatrit Krahinor ka aktruar në skenën e teatrit të Pejës. Ky artist i madh i botës së artit skenik dhe filmik, me sukses i ka realizuar rolet në mbi dyzet e pesë filma në ish-Jugosllavi dhe në botë. Autori i librit, kapitullin kushtuar Bekim Fehmiut e fillon me nëntitull: Uliksi ikën… Bekim Fehmiu i dha fund jetës së tij. Aktori i vetëm shqiptar i përmasave botërore, i veçantë në jetë dhe aktrim, ishte i veçantë edhe në vdekje dhe amanet…”

Gjithashtu, me një theks të veçantë, S. Berisha e bën prezantimin e artistit Istref Begolli, i cili që nga mosha shumë e hershme ka hyrë në botën e artit skenik, andaj është personaliteti më i ndritshëm i skenës shqiptare. Në vitin 2007 teatri i qytetit i cili kishte arritur t’i kryejë të gjitha obligimet ligjore për avancim në teatrin profesionist. Vendoset që emërtimi të jetë Teatri Profesionist “Istref Begolli”.

Padyshim, emri i Profesorit Faruk Begolli është bërë sinonim për artin skenik-aktoresk në Kosovë. Krejt jetën e shkriu në dërrasat e teatrit, e sidomos ishte i mishëruar me teatrin “Dodona”. Dua t’ia citojë fjalët nga intervista e fundit të Farukut që janë edhe në monografinë “Teatri i Pejës”: “ Kurrgjë nuk kam gabue për krejt atë që kam bërë në këtë jetë. Nuk më vjen aspak keq që nuk kam ba edhe më shumë. Asgjë nuk kam lanë mangut. Kam rrënu me kënaqësi. E tash, po pres, e çka po pres? Nuk po pres ma duartrokitje, as rezultate, as kritikë, as… a? Po pres me pushue… me ikë.

Gjithashtu, edhe emri i Kristë Berishës është ngushtësisht i lidhur me Teatrin e Pejës, i cili ka realizuar shumë shfaqje dhe është iniciator për themelimin e dramës shqipe që nga viti 1945 në këtë qytet. Shfaqja më e suksesshme që e ka realizuar nga një numër të shumtë është “Kryet e Hudrës”.

Me dramën “Valsi i kuq” fillon fryma e vlerave moderne…

Ndërsa, me vuarjen e dramës “Valsi i kuq” në skenën e Teatrit të Pejës, autorit Sejdi Berisha, fillon të zbatojë një frymë të re në sendërtimin e vlerave moderne në këtë institucion. Mund të themi, për herë të parë, pikërisht me këtë shfaqje, ku padyshim rol parësor ka luajtur edhe regjisori Halil Gashi, ndërsa mesazhin e dramës e ngrit Selami Taraku, kontribut tjetër për këtë pjesë kanë dhënë edhe aktorët: Shaip Grabovci, Ilijaz Nushi, Nuradin Sadiku, Adnan Limani, Shefqet Zogaj, Ferdije Shabi e Osman Kollçaku, skenografi Nuradin Loxha dhe kompozitori Akil Koci.

Në kapitullin “Arti skenik edhe pas luftës në Kosovë e vazhdon rrugëtimin”, theksohet se periudha e pas luftës në Kosovë, kishte një ngecje në vazhdën e aktiviteteve të teatrit, kuptohet për shkaqe objektive, ndonëse objektin e teatrit forcat e KFOR-it e kishin planifikuar për aktivitetet e tyre. Mirëpo një ngecje kulturore zgjati deri në vitin 2001, kur u aftësua objekti i Kino-Teatrit “Jusuf Gërvalla”, i cili deri në lirimin e teatrit të qytetit shërbeu për aktivitete të ndryshme kulturore. Me rihapjen e teatrit me 26 prill 2003, arti skenik e filloi shtegtimin e vet drejt teatrit profesionist, ku edhe vizioni i Drejtorisë së Kulturës dhe ekzekutivit komunal, ishte që Peja pas një kohe shumë të gjatë dhe me një historik mjaftë të bujshëm, më në fund të bëhet qyteti i katërt me teatër profesional.

Në kapitullin në vend të fjalës përmbyllëse: “Kështjellë shpirtërore nga e cila nuk mund të dilet pa e hulumtuar kohën, pa e kërkuar vetveten..”, shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha, në mënyrë poetike e prezanton rrugëtimin zhvillimor të Teatrit të Pejës, i cili kishte një historik të bujshëm e ku caku kryesor ishte shtegtimi drejtë arritjes së statusit profesionist.

Institucioni kulturor i cili shpërblehet me një vepër të madhore dhe gjithëpërfshirëse

Dhe në fund, lirisht mund të them se autori Sejdi Berisha, ia ka arritë qëllimit, pikësynimi i të cilit ka qenë që më në fund edhe Teatri i Pejës të shpërblehet me një vepër gjithëpërfshirëse, të artistëve të cilët tërë jetën ia kanë kushtuar artit skenik-aktrimit.

Nuk është për tu çuditur përse doli një vepër kaq e suksesshme, kur dihet fakti se autori i kësaj monografie jo vetëm që ishte krijues i të gjitha fushave artistike, por njëherit ishte i mishëruar me botën e artit, ishte artist me plotë kuptimin e fjalës, njohës i mirë i të gjitha zhanreve artistike, mos të përkufizohem vetëm në atë skenik. Andaj, me kënaqësi të madhe mund të konstatojë se kjo vepër e shkrimtarit dhe publicistit Sejdi Berisha, është vepër antologjike për Teatrin e Pejës.

Studimin e shkrimit recensional do ta përmbylli me mendimin përfundimtar të autorit n ga kapitulli i fundit “Në vend të fjalës përmbyllëse”: “Unë kaq thash… por, jo aq sa kam dëshiruar, aq sa dëshiroj për ta flakur mjegullën, nebulozën dhe smirën, të cilat me decenie mbase me shekuj i kanë ngatërruar ecjet… Kjo është e tërë ajo që kam mundur të them e të shkruaj për teatrin. Kjo është ajo që ka dhënë Teatri i Pejës, ky ishte i tërë thesari që e vuri si themel dhe i forcoi vlerat shpirtërore dhe kulturore”!

Enciklopedia “ shqiptaret në artin botëror”



Shkruan Prof.dr. Hivzi Muharremi 


Studim libri

Prof.dr. Ferid Hudhri: Enciklopedia “Shqiptaret në artin botëror”, botues: Botimet Albanologjike, Tiranë, 2012.


Enciklopedia “Shqiptarët në artin Botëror”, autorit Prof. Dr. Ferid Hudhri e cila kohë më parë doli nga shtypi, paraqet një kontribut të jashtëzakonshëm në historiografinë e arteve pamore shqiptare. Është vepër monumentale me një vëllim të 479 faqe, me mbi 1250 autorë në 871 zëra dhe artikuj, të ilustruar me 1112 vepra arti.

Një nderim i veçantë i takon Z Selim Pacollit i cili krijoi mundësin e daljës në dritë të Enciklopedisë, si dhe Mabetexin, Banken Ekonomike dhe Interalbanian.

Për mbarshtrimin e plotë të kësaj teme mjaftë komplekse dhe vëllimore, autori është dashur të ndërmer hulumtime rreth grumbullimit të materialeve nëpër muze, galeri, arkiva, bibloteka të ndryshme në shumë vende të botës, të shfrytëzoj koleksionet private brenda dhe jashtë vendit, si dhe t’i ndjek në mënyrë të vëmendshme ankandet nga shitjet e veprave të artit. Pra, me këto kërkime, autori grumbulloi të dhëna të bollshme për fillimin e përpilimit të një Enciklopedie të artit botëror me tema shqiptare. ku i përjetësoi imazhet, motivet, portretet e personaliteteve më të ndritshme të kombit tonë të cilët me punën dhe aktivitet e tyre atdhetare dhanë tërë atë që posedonin, shumica nga ata u bënë prijetar ëmbëlematik të kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, E madhja Nënë Tereze, Mbreti Zog, Fan Noli, Ali Pashë Tepelena, Gjergj Fishta e shumë e shume emra të tjerë që janë realizuar nga peneli i krijuesëve botëror e që janë përfshirë në Enciklopedin e autorit Hudhri.

Nga materiali i tubuar nga të gjitha fushat e artit të cilat preken në bazë të kapitujve përkatësisht në bazë ta alfabetit autori ia arrinë që t’i sistemoj në bazë të drejtimeve që i përkisnin autorët duke iu theksuar karakteristikat më qenësore të atyre tabllove-veprave, nga gjinit e ndryshme artistike. Gjithnjë duke u shërbyer me metodologjinë e punës komporative, analitike e sintetike, rreth trajtimit të krijimtarisë së autorëve të cilët për një kohë të shkurtër apo më të gjatë kanë qendruar dhe vepruar në qendra të ndryshme të etnisë shqiptare. Me qindra e qindra emra të spikatur të artit botëror janë të përfshirë në bazë të alfabetit enciklopedik ku trajtonin motive, imazhe nga fotografitë artistike të peizazheve piktoreske, veshjeve- kostumeve të vendbanimeve te ndryshme shqiptare, vispamjeve të jashtzakonshme të lokaliteteve, duke filluar nga ato pleneriste e deri në ato të portreteve në teknika dhe stile të ndryshme trajtimi. Andaj, ky boshëllëk që ishte evidente në historiografinë tonë me veprat e autorëve europian dhe botëror gradualisht filloi të përfitoi një fizionomi krejtë më ndryshe, dhe padyshim sot, deri në një masë e përplotëson atë, në të cilen dominonte ikonografia kishtare- e ikonave dhe afreskave apo të arabeskave e ornamenteve floreale të stilit oriental. Apo siç thotë autori për këtë paralelizëm në mes të artit europian dhe asaj lindor: “ Ky boshëllëk që ishte krijuar prej disa shekujsh nga mungesa e artisëve vendor u plotësua prej veprave të tyre, si dhe nga skicimet e udhëtarëve të ndryshëm që vinin nga Përendimi”. Pra, i tërë ky spekter i fushave të ndryshme kreative është pjesë përbërse e Enciklopedisë “Shqiptarët në artin botëror” të autorit dr. Ferid Hudhrit, i cili ka bërë përpjekjet sizifiane jo vetëm në grumbullimin e materialit të nduarnduart nga shumë qendra të krijuesëve të cilët u morën me çështjen e shqiptarëve në aspektin e arteve pamore, duke i përjetëuar çështjet më kruciale artistike si në aspektin psikologjik të karaktereve të përsonaliteteve më të shquara që nga rilindasit e deri në ato më të vonshme të periudhës socrealiste në Shqipëri.

Kronologjia prezantuese e teksteve fillon me renditjen alfabetike të autorëve e të artikujve, nga numri impozant i tyre me riprodhime autori është përcaktuar vetëm për emrat më të dëshmuar në artet pamore europiane dhe botërore.

Një kapitull i vecantë ku do të trajtohën tema të nduarnduarta me motive dhe tematikë, padyshim janë qendrat-vendbanimet ku kanë jetuar dhe krijuar Arvanitët, të cilët që nga mesjeta, nga shekujt XII-XIV kanë qenë të vendosur në Thesali, Peloponez dhe në vende te tjera të Greqisë. Pjesa dërmuese e artistëve arvanitas për shkak të kushteve dhe rrethanave ekzistuese në atë kohë janë detyruar që nismat e para të artit t’i përvetësojnë në vende të tjera të Europës, përkatësisht jashta Greqisë. Emra këta, më vonë jo vetëm që do t’i trajtonin temat e ndryshme me motive nga Shqipëria, por njëherit do jenë edhe pionier të shumë drejtimeve moderne në artin bashkëkohor grek. Fjala është për Polikron Lebesin dhe Nikola Vokon, dy piktor më të mëdhenjë të artit modern në Greqi.

Autori në mes të tjerash për këtë kapitull thotë: “ ... Gjatë shekullit XX artistët arvanitas vihen në krye të rrymave bashkëkohore, krahas krijuesëve vendas. Megjithëse të larguar nga dheu mëmë në një periudhë edhe më të largët se arbreshët, disa prej këtyre piktorëve, krahas motiveve të vjela nga jeta në dheun e ri, kur nuk hoqën dorë nga disa motive historike dhe ekzistenciale që vinin nga Shqipëria, sic është portreti i Skënderbeut, Gjin Bue Shpatës apo figura të tjera të njohura që ishin pjesë e kujtesës historike.”

Vepra “Banja turke’, autorit Dominik Engër, përfaqësuesi më i rëndësishëm, pas Davidit i drejtimit të neoklasicizmit në bazë të autorit Hudhëri zbulohet si vepër e koleksionistit shqiptar Halil Bej. Vepër kjo, e cila padyshim, paraqet manifestin e vërtet të artit klasik, dhe hynë në historinë e artit botëror si kryevepër e Engrit. Kjo vepër spikatë në ambientet e mrekullueshme të Luvrit.






Peizazhisti më i madh francez, i cili njihet me tabllo të mrekullueshme pleneriste, veprat e të cilit janë të ekspozuara në ambientet e shumë muzeumeve botërore. Në mesin e tyre spikasin edhe dy vepra me tematikë shqiptare, e që ndodhën në ambientet e dy muzeve më të mëdha europiane e botërore, njëra në Muzeun e Luvrit në Paris dhe tjetra në Muzeun e Bruklinit në Nju-Jork. Tabloja “Albanian girl”, e ekspozuar në muzeun amerikan është vepra më e mirë. Vepra tjeter e rëndësishe e Koros është “Haideja”, e njohur si bija e Ali Pashë Tepelënës. Gjithashtu spikasin edhe vizatimet me motive nga Vlora 1688, si dhe “Grua epirote”, 1688.

Ndërsa vend me rëndësi autori në enciklopedi ia përkushton Mery Edith Durham, një intelektuale e shquar angleze, mikeshë e madhe shqiptare, e cila ishte etnografe, piktore dhe publiciste. Gjatë qëndrimit të saj në Ballkan ka botuar një numër të madh të librave, e vecanërisht me një theks të vecantë i është qasur ambienteve të nënqiellit shqiptar. Në opusin e saj vecohen një numër i madh i motiveve dhe imazheve shqiptare të realizuara në vizatime, akuarele si dhe në shumë fotografi artistike. Figura malësoresh, veshje kombëtare, peizazhe etj. Është laureate e “Urdhërit të Skenderbeut”, nga mbreti Zog.

Një meritë e madhe e autorit është zbulimi i materialeve të shumta me motive shqiptare që padyshim, pjesën më të madhe të jetës ia ka përkushtuar piktori Paja Jovonoviq, vecmas me tema: “Vallja e shpatave”, “ “Mësimi i ciftelisë”, 1890, “Luftëtar shqiptar” 1890, “Shqiptari me shqiponjë” 1890, (koleksion privat), “Roja shqiptare” (koleksion privat), “Shqiptari duke pirë duhan, “Lufta e gjelave” 1897, (Muzeu Popullor-Beograd), “Dueli” (Kolekcioni privat), e shumë e shumë vepra të tjera. Jovanoviqi ka pas rast në Shkodër të takohet me piktorin shqiptar Kolë Indromenon, e atë gjatë udhëtimit të tij në zonat e veriut të shqipërisë, ku lindin me dhjetëra e dhjetëra kompozime me kostume dhe personalitete shqiptare.

Një krijues tjetër me famë botërore, përfaqësuesi i denjë i ekspresionizmit, piktori austriak Oskar Kokoshka ka pas rast të njihet me artin shqiptar, e vecmas në Londër kur është shoqëruar dhe bashkarisht kanë pikturuar me piktorin Castin Saraci, i cili kishte shërbyer si konsull i Mbretërisë Shqiptare në Britani. Kokoshka e pikturon portretin e Saracit në vitin 1958 në Londër, dhe të njejtin e ekspozon. Portreti është pikturuar në frymën e introduktit ekspresiv. (Është pronë e një koleksionisti nga Londra).

Me një theks të vecantë autori i trajton udhëtimet e Eduard Lear-it nëpër Shqipëri, atë spekter të peizazheve autori e përcjellë edhe me shkrime në ditarin e tij, që rregullisht me përpikëri shenonte momente më interesante që përjetonte në një ambient krejt më ndryshe dhe më të vecantë për shpirtin e tij. Është piktor unikat me një ndërmarje të tillë studimore, ku nga numër i madh i tablove spikatë “Mali i Tomorit”.

Një anglez tjetër i cili e vazhdon rrugën e autorëve më të hershëm të shtetasve të tij, në trajtim të motiveve, portreteve apo vispamjeve shqiptare, përkatësisht veshjeve me kostume shqiptare, vecohet emri i Thomas Fhillips-it. Famën e vet më të madhe si piktor e arrin me kompozicionin “Bajroni me kostum shqiptar”.

Një krijues tjetër me famë botërore, piktori më i madh i pikturës franceze të shekullit XVII Nikolla Pousen me admirim të madh e ka realizuar kompozicionin “Shpetimi i Pirros së vogël”, Muzeu i Luvrit Paris, si dhe vizatimi me të njejtin motiv , vepër pronë e Koleksionit Mbretëor të Mbretëreshës Elizabeta II, në Angli.

Nga shkrimet e shumta të Enciklopedisë, padyshim dominojnë autorët e të gjitha fushave dhe gjinive artistike që burim frymëzimi e kanë pas personalitetin më të shquar të historisë sonë kombëtare, shëmbëlltyrën e Skënderbeut, apo sic thotë autori: ... imazhi i Gjergj Kastriotit Skënderbeut është përjetësuar në qindra vizatime, gravura, litografi, tablo, statuja dhe monumente që ndodhen në muze, kështjella, galeri, sheshe qytetesh apo koleksione të ndryshme private.

Gjithashtu edhe një përsonalitete tjetër e Madhe Shqiptare ka zënë vend në tablotë dhe krijimet e shumta të krijuesëve pamor si të atyre vendor, po ashtu edhe të atyre europian, Figura e humanistes së madhe Gonxhe Bojaxhiut- Nëna Tereze.

Gjithashtu edhe kapitulli Veshjet shqiptare në studiot e artistëve zë një vend të rëndësishëm në zërat e Enciklopedisë Shqiptarët në artin botëror të autorit Hudhri.

Enciklopedia përfundon me indeksin e autorëve që pasqyrohen në artikuj apo zërat e autorëve të tjerë dhe me Listen e veprave të artit.

Në fund do thënë autori, studiusi Prof.dr. Ferid Hudhri në mënyrë brilante e ka kurorëzuar punën e tij dyzetvjeqare duke na sjellë një vepër që lirisht mund ta quajm vepër shekullore, antologjike, që me devocion dhe në mënyrë pasionante ka punuar pandërprerë deri në zbardhjen përfundimtare të kësaj enciklopedie. Në aspektin shkencor autori ka shfrytëzuar metodat analitike, komporative dhe sintetike, por gjithnjë mendimet e tija kanë qenë përfundimtare dhe të prera për çdo kapitull të trajtuar në enciklopedin Shqiptarët në artin botëror.

Pseudoshkrimtaria dhe shterpësia e letërsisë




Nga Arbër Selmani 



Letërsia është një luks, ndërsa ta bësh atë është një nevojë. I ka mjaftuar një thënie kaq e padefinuar autorit anglez Chesterton për ta promovuar letërsinë autoktone angleze kudo në përmbledhjet botërore. Ai është quajtur edhe mbreti i paradoksit, sado që asnjëherë nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Londrën dhe Anglinë në përgjithësi, të cilën nuk e ka konsideruar si vend prodhues të një letërsie të denjë.

Ai megjithatë për 60 vite jetë ka gjetur një strofull po në këtë vend, dhe njihet si një nga autorët më përfaqësues anglezë. Kosova, me pesë vite jetë shtet, por me shumë të tjera traditë, mban orë letrare më rrallë se kurrë. Emrat si Rifat Kukaj e Agim Deva e gjejnë të përkujtohen në atë të paktin interesim prej njerëzve, duke harruar “Panushin”, “Zonjën e livadheve”, Rrotën e historisë”, “Majmuni me kurorë mbretërore” apo “Dreri me një bri”.

Emra të tjerë letrarë që kanë dekada vite me skenarë librash që mbajtën gjallë shqipen në gojët e shqiptarëve, sot gjejnë ankesa në drejtimin të cilin e ka marrë kjo letërsi. Të vjetrit e të rinjtë e quajnë premtues talentin dhe kreativitetin në të shkruar e të bërit letërsi, por jo edhe përgjithësimin e krejt letërsisë kosovare,

Autori Gëzim Aliu thotë se letërsisë nuk i shkon përshtati optimizmi dhe ngjyrat e hareshme, prandaj nuk e ka pasur dhe nuk e ka gjendjen e mirë.

“Te ne, në këto hapësira, tronditjet e rënda kontekstuale, historike, sociale e politike e kanë rrudhur tej mase kapacitetin shprehës, estetik e artistik të letërsisë shqipe përgjithësisht, pra, edhe të letërsisë shqipe të Kosovës. Sot kemi shumë njerëz që shkruajnë e nuk thonë gjë” pohon Aliu.

Poezia, ekspansioni i kulturës letrare në Kosovë

Ballsor Hoxha, prozator, thotë se numri i botimeve letrare në shoqërinë kosovare është më i vogël sesa numri lexuesve, megjithatë të paktë. Ai çmon poezinë, si prezente në skenën letrare.

“Të mos harrojmë se shoqëria jonë sapo ka dalë prej një aparteidi, prej një burgu kulturor ndër të tjera, dhe 13 - 14 vite janë shumë pak shikuar në distancë, me aq sa ofron konteksti kulturor në Kosovë, ka prezantime të reja dhe jemi popull i vogël dhe nuk mund të presim që secili shkrimtar apo poet të jetë i nivelit botëror” pohon Hoxha.


Gjergj Filipaj, gazetar dhe autor i tregimeve të shkurtra e quan poezinë shqiptare të Kosovës në periudhë ekspansioni, ndërsa prozën e shkruar dukshëm më të rrallë.

“Kjo më habit ngase besoj se shkrimi i poezisë cilësore është më i vështirë sesa shkrimi i prozës cilësore andaj edhe të them të drejtën do të duhej që të ketë më shumë prozë sesa poezi” pohon Filipaj, duke përmendur vlerat e shkrimtarëve si Esad Mekuli, Anton Pashku, Nazmi Rrahmani, Ramiz Kelmendi e Rexhep Qosja si autorë të arritur me penat e të cilëve është rritur një gjeneratë e re.

Ishte poezia ajo që arriti majat e letërsisë shqiptare në Kosovë, duke filluar nga fundi i viteve `50 e sidomos me emrat: Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Rrahman Dedaj, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Besim Bokshi, Sabri Hamiti e Eqrem Basha.

Buxheti i shtetit dhe varësia e brezit të ri

Nazmi Rrahmani, shkrimtar i njohur e dikur edhe gazetar në “Rilindje” ka ngritur premisën mbi atë se sa vetë shkrimtarët janë angazhuar që letërsia jonë të depërtojë në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

“Në dekadën e fundit, letërsia është pjesë më pak e favorizuar në kulturën tonë. Ka pak botime, me tirazhe të vogla dhe më shumë të shpërndara në shkolla e biblioteka falas, duke ia shtuar këtu edhe mbështetjen dhe stimulimin shtetëror që është minimal. Kjo automatikisht krijon një ngecje serioze të letërsisë në shoqërinë tonë” thotë Rrahmani. Ai flet vetëm për individë, por jo edhe për një gjeneratë apo plejadë të re shkrimtarësh në Kosovë.

“Kjo është shumë relative, përderisa ka edhe gërshetim mes dy gjeneratash. Unë mund të flas për individë, por jo edhe për gjeneratë të re të shkrimtarëve në Kosovë, sepse për këtë duhen ecur vite veprimtari” pohon Rrahmani. Njëjtë mendon edhe shkrimtari Ramadan Musliu. Sipas tij, pos që nuk ka gjeneratë të re shkrimtarësh, ushtrimi i letërsisë dhe edukimit në shoqërinë aktuale kosovare bën që gjithçka të kthehet përmbys, sikur në të 70-tat. Musliu, duke përmend edhe shtetin si një faktor që ka një buxhet qesharak për letërsinë, mbështetjen për letërsinë e quan propagandë.

“Një propagandë e ministrit, shumë qesharake. Flitet për rritje të buxhetit, por duhet të kujtojmë se 60 mijë e 100 mijë euro për librin janë dhënë edhe para 5-6 viteve, jo veq tash” pohon shkrimtari Ramadan Musliu. Filipaj thotë se ka patjetër një gjeneratë të re shkrimtarësh në Kosovë, e cila ka në dorë të tregoj se a është apo jo gjeneratë cilësore. Ai ka ngritur nevojën e përcjelljes së trendëve botërore, kjo për ta rritur numrin e vogël të pjesëmarrësve në këtë gjeneratë, duke ikur nga siç ai e quan epokë të nacional-socializmit. Ndërsa tendencën e autorëve të vjetër që thonë se nuk po krijohet një gjeneratë e re letrarësh në Kosovë, Hoxha e quan si humbje të pushtetit.

“Është normal tendenca e të vjetrit për të mohuar të renë, është një lloj humbje e 'pushtetit' të dhënë nga shoqëria, por të mohosh diçka të tillë është sikur të thuash sot nuk ka përjetim, aq e nevojshme është letërsia. Ndërsa sa i përket 'aktivitetit' të të vjetërve krejt ka të bëjë me aftësinë e shkrimtarit t'i flet secilit në çdo kohë, pavarësisht kontekstit në të cilin jeton lexuesi, ndoshta ky është problemi i letërsisë së vjetër: të qenit e vjetër” pohon Hoxha.

Grupi i Shkrimtarëve të Prishtinës

Grupi i Shkrimtarëve të Prishtinës është një ide krejtësisht kreative, kjo për të rritur e integruar numrin e madh të shkrimtarëve të rinj të kryeqytetit. Iniciativa ka lindur nga një kontakt në rrjetin social, mes Faton Ratkocerit dhe Elizabeth Gowing.

“Historiku i grupit është i lezetshëm, ishte një kohë kur Elizabeta ishte në Angli e unë në Kosovë dhe po kontaktonim në internet. Elizabeta po më tregonte për grupin që po e ndiqte në një lokal në Londër ku po mblidheshin e po lexonin shkrime te ndryshme” tregon Ratkoceri. Një grup i ngjashëm lindi edhe në Prishtinë, me vendtakim “Dit e Nat” për këtë lloj aktiviteti.

“Ideja ishte që secili të sjellë shkrime të veta, t'i lexojë ato dhe të tjerët të japin mendimet e tyre për atë shkrim, poezi, prozë, artikull për ndonjë gazete, apo ese apo çfarëdo lloj shkrimi tjetër, me rëndësi të jetë autori vetë ai që e lexon” vazhdon Ratkoceri. Sot komuniteti quhet “Prishtina`s Writers Group” (Grupi i Shkrimtarëve të Prishtinës) natyrshëm nga takimet e shpeshta në Prishtinë, por jo vetëm me autorë të Prishtinës. Emrat si Valbona Bashota, Fadil Lepaja, Mirjana Tejic, Muzafer Ramiqi e Halil Kosumi sot janë në përbërje të grupit, dikur edhe me emrat si Luljeta Krasniqi, Ardian Lama e Andy Sparks. Grupi deri tani ka organizuar disa netë poetike në Prishtinë e Mitrovicë, ndërsa kaherë posedon idenë e ndonjë botimi të përbashkët, asnjëherë e realizuar.

Foto: Laura Hasani




Pseudo-patriotizmi letrar, i tepërt

“Patriotizmi, e kam thënë shumë herë, është një ndjenjë nga më njerëzoret, nga më të shëndetshmet, është një ndjenjë që ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë në botë” kishte pohuar Kadare në një nga intervistat e tij të shumta. Të tillë, patriotizmin e kemi të pranishëm tej mase në letërsi, dhe kjo për disa autorë duket ekzagjëruese.

“Së pari duhet ofruar lexuesit atë që e kërkon, si në vetëdije si pavetëdije (sa do e çuditshme të tingëllojë kjo), shkrimtari duhet krijuar lexuesin e jo e kundërta. Nëse shikohet më me gjakftohtësi brenda letërsisë kosovare, ndoshta edhe është koha ta pranojmë që jo çdo gjë kombëtare / patriotike është edhe vlerë” pohon Ballsor Hoxha. Autori Gëzim Aliu thotë se letërsia shqipe e Kosovës ka ngecur në dy gropa: pseudoshkrimtarinë e re dhe letërsinë e vjetruar shterpë të prozave patriotike.

“Ka mungesë të madhe të letërsisë kualitative; të shumtëve nga ata e ato që shkruajnë sot, po ua hape librat autorialë, menjëherë e vëren nivelin e kulturës e naivitetitin e sinqertë ‘letrar’. Këta vetëm shkruajnë, sepse, për çudë, janë të bindur që bëjnë kryevepra sa herë t’i nxijnë faqet” pohon Aliu. Megjithatë, ai mendon se ka shkrimtarë të brezit të ri që botojnë mirëfillshëm dhe do ta nxjerrin letërsinë nga gropat e përmendura.

Autori Ballsor Hoxha thotë se ka letërsi të re në Kosovë, përfshirë edhe format e reja e aktuale, globale të të shprehurit me përpjekje për të thënë përvojën e quajtur Kosovë.

“Megjithëse, e reja mund të matet vetëm në një mënyrë: suksesin e saj në të komunikuarit me njeriun e sodit në Kosovë, e kjo është duke ndodhur në masa skandaloze për një shoqëri” ka thënë Hoxha.

Drilon Pulaj :Fushatë për “Zonjat e zgjuara”


Gongje Bojaxhiu, Elena Gjika, Qerime Radisheva (Shote Galica), Marie Shllaku, Mbretëresha Teuta e shumë femra të tjera qenë simboli i kohës kur ato udhëhiqnin e krijonin gjatë periudhave të ndyshme në gjithë shqiptarinë. Me qëllim të rifreskimit të kujtesës dhe ngritjes së vetëdijes rreth rolit të femrës në shoqërinë tonë, foto-artistja Nita Zeqiri në bashkëpunim me “DardaMedia”, ka organizuar fushatën “Zonja të zgjuara”. Kjo fushatë do të përdoret për të realizuar një dokumentar për të cilin organizatorja Nita Zeqiri thotë se të gjitha femrat do të kenë mundësi të shkruajnë thëniet e tyre në përgjithësi për jetën, të cilat vendosen në një kuti dhe të gjitha këto dëshira-kërkesa do të përdoren si pjesë e fushatës për frymëzimin e femrave. “Rastësisht kam parë një dokumentar për Elena Gjikën, punën dhe veprimtarinë e saj dhe nga aty fillova të informohem për më shumë femra të tjera prej të cilave jam inspiruar” ka thënë Zeqiri.

Nuk hezitonin femrat të cilat kalonin në sheshin “Nënë Tereza”, për t`u informuar me këtë organizim, të cilat interesoheshin dhe shkruanin letrën e tyre për dëshirat apo pengesat që i përjetojnë në përgjithësi. Elmira Rakaj, rastësiht duke kaluar pa se diçka po flitet për femrën, ajo u ndal për t’u informuar dhe për gazetën tha se kjo fushatë po i pëlqen, ngase flitet për gjininë, e cila e konsideron ajo, që pak po i jepet hapësirë. “Mendoj se kjo kampanjë duhet vazhdimisht të jetë prezente tek qytetarët, kontribuova sipas mundësisë dhe kërkesës së organizimit me dëshirën më të madhe, duhet që ne femrat të mos anashkalohemi për çdo aspekt” u shpreh Elmira Rakaj.

Ndërsa organizatorja, Nita Zeqiri përveç qëllimit të organizimit tha se femrat në mënyrë anonime mund të shkuajnë mendimet e tyre duke marrë parasysh hezitimet e ndryshme ku zakonisht ndodh të jenë apo mos jenë publike mendimet dhe dëshirat e femrave në përgjithësi. “Duke menduar për këtë kampanjë, u kujtova që puna jonë, ta quajmë femërore, sa pak përmendet në jetë”, shtoi Zeqiri.

Kjo fushatë do të jetë prezente gradualisht dhe deri në përfundim të një dokumentari për rolin e femrës në përgjithësi, e cila siç thotë Zeqiri, duhet të jetë prezente në çdo mes shoqëror dhe të mos anashkalohet.

Fushata u shoqërua me thënie të grave të fuqishme dhe revolucionare, të cilat u vendosën nga organizatorët me shprehje si: Marie Kraja tha: “Këngëtareve të reja iu rekomandoj ta përzgjedhin repertoarin që iu përshtatet më së miri e jo ate që ka efekte të menjëhershme”, kurse përzgjedhja e shumë thënieve të Nënës Terezë ishte: “Jeta është një shans, kape. Jeta është bukuri, adhuroje. Jeta është bekim, shijoje. Jeta është ëndërr, bëje realitet”.

Drilon Pulaj :Gratë luftojnë dhunën me letërsi

to ishin ulur të gjitha në qendër të amfiteatrit të vogël në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, kur papritmas u dëgjua zëri i aktores Anisa Ismaili, e cila recitoi poezinë kushtuar gruas së parë, Evës. Poezia e saj tregonte fuqinë mbizotëruese të burrit dhe sakrificat e gruas, dhimbjet e lindjes të cilat nuk i përjeton burri. Interpretimi skenik i aktores u përcoll me pikolo nga Lule Ballata, e vetmja instrumentiste e këtij lloji ne Filarmoninë e Kosovës.

Organizatorja e manifestimit “Britma e Gruas”, shkrimtarja Ilire Zajmi, në emër të PEN Qendrës, tha se ky është një aktivitet që mbahet në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, të Lëvizjes Ndërkombëtare të Grave Poete. “Ky organizim ka tri vite që mbahet në shtete të tjera të botës, ndërsa në Kosovë është hera e dytë që e organizuam këtë aktivitet në kuadër të Festivalit”, ka thënë Zajmi. Ajo ndër tjerash tha se qëllimi i këtij aktiviteti ka për synim të nxjerrë në pah pikëpamjen tradicionale të grave, avancimin e zërit femëror dhe luftimin e dhunës ndaj gruas: “Festivali ka për qëllim avancimin e letërsisë femërore, fuqizimin e zërit femror në letërsi, gjithashtu edhe mënyrën e trajtimit të gruas në përgjithësi”, ka shtuar Zajmi.

Ndërsa, poeteshat, figura të njohura nga fusha të ndryshme, ndër të cilat disa anëtare të PEN Qendrës së Kosovës, lexuan poezitë e tyre me të cilin zë a “britmë” thirrnin për jetën e veprimtarinë e gruas. Femra e parë akademike në Kosovë, Edi Shukriu, para leximit të një poezie të saj, që trajtonte gjendjen sociale, tha se situatën e femrës në Kosovë e di secila femër, sepse e ndjen në lëkurën e saj, dhe që shpreson që gjërat të shkojnë në drejtim më të mirë. Pos Shukriut, Lindita Tahiri, Naime Beqiraj, Shukrije Gashi, Xheraldina Vula, Kujtim Paçaku, Blerina Rogova-Gaxha, Nerimane Kamberi, Trina Gojani, Fahredin Shehu kanë sjellë një lloj revolte ndaj gjendjes së femrës kosovare dhe lirive që posedon ajo, secili në mënyrën e tyre.

Ndryshe nga kjo, Ilire Zajmi tha se ky edicion i kushtohet aktivistes pakistaneze 15-të vjeçare, Malala Yousafzai, posteri i së cilës ishte i vendosur në prapavijën e britmave të grave poete. “Malala është një aktiviste pesëmbëdhjetë vjeçare, e cila lufton për të fituar të drejtën e saj për shkollim. Përmes peticioneve të shumta, Lëvizjes Ndërkombëtare të Grave Poete, ka arritur që ta nominojë aktivisten e re për çmimin Nobel për paqe”, tha Ilire Zajmi. Ndonëse aktiviteti ishte paraparë si një lloj debati për zërin e femrës në letërsi, të ftuar të diskutojnë, të pranishmit dhe pjesëmarrësit dukej se nuk kishin shumë për të debatuar për temën.

Fritz Radovani: ''Pasaporta'' e Pirros ...





Nga Fritz RADOVANI

Melbourne, 2013


Edhe Pirro kishte “pasaportë” në Shqipni…me të cilën mund të qarkullohej nga një qytet në tjetrin, sigurisht tue u njoftue “policia” porsa njeriu vinte kambën aty. Ka shumë nga “ata” që e “mohojnë” vleren e atij “dokumenti” e për ma tepër, nuk e vlersojnë as sot! Asnjë fjalë që do të shkruej nuk ka karakter tjetër përveçse një së vërtetës që e kemi jetue ata vite…
Në vitin 1957 ishe me punë dizenjator në Kabineti Pedagogjik nëShkoder. Drejtoreshë aty ishte z. Thomaidha Rako. Puntor sherbimi ishte z. Fadil Kaja…Pra, ishim vetëm tre vetë…
Fadili kohën e lirë e kalonte në dhomen time të punës ku me shumë kujdes erdhi një kohë që bisedohej gjithshka haptas…deri tek paret me të cilat do të shtynte deri në ditën e rrogës. Në rini kishte ba jetën e një marinari nga Saranda për Korfuz e nga Tunizia por kur kishte ardhë në Shkoder, edhe kushrinjtë e vet e kishin konsiderue “tregtar”…Ishte besimtar dhe një njeri me horizont në biseda, aqsa edhe ata që kanë pasë fatin me e njohë, menjëherë janë joshë nga një dashamirsi e veçante e Tij, që të bante për vete, ndonse ndryshimi i moshës sonë me Té ishte i madh, atëherë Ai ishte mbi 60 vjeç…e me shumë telashe familjare, se kishte pesë fëmijë.


Një ditë, z. Thomaidha, porsa erdhi në punë hyni tek dhoma ime bashkë me një burrë shumë të pambajtun, i shkurtë, po që me përzemersi na përshëndeti si mue dhe Fadilin tue na tregue edhe emnin e vet, Pirro Floqi. Porsa filloi me folë kuptueme se ishte nga Toskënia. Drejtoresha e kishte sjellë me punue disa ditë daktilografist për disa nevoja të punës. Ma shumë ishte shty me ndihmue Pirron se vetën, mbasi kur Pirro filloi me tregue se kush ishte, kuptohej edhe qellimi pse kishte ardhë aty. Pirro tue mendue se na si shkodranë kemi pasë rasë me njohë përsonalitetet e Korçës së para 1944, filloi me folë për babën e vet Kristo Floqin, dr. avokat i njohun dhe shumë i ndigjuem emni i Tij, por që as unë as Fadili nuk e kishim ndigjue kurrë … Kjo gja e habiti Pirron, mbasi kudo që kishte shkue Pirro para se të vinte tek na, të gjithë i kishin folë për babën dhe kishte pasë raste që edhe e kishin ndihmue nga njohja me Babën e Tij.
Pirro na pyeti nëse dimë apo jo gjermanisht, mbasi kur ishte kenë i vogël, i ati e kishte dergue në Austri dhe kujtonte mjaft gjana nga Viena…Atje Pirro kishte ndejë pak vite, mbasi siç më pat tregue ma vonë Baba e kishte dergue për mjekim, po mjekët austriakë ishin mundue ma shumë me e ambjentue me jetën sesa me mjeksinë e atjeshme…se pasojat shëndetsore ishin lé me té dhe jo të ardhuna nga sëmundje fëminije apo epidemi të asaj kohë. Filloi me shkrue me dhjetë gishta…kishte rasë që mbyllte sytë me shami dhe shkruente pa asnjë gabim..! Njihte mirë “Lahutën e Malësisë” dhe shumë shkrimtarë të Veriut, fliste për Konicën, që unë kishe pasë rasë me ndigjue nga njerzit e mij por gjithmonë i porositun mos me folë për ta, se janë të “ndaluem” me u zanë në gojë edhe emnat e tyne, jo ma veprat letrare që as nuk diskutoheshin…Até e kishin porositë me ardhë në Shkoder mbasi në Tiranë ishte ba “i bezdisëshëm” dhe nuk duhej të qendronte ma atje. Arësyeja e largimit nga Tirana ishte “korrispondenca” e dendun e Pirros…E këte “korrispondencë” Ai e vazhdonte dhe në Shkoder. Mbasi kryente punët tona, Ai shkruente prap po asnjëherë nuk më ishte dhanë me ditë se shka shkruente edhe pse kur e përfundonte atë faqe të fundit, Ai e paloste dhe e shtinte në xhep… Një ditë, i nevrikosun nga një “përgjegje” që kishte marrë më tregoi se në Korçë Pirros i kishte lanë i Ati një apo dy shtëpi, të cilat ia kishin shtetizue dhe ky tue mos pasë ku me jetue, kishte marrë rrugat…po njëkohësisht Pirro, nuk kishte as burime jetese, kështu, “pronari i ligjshëm” jetonte i mbajtun për sevap, ose mëshirë nga të njohunit e vet dhe shpesh edhe tue lypë 5 ose 10 lekë (të vjetra) me ble bukën thatë… Për këte “padrejtësi” të pushtetit “popullor” të Korçës, Pirro i shkruente përditë Enver Hoxhës… dhe nuk i kërkonte “shtëpijat”, se “ato janë pronë e imja dhe nuk m’i falë njeri, por dua të dijë çfarë të keqje të ka bërë Babai im Kristo Floqi, kur ti ishe në Korçë...që më more mua pasurinë dhe shtëpijat?!” Përgjegja e fundit që e kishte “nevrikosur” Pirron, po dhe Enverin, mbasi si duket ndonjë nga sekretarët nga frika ma në fund ia kishin dhanë “letrën e përditëshme” të Pirros, dhe këtij i kishin përgjegjë: “…shoku Enver është i zënë dhe nuk merret me shtëpijat tua!”, ndërsa Pirro vazhdonte me i shkrue “mëse merret ay, juve a keni thënë shkruani atij për hallet tuaja..?”
E kështu për ma shumë se 10 vjet Pirro vazhdonte me i shkrue Enverit, tue mos kursye kurrë të hollat për pullën e postës, të cilen e lypte tek sporteli nga ndonjë klient që postonte edhe ai letër. Po ajo që më bani përshtypje nga “korrispondenca” e Pirros ishte matunia e Tij në letër.
Gjithnjë letrat ishin të shkurta dhe shumë të kujdesëshme…por pa asnjë përgjegje!
Mbas disa muejsh Pirro shkoi diku tjetër, kështu shiheshim ma rrallë, po shiheshim…
Një shef policie nga Dibra, i quejtun Ahmet Kaçorri, për me ndihmue Pirron, e kishte thirrë dhe mbasi e kishte paisë me rroba i kishte sigurue edhe drekën në mensën e policisë. Mbas pak ditësh Pirro nuk shkonte ma mbasi siç më pat shpjegue vetë Pirro, disa të njohun, kur e kishin pa tue dalë vazhdimisht nga policia pak me humor, por Pirro më tha se “ju shkodranët kini një fjalë “se ku është zë, nuk është pa gjë’…dhe nuk shkova më se filluan me menduar disa mos jam bërë spijun i tyre..!”. Unë bana buzën në gaz po Pirro, kishte fillue prap jetën si përpara.
Mbas disa kohe Pirro më pat tregue se po e ndihmonte Imz. Ernesto Çoba dhe se aty ky shkonte si në shtëpi të vet…Ditë diele e festa kishte rasë që Ai e merrte dhe hanin bashkë me Té.
Një ditë tue bisedue Pirro i kishte shpjegue njohjen tonë dhe kur Imzot Çoba i ka folë për dajen tim Don Kolec Prennushin, Ky i kishte tregue se librat e Tij i ka pasë i ati të rujtun në bibliotekën e vet dhe se Pirro i kishte lexue të gjitha…madje Pirro, më tregoi sesi ishte përgjegjë: “Shtëpijat i mori dreqi…po të paktën të kisha mundësi të shpetoi bibliothekën me mijra libra do kisha sot një kapital më me vlerë se edhe shtëpijat…mbasi librat e Babait të Ndjerë ishin me shumë vlerë nga të gjitha anët…sepse, kur isha i rinj më imponoi të lexoja shumë..!”
Sadoqë Pirro ishte larg të Ndjerit Babës vet Kristo, kur më tha kështu mendova me vete:
“Çka lindë prej micet gjuen mijë…!” thotë Populli…prandej, edhe Enver Hoxha shpiku atë të famëshmen “luftë kllasash”, që hodhi ndër rruga, burgje, interrnime, ferma, kooperativa e vorfni të tejskajshme pa pikë mëshire të gjithë Shqiptarët…e kryesisht të dijtunit.
Mbas disa vitësh unë e rekomandova tek daja i em Mikeli, që punonte si sportelist në një hotel privat “Evropa” në Parrucë, i rekomanduem nga z. Qazim Serhati, banakjer karrshi atij hoteli, ku ma vonë u pat ba qendra e “reaksionarëve” për barceleta…kryesisht nga Qazimi…Aty me ta u bashkue edhe Pirro. Një ditë Pirro kishte pyet Qazimin se tue i shkrue vazhdimisht letra Enverit, a ka mundësi që të më fusin në burg për këto letra..? Qazimi i kishte përgjegjë se jo..! Për me i largue frikën Qazimi i kishte shpjegue: “Ndigjo, o Pirro, nuk janë të marrë këta me të futë në burg, se aty makare një lekë (të vjetër) a duhet me ta dhanë përditë me e hangër, me atë çorbën që ka edhe tri pika voj sipër e një gjysëm domate, që nuk e kanë hangër as derrat ndër kooperativa e ferma të Myzeqesë…ndërsa kështu, Enveri i ka ra lapsit se asht ma me leverdi me t’i marrë ty dy lekë e gjysëm (të vjetra) përditë, me pullat e postës që t’i shet ty pa dalë drita..!”
Me fjetë shkonte tek Mikeli ku kishte edhe skutën e vet Pirro me pushue…
Një natë, Mikeli nga frika e kontrollit të policisë, kishte shkrue në listën e klientave edhe emnin e Pirros. Aty nga mesnata kishte ardhë policia me verifikue “kush është ky Pirro Floqi?” Mikeli i ka shpjegue atyne se kush asht po ata donin me e pa me sy…Mikeli i ka çue tek vendi ku flinte Pirro. Polici i ka trokitë në derë…Pirro ka njohë “doren” e policit dhe asht zgjue, por ashtu gjysë i përgjumun mbasi i ka pyet kush jeni dhe asht sigurue se asht policia, i ka thanë:
“Ja, prisni një minut, merreni këte dreq pasaporte ndryshojeni atë dreq New Yorku, se jeni duke më çmendur dhe veni çfarë të doni në te se ku kam lindur, se nuk po më lipset asgjë, po deshët dhe mos ma sillni më fare…veç më lini të fle rehat, se po t’ isha diversant nuk vi për të fjetur në hotel mu në qender të Shkodres, por do shkoja ndër male, o budallenjë…!” dhe i çveshun nga shtrati e në brekë me “pasaportë” në dorë…tregonte Mikeli, u thonte policëve: “Na merreni…më lini rehat…se të gjitha m’i keni marrur e, po deshët po u jap dhe brekët, që më ka dhenë shefi juaj…!” I nevrikosun, Pirro i kishte hjekë edhe ata…e ua kishte hjedhë në korridor…
Ja pra vlera e “pasaportës” që kishim na.. shqiptarët…!
Ja pra, a besoni, se nga “lufta e kllasave”…kishte njerëz që prej asaj “pasaportë” arritën dhe… mbetën edhe pa… brekë..!
Kjo asht një faqe e librit K.Prennushit, “Rrimë shtremtë e flasim ndrejtë”, botue në Shkoder, në vitin 1931.
Libri asht ble në Korçë dhe ishte në bibliotekën e familjes “Kristo Floqi”…
Mbas shtetzimit të shtëpisë komunistët i morën edhe bibliotekën e Tij… ashtu si Lef Nosit etj.
Sot ashtu si gjithshka e shtetzueme nga pushteti i komunistëve edhe librat e bibliotekës së Familjes së Nderueme të dr. avokat Kristo Floqit, janë prap në pronsi të shtetit “demokratik” shqiptar…
Kjo fletë dëshmon shpjegimin e të Ndjerit Pirro, djalit të Kristos, ba në Shkoder rreth vitëve 1960.
Vëllazën Shqiptarë!
Për Pirron…këta libra kushtonin “ma shumë” se shtëpijat…ndërsa për shumë “institucione” që u janë plaçkitë e shtetizue këta thesare…SOT këta vazhdojnë mos me pasë “asnjë vlerë” derisa nuk u jepën pronarit apo institucionit të ligjshëm…që i përkasin, edhe pse thohet se ka “institucione të drejtësisë…” në Shqipni.
Fotokopja e librit asht ba nga autori i artikullit në vitin 1998 në Bibliotekën Kombëtare Tiranë.

TULIPANI I KORESE


KRISTAQ TURTULLI





Fragment nga romani" TULIPANI I KORESE"

Urrejtja pushon nga dashuria, ky është ligj i përjetshëm...

Buda

Kërciti kanati i derës, ai u kthye, u shtang, nuk u besonte syve! Përpara tij qëndronte e mrekullueshmja May Lee! Vajza përkuli kokën me ceremoni dhe buzëqeshi lehtë. Vironi shpejtoi hapin, sa nuk fluturoi.
-May Lee!- gati sa nuk klithi.
-Sh,sh, shëët! Eja brenda.
U mbyll dera me nxitim dhe të dy mbajtën frymën një copë herë, vështronin njëri tjetrin dhe nuk flisnin.
-Më falni, kush ishte ajo fëmijë?- theu heshtjen Vironi.
-Motra ime,- u përgjigj ajo me buzëqeshje të lehtë.
-Ah!- ia bëri Vironi dhe luajti kryet ngadalë.
Zotëroi përsëri një heshtje e nderë.
Të dy qëndronin të hutuar përballë njeri tjetrit. Nuk u besohej. Vajza ndjehej krejtësisht e shpërqendruar, veshur me rrobën e gjatë të kaltër, ngjante si një copë qiell kaltërosh i zbritur rastësisht në këtë kthinë të vogël. Vironi mezi mbushej me frymë dhe e vështronte pjerrët, i dëshpëruar.
-Mos më vështro në atë mënyrë,- i foli me zë ulët vajza dhe i ktheu kryet mënjanë.
Vironi u kapërdi me vështirësi dhe mërmëriti:
-May Lee, të lutem, më vështro në sy.
Vajza lëvizi lehtë supet e hijshme, qafa e derdhur iu ndeh, u kthye përballë dhe ngriti sytë ngadalë drejt tij.
-Të lutem më trego, përse vepron kështu?- Foli me rënkim Vironi.
-Përse sillem kështu?- ia bëri ajo gati me lëndim.
-Atë mëngjes ne u puthëm me ndjenjë në klasë...
Vajza nuk tha gjë vetëm sa kapsalliti qerpikët.
-Ne ishim miq të mirë,-vazhdoi të fliste Vironi si në jerm. -Ne ishim të gëzuar. Ne u puthëm fort me afsh, me ndjenjë, e mbani mend?
May Lee sigurisht e mbante mend, çdo detaj, e vështronte e rrëmbushur nga lotët, bashkoi pëllëmbët në gjoks dhe shtrëngoi gishtërinjtë derisa i dhembën. E ndjente gojën e thatë dhe gjuha i përpëlitej në zgavër. Ajo donte ti thoshte mjaft por nuk mundej.
-Ne u puthëm përsëri May Lee,-vazhdoi të fliste ai me zë të ngjirur, -por nuk ishte thjesht puthje, ne mbajtëm buzët të puthitura dhe zemrat tona të shtrënguar a për një kohë të gjatë...
-Pusho,- i foli ajo mes lotëve.
-Përse,- i foli ai ashpër, -përse u bëtë tjetër njeri?
Vajza ngriti kokën me vrull e ja pat zë lodhur:
-Sepse jam e trembur, kam frikë,-vajza ishte e përmbytur nga lotët. Ngriti krahun e bardhë dhe fshiu lotët që po i rrokulliseshin nëpër faqe. Befas krahu ju var, lotët binin me nxitim nëpër faqet e lëmuara, mori frymë me shpejtësi si të thithte një herë e mirë të gjithë ajrin e dhomës së vogël, pastaj vazhdoi: -I miri im,vallë a e di se është tmerr, kosore, ferr i vërtetë?
-May Lee,- mërmëriti i pasigurt ai: -Për një dashuri!
Vajza e ngriti përsëri krahun e djathtë, jo për të fshirë lotët, por për ta vendosur mbi shpatullën e djalit, dora e saj iu mbështoll rreth qafës, Vironi mbylli sytë dhe mbështeti kokën lehtë në gjoksin e rrumbullakët, të vogël dhe të ngjeshur të saj. Trupat e tyre u bashkuan, u lakuan, gati si të ndehur në erë. Ajo kërkonte të qëndronte kështu e ngjitur përgjithmonë.
Ai përkuli kokën dhe e puthi fort, me afsh në buzë, vajza shtrëngoi sytë, ngriu, buzët e saj u vaditën prej lëngut të freskët dhe gjuha iu drodh në qiellzë. Vironi e largoi pak nga vetja, vështroi me vëmendje dhe mall fytyrën e freskët të vajzës, dridhjen e qerpikëve dhe buzët gjysmë të hapura, në pritje. E puthi përsëri me zjarr dhe pasion si të mos e kishte puthur kurrë. Puthjet e tij ishin të buta gati si lutje.
May Lee donte të fliste, të tregonte për mundimin dhe pasigurinë e së nesërmes, por fjalët i kishin mbetur të varura në çengelin e pasionit dhe dashurisë. Ajo ndjente marramendje prej çdo prekje e buzëve të djalit dhe çdo puthje të ngjeshur. Befas Vironi lëvizi buzët vertikal, në gjithë sipërfaqen e buzëve të saj, ndjeu frymën e tij të nxehtë. Buzët e saj u hapën si fletët e tulipanit dhe ai futi gjuhën brenda. Vajza u hutua një çast, u ngreh, u drithërua, gjuha e tij lëvizte ngadalë në brendësi të gojës, gjoksi i saj ngrihej dhe ulej me shpejtësi, ndjente një marramendje të lehtë.
Të dy nisën të merrnin frymë me vështirësi, vajza kishte ndenjur net të tëra zgjuar, pa gjumë e kishte sjellë dhe risjellë shpesh herë nëpër mend gjetjen e mënyrës për ardhjen e tij, larg syve të keq të Çao Dao Bu-së. Prandaj donte ta bënte akoma më intime, të ndjente për herë të parë në brendësi gjithçka të tij. Të jetonte momentin, gjithnjë e nesërmja nuk dihet. Nuk ishte aspak e shkrehur, ishte njeri, femër që donte të provonte me gjithë shpirt atë që donte.
Zemra e vajzës rrihte me forcë, puthjet e tyre ishin të shpeshta, të shkurtra si shkreptima, ai mbante me kujdes kokën e saj në pëllëmbët e tij si një diamant të rrallë, pa ndërprerë të puthurat. Ajo e vështroi ngultas në thellësi të syve të djalit, kthjelltësia e drithëroi, fytyra e tij ishte e përskuqur, mezi mbushej me frymë, i përvëluar, paduruar prej dëshirës. Vironi përkuli kokën, buzët e tij lëvizën drejt gjirit të bardhë e të vogël, buzët prekën lehtë thithkën e kuqe e të plotë si manaferrë e tërhoqi butë duke e rrotulluar në gojë. Vajza symbyllur u rrëqeth, rënkoi, pastaj psherëtiu dhe mërmëriti:
-Të lutem butë.
Vironi e përkëdhelte lehtë me delikatesë, si të prekte një petale dhe të mos shkundte pjalmin, gjithsesi ajo i ndjente së thelli prekjet e tij. Mezi mbushej me frymë, si të kishte vrapuar gjatë nëpër një të përpjetë të lodhshme. E donte atë djalë marrëzisht, nuk e merrte vesh ngase i ngrihej dallgëzimi i pashuar i ndjenjës. Gjuha i ishte tharë prej dëshirës, pa menduar gjatë lëvizi me shpejtësi, zbërtheu kopsat e para të këmishës, të tjerat kopsa prej nxitimit u këputën vetë dhe ranë përdhe me zhurmë të butë. Flaku me moskokëçarje këmishën përdhe, gjithashtu dhe sytjenat.
-Shtrëngomë fort.
Për herë të parë në jetën e vet May Lee gjendej krejt lakuriq përpara një mashkulli, i cili e vështronte syzgurdulluar, gojëhapur; bardhësinë e shndritshme, bukurinë e mahnitshme të trupit të saj. I ngjau si një nimfë e ardhur befasisht përpara tij. Iu mbajt fryma, u kapërdi me vështirësi, të ishte kjo vajzë e tij, e cila po i jepej tërësisht!
-Oh May Lee, jeni një mrekulli! - mërmëriti ai gjuhë tharë dhe shtriu duar përpara me ndrojtje pa guxuar ta prekte. Donte ti thoshte se i dukej e pabesueshme që kurora e bukurisë aziatike të behej e tij. Heshti. Ajo i dukej si një statujë klasike, si një magji!
-Shtrëngomë fort, fort!-mërmëriste symbyllur May Lee.
Vajza një moment u përskuq dhe u hutua për guximin e çmendur, nga mendimi i përshpejtuar për të treguar sa më shpejt lakuriqësinë e saj. Uli kryet dhe provoi një dridhje të brendshme. Alarmi i ngrehur i shungulloi në mendje, u nguros me vështrim të mbërthyer drejt derës, megjithëse i kishte marë masat qysh më parë. Largoi shikimin prej aty dhe përshkundi kryet e nervozuar. Nuk kishte kohë të mendonte dy herë.
Përnjëherësh May Lee e ndjeu veten të lehtë, pa rëndesën e teshave të panevojshme, nuk i vendosi duart në gjoks për të mbuluar apo fshehur diçka, i dukej krejt e tepërt lëvizja në ato momente të papërsëritshme intime, ndjehej e përfshirë prej afshit që po ja përvëlonte trupin. Vironi zgjati gishtërinjtë dhe preku gjoksin e saj me kujdes, ndërsa dora tjetër shkau në bark e përkëdheli lehtë, pastaj rendi poshtë mes shalëve të drejta, drejt kaçubës së vogël me kaçurrel të dendur, të butë si mëndafsh.
-I premtova vetes të dhuroj gjithë dashurinë, ta jap tek ti dhe dua që ta mbani në zemër. Do të dua ty gjithnjë, pak rëndësi ka se çfarë do të sjellë jeta. Jeni shpirti im dhe do të dua gjatë gjithë jetës deri në vdekje. Shtrëngomë fort, fort, fort!- foli ajo me afsh dhe me shpirt.
-Unë do jem gjithmonë pranë teje, sa herë të keni nevojë për mua,- pëshpëriti Vironi.
May Lee qëndronte e tendosur e donte atë ta kishte brenda vetes, ta ndjente së thelli, gjithçka e tij ti përkiste dhe asaj, ishte e përfshirë prej zjarrit përvëlues. Vironi u shtri mbi të dhe e puthi në buzë, duke e lënë trupin ti shkrihej prej ekstazës, e vështronte ngulët, u tërhoq pak dhe u ngjesh mbas saj me të gjithë forcën. Ata u bënë njësh, ajo klithi, i dhembi shumë, trupi iu harkua dhe një lot i madh u rrotullua në faqen e praruar, u rrokullis ngadalë pastaj ra përdhe. Vajza ndjente frymëmarrjen e tij të shpeshtë dhe lëngun e nxehtë që derdhej në brendësi të trupit të saj. Ajo u shkri prej kënaqësisë, nisi ta puthte si e marrë në buzë, në qafë, fytyrë. Ajo nuk ishte skllave e mjerë të dergjej në pështirosje, qe njeri, vajzë e re me ndjenja dhe vrulle. Jeta i jepej njëherë, rinia po ashtu dhe ajo nuk mund të pështynte ndjenjat, ti flakte përdhe si lëvere, ti shkelte me këmbë. Ndjehej si një mbretëreshë, dha dashuri dhe mori afsh dhe ngrohtësi...
May Lee ngriti kokën me vrull, afshi dhe zjarri përvëlues në çast u fashit, përkuli qafën e mpirë, si të dëgjonte më mirë, tendosi trupin, shkau anash, u largua me pendesë prej trupit të lagësht të djalit. Zemra i rrihte me vrull dhe gjaku në damarë i ziente si uji i nxehtë në kazan.
-Ç’është?- pëshpëriti Vironi, lëvizi dhe u kthye në krah.
Vajza nuk i ktheu përgjigje, zgjati krahun, tërhoqi prej stolit fustanin e gjatë me lule, u ngrit dhe u vesh me të shpejtë. Ajo ishte e sigurt që dëgjoi diçka si zhurmë a zë matanë në korridor ose diku më larg. Ndoshta në dhomën e vogël me orendi të thjeshta ku rinte zakonisht gjyshja pothuajse e verbër Lee Su Yuong.
-Ç’është?- ia bëri përsëri Vironi dhe u ngrit ndenjur, sytë e vajzës tregonin alarm.
Vajza ktheu kokën pjerrët nga djali dhe i foli me zë të ulët duke treguar me kokë teshat e tij të flakura në dysheme:
-Vishu shpejt, të lutem,- u kapërdi me vështirësi dhe pyeti:-Dëgjove diçka si thirrje apo zhurmë?
Vironi pa ditur çfarë të thoshte ngriti supet, futi këmbët në pantallona, shtrëngoi rripin fort me nervozizëm.
Vajza qëndroi në këmbë si shtatore, veshëngrehur, shtroi me duar fustanin dhe kollanin e madh e kaloi në mes dhe e lidhi fjongo. Ngriti dorën që i dridhej dhe u mundua të shtronte flokët e shpupuritura, i shtroi duke kaluar nëpër to gishtërinjtë e hollë delikatë, me shikim të përqendruar. Sa të hijshme ishin veprimet e vajzës, por djali nuk pati kohë ti sodiste dhe ti shijonte. Është vërtet moment i këndshëm për mashkullin kur admiron femrën teksa vishet dhe kujdeset për veten e vet, fill mbas marrëdhënies seksuale. Vajza i kreu veprimet shumë shpejt dhe atij i ngeli në buzë shija e ankthit.
Zhurma u përsërit nga dera që lidhej me korridorin, veçse nuk qe plotësisht zhurmë, por ishte më shumë trokitje e ngutur, përzierë me gërvishtje nervoze thonjsh. May Lee, hapi gojën të mbushej me frymë, lëvizi kryet me vrull dhe fytyra iu zbardh. I bëri shenjë djalit të fshihej ku të mundte, të qëndronte ndenjur, ose mbas raftit që ishte i mbështetur mbas murit. Ajo morri frymë thellë dhe me zemër të dredhur u çapit ngadalë drejt derës.
Qëndroi një hop dhe hodhi një hap prapa. U mbush me frymë përsëri, dhe vendosi pëllëmbën e djathtë në mur. Ajo llogariti me mend që në momentin e hapjes së derës të linte një hapësirë të vogël, kënd të ngushtë, për të parë brenda në dhomë, duke e bllokuar me trup rrezen e shikimit. Si u bind se mund ta kontrollonte gjithçka tërhoqi derën mbas vetes.
Ishte gjyshja e verbër e kërrusur si kosore e ndryshkur Lee Su Yuong, mbështetur mbi një shkop të shtrembër dhe mbajtur për dore mbas mbesës, motrës së vogël Kim Lee Hun.
-Hë gjyshe Lee,- i foli May Lee me zë të dridhur dhe brodhi shikimin në korridor, mbi kokat e tyre. Koka e plakës dridhej, ndërsa sytë e motrës së vogël Kim ishin të trembur, të lagësht. Ato qëndronin si dy shtatore të çuditshme, një kukull e vogël ngujuar pranë një kërcuri të shtrembër, të vjetër, të dalë prej mjegullës dhe nuk flisnin. Plaka ngriti kokën pjerrtas dhe bërbëliti, duke hedhur cërka pështyme.
May Lee doli në korridor dhe tërhoqi derën pas. Plaka Lee Yuong Su ngriti kryet me vështirësi dhe foli me zë të shuar:
-Motra jote Kim Lee dëgjoi në rrugë zërin e lartë të Çao Dao Bu-së.
May Lee u drodh dhe vështroi ngulazi motrën e vogël, që tundi kryet në shenjë pohimi.
-Kim, ja hape derën? - gërhiti May Lee.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...