2013-03-16

Zejdush Kastrati :Para vitit 1999 vdisej për Kosovën

Deri me përfundimin e luftës së fundit, përkatësisht deri me largimin e pushtetit kriminal serb nga Kosova, e që ndodhi me 1999,kur falë angazhimit të aleatëve tanë u arrit që nga Kosova të largohet edhe ushtari i fundit i uniformuar i një regjimi barbar, edhe kontributi, angazhimi dhe sakrifica, edhe e shumë kosovarëve, në kontinuitet, me vite të tëra, si në diasporë,ashtu edhe brenda Kosovës,por duke mos harruar. edhe e shumë shqiptarëve tjerë, në territoret tjera ku jetojnë ata,me të vetmin qëllim, për të çliruar Kosovën, ka qenë një realitet, dhe një e vërtetë e madhe, që është dëshmuar e argumentuar, edhe me fakte e shembuj, shumë konkretë.

Pa hyrë në histori,kuptohet, edhe krijimi dhe organizimi i shumë organizatave ilegale, qoftë në diasporë, por edhe në trojet e banuara nga shqiptarë
në territoret e ish- Jugosllavisë ,por së fundmi edhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë kontribut dhe sakrificë, jo vetëm i disa liderëve, por edhe masës së gjërë të shqiptarëve, të cilët e kishin kuptuar shumë drejt se armiku i përbashkët,i gjithë atyre, ishte regjimi kriminal i një pushteti, po ashtu kriminal i Serbisë, dhe siç dihet, e është parë,mjaft prej tyre edhe nuk ngurruan që të sakrifikojnë edhe jetën e tyre ,tërë familjen, por edhe kapitalin, për të mirën e Kosovës.

Bilanci i viktimave dhe shkatërrimeve, nga pala shqiptare, mbetet punë kryesore e historianëve dhe kronistëve,por të prezentosh,pa hiperbolizime por edhe injorime , realitetin e krijuar, tani e 14 vite, pas kësaj lufte, në aspektin e rrjedhave e zhvillimeve ,të gjithanshme,mendoj se disponimi dhe nevojat e kërkesat janë në kundërthënie të madhe, në raport me pritjet, premtimet, por edhe angazhimin konkret, në radhë të parë, të gjithë lidershipit, të deritashëm, që ka udhëhequr me Kosovën.

Kërkesat, nevojat dhe ambiciet, si gjithkund tjetër, edhe për kosovarët, janë të mëdha, dhe herë- herë edhe të paarritëshme dhe të pakapshme,gjë që në një masë, edhe mund të arsyetohen, meqë edhe Kosova, vërtet, po kalon fazën e transicionit, dhe nuk mund të bëjë mrekullira(edhe pse mjaft liderë po flasin për mrekullira),por në radhë të parë mosëfunksionimi i shtetit ligjor, injoranca, javashllëku, klanizimi, joprofesionalizmi, nepotizmi, faktorizimi i të dyshimtëve,korrupsioni e hajnia, lufta për pushtet e pasurimi “mbrenda natës”…janë vetëm disa fenomene që kanë mbjellë edhe urrejtje,edhe mosëbesim, por edhe mosrespekt e mosshpresë, se e ardhmja e këtij vendi premton dhe garanton përspektivë.

Ky 14 vjetor i pasluftës zbuloi shumëka, dhe gjithëçka, e që kuptohet,solli edhe zhgënjime, dhe jo pak thonë:”lavdi atyre që u flijuan, marri këtyre që po na udhëheqin”, “ a jemi ata, të paraluftës, kur në radhë të parë ishim shumë solidarë por edhe e donim shtetin, që tash e kemi”, ”pse po sillemi sikur ky të mos ishte shteti ynë”, ”kuku për neve, kush po na udhëheq…”… !

Refleksion i këtij aversiteti, tek popullata karshi kësaj gjendje, është fakti se u devalvuan vlerat morale dhe njerëzore, në çdo aspekt dhe pothuaj në të gjitha sferat, por më e dhimbshmja, e që është edhe më shqetësuese e pikëlluese se edhe te shumica e atyre që e bënë luftën, dhe që duhet të jenë krenaria e një vendi( i mundi lakmia), pastaj hasmëritë partiake, që instaluan subjektet politike, ”binjakëzimi” dhe “vëllazërimi”, pa kurrfarë kriteri, e verifikimi, edhe me ata që i shërbyen me devotëshmëri, jo vetëm monizmit, por edhe Cuckiqëve, Ristiqëve, Jokanoviqëve, Stanishiqëve,…, mospastrimi dhe mostransparenca e aferave të përfolura, e shumë të arsyeshme, rreth fondit të Qeverisë në ekzil, apo 3_% të famshëm të Bukoshit, por edhe “Vendëlindja thërret”, vjedhjet në polici,…

Ambienti aktual në të cilin po jetojmë,në këtë Kosovë, gjatë këtyre14 viteve të pasluftës,aty ku bëhët muhabeti, e hapet debati lirshëm, fitohet përshtypja (ishalla nuk krijohen rrethana lufte), për ndonjë luftë të re, sepse vështirë ka kush të lufojë,pasi që,sytë janë me pa, e veshët me dëgjua, shumicës së ish- komandantëve u dhimbset, pasuria që kanë bërë, por edhe jeta dhe luxi që bëjnë, pastaj shumica e familjarëve të dëshmorëve janë të dëshpëruar, gjithashtu diaspora është injoruar dhe shpërfillur skajshmërisht, e të mos flasim, për ndihma materiale në rast nevoje, pasi që ato janë shpërdorur nga kryministra e ministra, por edhe liderë të organizatave ilegale, në disaporë, e që tani janë strukur nëpër fotelet e buta, që u ka ofruar pushteti.

Hë për hë, shpresa e vetme, për ne, është që ata që na çliruan, por edhe sponsoruan edhe lirinë e pavarësinë, ata që për çdo moment, kur po na kërcënon qoftë në veri apo në pjesë tjera të Kosovës, Serbia, apo dikush tjetër, po kërkojmë ndihmë nga ata, të mbesin edhe më tutje këtu, pa marrë parasysh çmimin që duhet të paguajmë, në të kundërtën,v edhe pse me letra, siç u dëshmua edhe ditëve të fundit, i kemi të regjistruar mbi 5o mijë ish- luftëtarë!, të angazhuar në luftën e fundit,por dorën në zemër, në aspektin e sigurisë shtetërore punët i kemi PUS.

Nëse duam t’ia bëjmë qejfin vetes, sepse si kolektivitet dallohemi si shumë qejflinj,merakli e lakmiqarë, edhe mund të themi, siç kemi thënë edhe shumë herë deri më tash: ”Fjalët i kemi babush, por punët kërkush”.

Mjerimi i lapsave


nga Xhemal AHMETI 

Gazetarët bastisin e shkundin çdo fjalor për t’i qëndisur shkrimet me sa më shumë nocione e definicione që as vetë nuk i kuptojnë: do mbrojnë, do shajnë, do s’dinë çka bëjnë e ca të tjerë kanë lënë gazetarinë për qeverinë.

Të njëjtën gjë e bëjnë edhe «ekspertët» kur flasin për problemet sociale e politike; këta madje belbëzojnë aq turbullt dhe irritueshëm saqë të bëjnë t’i mallkosh gjithë ato shkolla ku kanë rrëmbyer diplomat. Imamët, priftërinjtë, gurutë dhe ateistët deklamojnë zhurmshëm dhe pandalë diagnozat mbi vetveten. Krejt qortojnë shtetin, «miletin», mafinë politike, atë kulturore, kërcënojnë ditën dhe natën dhe të gjithë së bashku i pinë do litra birrë që t’i zë gjumi. Gjithë këto «kasta» janë protagonistë të gjallë të dramës shqiptare, të luftës së saj për ekzistencë. Me gjithë të këqijat dhe të mirat që grupet e lartëradhitura kanë, një gjë nuk ua mohon dot: atë bëjnë diçka, ata janë të gjallë. Veprojnë sipas botës së tyre.


By the extraordinary French street artist and illustrator Dran

Vetëm një racë heshttë. Ose flet me vetveten. Ajo e shkrimtarëve, artistëve. Përveç karikaturave të Jeton Mikullovcit nuk ka vepra arti, ekspozita që do të manifestonin përuljen apo demonstrimin ndaj realitetit. Nuk ka vepra tematike letrare që do të lavdëronin ose karikonin primatët e politikës, kulturës, ekonomisë e kështu me radhë. Nuk ka as protesta formë deklaratash grupore intelektuale që do t’ia fusnin me çekan kokës mjerimit social, padrejtësive të shumta; nuk ka as mbështetje publike për të diskriminuarit e shoqërisë, për viktimat e padrejtësive. Nuk ka hiçgjë në këtë drejtim.
Ç ‘kualifikimi t’iu bëjmë elitave letrare e artistike të këtij soji? Si t’i përshkruajmë? T’ia nisim me figurën e romanit të John Le Carré «spioni që erdhi nga ftohti». Po si kryepersonazhi i Cornwellit Alec Leamas i sheh shkrimtarët dhe artistët tanë të futen dridhshëm dhe me pardesy kancelarive ku kërkojnë honorarët, ku lypin ndonjë shërbim apo sponsorizim për librin që donë ta botojë, për ekspozitën që donë ta mbajë, për vajzën që veç se nuk i plasin trutë nga gjenialiteti, për të birin që ka parë ëndërr të jetë ministër i ushtrisë, për gruan që ka shtat diplomateje e kështu deri në delirium.


Jo, jo nuk kërkojmë që krijuesit të veprojnë si vv-istat që donin me dhunë të futen institucioneve e që xhandarët me plisa i stupcuan deri në alivanosje. Jo. Ne na mungon vox-i i kësaj kategorie intelektuale, krijuesish dhe vetëm pyesim; cili është mesazhi i tyre për mënyrën se si ecë demokracia në Kosovë? Janë të pakënaqur? U kënaqën nga lezeti dhe shëndeti? Në cilën ekspozitë kolektive shprehën piktorët sytë e tyre se si i gjykojnë zhvillimet në shoqëri. Në cilin libër artistik gjetët të portretizuar femrën krahëkëputur që mezi e mbajnë këmbët duke qëndruar gatitu për të mbushur gotat me çaj dhe mezi marrin frymë nga tymi që prodhojnë pa shkëputje musteqoshët tanë? Në cilën deklaratë publike patë të grumbulluar dhjetëra lapsa që protestojnë për kapjen e mediave? Sa intelektualë u çuan peshë gjithandej tokave shqiptare për ta qortuar qeverinë shqiptare kur i digjeshin viktimat e djeshme e të sotme?
Nuk do e kërkonim këtë përgjegjësi nga mjeshtërit e lapsave tanë të thyer nëse opusin e shumicës së tyre ta përbënin sagat science-fiction, si atë të Star Trek e të ngjashme ua fusim me grusht trurit sepse shumica e veprave të tyre veçse nuk vjellin nga patriotizmi, atdhedashuria, folklorizmi. Është ky atdhe që e deshët ju, këto shoqëri shqiptare që lëngojnë djers e gjak nga mallkimi dhe mjerimi? Është kjo liria juaj që vetëdigjet me benzinë, janë këto shtetet dhe pavarësitë që aq këngë e aq piktura iu dhuruat e që sot përdhunohen nga politkriminelët më të shpifur të Ballkanit. Jo? Pse heshtni? Nuk doni ta prishini dasmën e Pavarësive, të cilat kurrë nuk qemë të zot t’i bëjmë vetë as me laps e as me pushkë.
Apo duke ua futur pavarësive kolektive të shumta keni fituar tuajën, pavarësimin nga vetvetja!

nga Xhemal AHMETI :Parada e neoateistëve

Polemika ndërmjet religjioneve, nihilizmit, humanizmit dhe ateizmit është ndezur sërish. Neoateistët e kanë fjalën. Shqiptarët vazhdojnë të mbeten indiferent.

Ateistët janë të ashpër. Religjiozët sillen të butë. Bariu i mirë kundër posthumanistit të përdhosur e therës. Kështu duket, shikuar sipërfaqësisht, debati më i ri në mes neoateizmit dhe religjioneve, i cili qe disa muaj ka përlarë mediat e elitave intelektuale në Evropë dhe ShBA. Diskursi transkontinental rreth çështjes kyçe «ka apo nuk ka zot?» djersit edhe në këtë epokë sërish trurin human. Gjersa ideologët dhe moralistët e religjioneve të krishtera dhe ata të neoateizmit debatojnë mbi diferencat e tyre, «ajatollahët» islamikë as që përzihen në këtë diskurs. Këtë nuk e bëjnë ata jo për arsye se nuk kanë guxim, siç u shpreh një Islamolog iranian, porse klubi i të thinjurve nga Orienti është edhe më përjashtues ndaj të tjerëve, të cilët si ashtu e paskan vendin në atë rrethin e fundit të komedisë aligieriane, prandaj s’ka as çka të bisedohet me «viktima» të tilla. Kështu mesazhi nga Teherani.

Në këtë debat nuk marrin pjesë mirëpo as edhe ca religjione tjera madhore të planetit. Budistët dhe Hindutë poashtu heshtin. Përzierja e të parëve, pra budistëve, do ta bënte edhe më interesantë debatin. Dalai Lama ka një autoritet të fuqishëm në qarqet intelektuale të botës perëndimore dhe do të ndikonte shumë për opsionin që përfaqëson ai. Po pse nuk përzihet Dalai Lama në këtë diskurs? Për arsye se ai nuk bënë pjesë në taborin e religjioneve abrahamite? Apo ka ndonjë arsye tjetër?
Parasëgjithash ç’kërkojnë sot, në shekullin 21, religjionet nga humaniteti dhe pse ky debat sa herë që shfaqet trondit gjitha qoshet e kontinentet?



Ekskurs I: Debati aktual ndër shqiptarë

Në letrat shqipet ende nuk ka mbërritur ky debat. Domethënë ai ende nuk ka mbërritur në këtë formë siç zhvillohet në pjesët tjera të kontinentit. Në mediet shqiptare një debat i tillë u zhvillua më herët rreth lejimit apo moslejimi të përdorimit të simboleve polit-islamike nëpër vende publike. Gjatë atij debati u bë fjalë më shumë se si duhet të sillen shqiptarët ndaj religjioneve të importuara, ndërsa në këtë debat bëhet fjalë edhe për një alternativë të tretë; ateizmin, të cilën shqiptarët e njohin si «specialitet të vetin» (Shqipëria komuniste dhe pjesa dërmuese e letërsisë së tyre kombëtare) dhe – në përparësi nga të tjerët – e njohin edhe si eksperiment të përjetuar.
Tjetër polemikë, që pati poashtu karakterin e kësaj teme ishte ai rreth shpalljes së Kosovës si shtet laik. Pati zëra që akuzuan elitën politike kosovare të ketë vepruar pa kokë, kështu duke iu nënshtruar trysnisë së institucioneve supranacionale dhe vendosëse pa marrë parasysh elementet kombëtare që duhej të përmbante identiteti i ri kosovar. Këto dy polemika dhe disa edhe më «intensive», të zhvilluara kohë më parë në media të ndryshme shqiptare, dëshmojnë se edhe ndër shqiptarët dominon dilema dhe preokupimi se si duhet reaguar ndaj njërit apo tjetrit religjion dhe se cili është roli i religjioneve përbrenda identiteteve shqiptare?

1. Multiplikimi i një «paranoje» shekullore?

Kësaj radhe nuk janë humanistët erazmikë, as marksistët apo niçeanët e zgjuar keq ata që u bëjnë telashe kryeshtabeve të féve, kësaj radhe fjalën e kanë të të ashtuquajturit neoateistë. Ata janë të organizuar, dinë se si shfrytëzojnë mediet për të shpërndarë idetë e tyre, prijnë në treg dhe janë intelektualisht të përgatitur.
Richard Dawkins, Christopher Hitschens dhe Sam Harris janë tre përfaqësuesit e të të ashtuquajturit «Ateizmi i Ri». Tre librat e tyre «The God Delusion», «The end of fait» dhe «God is not great – How Religion poisons Everything» vazhdojnë të mbajnë vendet e para në listat e bestsellerëve. I pari, libri i Dawkins, «Paranoja e Zotit», madje konsiderohet si megaseller.
Që të tre kanë mesazhet e tyre konkrete: Duart larg nga Religjionet! Ato «helmojnë shoqëritë», bllokojnë çdo përparim paqësor të humanitetit dhe «besimi s’është asgjë tjetër përveç se shprehje e prapambeturisë», pra «në thelb një e metë psikike» që duhet shëruar.
Këtyre tre guruve të suksesshëm të «Ateizmit të Ri» u kanë dalë përballë tre shkencëtarë e filozofë poashtu me reputacion mondan si Asi i shkencave të natyrës dhe gjenetiku Francis Collins, filozofi Robert Spaeman dhe mikrobiologu Alister McGrath. Veprat e këtyre – të cilat janë rezultat i këtij debati – si «Dawkins Delusion», «The Language of God» dhe «Das unsterbliche Gerücht» edhe pse shënuan sukses nuk arritën atë efekt siç bënë ato të ateistëve. Deri tani – kështu analiza e shumicës së mediave – mbështetur në intensitetin e përhapjes së veprave dhe frekuentimit të kongreseve të tyre nga masat, debati zhvillohet ne favor të ateistëve të rinj.
Ateizmi i ri për religjionet është «më i rrezikshmi se gjithë të tjerët», shkruan kontrahenti i Dawkins, Alister McGrath, «sepse atë e përkrahin mediat». Këtu qëndron edhe problemi kapital: përderisa në epokat e shkuara debati, me këtë edhe përhapja e tij, ishte i lokalizuar në sallonet dhe akademitë e kulturave të veçanta, sot ai arriti të mbulojë, për një kohë fare të shkurtër, më shumë se gjysmën e kontinenteve.
Shenjë që njeriu i shekullit 21 donë të heq dorë nga etika triadike jetë-vdekje-amshim? Apo ka të drejtë Dawkins kur thotë: «njerëzimi nuk është më aq injorant sa që të ketë frikë nga kërcënimet e ulëta të féve me djallin e ferrin»?

2. Gjeneza e debatit

Debati është poaq i vjetër sa edhe vetë Religjionet. Mendime e Teori që kundërshtojnë ekzistencën e hyjnive, zotërave dhe fenomeneve tjera transcendentale mund të gjejmë që në shkrimet e para të njerëzimit. Triumfi i religjioneve, pra institucionalizimi i tyre si udhëheqëse të pakontestueshme morale të kolektivit, ndryshoi gjendjen në këtë drejtim. Opinionet e tilla, sidomos ato që tentonin të mutonin në teori të përgjithshme, ndëshkoheshin nga kisha me shuarje të pakompromistë. Edhepse qysh dy shekuj më parë Diderot kishte përpiluar librin e të vërtetave tjera dhe teoria e sojeve e Çarls Darvinit kishte filluar të gërryej në themel teoritë e sakralizuara mbi Genesisin e Universit, Religjionet do ta mbajnë këtë monopol në çështje të moralit e formimit të njeriut deri në fillim të shekullit 20, influencë, e cila pastaj në postmodernë e deri sot funksionon sipas dinamikës së valëve – herë merr hov dhe ndikon dukshëm në rikonstruktimin e opinionit të masës e herë «denoncohet» si doktrinë negative që ka për synim çrregullimin e demokracive apo pushteteve ku ajo paraqitet.
Debati do të ndizet për të mos u shuar deri në ditët e sotme nga dy filozofët gjermanë Karl Marks dhe Friedrih Nietzsche. Teza e të parit «Religjioni është opium për masat» dhe ajo e të dytit «Zoti është i vdekur» (Gott ist tot) do të shndërrohen në maksima të të gjithë ateizmave që do të pasojnë.
Po në cilën linjë, në ç’traditë argumentojnë ateistët e sotëm; duke u bazuar në teorinë evolucioniste të Darwinit, duke u mbështetur në doktrinën marksiste, respektivisht komuniste që synonte të zhduk një moral për ta zëvendësuar atë me një tjetër, apo reflekton Dawkins me kolegët e tij duke u mbështetur në nihilizmin zarathustrian të Nietzsches?

3. Tezat e neoateistëve

Pikërisht këtu qëndron specifika që i dallon ateistët e rinj nga pararendësit e tyre. Dawkins, Hitschens, Harris dhe kompani për metodë kanë në radhë të parë përgënjeshtrimin e drejtpërdrejtë të mësimeve të Biblës dhe Kuranit në bazë të «një logjike të kapshme dhe arsyeje të shëndoshë». Ata nuk thirren në një ideologji të veçantë ose mbi një skemë të caktuar etike, por – siç pohojnë ata – bazohen në matematikën elementare të trurit dhe frymës. Reflektimet filozofike e empirike (kryesisht nga gjenetika, biologjia dhe filozofia) janë shkrirë në formë të tërthortë dhe evokuese përbrenda një teksti gati narrativ, qoftë në librat e shkrimtarëve Harris dhe Hitschens ku një formë e tillë e të shkruarit do të ishte e natyrshme e qoftë në ato të zoologut dhe biologut Dawkins.

Lexoni tekstin komplet. Shkarkoni:
Neoatesitët.pdf [646 KB]

http://xhemal-ahmeti.com/shqip/wp-content/uploads/2009/06/Ateist%C3%ABt-n%C3%AB-ofensiv%C3%AB.pdf

Nga Xhemal Ahmeti:Superioriteti me plis në kokë

Në Prishtinë thonë se ata Tiranës sillen si superiorë. Sa qëndron kjo tezë?

Në njërin nga emisionet e shkuara të KTV-së me Adriatik Kelmendin u diskutua çështja e «Bashkimit Kombëtar». Nuk doli gjë e re përveç asaj që konstatohet qe shumë kohë: Pragmatikët dhe Idealistët përpiqen të bëjnë për vete sa më shumë territor të «trurit» shqiptar. Për këtë pra është folur shumë. Le të pushojë pakëz kjo temë. Po merremi me temën tjetër që e shtroi Shkëlzen Gashi, njëri nga diskutantët e emisionit. Publicisti nga Prishtina akuzoi industrinë kulturore të Tiranës të sillet me supremaci ndaj bashkëkombësve jashtë saj. Paralelisht pohoi një spekulim të kamotshëm se kosovarët ndihen inferiorë ndaj vëllezërve të tyre. Inferioritet që burimin e paska në dashurinë tradicionale të kosovarit ndaj shtetit shqiptar. Arsenali argumentues që shoqëroi këto «teza» u përbë nga: Fabrikat e letërsisë së Tiranës injorojnë përkthimet e bëra nga kosovarët qysh viteve të 70-ta; kosovarët nuk janë pyetur gjatë standardizimit të «gjuhës kombëtare» dhe tregu në kontekstin e librit si mall është i pabarabartë, pra gjatë një panairi në Prishtinë 80% e librave të botuar kishin ardhur nga «Tirana».



SUPERIORË SEPSE INFERIORË

T’ia nisim nga e mbara: Superior ndihen ato individë, grupe e shoqëri të cilët mendojnë se janë më të aftë, më të mençur, më dinjitar se dikush tjetër pranë apo larg. «Argumentet» e superiorëve si zakonisht janë seleksionim i qëllimtë për çështje onanie dhe konkurrence. Ato nuk përfillin dështimet që janë poaq pjesë e rëndësishme e një habitusi sa edhe të arriturat. Nga epidemia e superioritetit janë të zëna si vendet europerëndimore, shtetet e zonës së standardit më të lartë ekonomik, të cilat çdo qelizë dinjiteti human e peshojnë me kandarin utilitarist, ashtu edhe zona e kombeve e popujve fukarenj të cilat superioritetin e argumentojnë me leksione nga biologjia dhe historia.

Tek problemet, preokupimet, analizat, studimet dhe diagnozat që shoqëritë i bëjnë mbi veten mund të gjejmë edhe përgjigjen se pse një shtet, një shoqëri apo një grup ka nevojë për ndjenjën e superioritetit. Në shoqëritë perëndimore që nga fillimi i viteve të tetëdhjeta nga shkenca dhe masat akuzohen utilitarizmi, neoliberalizmi dhe globalizmi të kenë shkatërruar familjen, ndjenjën e solidaritetit shoqëror dhe sidomos të kenë paralizuar demografikisht kombet europerëndimore duke ulur në mënyrë dramatike natalitetin e tyre. Këto akuza nuk janë të majta e të djathta por janë frika tashmë disadekadëshe e të gjitha politikave (me çka nënkuptohet edhe ringjallja e nacionalizmit ekstrem dhe konservatizmi në rritje i socialdemokratëve) perëndimore ndaj tjetërsimit kulturor e identitar. E kush rrezikon tjetërsimin identitar të perëndimorëve superiorë? Superiorët tjerë që nga nataliteti bombastik, formëkopeshë (solidariteti i tepruar fisnor e familjar) braktisin vendet dhe kulturat e tyre të «shenjta» për të siguruar mirëqenie tek të parët. Të parët ndihen inferiorë ndaj të dytëve sepse këta kanë ruajtur faktorët e rëndësishëm të hierarkisë tradicionale shoqërore e të dytët ndihet inferiorë ndaj të parëve sepse këta gjenden në kulmin e mirëqenies dhe zhvillimit. Të dy superiorë sepse inferiorë.

Po shohim se ku gjejmë bakteret që këtyre dy kontrahentëve (jo vetëm në kuptimin e kundërshtarëve por edhe të bashkëvepruesve), superioritetit dhe inferioritetit, u jep statusin e epidemisë? Sepse që të dyja kanë nisur konkurrencën vetëm me gjysmën e tyre.

DETYRAT KOMBËTARE TË FIRMAVE PRIVATE

Të kthehemi sërish në Prishtinë e Tiranë. Po çka e përbën superioritetin shqiptar dhe inferioritetin kosovar? Ai përshkrimi që bëmë lartë nuk vlen në kushtet shqiptare. Pse? Sepse të dyja shoqëritë – ajo shqiptare dhe kosovare – kanë intensitet nataliteti të njëjte, janë kompanjonë të pandashëm në fukarallëk, në çështje të globalizmit, utilitarizmit, marksizmit, patriarkalizmit dhe gjitha izmave tjerë të mundshëm. Ku atëherë? Shkëlzen Gashi superioritetin «shqiptar» e sheh sidomos në kulturë. Injorohen autorët, përkthyesit dhe mediat kosovare. Ka mundësi. Edhe pse ende nuk e kemi takuar asnjë intelektual «tirane» që mos të dinte se kush është Ali Podrimja ashtu siç nuk kemi takuar ndonjë «prishtinali» që nuk e di se kush është Ismail Kadare. Po ashtu e dimë se mediat lokale gjithmonë kanë përparësi ndaj atyre nga jashtë. E dimë se qeveritë dhe shoqëritë duhet të bëjnë më shumë për komunikim kulturor ndër veti dhe atë jo vetëm në relacionin Kosovë- Shqipëri por edhe më gjere. Çështje këto që janë thënë e sterpërsëritur. Të shohim argumentet konkrete që u lansuan në emision.

Çka nëse ndërmarrjet private të Tiranës që merren me botimin e librit nuk i marrin përkthimet e viteve të 70-ta të autorëve kosovarë thjeshtë për arsye komerciale, kur kemi parasysh se lexuesi i sotëm në Shqipëri është rritur e formuar ose edukuar nga familja me gjuhën «standarçe të Xhaxhit», të cilët autorët kosovarë të viteve të 70-ta ende as që kishin filluar ta përvetësojnë? Pse qenka detyrë kombëtare e një shtëpie botuese private në Tiranë a Prishtinë të përdor kuotën fifty-fifty (për Kosovë e Shqipëri) në prodhimin e saj të librave? Të kërkosh një gjë të tillë donë të thotë ta censurosh lirinë e tregut (kësaj radhe jo nisur nga ideologjia komuniste por ajo nacionaliste). E kjo nuk shkon në demokraci. Ç ‘argumenti «superioriteti» qenka panairi ku 80% e librave paskan ardhur nga Tirana? I ka urdhëruar ndonjë primat Tirane që kosovarët mos të nxjerrin libra ne panairin që kanë organizuar vetë, apo ndoshta s’kanë pasur ç’të nxjerrin në ato momente?

Po ai «argumenti» se kosovarët ndihen inferiorë ndaj Shqipërisë nga dashuria…më mirë ua lëmë këtë punë psikologëve! Ata edhe profesionalisht e njohin më mirë termin që përshkruan gjendjen psikike të një njeriu që dashuron nga inferioriteti!
bpmamr8cckscw88808wsc-1
TEMË ASPAKËT

Hulumtuar temën nga distanca, për të gjetur shkaqet dhe arsyet e superioritetit e inferioritetit ndërshqiptar, nuk na mbetet tjetër përpos të konstatojmë se ato nuk ekzistojnë si sëmundje me përmasa fenomeni shoqëror, por vetëm si trauma personale individësh, arrivistësh të zhgënjyer ose të tillë që jetojnë me keqkuptimin dhe besojnë se shkathtësia retorike iu mjaftoka si argument për tu ndier superior. Sinqerisht nuk ka indikacione, argumente tjera relevante! Temë aspakët.

nga Xhemal AHMETI :Manifesti pragmatikëve

Dy mendësi paskan kapur diskurset shqiptare; prijnë nacionalistët dhe nihilistët. Vërtet? Të parët i hasim gjithandej, të dytët nuk i gjejmë dot.

Gjatë «debateve» rreth identitetit, bashkimit kombëtar, religjioneve, përveç etiketimeve tashmë klasike; «patriotë» e «tradhtarë» u adaptuan edhe kategorizimet si «nihilistë», «kozmopolitë», «servilë», etj. Edhe pse kjo nuk është ndonjë risi e diskurseve shqiptare – kur dihet se ato tradicionalisht shërbehen me përdhunimin e nocioneve – është interesant t’i përshkruajmë ato për të identifikuar së pari origjinën e klasifikimeve të këtij lloji dhe së dyti ta kërkojmë qëndrueshmërinë e tyre në realitetin shqiptar. Kush janë adresatët e kush adresantët e këtyre etiketimeve?

ETIKETAT DHE SUGJERIMET

Si patriotë, nacionalistë, atdhetarë etiketohen autorë dhe publicistë që besojnë në idealet tradicionale e historike (që nga lindja e kombeve) të shqiptarëve për bashkimin e tyre në një shtet; të atillë që besojnë në supremacinë e «racës» dhe kulturës shqiptare. Kjo kategori nuk lejuaka tolerancë, me shpirtin në hundë e papushim apeloka në realizimin sa më urgjent të «amanetit të të parëve». Edhe pse brenda kësaj kategorie militojnë edhe racistë, fashistë dhe ekskluzionistë, pjesa dërrmuese e autorëve seriozë ruajnë baraspeshën në shprehje duke mobilizuar precedentë historike në favor të idealit që përfaqësojnë.

Nihilistë, servilë dhe kozmopolitë të kamufluar qenkan gjithë ata që kundërshtojnë realizimin e pakusht të idealeve historike. Këta madje mohuakan në stilin nietzsche-an gjitha vlerat ekzistuese shqiptare duke synuar instalimin e një metaidentiteti, të huaj, nga jashtë. Sipas nacionalistëve dhe patriotëve ky divizion mendimtarësh do të sakrifikonte gjithçka për t’iu serviluar sa më thellë e më bindshëm SHBA-be dhe BE-së.

Stanze-di-raffaello-lAccademia
Freskoja e Raffaello Sanzios në bibliotekën «Stanza della Segnatura» të Vatikanit.

Sipas këtij (vetë)përshkrimi të «polemizuesve» shohim se kemi të bëjmë me një konglomerat etiketimesh që ndajnë diskursin shqiptar në dy grupe; në nihilistë dhe në nacionalistë. Është ky «portreti» real i mendimit aktual shqiptar apo etiketimet e kanë krijuar një fasadë të atillë që ta bllokon shikimin më thellë brenda në frymën e debatit?

Pas analizës disamuajshe gazetave dhe portaleve shqiptare (të Shqipërisë dhe Kosovës) do të lehtësohemi duke u bindur se situata nuk është vërtet aq dramatike siç na sugjeron fjalori i ekzagjeruar i temperamentit ballkanik.

PLATONI DHE IDEALISTËT SHQIPTARË

Në njërën nga dhomat e Vatikanit, të quajtur «Stanza della Segnatura» gjendet freska e famshme e Raffaello Sanzios «Shkolla e Athinës». Një vizatim i populluar jo vetëm nga filozofët antikë por aty majtas është edhe Jezu Krishti, Micheloangelo dhe djathtas vetë Raffaello. Në qendër të kësaj freskoje diskuton duoja e famshme e filozofisë antike: Platoni me gisht të çuar përpjetë kah qielli dhe Aristoteli me dorë të drejtuar tokës. I pari përfaqëson idenë (domosdo spekulativen), atë përmbi rétë, i dyti donë që të djersitet duke mësuar së pari se ç’i thotë realiteti, e përjetueshmja. Idealisti në bisedë me pragmatikun.

Platoni besonte – para tij budistët dhe hindutë – se idetë nuk rezultojnë nga procesi i të mësuarit, por ato ekzistojnë gjithmonë, ne veçse se rikujtohemi në to, që do të thotë shpirti ekziston gjithmonë i njëjte ai veçse nëpër kohë ndërron subjektet humane (pra trupat fizikë). Sipas kësaj teorie duhet të besojmë se shpirti i Skënderbeut ende është në veprim në trupin e ndonjërit prej shqiptarëve të sotëm, ashtu si ai i Esat Pashë Toptanit, Enver Hoxhës, Isa Boletinit e shumë të tjerëve.

Dihet ndikimi i Platonit në formësimin e frymës evropiane ose siç thotë Alfred North Whitehead në librin e tij «Procesi dhe realiteti»: «Karakterizimi më i sigurte dhe i përgjithshëm i traditës filozofike evropiane është se ajo përbëhet nga një varg fusnotash tek Platoni». Ky ndikim – më vonë i përhapur sidomos edhe nga të gjitha religjionet e mundshme – natyrisht që është pjesë edhe e reflektimit intelektual shqiptar. Jo si koncept filozofik (idealizmi) por si mendësi që konstrukton ose përçon idealitete nga e kaluara në të sotmen. Natyrisht se nuk duam t’ia mveshim nacionalistit shqiptar vetinë religjioze të reinkarnimit (pasi nuk shprehen në këtë drejtim) mirëpo gjuha e tyre imperative që kërkon prej «çdo shqiptari të mirë dhe patriot» t’i nënshtrohet këtij apo atij ideali historik dhe atë pavarësisht rrethanave dhe kushteve reale në të cilat gjenden shoqëritë vetëpërshkruan modelin e tyre frymor.

Idealistët si zakonisht vuajnë nga mungesa e «argumenteve tokësore» (vetëm i interpretojnë si të tilla) prandaj edhe burimin qendror të debatit të tyre e kanë historinë, e cila iu shërben si mjet për të sakralizuar idealin që përfaqësojnë. Për shkak të dashurisë së sinqertë ndaj «popullit», «gjuhës», «atdheut» ata fare pak marrin guximin të akuzojnë qeveritë, politikat dhe gjendjet e dërmuara sociale e maksimalisht kapen për armiqve të jashtëm – edhe atëherë kur ata s’janë aktual dhe mezi mbijetojnë vetë. Kjo shihet edhe tek etiketat që prodhojnë si nihilizmi, servilizmi e të ngjashme. Pse?

KU JANË NIHILISTËT?

Po rikujtojmë – ky është definicioni i popullarizuar dhe kështu e mendojnë shumica e polemistëve shqiptarë: me nihilizëm nënkuptohet mohimi programatik i të gjitha vlerave të mundshme (pra edhe kulturore, morale, sociale, historisë, traditës e kështu me radhë). Sa për sqarim: ky mirëpo nuk është e nihilizmi i Nietzsche-s, i cili doli në shenjë proteste kundër mësimeve platonike të «kthimit të përjetshëm të së njëjtës». Në shekullin XXI është problem të besosh në formulën e kthimit të përhershëm të së njëjtës ide, sepse ashtu siç kishte kuptuar qysh Herakliti se gjithçka ndryshon, ribëhet, pra është një proces progresiv. Në gjithë debatin dhe duke lexuar gjithë autorët në hapësirën shqipfolëse nuk e gjen qoftë edhe një softy nihilist e lere më ndonjë radikal. Përkundrazi edhe të etiketuarit si nihilistë herë pas here idealizojnë më shumë se sa duhet vlerat dhe virtytet lokale, rajonale, gjuhësore e kulturore. Nuk kemi nihilistë. Çka kemi atëherë?

FJALA E PRAGMATIKËVE

Sidomos në publikimet kosovare dominon fryma e pragmatikëve. Ajo shkollë që e njohim nga mësimet e Charles S. Peirce, William James dhe John Dewey. Ky rezonim për dallim nga ai platoniku që kërkon sqarime mjegullave, po aristotelçe i vlerëson «të vërtetat», opinionet, idetë dhe teoritë në bazë të mundësisë së realizimit të tyre praktik. Domethënë këta idetë nuk i marrin apriori si telegrame të dërguara nga përjetësia dhe shpirtrat e reinkarnuar, por si mendime që duhet futur në laboratorin e jetës praktike. Nisur nga ky aspekt nuk del fare i habitshëm fakti se shumica e komentatorëve dhe gazetarëve seriozë kosovarë i përkojnë kësaj shkolle reflektimi, kjo ndoshta ka të bëjë edhe me profesionin e tyre prej gazetarësh të konfrontuar për çdo ditë me terrenin dhe proceset shoqërore reale.

Së paku ndër ata që bëjnë opinionet shqiptare nuk shquhet askush për nihilizëm qoftë atij modelit nietzsche-an e qoftë atij radikal. Kemi idealistë platonikë dhe pragmatikë, të fundit kësaj periudhë kanë marrë fjalën. Dhe mirë që është kështu.



Autori ka lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat dhe së fundi Historinë dhe Filozofinë në Univerzitetin e Freiburgut (Zvicër). Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore. Jeton në Bernë.

Frika nga (auto)kritika

Xhemal AHMETI




Mllefin kundër «parajsës së derrave» - siç e quante Victor Hugo pushtetin e Napoelonit III– e shprehu nëpërmjet poezisë «Ndëshkimet» dhe iku nga vendi. Charles Baudelaire me «Lulet e së keqes» bëri portretin e një kryeqyteti të korruptuar, të zhytur në amoral dhe të ngjashëm me Hadin. Gustav Flaubert gjendej para gjyqit për romanin e tij «Zonja Bovary», atij romani të inspiruar nga një qytetare e vetëvrare, e cila nxiti autorin të vërë në pikëpyetje moralin dhe mentalitetin e asaj kohe. Hugo, Flaubert dhe Baudelaire nuk ishin të vetmuar në luftën e tyre kundër diktaturës fabrikëtmerri. Përkundrazi: Nëse studiojmë letërsinë dhe publikimet e asaj periudhe franceze, nuk do të gjejmë gati asnjë shkronjës të rëndësishëm që në një mënyrë apo tjetër nuk ka rezistuar ashpër kundër krimeve të shtetit. Se sa radikale dhe sa e hershme ka qenë kjo luftë intelektuale franceze kundër defekteve sociale e politike dëshmon edhe ky apel i poetit pak më të njohur Théodore Agrippa d’Aubigné, shkruar dy shekuj më parë kundër hierarkisë sunduese: «t’i hedhim të gjithë në pusin e harresës dhe ta mbyllim varrin».

Në historinë e kryeneçësisë intelektuale franceze edhe një segment tjetër është shumë interesant: edhe atëherë kur në krizat e vendit ka qenë shkaktar ndonjë faktor i jashtëm shumica e intelektualëve nuk e kanë deplasuar adresën e kritikës, por gjithmonë duke vepruar në bazë të asaj logjikës «të rregullojmë së pari shtëpinë, pastaj e kemi lehtë».

Ky ekskursion nëpër historinë e inteligjencies franceze natyrisht se na përball me pyetjen: si duket historia e intelektualëve shqiptarë në këtë drejtim?

Vetmia e Faik Konicës

Përjashto Faik Konicën - i cili megjithatë del i përmbajtur në këtë kontekst –nuk gjejmë figura intelektuale që analizojnë gjendjet shqiptare dhe që për motiv do të kishin pasur iluminimin e tyre. Edhe autorët si Migjeni që mallkojnë mjerimin e dukuri tjera kurrizthyese për shqiptarin e kohës nuk i dekonspirojnë shkaktarët, përgjegjësit, kështu që vaji del atopik, pa adresatë. Natyrisht se kushtet në të cilat ka ekzistuar shqiptari nuk mund të krahasohen me ato të francezit dhe popujve tjerë perëndimorë të kontinentit, sepse njeriu shqiptar deri para dy dekadave (pjesërisht edhe sot) është komanduar nga instinkti i mbijetimit, ekzistencës. Luftë që nuk i ka lënë atij edhe gjithaq kohë që të reflektojë mbi pyetjen esenciale dhe deri sot pa përgjigje si: pse pikërisht ne? Pse pikërisht shqiptarët të jenë – krahasuar me të gjithë përreth, më të vonuarit, më të shtypurit, maratonë për nga përvoja historike e robit?

Rënie vlerash? ku, kur?

Ka mundësi që historia e shqiptarëve të jetë kaq dramatike pikërisht nga fokusimi përherë i eksternalizuar i matjes dhe analizimit të gjërave? Konkretisht: logjika e kërkimit të fajit gjithmonë tek të tjerët. Rezonim që është përdorur ndoshta për të lehtësuar një çik athëtinë e të qenit rob, mirëpo i cili njëkohësisht edhe ka dënuar shqiptarët (këtu: dhe ballkanasit në përgjithësi) me një vendnumërim intelektual. Në romantizëm intelektualët ishin të preokupuar me bërjen e identitetit dhe çlirimit nga të tjerët. Në komunizëm intelektualët ishin oportunistë dhe aq hermetikë sa që as veten nuk e kuptonin. Dy dekadave të fundit intelektualët shpërlajnë vepra, botojnë autopledoaje për të dëshmuar patriotizmin e tyre permanent, pra edhe atëherë kur patriotizmin e kuptonin ndryshe apo nuk e kishin fare.Sot po të njëjtët ulërijnë se ka rënie vlerash. Cilat vlera kanë rënë? Kush i ka bërë, identifikuar, lokalizuar e trajtuar ato vlera, kur dhe si?

Nuk i akuzojmë shkrimtarët, intelektualët, autorët se pse nuk kanë vepruar e pse nuk operojnë si intelektualët e shekullit francez të shekullit 19-të. E para për arsye se luftëra të tilla në këtë epokë të revolucionit digjital ndoshta shumë njerëz i konsiderojnë të demoduara dhe e dyta; edhe shqiptarët kanë kuptuar domethënien e lirisë individuale dhe nuk duan të akuzojnë dikë pse ka këtë apo atë biografi. Çështje personale e tij. Absurde bëhet mirëpo puna kur pikërisht ata që nuk kanë ndjekur shembullin francez të iluminimit, që nuk akuzohen nga kush, që ende nuk kanë guximin e autokritikës, pse jo edhe të një metanoje, të vajtojnë se s’ka më vlera.

Është e vërtetë se ka rënie vlerash. Çështja që shtrohet është: cilat janë ato vlera, që sidomos gjenerata e vjetër i vajton? Mendohet në dukuritë si: patriarkalizmi i cili humb dita ditës fuqinë; liria e individit që edhe pse e keqkuptuar merr sa më shumë pushtet në jetën publike; klanet e dikurshme kulturore që janë zbehur në favor të një konkurrence të ashpër e të shëndoshë; autorët shqiptarë (letërsi e teatër) që kanë shpërthyer botës pa ndihmën e partisë; mediat që denoncojnë çdo rrëshqitje edhe atëherë kur akullit përplaset ndonjë lider, komandant apo hero i gjallë; mendohet në këto e në shumë segmente etike si këto? Nuk e dimë saktësisht se deri tani konstatimi «kanë rënë vlerat» na ofrohet vetëm si parullë!

Avokatët e racës

Duket sheshit autokritika të mos jetë veti e plisbardhit. Kështu ka lexuar, mësuar, kështu është edukuar dhe kështu ka vepruar shqiptari deri sot.

Neveritës në këtë kontekst bëhet aksioni i intelektualëve që si duket as dje e as sot nuk i kanë bërë detyrat e shtëpisë dhe që nuk kanë kohë për vetëkritikë e për thurje programesh formëdiktati se kah duhet të ecin shqiptarët gjejnë jo vetëm ditë por edhe muaj. Që absurdi të jetë edhe më banal: sapo del ndonjë diskurs autokritik, të njëjtët mobilizohen me mantelin e avokatëve të racës, gjakut dhe pragut dhe bëjnë çmos për të shtrydhur diskursin vetëm brenda një dimensioni: atij personal!

“Edipi....” mes Kosovës dhe Shqipërisë

“Edipi mbret”, shfaqja e parë premierë e Teatrit Kombëtar për vitin 2013, do të ngjitet sot në mbrëmjen premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë. Tragjedia e Shekspirit është përkthyer në shqip nga Enrik Lacaj dhe do të vijë nën regjinë e Ilir Bokshit dhe me skenografi të Petrit Bakallit.

Në rolet kryesore interpretojnë: Helidon Fino, Yllka Mujo, Neritan Licaj, Ema Andrea, Olta Dako, Eriona Kakeli, Ervin Bejleri, Lulzim Zeqja etj. Pjesa është një bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Kombëtar. Tragjedia e antikitetit “Edipi Mbret” vjen si ngacmim artistik, si dhe perceptim i asaj që ndodh sot nëpërmjet tekstit, pra përrallës së Sofokliut në zbërthimin e situatave dhe karaktereve.

Edipi, ky mbret, i cili që kur lindi është destinuar të vrasë babanë, të martohet me të ëmën dhe të lindë fëmijë nga nëna që është lindur ai vetë. Jokastra, duke dashur ta ndalojë këtë ngjarje makabre, ia jep foshnjën Edip një bariu për ta vrarë.

Bariu nuk mund të vrasë një krijesë të pafajshme dhe dërgon në një vend shumë të largët. Edipi rritet dhe merr vesh se familja që e kishte rritur nuk ishte e tij. Për këtë arsye largohet duke marrë arratinë dhe siç ishte parashikuar nga orakulli vret të atin, mbretin Laj dhe më pas martohet me të ëmën, Jokastrën. Pas hipjes në fron Edipi kërkon vrasësin e Mbretit Lajit, babait të vrarë nga vetë ai.

Tiresja, një magjistar zbulon parashikimin e hershëm të orakullit dhe Edipi ndien se nuk do të mund ta pranojë këtë katastrofë njerëzore. Lajmëtari dhe Bariu hedhin dritë mbi ngjarjet duke i treguar të gjithë historinë siç ka ndodhur… Jokastra vret veten dhe Edipi nxjerr sytë.

Kjo është me pak rreshta përmbajta e kësaj tragjedie që ngacmoi regjisorin të vërë këtë vepër në skenë nëpërmjet elementeve skenike si pjesëve ritmike, ritualeve dhe këngëve polifonike si vazhdimësi koriale. Kori vjen si element kryesor i shfaqjes dhe si pjellësi i çdo personazhi tjetër, përpos Edipit.

Me një skenografi të pastër, ku në qendër është Dielli, bien në sy daullet të cilat si element dhe si objekt do përdoren nga vetë aktorët, ndërsa ritmet dhe këngët si zbërthime emocionale dhe artistike.

Daullet zbresin nga lart si një lidhje midis qiellit dhe tokës, perëndisë dhe njeriut, kësaj marrëdhënie mitologjike dhe verbërisë kolektive si element përcjellës i njerëzimit në çdo kohë.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...