2014/11/03

Klean Shuqja, vajza që çuditi botën e shahut


  • Ishte tre vjeç kur filloi t’i pëlqente gurët e shahut dhe lojën e parë e ka zhvilluar pa mbushur pesë vjeç me babanë e saj
   
Luela Myftari
-Klean nuk i ka mbushur akoma shtatë vjeç dhe rezultatet e saj në shah janë të jashtëzakonshme për një fëmijë në këtë moshë. Ka pak që është kthyer nga Kampionati Botëror i Shahut të të Rinjve që u zhvillua në Maribor, Slloveni, në javën e dytë të nëntorit. Klean ishte më e vogla jo vetëm në grupin ku konkurronte, por në të gjithë Kampionatin Botëror. Të gjithë konkurrentët ishin mbi tetë vjeç, ndërkohë që Klean nuk i ka bërë shtatë. Megjithatë, ajo korri katër fitore dhe tre barazime në njëmbëdhjetë ndeshje, ose siç i quan ajo ndryshe në njëmbëdhjetë ture.
Asaj i shkëlqejnë sytë kur na thotë se ka përjetuar momente shumë të bukura në këtë kampionat. Klean thotë, me një zë të hollë e të qartë, se nuk do ta harrojë asnjëherë fitoren me kampionen e Italisë, dhe barazimin me një vajzë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Na tregon se ka filluar të luajë shah që kur ishte pesë vjeçe dhe i ka pëlqyer gjithmonë kjo lojë. “Në fillim luaja me kompjuter, pastaj me babin”, thotë ajo për “Trup dhe Shpirt”. Babai i saj na tregon se Klena ka filluar ta pëlqejë shahun që kur ishte tre vjeç, veçse ajo nuk e mban mend këtë gjë ose kërkon që të mos e konsiderojë më si lojë qesharake me të cilën mund të kalojë kohën një fëmijë. Kur e sheh me moshatarët, përpara se të fillojë turi i shahut, ajo është një fëmijë, por kur luan Klean duket si një e rritur e përgjegjshme, si dikush që mendohet mirë përpara se të hedhë hapin e radhës.
Me të mbushur gjashtë vjeç, Klean u dallua në Akademinë e Shahut ku edhe stërvitet nga profesorë profesionistë. Menjëherë, shfaqi një dëshirë të madhe që të konkurronte, por për të nuk kishte konkurse dhe kampionate shahu. Ishte shumë e vogël për të marrë pjesë në konkurse të tilla. Në mars të këtij viti, u regjistrua në “Kampionatin e Shahut midis shkollave 9-vjeçare të Tiranës” edhe pse ishte në kopsht. U regjistrua si konkurrente e klasës së parë. “Kisha shumë dëshirë të garoja në këtë kampionat dhe bëra shumë mirë që u regjistrova sepse në fund fitova një dhuratë të bukur”, thotë Klean kur e pyesim pse nuk duroi që të rritej edhe pak.
Na tregon se është më mirë në Matematikë sesa në Abetare, por ajo do t’i mësojë të gjitha sepse prindërit e saj mësues ia thonë këtë çdo ditë.
Po si është një ditë e Kleanës? Ajo shkon çdo mëngjes në shkollë dhe kthehet prej andej rreth orës 14.00. Pasi mbaron drekën ajo shkon të stërvitet për aktivitetet e tjera që do të bëhen për shahun. Stërvitet rreth dy orë në ditë. Pasdite çlodhet pak dhe fillon të lexojë diçka, tani së fundmi Abetaren. “Dita e diel më pëlqen shumë sepse dal me prindërit nga Liqeni. Me babin bëjmë ushtrime të ndryshme”, na thotë ajo duke shtuar më pas se babin e ka gjithmonë pranë. Babain loja e shahut me të bijën e bën të ndihet i gjallë. “Nuk ka momente më të bukura se sa të luash me fëmijën tënd dhe çdo moment ndryshon nga tjetri. Sigurisht, që edhe fitoret më pëlqejnë shumë”, thotë ai për “Shekullin” krenar, shumë krenar për të bijën. Kur e pyesim se sa i kushton atij një stërvitje si kjo që bën vajza, ai na thotë se Akademia e Shahut nuk ka kërkuar para për Klean, por ndjen nevojën për t’u mbështetur financiarisht në kampionatet që zhvillohen jashtë kufijve të shtetit shqiptar. “Klean duhet përkrahur në kampionatet ndërkombëtare sepse nuk e di sa i aftë do të jem unë të financoj udhëtimet dhe qëndrimin në një vend tjetër me standarde më të larta. Dhe Klean nuk është një fëmijë mosmirënjohës, por është një fëmijë që i mban mend të gjitha lëvizjet e veta, madje edhe ato të të tjerëve”, kështu thotë Arteni, babai i Kleanës së vogël. Dhe ajo është vërtet një vajzë mirënjohëse. Nuk harron të na thotë disa herë “Faleminderit!” gjatë bisedës.
Kur e sheh me moshatarët përpara se të fillojë turi i shahut, ajo është një fëmijë, por kur luan Klean duket si një e rritur e përgjegjshme, si dikush që mendohet mirë përpara se të hedhë hapin e radhës
Bio:
Emri: Klean Shuqja
Datëlindja: 17.01.2006
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Nxënëse e klasës së parë, në shkollën “Protagonistët”.
Aktivitete:
Klean është vetëm gjashtë vjeçe dhe ka konkurruar në disa kampionate shahu. Vetëm përpara një muaji ajo erdhi nga Sllovenia, nga Kampionati Botëror i Shahut për të Rinj, me kokën lart. Nga i gjithë grupi i shqiptarëve Klean grumbulloi më shumë pikë nga të gjithë. Ajo ka marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera si në “Kampionatin e Shahut midis shkollave 9-vjeçare të Tiranës” në mars të vitit 2012, ku edhe pse nuk ishte e ende në shkollë konkurroi duke u regjistruar si e tillë. Kaloi deri në turin e pestë, nga shtatë ture të mundshmet. Në “Kampionatin e 44 Kombëtar” në maj ajo u përmend si vajza më premtuese në fushën e shahut.

STUDIMI I INSTITUTIT TË SHËNDETIT PUBLIK(ISHP): 14 % e adoleshentëve shqiptarë, seks që 13 vjeç


Shuli i portës së hekurt lëviz me orar! Por djali që nuk është më shumë se 15 vjeç, me një zë të trashë dhe trup të hedhur, nuk duron më… “O i….(shan), këtu është burg fare, mua më presin jashtë, ky mban çelësin në xhep”.
Roja, një mesoburrë i pjekur qëndron pak më tutje, krejt heshtur dhe bën sikur nuk dëgjoi asgjë. Fundja veshët e tij janë mësuar me fjalorin e rëndë. Hedh edhe një herë sytë përqark me shpresë se e dëgjuan edhe të tjerët dhe këmbëngul në të tijën.


Ndërsa nga krahu tjetër i murit ndodhet një grup vajzash. – “Hë pra, hajde, kalo hekurat po deshe se nuk do të rrimë gjithë ditën të presim“, – i thotë njëra prej tyre djalit “të burgosur” brenda nga “kokëfortësia” e rojes që kërkon të zbatojë oraret.
Ky ishte vetëm një episod krejt i shkurtër në pak minuta që qëndrojmë në oborrin e një nga shkollave të mesme në kryeqytet.
Prindërit shqetësohen, por, tashmë, një vajzë që nis aktivitet seksual që në moshë të mitur, apo një djalë që me njërën dorë përqafon të dashurën e me tjetrën thith një cigare, janë realitet.
Sa të përhapura janë ato që quhen vese të moshës?
Kanë dalë statistika nga Instituti i Shëndetit Publik dhe situata ka tashmë edhe numra.
Vihet re një rritje e fenomenit të kryerjeve të marrëdhënieve seksuale në moshë të mitur, apo përdorimi i pijeve alkoolike, duhanit dhe i drogave të lehta. Madje, edhe në shkollat 9-vjeçare.


Për të kuptuar se çfarë ndodh në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare mjafton një “shëtitje” afër lokaleve të këtyre shkollave. Baret janë plot, duhani është i pranishëm në thuajse çdo tavolinë adoleshentësh, pasi ndryshe konsiderohesh si “jashtë mode”.
Dikush mund ta quajë emancipim, një tjetër degjenerim të rrezikshëm, ndërsa duket se logjika më e mirë është që të mendohet për zgjidhjet duke respektuar temperamentin e moshës.
“Ka një konflikt brezash mes prindërve dhe fëmijëve, pasi vetë prindërit në radhë të parë kur flasin me fëmijën e tyre duhet të ndajnë, në se po bisedojnë më një fëmijë apo me një adoleshent”,-shprehet psikologia Klodiana Turhani (Psikologe klinike dhe shkollore).
Puna si psikologe në gjimnaz e në shkolla 9-vjeçare, njohja nga afër e psikologjisë së adoleshentëve e kanë bërë që të rendisë me dhjetëra raste të problemeve që shfaqin ata dhe pasojat që kanë pasur.
I ka ndodhur të përballet me shumë probleme të adoleshentëve, që nga ato që në moshën 15 vjeç bie në dashuri dhe kërkon të martohet e deri tek ata që qajnë dhe vuajnë se prindërit nuk i japin lirinë e kërkuar, se ata vetë harrojnë se dikur kanë qenë në të njëjtën moshë. Ankthi i prindërve shqiptarë mbetet veçanërisht seksi në moshë fare të re tek fëmijët e sotëm.
E pyesim psikologen Turhani se çfarë mendim ka mbi raportet seksuale të hershme. – “Kjo varet se si i riu apo e reja e përjeton seksualitetin e vet dhe se sa dëshirë ka të eksplorojë në një marrëdhënie. Hyrja ose të pasurit marrëdhënie seksuale pa qenë i informuar ka problemet e veta. Është e rëndësishme që partneri ose partnerja me të cilin shoqërohesh, të ketë ndjenja, dëshirë dhe të përcjellë besim dhe mbi të gjitha çifti duhet t’i marrë kohë njëri-tjetrit. Vetëm kështu e shoh si proces normal.
Por kur marrëdhënia seksuale kthehet si një objekt që duhet ta konsumojë për të thënë që janë djem ose vajza me eksperiencë, atëherë lind pyetje a flasim këtu për intimitet apo thjesht për konsumim. Kjo e fundit i bën shumë dëm një adoleshenti, – thotë ajo.
Seksi nuk është i vetmi fenomen që streson prindërit e sotëm.


Konsumi i duhanit dhe i alkoolit është një tjetër shqetësim: “…Mendoj se fenomenin e alkoolit nuk duhet ta përgjithësojmë.
Mund të them që në çdo klasë të mesme kemi dy apo tre nxënës që e përfaqësojnë klasën me sjelljet e tyre. Por duhet të jemi të kujdesshëm se adoleshentët e përdorin duhanin apo alkoolin për t’i thënë të tjerëve që ne jemi rritur dhe kërkon të afirmohet dhe t’i afrohet modelit që do t’i ngjajë, – thotë psikologia.

Kontakti seksual

“Pra, ndër moshat 13-15 vjeç në vendin tonë janë gati 14 për qind nxënësve që janë të përfshirë në kontakte seksuale. Kurse në Europë lidhur me kontaktet seksuale të adoleshentëve respektive kemi një incidente që luhatet nga 12% në Sllovaki ne 61% në Groenlande).
Në përgjigje të pyetjes sonë rezulton se 14 % adoleshentë deklarojnë se kanë pasur kontakte seksuale, kemi rreth 7% të tyre që e kanë përdorur kondomin në kontaktin e fundit seksual dhe 7% të tjerë që nuk e kanë përdorur atë”.

Duhani

“Janë 24 për qind e nxënësve që kanë tymosur të paktën një herë në jetë, një shifër kjo që nuk është për t’u nënvleftësuar. E themi këtë pasi është një precedent që shumë nga ata që tymosin sikur edhe një herë, janë potencialisht kontingjent për t’iu bashkangjitur radhëve të duhanpirësve.
Shifrat vërtet nuk janë alarmante, pavarësisht një trendi në rritje të tyre, por ajo që duhet të na shqetësojë është një e vërtetë e madhe, e pranuar nga vetë fëmijët gjatë anketimit: Kemi fëmijë të moshës 11 – 15 vjeç që pinë duhan, dhe kjo është problem sa shëndetësor po aq edhe edukativ, sa familjar aq edhe shoqëror, sa aktual po aq edhe perspektiv”.

Këshilla

Çfarë duhet të bëjnë mësuesit kur ka nxënës të dashuruar në klasë?
Mos i gjykojnë ata.
Mos bisedojnë privatisht me mësuesit e tjerë rreth këtyre nxënësve
Të bëjnë sikur nuk i vënë re lëvizjet apo ngacmimet e tyre.
Të hapin shpesh tema për t’u debatuar rreth këtyre çështjeve.
E rëndësishme është t’i pranojnë ashtu siç janë.
Po prindërit si duhet të reagojnë?

Të bisedojnë shpesh me fëmijët për dashurinë dhe marrëdhëniet në çift.
Këto tema nuk duhet të konsiderohen tabu.

T’iu tregojnë fëmijëve historitë e tyre më të mira të dashurisë.
E rëndësishme është që fëmijët të kuptojnë anët pozitive të lidhjeve dashurore.
Shpesh herë gjërat nuk funksionojnë siç duam ne, probleme me veten, familjen, miqtë, shkollën apo punën. Herë flasim me dikë, herë heshtim.
Pengesat kapërcehen më lehtë nëse prindërit janë pranë!
Nëse jeni prind mund të sillni në mendje adoleshencën tuaj, apo karakteristikat e fëmijës suaj, nëse jeni adoleshent ju dini shumë gjëra për këtë moshë. Ju prindër duke u bazuar tek eksperiencat e prindërve tuaj me ju, tek ato që keni lexuar apo intuitivisht mund të keni zbatuar disa prej këshillave.

Vetë adoleshentët duhet të jenë bashkëpunues me prindërit, duhet t’i japin atyre mundësinë për t’i kuptuar dhe qëndruar pranë duke pasur parasysh se asnjë ndryshim nuk ndodh pa dëshirën e të dy palëve.
Simptomat e adoleshencës:

Ndryshimet e lehta shpirtërore.
Periudha e mbylljes në vetvete.
Mungesa e qetësisë shpirtërore.
Ndryshimi i oreksit.
Ndryshimi i orarit të gjumit.

Në këtë moshë, te të rinjtë rritet dëshira për të provuar gjëra të reja.
Në këtë periudhë, fëmija ka nevojë të vlerësohet dhe të mbështetet.
Një fëmijë, që nuk e plotëson këtë nevojë në familje, do ta gjejë këtë mbështetje të munguar në shoqëri.

STUDIMI I INSTITUTIT TË SHËNDETIT PUBLIK
SJELLJET E RREZIKSHME; PËRDORIMI I DUHANIT DHE ALKOOLIT NË FËMIJËT E MOSHËS SHKOLLORE.
“Duhanpirja është kërcënimi më i madh për shëndetin në Shqipëri”27) – theksohet në Strategjinë e Shëndetit Publik dhe Promocionit të Shëndetit, duke shpallur kështu një të vërtetë të hidhur, të përbotshme, duke demaskuar një “vrasës legal”, që shëtit lirshëm në shoqëri, si edhe duke i rënë “kambanave të alarmit” për sensibilizimin dhe mobilizimin e të gjithë shoqërisë në luftë kundër pasojave të pa riparueshme të këtij “armiku të shëndetit”.
Kështu pyetjes “a keni pirë ndonjëherë duhan në jetën tuaj (qoftë edhe një cigare)” nxënësit iu përgjigjën si më poshtë:

Nr Sa shpesh e pini duhanin? Numër %
1 Çdo ditë 34 1%
2 Disa herë në javë, jo çdo ditë 54 2%
3 Më pak se një herë në javë 117 4%
4 Nuk pi duhan 2523 91%
5 Pa përgjigje 55 2%
Kemi fëmijë të moshës 11 – 15 vjeç që pinë duhan, dhe ky është problem sa shëndetësor po aq edhe edukativ, sa familjar aq edhe shoqëror, sa aktual po aq edhe perspektiv. Për këtë arsye edhe përgjigja ndaj këtij problemi duhet të vijë nga strukturat shëndetësore dhe ato edukative, nga familja dhe nga e gjithë shoqëria, përgjigje që duhet dhënë sot, por edhe në vazhdimësi për nesër dhe përgjithmonë.

Shpeshtësia e pirjes Birrë Verë Pije me ngjyrë

Çdo ditë 69 2% 80 3% 134 5%
Çdo javë 163 6% 133 5% 135 5%
Çdo muaj 95 3% 134 5% 69 2%
Rrallë 1114 40% 1093 39% 494 18%
Kurrë 1260 45% 1239 45% 1816 65%
Pa përgjigje 82 3% 104 4% 132 5%


Nga ky këndvështrim nuk bën përjashtim as vendi ynë. Cilat janë shifrat që përfaqësojnë vendin tonë në këtë drejtim ? Pra, siç shihet nga kjo tabelë, niveli i alkolpirjes tek fëmijët e moshës
shkollore në vendin tonë është relativisht i ulët, pothuaj sa shumica e vendeve të tjera europiane që marrin pjesë në studim.
Kështu të dhënat për alkolpirjen javore luhaten në 6% për birrën, 5% për verën dhe 5% për pijet e forta me ngjyrë. Por, pavarësisht kësaj, na duhet të theksojmë se është gjithmonë e rëndësishme të parandalojmë fenomenin pa u bërë ende shqetësim shoqëror, kur ai është në fillimet e veta, dhe jo të presim e të kujtohemi për të, kur ai të jetë shtrirë në gjerësi e në thellësi. Gjykojmë të rëndësishme në këtë aspekt sqarimin e rolit dhe qëndrimit të shoqërisë kundrejt problemeve të tilla sociale tek fëmijët e moshës shkollore.

SJELLJET SEKSUALE; EKSPERIENCA E MARREDHËNIEVE SEKSUALE.


“Sjellja e shëndetshme seksuale ose mirëqenia seksuale përfshin katër fusha zhvillimi që janë :
- ndjenjat pozitive rreth trupit të dikujt
- ndjenjat e ngritjes dhe dëshirës seksuale
- përfshirja në sjellje seksuale
- dhe për ata që janë përfshirë në marrëdhënie seksuale, praktikimi i
seksit të sigurt”.
“…Të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm që, përfshirja në sjellje seksuale dhe akoma më shumë përfshirja në marrëdhënie seksuale, është një sjellje që shoqërohet me shumë dilema dhe që ka nevojë të vlerësohet e të peshohet gjatë, para se të kryhet. Dhe kjo për shumë arsye. Është një ironi e fatit që shumë vendime për veten, njerëzit detyrohen t’i marrin kur nuk e kanë pjekurinë e duhur për atë që do të bëjnë.

Kështu edhe për përfshirjen në marrëdhënien seksuale, adoleshentët piqen seksualisht dhe kanë dëshira seksuale që në moshë fare të njomë, që kur janë 12-15 vjeç.
Pra, ndër moshat 13-15 vjeç në vendin tonë gati 14% janë të përfshirë në kontakte seksuale dhe një shumicë prej 2369 nxënësish , në 2779 pyetësorë të mbledhur, që nuk e kanë provuar këtë eksperiencë.

Kurse në Europë lidhur me kontaktet seksuale të adoleshentëve respektive kemi një incidencë që luhatet nga 12% në Sllovaki ne 61% në Groenlande). Nisur nga këto të dhëna duhet patjetër të modelojmë punën tonë edukative në drejtim të krijimit të qëndrimeve pozitive dhe sjelljeve të shëndetshme për ata që përfshihen në përvoja të caktuara seksuale.
Ajo që ne këshillojmë dhe tentojmë të edukojmë tek adoleshentët është që, në pamundësi për të spostuar moshën e kontaktit të parë seksual, gjithmonë duhet të përdoren masa mbrojtëse për seks të sigurt.
Në këtë kuptim metoda më e mirë është përdorimi i kondomit apo prezervativit. Sa e njohin dhe sa e përdorin adoleshentët tanë këtë metodë?
Në përgjigje të pyetjes sonë rezulton se në 14% adoleshentë që deklarojnë se kanë pasur kontakte seksuale, kemi rreth 7% të tyre që e kanë përdorur kondomin në kontaktin e fundit seksual dhe 7% të tjerë që nuk e kanë përdorur atë.


Ndaj tentativa jonë për të rritur ndjeshmërinë e brezit të ri për mbrojtjen e shëndetit përmes seksit të sigurt duhet të jetë e vazhdueshme, duhet të përsëritet me të njëjtin intensitet dhe mbi të gjitha, duhet të jetë sa më bindëse dhe sa më shkencore. Vetëm përmes kësaj pune ne do të arrijmë të jemi të suksesshëm tek adoleshentët, duke tentuar të realizojmë ndryshimin e sjelljeve të tyre drejt sjelljeve të shëndetshme - thuhet në studimin e ISHP-së.

Entela Resuli

Misteret e dëshirës seksuale femërore


Një marrëdhënie është më e kënaqshme në moshë të re apo madhore?

Si ndikojnë ndryshimet e trupit mbi erosin?
Transformimi i jetës në shtrat në moshën 20, 30, 40, 50 dhe 60-vjeçare. Zbulimi i sekreteve të cilat nuk i njohim dhe arritja e kënaqësisë në çdo moshë.
Mendoni se seksi më i zjarrtë bëhet kur jeni të rinj dhe trupi është në periudhën e tij më të mirë?
Të dashura gra, gaboheni nëse mendoni kështu. Nëse në moshën 20-vjeçare, marrëdhënia është më pasionante, kjo nuk do të thotë se me kalimin e viteve, ajo zbehet, sepse fuqia bie dhe nuk ndihet më e njëjta kënaqësi.
Trupi në moshën 20-vjeçare
Në këtë moshë, trupi është “i përkryer”.
Cikli i menstruacioneve është stabilizuar dhe gjatë ovulimit “libido” është në maksimumin e vet: dëshira seksuale rritet falë estrogjeneve dhe androgjeneve. Në këtë moshë rritet po ashtu eksitimi dhe sekretimi, për këtë arsye, është më e lehtë të arrihet orgazma. Megjithatë mosha 20-vjeçare nuk është e lidhur domosdoshmërisht me “shpejtësinë seksuale”. Shumë vajza i kalojnë problemet që lidhen me imazhin e tyre dhe eksitimin e shpeshtë të trupit. Në vitet kur ato kërkojnë stabilitet në jetë, si në atë profesionale dhe sentimentale, seksi është më shumë eksperiment sesa shijim. Ankthi është gjithnjë i pranishëm në jetën e tyre.
Në moshën 30-vjeçare
Në këtë moshë, trupi nuk është më aq perfekt, fillon dalëngadalë ndryshimet e para.
Testosteroni, që në moshën 20-vjeçare është në nivelin maksimal, fillon gradualisht të pakësohet. Por mos u dëshpëroni. Lajmi i mirë është se në këtë moshë, numri i orgazmave shtohen. Nëse kur ishit 20 vjeçe, nuk kishit mësuar ta vlerësonit trupin tuaj, bëjeni tani dhe mos humbisni më kohë. Si pasojë, edhe seksi bëhet më argëtues: nuk keni më nevojë të bëni performanca para partnerit, apo t’i magjepsni me gjestet tuaja. Është momenti i duhur për të mos i paragjykuar më femrat e tjera dhe të përqendroheni te vetja e te nevojat tuaja. Fakti që jeni në garë me gratë e tjera nuk sjell gjë tjetër veçse pakënaqësi, dhe kjo gjë nuk është aspak e mirë për ju. Bukuria e femrave të tjera nuk ju bën ju të dukeni më pak e bukur. Mos e nënvlerësoni rininë tuaj, vetëm sepse mendoni se pjekuria është më e rëndësishme, sidomos në shtrat. Bukuria dhe rinia janë po aq të rëndësishme sa pjekuria në shtrat.
Në moshën 40-vjeçare
Nga studimet dhe sondazhet e ndryshme rezulton që në moshën 40-vjeçare, femrat duan të bëjnë më shpesh seks sesa kur janë të reja.
Por problemi është se në këtë moshë vagina fillon të humbasë elasticitetin dhe si pasojë të dobësohet. Edhe eksitimi mund të bëhet më i vështirë për t’u arritur. Por nuk ka asgjë që nuk shkon tek ju. Mund të përdoren xhelëra lubrifikues për të arritur më lehtë orgazmën. Megjithatë edhe kjo fazë e jetës ka avantazhet e saj. Femrat fitojnë më shumë siguri në vetvete dhe shumë prej tyre zbulojnë se janë me të vërtetë tërheqëse. Bëni një eksperiment: merrni një fotografi të gjyshes dhe nënës suaj kur kanë qenë sa ju: ajo që ju bie menjëherë në sy është fakti se ju jeni më të reja se ato. Kur jeni 20 vjeçe kërkoni gjithmonë vëmendjen e të tjerëve. Por sensualiteti juaj nuk duhet të bazohet vetëm mbi mendimin që të tjerët kanë për ju, por si e shihni ju veten me sytë tuaj. Seksi mund të mos jetë më aq i zjarrtë sa në fillim, por sërish ju bën të ndiheni mirë dhe ju kënaq.
Në moshën 50-vjeçare
Në këtë moshë është koha e menopauzës, edhe pse ajo mund të mos jetë shfaqur ende. Një nga problemet që sjell kjo moshë është tharja vaginale, muret e saj janë më të holla dhe më pak elastike. Bie dëshira për të bërë seks, femrat e kanë të vështirë të eksitohen, ndiejnë ankth, depresion dhe vuajnë nga humori i keq që shkaktohet nga një trup i cili vazhdon të ndryshojë (për keq). Por jo të gjitha këto shqetësime janë të pranishme te 50-vjeçaret. Shumë femra e përjetojnë mungesën e menstruacioneve si një çlirim dhe janë më të gatshme ndaj eksperimenteve seksuale. Seksi mund të jetë si vera: sa më shumë të rrijë, aq më e këndshme bëhet. Edhe me femrat ndodh e njëjta gjë: me kalimin e viteve bëhen më të mira. Për to, fakti që bëhen më egoiste në shtrat është avantazh. Nëse në moshën 20 dhe 30-vjeçare janë të gatshme të shtiren që gjoja arrijnë orgazmën për të mos lënduar partnerin, kur janë 50 vjeçe “bëjnë gjimnastikë në shtrat” jo për të vënë në lëvizje muskujt, por për të ndier kënaqësi. Kështu në këtë moshë, ndonjëra prej tyre mund të bëjë gjëra të cilat nuk ka guxuar t’i provojë kur ishte e re, sepse tani ndihet më e sigurt në vetvete. Problemi është se nuk mund të bësh seks kur ke pak vetëvlerësim.
Trupi në moshën 60-vjeçare
Disa sëmundje që lidhen me moshën janë armiket e erosit. Artriti, reumatizma, diabeti dhe pirja e disa ilaçeve mund të ndikojnë negativisht në nivelin hormonal. Megjithatë ulja e nivelit të “libidos” mund të jetë normale. Një jetë seksuale e kënaqshme nuk është e lidhur me rininë, por vazhdon të zgjasë edhe në pleqëri. Për këtë arsye është e rëndësishme të mbani në formë trupin me ushtrimet e duhura. Duhet të adaptoni një stil jetese të shëndetshëm dhe ta pranoni trupin tuaj ashtu siç është: seksi në moshën 60-vjeçare mund të jetë më i kënaqshëm se në moshën 30 dhe 40-vjeçare, falë përvojës së madhe në jetë.

Femrat me një partner për gjithë jetën, më të lumturat?


Si është të kesh vetëm një partner për të gjithë jetën? Femrat që e kanë përjetuar rrëfejnë për dobinë e martesave të virgjëra 


Rastet 
Xhulia dhe Kreg
Kur të sapomartuarit Xhulia dhe Kreg Habërd u larguan nga dasma më herët për t’u nisur në muajin e mjaltit, 200 të ftuarit e tyre e kuptonin dëshirën që i shtynte. Atëherë 24 vjeçe, Xhulia ishte e virgjër në natën e parë të martesës, 13 vjet më vonë, bashkëshorti i saj është i vetmi burrë me të cilin ajo ka shkuar.
Unë po e ruaja veten për ‘Të Duhurin’”, tregon Xhulia, tani 37 vjeçe. “Mund të mos jetë e modës, por për mua seksi është diçka speciale që nuk doja ta ndaja me këdo. Mendoj se martesa jonë është më e lumtur dhe më e fuqishme prej pritjes së fillimit. Kur e ruan veten për dikë, do ta shijosh atë marrëdhënie. Gjithashtu, fakti që Kreg priti derisa u martuam, nënkupton se ai më donte dhe më respektonte. Ne i besojmë shumë njëri-tjetrit”, tregon ajo.
Megjithatë, statistikat e fundit britanike tregojnë se gra si Xhulia, janë tepër të rralla tani, duke qenë se femrat, mesatarisht kanë katër të dashur gjatë gjithë jetës. Vetëm 24 për qind e tyre kanë fjetur vetëm me burrin dhe shumica përbëhet prej moshës pensioniste.
Ndërkohë, një anketë e bërë online ka zbuluar se dhjetë është numri që gjerësisht i referohen si ideali për të pasur partnerë seksual, si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Kalimi i këtij numri i bën njerëzi të duken si imoralë, ndërsa më pak se kaq tregon për mungesë eksperience.
Por a mund të jetë çelësi i një martese të lumtur dhurimi i plotë i vetes te një person tjetër për të gjithë jetën? Xhulia mendon se po. “Shumë prej miqve të mi të martuar po divorcohen, ndër ata që janë akoma bashkë, ne jemi më të lumturit. Mendoj se ky fakt vjen prej vendimit tim për të pasur marrëdhënie vetëm me një burrë”, rrëfen ajo.
Megjithatë, 40 për qind e femrave britanike nën të 30-at pranojnë të kenë pasur marrëdhënie vetëm për një natë me dikë. Psikiatria Paula Hall tregon se fiksimi i njerëzve për të pasur sa më shumë partnerë është i gabuar. Ajo shpjegon se sasia nuk nënkupton cilësi. Në fakt, ata që kanë marrëdhënie afatgjata kanë gjasa të jenë më eksperimentues, sepse duan ta mbajnë jetën seksuale të gjallëruar.





























Ebi dhe Kris

Ndryshe nga Xhulia, Ebi Smith nuk e mendonte kurrë se do të kishte vetëm një partner në jetë. Megjithatë kanë kaluar 14 vjet që kur ajo dhe i dashuri i saj, Kris (Chris) Smith filluan të dilnin bashkë dhe Ebi nuk ka ndërruar më partner. Ajo është tepër e lumtur që Kris është personi i vetëm me të cilin ajo ka bërë dashuri. “E njoha tepër e re dhe atëherë nuk e mendoja se Krisi do të ishte mashkulli i vetëm me të cilin do flija, me të cilin do martohesha dhe të kaloja të gjithë jetën, por gjërat ndodhën, tregon Ebi, tashmë nënë e dy fëmijëve.
Mes miqve të familjes Smith, gjendet edhe një çift tjetër, që sikurse ata filluan të dilnin bashkë në moshën 16-vjeçare kur ishin të dy të virgjër. Ata i kanë qëndruar njëri-tjetrit besnikë që atëherë. “Nuk mund të them se jeta seksuale që po përjetojmë tani është më e mira, por lidhja jonë po thellohet çdo ditë e më shumë”, tregon Ebi, që është shumë e lumtur me jetën e saj. Ideja se një ditë mund të shkojë me një burrë tjetër, e tmerron bashkëshorten e denjë britanike.





























Enxhi dhe Edson

Dy bashkëshortët Enxhi (Angie) dhe Edson Çejs (Chase) kanë 46 vjet të martuar. Kur Enxhi u martua me Edsonin në vitin 1967, tri javë pasi mbushi 18 vjeçe, atëherë ishte normë që çiftet të ishin të virgjra deri në ditën e martesës. “Kurrë nuk kemi menduar se po humbim ndonjë gjë të madhe duke pasur vetëm një partner. Ishte hera e parë për të dy ne dhe kjo më ndihmoi, pasi nuk m’u desh të mendoja se ai di më shumë se unë për seksin. Duhet të them, se hera e parë ishte e dhimbshme për mua, por ashtu sikurse vera e vjetër, edhe jeta jonë seksuale u përmirësua shumë më pas”, tregon Enxhi.
“Ne kemi pasur gjatë gjithë kohës një jetë seksuale të rregullt dhe kjo mund të jetë arsyeja përse i kemi qëndruar besnikë njëri-tjetrit. Nuk arrij t’i kuptoj çiftet që e lënë seksin t’i zhduket nga lidhja e tyre, ne të dy mendojmë se ai është shumë i rëndësishëm”, argumenton zonja Çejs.
Por pas pothuajse gjysmëshekulli me të njëjtin burrë, a nuk e ndien ajo veten sikur po humbet diçka? “Kur parukieri im më pyeti se nga e dija që burri im ishte i mirë për atë punë, iu përgjigja se po të mos ishte kështu, atëherë nuk do të rrija me të për kaq vite, rrëfen Enxhi.
Edhe Edson ndihet me fat nga ana e tij. “Nuk e kam menduar kurrë sesi do të ishte me dikë tjetër, sepse marrëdhënia me Enxhin më ka kënaqur aq sa nuk e kam pasur të nevojshme të jem me dikë tjetër”, tregon Edson.
Sot, është shumë e vështirë të gjesh çifte që kanë një jetë seksuale kaq të thjeshtë. Shumicës nuk i pëlqen të jetë në një lidhje monogame për një kohë të gjatë. Megjithatë, duket qartë se secili duhet të marrë shembull nga e shkuara, për të pasur një jetë më të lumtur.

Letër para Vetëvrasjes


Eshtë bërë e modës në vendin tonë të begatë njerëzit të vrasin veten, por para se të kryejnë aktin e fundit të jetës së tyre, disa prej tyre shkruajnë edhe nga një letër lamtumire njerëzve të tyre të afërm. Ndoshta edhe për të mos shkaktuar dyshime dhe që dikush tjetër të mund ti marrë autorësinë e veprës së tyre.
E kështu as unë nuk është se jam nisur nga ideja se kam shumë për të thënë, më tepër se nga fakti që të mos dyshohet autenticiteti i aktit tim të fundit dhe mos të ngrihen hipoteza të kota.

Po, unë do vras veten dhe këtë akt po e kryej i vetëm, me dëshirën dhe vullnetin tim të plotë.
SHKAKU I VETEVRASJES
Nuk janë borxhet. 
Nuk kam më tepër se 3-4 milionë lekë të vjetra.
Nuk janë konfliktet në çift. 
Mund të jem idiot që vret veten, por kurrë për një arsye kaq idiote.
Nuk është vetmia. 
Jam gjithmonë i rrethuar prej njerëzish dhe vuaj prej kohësh për të gjetur pak vetmi. Por as nuk kam përjetuar ndonjë zhgënjim të madh prej shoqërisë. Kush është ai idiot që i vari ndonjëherë shpresat e veta tek ndihma që do të duhej ti jepnin shokët e tij.
Nuk është karakteri i dobët. 
Dikush do të thotë se vetëm frikacakët që nuk ia mban të përballen me jetën, zgjedhin të largohen prej saj. Ju garantoj se do shumë karakter të fortë dhe guxim të marrësh jetën tënde. Dikush do thotë se egoistët ikin nga kjo botë pa menduar për të tjerët që lanë pas. Çdokush prej nesh është përgjegjës ekskluzivisht vetëm për jetën e tij.
Nuk është depresioni. 
Po e ndërmarr këtë vendim në kthjellësi të plotë e madje duke buzëqeshur mes të tjerësh, si kurdoherë.
Nuk është moda. 
Nuk e ndjek modën. Nuk jam as artist apo ndonjë personazh publik i famshëm, të cilit do ti lartësohej vepra pas vdekjes, e mes qindra fjalësh të mira.
Nuk është hakmarrje.
Edhe njeriut që do ti dhimbsesha më tepër, me shumë gjasa gjatë varrimit tim do ti shpëtonte ndonjë e qeshur dhe me siguri që kur të hanin atë drekën e zakonit, do ti mbaronin të gjitha pjatat një e nga një. Në fund të fundit jeta vazhdon. Askush nuk ka pse të shkatërrojë jetën e tij, për ikjen time, për zgjedhjen time. Lindim vetëm, pandehin se jetojmë me të tjerë e përsëri vetëm vdesim.
Po pse kam vendosur të vras veten atëherë?
T’iu them të drejtën nuk është se kam ndonjë arsye madhore që do kënaqte pikëpyetjet e ndokujt prej jush. Veçse prej vitesh kam kuptuar se kam humbur aftësinë për të ndjerë, për të përjetuar, për të reaguar, për të nxjerrë dhëmbët, duke u rrjeshtuar kështu në ushtrinë e miliona njerëzve që jetojnë inercisht dhe pse s’ndjehen të gjallë prej vitesh. Kjo është pikërisht edhe arsyeja pse si metodë vetëvrasjeje kam zgjedhur të hidhem nga kati i 9-të. Më kujtohet se kur isha i vogël dhe hidhesha prej lartësive të mëdha direkt e në ujë, trupin ma përshkruanin disa emocione që më kanë munguar gjatë gjithë jetës. Dakord, dikush mund të thoshte se këtë emocion mund ta riprovosh duke u hedhur përsëri në ujë e jo direkt e në beton, por ja që poshtë pallatit tim nuk ka asnjë pishinë.
Padyshim që nuk duket ndonjë arsye e fortë dhe ju paralajmërova që në fillim, por më thoni ju tani një arsye të fortë pse u dashka jetuar jeta?!
- Pse çdo vit në vendin tonë vrasin veten qindra njerëz, të rinj e të reja, burra në moshë madhore e gra me fëmijë?
- Pse askush prej nesh nuk ndodhet pranë tyre në çastin kur ata vendosin për aktin e vetëflijimit?
- Sa prej nesh, me ose pa vullnetin e tyre, ua kanë zbrazur jetën rregullisht këtyre fatkeqëve?
- Sa prej nesh i kanë tallur, j’ua kanë vrarë ëndrrat duke ua nxirë parreshtur jetën?
- Sa njerëz të tjerë si ne do duhet të vrasin veten, derisa ne të zgjohemi e të shikojmë në sy njëri-tjetrin?
- Sa të tjerë si ne duhet të zgjedhin këtë rrugë, derisa ne të kthehemi dhe ti japim një dorë njëri-tjetrit?
Për këtë jetë nuk mund të jemi të gjithë të zotë, apo fatlum për të jetuar mes luksit të pafund, por për dinjitet kemi të gjithë nevojë dhe ky dinjitet nuk kushton asnjë qindarkë nga portofoli juaj.
E mbani mend kur ishim fëmijë dhe luanim me njëri-tjetrin?
Ne jemi po ata fëmijë, por kemi harruar të luajmë, kemi harruar të jemi bashkë. Kemi harruar ta duam njëri-tjetrin.
Dhe unë për herë të parë në jetën tim dua të jem unë ai që vendos për të, sipas mënyrës time, duke shpresuar që dikush që do ta lexojë letrën time, nesër do të gjejë një ambjent më miqësor, një arsye më tepër për ta dashur jetën e për t’iu gëzuar agimeve.
Por ama edhe unë…
Kjo ishte letra e papërfunduar, e gjetur e zhubrosur në xhepin e xhaketës së një zotërie, i cili u gjend shtrirë në lulishten e një lokali, ku pas të shtënave mes dy grupesh rivale, u qëllua aksidentalisht nga një plumb qorr dhe ndërroi jetë, dje pasdite…

Shkroi: Stop Injorancës !

Amarildo Pregapuca- Stacioni

Nuk e di në ju ka qëlluar të shikoni një palë sy shumë ndryshe, të vendosur në një fytyrë çuditërisht të njohur, të  një njeriu krejtësisht të panjohur!

Një fytyrë që ndoshta e ke vizatur vetë në imagjinatën tënde, ose e ke parë në një jetë tjetër diku. Ose më thjeshtë akoma,  mund të jetë një përputhje perfekte e asaj çfarë shqisat e tua kanë përllogaritur si etalon dhe ia paraqesin këtë trurit, tashmë si komandë dhe kështu krijohet një si fushë magnetike e pa rezistueshme.
Dhe nuk mund ta përshkruash si më të bukurën fytyrë,  megjithëse përgjithësisht kështu e përshkruajmë, gabimisht. Eshtë një farë diçkaje që e kërkonit pa ditur se ju mungonte, por kur e gjeni  nuk keni as më të voglin dyshim që është pikërisht ajo … Ajo cfarë? As kësaj pyetje nuk e besoj ti jepni përgjigje.
Ishte Qershori i vitit 1986..
Kapëm, disi pa humor, trenin në Sukth, një qytezë afër Durrësit,  pasi arsyeja e këtij udhëtimi ishte një dështim më vete. Unë dhe një shoku im po ecnim përgjatë vagonit të parë pa e ditur përse-në, pasi ai ishte pothuajse bosh dhe mund të uleshim ku të donim.  Jo shumë veprime kanë arsyetim dhe një nga këta, ishte edhe ky. Shoku  im po vazhdonte përpara dhe unë disi në distancë, më prapa, sapo u futa në vagonin e tretë, në fund të tij, pashë pikërisht atë që përshkrova pak më lart. Ata sy, atë buzëqeshje, atë që nuk e di se ç’është dhe nuk mundem  e as që dua ta di. Di vetëm që doja ti ndjeja pranë ata sy. Doja ti ti shikoja nga shumë afër, ti shijoja. Dhe s’mund të them se kishte ndonjë përkufizim të caktuar ajo fjala “shijim”. Ndoshta të përzjerë me ngrohtësinë e frymëmarrjes, apo me aromën e trupit.  Ose thjeshtë për të matur thellësine e tyre, teksa më vështronin…
Nuk pata mëdyshje, asnjë mëdyshje e  çuditërisht as emocione. Isha shumë i qartë sa kurrë më, sidomos sidomos kur bëhet fjalë për një femër.  Ato 7-8 metrat e fundit deri afër saj, patëm një shkëmbim shikimesh, te cilin se përcaktoj dot sa zgjati, por ishte i mjaftueshëm për të më thënë që e njihja mire, kisha një jetë që e njihja. E kisha humbur diku në këtë apo atë botë dhe ja ku e gjeta . Po më priste në atë fund vagoni në shoqërine e një grupi prej 12 vetash. Se di përse në ato çaste m’u krijua ideja, që edhe po të shkoja e ta puthja direct atë femër të panjohur, me ata sy dhe atë veshtrim shumë të njohur, pa shkëmbyer asnjëfjalë, apo përshëndetje, ky do të ishte veprimi i duhur, ose ai që pritej e duhej të ndodhte. Ai  veprim që ajo kishte kohë që e priste. Megjithatë nuk ishte ky veprimi që bera, por ishte pikërisht mbështetja në anen tjetër të derës së fundit të vagonit, nga ku qëndronte ajo edhe njerëzit me të.
Pra, siç e thamë, ishte viti 1986 dhe komunikimi me një vajzë kërkonte etiketën dhe mënyrën e duhur. Kërkonte hapësiren e duhur , që s’ishte e lehtë të kapërcehej si pasojë e shumë e shumë pengesave. Ndër to, së pari morali, i cili kishte një përkufizim të papërkufizueshëm. Ishte njëfarë përgjegjësie ndjenje apo pozicioni ndaj shoqërisë, familjes. Së dyti, mentaliteti i trashëguar. Së treti  edhe paragjykimi i njerëzve kur shikonin një vajzë të fliste me një teë panjohur. Veç kësaj edhe ai grup aq i huaj për mua, ishte një tjetër barrier dhe besoj se të gjithë e dini se ç’po them.
Pa një pa dy u bëra pjesëtar i bisedës së grupit, pa m’u kujtuar as se si  e se qysh dhe s’kishte rëndësi  ky detajsepse asgjë në fakt s’kishte rëndësi, përveç se shkurtimit të distancës së stërgjatë nga njeri krah i derës në krahun tjetër..Mes nesh ishin të paktën 4-vetë të vendosur në mënyrën më të papërshtatshme për afrimin tim drejt saj, ose të pasjes së asaj linje të lirë, ku mund të hasesha natyrshëm me vështrimin e saj. Doja ta kapërceja atë distancë, sa më shpejt . Nuk kisha kohë dhe nuk doja ti jepja kohë aspak . Nxitoja! Gjithçka ishte e elektrizuar; unë, ambjenti  ndoshta edhe vetë treni apo hapësira që ai përshkruante me atë shpejtesi.
Biseda shumë shpejt mbyllej me të qeshura dhe siç arrita të kuptoj, kisha ndikuar edhe unë aty. Këtë e vura re, pasi për pak kohë isha si në qendër  të vëmendjes, gjë që më pengonte më shume sesa më ndihmonte.
Emri i saj ishte Mirela.
Dhe pasi e dëgjova ti therrisnin kështu, mendova që ishte emri i përshtatshëm. Ishte ai që unë kisha në mend për të. Ç’po flas?! Më mirë të themi, unë s’kisha as edhe një emër në mendje për të në fakt, por kisha një lloj vije melodike, një diçka që duhet të rridhte këndshëm dhe të bashkëngjitej në fund me zërin dhe figurën e saj..Dhe për mua kjo u arrit, pa asnjë stonim.
Supet tona më në fund u bashkuan nga tronditja e trenit. Një përplasje e butë e ëmbë! Jo jo, aspak e ëmbël, therëse, torturuese, elektrizuese, sa më pengonte të merrja frymëlirisht dhe një lloj dridhje tek gjunjët u bë shqetësuese dhe filloi të më shpërndahej pa një pa dy tek të gjitha gjymtyrët. Në fund më kapi edhe nofullat, kordën e zërit..S’kishte si bëhej më keq!
Tani bisedat dhe të qeshurat nuk po mundesha më ti deshifroja. Kishin marrë formën e një murmëritje, të përzierë me mjaullitje,  të cilat besoj ishin ato të cilat pak kohë përpara, quheshin të qeshura!
Po kërkoja të mblidhja veten, të merrja frymë thellë dhe të qetësoja si fillim frymëmarrjen. Këtë më thoshte një pjesë e mendjes dhe s’jam i sigurt se cila pjesë, pasi tjetra ishte e fokusuar tek supi. Ajo pjesa tjetër e asaj, që do ta quaja mendim, po llogarsite kohëzgjatjen e takimit të supeve gjatë tronditjes së trenit dhe ishte aq e preokupuar në këtë ekuacion tronditje-prekje, sa nuk kishte forcë të bënte ushtrimin më elementar, atë të frymëmarrjes së rregullt. Ushtrim ky që daton që në fëmijërinë e hershme, si tek çdo qënie besoj.
Esht ë shumë i çuditshëm njeriu, lexon, mëson, edukohet, por kurrë asnjëra nga këto nuk mund të na shpjegojë ose drejtojë në gjërat më të rëndësishme të jetës. Të gjitha këto në fakt janë një garniturë e nevojshme, por jo më thelbësorja.
Nuk e di nëse ju ka qëlluar rasti të përjetoni formulën tronditje-prekje, në tren, autobus apo ku e di unë se ku. Nëse jo , mund t’iu them që më vjen keq, por nuk mund t’iu them ta provoni, sepse nuk është me të thënë, është me moment… Eshtë një lloj përllogaritje e kohës së prekjes pas një tronditje. Eshtënjë përllogaritje matematikore që mund ta bësh edhe pa pasur idenë se ç’është matematika dhe numrat.
Siç e dime, çdo tronditje na jep një lloj lëkundjeje dhe kjo lëkundje ka një distancë dhe kohë të caktuar që të risjell në pozicionin fillestar. Pra, duket  thjesht distancë-kohëzgjatje. Kjo është e tëra…
Por në fakt është më shumëse kaq, shumë më shumë.
Tani takap-tukap-i i trenit mbi shina kishte marrë një tjetër emër, quhej ritëm, ose më saktë një sfond muzikor në atë lojë nervash, emocionesh, kalkulimesh fëminore, sa të pavlera në një kohë dhe vend tjetër.
Isha mëse i përqëndruar pikërisht në atë kohëzgjatje-prekjesh dhe kur mendon që ishte vetëm një prekje supi dhe asgjë më shumë, të duket idiotizem qoftë edhe ideja e përshkrimit të tij. Por jo në atë çast. Nuk kaloi shumë kohë dhe supi i saj e rriti ndjeshëm prekjen me supin tim, po gjithashtu dhe kohë-qëndrimin pas tronditjes. Pra diçka kishte humbur në ritmin e tronditjes së trenit dhe ishte krijuar një ritëm tjetër, ritmi ynë.
Nëse s’do të ishim në këmbë të mbështetur pas një anë të derës, do të medoja që po dremiste, ose ose mendja e saj kishte humbur diku, shumë larg atij nga treni. Dhe pikërisht këtë doja të dija, kishte humbur diku, apo kishte nevojë si edhe unë për atë prekje? Kishte edhe ajo atë ndjenjë të çmendur që kap njeriun që do të penetrojë brenda lëkurës së tjetrit, ose më saktë, brenda tjetrit, diku në shpirt.
Për  të vërtetuar këtë, fillova të largohem nga pak dhe s’di të them me milimetra apo centimetra, por rezultati gjithmonë ishte nëfavorin tim, ose tonin, në mund ta quaj kështu.
Më kapi një ide e çmendur dhe doja ta puthja. Aty në atë çast, por ngeli vetëm ide.
Treni tashmë kishte ndaluar dhe ne respektuam gati çdo njeri, duke i lejuar atyre të zbrisnin para nesh, perveç dy shoqeve të saj, që tashmë e panë të arsyeshme që duhet edhe ti fusnin krahun Mirelës, pavarësisht se nuk ishte i përshtatshëm as vendi dhe as hapësira..
Më përshëndetën dhe u larguan.
E gjitha që munda të bëja në ato momente ishte ti urreja ato shoqet e saj, një nga një dhe së bashku. Këtë mendova dhe fillova të qeshja me vete.
Jashtë në platformë po më priste shoku im, natyrisht i mërzitur ngaqë unë e lashë vetëm, apo nga ajo rrugë e gjatë, e lodhshme dhe shumë e pa vlerë, për të natyrisht!
I thashë shkurt se më duhej të ikja diku dhe ishte hera e parë që “diku-ja” s’kishte shpjegime të hollësishme dhe as kërkës për shoqërim. U shtang natyrisht dhe pamja e dëshpëruar e pak momenteve më parë mori pamjen e habitur dhe 100-pyetjeve që i erdhën në mend në atë moment nuk i dhashëmundësinë të merrnin as më të voglën përgjigje.
Ajo tashmë ishte larguar dhe e pashë tek po dilte nga dalja e stacionit të trenit, e rrethuar, në fakt  e arrestuar do të ishte fjala e saktë, nga dy shoqet e saj. M’u desh të përshpejtoja hapat deri nëvrapim, nga frika se do ta humbja.
Ku po shkoja? Përse?
Tek sa e shikoja nga distanca duke qeshur dhe ecur me një ritëm prej të vonuare dhe duke mos kthyer kokën më as majtas, as djathtas, më dha idenë që gjithë ç’ kisha përjetuar në atë udhëtim, ishte një nga ato shakatë që truri bën me njeriun ndonjëherë për ti gjeneruar pak adrenalinë të nevojshme.
Megjithatë isha i vendosur ta ndiqja, qoftë edhe këto mendime që më vinin në mendje ishin shumë më mirë se pa mendime. Të paktën kështu mendoja dhe kështu mendoj.
Pra edhe nëse mendimet janë torturuese, në shume raste janë shumë m ëmire se pa to. Pa ato në fakt, është një humbëtirë dhe çuditem se si ka qenie që preferojnë atë lloj humbëtire duke gjoja kursyer veten nga dhimbjet… Nëse kursehemi nga dhimbjet, në fakt s’kemi bërë gjë tjetër, vetëm se kemi vënë një mur ndaj gëzimeve, shijimit të momenteve, çasteve që lënë gjurmë, qëna bëjnë ne ata që jemi. Tashmë kishim arritur pranë stadiumit “Dinamo”, ku ndodheshin disa pallate me tulla të kuqe rreth 4-katëshe dhe natyrish po i vinte fundi edhe shpresave të mia. Ato “shoqet” mund të ishin edhe motrat, apo kushërirat.
Si ti përshkruaj këto lloj “shoqesh”?
Janë ca si pilivesa që “të mbrojne” dhe të duan të “mirën”. Por në fakt gjithmonë më kanë dhënë përshtypjen e atyre njerëzve, që nuk kanë një jetë të tyren. Jeta e tyre është jeta e të tjerëve dhe e mbushur me historira dhe ngjarje nga jeta e të tjerëve  dhe nese nuk e dini për ç’po flas, jeni ju ata.
Pallati në të cilën morën kthesën i kishte hyrjet nga përpara dhe kur arrita atje, pasi isha në distancë, nuk munda dot me te merrja vesh se cila nga këto hyrje ishte e saj, apo e tyre.
Pranë ndodhej një kinkaleri dhe në kinkaleri ndosheshin cigaret, aq të dëshirueshme në ato çaste.Teksa po kërkoja për para në xhepat e mi, të mësuar dhe tërregjur me mospatje parash, çuditerisht gjeta një 5-leksh që ishte fshehur për fatin tim të mire, lart mbi xhep. Mund të them pa frikë, që më trembi, sepse kurrë nuk mendoja se mund te isha në ato caste, një pronar legjitim i një 5-lekshi.
Kështu fillova ti lutem shitësit që të mi bënte cigare të hapura, por ai bënte sikur ishte e pamundur që ta bënte dicka të tillë dhe natyrisht m’u desh të luaj lojen e tij, lutju, mundohu ta bësh për të qeshur, komplimentoje..Eh, isha përkulur tashmë dhe po i flisja nga ajo dritare e stërvogël në të cilën shisnin dhe dëgjova zërin e një gruaje nga pas, që tha:
-O djalë, mund të më lëshosh rrugën të mar nëna një paketë, se më duhet të iki në spital?
Në këtë kohë, më  në fund edhe “kështjella” e shitësit ra,  dhe ai më kishte futur në dorë, 5-cigaret “Partizan”. E falenderova dhe lëviza, që ti lëroj vendin nënës që kisha në krahë dhe padashje shkela njërin në këmbë..
-Më fal i thashë, duke kthyer kokën.
Ishte ajo.
U shtanga. 5 cigaret “Partizan” tani u rënduan dhe u bënë plumb. Nuk kisha si ti fshihja dhe me to nuk kisha si të fshihja mesazhin e tyre të qartë mbi gjendjen time financiare. Ndjeva që u skuqa në fakt.
E kisha shumë afër dhe përballë. Buzëqeshi pak. Buzëqeshje që se deshifrova dot nëse ishte për mirësjellje, për mëshirë, apo sepse isha skuqur. Një sfidë më kapi që dilte mbi llogjikën dhe i thashë:
-Do më pëlqente të bisedoja me ty dhe se di në është mundësia…
-Nuk është – më tha ajo dhe mori një pamje serioze.
-Atëherë, vazhdova –  shtëpia ime ndodhet (dhe nuk ishte e vështirë t’a pëshkruja. Jetoja në një pallat pranë një shkollë, në hyrjen e parë, në katin e fundit dhe kur hipje, dera majtas)
-Do doja shumë të vije dhe të pres rreth orës 10-të. (Orë, në të cilën isha i sigurt që shtëpia ishte e tëra e imja)Arsyeja që po të lë orë, është sepse do të pres deri në 10:15 dhe pas kësaj e di që është e kotë.
(Që të sqarohemi. Një kërkesë e tillë nuk ishte aspak normale dhe në fakt ishte e parealizueshme sepse në vitin 1986 ishte thjeshtë e parealizushme, sa edhe kërkesa për një Ipad që s’ishte shpikur akoma).
Se di nëse dëgjoi apo bëri sikur nuk e dëgjoj. Ajo bleu diçka dhe u largua pa më përshëndetur. Nuk e ndoqa më me sy, vetëm i kërkova shitësit edhe një shkrepse sa ta ndizja një nga cigaret që kishte marrë pak lagështi, nga djersa e e sikletit tim. Pasi e ndeza vazhdova rrugën për në shtëpi. Isha i kënaqur me veten për sa kisha thënë, për mënyren se si e kisha thënë. K jo sepse për mua ishte nje farë justifikimi i asaj se përse ajo nuk do të vinte dhe njëkohësisht i asaj se përse unë nuk duhet të prisja.
Eshtë i çuditshëm njeriu dhe shpresa!
E keni vënë re që edhe nëse s’keni vënë asnjë numër llotarie, përsëri keni një emocion a shpresë se do ta fitoni ju lotarinë, kur numrat e saj fillojnë e shfaqen në ekran?
Ponçi ka qenë një pije interesante në ate kohë, sepse vinte si i ëmbël dhe të linte një shije paksa moderne në gojë duke i lënë rradhën alkoolit të vinte natyrshëm dhe të të merrte mendjen. Por përsëri mund të them që edhe dehjen e kishte sensual, deri sa nëse e tejkaloje, mund të thoje me tërë kuptimin e fjalës që të përdhunonte. Të krijonte një gjendje që luteshe mos ta kishe takuar në jetë të jetëve.
Hapa shishen dhe nuk e di se si ajo shishe e pa hapur qëndronte në bufenë tonë dhe as sa kohë kishte atje. Hodha në një gotë një sasi të mjaftueshme për të bërë kombinimin estetik ponç-madhësi gote dhe vendosa të tallem pak me vetveten. Filloja ta pija fiks kur akrepat kapnin 10-tën. Pra, për çudinë time unë ndodhesha në shtëpi të nesërmen e asaj dite, për të përjetuar ankthin e pritjes.
Nuk duhet në fakt të qahemi shumë nga ky ankth. E di që është i padurueshem, por mendoj që të gjithë kështu themi, por ama e durojmë me guxim.
Në orën 10:15 fiks, dëgjova hapa në shkallë. S’po u besoja veshëve. Hapat u bënë më të afërta dhe arritën në sheshpushimin tim. Prisja trokitjen e derës dhe ajo erdhi, por jo tek dera ime.
Kafe a diçka u kërkua nga një komshie. Dera m’u duk sikur u mbyll dhe imja ra. Nuk kisha kafe, por edhe sikur të kisha edhe për ta hedhur, nuk do ti jepja as edhe një kokërr. dera ra sërisht edhe më fort. U çova dhe dola me qëllim të tallesha pak, duke qenë se s’po më mbanin më nervat në atë monolog të gjatë.
Hap derën dhe shoh Mirelën…
Nuk e mbaj mend në fola, por di që ajo kaloi para meje, u fut brenda, e drejtova tek dera e dhomës që ishte e hapur dhe vura duart në fytyrë për të mbledhur veten për disa hapa rrjesht. Ndjeva duart e saj rreth meje dhe koka e saj më ata flokë të mëndafshtë qëu mbeshtet tek unë ,po i merrte erë qafes time.
Pastaj..?
Di të them që kishte forma të rrumbullakosora. Vetëm kaq di të them për të. Pjesa tjetër ishte fytyra e saj, syte e saj , frymëmarrja e saj e rënduar me atë gojë të mrekullueshme që doja edhe t’ia puthja edhe t’ia shikoja njëkohësisht. Gjithçka pas kësaj ishin momente të fotografuara në mënyrë perfekte në celuloidin e trurit tim. Djersët që i rridhnin fytyrës, fjokët e djersitur që formonin një korrnizë të pashpjegueshme që smund të ndahej nëse ishin kornzia apo edhe piktura.
Tentativa për tu futur tërësisht tek njëri-tjeri, për t’u bërëtamam një trup, nuk po funksiononte, por kjo nuk do të thoshte aspak që ne po dorëzoheshim. Nuk e di sa kohë kaluam ashtu. Nuk kishim folur, ndoshta asnjë fjalë. Dera trokiti. Pas saj dëgjova zërin e mamasë tek po fliste me tim atë.
U shtanga, se në fakt ata duhet të vinin në shtëpi jo para orës 4. Por ora tregonte 4-20 minuta.
Mirela më kishte ngulur shikimin e saj , dukej e tmerruar dhe mëshikonte sa mua edhe orën dhe dorën e kishte vënë tek goja e saj e rrumbullakosur nga habia.
-Mos u shqetëso, i pëshpërita, një minutë.
Rrugën nga dhoma tek dera e shoqëruan të bërtiturat nga jashtë dhe trokitjet akoma më të rënda të derës, që ishin kthyer tashmë në goditje.
U vesha përgjatë asaj rruge,  hapa derën paksa dhe iu luta me pëshpërimë që të shonin diku, pasi isha duke bërë diçka.
-Cfarë po bën? -tha mamaja me një ton të egërsuar dhe kërkonte të shtynte derën. Une vura gishtin treguez tek buzët si për t’i thënë që të ulte tonin, por që çuditërisht e nxiti për të kundërtën.
-Po të pyes çfarë po bën. Vijmë të lodhur nga puna dhe lëri filmat, por na lër të kalojmë-vazhdoj ajo.
-Ejani pas një apo dy orësh- i thashë unë me një ton tashmë shumë të prerë. (S’e kishin dëgjuar ndoshta kurrë nga dikush dhe më jo nga unë, në shtëpinë e tyre).
Babai më pa dhe i tha mamasë: -Eja të vemi diku, është shumë vapë. Po më pihet një birrë apo dçka dhe po më hahet shumë. S’kam nerva për të pritur për gatim.
Lanë çantat dhe vështrimin kërcënues të mamasë dhe zbritën shkallët.
U mbështeta pas derës dhe mora frymë thellë. Kur shkova në dhomë ajo s’ishte aty dhe dëgjova ujin në banjë të bënte zhurmën e zakonshme që bën, kur dikush lahet.
U shtriva në divan dhe s’po i besoja asgjëje që kishte ndodhur në këtë ditë të çmendur, teksa sytë i kisha mbërthyer tek ngjyra e bukur e ponçit të pa pirë. Dera e banjos u hap dhe unë u ngrita të freskohesha. U takuam në korridorin e errët mes dy ambjenteve. Më hodhi krahët përsëri dhe përsëri mbështetin kokën tek gjoksi im, tashmë i zhveshur. Pastaj ngriti kokën dhe mbështeti faqen e saj në timen dhe se di sa qëndruam ashtu. Më kishte mbërthyer në një farë mase, më kishte pushtuar, ashtu si donte ajo dhe ndjehesha shumë mire. Mund të rrija ashtu për shumë kohë , për gjithë kohën ndoshta. Këtë po mendoja kur ndjeva nxehtësi në faqe dhe më pas në gjoks. Pastaj ndjeva gjoksin e saj dhe frymëmarrjen e ç’rregullt dhe e mora me mend që po qante.
E largova pak nga vetja dhe fillova ta puthja në faqe dhe kudo, kudo , kudo…
-Martohem këtë të dielë, – më tha dhe largohem nga Shqipëria.
Ula duart dhe u mbështeta në murin e korridorit. Dera u hap dhe flokët e saj i mori një puhizë e lehtë që u shkatërrua nga rryma e ajrit. Dera u mbyll dhe hapat u dëgjuan teksa zbrisnin shkallët dhe çuditërisht tingëllonin më të forta, sa më larg shkonin.
Si mundet? Si mundet? Çfarë ishte kjo që ndodhi?
Shëtita për shumë kohë nga stadiumi “Dinamo” edhe paketën m’u bë ves ta bleja atje për shumë kohë , pavarësisht se ishte rreth 30-40 minuta nga shtepia ime.
Londër  1995
Puna me Xhawat,(emri i pronarit – ky me origjinë nga Irani) ishte e rëndë dhe ai paguante shumë shumë pak. Kisha një ide të qartë në kokë, por më duhej vetëm të mesoja se si funksiononte ky mut vendi dhe kjo me qetesonte.
Rruga për në punë ishte shumëe gjatë. Më duhej të ndërroja dy trena për të shkuar atje ku jetoja.
Sapo kishim mbaruar një freksion të njëmakine, na kishte marrë shpirtin duke e hequr, pasi ishte djegur plotësisht dhe pluhuri i zi i ferrotës sësaj m’i kishte nxirë duar e rroba dhe është një lloj pluhuri që të futet në pore dhe nuk është e lehteë t’a largosh. Kështu që vendosa të lahesha kur të mbërrija në banesë.
“Sa do të më duhej ta mësoja këtë dreq anglishteje dhe për sa kohë do të më duhet të punoj për këtë fytyrë të qelbur”.
Këto ishin mendimet që më zaptonin kokën gati gjatë të gjithë kohës dhe pikërisht me këto mendime isha teksa po prisja trenin në platformen e stacionit të “Golders Green”.
Treni erdhi pa një pa dy. U futa i kërrusur nga lodhja dhe mërzia dhe doja të gjeja një vend të qetë, ku të filloja të këndoja në formë mërmëritje ndonjë nga këngët e adoleshencës dhe ta mbysja zhurmën e neveritshme të trenit. Teksa po ecja në kërkim të kësaj “qosheje” pashë atë ngritje floku dhe ata flokë.  Nuk ishin nën kornizën e derës së shtëpisë sime, por ishin aty,  ulur në një nga sedilet e 4-vendesheje.
Se di në u nxitova apo e mora me ngadalë, por u ula pikërisht përballë saj.
Jo. S’ishte ajo, por ishte vërtet një femër e bukur. Shumë e bukur. Sa për ti ngjajtur asaj. Se unë doja që ajo të ngjante pak me të.
Më buzëqeshi dhe i buzëqesha. Natyrisht buzëqeshja e saj ishte më e mirë se qëndrimi në një cep dhe këndimi i atyre këngëve të stërkënduara me veten.
Ajo rrinte-rrinte, më shikonte dhe buzëqeshte me një shikim shumë miqësor.  Të jepte përshtypjen e një femre inteligjente dhe sensual, çka e bënte akoma më seski . Nuk dija se ç’ti thoja për t’u futur në bisedë, për  ti  dëgjuar zërin a diçka. Në një farë mase më kishte intriguar si karakter, por përtoja të mendoja, kështu që vetëm e sodisja, natyrisht pa e shqetësuar dhe buzëqeshjet e saj gjithmonë që hasnin vështrimin tim nuk mungonin.
Më në fund erdhi stacioni i saj. Ajo u çua, më buzëqeshi përsëri dhe në këtë çast vendosa ti flas.
-Nëse do, mund të më japësh numrin e telefonit – i thashë dhe mund të pijmë një kafe ndonjë ditë…
-Një herë tjetër – më tha dhe u largua.
Pas saj vinte stacioni im dhe më në fund arrita në banesë. Më kishte lënë një shije të mirë shumë ajo, pasi më kishte risjellë në kujtesë një përjetim emocionues dhe teksa ngjisja shkallët që më çonin tek dhoma ime pyeta veten në do doja ta takoja përsëri Mirelën…
Çuditërisht përgjigja ishte :Jo kurrë më, le të ngelet e bukur, e largët. Hapa derën , ndeza dritën dhe u mbështeta tek lavamani , në pasyrën e tij, në cep, kisha foton e vetme të vajzes…
Kur u hasa me pasqyrën,fillova të qeshja. Qesha me të madhe. Në fakt u shtriva duke qeshur..
Fytyra ime ishte një objekt i zi, tërësisht e zezë dhe vetëm sytë dalloheshin si në një maskë tmerri..!

Sazan Guri- Lindje e Krishtit, apo lindje e vitit?

Dihet që njeriut prej kohësh i është dashur të orientohet me ditët e caktuara të vitit apo të motmoteve, apo me fillimin e hënëzës së plotë e atë të mangët deri në atë të ndikimeve të planetëve. Ndaj dhe më parë se të ndërtonte marrëveshjet njerëzore me motet, kohën, muajt, javën, ditën etj., ai studioi për mijëvjeçarë sistemin tonë diellor dhe jo vetëm, për ata që besojnë në evoluimin shkencor, por ndoshta dhe i erdhi për pak vite, i gatshëm nga njerëz jotokësorë për ata që besojnë te UFO-t. 

Rezultantja ishte se njeriu qysh në vitet 4500 para Krishtit kishte një sistem matës të kohës tepër të saktë, e quajtur ndryshe kalendar, ku viti ndahej në 12 muaj, muaji në javë me 7 ditë 24-orëshe, ku gjithçka përcaktohej perfekt në kohë e në hapësirë dhe në emërtime, sikundër pothuaj ashtu si thirren edhe sot. Kësisoj, u përcaktuan planetët dhe jo pak, 11 prej tyre, dhe të 12-tin e kanë lënë të nënkuptohej, ku shkenca po rreket aq shumë sot. Pse 12 planetë shëtitës rreth diellit ose anëtarë të sistemit tonë diellor, pse 12 muaj, pse 12 orë, pse 12 shenja të zodiakut, pse 12 anëtarë të familjes magjike të Krishtit, pse 12 dishepuj të Muhametit, pse duzinë kompletesh, pse ky numër 12 magjik, dhe 13 numër ters? 
Kjo kërkon shpjegimin e saj sa mistik, sa shkencor, sa fetar, por, mbi të gjitha, kërkon nge tjetër. Sikundër dhe shtata, që përbën një numër tjetër magjik, si shtatë mrekulli, çerek cikli hënor, shtatë ditë jave, ku njeriu i atëhershëm iu gjeti dhe emrat përkatës për nder të planetëve, që ndikonin në jetën e përditshme, si dhe në shëndetin mjedisor dhe atë njerëzor. Si për çudi, ky dokumentim i parë, na vjen sot sipas dy mënyrave. Ose sipas shkrimeve të tipit kujiniform nëpër gurët e lënë si testament nga Shumerët e Babilonisë, ose sipas gjuhës së kënduar në mijëvjeçarë të shqipes.
Dihet se ditët e javës kanë pas filluar me atë të më të madhit të të mëdhenjve, pra ati i tyne, ose Shën ati i tyne–Saturni-e shtuna, për të kaluar te mishërimi i planetit qendër, i Diellit–e diela, kollaj fare kuptohet Hëna-e hëna, sepse shqip personifikon diçka që hahet, Marsi–e marta, sepse shqip personifikon një planet me shtrëngata, pra, është i marrë, Merkuri–e mërkurë, Jupiteri – e enjte, Venera për vendra (e bukur si Venera, Shën e vertë) më vonë e premta.
Pra, është i vetmi popull që i thërret ata, një pas një, si 6500 vjet më parë, kur kombet e tjera përreth e anembanë i thërrasin ditët e javës sipas numrave rreshtorë. Por jo vetëm kaq. Edhe muajt, ky popull i ka pas thirrur me emër, sikundër edhe sot, si p.sh. shkurt, sepse është i shkurtër, prill sepse hapet dita, maj sepse është muaj i madh ditë dritë, qershor sepse lidhet me vjeljen e qershisë, korrik sepse korr drithëra, gushti-zagushi, gunë, ngushtohet dita-ngushtë, vjeshta e parë, e dytë e tretë ose vjelja e parë, e dytë e tretë-shtator, tetor, nëntori. Pra, kjo na bën të mendojmë se ky popull ka pas qenë i orientuar me kalendar qysh në kohët e para lashtësisë. Ndërkohë që popujt e tjerë, si egjiptianët, më vonë grekët, e më vonë latinët, kujtonin se secili nga ata, mbasi e “vidhte” kalendarin nga gojëdhënat dhe nga ato shkrime të mbijetuara, e bënin si të tyren. P.sh., egjiptianët e matnin me kohën e ndërtimeve të mumieve për personifikimin e përjetshëm të faraonëve (kujdes – fara jonë), grekët e matnin me lojërat e para olimpike të tyre të kryera në Spartë më 780 para Krishtit. Romakët i matnin datat me pushtimet e Cezarit, por të gjithë së bashku, në kalkulimet e tyre, kishin në mendje ato të Shumerëve, që janë ruajtur, mot a mo, në malet Pindus dhe në bjeshkët e Veriut-Gegënisë (popuj mbetës të pellazgëve të rrudhur apo të shtrydhur). Gjithsesi, kalendari i parë zyrtar mbahet, ai, i kohës së Jul Cezarit, ku një mesap kalabrez (ose ilir në fis), avokat për nga zanati, Lilius e thërrisnin, i propozon perandorit kalendarin e vet me bazë egjiptiane, më saktë me bazë Shumeriane, i ndërtuar si kalendar i pastër diellor, pothuajse ai që kemi sot, por me gabime (një ditë në 128 vjet), që u korrigjuan me dekret të Papës Gregoriani XIII, më 1582-shin. Vetë perandori Cezar hoqi emërtimin e muajit korrik të mbërritur deri në kohë të vet prej perandorëve etruskë (që sunduan Romën nga vitet 700 deri në ato 350 para Krishtit) dhe e quajti Jul, ndërsa pas tij qe perandori tjetër, i nipi, Oktavian Augusti, që pasoi me ambicien e të ungjit duke hequr emrin e gushtit dhe e quajti augusto, madje guxoi më tepër se i pari, duke marrë dhe një ditë nga shkurti dhe e vendosi te ky muaj, ndaj dhe kemi qysh atëherë korrikun e gushtin me 31 ditë. Ky kalendar ndoqi shekujt e mëpastajmë, ku kombet, një nga një, fillimisht ata katolikë, pastaj ata protestantë, pasuan dakordësinë e tyre me këtë tip, derisa edhe ortodoksët grekë e rusë në fillim të shekullit 20 arritën dhe e morën për kohëtregues. Prandaj dhe Revolucioni i Tetorit i Leninit, i ndodhur më 17 tetor, sipas kalendarit rus, sot quhet si i 7-ti tetorit, sepse kalendari gregorian hoqi 10 ditë nga ai i Cezarit për të përputhur saktësisht kohën diellore me atë kalendarike.
Veç kalendarit diellor ekzistojnë edhe kalendarë, tipikisht të pastër hënorë, me të cilët përputhen llogaritjet e kalendarit mysliman për të kryer ritet e festave të Ramazanit, e Kurbanit të Madh apo të Kurbanit të Vogël. Pastaj kemi dhe kalendar diellor hënor, si ai shumerian, dhe hënor diellor, si ai kinez e izraelit, dhe/ose kalendar, si ai i fiseve Maya, që përshtat ciklet e diellit me ato të hënës.
Por, klasifikimet e kalendarëve nuk kanë të sosur. P.sh., një tip është ai që bazohet në rregulla (si ai i mayave apo ai gregorian dhe ai cezarian). Ka kalendarë që bazohen në observime astronomike, si ai mysliman, që llogarit saktë momentin e sekondave të para të shfaqjes së draprit të hënës, që iu duhet për festimet, siç shpjeguam më lart. Por, ka edhe nga ata kalendarë që bazohen në llogaritje astronomike, si ai kinez dhe izraelit. Gjithsesi, kalendari bazë mbetet ai i hartuar nga Shumerët, por i ruajtur nga shqiptarët, që bazohet tipikisht në fillimin e një viti të ri sipas ciklit diellor, që përmbushet pikërisht më 25 dhjetor dhe konvecionalisht dëftehet më 1 janar.
Pse më 25 dhjetor? 
Dihet se data 22 dhjetor përfaqëson solsticin dimëror, ku nata pushon së rrituri dhe/ose dita pushon së ngrëni. Dita e parë dhe e dytë pas kësaj, pra 23 dhe 24 dhjetori, përfaqësojnë pushimin (stillstand) ose ekuilibrin ose marrjen e forcave të ditës ose gjenerimin ose lindjen e ditës, që realisht fillon të marrë e të mund t’i maten sekondat e para pikërisht më datë 25 dhjetor. Pra, këto sekonda përbëjnë realisht sekondat e para të një dite të re, të një jave të re, të një muaji të ri apo të një viti të ri, por jo vetëm ditë, por edhe dritë më shumë, por edhe fotosintezë më shumë, por edhe oksigjen më shumë. Pikërisht në këtë moment uji fillon të pjellë ujë, ose të gjenerojë vetveten, që në kuadrin e dy javëve apo gjysmëcikli hënor, duke i hedhur dhe kryqin më 6 janar me nitrat argjendi si katalizator, ai arrin të shpërndahet në gjithë ujërat e botës dhe kushdo mund të marrë nga ky ujë në çdo pikë të globit dhe të të mos i prishet, prandaj dhe ai në këtë ditë quhet ujë i bekuar. Po në këtë moment fillon zgjimi, avash-avash i kafshëve, shkundja nga letargjia, përgatitja për një jetë të re e botës së gjallë, çelja e sythave të shumë bimëve, si mimozat etj. Pra, jeta, gjithandej lind, por mbi të gjitha njeriu. Dhe pikërisht këto ditë, duke filluar qysh nga data 17 dhjetor deri më 24 dhjetor festoheshin saturnalet, ditët e at-it të planetëve, me hare e gëzim të madh, me të pira e të ngrëna, me dhurata për një vit të mirë e të ri për të hedhur dertet pas, dhe më 25 njerëzia i kthehej punës nga e para. Këto festa, që ndryshe quheshin pagane, festa të mirëfillta natyrore, po aq shkencore, sa as egjiptianët, e as grekët më vonë, e as romakët më vonë akoma, nuk mundën t’i përçudnonin, përkundrazi, i zhvillonin po aq, e mos më tepër, vetëm me ndryshimin, se gjoja i kishin shpikur vetë për nder të perëndeshës së bujqësisë me emra e vet, por që vetëm ky komb i ruajti si në fillimet apo origjinalin e vet. Vonë-vonë, më 385 të erës sonë, ky rit u zyrtarizua për të krishterët, se në këtë datë paskësh lindur edhe i madhi Krisht. Pra, festat, datat, muajt, ritet, javët e kalendarët ishin shpikur njëherë, ku një popull si Shumerët i ruajti në gur dhe një popull si pellazgët, më vonë shqiptarët i ruajti në lahutë. Prandaj dhe ne shqiptarët nuk kemi asnjë lidhje me festën e Vitit të Ri më 01 janar, përveç asaj kohe të diktaturës ose kur të tjerët na e kanë detyruar, dhe ne si popull i vogël, për të ruajtur fjalën e parë të dhënë Zotit ose natyrës për ata që nuk besojnë, gjoja i kemi respektuar, por jo besuar. Kësisoj, festa për t’u festuar ndër ne shqiptarët, sot, është ajo e të parëve tanë – 25 dhjetori, që as përhapja e kulturës greke, e as pushtimi romak, e as sundimi bizantin, e as dyndja turke, e as ateizmi i kuq, nuk mundën të prishnin këtë datë si në fillimet e veta.

Konfirmohet aktakuza ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

NGA FLORI BRUQI   Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët n...