2013-12-26

“Sheiku” mashtrues





Mbi 845 milionë euro ka arritur shuma e premtimeve që lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hashim Thaçi po i jep nëpër komuna të Kosovës, për investime kapitale, përgjatë dy javëve fushatë parazgjedhore.

Me këtë trend të premtimeve deri në përfundim të fushatës ai do të shterrë buxhetin prej 1.5 miliardë euro që ka Kosova. Të dhënat zyrtare të qeverisë, në krye të së cilës është ai vetë, tregojnë shifra të tjera të cilat dëshmojnë se kryeministri është duke manipuluar me votuesit potencialë.

Bazuar në linjat zyrtare buxhetore, i gjithë buxheti për investimet kapitale për të gjitha komunat e Kosovës është 126 milionë euro. Ndërsa premtimet e tij për 11 komuna kapin shumën prej 845 milionë euro.

Gjatë hapjes së fushatës në Mitrovicë, lideri i PDK-së Hashim Thaçi ka premtuar se gjatë mandatit që vjen nëse i fiton zgjedhjet kandidati i partisë së tij Avni Kastrati do të investojë hiç më pak se 150 milionë euro, shumë kjo gati dhjetë herë më e madhe se shuma e investimeve që janë bërë gjatë mandatit katërvjeçar të kryetarit Kastrati.

Sipas raportit të buxhetit të Ministrisë së Financave (MF) shihet se buxheti për investime kapitale i kësaj komune për vitin 2013 ka qenë 3,8 milionë euro. Gjatë vitit 2014 do të jetë 3,9 milionë euro, si dhe gjatë vitit 2015 do të jetë 4 milionë euro.

Edhe në komunën e Prizrenit, apo Jerusalemit të PDK-së, siç e konsideron Thaçi këtë qytet, shuma e mjeteve të premtuara është hiç më pakë se 100 milionë euro. Mirëpo, sipas raportit të buxhetit të MF-së shihet qartë se buxheti i kësaj komune për investime kapitale gjatë këtij viti ka qenë 14,2 milionë euro, gjatë vitit 2014 do të jetë 14,3 milionë euro dhe në vitin 2015 do të jetë 14,4 milionë euro.

Po ashtu, lideri i PDK-së Hashim Thaçi gjatë hapjes së fushatës parazgjedhore të partisë së tij në Vushtrri ka premtuar investime në vlerë prej 80 milionë euro. Edhe në këtë komunë premtimet e lideri të PDK-së janë 8 herë më të larta se sa shuma e investimeve që ka ndodhur gjatë mandatit katërvjeçar të kryetarit aktual Bajram Mulaku. Sipas raportit të buxhetit të MF-së shihet i terë buxheti për shpenzime kapitale në këtë komunë sivjet ka qenë 3,7 milionë euro, gjatë vitit që vjen do të jetë 4,2 milionë euro dhe gjatë vitit 2015 do të jetë 4,1 milionë euro.

Edhe në komunën e Malishevës lideri i PDK-së ka premtuar investime prej 75 milionë euro nëse qytetarët e kësaj komune do t’i japin votën Isni Kilajt për ta drejtuar komunën edhe për një mandat. Mirëpo, buxheti i kësaj komunë për mandatin e kaluar ka qenë rreth 6 herë më i vogël se sa ky që e ka prezantuar tash kryeministri në fushatë.

Sipas raportit të buxhetit të MF-së shihet se në këtë komunë gjatë vitit 2013 të destinuara për shpenzime kapitale kanë qenë 2,8 milionë euro, gjatë vitit 2014 kanë qenë 2,9 milionë euro dhe gjatë vitit 2015 do të jenë 3 milionë euro.

Visar Rushiti nga Instituti “GAP” ka thënë janë disa komuna në të cilat gjatë këtyre ditëve është premtuar investime kapitale deri në 100 apo 150 milionë euro që do të bëhen gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar, si komuna e Mitrovicës, e Prizrenit, Gjilanit dhe Vushtrrisë. Sipas tij, në Mitrovicë janë premtuar prej 100 deri 150 milionë euro investime, mirëpo sipas Kornizës Afatmesme Buxhetore, komuna e Mitrovicës do të ketë 14.6 milionë euro buxhet në vitin 2014, pak mbi 15 milionë në vitin 2015 dhe 15.3 milionë euro buxhet në vitin 2016.

“Në këtë buxhet, granti i përgjithshëm qeveritar bën pjesë me mbi 12 milion, derisa të hyrat vetjake me mbi 2 milionë euro. Për më shumë, në Mitrovicë është premtuar krijimi i katër mijë vendeve të punës dhe renovimi i stadiumit të qytetit duke e krahasuar pastaj atë me stadiumin e famshëm Wembley në Londër i cili ka kushtuar rreth 894 milionë euro” ka thënë ai para pak ditësh në një intervistë për gazetën “Zëri”. Sipas tij, vazhdon Prizreni me 33.6 milionë euro buxhet në vitin 2013, derisa janë premtuar 100 milionë euro investime, pastaj Gjilani, Vushtrria, ku në këtë të fundit janë premtuar 80 milionë euro investime derisa Vushtrria do të përmbyllë vitin 2013 me 12.6 milion euro buxhet, dhe sipas Kornizës Afatmesme të Buxhetit, do të ketë jo më shumë se nga 13 milion në vitet 2014 dhe 2015, dhe pak mbi 14 milion në vitin 2016.

845 milionë euro është shuma e mjeteve që kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i ka premtuar se do t’i investojë në 11 komuna të Kosovës, nëse qytetarët do t’ua japin votat kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

127 milionë euro është totali i mjeteve për investime kapitalë në të gjitha komunat e Kosovës për vitin 2013.

126 milionë euro është totali i mjeteve për investime kapitalë në të gjitha komunat e Kosovës për vitin 2014.

130 milionë euro është totali i mjeteve për investime kapitalë në të gjitha komunat e Kosovës për vitin 2015.


Qyteti --------- Premtimet ------- Buxheti 2014 ------- Buxheti 2015

Mitrovicë --- 150 milionë euro 3,9 milionë euro 4,0 milionë euro

Gjilan --- 120 milionë euro 3,3 milionë euro 3,5 milionë euro

Prizren --- 100 milionë euro 14,3 milionë euro 14,3 milionë euro

Vushtrri --- 80 milionë euro 4,2 milionë euro 4,1 milionë euro 

Podujevë --- 80 milionë euro 5,8 milionë euro 5,9 milionë euro

Malishevë --- 75 milionë euro 2,9 milionë euro 3,0 milionë euro

Suharekë --- 70 milionë euro 4,7 milionë euro 4,9 milionë euro

Obiliq --- 60 milionë euro 1,2 milionë euro 1,2 milionë euro

Fushë Kosovë --- 60 milionë euro 2,3 milionë euro 2,3 milionë euro

Në varfëri ekstreme, 30 për qind e popullatës në Kosovë





Prishtinë, 16 tetor - Qytetarët e Kosovës nuk ushqehen mirë, si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale, vlerësojnë përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e konsumatorit.

Derisa, sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore 30 për qind e popullatës në Kosovë jetojnë në varfëri ekstreme me 2.5 dollarë në ditë, transmeton Radio Evropa e Lirë. Kjo, sipas kryetarit të Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, është një fakt se këto familje nuk mund të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm dhe cilësor, .

Në botë vdesin miliona njerëz nga uria. Fatmirësisht, kjo në Kosovë nuk ndodh, por nuk do të thotë që ne duhet të bëjmë gjumë të rehatshëm, por duhet të vazhdojmë të organizohemi si shoqëri dhe të mendojmë se kush sa ka dhe a ka mjaftueshëm për t’u ushqyer”, thotë Kaçaniku.

Në Ditën Botërore të Ushqimit, e cila shënohet më 16 tetor, një raport i Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara tregon se rreth 842 milionë njerëz, ose një në tetë persona, kanë vuajtur nga uria kronike në vitet 2011-2013, duke mos pasur ushqim të mjaftueshëm për një jetë aktive dhe të shëndetshme.

Sinan Kastrati, qytetar, thotë se kosovarët ushqehen sipas standardit jetësor që ata kanë. Sipas tij, në kushtet ekonomike, në të cilat jetojnë, nuk arrijnë të ushqehen mirë dhe shëndetshëm.

Ushqimi është i rëndësishëm, por gjendja ekonomike dhe sociale, e cila është e rëndë, nuk të mundëson që të ushqehesh mirë, nëse kryefamiljari nuk ka pagë të lartë, ai nuk arrin të blejë gjëra të mira apo të shëndetshme dhe normalisht që ushqehen me ato që kanë mundësi t’i blejnë”, thotë Sinan Kastrati.

Por, sa është i kontrolluar ushqimi që qytetarët e konsumojnë? Mbi 90 për qind e produkteve të konsumit në Kosovë importohen nga shtete të ndryshme të botës, derisa vetëm 10 për qind konsiderohet të jenë produkte vendore.

Përgjegjësinë kryesore për kontrollin e ushqimit në Kosovë e ka Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit (AVUK), si autoritet shtetëror. Zëdhënësi i këtij mekanizimi, Lamir Thaçi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se procedurat e kontrollit të ushqimit në pikat kufitare janë të harmonizuara me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, produktet të cilat hyjnë në tregun e Kosovës, janë të sigurta.

“Të gjitha produktet që vijnë nga importi kontrollohen përmes dokumentacionit dhe sipas planit, kur dyshohet nga inspektori se një produkt është i dyshimtë atëherë merren mostra për analiza dhe vetëm atëherë kur vërtetohet diçka, një produkt nuk lejohet të tregtohet brenda vendit tonë”, shpjegon Thaçi.

Ai bën të ditur se që nga fillimi i këtij muaji, AVUK ka futur në funksion disa rregullore për bizneset, siç është pakoja higjienike, në të cilën pako janë të përfshira tri rregullore që përcaktojnë kushtet e prodhimit, kushtet e ruajtjes së ushqimit dhe kushtet e tregtimit.

Megjithatë, në Kosovë gjatë këtij viti ka pasur disa raste me produkte, të cilat konsiderohej se kishin cilësi të dyshimtë, e që rrjedhimisht rrezikonin jetën e qytetarëve.


Selatin Kaçaniku nga organizata Joqeveritare “Konsumatori” thekson se në këtë aspekt, konsumatori në Kosovë mbetet i pambrojtur.

Duke u nisur nga fakti se tregu në Kosovë nuk është i sigurt dhe është i pambrojtur, duhet të tregohemi vigjilentë në atë që konsumojmë, derisa autoritetet e Kosovës duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim”, thekson Kaçaniku.

Kosova, më e varfra në Evropë





E varfër skajshmërisht, me papunësinë më të lartë, me një edukim që kërkohen investime të menjëhershmeprobleme me ligjinme energjinë, me ndotje të mjedisit, e madje edhe me status politik, është vlerësimi që i jep Kosovës, Banka Botërore përmes raportit të saj “Country Snapshot”, publikuar në tetor të këtij viti.

Raporti thotë se papunësia e lartë dhe mungesa e punëve cilësorë janë shkaktarët që Kosova të vazhdojë të mbetet vendi më i varfër në Evropë, ku populli jeton me të ardhura të pasigurta.

Edhe atëherë kur ofrohet puna, kushtet e tregut janë të pafavorshme sidomos për të rinjtë dhe gjininë femërore, ku shkalla e punësimit te të rinjtë është vetëm 9,8 për qind.

Edhe kësaj here, në raport kërkohet nga institucionet e vendit për të përmirësuar ekonominë e vendit, i duhet të shtojë përpjekjet e saj në drejtim të forcimit të sundimit të ligjit. “Për të rritur ekonominë, Kosova duhet të vazhdojë të fokusojë përpjekjet e saj në

forcimin e sundimit të ligjit. Kështu do të thërriste investimet, si një prej pikave kyçe për rritjen e ekonomisë”, thuhet në raport.

Megjithatë Kosova thuhet se që nga tremujori i dytë i vitit 2011 ka bërë progres në aspektin ligjor dhe në strukturat institucionale me synim për të përforcuar ekonominë e tregut, reforma këto që janë mbështetur nga projektet e financuara nga Banka Botërore, e si rrjedhojë ka reflektuar që Kosova të ngritët më lartë në raportin ndërkombëtarë “të bësh biznes”.
Por, pavarësisht kësaj, Raporti “Snapshot Kosova”, nuk harron të tregojë se në Kosova vazhdon të ketë klimë jo të favorshme për bizneset dhe krahasuar me rajonin janë shumë më keq.

“Institucione të dobëta, moskapacitete, paqartësi pronësore, regjimi i komplikuar vazhdojnë të jenë pengesa në aktivitetet e sektorit privat formal”, thuhet në raport.

Madje raporti kritikon edhe infrastrukturën rrugore e sistemin e transportit, ndonëse Qeveria mburret në investimet që po i bën në këtë drejtim.

“Sistemi i transportit është i papërshtatshme për nevojat e biznesit dhe tregtisë dhe nuk janë përkojnë me standardet evropiane. Jo çuditërisht, siguria rrugore mbetet një prej probleme më të mëdha në Kosovë”, thuhet ne raport.
Sistemi arsimor është vlerësimi tjetër ku raporti jep kritika tepër të larta.

Në Raporti thuhet se sistemimi arsimor i Kosovës vazhdon të mos i pajisë studentët me kurrikulat adekuate përmes të cilave do të kontribuonte në krijimin e aftësisë së punës sipas kërkesave të tregut.

“Kosova ende shpenzon shumë pak në këtë sektor, më pas se sa mesatarja e të gjitha vendeve në Evropë. Sistemi arsimor ka nevojë për të përmirësuar cilësinë, në të gjitha nivelet”, thuhet në raport.

Nuk le pa përmendur edhe energjinë, për çka thotë se problemet në këtë sektor janë një prej pengesave që nuk po pengojnë zhvillimin e bizneseve dhe për prurjen e investitorëve.

E jo vetëm kaq, Kosova vazhdon ë ketë probleme edhe me ndotjen e ajrit, sidomos në zonat urbane, thuhet në raport.
Nuk mbetet pa u përmendur edhe statusi i Kosovës, ku sipas këtij raporti statusi i pazgjidhur i saj mbetet pengesë kyçe për arritjen e objektivave të vendit në integrimet e saj politike dhe socio-ekonomike.

Shtet i mjerimit!




Enis Veliu

Hiç më pak se 66 mijë qytetarë të Kosovës në pesë vitet e fundit kanë kërkuar azil në njërin nga shtetet e Evropës, por edhe më gjerë.

Dhjetëra mijëra të tjerë janë duke qëndruar aktualisht në këto shtete në mënyrë ilegale, duke mos u regjistruar askund, por duke punuar në të zezë e duke mbajtur me bukë familjen e tyre në Kosovë.

Ndërkaq, qindra të tjerë çdo ditë po bëjnë përpjektë për t’iu bashkuar “shokëve” të tyre që gjenden si azilantë në ndonjërin prej shteteve të zhvilluara evropiane, ku disa nga ta gjenden në kampe, disa nëpër parkingje nëntokësore të automjeteve, por ka të atillë që janë duke jetuar nën këmbët e një ure diku në një qytet të Francës.

Çdo ditë e më shumë, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë qytetarët e këtij vendi janë duke u dëshpëruar me realitetin e hidhur në Kosovë, ku shumica prej tyre që vendosin ta braktisin vendlindjen nuk e kanë më të voglën shprese për të siguruar kafshatën e gojës nga puna që munden për të bërë në këtë shtet. De fakto, papunësia në vend po rritet dita- ditës, pasi që në vazhdimësi si pasojë e krizës shumë punëtorë po humbasin vendet e tyre të punës, e sidomos ata që punojnë në sektorin privat.

E de jure të dhënat zyrtare të fabrikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës e flasin të kundërtën, ku sipas tyre në Kosovë në vazhdimësi kemi rënie të numrit të papunëve në vend.

Por, mungesa e mjeteve në qarkullim shtetin tonë edhe më thellë po e fut në krizë.

Sivjet pjesa dërrmuese e mjeteve që janë shpenzuar përmes proceseve të prokurimit kanë dalë jashtë Kosovës gati rreth gjysmë milioni euro.

Po ashtu, sipas të dhënave zyrtare gjatë vitit 2012, përmes tenderëve kompanitë e huaja nga buxheti i Kosovës kanë marrë hiç më pak se 325 milionë euro.

Nga kjo shumë, 235 milionë euro i ka marrë konsorciumi “Bechtel & Enka”.

Ndërkaq, 90 milionë euro i kanë marrë kompanitë tjera të huaja.


Dhënia e tenderëve kompanive të huaja, edhe më shumë e ka rritur krizën në vend, pasi që pjesa dërrmuese e bizneseve që janë futur kredi për t’i zhvilluar kompanitë e tyre nuk kanë mundësi që paratë t’ua kthejnë bankave përmes ratave.

Kohëve të fundit qindra objekte biznesi, shtëpi banimi, pronë e biznesmenëve të ndryshëm janë nxjerrë në shitje nga bankat komerciale në vend, pasi që pronarë të atyre bizneseve nuk kanë pasur mundësi ta kthejeni kredinë në bankën ku e kanë marrë.

E gjithë jeta, por ne veçanti ambienti biznesor në vend gjithnjë e më shumë po vështirësohet. Shteti po krijon dhe ndërton kompani gjigante, e në anën tjetër po shkatërron qindra e mijëra biznese të vogla, në të cilat kanë punuar një numër i konsiderueshëm i njerëzve.

Kosovës pa dyshim se i duhen autostrada, e rrugë të mira, mirëpo para së gjithash të rinjve të këtij shteti iu duhet perspektivë për të jetuar e zhvilluar.

Aktualisht ata të vetmen rruge për të gjetur shpëtim po e konsiderojmë emigrimin ilegal në ndonjë shtet të zhvilluar të Bashkimit Evropian.


Në Kosovë në vazhdimësi po tentohet të aplikohen standarde evropiane. Mirëpo, pjesa dërrmuese e popullit është duke bërë jetë afrikane

Hajnia si standard




                                 Enis Veliu

Vidh, abuzo dhe në fund avancohu në një pozitë tjetër, jashtë institucionit ku i ke bërë këto veprime të jashtëligjshme. Tashmë kjo është bërë standard në vendin tonë.

Shumëkujt kjo mund të mos i besohet, por një gjë e tillë ka ndodhur, dhe po ndodh në vazhdimësi.Shumë zyrtarë të lartë të shtetit, sa janë në pushtet po e vjedhin arkën e shtetit, po e vjedhin pronën publike, po shkatërrojnë kompanitë private duke iu marrë përqindje për tenderë, dhe në fund nuk i japin llogari askujt për veprimet që kanë bërë.

Rasti më i freskët dhe i veçantë është i Ahmet Shalës, i cili tash e një kohë përfaqëson shtetin e Kosovës në Japoni
. Ky i fundit disa herë është kritikuar e akuzuar për transformim të jashtëligjshëm të ndërmarrjeve shoqërore në pronë private.

Mirëpo, ky me bekimin e shefit (Hashim Thaçi) vazhdon të qëndrojë komod në shtetin më të zhvilluar në botë, edhe pse imazhi që përfaqëson ai mund të fundosë edhe më shumë Kosovën sidomos në aspektin ekonomik.

Ambasadori Shala edhe më tutje vazhdon të mos e çajë kokën, edhe pse zërat kundër tij po shtohen çdo ditë e më shumë.
Sa herë që shkruhet, apo edhe flitet për të, ai gjithmonë hesht, pasi që asnjëherë nuk ka pasur argumente për të mbrojtur veprimet e tij, e sidomos gjatë kohës sa kishte qene drejtor i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM).

Një dosje prej më shumë se 2000 faqesh për privatizim të jashtëligjshëm të ndërmarrjes bujqësore industriale “Suhareka” po në këtë qytet ka kohë që është dorëzuar në prokurorinë vendore dhe atë të EULEX-it.

Por, dosje të tillë për ish- shefin e privatizimit janë në përgatitje e sipër, pasi që ndërmarrjet e privatizuara sipas procedurave ligjore është e vështirë t’i gjesh edhe pse deri më tash janë privatizuar mbi 500 sosh.

Rezultatet e privatizimit në Kosovë kane qenë të kundërta më ato të çdo shteti të rajonit, por edhe më gjerë.

Privatizimi në vend solli zvogëlim të vendeve të punës, pasi që shumë ndërmarrje në të cilat kanë punuar qindra punëtorë, u shndërruan në qendra tregtare, apo edhe në disa raste ato u rrënuan krejt për t’u lëshuar vendin komplekseve të larta banesore.

Kryeministri Thaçi disa herë është munduar që t’i tregojë opinionit se nuk ka gisht në drejtësi. Mirëpo, realiteti thuajse gjithmonë ka qenë ndryshe. Thaçi gjithmonë i ka mbrojtur miqtë e tij, edhe pse ata i kanë bërë 100 të zeza këtij shteti.

Ahmet Shala duhet ta mbrojë veten për akuzat që po i behën atij për shkatërrimin e qindra ndërmarrjeve shoqërore që janë shitur në mënyrë të jashtëligjshme gjatë procesit të privatizimit, e jo ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në Japoni.

Prania e tij në korin diplomatik të vendit, edhe më shumë do t’ia rrënojë imazhin vendit tonë karshi shteteve tjera të botës, e sidomos karshi atyre që ende nuk e kanë pranuar Kosovën si shtet të pavarur.

Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 më të këqijave në botë



Sipas indeksit për refuzim të vizave të publikuar nga Henley & Partners, që është një renditje globale e shteteve bazuar në lirinë e lëvizjes për qytetarët e tyre, Kosova radhitet në mesin e 10 pasaportave më të këqija për të udhëtuar bazuar në refuzimin e vizës.

Dhjetë vendet me pasaportën më të keqe:

1. Afganistani
2. Iraku
3. Somalia
4. Pakistani
5. Territoret palestineze
6. Eritrea
7. Nepali
8. Kosova
9. Sudani
10. Sri Lanka


Dhjetë vendet me pasaportën më të mirë:

1. Finlanda
2. Suedia
3. Britania e Madhe
4. Danimarka
5. Gjermania
6. Luksemburgu
7. SH.B.A-të
8. Belgjika
9. Italia
10. Holanda

Henley & Partners është një institucion i pavarur që bën vlerësime dhe studime mbi popullsinë dhe aspektet rreth saj. Kjo kompani ka zyra në disa vende të botës.

Volker, i zhgënjyer me Kosovën

SHBA-ja asnjëherë nuk dëshiron që në Ballkan të ketë destabilizim. Kjo është edhe arsyeja pse SHBA e mbështet qeverinë e Hashim Thaçit, edhe pse e dinë se në Kosovë ka korrupsion dhe fenomene të ndryshme negative. Në Kosovë janë të nevojshme aksione serioze kundër korrupsionit. Mbetem i dëshpëruar me mungesën e përparimit ose përparimin e ngadaltë të Kosovës nga momenti që shpallën Pavarësinë. Kështu ka thënë ish-ambasadori amerikan, William Volker.

“U ndjeva krenar kur SHBA-ja intervenojë në Kosovë, para se gjithash për çështje humanitare. Sllobodan Millosheviqi nuk u tregua i zgjuar kur më largoi nga Kosova dhe u tërhoqa në Maqedoni, pasi masakrës së Reçakut, ku drejtova gishtin drejt regjimit dhe ushtrisë serbe”, ka theksuar në një intervistë për të përditshmen “Dnevnik”, William Volker, ish-ambasador amerikan në Amerikën Qendrore, njëherësh i dërguar special i Kombeve të Bashkuara në Sllavoni. Volker, i konsideruar si “hero” i Kosovës, ka thënë se megjithë pritjet, gjashtë vite pas pavarësisë së Kosovës, ndjehet i zhgënjyer për ecjen para të shtetit më të ri të Evropës.

“SHBA-të asnjëherë nuk dëshirojnë që në Ballkan të ketë destabilizim. Kjo është edhe arsyeja pse SHBA-të e mbështetin qeverinë e Hashim Thaçit, edhe pse e dinë se në Kosovë ka korrupsion dhe fenomene të ndryshme negative. Në Kosovë janë të nevojshme aksione serioze kundër korrupsionit. Mbetem i dëshpëruar me mungesën e përparimit ose përparimin e ngadaltë të Kosovës nga momenti që shpallën Pavarësinë. Pritja që kosovarët t’i tregojnë botës se nuk duan të duken një shtet i dështuar, se nuk do të lejojnë korrupsionit dhe kriminalitetin. Këtë e vërejta edhe para tre vitesh në Kosovë, pak para zgjedhjeve, kur të gjitha partitë politike donin të më shfrytëzonin, të fotografohen me mua sikur me një ‘hero’”, ka theksuar Volker .

Ai ka thënë gjithashtu se kosovarët patën fatin se në kohën kur zhvillohej gjenocidi i Millosheviqit ndaj qytetarëve të pafajshëm, në botë nuk kishte ndonjë konflikt tjetër më serioz sikurse sot.

“Kosovarët kishin fat se gjendja e tyre ishte në ballinën e secilës gazetë dhe se nuk kishte asnjë konflikt tjetër në botë, sikurse kemi sot në këtë moment, siç është rasti i Sirisë, Libia... dhe të tjera”, thotë Voker. Në Kosovë, ka shtuar Voker, erdha nga Sllavonia Lindore, ku udhëhiqja misionin e KB-ve dhe ku gjithmonë kishte frikë se serbët ose kroatët, apo ndonjë fraksion tjetër në Bosnjë, do të bëjnë diçka të papritur. “Por, e paimagjinueshmja ndodhi pikërisht në Kosovë dhe aty u rrit vetëdija e SHBA-ve se duhet të intervenohet. Millosheviqi bëri disa lëvizje të gabuara. Nuk ishte vetëm masakra e Reçakut, por edhe shumë masakra tjera që tërhoqën vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Isha dhe unë që drejtova gishtin drejt regjistrimit të Millosheviqit dhe ushtrisë serbe. Po të mos gabonte Millosheviqi, sidomos pas depërtimit të misionit tonë, mendoj se NATO nuk do të kishte intervenuar akoma. Por, mbretëroi një ndjenjë turpi i NATO-s dhe SHBA-ve pas asaj që na ndodhi në Srebrenicë pikërisht nga Millosheviqi”, përkujton ish-ambasadori William Volker.
Në pyetjen se si e sheh tani përparimin e Ballkanit pas luftërave në Bosnjë, Kosovë e Maqedoni, Volker shprehet i zhgënjyer nga udhëheqësitë politike në pushtet.

“Para një viti mendoja se punët po ecin mirë me shqiptarët, por nuk po del ashtu.
Hashim Thaçi, sipas meje, nuk është demokrat i vërtetë.
Nuk ka një seriozitet në luftën kundër korrupsionit. Nga Serbia, gjithmonë kur mendojë se në pushtet kanë ardhur njerëz më racional, pikërisht nga ata vijnë deklarata të pamatura. Në Maqedoni nuk kam qenë për një kohë të gjatë dhe nuk e di se në çfarë drejtimi po shkon vendi, ndërsa në Shqipëri, Sali Berisha kishte tendenca në drejtim të Enver Hoxhës.
Në Kosovë isha tash së shpejti, kur ndodhi bllokimi i mallrave me Maqedoninë dhe mikja ime, Mimoza Kusari, ministre e Qeverisë së Kosovë, shkonte madje në kufi dhe urdhëronte që asnjë kamion nga Maqedonia të mos futet në Kosovë. Këto punë nuk ndihmojnë sigurisht”, shprehet për “Dnevnik” William Volker.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...